ATV

Tag: Ballina

  • Shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt bëhet të martën e ardhshme

    Shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt bëhet të martën e ardhshme

    Gjykata ka caktuar shpalljen e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt për të martën e ardhshme, më 21 prill, në ora 13:30.

    Vendimi pritet të merret pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, ku palët sot kanë paraqitur fjalët përfundimtare dhe kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar.

    Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar mungesë të provave direkte dhe duke kërkuar vendim të bazuar vetëm në prova.

  • Prokurorja: Tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit synojnë shmangien e përgjegjësisë penale

    Prokurorja: Tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit synojnë shmangien e përgjegjësisë penale

    Prokurorja Javorka Perlinqeviq, në fjalën përfundimtare, tha se pas zhvillimit të procedurës së provave, ku janë paraqitur të gjitha provat materiale të grumbulluara gjatë hetimit, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët relevantë që kishin njohuri lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe pas paraqitjes së mbrojtjes nga të akuzuarit, po përmbyllet një proces gjyqësor që, sipas saj, ka sqaruar një krim makabër – vrasjen e Liridona Ademajt Murseli, të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.

    Perlinqeviq tha se në këtë fjalë përfundimtare fokusi do të jetë në faktet e paraqitura nga dëshmitarët dhe rrethanat e shqyrtuara gjatë gjykimit, dhe jo në procedurën paraprake.

    Sipas saj, djali i madh, në prani të psikologut, ka deklaruar: “hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit ban”. Gjithashtu, ajo përmendi dëshminë e Leonardit, sipas së cilës fëmijët e kanë sqaruar qartë ngjarjen dhe nuk dëshirojnë të komunikojnë me babain e tyre, të akuzuarin Naim Murseli, duke refuzuar edhe thirrjet telefonike të mundësuara përmes Qendrës për Punë Sociale në Suedi.

    Prokurorja theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, të cilat, sipas saj, paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale dhe bartje të fajit te të tjerët, duke e quajtur këtë “tre skenarë të ndryshëm të një ngjarjeje”.

    Ajo shtoi se, sipas provave të administruara, i akuzuari Naim Murseli ka kaluar pasditen e ditës kritike me të akuzuarin Granit Plava, me të cilin dyshohet se ka blerë armën e përdorur në kryerjen e veprës, si dhe ka përdorur veturë të huazuar në atë periudhë. Sipas saj, këto rrethana nuk përputhen me deklarimet e mbrojtjes dhe analizat e videoincizimeve tregojnë lëvizje të koordinuara të automjeteve.

    Po ashtu, Perlinqeviq përmendi se në qershor të vitit 2022 familja Murseli në Suedi kishte paguar një policë sigurimi në emër të viktimës Liridona Ademaj, dhe se sipas saj, pas kësaj, i akuzuari Naim Murseli i kishte kërkuar të akuzuarit Kushtrim Kokalla të gjejë mënyrën për vrasjen e saj.

  • Reagojnë organizatat monitoruese: Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK’së është i komprometuar

    Reagojnë organizatat monitoruese: Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK’së është i komprometuar

    Organizatat e jo-qeveritare, Lëvizja FOL, IKD, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe juristja Flutura Kusari kanë nxjerrë një komunikatë të përbashkët pas monitorimit që i kanë bërë procesit të intervistimit të kandidatëve për Bord të RTK’së dhe kanë konstatuar se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është i komprometuar.

    Në komunikatë thuhet se procesi nuk i plotëson as standardet minimale të vlerësimit.

    “Pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës vlerësojmë se ky proces është haptazi i komprometuar, i cili proces nuk plotëson standardet minimale përmes të cilit duhet të rekomandohen emrat e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Mungesa e standardeve themelore të transparencës, barazisë dhe rregullsisë procedurale janë arsyet krysore të kompromentimit të këtij procesi. Prandaj, rekomandojmë që kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc të mos procedohen për votim në seancë plenare”, thuhet në reagim.

    “Ne vlerësojmë se procesi ka dështuar për arsyet në vijim: insistimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ky proces të përmbyllej brenda një afati të shkurtër dhe koha e pamjaftueshme në dispozicion, organizimi i çrregullt si pasojë e presionit kohor, cenimi i trajtimit të barabartë të kandidatëve, metodologjia e paqartë dhe transparente sidomos me vendimin që poentimi i kandidatëve të mos bëhet pas secilës intervistë, si dhe shmangia nga standardet e vendosura në vitin 2021 gjatë procesit të rekrutimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së”, vazhdon reagimi.

  • Haradinaj dorëzon kërkesë në Kuvend për organizimin e një ceremonie përkujtimore  në nder të Eliot Engel

    Haradinaj dorëzon kërkesë në Kuvend për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të Eliot Engel

    Kreu i AAK-së. Ramush Haradinaj, tha se sot ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën në Kuvendin e Kosovës për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, të cilin Haradinaj e quajti mik të madh të shqiptarëve.

    “Përmes kësaj iniciative, si Kuvend do të shprehim mirënjohjen tonë institucionale për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Eliot Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm në momentet më vendimtare të historisë sonë, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e politikës amerikane në përkrahje të kauzës sonë të drejtë”.

    Propozimi përfshin mbajtjen e një seance të veçantë përkujtimore, si dhe krijimin e një çmimi vjetor “Eliot Engel” dhe një memoriali të përhershëm brenda hapësirave të Kuvendit, tha Haradinaj.

    “Besoj fuqishëm se nderimi i miqve të Kosovës është detyrim institucional dhe kombëtar. Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm për të ruajtur kujtesën historike dhe për të forcuar aleancën tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

  • Mblidhet Kuvendi i Kosovës – FSK në Gaza, propozimi i dy kandidatëve për në Kushtetuese e Byroja e konfiskimit në rend dite

    Mblidhet Kuvendi i Kosovës – FSK në Gaza, propozimi i dy kandidatëve për në Kushtetuese e Byroja e konfiskimit në rend dite

    Kuvendi i Kosovës do zhvillojë seancë, duke filluar nga ora 10:00.

    Në njoftimin për media, Kuvendi ka bërë të ditur edhe se në rend dite janë 6 pika.

    4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë se Republikës se Kosovës nr.07/07, dt.30.03.2026 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, dhe; Propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, janë tri nga pikat e rendit të ditës.

    Njoftimi:

    Data: 17 prill 2026

    Dita: E premte

    · Vendi: Seanca plenare

    · Koha: 10:00

    Rendi i ditës

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3. Pyetjet parlamentare,

    4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,

    5. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë se Republikës se Kosovës nr.07/07, dt.30.03.2026 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza,

    6. Propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

  • Nafta një cent më lirë se dje, MINT publikon çmimet e derivateve për sot

    Nafta një cent më lirë se dje, MINT publikon çmimet e derivateve për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për ditën e sotme.

    Sipas vendimit të MINT-it, të datës 05.04.2026, çmimet për produktet e naftës janë përcaktuar si në vijim: nafta (dizel) do të shitet me çmim maksimal prej 1.74 euro për litër, benzina me 1.43 euro për litër, ndërsa gazi me 0.88 euro për litër.

    Ministria njofton se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 e datës së përcaktuar.

    Çmimet sot dallojnë shumë pak nga ato të djeshmet.

    Dje Nafta ishte 1.75 cent, benzina e gasi njëjtë si sot

  • Tragjedia në Malishevë, sot ditë zie dhe pezullim i mësimit në shkollën e dy nxënësve

    Tragjedia në Malishevë, sot ditë zie dhe pezullim i mësimit në shkollën e dy nxënësve

    Shkolla “Ibrahim Mazreku” në Malishevë e ka shpallur të premten ditë zie, pas humbjes tragjike të jetës së dy nxënësve dhe babait të tyre.

    Të dy fëmijët vijonin mësimin në këtë shkollë, e cila ka njoftuar për vendimin e marrë pas ngjarjes së rëndë.

    Për këtë arsye, sot është pezulluar edhe procesi mësimor.

    “Në koordinim me Drejtorinë e Arsimit, Këshillin e Prindërve dhe Këshillin e Mësimdhënësve, njoftojmë të gjithë nxënësit, prindërit dhe stafin e SHFMU ‘Ibrahim Mazreku’ – Malishevë, se në shenjë solidarizimi dhe respekti për ndarjen tragjike nga jeta të nxënësve tanë të klasës së tretë, Naile dhe Kujtim Berisha, si dhe të prindit të tyre, Ilir Berisha, dita e premte, më 17.04.2026, shpallet Ditë Zie në shkollën tonë. Gjatë kësaj dite pezullohet procesi mësimor”, thuhet në njoftim.

    Ky institucion ka ftuar të gjithë nxënësit dhe stafin që kjo ditë të respektohet me dinjitet, qetësi dhe solidaritet.

  • MINTI gjobit KEDS-in me 30 mijë euro, gjeti gjashtë njehsorë me afat të skaduar

    MINTI gjobit KEDS-in me 30 mijë euro, gjeti gjashtë njehsorë me afat të skaduar

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) tha se gjatë ditës së sotme ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 30,000 eurosh ndaj KEDS-it, për shkak të konstatimit të gjashtë njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.

    “Ky veprim është ndërmarrë në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme të verifikimit të njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Ministria.

    MINTI shtoi se Komisioni Verifikues po vazhdon punën në terren në shtatë regjionet e vendit, me qëllim të identifikimit dhe adresimit të çdo parregullsie.

    “Rezultatet e deritanishme nga analizat laboratorike të kryera në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës kanë evidentuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në njehsorët e testuar. Në këtë drejtim, MINTI i ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë KESCO-s për kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar dhe do të vazhdojë të përcjellë në baza ditore raportet përkatëse si dëshmi mbështetëse për këtë proces”.

    Njëkohësisht, Komisioni Verifikues është në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe organet e hetuesisë për trajtimin e mëtejmë të kësaj çështjeje.

    “MINTI mbetet e përkushtuar për transparencë të plotë dhe do të informojë qytetarët në baza të rregullta për çdo zhvillim, në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe trajtimit të ankesave të tyre”.

  • Dy fëmijë dhe një burrë humbin jetën nga zjarri në një banesë në Malishevë

    Dy fëmijë dhe një burrë humbin jetën nga zjarri në një banesë në Malishevë

    Një burrë dhe dy fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një banesë në Malishevë.

    Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 12:55 në lagjen “Mirdita”, ku sipas informacioneve, viktimat janë një burrë rreth 35 vjeç dhe dy fëmijë të moshës 9 dhe 12 vjeç.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, njoftoi se menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.

    “Brenda banesës janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku është konstatuar se ishin pa shenja jete”, deklaroi Elezaj.

    Ai bëri të ditur se zjarri është lokalizuar dhe nuk janë raportuar pasoja të tjera, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

    Autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

  • BE nis transferimin e 61.8 milionë eurove për Kosovën nga Plani i Rritjes

    BE nis transferimin e 61.8 milionë eurove për Kosovën nga Plani i Rritjes

    Pas ratifikimit në Kuvend të Marrëveshjeve të lidhura me Planin e BE-së për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, Komisioni Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje sipas Planit të BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë kështu një stimul të rëndësishëm avancimit të reformave.

    Siç njofton Zyra e BE-së në Kosovë, parafinancimi përfaqëson 7% të totalit prej 882.6 milionë eurosh grante dhe kredi të favorshme në dispozicion të Kosovës në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike deri në fund të vitit 2027.

    Këto mjete, sipas njoftimit, do të përkrahin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyçe në infrastrukturë të mbështetura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), duke e afruar edhe më shumë Kosovën me BE-në.

    “Prej 61.8 milionë eurove, sot në buxhetin e Kosovës janë bartur 28.74 milionë euro kredi, ndërsa shuma e mbetur – 33.04 milionë euro (17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë kredi) – do të kanalizohet përmes WBIF-it”, tha Nikola Gaon, zëdhënës i BE-së në Kosovë.

    Në njoftim theksohet se në Agjendën e vet të Reformave, që është bazë për ndarjen e mjeteve të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike, Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, duke mbuluar fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.

    BE thotë se secili hap i reformave është i ndërlidhur me një alokim specifik financiar.

    “Pagesat sipas Planit për Rritje Ekonomike do të bëhen në mënyrë progresive me zbatimin nga Kosova të reformave të dakorduara. Nëse nuk përfundohen brenda afateve të përcaktuara hapa të caktuar të reformave, nuk do të disbursohen mjetet përkatëse”, u tha më tej në njoftim.

    Zyra e BE-së në Kosovë thotë se afati i parë përfundimtar i pret 13 hapa të reformave që së bashku kapin vlerën prej 90.8 milionë eurosh, të cilat priten të barten deri më 30 qershor 2026. Për më tepër, BE thotë se fundi i këtij viti shënon afatin përfundimtar për 27 hapa të tjerë të reformave që kapin vlerën prej 165.9 milionë eurosh.

    “Bashkimi Evropian qëndron përkrah Kosovës në rrugën e integrimit në BE. Plani për Rritje Ekonomike ofron mundësi konkrete për përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në dhe për afrim më të madh të ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët të BE-së. Përmes kësaj përkrahje, BE-ja synon t’i ndihmojë Kosovës të forcojë sundimin e ligjit, të avancimin e tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital, si dhe të nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike”, u shpreh shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, u shpreh se Kosova është e përkushtuar për zbatim në kohë të Agjendës së Reformave, si dhe për t’i shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara nga Plani për Rritje Ekonomike.

    “Vërtet është humbur pak kohë, por ne do të bëjmë çmos t’i përshpejtojmë reformat dhe t’i përmbushim zotimet tona. Kjo është detyrë e vështirë, por e arritshme”, u shpreh Kurti.

    BE-ja thotë se është ofruesi më i madh i asistencës financiare dhe partneri më i besueshëm i Kosovës, me më shumë se 3.7 miliardë euro grante të investuara në mbarë sektorët që nga viti 1999, dhe 421 milionë euro shtesë në grante të IPA-s (Instrumenti i BE-së për Ndihmën e Para-anëtarësimit) aktualisht në dispozicion të Kosovës.

    Veç kësaj, përmes Planit për Rritje Ekonomike, BE-ja vazhdon të përkrahë përpjekjet e Kosovës për reforma dhe përparimin e vendit në rrugën drejt integrimit evropian.