ATV

Tag: Ballina

  • Bastiset shtëpia e ish këshilltarit të Hashim Thaçit, Artan Behrami

    Bastiset shtëpia e ish këshilltarit të Hashim Thaçit, Artan Behrami

    Pas bastisjeve të djeshme, Gjykata Speciale po vazhdon aksionet edhe sot, cak i bastisjes është një tjetër këshilltar i ish-presidentit, Hashim Thaçi, Artan Behrami.

    Një ditë më parë, Behrami ka kritikuar Gjykatën Speciale se po dënon vetëm shqiptarët, duke e quajtur atë fashiste.

    Po ashtu, Behrami kritikoi edhe për bastisjen gjatë ditës së djeshme të shtëpive të Blerim Shalës, ish-këshilltar i Thaçit dhe Bashkim Smakajt, ish-këshilltar i Thaçit që ka shërbyer edhe si shef i AKI-së.

    Postimi i plotë i Behramit:

    Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët.

    Prokuroria është në panik! Po humb çdo betejë juridike! Ndërsa, gjykata në përpjekje për të ndihmuar prokurorinë, seancat tragjike-komike po mundohet t’i mbulojë me spektakle.

    Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedent!

    Blerim Shala ka qenë pengesë vetëm për regjimin e Millosheviqit dhe ky regjim e kishte arrestuar atë disa herë.

    Për katër dekada, Shala ka qenë njëra ndër figurat intelektuale që ka dhënë një kontribut të pashlyeshëm në rrugën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim!

    Ndërsa, Bashkim Smakaj është ndër njerëzit më profesionist që njoh në fushën e sigurisë, njeri që ka ndërtuar shumë institucione të sigurisë në Kosovë nga themelet!

    Tani kjo qasje e prokurorisë është një dëshmi e qartë se ka një tendencë për të njollosur të gjithë shqiptarët që kanë dhënë kontribut për liri dhe shtetndërtim.

    Unë dhe kolegët e mi që kemi pasur nderin të bashkëpunojmë me presidentin Thaçi, nuk frikësohemi nga trokitjet e kësaj prokurorie në dyert e shtëpive tona.

    Ata nuk kanë policë për të bastisur të gjithë shqiptarët, ata nuk kanë prokurorë për të akuzuar të gjithë shqiptarët, ata nuk kanë burgje për të mbajtur të gjithë shqiptarët, që mbrojnë luftën çlirimtare të Kosovës!

  • Vazhdon fushata informuese për udhëtim pa viza

    Vazhdon fushata informuese për udhëtim pa viza

    Gjatë kësaj jave do të vazhdojë fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Kampanja vetëdijësuese këtë javë do të vazhdojë në këto komuna.

    Sot vazhdon fushata në Shtime me 31.10.2023, më 01.11.2023 fushata mbahet në Shtërpcë, vazhdon në Dardanë/ Kamenicë të enjten me 02.11.2023, ditën e premte me datë 03.11.2023 fushata shkon në qytetin e Vitisë.

    E nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.

    Nga janari qytetarëve të Kosovës u mundësohet të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

    Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën. Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

    Ja shtetet që do të mund të udhëtohet pa viza deri në 90 ditë:

    Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se edhe pas liberalizimit të vizave, bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

    Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.

    Republika e Kosovës, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kosova ishte vendim i vetëm në Ballkan që kishte më së shumti kritere për fituar liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

    Komisioni Evropian, në vitin 2018, kishte konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

    Etapat deri te liberalizimi i vizave për Kosovën

    Kosova ka kaluar disa etapa për të arritur liberalizmin e vizave

    Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën

    Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe

    Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.

    Ndërkaq hapat që ende nuk ka arritur procesi për heqjen e vizave e që duhet të arrihen janë:

    Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave

    Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian

    Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet

    Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave

    Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

    Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

    Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian

    Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe

    Liberalizimi hyn në fuqi.

  • I dërguari i OKB-së paralajmëron se lufta Izrael-Hamas po përhapet në Siri

    I dërguari i OKB-së paralajmëron se lufta Izrael-Hamas po përhapet në Siri

    Lufta Izrael-Hamas po përhapet në Siri, nxitur nga paqëndrueshmëria në rritje, dhuna dhe mungesa e përparimit drejt një zgjidhjeje politike për konfliktin 12-vjeçar, tha i dërguari i posaçëm për Sirinë në Kombet e Bashkuara.

    Geir Pedersen tha para Këshillit të Sigurimit se përveç dhunës nga konflikti në Siri, sirianët tani po përballen “me mundësinë e tmerrshme të një përshkallëzimi të mundshëm më të gjerë” pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit ndaj Sirisë dhe veprimeve hakmarrëse izraelite që po vazhdojnë.

    “Përhapja [e luftës] në Siri nuk është vetëm rrezik, por veçse ka filluar”, tha i dërguari i OKB-së për Sirinë.

    Pedersen përmendi sulmet ajrore, që i janë atribuuar Izraelit, të cilat kanë goditur disa herë aeroportet në Alepo dhe Damask, dhe sulmet hakmarrëse nga Shtetet e Bashkuara pasi Uashingtoni tha se herë trupat e tij u sulmuan “nga grupe që pretendoi se mbështeten nga Irani, përfshirë në territorin sirian”.

    Me rajonin “që është i tensionuar dhe i rrezikshëm” ai tha se “po hidhet më shumë benzinë në zjarrin që veçse ka filluar të ndizet” në Siri, shtet që ka përjetuar rritje të dhunës edhe para 7 tetorit.

    Ai tha se numri i sirianëve të vrarë, plagosur dhe zhvendosur është më i lartë që nga viti 2020, duke theksuar se janë rritur sulmet në zonat e kontrolluara nga Qeveria.

    Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, akuzoi “grupet terroriste”, disa prej të cilave mbështeten nga Siria dhe Irani, se po kërcënojnë që të zgjerojnë konfliktin në Gazë duke “përdorur territorin e Sirisë për të planifikuar dhe kryer sulme kundër Izraelit”. Ajo po ashtu akuzoi Sirinë se po lejon Iranin dhe grupet terroriste që të përdoren aeroportet ndërkombëtare siriane për qëllime ushtarake.

    “SHBA-ja i ka paralajmëruar të gjithë aktorët që të mos tentojnë të shfrytëzojnë situatën në Gazë për të zgjeruar dhe thelluar konfliktin. Ne e kemi bërë të qartë se do të përgjigjemi ndaj sulmeve mbi personelin tonë dhe ndërtesat në Siri”, tha ajo.

    Në Këshillin e Sigurimit, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë po ashtu bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar pasi tha se ky armëpushim “është shndërruar në çështje jetë a vdekje për miliona” persona.

    Izraeli po vazhdon operacionet në Gazë me qëllim që të mposhtë Hamasin, pasi grupi militant palestinez kreu sulme në jug të Izraelit, duke vrarë mbi 1.400 persona – shumica civilë – dhe duke rrëmbyer mbi 200 të tjerë. Si pasojë e sulmeve hakmarrëse izraelite, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 8.000 persona./REL/

  • Ministrja Rizvanolli raporton për gjendjen e krijuar në Trepçë

    Ministrja Rizvanolli raporton për gjendjen e krijuar në Trepçë

    Ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli, do të raportojë sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen TREPÇA Sh.A.

    Gjithashtu, në këtë mbledhje do të raportojë bordi i Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare – ARKEP, lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për komunikime elektronike.

    Raportimi bëhet në Kuvendin e Kosovës, salla N10, duke nis nga ora 11:00.

  • Specialja bastis banesat e ish-këshilltarit të Thaçit dhe ish-shefit të AKI-së

    Specialja bastis banesat e ish-këshilltarit të Thaçit dhe ish-shefit të AKI-së

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Me dokumente në duar, zyrtarët e zyrës së prokurorit të specializuar dolën nga shtëpia e ish-kryeshefit të AKI-së, Bashkim Smakaj.

    Dokumentet që i morën gjatë aksionit të bastisjes, i cili zgjati për më shumë se 8 orë, zyrtarët i vendosën në veturat e EULEX-it.

    Avokati Artan Çerkini, duke komentuar bastisjen e së hënës, tregoi se ish-kryeshefi i AKI-së nuk është evidentuar si i dyshuar në dokumente.

    Ndonëse, nuk u lejuan nga zyrtarët policorë, që ta vizitojnë familjarin e tyre, xhaxhi i Smakajt nuk i mirëpriti këto aksione.

    “Ne nuk e kemi ditë për këtë bastisje. Për këtë bastisje e kemi marrë vesh nga mediat dhe nuk e kemi pritë. Këto bastisje nuk janë të mira, janë akuza të pavërteta dhe nuk ka asgjë”, tha Hetem Smakaj, xhaxhai i Bashkim Smakajt.

    Ndërkaq, ky aksion i bastisjeve nuk përfundoi me kaq.

    Cak i zyrtarëve të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë ishte edhe shtëpia e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Blerim Shala, të cilit i është konfiskuar vetëm telefoni.

    Sipas Artan Behramit, bastisjet si këto të ditës së hënë po bëhen me qëllim ta rrënojnë shtetin e Kosovës.

    “Bastisja në shtëpinë e Bashkim Smakajt dhe konfiskimi i telefonit të Blerim Shalës është e paprecedentë, e papranueshme dhe turp për Gjykatën Speciale, e cila po dëshmon që me aksione të tilla po mundohet ta fshehë paaftësinë e saj për të dëshmuar fajësinë e krerëve të UÇK-së në Hagë dhe përmes aksioneve të tilla po mundohet ta mbulojë atë që nuk mbulohet dhe që kjo Gjykatë e ka për qëllim rrënimin e shtetit të Kosovës, rrënimin e institucioneve të Kosovës mbi të cilat Kosova është ndërtuar”, tha Behrami.

    Për aksionet ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut. Sipas tij, Dhomat e Specializuara të Hagës po shkaktojnë dhunë psikologjike nëpërmjet bastisjeve të paparalajmëruara në Kosovë.

    Në anën tjetër, përveç se operacionet po kryhen në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk dha detaje të tjera për ATV-në, lidhur me aksionin e këtyre bastisjeve.

    Kjo nuk është hera e parë që Zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë bërë bastisje. Ata kanë bërë bastisje edhe në banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, në atë të ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, si dhe është kryer bastisje në shtëpinë e ish-luftëtarit Behar Berisha.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Von der Leyen prezanton në Kosovë planin e ri të zgjerimit të BE-së

    Von der Leyen prezanton në Kosovë planin e ri të zgjerimit të BE-së

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në ditën e dytë të turneut në Ballkanin Perëndimor, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lyen, i prezantoi presidentes dhe kryeministrit të Kosovës planin e ri të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

    Teksa prezantoi planin e ri, që përfshin edhe planin ekzistues investiv për Ballkanin Perëndimor, në vlerë 30 miliardë euro, Von Der Lyen theksoi se Kosova mund ta dyfishojë ekonominë brenda një dekade.

    “Shtylla e parë është: ne hapim tregun tonë të njësuar në disa sektorë krucialë ndaj bizneseve dhe kompanive tuaja. Në kthim, dhe kjo është shtylla e dytë: ne presim që ju t’i hapni kufijtë tuaj për Tregun e Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor. Kjo është e rëndësishme sepse atëherë do t’i kemi tregun e njësuar dhe tregun e përbashkët rajonal, i cili ka potencial enorm, dhe mund të rrisë GDP-në e Ballkanit Perëndimor për 10% nëse kompletohet. Shtylla e tretë thotë se për këtë hapje të tregjeve duhet të bëhen disa reforma. P.sh. për Kosovën, përmirësimi i ambientit të të bërit biznes, punësimi i njerëzve me aftësitë e duhura, forcimi i sektorit të energjisë. Dhe sigurisht ka prioritete horizontale, si forcimi i drejtësisë dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe shtylla e katërt, me reformën që ju bëni vijnë investimet, ky është parim i miratuar në BE”, tha Von Der Lyen.

    Krahas falënderimeve, presidentja Vjosa Osmani kërkoi që BE-ja t’ia japë Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim, para fundit të vitit.

    Presidentja përmendi edhe anëtarësimin në NATO si synim të Kosovës.

    Teksa konstatoi progres të qëndrueshëm nga Kosova, presidentja e KE-së theksoi se pa normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, asnjëri nga shtetet nuk mund të ecë drejt BE-së.

    Të dyja përmenden si arritje liberalizimin e vizave, përmes të cilit nga 1 Janari qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në zonën “Schengen”.

    Pas Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Von Der Leyen do të vazhdojë turneun në Malin e Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Asociacioni kusht për heqjen e masave, Serbisë i kërkohet njohja de-fakto

    Asociacioni kusht për heqjen e masave, Serbisë i kërkohet njohja de-fakto

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian vlerëson se nisja e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Kosova, në barasvlerë të njohjes de-fakto nga Serbia, janë hapat vendimtarë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Në vizitën në Prishtinë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen tha se pa normalizimin e marrëdhënieve asnjëra nga vendet nuk mund ta mendojë integrimin në BE.

    “Është absolutisht vendimtare për të dyja vendet të angazhohen, të bashkëpunojnë dhe ne kemi diskutuar së bashku temën se Kosova mund të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ky është drafti nga java e kaluar. Serbia duhet përmbushë njohjen de-fakto. Këtë do ta diskutojë nesër në Serbi. Dhe sigurisht, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është vendi për t’i diskutuar këto tema. Ne jemi thellësisht të bindur se kjo është rruga e vetme përpara, jo vetëm për planin e rritjes, por edhe për një të ardhme, e cila vërtet shpresoj se do të ndodhë, Kosova është pjesë e BE-së”, tha Ursula Von Der Leyen.

    Për të arritur normalizimin, presidentja Vjosa Osmani theksoi se është e domosdoshme garancia e zbatimit në tërësi e marrëveshjes bazë dhe shtojcës.
    “Zbatim në tërësi – duhet plan se si arrihet zbatim i plotë”, tha Osmani.

    Ndryshe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, presidentja, e cila tha se e ka analizuar me kujdes draft-statutin e Asociacionit, theksoi se “nuk do të nxitohej” për ta shpallë atë në pajtim me Kushtetutën.

    “Nuk mendoj që është serioze që tani të shpallet, në harmoni ose jo, por si presidente do t’i dërgoj komentet në Gjykatën Kushtetuese, nëse vijmë në atë pikë”, tha Osmani.

    Hapat drejt themelimit të Asociacionit, sipas presidentes së KE-së, do të jenë vendimtare për heqjen e masave dhe qasjen e Kosovës në fondet e BE-së.
    “Ajo që unë dhe presidentja diskutuam dhe sigurisht do ta diskutoj me kryeministrin, është se çfarë duhet të bëjmë që të heqim masat dhe këtu në qendër të diskutimit është tema për draft-statutit. Është një pjesë, nuk është shumë teknike ajo që thashë, por në thelb është një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, theksoi presidentja e KE-së, Ursula Von Der Leyen.
    Pa folur për masa ndëshkuese ndaj Serbisë, Von Der Leyen, e cila të martën do ta vizitojë Beogradin, tha se do të diskutojë me presidentin serb Aleksandar Vucic për mënyrën e materializimit të njohjes de-fakto.

    Derisa presidentja e KE-së dënoi sulmin e 24 shtatorit dhe kërkoi vënien e përgjegjësve para drejtësisë, presidentja e Kosovës kërkoi ekstradimin e terroristëve.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Aktakuzë lidhur me incidentin në Kuvendin e Kosovës

    Aktakuzë lidhur me incidentin në Kuvendin e Kosovës

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.B., H.B., M.L. dhe B.H., (deputetë të Kuvendit të Kosovës), lidhur me përleshjen fizike të dt. 13.07.2023, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare në objektin e Kuvendit të Kosovës.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit B.B., M.L., H.B., ngarkohen për veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri H.B., gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së.

    Po ashtu, në këtë çështje penale për të pandehurin B.H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK-së.

    Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë. /atvlive.tv

  • Kurti takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

    Kurti takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti. Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, raporton EO.

    Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, Ana Brnabiq.

    Ndryshe, vizita në Kosovë është në kuadër të një vizite katërditore në rajon, të cilën von der Leyen e ka nisur të dielën në Maqedoninë e Veriut.

    Ajo gjithashtu do të qëndrojë për vizitë në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Vizita vjen pas takimeve që von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

  • Von der Leyen dënon fuqishëm sulmin terrorist në veri: Kosova ta pranojë Asociacionin e mbetur pezull

    Von der Leyen dënon fuqishëm sulmin terrorist në veri: Kosova ta pranojë Asociacionin e mbetur pezull

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se e dënon fuqishëm sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Pas takimit me të parën e shtetit, Vjosa Osmani, Von der Leyen, foli edhe për ndihmën që Bashkimi Evropian e jep për Kosovën.

    Sipas saj, Kosova duhet ta pranojë Asociacionin që ka mbetur pezull dhe Serbia duhet ta njoh Kosovën.

    “Fuqishëm fajësojmë dhe dënojmë sulmet e 24 shtatorit dhe shprehim ngushëllimet për humbjen e jetës së zyrtarit policor”, tha fillimisht ajo.

    “Porosia ime është se Kosova ka bërë një progres në fuqizimin e demokracisë. Më kujtohet vitin e kaluar kur bëmë thirrje për liberalizim të vizave dhe ia dolëm se nga 1 janari do të lëvizni lirshëm. Porosia e dytë është se duhet t’i përafrojmë edhe çështjet ekonomike”.

    “Kemi kaluar në shumë kriza si ajo me energji elektrike dhe kemi ndarë 70 milionë euro. Ekonomitë duhet t’i përafrojmë, dhe nëse i shihmi shifrat, ekonomia kosovare ka shumë punë për të bërë dhe duhet ta rrisim këtë çështje”.

    “Të gjithë e dimë që këto gjëra bëhen nëse Kosova dhe Serbia angazhohen. Kosova duhet ta pranojë Asociacionin që ka mbetur pezull dhe Serbia duhet ta njoh Kosovën”.