ATV

Tag: Ballina

  • Presidentja Osmani në Forumin Alpbach: Familja euroatlantike është familja jonë

    Presidentja Osmani në Forumin Alpbach: Familja euroatlantike është familja jonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në panelin kryesor të Forumit Evropian Alpbach 2023, që po mbahet në Alpbach të Austrisë, ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme.

    Osmani duke folur për një Evropë të guximshme, e cila është tema e sivjetme e Forumit, ka shkruar se kishte nderin të diskutojë në panelin kryesor, së bashku më përfaqësues të shteteve të tjera.

    “Zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme. Pavarësisht se është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën. Familja euroatlantike është familja jonë”, ka shkruar ajo në Facebook.

    Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të realizojë edhe një bashkëbisedim me të rinjtë bursistë të Forumit Evropian nga rajoni, diaspora dhe bota, me fokus në zhvillimet e fundit në vend, por dhe qëndrimin e Kosovës karshi zhvillimeve politike në Evropë dhe përtej.

    Forumi Evropian Alpbach është ndër institucionet më prestigjioze në Evropë, i cili nga viti 1945, mbledhë çdo vit liderë, nobelistë, akademikë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota për të diskutuar idetë për një Evropë më të fortë dhe më demokratike.

  • 19 persona kanë vdekur në vendin e punës, që nga fillimi i këtij viti

    19 persona kanë vdekur në vendin e punës, që nga fillimi i këtij viti

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Një person ka vdekur në vend të punës të premten e 25 gushtit.

    Ai ishte gjendur pa shenja jete në afërsi të një objekti, konfirmoi Policia, e vdekjen e tij e konstatoi edhe mjekësia ligjore.

    Nga fillimi i muajit Janar e deri në Gusht të këtij viti, 19 persona, kanë humbur jetën në vend të punës.

    Për rastet e vdekjeve në vendin e punës, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli. Ai ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të adresuar çështjet e sigurisë në vendet e punës dhe për të siguruar se punëtorët kanë mundësi të sigurojnë një jetë të denjë dhe të sigurt për familjet e tyre.

    Ndërkaq, pasiguria në punë vazhdon të jetë shqetësim edhe për Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat.

    “Rastet e vdekjes në vendet e punës janë shumë shqetësuese për shkak që mekanizmat shtetërorë nuk janë duke e bërë inspektimin e duhur, por nuk është duke bërë as Qeveria si mjet përfundimtar, të cilat këto raste duhet të trajtohen më mirë, ky vit do të jetë më fatkeq për punëtorët e Kosovës”, tha Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës e Pavarur e Sektorit Privat.

    Azemi thotë se, Inspektorati i Punës nuk po bën sa duhet për parandalimin e këtyre rasteve.

    “Faktet po tregojnë që rezultate nuk kemi, rastet e vdekjeve po bëjnë me dije që nuk po bëjnë sa duhet”, tha Azemi.

    Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, gjithsej janë realizuar 3686 inspektime, ndërsa për periudhën janar-maj 2022 ishin realizuar 2364 inspektime.

    Ndërkaq, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, nga Inspektorët e Punës, gjithsej janë shqiptuar 425 gjoba nga marrëdhënia e punës dhe siguria e shëndeti në punës, derisa për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë shqiptuar 122 gjoba.

  • Gjakovarët “n’hall”  me semaforët e prishur

    Gjakovarët “n’hall” me semaforët e prishur

    Përgatiti: Sara Shehu

    Gjendja e sigurisë së pjesëmarrësve në trafik është vështirësuar muajve të fundit në qendër të Gjakovës, në udhëkryqin në afërsi të rrugës “UÇK”, ku semaforët janë jashtë sistemit të funksionimit.

    Si rrjedhojë, qarkullimi i automjeteve po realizohet vetëm me shenjat e trafikut, për të cilën qytetarët thonë se ndjehen të rrezikuar.

    “Semaforët kurr s’kanë me u rregullu. Qe sa komuna është duke thënë se do t’i rregullojë, por jo vetëm po rrejn. Kjo gjendje po naj rrezikon jetën, se ka tulifar njeri që vozit keq pa i kqyr as shenjat”, thotë Agim Sylejmani, qytetar.

    “Është tejet shqetësuese këta semaforë duhet të rregullohen sa më shpejt. Ne këmbësorët kemi shumë pengesa në qarkullim”, thotë një qytetar tjetër.

    “Rrezik është se ka njerëz që nuk shohin mirë. Kjo situatë mas shumti po na rrezikon neve të moshuarit. Duhet me u interesu kryetari i Gjakovës për këtë situatë”, tha Bajram Derri, qytetar.

    Megjithatë, zyrtarët e Departamentit për Komunikacion në këtë komunë, nëpërmes një përgjigje me shkrim, kanë bërë të ditur për ATV-në, se e kanë ndërmend të rregullojnë semaforët, por ende nuk dihet se kur pritet të nis ky projekt.

    “Së shpejti pritet të fillojë kontraktimi për projektin në qendër të qytetit i cili përfshin edhe rregullimin e semaforëve. Por ende nuk e dimë se sa do të kushtojë rregullimi i tyre, meqenëse është një projekt shumë i madh që do të ndodh në qendër të Gjakovës”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Komunikacion në Gjakovë.

    Situata në trafik në Gjakovë, ngjashëm si në qytetet tjera, ka qenë dukshëm më e rënduar dhe më e komplikuar gjatë muajve të për shkak të ardhjes së mërimtarëve dhe fluksit më të madh të automjeteve.

  • Sëmundja e tuberkulozit, ulet numri i rasteve

    Sëmundja e tuberkulozit, ulet numri i rasteve

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, numri i pacientëve të diagnostikuar me tuberkuloz ka shënuar ulje.

    Për shtatë muaj në këtë vit, në klinikën e Pulmologjisë janë regjistruar rreth 100 raste më pak me këtë sëmundje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    “Sa i përket numrit të pacientëve të prekur me tuberkulozë, e që janë mjekuar në klinikën tonë, kemi numrin e saktë, kanë qenë 106 raste , nga 1 janari deri në ditën e sotme. Krahasim me vitin e kaluar, në bazë të mjekimit të pacientëve nga tuberkulozi në klinikën tonë që kanë qenë diku rreth 202 raste që janë mjekuar këtu tek ne, deri tash kur i krahasojmë me shtatë mujorin e parë 106 raste, në bazë të kësaj shifre vërehet një tendencë e rënies së numrit të sëmurëve nga tuberkulozi. Tek ne ende vazhdojnë të jenë moshat e reja të cilat janë të prekur me bacilin Koh, që zhvillohet në sëmundjen e tuberkulozit, por që vazhdon edhe me rastet e moshës së mesme dhe moshat e vjetra”, tha Musa Hoxha, drejtor i Klinikës së Pulmologjisë në QKUK.

    Teksa kjo klinikë është mjaftueshëm e furnizuar me barna nga lista esenciale për kurimin e tuberkulozit, ai tha se hapësira e pamjaftueshme për trajtimin mjekësor të pacientëve po e vështirëson punën e tyre.

    “Ne vazhdimisht po e potencojmë se Klinika e Pulmologjisë sa i përket hapësirës, nuk mjafton, se kemi numër të shtretërve të vogël, edhe ato dhoma që janë të vendosur ata shtretër, janë po ashtu që nuk i plotësojnë kushtet se janë të mbingarkuara me nga një shtrat më tepër. Duke e ditur se SHSKUK-ja nuk ka Klinikë të Pulmologjisë, jemi qiraxhinj këtu në Klinikën e sëmundjeve të lëkurës, në Klinikën e Dermatologjisë. Ne kemi 4-5 vite që ballafaqohemi me këtë problem mjaft të madh, që sidomos gjatë muajve të dimrit, për shkak se patologjia e sistemit respirator gjatë muajve të dimrit rritet për 30-40 për qind dhe nevoja për hospitalizime janë shumë më të mëdha se tani muajve të verës”, tha Hoxha.

    Sfidë tjetër për këtë klinikë, vazhdon të mbetet numri i ulët i stafit mjekësor, për të cilën Hoxha tha se është e nevojshme të rritet numri i infermierëve.

    Ndryshe, tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike, për të cilën ekziston vaksina e bacilit Calmette-Guerin (BCG), e cila përdoret kryesisht në vendet me prevalencë të lartë të kësaj sëmundje.

  • Diaspora për shtatë muaj dërguan mbi 750 milionë euro në Kosovë

    Diaspora për shtatë muaj dërguan mbi 750 milionë euro në Kosovë

    Pavarësisht krizës ekonomike botërore të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë që nga shkurti i 2022-së, mërgata vazhdon të kontribuojë në dërgimin e parave për familjet e tyre në Kosovë.

    Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë (BQK) mbi dërgesat nga jashtë, tregojnë se nga muaji janar deri në korrik 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, diaspora jonë ka dërguar 81.5 milionë euro më shumë.

    Për këtë periudhë, vlera më e lartë ishte gjatë muajit maj me 126.6 milionë euro nga totali prej mbi 751.8 milionë euro.

    Duke iu referuar kanaleve të dërgimit, BQK-ja thotë se, 429.6 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative.

    Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga ky vend kanë ardhur 37.4 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 18 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.4 për qind, Austria me 4.9 për qind dhe Italia me 4.5 për qind.

    “Ngadalësimin e rritjes së konsumit e ka ndikuar kryesisht rënia e fuqisë blerëse të konsumatorëve, për shkak të rritjes së çmimeve, ndërkohë që burimet kryesore të financimit si remitencat, kreditë e reja konsumuese, konsumi publik, etj., shënuan rritje”, thuhet në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.

    Vlera e remitencave të pranuara në tremujorin e parë të 2023-së kanë shënuar rritje prej 12.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Struktura e remitencave sipas shteteve mbetet e pa ndryshuar: Gjermania që ka një pjesëmarrje prej 38.8 për qind të remitencave të dërguara, ndjekur nga Zvicra me 17.2 për qind dhe SHBA-ja me 7.6 për qind”, vijon raporti “Vlerësimi tremujor i ekonomisë, tremujori i parë 2023“.

    Sipas BQK-së, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë mund të ketë pasur ndikim mbi këto dërgesa, si një e hyrë për ekonominë e vendit tonë.

    “Duke konsideruar që pjesa me e madhe e remitancave të pranuara kanë origjinë vendet e Eurozonës apo 57.2 për qind e totalit, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë mund të ketë implikime mbi këtë të hyrë për ekonominë e Kosovës”, përfundon BQK-ja.

  • 3 muaj ngujim: Çka dimë dhe çfarë pasojash mund të ketë për Lulzim Hetemin?

    3 muaj ngujim: Çka dimë dhe çfarë pasojash mund të ketë për Lulzim Hetemin?

    Po bëhen tre muaj prej që Lulzim Hetemi u ngujua në ndërtesën e komunës që drejton. Çka dimë deri tash dhe çfarë pasojash mund të ketë një gjë e tillë?

    Në orët e mbrëmjes së 28 majit do të mbahej një mbledhje e partisë në pushtet, Vetëvendosjes, në Prishtinë. Menjëherë të nesërmen në mëngjes, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi do të futej brenda ndërtesës komunale për të mos dalë më.

    Pasnesër bëhen saktë tre muaj prej që ndodhi ngujimi në fjalë.

    Pse ndodhi ngujimi?

    Një përgjigje direkte mbi vendimin për t’u ngujuar në ndërtesën komunale nuk ekziston. Megjithatë, besohet se ajo ka të bëjë me mundësinë që Hetemi pasi të dilte të mos mund të futej më.

    Kryeministri Kurti, dhe kryetari i partisë së Hetemit, kishte folur në disa raste për këtë ngujim por megjithatë nuk e kishte adresuar qartazi “pse”-në e saj.

    “Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo me të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës.”” – shprehej Kurti në një status në Facebook, pa treguar as kush po i kërkonte Hetemit ‘të çante’ vetëngujimin.

    Në një adresim tjetër, kryeministri i vendit kishte folur tërthorazi për arsyen e këtij veprimi:

    ““Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë se në ndërtesat në komunat në veri të Kosovës kryetari të jetë veçse serb. Dhe veçse serbët të hyjnë në ato ndërtesa… Ndërtesat vetëm për një etni janë segregacion, janë apartheid,” – kishte thënë ai.

    Edhe nëse do të merrej si e mirëqenë e gjithë kjo, vetë Kurti është shprehur se situata tashmë ishte shtensionuar në pjesën veriore të Kosovës. Shtensionimi e bën mjaft absurd ngujimin.

    Por, cilat mund të jenë pasojat mbi vetë Hetemin?

    Pasojat

    Hetemi potencialisht mund të përballet edhe me pasoja ligjore, marrë parasysh që askush nuk ka të drejtë t’i shkelë të drejtat madje as vetes së tij.

    Por, ai mund të përballet edhe me pasoja psikologjike marrë parasysh qëndrimin e gjatë brenda.

    Psikoterapistja Laura Dabney beson që pasojat e qëndrimit brenda ambienteve të mbyllura për kohë të gjatë mund të jenë mjaft të rënda.

    “Ankthi dhe depresioni, të dyja këto rriten kur ju ngujoheni brenda. Madje edhe kur ju vendosni vetë që të ngujoheni brenda,” – tha ajo.

    Një tjetër problem është edhe prishja e gjumit, rënia e nivelit të vitaminës D dhe dobësimi i sistemit imunitar.

    Lulzim Hetemi para disa muajsh ishte shprehur mjaft i kënaqur me kushtet brenda ndërtesës komunale në Leposaviq duke i përshkruar ato “si në hotel”.

  • Masat e BE-së ndikuan në të gjithë sektorët – Qeveria po i minimizon efektet, dëmet mbi 500 milionë €

    Masat e BE-së ndikuan në të gjithë sektorët – Qeveria po i minimizon efektet, dëmet mbi 500 milionë €

    Nëse masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës nuk largohen, dëmet që do t’i ketë vend do të jenë mbi 500 milionë euro, kështu vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike, raporton Ekonomia Online. Sipas tyre nga këto masa janë prekur bizneset e prodhuesit, madje thonë se pushteti po mundohet që t’i minimizojë efektet negative të këtyre masave para publikut.

    Kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahin, ka thënë se masat e BE-së ndaj Kosovës kanë prekur ekonomin e vendit, duke shtuar se Kosova po ngecë në këtë drejtim.

    Sipas llogaritjeve që ata kanë bërë del që vendi do të humbë më shumë se 500 milionë euro, duke përfshire institucionet shtetërore, qendrore, lokale por edhe bizneset të cilat kanë pasur projekte dhe kanë projekte me IPA.

    Ai shton se Kosova është në gjendje që nuk ka qenë asnjëherë më parë sa i përket investimeve e projekteve.

    “Masat e ndërmarra nga institucionet ndërkombëtare kundër Kosovës kanë prekur pothuaj se ekonominë e përgjithshme politike në integrimin dhe Kosova po ngecë në këtë drejtim. Sipas parallogarive tona nëse këto masa do të vazhdojnë më tutje dëmet do të jenë mbi 500 milionë euro”.

    “Duke përfshirë këtu edhe institucionet shtetërore, qendrore, lokale por edhe bizneset të cilat kanë pasur projekte dhe kanë projekte me IPA programe dhe programe të tjera të BE-së. Kosova është në një gjendje asnjë herë më të keqe sa i përket financimit të projekteve privato-publike ndaj Kosovës nga BE-ja”.

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, tha se pushteti po minimizohen efektet negative të këtyre masave. Sipas tij, një vend që synon BE të penaliziohohet në këtë formë është tejet shqetësuese.

    Gërxhaliu shton se me këtë trend Kosova nuk do të ketë rrite ekonomie, e as përmirësim të bilancit të pagesave, raporton EO.

    “Unë besoj që është koha ku duhet këto masa të trajtohen më një seriozitet, të mos neglizhohen. Për fat të keq po ndodh në Kosovë në veçanti nga pushteti po minimizohen efektet negative të këtyre masave. Në aspektin politik vërtet nuk i bënë nder Kosovës një realiteti i tillë, sepse të jesh vend që pretendon që të jesh në Evropë e ardhmërisë, të jesh i ndëshkuar dhe penalizuar në këtë mënyrë është një dëm që vërtet do të ndikoj në imazhin e Kosovës. Kemi ngrirje të fondeve të cilat kanë të destinuara për të mbështetura sektorin privat, e në veçanti prodhuesit vendor. Të thuash sot që këto masa nuk ndikojnë as se si në Kosovë besojmë që është me e keqja që mund t’i bëhet Kosovës”.

    “Vetë fakti që kemi projekte ambientale, që kemi projekte energjetike, që kemi projekte të tjera që janë të stopuara e dëshmon më së mirë situatën aktuale. Prandaj besoj që me këtë trend dhe këto masa Kosova nuk do të ketë rritje ekonomike, Kosova nuk do të ketë përmirësim të bilancit të pagesave, Kosova nuk do të jetë konkurruese me konkurrencën dhe mbi të gjitha Kosova nuk do të krijoj vende të reja të punës”.

  • Bie fluksi në pikat kufitare, deri 20 minuta pritje në dalje të Merdares dhe Dheut të Bardhë

    Bie fluksi në pikat kufitare, deri 20 minuta pritje në dalje të Merdares dhe Dheut të Bardhë

    Deri në 20 minuta janë pritjet në dalje të pikës kufitare në Merdare.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolonat në dalje të Merdares janë deri në 60 metra.

    E njëjta situatë është tek Dheu i Bardhë, atje pritjet për në dalje janë deri në 20 minuta, kurse kolonat kanë arritur deri në 60 metra.

    Ndërkaq, në Jarinje dhe Muçibabë pritjet në dalje janë deri në 10 minuta.

  • Prindërit më fëmijë nën 6 vjet nuk mund të aplikojnë në e-Kosova

    Prindërit më fëmijë nën 6 vjet nuk mund të aplikojnë në e-Kosova

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Prindërit të cilët kanë fëmijë nën moshën 6 vjeçare, nuk po mund të aplikojnë për subvencionim për tekstet shkollore në platformën e-Kosova. Kjo pasi që për t’i marrë parat mosha e fëmijës sipas njoftimit duhet të jetë mes 6 dhe 11 vjet. Nga Këshilli i Prindërve thonë se prindërit janë në telashe pasi një numër i konsiderueshëm prej tyre që fëmijët i dërgojnë në shkollë ende pa i mbushur 6 vjet.

    Aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore po del të mos jetë i lehtë për prindërit. Sipas njoftimit në e platformën e-Kosova për t’i marrë parat mosha e fëmijeve duhet të jetë në mes 6 dhe 11 vjeçare.

    Por, prindërit e fëmijëve të cilët ende nuk i kanë mbushur 6 vjet e që klasën e parë do ta fillojnë këtë shtator nuk mund të aplikojnë.

    Madje ata as nuk kanë ndonjë informatë se kur do të rregullohet çështja ani pse kanë komunikuar me Ministrinë e Arsimit.

    Edhe pse rreth kësaj çështje Ministria e Arsimit nuk ka dalë me ndonjë njoftim zyrtar, deri më tani i vetmi opsion për prindërit është emaili [email protected]

    Të gjitha pyetjet e pranuara nëpërmes këtij emaili më pas shqyrtohen.

    Sidoqoftë në gjithë rrëmujën në mes të MASHTI-t dhe prindërve punën më të lehtë e kanë librashitësit, që thonë se librat janë në dispozicion nga e hëna.

    Për herë të parë pas 15 vjetësh Ministria e Arsimit njoftoi se tekstet shkollore këtë herë duhet të blihen nga vet prindërit të cilët do të subvencionohen.

  • 37.7 për qind e të rinjve synojnë të largohen nga Kosova

    37.7 për qind e të rinjve synojnë të largohen nga Kosova

    PËRGATITI: BENITA ZENELI 

    Sipas një studimi nga ueb-faqja, SchengenVisaInfo.com, më shumë se 60 për qind e të rinjve kosovarë megjithatë nuk do të donin të imigronin në shtetet e Bashkimit Evropian. Por, janë pothuajse 40 për qind prej tyre që kanë plane për t’u larguar një ditë nga Kosova. Për synimin e të rinjve që të largohen nga Kosova, partia më e madhe opozitare akuzoi Qeverinë.

    Jetesë më të mirë, paga më të larta e më shumë mundësi pune janë disa prej arsyeve kryesore të kosovarëve që do të donin të largoheshin nga vendi.

    Një gjë të tillë u deklaruan se do ta bënin 37.7% e të rinjve kosovarë të moshës nga 25 deri 34 vjeçare.

    Sipas studimit të fundit të ueb-faqes SchengenVisaInfo, 18.4 për qind e të anketuarve që planifikojnë të largohen nga Kosova pas liberalizimit të vizave marrin më pak se 300 euro në muaj apo 300 deri në 500 euro në muaj.

    Ndërkohë sipas anketës do të ishin të gatshëm të largoheshin nga puna e tyre aktuale nëse do t’u ofrohej një mundësi më e mirë punësimi në BE, 78.7 për qind derisa 21.3 për qind kanë deklaruar se do të refuzonin.

    E për synimin e të rinjve që të largohen nga Kosova, Partia Demokratike e Kosovës të rinjtë e së cilës së fundi organizuan edhe një protestë për këtë arsyeje, vazhdon ta fajësojë qeverinë Kurti.

    Derisa qytetarët kosovarë do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen për 90 ditë duke filluar nga 1 janari 2024, Kosova vitin e kaluar është renditur në vendin e 18-të sa i përket numrit më të lartë të aplikimeve për viza.

    Në vitin 2022 janë regjistruar 121 mijë e 972 aplikantë për viza derisa në vitin 2021 ishin 44 mijë e 666 aplikime.