Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian.
Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.
Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shkarkuar nga pozita kryetaren e Gjykatës Themelore në veri Liljana Stevanoviq dhe udhëheqësin e divizionit të Apelit në Veri, Nikolla Kabashiq.
Këtë e ka konfirmuar për ATV-në kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.
“Në fakt ashtu siç kemi njoftuar edhe më herët kanë pasur dy procedura disiplinore ndaj atyre, këto dy procedura janë zhvilluar në KGjK dhe pastaj është dhënë propozimi te Presidentja e Republikës për shkarkimin e tyre dhe dje kemi pranuar dekretin nga Presidenca për shkarkimin e kryetares dhe udhëheqësin e divizionit të Apelit”, tha ai për ATV-në./ATVLIVE.TV/
Policia e Kosovës ka nisur edhe një aksion në veri të vendit, në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e Banjskës.
Këtë e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.
“Konfirmoje aksionin, ai po zhvillohet në të katër komunat që lidhet me rastin në Banjskë”, tha ai.
Kujtojmë se nga disa aksione të Policisë janë kapur arsenal armësh në veri, që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator, i cili la të vdekur rreshterin, Afrim Bunjakun.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se është e nevojshme që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe t’i kthehen dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian.
Stoltenberg theksoi në konferencën për media dje, se trupat e NATO-s në Kosovë së fundmi janë përforcuar me disa qindra ushtarë nga Italia, Bullgaria, Rumania dhe Britania e Madhe.
“Ka ende tensione, është një situatë e vështirë, po e monitorojmë me shumë kujdes dhe po rrisim prezencën tonë sidomos në veri. Mesazhi kryesor është që të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina, të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejmë dhe të përmbahen nga retorika nxitëse”, tha Stoltenberg.
Ai tha se Beogradi dhe Prishtina duhet t’i kthehen dialogut nën patronazhin e BE-së.
“Unë mendoj se është gjithashtu një mesazh i rëndësishëm të shihet se BE-ja dhe NATO-ja po punojnë krah për krah dhe se trupat e shtuara të NATO-s në Kosovë po mbështesin përpjekjet e shtuara diplomatike të BE-së”, tha Stoltenberg.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon, sot nga ora 09:30, procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.
Dëshmitari i katërt i Mbrojtjes, Mark Shala, ka vazhduar dëshminë edhe ditën e djeshme, të dytën ditë me radhë, ku pyetjet parashtruan Zyra e Prokurorit të Specializuar, trupi gjykues dhe mbrojtja e viktimave.
Gjatë seancës kur është marrë në pyetje dëshmitari Shala nga ZPS-ja, avokati mbrojtës ka paraqitur disa herë kundërshtimet e tij lidhur me mënyrë se si janë formuluar pyetjet.
Këtë dëshmitarë pritet që sot ta marrë në pyetje trupi gjykues.
Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me ceremoni zyrtare nga Guverantorja e Iowa-s, Kim Reynolds.
Presidentja Osmani, theksoi se Kosova nuk ka aleate e mike më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën sipas saj ndajnë vlerat e njëjta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtarë.
Në një adresim para të pranishmëve, Osmani tha se nënshkrimi kohë më parë i Programit të Partneritetit Shtetëror të Iowa-s, përbën një element thelbësor të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e ndihmës substanciale ekonomike dhe programet e zhvillimit të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur rritjen dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.
Në takim me guvernatoren Reynolds u diskutua për shkëmbime të mëtejshme studentore, bursa dhe bashkëpunime akademike ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Iowa-s, duke përfshirë shkëmbimin në fakultete, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në arsim.
U diskutua për mundësinë e shkëmbimit të njohurive, transferimin e teknologjisë bujqësore dhe bashkëpunimin në praktikat e qëndrueshme bujqësore, ku në kuadër të këtij bashkëpunimi do të përmirësohen edhe më tej lidhjet ekonomike me shtetin e Iowas. Me qëllim që të përforcohet ky bashkëpunim, pjesë e delegacionit të Presidentes është edhe Ministri i bujqësisë Faton Peci.
Presidentja Osmani ndër të tjera, e njoftoi Guvernatoren lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, pas aktit të agresionit që Serbia kreu në Republikën e Kosovës më 24 shtator.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Republikës së Kosovës të kryer më 24 shtator duhet të vihen para përgjegjësisë.
Radio Televizioni ATV ka realizuar një dokumentar ekskluziv të titulluar “Dritëhijet e 24 shtatorit”, përmes të cilit ka vënë në dritë detaje të padëgjuara deri më tani për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në këtë dokumentar, ka vlerësuar lartë aktin heroik të rreshterit Afrim Bunjaku, si dhe të kolegëve të tij që i rezistuan ballafaqimit me terroristët.
“Akti heroik që e ka ba heroi Afrim Bunjaku, është pikë kthese në të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës si shtet. Ky veprim i tij dhe i policëve tjerë, kanë bë kthesë epokale që është parandalu një plan famëkeq ogurzi për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, tha Hoxha. /atvlive.tv
Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në dokumentarin “Dritëhijet e 24 shtatorit” në ATV, ka zbuluar se plani i terroristëve ishte vrasja e pelegrinëve, për të fajësuar pastaj institucionet e Kosovës.
“Nuk është zgjedhur rastësisht Manastiri. Aty atë ditë ka pasur shumë pelegrinë që kanë ardhë në Kosovë.. Është teori e imja, që kanë pasur plan t’i vrasin një numër të pelegrinëve dhe punonjësve dhe pastaj ti fajësojnë institucionet e Kosovës. Dhe çka mund të presësh nga kriminelët – vetëm viktima”, tha ai.
Ai thotë se nuk e beson asnjëherë që Serbia mund ta aneksojë Veriun.
“Kosova ka institucionet e sigurisë. Mos të harrojmë partnerët EULEX-in dhe KFOR-in sidomos. Mirëpo mos të harrojmë që është edhe FSK-ja dhe mbi të gjitha – populli i Kosovës, dhe kurrë Policia nuk do të ishte vetëm”, vlerëson Qalaj. /atvlive.tv
Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:
Sot bëhet një muaj nga sulmi terrorist serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Radio Televizioni ATV ka realizuar një dokumentar ekskluziv të titulluar “Dritëhijet e 24 shtatorit” kushtuar kësaj ngjarje, përmes të cilit ka vënë në dritë detaje të padëgjuara deri më tani, përmes rrëfimit të policit Fahri Shala, i cili mori komandën në natën kritike pas rënies së rreshterit Afrim Bunjaku.
Shala, në rrëfimin e tij në këtë dokumentar tregon se si filloi beteja mes njësisë patrulluese dhe sulmuesve, ku për këta të fundit ende nuk dihej se sa ishin në numër dhe si ishin të organizuar.
“Rreth orës 02:40 ishim në stacion në Zveçan. Përmes radiolidhjes zyrtare kemi kuptuar se një patrullë e Policisë kufitare ka vërëjtë se dy kamionë kanë blloku urën që të shpie për fshatin Banjskë. Me të marrë këtë informatë, rreshteri i ndjerë, na ka caktu 3 policë edhe ai vet i 4, për me shku me përcjellë gjendjen. Jemi pajisë me antiblumb, helmeta, armatime me tytë të gjatë. Kemi dalë në oborr, kemi diskutuar për gjendjen e sigurisë. Kemi vendosë me i marrë dy automjete. Rreshteri i ndjerë ka qenë në një veturë Tojota, dhe unë me një Shkodë me një koleg, dhe jemi nisë për Banjskë. Helmetat i morëm në duar, për t’i lënë në veturë. (Afrimi) Na i dha 30 sekonda për t’i vendosur e për të vazhduar…”, rrëfen Shala.
Ai tregon se atë natë, derisa ishin duke patrulluar në këmbë, te udhëkryqi kur kanë dalë përballë kamionëve, ka ndodh një shpërthim i befasishëm, i përcjellë me të shtëna nga të gjitha anët.
“Duke shku rrugës jemi afru te fshati Banjskë. Në distancë ndoshta mbi 100 metra, e kemi vërejt se shtëpitë e fshatit Banjskë në përgjithësi ishin pa ndriçim. Unë isha me veturën e parë, e kam ndalë rreth 150 metra larg barrikadës. Ndërsa Rreshteri (Afrim Bunjaku) është ndalë pranë meje. Kemi dalë kemi diskutu se diçka është e çuditshme, se është errësim dhe munet me pasë diçka. Sepse ne kemi patrullu shpeshherë në fshatin Banjskë. Por ajo gjendje s’ka qenë kurrë. Edhe kemi vazhdu me shku në këmbë drejt urës. I kemi lënë çelësat në njërën veturë për me qenë në gjendje gatishmërie edhe jemi nisë në këmbë. Kur kemi shku tek udhëkryqi, jemi taku me njësitin (patrollën kufitare), që ka ardhë nga Izvori. Kemi bisedu me ta. Me njërin prej kësaj njësie, kemi vazhdu me dalë përballë kamionëve. Me këqyrë mos ka diçka afër. Gjatë lëvizjes kemi diskutu që mos me i hapë dyert e kamionëve, se mos ka eksploziv që munet me na shkaktu pasoja. Pasi kemi dalë para kamionëve, gjatë bisedës, i njëjti ka thënë se e ka hapë derën e njërit kamion. Duke buzëqeshë i kam thënë se paske shpëtu. T’u bisedu qysh me e ba largimin e tyre, për një moment ka ndodhë shpërthim prapa kamionëve. Në momentin që ka ndodhë shpërthimi, në të njëjtën kohë ka fillu gjuajtja nga të gjitha anët. Atëherë kemi fillu duke ju përgjigjë me automatikët që i kishim. Duke lëvizë mbrapa, duke u mbrojte”, rrëfen Shala. /atvlive.tv
Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:
Bashkimi Evropian ka përgatitur një propozim-model evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
BE-ja, po ashtu, u ka bërë ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel në margjina të punimeve të Këshillit Evropian këtë javë.
Propozime të ndryshme janë diskutuar – disa prej tyre në formë të shkruar – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo përfshinë një propozim modern evropian për (statutin) e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ne presim veprim të shpejtë nga palët, që ato të dëshmojnë se janë të përkushtuara për vazhdimin e procesit të normalizimit – duke përmbushur obligimet respektive të dialogut nga Marrëveshja për rrugë drejt normalizimit, e po ashtu, marrëveshjet e kaluara pa asnjë parakusht ose vonesë. Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar në takime në mbështetje të dialogut në margjina të takimit të Këshillit Evropian më vonë këtë javë”, tha për ATV-në zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.
Ky njoftim vjen tri ditë pas vizitës së pesë emisarëve euro-amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.
Pa dhënë detaje, mundësinë e takimit e konfirmoi presidenti i Serbisë.
“Pres që brenda 2 apo 3 ditëve të ardhshme unë e Kurti të shkojmë serish në Bruksel. Është detyrë e jona që të ruajmë Serbinë nga shkelja e interesave tonë. Se çfarë do të jetë agjenda besoj do të jetë në kuadër të asaj që biseduam me Pesëshen, e për çka tani s’mund të flasë sepse marrëveshja ishte e atillë që asnjëra palë të mos deklarohet. Pas kësaj do të kemi më shumë informata dhe do ta dimë më mirë për çfarë bëhet fjalë. Ne do ta ruajmë Serbinë nga masat e mundshme dhe besoj se do t’ia dalim”, tha Vuçiq.
Por, Qeveria e Kosovës, nuk konfirmoi nëse kryeminsitri Kurti do të shkojë në Bruksel.
Në fundjavë, pesë emisarët prezantuan një plan të ri për rrugën përpara në dialog, përmbajtja e të cilit nuk është bërë ende publike.
Të enjten dhe të premten, liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, në takimet e Këshillit, do të shqyrtojnë draft-konkluzionet për raportet Kosovë-Serbi.
Mes tjerash, në draftin e përpiluar nga ministrat e jashtëm të BE-së dënohen sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës, kërkohet që përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe që “Serbia të bashkëpunojë plotësisht”.
Në draft kërkohet shtensionim i plotë i gjendjes në veri, organizim i zgjedhjeve të reja dhe pjesëmarrje e aktive e komunitetit serb në to – ndërsa theksohet se dështimi për diçka të tillë do të përcillet me pasoja.
Këshilli Evropian, po ashtu, shpreh keqardhje për, siç thuhet, mungesën e vullnetit nga të dyja palët për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon e më poshtme: