ATV

Tag: Ballina

  • Serbia po ndërton një bazë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën

    Serbia po ndërton një bazë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën

    Përgatiti: Armand Hoti

    Në afërsi të kufirit me Kosovën, Serbia po ndërton një bazë ushtarake.

    Këtë e konfirmoi kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Ganimete Musliu, pas takimit me shefin e AKI-së, Petrit Ajeti.

    Musliu ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në vend nuk është stabile.

    “Në zonën e njohur si Rogazin, në afërsi të Izvorit është duke u ndërtuar një bazë ushtarake serbe, me mbulesë nga ana e serbëve, kinse në atë ndërtesë po bëhet trajtimi i mineraleve të zonës. Mirëpo, pamjet me dron i kanë konfirmuar burimet dhe tashmë është e qartë se atje po bëhet një zonë ushtarake. Ajo çka vlen të theksohet se gjendja e sigurisë është e brishtë, pra është e tensionuar”, tha Musliu.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, është shprehur të hënën se trupat ushtarake të Serbisë, duhet të tërhiqen nga vija kufitare me Kosovën.

    “Gjithashtu, kemi vërejtur pozicionimin e ushtrisë serbe në linjën kufitare me Kosovën dhe kjo duhet të ndalet menjëherë. Krejt kjo duhet të ndalet. Ky ka qenë mesazhi i përfaqësuesit për politikë të Jashtme për të dyja vendet, sepse nuk ka vend për armë dhe shtim të forcave të sigurisë në kontinentin evropian”, tha Stano.

    Deputetja Musliu pas takimit të Komisionit që drejton, me të parin e AKI-së, ndau detaje të reja sa i takon rrugës ilegale që sulmuesit ndoqën, për të mbërritur në Banjskë të Zveçanit.

    “Grupi terrorist është nisur pas mesnatës, duke shfrytëzuar rrugën ilegale në afërsi të pikës kufitare në Izvor, pika më e afërt në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit”, tha Musliu.

    Kurse, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, potencoi se pret që përmes faktorit ndërkombëtar, terroristët që u larguan në Serbi, t’u dorëzohen autoriteteve të Kosovës.

    “Tani po llogarisim në presionin e bashkësisë ndërkombëtare që këta kriminelë dhe terroristë t’iu dorëzohen autoriteteve tona të sigurisë dhe drejtësisë. Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet t’ia dorëzojë Kosovës këta anëtarë të tjerë që nuk u vranë dhe nuk u arrestuan për të vuajtur dënimin, pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, janë njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentuan destabilizimin e Kosovës. Ata dështuan në këtë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kurti.

    Ndërkaq, në fjalën e tij, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është shprehur se institucionet e Kosovës kanë kompetenca të plota ta hetojnë sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Sipas tij, BE-ja për hetimin e rastit pret bashkëpunim pa kushte nga ana e Serbisë.

  • Von Cramon kërkon që Gjermania të sjellë më shumë trupa në Kosovë

    Von Cramon kërkon që Gjermania të sjellë më shumë trupa në Kosovë

    Eurodeputetja Viola Von Crammon që është edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentit Europian, ka shpërndarë në platformën X një njoftim të Qeverisë britanike ku thuhet se Londra do ta shtojë prezencën ushtarake në Kosovë edhe me 200 trupa tjera.

    Ajo ka thënë se këtë duhet ta bëjë edhe Gjermania, e cila sipas Von Cramon, duhet të prijë me vendosjen e trupave në Kosovë.

    “Vendim i rëndësishëm për të vendosur 200 trupa luftarakë britanikë për ta përforcuar KFOR’in -NATO’n në terren. Gjermania duhet të prijë me vendosjen e trupave për të siguruar paqen, dhe për t’i mbrojtur në Kosovë aty ku KFOR’i dhe NATO janë jetikë” ka shkruar eurodepuetja gjermane.

    Aktualisht Bundeswehri ka 85 ushtarë në Kosovë por sipas mediave gjermane në bazë të vendimit për zgjatjen e mandatit të tyre numri i ushtarëve mund të rritet deri në 400.

  • ​Stano: Policia e Kosovës ka mandat për hetime, Serbia të bashkëpunojë pa kushtëzime

    ​Stano: Policia e Kosovës ka mandat për hetime, Serbia të bashkëpunojë pa kushtëzime

    Bashkimi Evropian është deklaruar të hënën se autoritetet e Kosovës në këtë rast, policia ka mandat për t’i hetuar sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndërsa Serbia është e obliguar të bashkëpunojë pa kushtëzime.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka folur rreth përgjegjësisë që e ka marrë tashmë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq për sulmin, dhe a do të ndihmojë Bashkimi Evropian që ai të ekstradohet në Kosovë. Stano theksoi se blloku evropian pret bashkëpunim të plotë, transparent dhe pa kushte nga Serbia, në mënyrë që të sqarohet jo vetëm se kush e ka përgatitur dhe kryer sulmin terrorist, por edhe kush qëndron prapa tyre.

    “E kemi parë qartë se çfarë tha zotri Radojiçiq për përfshirjen e tij në ngjarjet shumë fatkeqe të 24 shtatorit dhe Bashkimi Evropian ishte shumë i qartë, e tha Përfaqësuesi i Lartë, dhe pastaj ne e përsëritëm disa herë. Të gjitha faktet duhet të vërtetohen. Kjo duhet të hetohet në mënyrë të duhur dhe në këtë kontekst presim bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga Serbia, kjo është shumë e rëndësishme. Në pjesën e dytë të pyetjes dhe sa i përket hetimeve, etj., e kam përsëritur edhe shumë herë se ne nuk po e bëjmë angazhimin tonë në lidhje me këtë sulm terrorist përmes mediave. Jemi në kontakt me partnerët dhe shkëmbejmë mendimet dhe qëndrimet tona, por sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, EULEX-it nuk i nevojitet një zëdhënës specifik nga autoritetet e palës tjetër. EULEX-i ka zyrën e vet për shtyp dhe zyra e shtypit ka reaguar shumë qartë se cili është roli i EULEX-it dhe cili është mandati i EULEX-it. Mandati i EULEX-it është monitorimi i situatës dhe ofrimi i ndihmës për policinë e Kosovës sipas kërkesës. Mandati i EULEX-it nuk përfshin hetime”, tha Stano në një konferencë për media online.

    Sa i përket masave të BE-së ndaj Serbisë, ai tha se duhet parë rezultatin përfundimtar të hetimit në Banjskë.

    “Çdo ditë zbulon diçka të re. Çdo ditë sjell një tjetër provë. Kemi thënë vazhdimisht se nuk po komentojmë çfarë sjell e përditshmja. Ne duhet të shohim rezultatin përfundimtar të hetimit, hetim të duhur, të plotë, duke sqaruar të gjithë kontekstin, të gjitha rrethanat rreth sulmit terrorist dhe ngjarjeve të ngjashme. Dhe këtu presim bashkëpunimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Serbisë në këtë drejtim. Kjo është shume e rëndësishme. Bashkimi Evropian e tha shumë qartë, ne e thamë më 19 shtator dhe e kemi përsëritur shumë herë më pas, Bashkimi Evropian është i gatshëm të caktoj masa edhe ndaj Serbisë, nëse shtetet anëtare vendosin që kanë informacion të mjaftueshëm, fakte të mjaftueshme dhe se ata do të reagojnë në momentin e zgjedhjes së tyre”, theksoi ai.

    Për më tepër ai nuk ka lënë asnjë dyshim se mandatin për ta hetuar rastin e Banjskës e kanë autoritetet e Kosovës.

    “Asnjëherë nuk po diskutojmë publikisht për procedurat në vazhdim. Pra, siç ka qenë rasti me masat ndaj Kosovës, i kemi shpallur pasi janë marrë vesh dhe pasi ka pasur konsensus se si të veprohet nga ana e BE-së, kështu është edhe në vlerësimin e situatës tani. Shtetet anëtare, kur të ndiejnë se ka ardhur koha, do të marrim një vendim se çfarë po ndodhte në veri të Kosovës më 24 shtator dhe si dëshiron të reagojë BE-ja në mënyrë unanime, sepse kjo është ajo që ne bëjmë, ne reagojmë në unitet dhe unanimitet. Kjo ka ndodhur në Kosovë, kështu që sigurisht që hetimi është kompetencë e policisë së Kosovës me të cilën kemi bashkëpunim shumë të mirë. Policia e Kosovës është në kontakte shumë të ngushta me misionin tonë EULEX, EULEX-i po jep mbështetje brenda mandatit të tij me kërkesë të policisë së Kosovës, por të gjithë ata që mund të kontribuojnë në sqarimin e asaj se çfarë ka ndodhur, rrethanat, si ka ndodhur dhe kush, jo vetëm e ka ekzekutuar këtë sulm brutal, por edhe kush qëndron pas këtij sulmi, çdo kontribut për këtë është i mirëpritur. Dhe këtu e përsëris se presim bashkëpunim të plotë transparent dhe të pakushtëzuar edhe nga Serbia”, theksoi Stano.

    Ndërsa, ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës kanë prezantuar të dielën dëshmi të reja, për siç theksuan ata të patjetërsueshme për lidhjen e shtetit serb dhe presidentit Aleksandër Vuçiq me sulmin terrorist në fshatin Banjksë të Zveçanit.

    Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, e diel, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë nga një sulm terroristësh serbë në Banjskë të Zveçanit. /kp

  • Diplomatja gjermane: Serbia urgjentisht duhet të reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën

    Diplomatja gjermane: Serbia urgjentisht duhet të reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se nuk duhet të këtë më tensione mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo në një deklarim për media në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së që po mbahet në Ukrainë, ka thënë se Serbia urgjentisht duhet të reduktojë prezencën e ushtrisë në kurimin me Kosovën.

    “Nuk duhet të ketë më tensione mes Kosovës dhe Serbisë . Së bashku me SHBA-në, i bëjmë thirrje urgjente Serbisë që të reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën”, ka thënë ajo në një pjesë të deklarimit të publikuar në X.

  • Gjykata e Apelit u ndërpret paraburgimin Berat Kabashit dhe Enver Shabanit, dy zyrtarëve komunalë Suharekës që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Gjykata e Apelit u ndërpret paraburgimin Berat Kabashit dhe Enver Shabanit, dy zyrtarëve komunalë Suharekës që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Gjykata e Apelit në Prishtinë, Departamenti për Krime të rënda, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së dy zyrtarëve komunal të Suharekës, Berat Kabashit dhe Enver Shabanit, u ka ndërprerë këtyre të fundit masën e paraburgimit, duke ua zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak, raporton ATV.

    ATV ka siguruar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes të cilit, dy të pandehurve iu zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

    “Aprovohen si të bazuara ankesa e mbrojtësit të pandehurit Berat Kabashi av. Blerim Mazreku dhe ankesa e mbrojtësit të pandehurit Enver Shabani av. Asman Hoxha dhe Qazim Hasanaj, ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Renda, Ppr.Kr.nr.61/23, të datës 21.09.2023. ashtu që të pandehurve Berat Kabashi dhe Enver Shabani iu ndërpritet masa e paraburgimit sot me datën 29.09.2023 dhe e njëjta masë iu zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, ecila sipas këtij aktvendimi t’i zgjasë deri më 28.10.2023”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit në Prishtinë.

    Një muaj më parë, Gjykata Themelore në Prizren, dy zyrtarëve komunal të Suharekës, Berat Kabashit dhe Enver Shabanit u kishte caktuar një muaj paraburgim, nën dyshimin në lidhje me keqpërdorimet në tenderin për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit 2022.

    ATV ju sjell Aktvendimin e plotw tw e Gjykatës së Apelit në Prishtinë.

  • Kurti, kryetarëve: Faleminderit për solidaritetin ndaj Policisë në përballje me terroristët

    Kurti, kryetarëve: Faleminderit për solidaritetin ndaj Policisë në përballje me terroristët

    Kreu i ekzekutiv, Albin Kurti, i ka falënderuar kryetarët e Komunave të vendit, për siç tha solidaritetin e treguar ditëve të fundit me Policinë e Kosovës.

    Ai tha se Policia ka pasur ditë të vështira në përballje me terroristët dhe kriminelët në veri. Kurti pohoi se ndonëse nga kjo betejë dolëm të ngadhënjyer, rënia heroike e rreshterit Afrim Bunjaku është e vështirë, për çka edhe kërkoi një minutë heshtje nga të pranishmit, raporton EO.

    “Iu falënderoj për solidaritetin e treguar ditëve të fundit me Policinë e Kosovës në këto ditë të vështir të përballjes me terroristët dhe kriminelët në këtë betejë të cilën e ngadhënjyem por të në të cilën heroikisht ra rreshteri Afrim Bunajku, për të cilin iu ftojë për një minutë heshtje”.

    Kur foli për investimet ai tha se asnjë komunë e asnjë komunitet nuk do të diskriminohet, duke shtuar se projekte do të përfitohen në bazë të meritave e jo preferencave.

    Kryetarëve ai u foli edhe për fitimin e kandidaturës së Kosovës për organizmin e Lojërave Mesdhetare 2030.

    “Një lajm i mirë pas takimit që kishim në muajin maj është fitorja e kandidaturës së Kosovës për organizmin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ato përfshin 24 sporte, 11 komuna në dy shtete. Mbi 250 milionë euro dhe 24 objekte sportive janë paraparë. Komuna e kanë mundësin të përfitojnë nga investimet”.

    “Buxheti për komunat në vitin tjetër është 742 milionë euro, po bëhet viti i dytë me radhë që rritja e buxheti është në shifër dyshifrore. Investimet kapitale në komuna përfshinë shumë sfera. Këto investime përfshin të gjitha komuna dhe pa diskriminuar asnjë komunitet. Kemi përgatitur legjislacioni që u mundëson komunave të përfitojnë jo sipas preferencave. Jemi të gatshëm që të ofrojmë zgjidhje”.

  • Lulzim Tafa nderohet me titullin më të lartë “Doctor of Literature” nga Kongresi Botëror i Poetëve

    Lulzim Tafa nderohet me titullin më të lartë “Doctor of Literature” nga Kongresi Botëror i Poetëve

    Lulzim Tafa, një nga poetët më të njohur nga Kosova në skenën botërore, është nderuar me titullin më të lartë “Doctor of Literature” nga Kongresi Botëror i Poetëve.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Tafa nëpërmjet një postimi në Facebook.

    “Një nderim i madh mu bë në ditën e fundit të Kongresit Botëror të Poetëve. Në mesin e qindra poetëve nga e mbarë bota, isha njëri prej 8 poetëve që Kongresi i Nderoi me titullin më të lartë “Doctor of Literature””, ka shkruar poeti. /atvlive.tv

  • Kurti: Sulmi terrorist ishte plan për aneksimin e veriut nga 37 pozicione

    Kurti: Sulmi terrorist ishte plan për aneksimin e veriut nga 37 pozicione

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e së hënës ka shkruar në patformën “X”, sa i përket sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Ai ka thënë se Policia e ka konfirmuar që ky sulm ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës, përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme.

    Kurti ka shkruar se kjo do të pasonte me krijimin e një korridori për në Serbi, i cili do ta mundësonte furnizimin me armë dhe trupa.

    “Bazuar në dokumentacionin e konfiskuar, Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa”, ka shkruar Kurti.

  • Lajçak mund të largohet së shpejti nga detyra e emisarit për dialog

    Lajçak mund të largohet së shpejti nga detyra e emisarit për dialog

    Një parti e udhëhequr nga një figurë pro-Kremlinit fitoi të dielën zgjedhjet në Sllovaki, tregojnë rezultatet preliminare të votimev.

    Sipas rezultateve paraprake të lëshuara nga Zyra e Statistikave të Sllovakisë në orën 9 të mëngjesit me orën lokale, partia populiste SMER e politikanit Robert Fico fitoi 22.9% të votave.

    Fico është aleat i ngushtë i Mirosllav Lajçakut, emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

    Derisa Fico pritet të emërohet kryeministri i ri i Sllovakisë, ka gjasa që një rol në qeverinë e re t’i ofrohet edhe Lajçakut, raporton The Economist.

    The Economist raporton se Fico mund ta emërojë Lajçakun në detyrën e tij të vjetër si Ministër i Jashtëm i Sllovakisë, duke e larguar atë nga funksioni i emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

    Pas takimit të fundit në dialog më 14 shtator, kryeministri Albin Kurti akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

    Kurti tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Lajçak, ka shërbyer si kryediplomat i Sllovakisë në vitet 2009-2010 dhe për tetë vite me radhë nga 2012 deri më 2020.

  • Ish-përfaqësues special i BE-së: Serbia e Kosova po humbasin kohë, situata më e keqe sesa para 10 vitesh

    Ish-përfaqësues special i BE-së: Serbia e Kosova po humbasin kohë, situata më e keqe sesa para 10 vitesh

    Ish-përfaqësuesi civil ndërkombëtar për Kosovën dhe ish-përfaqësues special i BE-së, Pieter Feith, ka thënë se Serbia dhe Kosova po humbasin kohë, duke iu referuar këtu situatës aktuale që është e tensionuar.

    Ai për Euronews Albania tha se tensionet në veri e kanë bërë situatën aktuale më të vështirë se 10 vite më parë.

    ”Gjëja më e keqe që mund të ndodhë tani sipas këndvështrimit tim, sepse kemi humbur kohë të çmuar, është se të dyja Kosova dhe Serbia, nuk do të jenë të gatshme për t’u anëtarësuar në BE tani së afërmi dhe mendoj se situata tani është më serioze dhe shumë herë më e rrezikshme nga ç’ka qenë atëherë, sepse ne nuk e dimë nëse ka elementë të tjerë kriminalë që operojnë në veri të Kosovës dhe nuk e dimë nëse veprojnë vetëm, në mënyrë autonome pa konsensusin e qeverisë së Beogradit, ose nëse këto elementë kanë mbështetje aktive të autoriteteve serbe”, u shpreh Feith.