ATV

Tag: Ballina

  • Rreth 100 mijë të rinj në Kosovë nuk janë as në shkollë, as në trajnime e as në punë

    Rreth 100 mijë të rinj në Kosovë nuk janë as në shkollë, as në trajnime e as në punë

    Rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë apo 1 milion 195 mijë e 426) janë popullsi në moshë pune.

    Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) njofton se shkalla e personave joaktiv në moshë pune vazhdon të mbetet mjaft e lartë, 61. 4 për qind, duke u rritur për 0,7 për qind, krahasuar me vitin 2021.

    Në raportin e publikuar për Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për 2022 nga ASK thuhet se janë gati 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 400 mijë janë të punësuar, rreth 60 mijë janë të papunë dhe mbi 733 mijë qytetarë janë joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

    Shqetësuese sipas ASK-së është edhe një fakt tjetër, 98 mijë e 705 të rinj nuk janë as në shkollë, as në trajnime e as në punë.

    “Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë (61,4 %), duke u rritur për 0,7%, krahasuar me vitin paraprak. Shkalla e jo-aktivitetit tek femrat ishte shumë e theksuar me 78,0 %, krahasuar me meshkujt, 44,5 %”, thuhet në raportin e publikuar për Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për 2022 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Po ashtu sipas ASK-së, shkalla e punësimit ishte 2,7% më e lartë sesa në se në vitin paraprak(2021), shkalla e papunësisë ishte më e ulët për (- 8,1%), kurse tek të rinjtë (15-24 vjeç), shkalla e papunësisë ishte më e ulët për (-16,6%) sesa në vitin paraprak.

    Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë për vitin 2022 është 12.6%.

    Po ashtu sipas këtij raporti, persona aktiv ishin 21 mijë 571 më pak se në vitin paraprak, persona joaktiv ishin 14 mijë e 698 më pak se në vitin paraprak, persona të punësuar ishin 20 mijë e 509 më shumë se në vitin paraprak dhe persona të papunësuar ishin 42 mijë e 80 më pak se në vitin paraprak. /kp

  • Abdixhiku: Paaftësia e Qeverisë po na kushton

    Abdixhiku: Paaftësia e Qeverisë po na kushton

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, teksa është deklaruar rreth çështjes së sigurimit të librave shkollorë për nxënësit, e ka akuzuar Qeverinë për paaftësi, që sipas tij, po kushton.

    Në videon e publikuar nga ai në Facebook, ku shihet një qift nga Prishtina duke u përpjekur t’i sigurojë librat e klasës së tretë për fëmijën e tyre, Abdixhiku ka thënë se ky qift do të duhej të kishte brenga tjera, por shteti ka vendosur t’i ngarkojë prindërit me detyrat e vetë shtetit.

    “Pamjet që po i shihni janë pamje të përpjekjes së përditshme të prindërve kosovarë të cilët, pa asnjë nevojë e asnjë logjikë, u bënë subjekt i eksperimentit komplikues të Qeverisë. Pritje në rend, paqartësi mbi blerjen e librave, bartje nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim janë disa nga telashet e panevojshme – tërësisht të panevojshme – të krijuara nga vet qeveria”, ka thënë ai.

    Ai ka shtuar se në vend të 4.8 milionë eurove, bizneset tani do t’i përfitojnë 6 milionë euro si subvencionim.

    “Paaftësia pra kushton. Paranoja dhe më shumë. Por sot, çfarë na kushton më së shumti është koha. Ajo po na rrëshqet para syve. Në vitin 2023, do të duhej të flisnim për digjitalizim të shkollave, për klasë me 20 nxënës, për kodimin si lëndë obligative, për intelegjencën artificiale si subjekt mësimi. Do të duhej të flisnim për fëmijët tanë si forcë moderne që bën të ardhmen tonë. Në vend të kësaj, po merremi – merreni me mend – me blerjen e librave dhe maltretimin e panevojshëm të prindërve. Do të merremi me ballafaqime të tilla sepse është mendësia e mospunës, ankesës e paranojës që s’lë shtetin e shoqërinë të bëjë zhvillim”, ka theksuar më tej ai.

  • Sot nis viti i ri shkollor

    Sot nis viti i ri shkollor

    Nxënësit e mësimdhënësit sot u rikthehen shkollave. Një ditë para nisjes së procesit mësimor, interesimi i qytetarëve për t`u pajisur me tekste shkollore për fëmijët e tyre ishte i lartë.

    “Po sot ka qenë një fluks i madh i qytetarëve që kanë qenë të interesuar për t’i blerë, gjatë tërë ditës kemi qenë shumë të angazhuar për me i shit tekstet shkollore”, thotë Arben Bajoku, menaxher i librarisë.

    Mirëpo, nga Këshilli i Prindërve të Kosovës thonë se mjetet për blerjen e këtyre teksteve, prindërve në xhirollogaritë e tyre ende nuk u janë dalë.

    “Për çështjen e subvencionimit, nuk e kam asnjë informacion që dikujt kanë fillua t’i bëhet subvencionimi që do të thotë askujt nuk i kanë dal. Po presim që dalin gjatë ditës për arsyeje se një deklaratë e ministres ke që do të dalin para 1shtator e i pari fillon në 12 të natës”, “, thotë Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.

    Ndërkaq, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, thonë se me këtë mënyrë të veprimit nga Ministria e Arsimit, procesi mësimor do të dëmtohet shumë.

    “Nga ana e MASHT-it dhe Qeverisë i duket proces i lehtë, por procesi do të komplikohet kur mijëra prindër do të shkojnë të bankomatat për t’i marr parat se kemi një pjesë të madhe të familjeve nëKosovë që janë në gjendje tepër të rënd ekonomike e tash synin siç thotë populli i kanë pikërisht në ato mjete”, thotë Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut..

    Ndërsa në orët e pasdites, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se kanë përfunduar procedurat e pagesës për blerjen e librave shkollorë për 81 mijë përfitues. Ajo tha se në këtë grup hyjnë prindërit që kanë aplikuar deri më 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore.

    Nagavci, në një njoftim në Facebook, bëri të ditur se numri i tërësishëm i aplikimeve është mbi 115 mijë dhe se pjesa tjetër do të trajtohet me grupin e radhës, përderisa ka shtuar se janë identifikuar 75 raste me gabime nga prindërit gjatë aplikimit por ata do të njoftohen për rishikim të nevojshëm./RTK

  • Ballkani rishkruan historinë, kalon për herë të dytë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

    Ballkani rishkruan historinë, kalon për herë të dytë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

    Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka rishkruar historinë, duke u kualifikuar për herë të dytë radhazi në grupet e Ligës së Konferencës, pasi në përballjen e play-offit, pas 180 minutave lojë e mposhti me rezultat të përgjithshëm 4:2 Bate Borisovin.

    ‘Xhebrailat’ shënuan fitore të thellë në Fadil Vokrri një javë më parë, me rezultat 4:1, çka ia lehtësoi shumë punën për ndeshjen e sotme të kthimit, që u zhvillua në terren neutral, në shtetin e Hungarisë.

    Bate Borisov shënoi fitore minimale 1:0 si vendas dhe kështu Ballkani u kualifikua në grupet e Ligës së Konferencës.

    Goli i vetëm i takimit të sotëm u shënua në minutën e 30-të, kur ‘vendasit’ shënuan pas një gabimi në mbrojtje të skuadrës së Ilir Dajës.

    Kampioni i Kosovës arriti deri në fund ta menaxhonte ndeshjen, për ta bërë një arritje të madhe.

    Për të ardhur deri këtu, Ballkani, fillimisht u eliminua nga faza e parë kualifikuese e Ligës së Kampionëve, ku pastaj erdhi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku dominuan në çdo përballje deri më sot.

    ‘Xhebrailat’ nesër do ta mësojnë grupin e tyre në Ligën e Konferencës, ku do të bëhet tërheqja e shortit në Monako.

  • Eurodeputeti holandez: S’kemi marrë asnjë sinjal se vizat për Kosovën janë në rrezik

    Eurodeputeti holandez: S’kemi marrë asnjë sinjal se vizat për Kosovën janë në rrezik

    Në prill të këtij viti u përmbyll i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën me marrjen e vendimit nga institucionet e Bashkimit Europian dhe me publikimin në gazetën zyrtare. Qytetarët tanimë po presin 1 janarin e vitit të ardhshëm që të mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.

    Për procesin e pritur gjatë sërish u krijua një drojë se mund të preket. Një deklaratë e presidentit francez Emmanuel Macron ktheu prapë në diskurs të opinionit heqjen e mundshme të vizave për shkak të politikave ndërmjet Kosovës e Serbisë.

    “Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët”, kishte thënë Macron në një fjalim para ambasadorëve francezë.

    Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, i cili ishte raportues në Parlamentin Europian për liberalizmin e vizave të Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se nuk kanë marrë ndonjë sinjal mbi këtë çështje.

    “Kur bëhet fjalë për hyrjen në fuqi të regjimit të ardhshëm pa viza për Kosovën nga 1 janari 2024 e tutje, nuk kemi marrë asnjë sinjal se është në rrezik”, tha ai.

    Rastet kur hiqen vizat për një shtet nga BE janë ekstreme dhe aktualisht Kosova nuk është në këto rrethana. Këtë po e thotë edhe Reuten, i cili tha se kjo s’mund të thotë rastësisht.

    “Ne nuk jemi ekspertë për procedurën e heqjes së vizave dhe ndoshta kjo është diçka që duhet të shikohet me Komisionin Europian. Ne e dimë se revokimi i vizave individuale është i mundur vetëm në kushte të caktuara dhe nuk mund të ndodhë rastësisht”, tha eurodeputeti holandez.

    Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani dje paralajmëroi mbi pasojat që mund të ndodhin në rast se ndodh kjo në të vërtetë.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës”, tha Osmani dje.

    Çfarë tha fjalë për fjalë Macron për Kosovën, Serbinë dhe rishikimin e politikës për vizat?

    Në fjalimin e tij para krerëve të misioneve franceze nëpër botë, presidentit francez kur i ka ardhur radha që të flasë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka potencuar se Franca do të vazhdojë të jetë vigjilente sa i përket këtij rajoni.

    “Ne do të vazhdojmë të jemi shumë vigjilentë për situatën e sigurisë dhe atë politike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, ne kemi ndërtuar me Gjermaninë një udhërrëfyes të ri dhe një propozim të ri për mospajtimet që kanë Serbia dhe Kosova. Unë besoj se ky udhërrëfyes është i mirë. Ai u mbështet nga negociatori evropian dhe përfaqësuesi ynë. Prandaj ne jemi duke pritur një riangazhim të qartë nga të dy palët, e kam fjalën për riangazhim për zgjedhjet e pritura komunale, një riangazhim serb lidhur me institucionet, njohje të komunave, veçanërisht në veri nga ana e institucioneve kosovare, një qetësim të situatës, dhe e them këtë sepse Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët. Por ne do të vazhdojmë me partnerët tonë gjerman që të jemi shumë vigjilent për këtë çështje dhe për gjithçka që lidhet me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

  • Serwer: Escobar e Hill besojnë se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, faktet tregojnë të kundërtën

    Serwer: Escobar e Hill besojnë se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, faktet tregojnë të kundërtën

    Profesori i Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer, thotë se SHBA-ja po e favorizon Serbinë. Ai mendon se emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill besojnë se e kanë “dërguar Serbinë drejt Perëndimit, pavarësisht fakteve të qarta kundër”.

    Së fundmi ambasadori Hill në një intervistë për “Zërin e Amerikës” i kishte dalë në mbrojtje ministrit të Mbrojtjes së Serbisëm Millosh Vuçeviq. Hill nuk i kishte vlerësuar si destabilizuese deklaratat e Vuçeviqit se “njohja e Kosovës do t’i godasë në kokë Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut – siç po ndodh në Ukrainë me të gjithë ata që promovuan Kosovën si shtet të pavarur”.

    Eksperti për Ballkanin, Serwer, thotë se mosreagimi i SHBA-së ndaj deklaratave të Vuçeviqit, dëshmon qasjen e butë të Amerikës ndaj Serbisë.

    “Qëndrimi i Amerikës ndaj Serbisë zbret në një politikë qetësimi. Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë derisa në Serbi të jetë struktura aktuale diplomatike”, ka thënë Serwer në një intervistë për mediumin malazias “Pobjeda”.

    Serwer ka thënë se Washingtoni hesht për shumë gjëra sa i përket Serbisë përfshirë korrupsionin në nivele të larta, kërcënimet serbe për përdorim të forcës, sulmet e financuara nga Beogradi ndaj trupave të NATO-s, refuzimin e Vuçiqit për t’u angazhuar në zbatimin e marrëveshjes së arritur së fundmi në dialogun Kosovë – Serbi.

    Serwer beson se arsye për këtë janë Escobari dhe Hilli.

    “Përshtypja ime është se Hill e Escobar janë të bindur se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, pavarësisht fakteve bindëse dhe të qarta për të kundërtën. Duket gjithashtu se i japin prioritet Serbisë, në mënyrë që ajo të lejojë dërgesën e armëve në Ukrainë”, tha Serwer.

    Serwer beson se letra që u nënshkrua nga 60 deputetë evropianë të nivelit të lartë si dhe nga kongresistë e senatorë amerikanë, duke i bërë thirrje BE-së, SHBA-së e Britanisë së Madhe për ndryshim të politikës së butë ndaj Serbisë, nuk është presion mjaftueshëm i madh.

    “Zyrtarët që janë pjesë e legjislativit dërguan një letër. Ata duan ndryshim dramatik në qasjen aktuale ndaj Serbisë, por nuk ka asnjë indikacion se do të realizohet kjo nga autoritetet ekzekutive në SHBA e BE”, tha Serwer.

    Serwer thotë se duhet më tepër presion.

    Sa i përket “Ballkanit të Hapur”, të cilën po e promovon haptazi ambasadori amerikan Hill, Serwer beson se kjo është dëshmi tjetër e politikës së butë të SHBA-së karshi Serbisë.

    “Përkrahja për ‘Ballkanin e Hapur’ ishte pjesë e politikës së butë”, tha Serwer.

    Sa i përket letrës që i ka dërguar ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ambasadorit amerikan Hill, Serwer thotë se Vlahoviq ka të drejtë.

    Vlahoviq tha se politika aktuale është duke destabilizuar Ballkanin.

  • Qeveria e BE-ja në heshtje për datën e takimit të shtatorit

    Qeveria e BE-ja në heshtje për datën e takimit të shtatorit

    Në fillim të javës zhvilluan një takim, e pasi e përfunduan, i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, folën për takimin e radhës të nivelit të lartë që do të mbahet në shtator.

    E një datë konkrete për takimin e radhës, nuk është dhënë as nga Qeveria e Kosovës.

    Nga BE-ja po ashtu nuk kanë përmendur ndonjë datë konkrete.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka refuzuar të përmendë data duke thënë se “do të shpallim datën për çfarëdo takimi të radhës të udhëhequr nga Përfaqësuesi i lartë kur të jetë e përshtatshme”.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian ka përsëritur edhe thirrjet për implementimin e shpejtë dhe pa vonesa të marrëveshjeve që kanë dalë nga dialogu.

    “Ne, po ashtu, kemi thënë shumë qartë se është e domosdoshme që dialogu i lehtësuar nga përfaqësuesi i lartë dhe implementimi i shpejtë i marrëveshjes për normalizimin e raporteve dhe aneksit për implementim, të bëhen pa ndonjë vonesë të re” theksoi ai.

    Për një periudhë të gjatë nuk ka pasur takime në nivelin e lartë në kuadër të dialogut.

    Herën e fundit kur Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ishin në Bruksel ishte 22 qershori, por as atëherë ata nuk patën takim mes vete.

    Në BE pohojnë se synojnë që tash situate të normalizohet në veri dhe që palët të evitojnë çdo veprim i cili mund të shkaktojë tensione të reja dhe në këtë mënyrë të ndikojë negativisht edhe në procesin e dialogut.

  • Kurti: Serbia refuzon të hapë arkivat dhe të zbulojë vendndodhjet e varrezave masive

    Kurti: Serbia refuzon të hapë arkivat dhe të zbulojë vendndodhjet e varrezave masive

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në platëformën “X” për viktimat e zhdukjes me forcë, pasi sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Forcë.

    Më shumë se 1.600 persona janë ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

    Shefi i qeverisë shkroi në platëformën “X” se Serbia po refuzon t’i hapë arkivat, duke e mohuar përgjegjësinë.

    ”Në ditën ndërkombëtare të viktimave të zhdukjeve me forcë, kujtojmë 1617 personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së Kosovës”, tha ai.

    “Mungesa e tyre ende rëndon shumë, pasi Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë dhe refuzon të hapë arkivat dhe të zbulojë vendndodhjet e varrezave masive”, u shpreh Kurti.

  • Kthehen në punë tre policët që ishin rrëmbyer nga Serbia

    Kthehen në punë tre policët që ishin rrëmbyer nga Serbia

    Tre zyrtarët policorë që ishin rrëmbyer nga Serbia, Beqir Sefa, Rifat Zeka e Shemë Mustafa, tashmë janë kthyer në detyrë.

    Kësisoj, ata do të vazhdojnë punën në stacionin ku kanë qenë duke punuar deri në ditën kur u rrëmbyen, konfirmoi Policia e Kosovës.

    “Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Zyrtaret policor të potencuar nga ana juaj, janë duke punuar në stacionin përkatës ku kanë punuar edhe më herët”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

    Sefa, Zeka dhe Mustafa, ishin rrëmbyer më 14 qershor të këtij viti nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

    Ata ishin mbajtur në paraburgim për 10 ditë, kur edhe u liruan më 26 qershor.

  • ​ZKA: Sistemi shtetëror i mangët në mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje

    ​ZKA: Sistemi shtetëror i mangët në mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar se sistemi shtetëror ka mangësi në angazhimin e hetuesve primar, përfshirjen e mbrojtësve të viktimave, shqyrtimin e rasteve me kohë nga organet e drejtësisë, si dhe në regjistrimin e rasteve të raportuara.

    Po ashtu sipas ZKA-së viktimat nuk kanë përkrahje sociale, në veçanti mungon përkrahja e tyre në aspektin ekonomik, si dhe mungojnë programet për trajtimin e kryerësve të veprave.

    “Procesi i auditimit identifikoi mangësi edhe në angazhimin adekuat të burimeve njerëzore, në procedurat e monitorimit dhe në mbështetjen e viktimave gjatë rehabilitimit. Gjatë intervenimit dhe ofrimit të shërbimeve emergjente, policia reagon në kohë optimale, porse ka dobësi në angazhim të hetuesve policorë, mungesë e procedurave për monitorimin e urdhrave mbrojtës, mos përcjellje e informatës te mbrojtësit e viktimave si dhe dobësi në regjistrimin e rasteve”, thuhet në raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” për periudhën 2020-2022.

    Po ashtu ZKA bën të ditur se rezultatet e auditimit tregojnë se gjykatat me vonesë i trajtojnë rastet e dhunës në familje. Gjykatat themelore ende ballafaqohen me bartje të lëndëve të pazgjidhura nga vitet paraprake, ku disa prej tyre janë që nga viti 2016. Procesi i trajtimit në procedurë penale te rastet e dhunës në familje merr kohë më shumë se një vit. Po ashtu, vërehet mungesa e angazhimit institucional në regjistrimin e të dhënave në Data Bazën Nacionale për rastet e dhunës në familje.

    “Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca vlerësoi se është e domosdoshme rritja e angazhimit institucional për të trajtuar rastet e dhunës në familje dhe shpërndarja adekuate e burimeve. Zonja Spanca tha se zhvillimi i programeve gjithëpërfshirëse për rehabilitimin e viktimave, duke përfshirë mbështetjen psikologjike dhe kompensimet materiale është me rëndësi jetike. Me përpjekje të vazhdueshme dhe angazhime për ndryshim, institucionet përgjegjëse mund të krijojnë mjedis të atillë ku viktimat e dhunës në familje mbrohen, rehabilitohen dhe fuqizohen, duke kontribuar kështu në çrrënjosjen e dhunës në familje dhe në shoqëri”, thuhet në raport.

    Sipas auditorit, pavarësisht se institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, auditimi konstatoi se nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave.

    Me qëllim të përmirësimit të sistemit shtetëror për mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje, ZKA dha gjithsej 19 rekomandime. Ndër këto, tri për Policinë e Kosovës, tri për Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, katër për Qendrat për Punë Sociale, dy për Prokurorinë Themelore, dy për Gjykatat Themelore si dhe pesë për Ministrinë e Drejtësisë.