Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla do të marrë pjesë sot në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.
Në panelin “Ballkani Perëndimor: Gjithçka po ndryshon, por gjithçka mbetet e njëjtë?”, ku do të diskutohen perspektivat e rajonit në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të jetë i pranishëm edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.
Përpos Gërvallës e Daçiqit pjesë e kësaj tryeze që mbahet pasdite është edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Pjesëmarrës në të do të jenë edhe kryediplomatja sllovene, Tanja Fajon, anëtari i Këshillit të Shtetit të Francës, Alexandre Adam, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe ai i Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq.
Vazhdon sot procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale.
Në njoftim, është bërë e ditur se seanca është paraparë të nisë në ora 09:00.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi të hënën Kosovën dhe Serbinë se do të përballen me pasoja nëse nuk veprojnë me përgjegjësi kundruall situatës në veri të Kosovës. Gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të ambasadorëve francezë në Paris, presidenti Macron theksoi se Franca dhe Gjermania kanë ofruar një propozim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar planit për të cilin palët u pajtuan më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.
“Presim një ri angazhim të qartë nga të dyja palë”, tha presidenti Macron duke u bërë thirrje atyre të punojnë për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, që serbët të kthehen në institucionet e vendit dhe situata të shtensionohet.
“Franca dhe Gjermania i kanë bërë zotimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dyja palët nuk sillen me përgjegjësi”, tha presidenti Macron, duke theksuar se duhet qasje e kujdesshme posaçërisht kur qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor është në rrezik.
Bashkimi Evropian vendosi në qershor masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të siç thuhet, dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në komunat veriore të vendit, të banuara me shumicë serbe.
Tensionet shpërthyen pasi grupe qytetarësh serbë u hodhën në protesta kundër vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Por Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e qeverisë “janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë” për të zbutur krizën në veri dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.
Përmendja e çështjes së vizave nga presidenti Macron, nga vëzhguesit në Kosovë u pa si një paralajmërim për thellim masash ndëshkuese për shkak të situatës në veri.
Në muajin prill Bashkimi Evropian vendosi që qytetaret e Kosovës të përfshihen në regjimin e udhëtimit pa viza nga 1 janari i vitit 2024. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në këtë regjim dhe e fundit në proceset integruese evropiane.
Presidenti francez tha të hënën se Bashkimi Evropian është në rrugën e zgjerimit, veçanërisht me rajonin e Ballkanit Perëndimor, por blloku duhet të reformohet nëse dëshiron të integrojë vende të reja./VOA
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimi të zhvilluar në Bled të Sllovenisë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai ka treguar se me diplomatin sllovak kanë folur për mundësinë për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes Themelore.
Sipas tij, “me procesin e ri-fokusuar të zgjerimit të BE-së, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe njohje reciproke, de-jure dhe de-facto”.
Nga kryeministria u tha se ata diskutuan për procesin e dialogut dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj pa kushtëzime.
“Kryeministri tha në dritën e fjalimit të presidentit të Këshillit Evropian për integrim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është e rëndësishme që të ketë avancim drejt normalizimit të plotë me njohje reciproke”, thuhet në njoftimin e Qeverisë Kurti.
“Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, Kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të de-eskaluar e cila nuk duhet të ri-eskalohet. Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet të ju prij një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike”.
Po ashtu u tha se aty u diskutua edhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit.
E, Lajçak me anë të një postimi në X ka theksuar se pati në takim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë.
“Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, shkroi ai në platformën “X”.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova nuk është mjaftueshëm prezente në politikën e jashtme.
Sipas tij, Kosova është duke u kërcënuar për heqjen e liberalizimit të vizave për shkak të politikës së jashtme jo të duhur të Qeverisë Kurti.
“Nga Evropa në Amerikë, e nga Azia në Amerikën Latine, Kosova asnjëherë nuk ka qenë me kaq pak prezencë në marrëdhëniet ndërkombëtare prej vitit 1989, sesa si tash me qeverinë Kurti! Politikës së jashtme së Kosovës i është shuar vullneti dhe tharë energjia e mbrojtjes së interesit shtetëror”, tha ai.
“Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, me qeverinë Kurti, i janë hapur dyert në tërë botën, sikurse asocimi i shpejt i Serbisë në ASEAN, organizatën më të madhe në Azi! Natyrisht, këtu për tërheqjet e njohjeve nga Azia, se as që mund të bëhet fjalë për të marrë njohje të reja! Si e sheh Evropa Kosovën, nuk tregojnë recitimet në Forumet Alpbach dhe Bled, por kërcënimet për heqjen e liberalizimit të vizave nga Parisi dhe Berlini!”.
Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar viziton Bosnje dhe Hercegovinën këtë javë, njofton ambasada amerikane në Sarajevë.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se Escobar do të diskutojë për situatën aktuale politike në dritën e përshkallëzimit të sulmeve ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, rendit kushtetues dhe shtetit të Bosnjë Hercegovinës.
“Vizita e tij nënvizon mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnje Hercegovinës dhe për rrugën e saj euroatlantike”, thuhet në njoftim.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar qëndroi në Shkup për vizitë javën që lam pas, ku në fokus ishin ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
Bordi i KEK-ut nuk do ta shkarkojë Nagip Krasniqin e as nuk do të shpallë konkurs të ri, pa një vendim nga organet e drejtësisë apo krijimin e rrethanave, që ata i vlerësojnë të domosdoshme. Njohës të punës së ndërmarrjeve publike, vlerësojnë se me këtë përcaktim bordi e ka pothuajse të pashmangshme shkeljen e afatit ligjor për funksionim me ushtrues detyre të kryeshefit.
Edhe pse kanë kaluar katër muaj e dhjetë ditë, qëkur Nagip Krasniqi u arrestua dhe po mbahet në paraburgim, bordi i drejtorëve i Korporatës Energjetike të Kosovës ende nuk është duke e konsideruar shkarkimin e tij dhe shpalljen e konkursit për kryeshef të ri të ndërmarrjes.
“Lidhur me këtë, me udhëzimin e Bordit të Drejtorëve ju bëjmë me dije se për këtë çështje do të vendoset pasi të ketë një vendim nga organet relevante të drejtësisë, apo pasi të krijohen rrethanat të cilat Bordi i Drejtorëve do t’i konsiderojë të domosdoshme për të sjellë një vendim meritor”.
Vendimi i 25 Prillit për suspendimin e Nagip Krasniqit dhe emërimin e Përparim Kabashit ushtrues detyre i kryeshefit, mbetet i fundit që Bordi i KEK-ut mori për këtë rast.
Referuar afateve ligjore për funksionim të ndërmarrjeve publike me ushtrues detyre të kryeshefit, drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, theksoi se bordi është dashur të shkarkojë Krasniqin dhe të hapë konkursin.
“Po flasim potencialisht për një kohë për të cilën është konsumuar ky gjashtë-mujori që ligji e lejon me qenë ushtrues detyre. Prandaj mendoj se Bordi është dashur ta shkarkojë dhe t’i hapë procedurat për zgjedhjen e një drejtori të ri. Sepse, ushtruesi i detyrës momentalisht që është, është i cunguar sa i përket kompetencave për me e udhëheqë një ndërmarrje kaq të rëndësishme publike siç është KEK-u”.
Demhasaj vlerësoi se tashmë shkelja e ligjit është praktikisht e pashmangshme.
“Nëse i shohim procedurat për me e zgjedhë drejtorin e ri të KEK-ut: hapja e konkursit, aplikimi, intervistimi, përzgjedhja e një drejtori, pastaj afati i ankesave të kandidatëve tjerë, potencialisht mund t’i marrë deri në tre muaj kohë, kështu që edhe nëse potencialisht hapet tash konkursi prapë se prapë mund të flasim për shkelje të këtij afatit gjashtë-mujor që duhet me qenë me ushtrues detyre”.
Nagip Krasniqit, i cili u arrestua më 19 Prill nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konfliktit të interesit, i është vazhduar masa e paraburgimit deri më 20 shtator.
Rreth 51.200 aplikime janë bërë për 3 ditë në platformën E-Kosova, për subvencionimin e teksteve shkollore. Mirëpo, mosfunksionalizimi i kësaj platforme po del të jetë problem për prindërit. Derisa, sipas kryetarit të SBASHK-ut, mosshpërndarja e teksteve shkollore është sfidë e madhe për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Tri ditë i janë dashur Ganimete Muharremit, që të arrijë të aplikojë për subvencionim për blerjen e teksteve shkollore për vajzat e saj.
“Problem në platformën E-Kosova, po kemi shumë, ka 3 ditë që kam provuar me apliku për subvencionim, por sistemi nuk ka funksionuar dhe nuk po mundem me u kyç në sistem, nuk po e pranon as email-in, as kurrgjë dhe po kemi shumë problem.”
Ankesa si të Muharremit kanë edhe shumë prindër të tjerë. Kjo është konfirmuar edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.
“Ka pasë ankesa se prindërit kanë aplikuar shumë në të njëjtën kohë dhe se linku në platformën E-Kosova ka qenë i bllokuar, por sa po e shoh tash prindërit po aplikojnë pa problem.”
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj, tha se mosshpërndarja e teksteve shkollore do të jetë një sfidë e madhe për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Mësimdhënësit do të jenë të sfiduar ngase një pjesë e nxënësve do të fillojnë e do të vazhdojnë po tekste shkollore, e mësimdhënësit do të jenë në sfidë ngase me plan-program duhet të fillojnë, sidomos javën e dytë për të zhvilluar njësi nga ky vit shkollor, por do ta kenë vështirë sepse do të ndihen keq ngaqë disa fëmijë nuk kanë tekste shkollore dhe fatkeqësisht në vend që qeveria Kurti të sigurojë mjete për teknologji bashkëkohore, për loptop e projektor, që t’i ngjasojnë shkollat e Kosovës shekullit 21, ja që këtë vit shkollor po e fillojmë edhe më keq.”
Për 3 ditë sa është hapur aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore, në platformën E-Kosova, janë pranuar 51.200 aplikime. Për nxënësit e arsimit në nivelin e ulët, klasat 1 deri 5, do të ndahen nga 80 euro për tekstet shkollore, derisa për nxënësit e arsimit në nivelin e mesëm të ulët, klasat 6 deri 9, të cilët i kanë librat të siguruar nga viti paraprak, do të ndahen nga 30 euro për mjetet mësimore.
Edhe këtë vit, numri i zjarreve fushore që konsiderohet se shkaktohen kryesisht nga faktori njeri, është i lartë. Zyrtarë të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë tregojnë për ATV-në se gjatë muajve korrik dhe gusht ata kanë shuar 240 vatra zjarri. Derisa u apelojnë qytetarëve të mos i djegin fushat, ankohen se kanë mungesë stafi.
Për më pak se dy muaj, 240 zjarre fushore janë shuar nga zjarrfikësit e Rajonit të Prishtinës.
Sipas përfaqësuesit të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtine, zjarret në Fushë-Kosovë, Obiliq por edhe pjesë të tjera të Prishtinës, po dyshohet se po shkaktohen nga faktori njeri.
Pavarësisht numrit të vogël të zjarrfikësve, sipas Shkodres, po arrihet që çdo vatër zjarri të shuhet.
Edhe pasditen e kësaj të hëne zjarrfikësit intervenuan në shuarjen e zjarrit në një pjesë të gjelbëruar në Zonën Industriale të Autostradës “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Në Zonën Industriale, në zonën fushore të autostradës Ibrahim Rrugova, është vetëm një nga pjesët që u përfshi nga zjarri këtë të hënë, por zjarri u shua nga zjarrfikësit.
Gjatë stinës së verës dhe në fillim të vjeshtës, regjistrohen më shumë vatra zjarri nëpër fusha e male.
Në Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, përveç kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, po merr pjesë edhe shefja e diplomacisë kosovare, zonja Donika Gervalla.
Nën temën “Solidaritet për Sigurinë Globale”, brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, gjatë ditës së sotme ,tema e debatit ishte edhe Kosova, si dhe bashkëpunimi rajonal, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe siguria.
Kryediplomatja e Kosovës, zonja Donika Gervalla, në një intervistë për ATV-në dhe, ka thënë se “Delegacioni nga Kosova gjatë qëndrimit në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë ka zhvilluar një aktivitet të dendur politik dhe diplomatik me përfaqësues të lartë të BE-së, ata nga Këshilli Evropian, si dhe kryetarët e shtetit slloven dhe disa vende ballkanike.”
“Gjatë gjithë këtyre takimeve, sikur më parë, edhe sot këtu në Forumin Strategjik në Bled, kemi shfrytëzuar rastin të lobojmë jo vetëm për njohje të reja, por edhe për integrime evropiane dhe euroatlantike. Paralelisht me këto, kemi diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në BE, Interpol, etj…” ka deklaruar më tej ministrja Gervalla. /atvlive.tv