ATV

Tag: Ballina

  • Pamje të reja nga bastisja e Policisë së Kosovës në veri

    Pamje të reja nga bastisja e Policisë së Kosovës në veri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke kryer bastisje në pesë lokacione në veri të vendit, lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e së dielës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

    Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit të PSRK-së.

    Derisa sipas Kontaktplus medium lokal në veri ka publikuar disa foto të reja nga bastisja në pjesën veriore të Mitrovicës.

  • Sulmi terrorist në Banjskë, policia kryen kontrolle në pesë lokacione në Veri

    Sulmi terrorist në Banjskë, policia kryen kontrolle në pesë lokacione në Veri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer kontrolle në në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës.

    Në njoftimin e policisë thuhet se këto operacione po zhvillohen lidhur me ngjarjet e fundit në fshatin Banjskë, ku në një sulm terrorist mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë.

    Bëhet e ditur se këto kontrolle janë duke u zhvilluar në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.

    “Sot, me datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë. Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim. Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armatimi në Manastirin e Banjskës ku terroristët serbë u strehuan të dielën e 24 shtatorit. Armatimi që u gjet aty arrinë vlerën prej 5 milionë eurosh dhe ishte i bollshëm për qindra njerëz.

    Sulmin e së dielës e kanë dënuar institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

  • EULEX-i përgënjeshtron Serbinë lidhur me sulmin në Banjskë

    EULEX-i përgënjeshtron Serbinë lidhur me sulmin në Banjskë

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) hodhi poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë se nuk është lejuar që të marrë pjesë në operacionin policor më 24 shtator në Banjskë, pasi u sulmua Policia e Kosovës.

    “EULEX-i në asnjë mënyrë nuk është ndaluar që të marrë pjesë apo të vëzhgojë operacionet që janë kryer nga Policia e Kosovës më 24 shtator”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga ky mision i bllokut evropian.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, kanë thënë se Kosova nuk e lejoi EULEX-in që të marrë pjesë në operacionin policor, pasi një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

    Vuçiq gjatë një takimi me përfaqësuesit e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian më 26 shtator, tha se i ka pyetur ata pse “EULEX-i është refuzuar” që të marrë pjesë në operacionin në veri.

    “Pas sulmit të kryer ndaj Policisë së Kosovës dhe më pas intervenimit të Policisë, patrullat mobile të njësisë policore të EULEX-it dhe Njësisë policore rezervë, por edhe pjesëtarë të tjerë të stafit të EULEX-it kanë qenë në kontakt të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe kanë shkuar në zonën përreth manastirit të Banjskës në veri të Kosovës”, thanë nga EULEX-i.

    Nga ky mision shtuan se kanë monitoruar nga afër operacionin policor dhe kanë qenë në kontakt të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Grupi i maskuar dhe i armatosur – që sipas autoriteteve në Kosovë përbëhej prej rreth 30 personash – fillimisht sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, teksa autoritetet e rendit nisën një aksion për heqjen e një barrikade në rrugë.

    Më pas, sulmuesit u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty u përleshën gjatë gjithë ditës me zyrtarët policorë. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, tre sulmues të dyshuar janë vrarë.

    Si Vuçiq, ashtu edhe Petkoviq, kanë pretenduar se dy serbë janë vrarë pasi janë dorëzuar dhe kanë kërkuar që EULEX-i të përfshihet në hetime dhe që ky mision të ndërmjetësojë lejimin e hetuesve serbë të kryejnë autopsinë e sulmuesve të vrarë.

    Ky mision i BE-së nuk tregoi nëse ka pranuar një kërkesë të tillë nga Serbia, por tha se nuk ka “mandat ekzekutiv për të kryer hetime”.

    “Misioni ka monitoruar dhe do të vazhdojë të monitorojë aktivitetet e kryera nga autoritetet në Kosovë që lidhen me sulmin, sikurse hetimet, konfiskimet dhe bastisjet. Në përputhje me mandatin që kanë dhe me legjislacionin e Kosovës, përfaqësuesit e EULEX-it ishin të pranishëm gjatë kryerjes së autopsisë, në cilësinë e monitoruesve”, u tha në përgjigjen e EULEX-it.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin në Banjskë, të cilën e cilëson si sulm terrorist dhe ka kërkuar të kryhet një hetim ndërkombëtar për këtë ngjarje. Serbia ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.

    Sulmi është dënuar fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. /REL

  • Presidentja kërkon që drafti për asociacion të bëhet me SHBA-në

    Presidentja kërkon që drafti për asociacion të bëhet me SHBA-në

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që Kosova së bashku me Shtetet e Bashkuara ta përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Pasi tha se marrëveshja drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur gjatë këtij viti nuk është perfekte, Osmani e cilësoi obligim ndërkombëtar që duhet përmbushur.

    “Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherinit”, tha Osmani.

    Komenti i Bashkimit Evropian në lidhje me qëndrimin e presidentes Osmani për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, ishte i shkurtër.

    “BE-ja ua ka prezantuar idetë dhe pritjet partnerëve në disa raste, së fundi madje në deklaratën e 27 shteteve anëtare të BE-së”, thuhet në komentin e BE-së.

    Teksa e cilësoi si hap pozitiv të presidentes, politologu Fidan Ukaj vlerëson se nuk është momenti i duhur të flitet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

    Deri më tani, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë qarkulluar drafte si: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, ekip ky që u shkarkua më pas, draft-vizioni i kryeministrit Albin Kurti, draft-statuti i kryeministrit Edi Rama, dhe draft-statuti i hartuar nga një organizatë gjermane.

    Derisa Qeveria e Kosovës frikësohet se një asociacion njëetnik do të mund të cenonte funksionalitetin e shtetit, faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka insistuar në formimin e tij, që është edhe kërkesa kryesore e Beogradit.

  • Policia speciale rrit praninë në veri pas sulmit në Banjskë

    Policia speciale rrit praninë në veri pas sulmit në Banjskë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në ditën e pestë të operacionit, në fshatin Banjskë të Zveçanit, Policia vazhdoi me angazhimet e saj hetimore, lidhur me sulmin terrorist nga i cili u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të zyrtarë të tjerë policorë.

    Krahas specialëve, të cilët janë vendosur përgjatë rrugëve, në fshat e përreth manastirit, dhe kujdesen për sigurinë, Policia angazhoi edhe njësi të tjera të specializuara në kërkim dhe hetim.

    “Situata në përgjithësi në këtë fshat dhe në krejt rrethinën është e qetë, këtë mund ta konfirmoj. Gjithçka në rregull… Operacioni policor vazhdon, nuk do të thotë që ka përfunduar në përgjithësi. Sot ju e shihni njësinë policore me qen, të cilët kohë pas kohe e frekuentojnë terrenin malor dhe në vende të caktuara, të dyshimta, bëjmë verifikime”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Hetimet po vazhdojnë kryesisht në malet përreth dhe shtigjet që terroristët i përdorën për të ikur.

    “Për gjithçka, trupa, armë, municion, eksploziv, çdo gjë që mund të hasim, çdo gjë që kemi gjetur herën e kaluar, nëse ka ende”, tha Elshani.

    Puna e Policisë vazhdoi edhe në vend-pritën ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku.
    Teksa kontrollet e kohëpaskohshme të automjeteve vazhdojnë, rrugët janë hapur për qarkullim.

    Megjithatë, i mbyllur mbetet Manastiri dhe ndërtesa përcjellëse në të cilën u pa nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojicic.

    Krahas Policisë së Kosovës, në intervale të caktuara te ky monument fetar ortodoks qëndrojnë edhe ekipe të KFOR-it dhe EULEX-it.

    Ndërsa, rrugëve malore që shpijnë kah kufiri me Serbinë, përveç Policisë, u panë edhe patrullime nga KFOR-i.

  • Njohësit: Dialogu të ndahet në dy etapa, para dhe pas 24 shtatorit

    Njohësit: Dialogu të ndahet në dy etapa, para dhe pas 24 shtatorit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, që la të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi 3 kolegë të tij, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë më nuk është i njëjtë.

    Ndikimi i sulmit në Banjskë të Zveçanit, në procesin e dialogut, për Valon Murtezajn është i pamohueshëm.

    “Mund të themi që, ka qenë dialogu para 24 shtatorit dhe do të jetë procesi i dialogut pas 24 shtatorit. Arsyeja është sepse pas një sulmi të tillë të organizuar mirë dhe të planifikuar sipas evidencave aktuale, të bërë nga shteti i Serbisë, por në vazhdën e agresionit rus në Ukrainë”, tha Murtezaj.

    Sipas profesorit të diplomacisë, pas një hetimi të gjithmbarshëm duhet të përcaktohen hapat e ardhshëm në procesin e dialogut.

    “Tani më, një rol tepër të rëndësishëm e ka Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më nuk mund të thuhet se nuk ka ndodhur asgjë. Pra sulmi terrorist, akti terrorist, e ka bërë që dialogu në të ardhmen të jetë serioz, në mënyrë që të nxirret përfundimi i këtij procesit që është njohja e Kosovës nga Serbia”, tha Murtezaj.
    Megjithatë, në një takim potencial të radhës, pala kosovare është në pozitë më të favorshme, pas ngjarjes së fundit në veri.

    “Presioni ndërkombëtar ka qenë mbi Kosovën ndërkohë tash, ky sulm terrorist ka kriju një momentum të ri në dialog, sepse tashmë është shpërfaqë fytyra e vërtetë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic”, tha Fitim Mulolli nga Polcon.

    Pa dhënë detaje për një takim eventual të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se urgjencë për takime mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, ka pasur edhe para 24 shtatorit.

    Ndryshe, vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku, nga grupi terrorist serb, ndodhi 10 ditë pas takimit të dy liderëve që u zhvillua më 14 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

  • Kosova merr kredi 20 milionë dollarë për digjitalizim

    Kosova merr kredi 20 milionë dollarë për digjitalizim

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Tash e tutje, Kosova pritet të ketë sistem më të avancuar në ofrimin e shërbimeve administrative pas nënshkrimit të projektit për qeverisje digjitale.

    Mbështetja financiare e projektit 5-vjeçar, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, është kredi koncesionare prej 20 milionë dollarësh.

    “Ky projekt që financohet nga Banka Botërore është kredi koncesionare prej 20 milionë dollarësh, nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Grupit të Bankës Botërore. Kredia ka maturitet prej 25 vjetësh dhe grejs-periudhë prej 5 vjetësh, me normë interesi 1,25%”, tha Murati.

    Sipas Muratit, projekti i cili do të zbatohet nga Agjencia Për Shoqërinë e Informacionit, do të fokusohet në tri pika themelore.

    “Projekti ka tre komponentë, transformimin digjital të Qeverisë, transformimin digjital për shërbime publike dhe ngritjen e kapaciteteve. Te transformimi digjital i Qeverisë, një shembull i kësaj do të ishte nënshkrimi digjital, i cili na është kërkuar nga Banka Botërore”, tha Murati.

    Projekti u nënshkrua edhe nga menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci.
    “Digjitalizimi i suksesshëm i shërbimeve dhe nxitja e përdorimit të tyre do t’i përforcojnë përpjekjet e Kosovës për luftimin e korrupsionit, për përmirësimin e fuqizimit të grave, si dhe për luftimin e ndryshimeve klimatike”, tha Paolucci.

    Ndër të tjera, ai ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka internet të shtrirë në 100% të territorit.

  • ​Miratohet rezoluta, Kuvendi dënon sulmin terrorist në Banjskë

    ​Miratohet rezoluta, Kuvendi dënon sulmin terrorist në Banjskë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Seanca e së enjtes e Kuvendit filloi me një minutë heshtje në nderim të policit Afrim Bunjaku.

    Bunjaku u vra në detyrë pas sulmit të një grupi të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Basnjkë të Zveçanit.

    Duke e dënuar këtë sulm të 24 shtatorit, deputetët miratuan një rezolutë sipas së cilës, përpos që dënohet ky sulm, përmendet edhe nevoja për hetim ndërkombëtar lidhur me rolin e mundshëm të shtetit serb.
    Rezoluta është miratuar me 97 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

    Veç kësaj, ndaj Serbisë u kërkua të vendosen sanksione.

    “Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin. Kërkojmë që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës”, tha Kurti.

    Mbështetje të parezervë Rezolutës i dhanë edhe partitë opozitare.

    Rezoluta e votuar u përpilua në bashkëpunim të të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend.

    Njëkohësisht sulmin e së dielës ndaj Policisë e ka dënuar edhe bashkësia ndërkombëtare, duke bërë thirrje që fajtorët të përballen me drejtësi.

  • DASH: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve

    DASH: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë përpjekjet që të barazohet vrasja e rreshterit të Kosovës, Afrim Bunjaku, me sulmuesit “që ishin të përfshirë në vrasjen” e tij.

    Kështu ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller, në pyetjen lidhur me atë se si SHBA-ja i cilëson personat që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    “Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller, për REL.

    Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë.

    Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.

    Sulmuesit e dyshuar – që sipas autoriteteve në Kosovë ishin rreth 30 – u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.

    Tre sulmues të dyshuar mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq katër persona janë arrestuar për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe për të e fajëson Serbinë.

    Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.

    Më 27 shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë. Ky vendim u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian.

    Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, deklaroi se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 27 shtator se ai kurrë nuk mund t’i cilësojë si “terroristë” pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës.

    Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin në veri.

    Radoiçiq – që është nën sanksione amerikane – sipas presidentit serb do të merret në pyetje nga organet kompetente serbe.

  • Dy asambleistët e Listës Serbe në Obiliq mbajnë një minutë heshtje për rreshterin Afrim Bunjaku

    Dy asambleistët e Listës Serbe në Obiliq mbajnë një minutë heshtje për rreshterin Afrim Bunjaku

    Dy asambleistët e Listës Serbe Radomir Ristiç dhe Biljana Spasiç, në seancën e sotme të Kuvendit Komunal në Obiliq, kanë mbajtur një minutë heshtje për rreshterin e rënë në dëtyrë, Afrim Bunjaku, raporton ATV.