ATV

Tag: Ballina

  • Sot varrosen tre terroristët serbë që u vranë në Banjskë

    Sot varrosen tre terroristët serbë që u vranë në Banjskë

    Tre pjesëtarët serbë të grupit që kreu sulmin terrorist të dielën në Banjskë, do të varrosen sot, raporton portali serb KO.

    Trupat e tyre u morën dje nga familjarët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku u krye autopsia e tyre.

    Familjarët e tyre dje tërhoqën trupat e pajetë pranë institucioneve të mjekësisë ligjore në Prishtinë.

    Mëngjesin e 24 shtatorit ky grup terrorist vranë policin kosovar Afrim Bunjaku në fshatin Banjskë të Zveçanit.

  • Moti sot me diell dhe pjesërisht i vranët

    Moti sot me diell dhe pjesërisht i vranët

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se në ditën e parë të muajit tetor, moti do të mbajë me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Sipas IHKS-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius.

    “Të dielën parashihet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Vranësirat vende-vende, kryesisht rreth relievi malor parashihen të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-5m/s”, thuhet në njoftim.

  • Shqiptarët nderojnë Afrim Bunjakun në Uashington, i pranishëm edhe William Walker e kreu i ushtrisë shqiptare

    Shqiptarët nderojnë Afrim Bunjakun në Uashington, i pranishëm edhe William Walker e kreu i ushtrisë shqiptare

    Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në SHBA, pjesëtarët e komunitetit të diasporës shqiptare në Uashington janë mbledhur sot për të nderuar rreshterin Afrim Bunjaku, pjesëtar i Policisë së Kosovës i cili u vra në krye të detyrës nga sulmi terrorist organizuar nga Serbia.

    “Bashkatdhetarët tanë kanë nderuar aktin heroik të rreshterit Bunjaku, i cili dha jetën në mbrojtje të rendit dhe ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në SHBA.

    I pranishëm në ceremoninë e nderimit për policin kosovar ka qenë edhe ambasadori William Walker.

    Në Ambasadën e SHBA-së në Uashington kanë qëndruar edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Arben Kingji dhe ambasadori i Shqipërisë në SHBA Ervin Bushati.

    “Për nder të heroit Afrim Bunjaku, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, gjeneralmajor Arben Kingji dhe ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, vizituan Ambasadën e Kosovës në Uashington, D.C”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në SHBA.

  • Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

    Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

    Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

    Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.

    Policia e Kosovës e gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pas sulmit.

    Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    “Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, tha Borrell, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ai nguli këmbë se “nuk ka vend për grumbullim të ushtrisë dhe forcave të sigurisë në kontinentin e Evropës. Forcat duhet të tërhiqen“.

    Të premten, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

    Borell pret që përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit të ndëshkohen dhe Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

    “Duhet të kthehemi prapa në situatën në të cilën palët bisedojnë dhe të kthehemi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja i cili është e vetmja platformë për normalizimin e raporteve mes tyre“ shtoi ai.

    Sulmi ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiqi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.

    Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi.

    Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë.

  • Hovenier reagon për mobilizimin ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovën

    Hovenier reagon për mobilizimin ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovën

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas telefonatës që Këshilltari për Çështje të Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, ka realizuar mbrëmë me Kryeministrin Albin Kurti.

    Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara rreth mobilizimit ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovë dhe bëjmë thirrje për de-eskalim të menjëhershëm dhe konsiderojmë se implementimi i plotë i marrëveshjes nga të dy palët.

    “Telefonata e rëndësishme mes Këshilltarit Sullivan dhe Kryeministrit Albin Kurti. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara rreth mobilizimit ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovëm. Bëjmë thirrje për de-eskalim të menjëhershëm dhe konsiderojmë se implementimi i plotë i marrëveshjes nga të dy palët, e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që të arrihet stabilteti”, ka shkruar Hovenier në platformën “X”.

  • Kongresisti amerikan Torres: Serbia t’i tërheq trupat nga kufiri, po përshkallëzon situatën

    Kongresisti amerikan Torres: Serbia t’i tërheq trupat nga kufiri, po përshkallëzon situatën

    Kongresisti amerikan, Ritchie Torres ka reaguar ndaj dislokimit të madh të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

    Torres në një postim në X shkruan se është i alarmuar me këtë dislokim të madh dhe të sofistikuar të forcave serbe, ndërkaq ka kërkuar nga Serbia t’i tërheqë trupat.

    “Si një përkrahës dhe aleat krenar dhe i palëkundur i Republikës së Kosovës, jam gjithnjë e më i alarmuar nga raportimet për një dislokim të madh dhe të sofistikuar të forcave serbe përgjatë kufirit Serbi-Kosovë”, shkruan ai.

    Sipas tij, ky është një vazhdim i hapur i cenimit nga Serbia kundër Kosovës që po përshkallëzon tensionet në mënyrë të panevojshme për një kohë të gjatë.

    “Unë i mbështes thirrjet e administratës së Bidenit që Serbia të tërheqë menjëherë këto forca. Serbia duhet të de-përshkallëzojë situatën, të kërkojë llogari nga përgjegjësit për sulmet e dhunshme të fundit dhe të respektojë pavarësinë e Kosovës, si një komb sovran”, shkruan ai.

  • Sveçla: Në Banjskë ishin mbi 80 terroristë, Radoiçiqi e ka mbështetjen e Vuçiqit

    Sveçla: Në Banjskë ishin mbi 80 terroristë, Radoiçiqi e ka mbështetjen e Vuçiqit

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se mbi 80 terroristë ishin të përfshirë në sulmin e së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ndërsa shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe vet Qeveria e Serbisë janë të përfshirë në këtë akt terrorist.

    Më 24 shtator, një grup terrorist në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ministri Sveçla thotë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiq nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga Aleksandër Vuçiq, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka”, tha Sveçla.

    Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

    “Në fillim është menduar se janë diku mes 30 dhe 40 terroristë. Tashmë mund të themi se numri është më i madh, gjë që dëshmon suksesin edhe më të madh të policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka qenë edhe në numër më të vogël, edhe me armatim më të dobët sesa ky grup terrorist, por ia ka dalë që pas humbjes së jetës së rreshterit Afrim Bunjaku, pas përfundimit të kësaj prite, të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme – për të cilën po marrim përgëzime nga të gjithë aleatët tanë – dhe ta mundë këtë grup terrorist. Por, numri është i madh. Tash mund të themi se është mbi 80”, tha Sveçla.

    Ministri i Brendshëm tha gjithashtu se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

  • Kurti: Vuçiq e Radojiçiq si Millosheviqi e Arkani, dëshirojnë ta kthejnë rajonin në vitet 90-ta

    Kurti: Vuçiq e Radojiçiq si Millosheviqi e Arkani, dëshirojnë ta kthejnë rajonin në vitet 90-ta

    Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Al Jazeera, ka thënë se sulmi i së dielës në veri të Kosovës s’ka qenë rezistencë civile apo vepër e bandave, por një sulm i formacioneve të armatosura paraushtrake të pajisura e të përgatitura nga Beogradi. Kurti ka thënë se një sulm i tillë u krye me urdhër të Serbisë.

    I pyetur nëse autoritetet e Kosovës kanë ndonjë informacion të inteligjencës për sulmet e reja, Kurti u përgjigj se ka shumë informacione dhe se këto “grupe të armatosura”, të cilave, siç shtoi ai, Forcat e Armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armë dhe municion, janë duke kryer vazhdimisht stërvitje në afërsi të kufijve të Kosovës dhe “po përgatiten për luftë”.

    “Nuk përjashtohet ri-agresioni”, ka thënë ai, duke shtuar se Serbia donte që lufta të fillonte të dielën.

    Ai akuzoi Beogradin dhe grupet e armatosura se duan të përsërisin skenarin e fillimit të luftës në Sarajevë.

    Kurti po ashtu ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës, janë “Slobodan Millosheviq dhe Zheljko Raznatoviq Arkan” të cilët siç deklaroi Kurti, dëshiron ta kthejë rajonin në vitet e 90-ta, duke shtuar dhe se “grupet paramilitare” në Kosovë janë të lidhura edhe me grupe nga Rusia, si Wagner, duke i quajtur Vuçiqin dhe Radoiçiqin “Putin dhe Prigozin”.

    Kryeministri i Kosovës e akuzoi Vuçiqin se “deshi një luftë tjetër dhe një gjenocid, sepse dëshiron Republikën Srpska në Kosovë”.

    “Ashtu siç Rusia zhvilloi një luftë hibride në Ukrainë në fillim, Serbia po bën kundër nesh”, tha ai.

  • “Ju kam premtuar se nuk do t’ju mungoj gjatë”, Blerona Zeqiri nis rrugëtimin e saj të ri në ATV

    “Ju kam premtuar se nuk do t’ju mungoj gjatë”, Blerona Zeqiri nis rrugëtimin e saj të ri në ATV

    Sezoni i ri televiziv në ATV, vjen me prurje të reja në skemën programore.

    Duke filluar nga java e ardhshme, në ekranin e ATV-së do ta shihni edhe moderatoren e njohur Blerona Zeqiri.

    Këtë njoftim e ka bërë vetë moderatorja, të cilën e ka shpërndarë me anë të një postimi në Instagram ku është fotografuar përkrah drejtorit të ATV-së, Zija Rexhepin.

    “Ju kam premtuar se nuk do t’ju mungoj gjatë. E ku tjetër përpos në mediumin që ka krijuar besueshmëri, profesionalizëm e vlerësim! Mezi po pres të takohemi të hënën në ekranin e ATV-se”, ka shkruar ajo.

    Për më shumë detaje si dhe natyrën e emisionit të cilin Blerona do ta drejtojë në këtë televizion, do të njoftoheni ditëve në vazhdim.

    Rexhepi, ditë më parë, ka paralajmëruar se në vazhdimësi do të ketë prurje të reja, të cilat do ta pasurojnë skemën programore të ATV-së.

    ATV-ja është projekt i “Media Invest”, që funksionon mbi themelet e Kolegjit AAB, i cili nëpërmjet Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë̈, për me shumë se dy dekada me radhë, u ka dhënë mediave në Kosovë profesionistë të spikatur dhe të përkushtuar.

    Për më pak se tri vite që nga themelimi, ATV vazhdon te jetë televizioni më i shikuar në Kosovë.

  • SHBA i kërkon Serbisë të tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën

    SHBA i kërkon Serbisë të tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën

    Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

    “Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

    Ai tha se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet.

    Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar që autorët e krimit të “mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”.

    Vuçiq, ndërkaq, më herët tha se Blinken ka paralajmëruar masa ndaj Serbisë.

    Kosova ka thënë se rreth 30 sulmues të maskuar dhe armatosur kanë sulmuar Policinë në Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Gjatë përleshjeve të grupit të armatosur me Policinë në manastirin e Banjskës, kanë mbetur të vrarë edhe tre sulmues.

    Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për Serbinë, lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

    Serbia ka mohuar çdo përfshirje.

    Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

    Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.