ATV

Tag: Ballina

  • Osmani do të takohet me kreun e NATO-s më 7 shtator

    Osmani do të takohet me kreun e NATO-s më 7 shtator

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 7 shtator do të takohet me shefin e NATO’s, Jens Stoltenberg.

    Agjenda në fjalë është kumtuar nga faqja e NATO’s.

    “Të enjten, më 7 shtator 2023, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do ta presë znj. Vjosa Osmani-Sadriu. Sekretari i përgjithshëm dhe znj. Osmani do të mbajnë konferencë të përbashkët për media në seli të NATO-s pas takimit të tyre”, thuhet në njoftimin e NATO’s.

  • ​Nagavci: Jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve për tekstet shkollore

    ​Nagavci: Jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve për tekstet shkollore

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë janë në proces të aspekteve teknike për transferimin e mjeteve në xhirollogaritë e atyre që kanë aplikuar për subvencionim të teksteve shkollore.

    Ajo ka thënë se deri tani janë 92 mijë aplikime, derisa ka shtuar se janë duke i shqyrtuar të gjitha ankesat e pranuara deri tani.

    Ndërsa lidhur me rastet kur nxënësit janë 5 vjeç, ajo ka thënë se pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve.

    Ajo ka shtuar se mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator “me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”.

    “Deri tash në këtë platformë kanë aplikuar gjithsej 92 mijë prindër. Për të gjithë ata që kanë aplikuar, ju informoj se jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve në xhirrollogaritë tuaja. Po ashtu, ju siguroj se të gjitha ankesat që i kemi pranuar deri tash janë duke u shqyrtuar”, ka shkruar ajo.

  • ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën

    ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën

    Dëshmitari i nëntëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar e ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    E tërë dëshmia e tij është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun ndërsa prokurori Matt Halling e ka bërë një përmbledhje të shkurtë të dëshmisë së tij.

    Në seancën e së martës, prokurori ka thënë se kjo dëshmi ka të bëjë me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar të një familjari të 04566.

    Derisa e ka lexuar përmbledhjen në gjykatore, ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur në fshatin Drenoc.

    Pas përfundimit të dëshmisë së tij, gjykata ka bërë te ditur se seancat në këtë proces gjyqësor do të vazhdojnë të hënën e 4 shtatorit.

    Nga 19 dëshmitarë të prokurorisë, vetëm tre prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • BE: Kosova dhe Serbia t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut

    BE: Kosova dhe Serbia t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut

    Bashkimi Evropian (BE) i ka përsëritur kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë për ndërmarrjen e hapave që u është kërkuar atyre për t’i krijuar kushtet për vazhdimin e dialogut, por nuk ka dashur të përmendë afate kohore se kur mund të ndodhë një takimi i nivelit të lartë në Bruksel.

    Këto qëndrime i ka shprehur për Radion Evropa e Lirë Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë.

    “Puna në dialog po vazhdon. Ne e kemi përsëritur vazhdimisht javëve të fundit se ka një pritje të qartë nga ana e BE-së që palët t’i ndërmarrin hapat e definuar shumë qartë për deeskalim, dhe t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut”, tha Stano.

    Më 10 korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për disa hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, përfshirë zvogëlimin e pranisë policore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

    Policia e Kosovës njoftoi më 4 gusht për zvogëlimin për 25 për qind të prezencës së oficerëve të vet në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës.

    Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog Miroslav Lajçak, po i vazhdon takimet me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë për të përgatitur takimin e radhës në kuadër të dialogut. Ai e ka përmendur muajin shtator si afat kur mund të ndodhë takimi i radhës, por jo edhe ndonjë datë të saktë.

    Stano, po ashtu, ka refuzuar të përmend data duke thënë se “do të shpallim datën për çfarëdo takimi të radhës të udhëhequr nga Përfaqësuesi i lartë kur të jetë e përshtatshme”.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian ka përsëritur edhe thirrjet për implementimin e shpejtë dhe pa vonesa të marrëveshjeve që kanë dalë nga dialogu.

    “Ne, po ashtu, kemi thënë shumë qartë se është e domosdoshme që dialogu i lehtësuar nga përfaqësuesi i lartë dhe implementimi i shpejtë i marrëveshjes për normalizimin e raporteve dhe aneksit për implementim, të bëhen pa ndonjë vonesë të re” theksoi ai.

    Për një periudhë të gjatë nuk ka pasur takime në nivelin e lartë në kuadër të dialogut.

    Herën e fundit kur Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ishin në Bruksel ishte 22 qershori, por as atëherë ata nuk patën takim mes vete.

    Në BE pohojnë se synojnë që tash situate të normalizohet në veri dhe që palët të evitojnë çdo veprim i cili mund të shkaktojë tensione të reja dhe në këtë mënyrë të ndikojë negativisht edhe në procesin e dialogut.

  • Hoti tregon pse Serbia s’po e respekton deklaratën për të zhdukurit me forcë

    Hoti tregon pse Serbia s’po e respekton deklaratën për të zhdukurit me forcë

    Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka akuzuar Serbinë se qëllimshëm po zvarrit zbatimin e deklaratës për të zhdukurit me forcë. Ai ka thënë se pala serbe po tenton të gjejë arsye për mos hapjen e arkivave dhe mos formimin e komisionit mbikëqyrës për të gjetjen e personave të zhdukur me forcë.

    Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, Hoti tha se po presin nga Bashkimi Evropian veprime konkrete ndaj Serbisë që ta bindë t’i hap arkivat.

    “Asnjë hap deri më sot nuk e ka ndërmarrë Serbia. Ne e njohim Serbinë dhe e dina se ajo nuk ka qenë e gatshme me marrë hapa, por neve po flas edhe si familjarë që na mbetet hatri edhe nga faktori ndërkombëtar që ata do të duhej të ishin që të kushtëzojnë Serbinë që ajo të përgjigjet për fatin e këtyre personave… Kanë qenë 40 ditë afat prej 5 majit kur është miratuar deklarata. Por ai afat është shtyrë, nuk e di për çka por supozojë për shkak të gjendjes në veri. Pastaj muajin e kaluar kemi qenë në Bruksel, kemi diskutuar, ka qenë edhe një afat tjetër 30 ditësh por që ende nuk kemi përgjigje prej BE-së në këtë rast. Me as sa di Serbia po tenton të luajë lojën e njëjtë, siç e ka bërë me deklaratën që e ka zvarrit për një term që tashmë eksiton. Kapet për çështje teknike terma teknike që mos të formohet komisioni dhe mbikëqyrja e deklaratës. Për këtë ende nuk kemi përgjigje nga BE-ja”, tha ai.

    Trysni më të madhe ndaj Serbisë kërkoi edhe kryetari i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, Ahmet Grajqevci.

    “Besoj se me një trysni më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian Serbia do t’i tregonte të gjithë të zhdukurit tanë se ku janë, qofshin në brendësi të Kosovës se ku janë fshehur apo në Serbi që ka ende varreza masive. Por ne e dina se një numër i madh deri në Prokuplje kanë shkuar të gjallë dhe nga aty nuk e dimë ku e kanë pas rrugëtimin e tyre dhe vendndodhjen e tyre”, deklaroi ai.

    Në anën tjetër, më kritik ndaj krerëve të institucioneve u shpreh kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, i cili tha se të njëjtit nuk po bëjnë sa duhet për çështjen e të pagjeturve.

    “U përmend një deklaratë që janë marrë vesh edhe në Bruksel dhe Ohër. U përmend që nuk është bërë asnjë hap për personat e pagjetur. Po përmenden shumë gjëra të cilat po na plagosin edhe më shumë plagët që i kemi se 25 vjet. Po flitet më 30 gusht, më 27 prill, në çdo cep të Kosovës ku ka përmendore dhe gjëra se Serbia ka faj. S’ka nxënës në shkollën fillore që e din se Serbia ka faj për këtë i kemi institucionet tona që me zgjedh problemet dhe me largu politika nga pjesa humane që kemi të drejtë në konventat ndërkombëtare. Kush paska faj, kush nuk po e shtynë procesin sa duhet. Çka duhet me fol Vjosa Osmani që me kallë mu politikë se çka flitet në bashkësinë evropiane. Unë dua të më tregoj konkret se çka ajo ka bërë për personat e pagjetur. Komisioni qeveritar është formuar për me na ndihmu jo me na majtë deklarata, pasi deklaratat e tyre janë mbetur në letër”, shtoi Qerkini.

    Nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, me rastin e shënimit të 30 Gushtit – Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë sot janë bërë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

    Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojnë të mungojnë edhe mbi 1600 persona, të zhdukur me dhunë./KP/

  • Shefja e UNMIK-ut kërkon vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve

    Shefja e UNMIK-ut kërkon vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve

    Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje që të vazhdohen përpjekjet dhe përkushtimi për ta zgjidhur fatin e viktimave të zhdukjeve të dhunshme.

    Ajo ka kërkuar që autoritetet ta kenë prioritet këtë çështje në mënyrë që edhe t’i zbusin vuajtjet e familjeve.

    “U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja,” ka thënë Ziadehu në një deklaratë në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

    “Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.”

    Ajo po ashtu e ka kujtuar vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të Raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për Promovimin e së Vërtetës, Drejtësisë, Dëmshpërblimit dhe Garancive për Mospërsëritje, z. Fabián Salvioli*, i cili kishte konstatuar se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte sjellë zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.

    “Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të së drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet,” tha PSSP Ziadeh.

  • Osmani: Nëse pezullohet liberalizimi i vizave, dialogu vritet një herë e përgjithmonë

    Osmani: Nëse pezullohet liberalizimi i vizave, dialogu vritet një herë e përgjithmonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

    Osmani ka thënë se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës në veri qysh më 10 korrik në Bratisllavë.

    Ajo e ka përmendur që marrëveshja parasheh zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, hap që ajo ka thënë se Kosova e ka bërë, dhe se është duke u punuar në organizimin e zgjedhjeve të reja.

    Sipas Osmanit, baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më 1 shtator, dhe kështu ka thënë se pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka vlerësuar si të padrejta dhe joproporcionale.

    Një tjetër pikë e marrëveshjes së Bratisllavës parasheh edhe kthimin sa më të shpejtë në dialog në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Osmani ka thënë se pret lëvizje në këtë drejtim në shtator.

    Për dialogun kanë diskutuar më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta në maj të këtij viti, meqë banorët e komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunave.

    Banorët e këtyre komunave me shumicë serbe kanë protestuar me javë para ndërtesave dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë./REL/

  • ​Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    ​Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve, ku pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari i prokurorisë.

    Dëshmitari i nëntëmbëdhjetë, i mbrojtur, (me shifrën W04566) ka nisur të dëshmojë dje. Dëshmia e tij është mbajtur kryesisht në seancë të mbyllur për publikun.

    Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar 18 dëshmitarë, prej tyre vetëm tre në gjykatore kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • ​Rezultatet mungojnë, por “Dardanët” konfirmojnë mbështetjen e fuqishme për Kosovën

    ​Rezultatet mungojnë, por “Dardanët” konfirmojnë mbështetjen e fuqishme për Kosovën

    Të gjitha biletat për ndeshjen kualifikuese për Euro 2024 ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e cila zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, janë shitur brenda pak orëve.

    Ky interesim i madh nga tifozët është një shenjë e fortë e përkrahjes së fuqishme ndaj Kombëtares së Kosovës. Mbi 13 mijë tifozë, aq sa është kapaciteti maksimal i stadiumit “Fadil Vokrri” do të jenë të pranishëm në tribuna natën e 9 shtatorit, aty ku për kundërshtar Kosova do t’i ketë edhe yje si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.

    Kosova nuk ka pasur rezultate të mira në ndeshjet e fundit. Ata barazuan me Andorrën e Rumaninë, derisa u mposhtën nga Bjellorusia, por kjo nuk e ndali hovin e madh të tifozëve në mbështetje të lojtarëve.

    Kosova është në grupin I të kualifikimeve për Euro 2024, ku renditet në vendin pestë me vetëm tri pikë, duke pasur kështu fare pak gjasa për kualifikim tutje.

  • Osmani, Konjufca e Kurti sot marrin pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve

    Osmani, Konjufca e Kurti sot marrin pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve

    Presidentja, Vjosa Osmani, kryeparlamentari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, do të marrin pjesë sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

    Ata do të bëjnë nderime te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, në orën 10:00.

    “Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, me rastin e shënimit të 30 Gushtit – Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, Zyra e Kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, organizojnë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës”, bën të ditur njoftimi i ZKM-së.