Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ftuar në Bruksel sot për takime me liderët e Bashkimit Evropian.
Ndryshe sipas qeverisë, agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kurtit, por ai është shprehur i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtjesore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes.
“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtjesore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes” ka bërë të qeveria”, kanë thënë ata.
Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara sot mban seancën në çështjen ndaj Salih Mustafës. Sipas njoftimit të Speciales, gjykimi do të mbahet nga ora 13:30 deri në 17:10.
Salih Mustafa pretendohet se ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’).
Aktakuza e ngarkon atë për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës. Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022 dhe deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022.
Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022: Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.
Në këtë çështje ishin 8 viktima pjesëmarrëse. Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023: Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.
Më 2 shkurt 2023, Mbrojtja e Mustafës njoftimin (konfidencial) për apel kundër Aktgjykimit. Versioni i redaktuar i fundit i dosjes së korrigjuar të apelit të Mbrojtjes u dorëzua më 15 shtator 2023. Seanca e apelit është caktuar të mbahet më 26 dhe 27 tetor 2023.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, në emisionin CONTEXT në ATV, duke folur për takimin e nesërm vlerëson se në takimin e nesërm të kryeministrit me liderët e BE-së, tha se Kosovës do t’i bëhet një trysni e padrejtë, në vend që nesër të koncentrohen më shumë te përgjegjësia që ka Serbia për ngjarjet e 24 shtatorit.
“Me sa unë po shoh, nesër do të bëhet një plan i sekuencimit apo një prioritet, ku në radhë të parë do të bëhet një trysni e padrejtë ndaj Kosovës, në vend që nesër të koncentrohen më shumë te përgjegjësia që ka Serbia për ngjarjet e 24 shtatorit dhe t’i bëhet një presion që t’i dorëzojë kriminelët, të cilët i ka sponsoru ose të ekstradojë në Republikën e Kosovës, të shfrytëzohet ky momentum që ndoshta të po të ndërtohet një pozicion asimetrik, ku Kosovës do t’i kërkohen tri gjëra të shpejta. Pra, e para të diskutojë dhe të marrë në konsideratë një draft që tani si duket është përgatitë nga emisarët që kanë ardhë në Kosovë. Më dyta, të ndërtojë një agjendë e qartë të zgjedhjeve në katër komuna dhe pas cilës të zgjedhjeve të mundësojë rikthimin e serbëve në institucione, pra jo vetëm në asambletë komunale dhe në pozitën e kryetarëve të komunave, por edhe në administratë publike, ndoshta në polici dhe në gjyqësor. Mendoj që kjo kërkon prej palës kosovare që nesër të jetë shumë e përgatitur, konstruktive, por edhe shumë e vendosur”, tha Bajrami. /atvlive.tv
Për vazhdimin e diskutimeve për planin e ri për dialogun, pjesë e të cilit është asociacioni, apo forma e vetë-menaxhimit të komunitetit serb, kryeministri Albin Kurti do të zhvillojë takime me liderët e BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
Në margjina të Këshillit Evropian në Bruksel, të enjten, kryeministri do të takojë presidenten Ursula Von Der Lyen, kancelarin Olaf Scholz, presidentin Emmanuel Macron dhe kryeministren Giorigia Meloni.
“Takimi do të jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët, gjatë vizitës së tyre në Prishtinë, me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Duke u pajtuar me planin e ri të prezantuar nga pesë emisarët në fundjavë, Kurti shprehu gatishmërinë për vazhdimin e diskutimeve, siç theksohet, “në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”.
“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Pa treguar modelin e propozuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se ai nuk bie ndesh me Kushtetutën.
“Në një shikim sipërfaqësor, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë”, tha Konjufca.
Ndërsa, pa dhënë detaje për “propozim-modelin modern evropian” për Asociacionin, BE-ja konfirmoi se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë do të kenë takime të ndara – dhe jo një të përbashkët të nivelit të lartë.
“Liderët, presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës janë ftuar të vijnë në Bruksel për një seri të takimeve individuale me liderë të caktuar evropianë. Në këtë fazë nuk do të lëshohem në detaje logjistike, do t’i publikojmë ato më vonë. Por, ideja është që të kemi këto takime në margjinat e Këshillit Evropian në mbështetje të kthimit në dialog, sepse ky është mesazhi kryesor i BE-së, mesazhi i 27-shes së BE-së me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, siç është dërguar nga Përfaqësuesi i Posaçëm dhe kolegët e tij në fundjavë. Ne presim që Serbia dhe Kosova të kthehen menjëherë dhe pa kushte në përmbushjen e obligimeve të tyre që dalin nga dialogu. Menjëherë dhe pa kushte të nisin ose të vazhdojnë të punojnë për deeskalimin, si dhe urgjentisht dhe pa asnjë kusht të ri-angazhohen në dialog”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për punë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.
Zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së konfirmoi se Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, do të informojë liderët e shteteve anëtare në takimin e Këshillit Evropian lidhur me dialogun dhe raportet Kosovë – Serbi.
Këshilli, po ashtu, pritet të shqyrtojë draft-konkluzionet lidhur me dialogun dhe raportet Kosovë – Serbi.
Lista serbe të martën ndryshoi strukturën udhëheqëse të saj. Megjithatë, emrat e rinj që morën poste brenda partisë, tashmë janë të njohur në skenën politike kosovare.
Dy ish-ministra në qeveritë e kaluara në Kosovë, Ivan Todosijeviq e Dalibor Jevtiq, ky i fundit edhe ish zv/kryeministër i Qeverisë për disa vjet, morën poste drejtuese.
Jevtiq do të jetë nënkryetar i Listës Serbe, ndërkaq Todosijeviq anëtar i kryesisë. Të dy për një kohë ishin ndjekur edhe nga organet e drejtësisë në Kosovë.
Todosijeviq akuzohej për nxitje të urrejtjes, pasi mohoi masakrën e Reçakut, ndërkohë, Jevtiq ishte përballur me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sa ishte ministër për komunitete dhe kthim.
Përveç tyre, pjesë e kryesisë janë edhe dy ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq dhe Verica Qeraniq.
Jashtë kryesisë nuk mbetën as 3 ish-kryetarë të komunave, përfshirë atë të Zveçanit, Dragisha Milloviq, Sërgjan Popoviq, ish-kryetar i Graçanicës dhe Sërgjan Vulloviq i Zubin Potokut.
Brenda kryesisë do të jenë edhe Sasha Milloshevic, ish-nënkryetar i listës serbe dhe Nemanja Bishevac (ish-Kryetar i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut).
Ndërkohë, njëra prej figurave më kryesore brenda partisë, ish-nënkryetari Igor Simiq, tashmë do të jetë vetëm zyrtar për marrëdhënie me publikun.
Ndërkohë, për atë që drejtoi këtë parti për 10 vjet rresht nuk u tha se do të marrë ndonjë post të ri. Megjithatë, me gjithë ndryshimet, vlerësohet se përsëri duhet parë ligjshmëria e veprimtarisë politike të listës serbe.
“Institucionet e Kosovës, Listën Serbe duhet të shqyrtojnë me shumë kujdes sa i përket ligjshmërisë së veprimtarisë së saj politike dhe të drejtës së saj për të garuar në zgjedhje. Shpallja e zgjedhjeve është proces që kërkon kohë. Procesi më i rëndësishëm është ai i sigurisë”, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Sipas kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, me këtë veprim Lista Serbe nuk mund ta pastrojë veten nga përgjegjësia e sulmit më Banjskë.
Ditë më para, para se ta ndërronte kryesinë, Lista Serbe tregoi gatishmëri për mbajtje të zgjedhjeve në katër komunat veriore, komuna këto që i lëshuan me dëshirë në nëntor të vitit të kaluar, kur braktisën institucionet e Kosovës.
Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka publikuar raportin e fundit në të cilin thuhet se përdorimi i tepruar i paraburgimit është çështje globale që paraqet shqetësim për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, ndërsa edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme.
Sipas kësaj, duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsyetimeve në kërkesat e prokurorisë, parashtresat e mbrojtjes dhe vendimet gjyqësore përpara se të vendoset kjo masë.
“Raporti vë në dukje praktika pozitive në sistemin e drejtësisë, krahasuar me konstatimet në raportet e mëparshme të OSBE-së, si për shembull respektimi i afateve procedurale dhe sigurimi i përfaqësimit të të gjithë të pandehurve me avokatë në seancat e paraburgimit. Megjithatë, raporti po ashtu vë në dukje brenga, duke përfshirë mungesën e shfrytëzimit të alternativave ndaj paraburgimit (si lirimi me dorëzani), arsyetimin e pamjaftueshëm në vendimet për paraburgim, si dhe dështimin në individualizim të vendimeve në rastet ku ka disa të pandehur, thuhet në njoftim.
“Raporti përfundon me rekomandime specifike të shënjestruara për palët më kryesore të drejtësisë, sidomos për sa i përket trajnimit dhe zgjerimit të alternativave të disponueshme ndaj paraburgimit në fazën paraprake”.
Raporti ka analizuar 70 seanca të “paraburgimit” të monitoruara nga Misioni në mbarë Kosovën në vitin 2022, nëntë vendime të apelit në vitin 2023, në lidhje me pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe të të drejtave të njeriut.
Misioni do ta pasojë publikimin e raportit me diskutime në tryeza të rrumbullakëta me palët homologe të drejtësisë në mbarë Kosovën, për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se të enjten në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të zhvillojë takime me liderë evropianë.
Ai ka thënë se temë e këtyre takimeve do të jetë situata në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe procesit të dialogut. Ngjashëm sikurse Kurti takime do të zhvillojë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Takimet do të jenë përforcim i asaj që është thënë gjatë vizitës së Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi gjatë fundjavës. Kurti dhe Vuçiq do të kenë një seri takimesh individuale me krerë evropianë, për çfarë nuk do të japim detaje tash”, ka thënë Stano në konferencë.
“Këto takime do të zhvillohen në mbështetje të dialogut. Presim që të dyja palët që të kthehen dhe t’i përmbushin obligimet e tyre pa vonesa si dhe të angazhohen për shtensionim. Nuk do të ketë takime të nivelit të lartë të dialogut, por vetëm takime individuale me liderë evropianë”.
Me ceremoni zyrtare është pritur presidentja Vjosa Osmani nga guvernatorja e IOWA-s, Kim Reynolds. Ajo tha se partneriteti mes këtyre dy vendeve është pasqyrim i vërtetë i lidhjeve të veçanta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E para e vendit shtoi se SHBA-të qëndruan gjithmonë me Kosovën edhe në orët më të errëta për vendin. Ndërkaq, guvernatorja e IOWA-s tha se këtë lidhje Kosova po e ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të rajonit dhe duke mbrojtur pavarësinë e saj.
Në vizitën e saj zyrtare në IOWA të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentja Osmani tha se po ndjehet si në shtëpinë e saj. Vizita në Gardën Kombëtare të IOWA-s, ajo tha se është kujtim i mirë i partneritetit të suksesshëm të sigurisë.
“Partneriteti unik si-motër ndërmjet Kosovës dhe IOWA-s është pasqyrimi më i vërtetë i lidhjeve të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Këtë e keni dëshmuar edhe vetë kur e keni vizituar Kosovën, por dijeni se populli i Republikës së Kosovës gjithmonë do të mbajë vlerësimin dhe admirimin më të thellë për SHBA-në. Ju qëndruat me ne në orët më të errëta, kur kishim nevojë për një shpëtimtar, ju na shpëtuat jetën dhe jo vetëm kaq, ju ecet me ne në çdo hap të rrugës në ditët e mira dhe në ditët e këqija, në ditët e errëta, dhe gjithashtu në ditët kur ne festonim sukseset tona, Shtetet e Bashkuara ishin gjithmonë me ne, dhe veçanërisht IOWA ishte gjithmonë me ne. Ajo që me të vërtetë e veçon këtë aleancë janë lidhjet e jashtëzakonshme mes njerëzve që janë zhvilluar gjatë viteve. Me gjithë zemër mund të thuhet se ekziston një lidhje e thellë dhe e mirëfilltë mes qytetarëve të të dy vendeve tona, dhe natyrisht mes qytetarëve të Kosovës dhe të IOWA-s në veçanti”, deklaroi Osmani, transmeton KP.
Po ashtu, theksoi se është e nderuar për turneun me helikopterin ushtarak rreth e rrotull “Camp Dodge”.
E para e shtetit shtoi se ky partneritet është shembulli më i mirë, i cili dëshmon lidershipin vizionar.
“Partneritetet si ky janë shembulli më i mirë se çfarë mund të bëjë lidershipi vizionar dhe cilat objektiva të përbashkëta mund të çojmë përpara përmes vlerave të përbashkëta. Partneriteti ynë u forcua nga dita në ditë, ndërsa ne e zgjeruam bashkëpunimin tonë në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe strategjike, si mbrojtja, bujqësia, turizmi dhe energjia. Dhe kam besim se ky është vetëm fillimi i marrëdhënies sonë të shkëlqyer dhe disa nga momentet e para drejt përpjekjeve më të mëdha në të ardhmen”, shtoi Osmani.
Guvernatorja e IOWA-s, Kim Reynolds deklaroi se lidhja mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ndërtuar në themel nga partneriteti më i lartë mes Gardës Kombëtare dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.
“Lidhja jonë është ndërtuar që në themel nga partneriteti më i lartë i suksesshëm i sigurisë ndërmjet Gardës Kombëtare të Shtetit dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës, i cili vazhdon të thellohet edhe sot e kësaj dite. Në fakt, unë mendoj se IOWA-Kosova është partneri i vetëm civil shtet-motër dhe partner i partneritetit shtetëror ushtarak. Një shembull i dukshëm i atij partneriteti ishte në vitin 2021 kur mora pjesë në një mbledhje zyrtare për ushtarët tanë të dislokuar në një mision shumë të madh, ku ata shërbyen me ushtarë kosovarë për të ndihmuar në ofrimin e sigurisë. Me pak fjalë, 25 vjet pasi mori për herë të parë mbrojtje nga NATO, Kosova po e shpaguan atë duke vepruar si kundërpeshë ndaj ndikimit të Rusisë dhe duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit të rajonit duke mbrojtur pavarësinë e saj. Përveç marrëdhënieve tona të sigurisë, shkëmbimet e shumta arsimore dhe kulturore, si dhe marrëdhëniet shtet-motër, dhe me krenari të them se po rriten, i kanë dhënë popullit kosovar një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e qytetarëve të IOWA-s”, deklaroi ajo.
Tutje, theksoi se përpjekjet për t’u thelluar lidhjet ekonomike mes të dyja vendeve do të vazhdojnë.
Gjatë vizitës zyrtare në IOWA, Osmani është pritur edhe nga komandanti, gjeneralmajor Stephen Osborn.
Rreth orës 07:00 të mëngjesit, ditë e diel (22 tetor), në sallën operative të Policisë në Vlorë u njoftua se është gjetur anë rruge, një vajzë 26-vjeçare në gjendje shoku dhe e pavetëdijshme.
Një person i stafit të një hoteli mori Policinë për t’i njoftuar për gjendjen e vajzës. Sipas informacioneve deri tani 26-vjecarja u drogua, pastaj u përdhunua dhe u la në rrugë pa vetëdije.
Deri tani janë arrestuar dy të dyshuar dhe po kërkohet i treti. Ndërkohë gazetarja nga Shqipëria, Afrovita Hysaj ka raportuar për ngjarjen dhe aludoi se në këtë përdhunim kanë marr pjesë 4 djem e jo 3 siç ka informacione deri tani dhe pikërisht pasi bëri publik lajmin për këtë ngjarje ajo u kërcënua me jetë.
Gazetari Isa Myzyraj në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “A LIVE”, tha se personi i cili kërcënoi me jetë gazetaren në fjalë është babai i djalit që pretendohet se u fsheh nga policia.
Ai tha se personi që kanosi gazetaren u lirua me procedurë të rregullt, duke u rrezikuar jeta e gazetares.
“Njoftimi i policisë së Vlorës thotë se në aktin e përdhunimit kanë marrë pjesë tre persona të dyshuar dhe jo 4 dhe një gazetare nga Vlora ka bërë një status në rrjete sociale duke thënë se Policia e ka fshehur ngjarje, duke e fshehur një person, i cili është pikërisht djali i pronarit të një televizioni në Vlorë. Dhe pikërisht ky person, pra babai i djalit që gazetarja pretendon se është fshehur nga policia, e ka kërcënuar me jetën gazetaren dhe i njëjti është lënë i lirë. Një person i cili më rrezikon jetën mua nuk mund të jetë i lirë. Ai duhet të arrestohet deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe duhet marr në mbrojtje gazetarja, sepse kërcënimet janë serioze.”, tha ai./atvlive.tv/
Nga dita e djeshme Minatorët e Minierës me Flotacion, janë futur në grevë brenda në minierë dhe kanë disa kërkesa të cilat duhet përmbushur (1) Realizimi pagës mujore me kohë ,(2) Shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe (3) Sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi në një intervistë në emisionin “A LIVE” tha se ata do të vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Ne kemi pasur mungesë të komunikimit me kryeshefin pra, ne kemi shkuar vetëm drejt humbjes. Ne e shohim si fajtor një keqmenaxhim dhe dikush është përgjegjës për këtë, andaj edhe kemi kërkuan shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv”, tha Jonuzi.
Tutje ai tha se gjatë ditës së sotme mbi 50 minatorë që janë në grevë urie nuk e kanë gjendjen e mirë shëndetësore, madje kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore./atvlive.tv/