Aksionet e bastisjeve, Zyra e Prokurorit të Specializuar i vazhdoi edhe këtë të martë. Cak i bastisjeve për më shumë se 8 orë, ishte prona e ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçit, Artan Behrami. Gjatë aksionit u bastis edhe shtëpia e prindërve të tij.
Sipas tij, aksioni i Dhomave të Specializuara është aksion politik.
Derisa, avokati Artan Çerkini bastisjet i quajti veprime të dëshpëruara.
Çerkini për më tepër tha se ish-këshilltari i Thaçit nuk është i evidentuar si i dyshuar.
Sipas nënkryetares së PDK-së, bastisjet si këto të ditës së martë janë përndjekje politike.
Për aksionet ka reaguar edhe ish-këshilltari tjetër i Thaçit, Adil Behramaj, i cili ka thënë se Gjykata Speciale po provon të gjejë arsyen e dështimit në banesat e tyre.
Të hënën janë bastisur edhe pronat e dy ish-këshilltarëve tjerë të Hashim Thaçit, Blerim Shala dhe Bashkim Smakaj.
Jo në shoqërimin e inspektorëve të tregut, por të stafit të tij personal, Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, nisi vizitat nëpër markete të mëdha të Kosovës, për të parë nëse e kanë filluar së zbatuari udhëzimin administrativ për qeset plastike.
Ai u prit ngrohtësisht nga stafi i njërit nga marketet më të mëdha në Prishtinë, i cili sipas ministrit, ka nisur së zbatuari vendimin e tij për qeset plastike.
“U siguruam një herë që prodhuesit munden dhe janë duke i prodhuar qeset si duhet. Tash mbetet t’i vizitojmë zinxhirët e marketeve të mëdha, pastaj marketeve të vogla. Barra e këtij udhëzimi administrativ bie te marketet…”, tha Aliu.
Aliu nuk pret që udhëzimi administrativ të nisë së zbatuari në mënyrë të menjëhershme, por thotë se është i palëkundur në vendimin e tij.
“E shoh që akoma jo mirë ka filluar të zbatohet, ky është një tranzicion i pakthim”, tha Aliu.
Paraprakisht, Ministri vizitoi disa fabrika në nivel vendi, që bëjnë prodhimin e qeseve plastike, për të cilat tha se jo të gjitha kanë arritur ta respektojnë në tërësi udhëzimin.
“Dy prej të cilëve janë më të vegjël të cilët nuk arrijnë me prodhu atë mbi 50 micron, por e prodhojnë këtë qesen e hollë dhe atë nga 25 deri në 50. Dhe tre të tjerat i prodhojnë të gjitha. U siguruam një herë që prodhuesit munden dhe janë duke i prodhuar qeset si duhet”, tha ai.
Por ky lloj i qeseve plastike ende nuk ka arritur të vihet në përdorim, në disa bizneseve të vogla në kryeqytet.
“Ne nuk kemi filluar t’i shesim qeset e plastikës ende, ani pse ka nga ata që porsa të dalin nga maketi e hedhin qesen, por po na vjen keq për një produkt t’ju shesim qese”, tha Mustafë Krasniqi, pronar.
Por pavarësisht njoftimeve të ministrit, qytetarët vazhdojnë të mos pajtohen me vendimin, që qesen duhet ta paguajnë 5 deri në 10 centë.
“Unë jetoj në Bregun e Diellit, po ka filluar nga pjesa jonë ligji për shitjen e qeseve të plastikës, mua s’po më duket i arsyeshëm ky ligj”, tha Bekim Vitia, qytetar.
“Për dikë janë shumë 5, 10, 15 centë kur grumbullohen çdo ditë, sepse sa e blen një qese i shfrytëzon për diçka tjetër”, tha Kujtim Lahu, qytetar.
Përveç rëndësisë së inspektimeve, ministri Aliu kërkoi nga qytetarët që të ngrenë nivelin e ndërgjegjësimit, në mënyrë që të mos i hedhin qeset e plastikës në ambiente të hapura, duke dëmtuar kështu ambientin.
Deputetët e Komisionit për Ekonomi u mblodhën në pritje të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila pritej të raportonte rreth gjendjes në ndërmarrjen ‘’Trepça’’.
Ajo nuk erdhi, meqë ishte jashtë vendit, ndërsa Valon Perbreza i cili qe përfaqësues i saj në takim, nuk u mirëprit nga deputetët e opozitës.
Megjithatë, me ftesë të deputetëve të partisë në pushtet, një grup minatorësh erdhën nga miniera në Kuvend.
Përfaqësuesit e minatorëve grevistë kërkuan shkarkimin e kryeshefit të ndërmarrjes.
“Janë ato tri kërkesa që nuk kanë ndryshuar, kërkesa për realizimin e pagës mujore nga data 6 deri me datën 10, llogaridhënia dhe shkarkimi i menaxhmentit, është po ashtu edhe sigurimi shëndetësor dhe krijimi i kushteve më të mira në punë, minatorët janë të palëkundur në kërkesat e tyre”, tha kryetari i Sindikatës, Ibrahim Januzi.
Kjo kërkesë specifike e minatorëve u përkrah nga opozita.
“Sido që të jetë, për respektin për juve dhe situatën ndiejmë keqardhje. Kërkesat e juaja janë të arsyeshme dhe esenciale. Ndërsa, sa i përket shkarkimit të menaxhmentit, duhet të japë leje mbreti”, tha deputetja e LDK-së, Valentina Rexhepi – Bunjaku.
Megjithatë, greva nuk po konsiderohet aq me vend nga deputetët e shumicës parlamentare.
“Në këtë grevë ju keni hyrë në ditën kur janë ekzekutuar pagat, plotësisht të vetëdijshëm për faktin që pagat janë vonuar se ka qenë data 24, gjithashtu e dimë që ka humbje të mëdha në “Trepçë”, që tregon se ka nevojë për rishikim përmbajtjesor të produktivitetit brenda dhe secila ditë që po shkon janë afërisht humbje 50 mijë euro”, tha anëtarja e Komisionit, Mimoza Kusari – Lila.
Në fund, minatorët morën zotimin e deputetëve të partisë në pushtet se do t’i procedojnë kërkesat e tyre në Ministri të Ekonomisë, ku do trajtohen me urgjencë.
Ndryshe nga deklarata e prerë në Prishtinë, në Beograd presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, nuk e përmendi njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia.
Duke shmangur termin terrorist, të cilin e ka përdorur Bashkimi Evropian, Von Der Leyen dënoi sulmin në Basnjkë dhe tregoi çfarë duhet të bëjë Serbia në raport me zotimet për planin e ri, më 26 Tetor në Bruksel.
“Kemi nevojë për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sulmi i dhunshëm i 24 Shtatorit në veri të Kosovës, është komplet i papranueshëm, autorët duhet të japin llogari dhe të sillen para drejtësisë. Kjo është absolutisht vendimtare për të dyja, që të angazhohen dhe të shkojnë në rrugën e normalizimit. Lidhur me këtë është e rëndësishme që Serbia ta miratojë statutin e asociacionit, bashkësisë. Kosova duhet ta zbatojë këtë statut. Përveç kësaj, është jetike që Serbia të nisë t’i zbatojë marrëveshjet ekzistuese dhe të mos humbë kohë”, tha Von Der Leyen.
Duke u thirrur në Kushtetutë, presidenti i Serbisë përsëriti qëndrimin kundër njohjes së Kosovës – teksa u zotua për përmbushje të obligimeve nga dialogu.
“Më lejoni të jem tërësisht i hapur. Për ne njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje, e kam thënë në disa raste. Nuk jam i turpëruar ta them edhe në prani të Presidentes së Komisionit Evropian. Ne e dimë cilat janë obligimet tona dhe jemi gati t’i përmbushim ato obligime”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pasi u ankua se Kosova nuk e ka përmbushur marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Vuçiq tha se draft-statuti ka bazë të mirë.
E pyetur se pse në Serbi nuk e përmendi njohjen de-fakto dhe nëse njohja është kërkesë zyrtare e BE-së, përfshirë pesë shtetet jo-njohëse të Kosovës, Von Der Leyen iu referua marrëveshjes së 18 Marsit.
“Bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit parasheh hapa të ndryshëm, përfshirë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve nga Serbia, dhe kjo në anën tjetër shkon përkrah me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo duhet të përmbushet nga Kosova. Dhe, kjo do të shtronte rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është një parakusht i nevojshëm për rrugën evropiane, respektive”, tha Von Der Leyen.
Pas takimeve në Bruksel, në një deklaratë të përbashkët, Gjermania, Franca dhe Italia kërkuan nga Kosova të nisë procedurat për themelimin e Asociacionit dhe nga Serbia të përmbushë njohjen de-fakto për Kosovën.
Pas muajsh të tërë të peripecive politike, Parlamenti malazez ka votuar Qeverinë e re e cila varet shumë nga grupe pro-serbe e ruse, të cilat do t’i bashkohen qeverisë, pas një viti bazuar në marrëveshjen e koalicionit. Qeveria e re do të udhëhiqet nga ekonomisti Milojko Spajiq i lëvizjes Evropa Tani. Disa orë pas votimit në Parlament, ish-kryeministri Dritan Abazoviq ia ka dorëzuar detyrën Spajiqit.
Qeveria e re malazeze, ka 17 ministra dhe pesë zëvendëskryeministra. Nga partitë shqiptare, Nik Gjeloshaj është zgjedhur zëvendëskryeministër për politika ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve dhe Marash Dukaj ministër i Administratës Publike.
Qeveria është zgjedhur në një seancë që ka zgjatur gjatë tërë natës. Votimi është bërë në orët e mëngjesit të së martës. Pro Qeverisë së 44-të të Malit të Zi votuan 46 deputetë, kundër ishin 19 dhe një abstenoi.
Spajiq ka thënë se dëshiron që Malin e Zi ta bëjë “Zvicër e Singapor”. Në fjalimin e tij ka thënë se prioritetet e politikës së jashtme janë anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, anëtarësim më kredibil në NATO dhe përmirësimi i raporteve fqinjësore.
Megjithatë, ka skepticizëm se si do t’i arrijë të gjitha këto kjo qeveri, duke marrë parasysh koalicionin me partitë pro-serbe, të cilat i kundërshtojnë të gjitha këto.
Mes tjerash, kryetar i Kuvendit është votuar të jetë Andrija Mandiq.
Mandiqi e mori mbështetjen e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare – Koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi (partia e ish-Frontit Demokratik), Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe dhe dy parti shqiptare, gjatë votimit në një seancë të Parlamentit malazez të hënën pasdite.
Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.
Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo parti, po ashtu, kundërshton anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Mandiq ka raporte të ngushta edhe me presidentin serb dhe atë të Republikës Srpska. Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë derisa mbështet ideologjinë e lëvizjes çetnike. Titullin simbolik të dukës çetnik e ka që nga viti 2007.
Sidoqoftë me të marrë postin Mandic ka thënë se është i gatshëm të dërgojë mesazhe të reja e të harrojë se çfarë avokonte në të shkuarën.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë, ku është miratuar buxheti për vitin tjetër, tha se prioritet do t’i kushtohet sigurisë dhe mbrojtjes, raporton Ekonomia Online.
Buxheti për këtë kategori ai tha se do të jetë 700 milionë euro, ndërsa koeficienti i pagave pritet të jetë 110 euro.
“Ky buxhet parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro dhe parashihet të ndikojë te qytetari. Gjithashtu pritet të rritet edhe koeficienti i Ligjit të Pagave, nga 105 euro në 110. Pra paga minimale bruto do të jetë mbi 700 euro”, u shpreh Murati.
“Prioritet iu është dhënë sigurisë dhe mbrojtjes, ku MPB-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes u është ndarë buxhet mbi 700 milionë euro së bashku këto dy dikastere”.
3 miliardë e 314 milionë euro do të jetë buxheti për vitin e 2024, raporton Ekonomia Online. Kështu ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti, deklaroi se asnjë Qeveri nuk ka bërë më shumë se qeverisja e tij në mbështetje me masa.
Ndërsa për nivelin komunal, kryeministri Albin Kurti tha se buxheti për komunat e Kosovës do të jetë mbi 700 milionë euro.
“Menaxhuam pandeminë, menaxhuam krizën energjetike dhe mbështetëm qytetarin për tu përballur me inflacionin dhe jo vetëm që i menaxhaum me sukses këto kriza me sukses por gjatë këtyre viteve të vështira ta rrisim ekonominë dhe të hapim vende të reja pune. U shtuan 60 mijë vende të reja të punës dhe si rezultat i masave ekonomike”.
Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion simbolik para Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në lidhje me grevën e minatorëve të ndërmarrjes së “Trepçës”, raporton Ekonomia Online.
Aktivistë të kësaj partie kanë ngjitur një baner në objektin e kësaj Ministrie me mbishkrimin “Punëtori grevon, pushtetit ndëshkon”.
Lisjan Perolli, aktivist i PSD, tha se gjuha e vetme e përdorur nga Qeveria minatorët grevistë ka qenë ajo e ndëshkimit.
Ai tha se pavarësisht premtimeve të kryeministrit Albin Kurti për investime milionëshe në këtë ndërmarrje, aty nuk është bërë asnjë investim.
“Sot është bërë dita e 7 prej kur punëtoret e Trepçës janë futur në grevë. Prej asaj dite deri më sot gjuha e vetme që pushteti e ka përdorur ndaj këtyre punëtorëve ka qenë gjuha e ndëshkimit. Ka qenë gjuha e shantazhit edhe e kërcënimit”.
“E njëjta gjë po ndodh edhe sot, kryetarin e sindikatës se Trepçe e pushuan nga puna pse punëtorët janë futur më grevë. Premtimet e Kurtit i premtoj 7 milion euro investime brenda për dy vjet qeverisje. Sot gati tri vite më vonë qeverisje nuk ka as një investim. Është më se e qartë se mendësi të cilën e përfaqëson Kurti është ajo e shantazhit për kontroll”, tha ai.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po qëndron për vizitë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.
Vuçiq dhe Von der Leyen fillimisht do të kenë një bisedë kokë më kokë në Pallatin e Serbisë me presidentin serb dhe më pas do të ketë një takim me anëtarët e dy delegacioneve. Vuçiq tha mbrëmë se gjatë gjithë ditës do të ketë diskutime me Presidenten e Komisionit Evropian për të gjitha çështjet e rëndësishme për Serbinë.
Ka filluar sot rigjykimi në rastin e njohur si Veteranët. Gjatë seancës fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, 12 të akuzuarit, përfshirë Agim Çeku, Rrustem Berisha, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demalijaj, e Shukri Buja janë deklaruar të pafajshëm, raporton ATV.
Mbrojtja e tyre ka kundërshtuar fjalën hyrëse të Prokurorisë Speciale, duke thënë se nuk ka asnjë provë të vetme që dëshmon fajësinë e tyre. Megjithatë, Prokuroria Speciale është e bindur se gjatë këtij procesi gjyqësor do të prezantohen prova materiale, por edhe do të dëgjohen dëshmitarë se të pandehurit, duke qenë të informuar mirë, në kundërshtim me ligjin, kanë aprovuar aplikacione për njohjen e statusit të veteranëve, duke ndikuar në rritjen e numrit të tyre.
Prokurori special, Valdet Gashi, ka thënë se të akuzuarit gjatë procesit të njohjes dhe verifikimit të aplikacioneve, në bashkëkryerje, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si anëtarë të Komisionit Qeveritar, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, dëm ky që, sipas Gashit, vazhdon të rritet çdo ditë.
Sipas aktakuzës, fryrja e listës së veteranëve i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 88 mijë euro.
Në vitin 2021, Gjykata i kishte liruar nga akuzat për keqpërdorim me listat e veteranëve Çekun e të tjerët, por nga marsi i vitit të kaluar kur rasti u kthye në rigjykim, nuk kishte arritur të mbahet asnjë seancë. /atvlive.tv