ATV

Tag: Ballina

  • Emir Abrashi zgjidhet kryetar i ri i AKR-së, Behgjet Pacolli emërohet President Emeritus

    Emir Abrashi zgjidhet kryetar i ri i AKR-së, Behgjet Pacolli emërohet President Emeritus

    Aleanca Kosova e Re (AKR) ka zgjedhur strukturat e reja drejtuese në Kuvendin e VI Zgjedhor të Jashtëzakonshëm, i mbajtur më 18 prill 2026, ku është vendosur edhe lidershipi i ri i partisë.

    Sipas komunikatës zyrtare, në krye të AKR-së është zgjedhur Emir Abrashi, i cili ka marrë mbështetjen e shumicës së delegatëve për një mandat katërvjeçar.

    Në pozita të tjera drejtuese janë zgjedhur Liridon Llapashtica si Sekretar i Përgjithshëm, Gjergj Beka, Festina Kurteshi dhe Bejtush Gashi si nënkryetarë, ndërsa Petrit Makolli është emëruar Sekretar Organizativ dhe Gëzim Rafuna Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë.

    Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në parti, Behgjet Pacolli është nderuar me titullin President Emeritus i AKR-së.

    Në kuadër të Kuvendit janë zgjedhur edhe Këshilli i Përgjithshëm dhe është miratuar statuti i ri i partisë, ndërsa më pas është votuar edhe Kryesia e re.

    Në një deklarim publik, Abrashi ka theksuar se AKR do të hyjë në një fazë reformimi dhe ristrukturimi, me synim, siç tha ai, ofrimin e një alternative moderne dhe të besueshme politike në vend.

    “AKR do të hyjë në një fazë të thellë reformimi dhe ristrukturimi, me synimin për të ofruar një alternativë të besueshme dhe moderne politike,” ka deklaruar Abrashi.

    Ai ka falënderuar gjithashtu Pacollin për mbështetjen e tij dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në të ardhmen për forcimin e partisë dhe rikthimin e saj në institucione.

  • Çmimet e larta, Shahini: Qeveria po e menaxhon krizën në kurriz të bizneseve dhe qytetarëve

    Çmimet e larta, Shahini: Qeveria po e menaxhon krizën në kurriz të bizneseve dhe qytetarëve

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka kritikuar veprimet e Qeverisë së Kosovës në përballje me krizën ekonomike, duke theksuar se deri më tani masat e ndërmarra nga kjo e fundit kanë rënduar bizneset dhe jetën e qytetarëve, pa ofruar zgjidhje konkrete për konsumatorin.

    Shahini deklaroi se shteti ka shumë mekanizma në dispozicion, por sipas tij, Qeveria vazhdimisht ka zgjedhur të ndërhyjë duke limituar fitimin e bizneseve, ndërkohë që nuk ka bërë asgjë konkrete për të mbrojtur konsumatorin.

    “Shteti ka shumë mekanizma të cilët mund të ndërmerr. Deri më tani Qeveria e vendit gjithmonë ka ndërmarrë hapa në kurriz të bizneseve duke limituar fitimin, dhe duke mos bërë asgjë për konsumatorin si shtet. Tash duhet ndërmarrë hapa konkretë për t’u ballafaquar me krizën. Projektligji për çmimet tavan i cili është në diskutime e sipër, ka plot mangësi; ai nuk duhet të jetë udhërrëfyes i zhvillimit ekonomik të Kosovës, por duhet të jetë kontrollues në raste të jashtëzakonshme kur është gjendja e jashtëzakonshme”.

    “Prandaj Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të ulë TVSH-në, asnjë hap për të heqë akcizën në derivate, përkundrazi është shtrenjtuar energjia elektrike dhe të gjitha këto e kanë bërë jetën më të vështirë, më të shtrenjtë për qytetarin dhe konsumatorin kosovar”, tha Shahini.

    Kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve në një intervistë për EO, theksoi se Qeveria nuk ka strategji të qartë për prodhimin vendor dhe sipas tij, prodhuesit vendor janë në gjendje shumë të rëndë.

    Ai nënvizoi se AKB-ja ka mbështetur vazhdimisht ekonominë dhe prodhuesin vendor, duke kërkuar politika zhvillimore, por realiteti sipas tij është se prodhuesit vendorë janë në gjendje shumë të rëndë, të pambështetur dhe shpesh të nënvlerësuar edhe nga vetë konsumatorët.

    “Qeveria e vendit nuk ka strategji për prodhim vendor. Aleanca Kosovare e Bizneseve gjithmonë e ka mbështetur ekonominë dhe prodhuesin vendor, e ka inkurajuar shtetin gjithmonë të nxisë politika zhvillimore për ta, por themi me plot të drejtë se prodhuesit vendorë janë në një gjendje tepër të rëndë, të pambështetur nga askush, të përbuzur nga secili edhe nga vetë konsumatori në shumicën e rasteve. Ku me të drejtë kërkojnë e thonë ‘pse prodhimi vendor është kaq shtrenjtë?’, por energjia elektrike në Kosovë është më e shtrenjta në Ballkanin Perëndimor, po ashtu edhe derivatet e naftës, shërbimet; të gjitha këto janë një kosto që faturohet në prodhim”.

    “Prandaj subvencionet dhe mbështetja për prodhimin vendor, madje në Kosovë është harruar, dhe kjo nuk po ndodh. E vlerësojmë shumë që Qeveria aktuale po besoj që do të arrihet një marrëveshje ta bëjë edhe me Presidenten, nëse jo atëherë ne do ta humbim edhe këtë vit për zhvillim, për integrim dhe për mbështetje jo vetëm të prodhimit vendor por edhe të faktorit ndërkombëtar ku thashë më herët se duhet të plotësohen rreth 40 kritere deri në fund të vitit për të arritur në pjesët e tjera të financimit nga BE-ja për rritjen e cilën janë ndarë 880 milionë”, tha Shahini.

    Më 10 prill me 63 vota për dhe 19 kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i njohur si Ligji për Çmimet Tavan./EO

  • Haradinaj kujton heroin Sali Çekaj dhe dëshmorët e brigadave “Agim Ramadani” e “Rugova”

    Haradinaj kujton heroin Sali Çekaj dhe dëshmorët e brigadave “Agim Ramadani” e “Rugova”

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar veprën heroike të heriot Sail Çekaj dhe sakrificën për liri të luftëtarëve dhe dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

    Në akademinë përkujtimore, Haradinaj theksoi se Sali Çekaj ishte luftëtar dhe atdhetar i hershëm, kontribues në lëvizjet kombëtare dhe krijues i pikëpamjeve të rëndësishme luftarake.

    “Ra heroikisht 27 vjet më parë së bashku me bashkëluftëtarët e tij: Shefqet Mustafaj, Mejdi Korrani, Luan Gashi, Ilir Hoxha, Hysni Temaj, Izet Morina, Bejtë Kajdomçaj, Aziz Gashi, Afrim Stajku, Fatos Limani, Fisnik Ibrahimi dhe Leonard Palucaj.”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka thënë se ata ranë për të mbetur përjetësisht në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës.

    Në të njëjtën kohë, Haradinaj ka kujtuar edhe dëshmorët e Brigadës 136 “Rugova”, duke nderuar komandantin, Selman Lajçi dhe luftëtarët e rënë në pranverën e përgjakur në Rugovë e Podgur.

    Haradinaj ka theksuar se misioni historik për liri dhe pavarësi është realizuar falë sakrificës së luftëtarëve çlirimtarë, duke shtuar se heroizmi i tyre do të kujtohet ndër breza.

  • Zjarri që shkrumboi 71 apartamente, Rama: Banorët do të marrin mbështetje për qira nga bashkia e Tiranës

    Zjarri që shkrumboi 71 apartamente, Rama: Banorët do të marrin mbështetje për qira nga bashkia e Tiranës

    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar sërish në podkastin “Flasim” për pallatin që u dogj në Tiranë, duke prekur dhjetëra familje.

    Ai ka njoftuar se deri në momentin ku apartamentet e tyre të rregullohen ata mund të përfitojnë bonus qiraje dhe mbështetje nga Bashkia e Tiranës për të përballuar shpenzimet.

    “ Gjatë kësaj jave pati një moment që, për hir të së vërtetës, fillimisht ishte rrëqethës për shkak se flakët që përfshinë një pallat në Tiranë u duk se mund të kërcënonin seriozisht jetët e banorëve, por, për fat të mirë dhe falë përpjekjes dhe punës realisht profesionale, por mbi të gjitha heroike të forcave të zjarrfikësve, gjithçka kaloi pa asnjë jetë të humbur dhe pa plagë të rënda.

    Ndërkohë, çka mbeti pas zjarrit ishte shkrumbimi i asaj godine, për të cilën u vumë menjëherë në lëvizje dhe gjëja e parë dhe më e rëndësishmja, sipas meje, është që godina do të rindërtohet tërësisht nga e para, 100% nga vetë ndërtuesi i saj dhe nga ana tjetër, angazhimi për të ndihmuar banorët që, deri në momentin – dhe besoj nuk do të marrë shumë kohë, sepse karabinaja është aty – por deri në momentin kur ata banorë do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe, patjetër, edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme që kanë ndodhur në banesat e tyre.

    Tani, gjithmonë në këto raste, shfaqen menjëherë, si kërpudhat pas shiut, lloj-lloj gjithologësh dhe lloj-lloj ekspertësh publikë, por pa licencat dhe pa njohuritë e nevojshme për të marrë një rol të tillë. Po gjithsesi, edhe për shkak të emocioneve, edhe për shkak të nevojës për të marrë protagonizëm, kush nuk del e çfarë nuk thotë.

    E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri, po të doni, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin, por, nga ana tjetër, kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar ashtu siç duhet edhe çka lidhet me cilësinë dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse, nga verifikimi i parë që është bërë, ndërtimi kishte të gjitha materialet të certifikuara dhe vinin nga importi, kështu që nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë.

    Më e rëndësishmja është që askush prej atyre banorëve që patën atë moment dramatik, që fatmirësisht dhe, përsëris, falë, në radhë të parë, forcave zjarrfikëse, por edhe forcave të rendit aty të pranishme, nuk u kthye në një moment tragjik, nuk do të lihet vetëm dhe nuk do të lihet në fatin e vet përballë nevojës për t’u rikthyer dhe për të jetuar normalisht në një banesë të veten, siç i takon, tërësisht të rindërtuar”, tha Rama./TCH

  • 13 vjet nga Marrëveshja e Brukselit, moment kyç në dialogun Kosovë–Serbi

    13 vjet nga Marrëveshja e Brukselit, moment kyç në dialogun Kosovë–Serbi

    Sot bëhen 13 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së parë të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, një dokument i rëndësishëm që synonte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Më 19 prill 2013, atëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, nënshkruan marrëveshjen 15-pikëshe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Marrëveshja përfshinte një sërë pikash kyçe, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, integrimin e strukturave të sigurisë dhe drejtësisë në veri në kuadër të institucioneve të Kosovës, si dhe organizimin e zgjedhjeve lokale në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

    Dokumenti parashihte gjithashtu që të dyja palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimit evropian, ndërsa me ndërmjetësimin e BE-së u krijua edhe një mekanizëm për zbatimin e marrëveshjes.

    Edhe pas më shumë se një dekade, Marrëveshja e Brukselit mbetet një pikë referimi në procesin e dialogut Kosovë–Serbi, ndonëse zbatimi i saj ka qenë i shoqëruar me sfida dhe debat të vazhdueshëm politik.

  • Sveçla: Goditje e fortë krimit – 26 të arrestuar dhe 150 mijë euro të sekuestruara

    Sveçla: Goditje e fortë krimit – 26 të arrestuar dhe 150 mijë euro të sekuestruara

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për një aksion të gjerë policor të zhvilluar në disa qytete të Kosovës, në kuadër të luftës kundër kriminalitetit.

    Sipas tij, përveç aksionit anti-drogë në Peja, Policia e Kosovës ka realizuar edhe një operacion tjetër të madh në dhjetëra lokacione në Mitrovica dhe Vushtrri.

    Aksioni kishte në shënjestër veprimtari të dyshimta që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozin e paligjshëm.

    Si rezultat, janë arrestuar 26 persona, ndërsa janë sekuestruar rreth 150 mijë euro.

    Ministri Sveçla thotë se institucionet mbeten të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.

    “Të përkushtuar për rend dhe ligj. Kudo”, ka shkruar ai.

  • Haxhiu si u.d e presidentes dekreton 6 Ligje të miratuara në Kuvend

    Haxhiu si u.d e presidentes dekreton 6 Ligje të miratuara në Kuvend

    Zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës ka njoftuar se U.D. presidentja Albulena Haxhiu ka dekretuar shpalljen e 6 ligjeve të rëndësishme, të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës

    “Këto ligje hapin rrugë për investime në energji të pastër, në rritjen e efiçencës në ndërtesat publike, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në trajtimin e ujërave të zeza. Po ashtu, ato forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë tanë në qasjen në arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar Haxhiu.

    Ajo më tej ka thënë se përmes këtyre hapave, Republika e Kosovës vazhdon të thellojë partneritetin me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me Bashkimin Evropian, duke e orientuar zhvillimin drejt qëndrueshmërisë dhe integrimit evropian.

    Ligjet e dekretuara janë:

    Ligji Nr. 10/L-011 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektligjin Energjia Diellore Fotovolkanike në KEK – Porta Globale.

    Ligji Nr. 10/L-013 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë – Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë-Mitrovicë (kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.

    Ligji Nr. 10/L-010 për Ratifikimin e “Amandamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2017, Pjesa e Parë”.

    Ligji Nr. 10/L-008 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor.

    Ligji Nr. 10/L-012 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Projektin e Efiçencës së Energjisë në Ndërtesa Publike.

    Ligji Nr. 10/L-014 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”

  • Kuvendi i Kosovës miraton dërgimin e FSK-së në mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza

    Kuvendi i Kosovës miraton dërgimin e FSK-së në mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza

    Kuvendi i Kosovës ka vendosur për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

    Vendimi kaloi me 89 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.

    Për të hyrë në fuqi, ky vendim tani duhet të nënshkruhet nga presidenti i Kosovës, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushtet.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë vendin në mesin e shteteve, që jo vetëm që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.

    “Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare”, tha ministri Maqedonci.

    Më 30 mars, Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gazë.

    Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

    Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

    Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.

    Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë.

     

  • Kuvendi miraton në parim projektligjin për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë me 81 vota pro

    Kuvendi miraton në parim projektligjin për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë me 81 vota pro

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    81 deputetë votuan për, asnjë kundër dhe 25 abstenime.

    Ky projektligj duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u bërë ligj.

  • Gjykata e Apelit ua njeh kategorive ta dala nga lufta edhe të drejtën e realizimit të pensionit të moshës

    Gjykata e Apelit ua njeh kategorive ta dala nga lufta edhe të drejtën e realizimit të pensionit të moshës

    Avokati Nazmi Sallahu ka njoftuar se ka fituar edhe një betejë ligjore në lidhje me pensionet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

    Ai ka bërë me dije se Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin të gjithë përfituesve të pensioneve nga lufta u njihet e drejta për pension bazik, në të cilin përfshihet edhe atë të moshës.

    Në profilin e tij në Facebook, ai ka publikuar aktgjykimin t të Apelit, ku tregohet se kjo gjykatë ka refuzuar ankesën e Ministrisë së Financave dhe klientit të tij i është njohur e drejta të përfitojë njëkohësisht pension nga kategoria e luftës dhe pensionin e moshës.

    “Vërtetohet… Gjykata e Apelit heq të gjitha dilemat dhe mundëson realizimin e pensioneve te të gjitha kategorive të dala nga lufta, pra vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Administrativ”, ka shkruar Sallahu.