ATV

Tag: Ballina

  • Sveçla: Për katër ditë 471 vetura me targa ilegale në veri u konvertuan në RKS

    Sveçla: Për katër ditë 471 vetura me targa ilegale në veri u konvertuan në RKS

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë për regjistrimin e veturave nga targat ilegale në targa RKS, duke regjistruar 471 vetura për katër ditë.

    Kjo, sipas tij po ndodhë “pasi që sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjashëm”.

    “Mund të duket e paimagjinueshme nga perspektiva e para një viti, por sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste. Se shumica ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës”, ka thënë ai.

    Sipas tij, shteti nuk gjunjëzohet nga banditët e as nga grupet kriminale edhe atëherë kur grupe të mirëorganizuara e mbështetura nga Qeveria e Serbisë synojnë terrorizimin e qytetarëve, cenimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit.

    “Ky rezultat është falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, shantazheve e sulmeve por besojnë në drejtësi e barazi”, ka thënë ai.

  • Kurti tregohet optimist: Do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025

    Kurti tregohet optimist: Do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025

    Kryeministri Albin Kurti në një mbledhje me pikat e Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar më shumë angazhim aktivistët e partisë, ndërsa ju ka dhënë një vërejtje se në disa qarqe ka tendenca për t’u krijuar “grupe” dhe “grupacione”, duke thënë se “këto grupacione duhet të tejkalohen”.

    “Për secilin e secilin nga ne këtu, ashtu siç ka edhe njerëz që e mbështesin, ka edhe njerëz që e mbështesin, ka edhe njerëz që e kritikojnë. Ka edhe tendenca për t’u krijuar grupe, grupacione në mbështetje të një kandidature të mundshme, apo në mbështetje të dikujt tjetër. Por për sa kohë që na bashkon Lëvizja dhe ideali ynë kombëtar e shoqëror, këto grupacione duhet të tejkalohen”, tha Kurti.

    Kurti ndërsa ka folur për zgjedhjet e 14 shkurt të vitit 2021 ku VV doli e para me 50.2% , ka shprehur bindjen se partia e tij do të dalë fituese edhe në zgjedhjet që sipas tij mund të mbahen më së voni në vitin 2025.

    “Ne kemi fituar zgjedhjet në 6 tetor 2019, kemi fituar përsëri me 50.2% të votave në 14 shkurt 2021, e me siguri do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025. Por arsyeja pse angazhohemi nuk është fitorja e zgjedhjeve por dëshira për ndryshim. Këtë duhet ta kërkojmë nga vetvetja përditë, në punën tonë organizative dhe politike. Për ta mundur korrupsionin, duhet që vetë ne të mos vuajmë nga lakmia e nga zilia. Për ta mundur paaftësinë, duhet që vetë ne të jemi modestë e të hapim rrugën për profesionistët. Për ta mundur prapambetjen, duhet që vetë ne të sfidohemi e të largohemi prej rehatisë, prej zonës së komfortit”, tha ai.

    “Ndryshimi që ne dëshirojmë të sjellim në Kosovë për të kapur hapin e zhvillimit të vendeve evropiane është ende në fillimet e tij andaj duhet të angazhohemi si struktura që të zgjerohet komunikimi ynë me popullin që të kuptohen drejt nevojat dhe mundësitë që kemi, e që të ecim së bashku drejt zhvillimit progresist”.

    “Duke kujtuar rëndësinë e angazhimit në nivel të pikave ai përmendi tri detyra që aktivistët tanë duhet t’i bëjnë në punën e tyre”.

    “Së pari, nga aktivistët e angazhuar në pikat e Vetëvendosjes, duhet të fillojë një punë me qytetarët, që ata të ndihmohen të kuptojnë më mirë se çka janë detyrat e qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, e çka mund të kërkohet prej këtyre niveleve të qeverisjes”.

    “Së dyti, nga ju, që jeni përfaqësuesit tanë të përditshëm në lagjet e fshatrat e Kosovës, ne presim angazhimin që së bashku të identifikojmë liderët lokalë, drejtuesit e rinj, që do të angazhohen në zgjedhjet e ardhshme lokale si kandidatë për asamble komunale, apo edhe për kryetarë komunash”, raporton Reporteri.

    “Së treti, të dashur bashkëveprimtarë, nuk duhet të harrojmë diçka: angazhimi politik do të thotë aktivitet i dendur. Pra do të thotë organizim takimesh dhe pjesëmarrje në takime. Do të thotë lexim e analizë. Pikat tona e qendrat tona duhet të mblidhen e të diskutojnë, sepse pa diskutim nuk ka politizim”.

  • Kryeziu: Kosova s’ka pranuar e as s’është pajtuar për kurrfarë autonomie

    Kryeziu: Kosova s’ka pranuar e as s’është pajtuar për kurrfarë autonomie

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për RTK-në se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. “Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës”

    Ish-kryeministri Avdullah Hoti, sot paradite, ka shpërndarë një lajm të publikuar ditë më parë nga mediumi amerikan “Fox News”, ku mes tjerash thuhet se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së fundit në Kosovë dhe Serbi, kërkoi njohjen de facto dhe autonomi për serbët e veriut. Hoti ka kërkuar reagimin e kryeministrit Kurti dhe të presidentes Osmani, duke shkruar se nëse kjo s’është e vërtetë, Osmani e Kurti duhet ta demantojnë

    Ndaj këtij lajmi kanë reaguar nga Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë për RTK-në se për momentin është e paqartë nëse lajmi në mediumin amerikan i referohet një citati të drejtpërdrejt të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen apo është interpretim i vet mediumit mbi deklarata të presidentes Leyen.

    “Ajo çka duam ne të theksojmë është se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës, aty ku do të anëtarësohet Republika jonë; por asnjëherë autonomi, defunksionalizim, fragmentim, apo çkado tjetër që nuk e lejon Kushtetuta e Republikës?, ka thënë Kryeziu.

  • “Nuk na ndalin as në jug e as në veri”, Kurti: Vitin tjetër do të kemi 600 ushtarë dhe 500 policë më shumë

    “Nuk na ndalin as në jug e as në veri”, Kurti: Vitin tjetër do të kemi 600 ushtarë dhe 500 policë më shumë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe qeverisja e tyre janë të pandalshme dhe pavarësisht se kush e ku i pengon, ata nuk do të mund t’i ndal askush, as në jug dhe as në veri.

    “Sot u bënë 6 javë që na e vranë rreshterin e policisë, heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, por në vitin 2024, do të kemi 600 ushtarë më shumë dhe 500 policë më shumë për ligj e kushtetutshmëri, për mbrojtje e siguri për Kosovën tonë”, tha Kurti.

    Kurti foli në në takimin e Lëvizja Vetëvendosje me pikat e saj, fjalim të cilin e nisi duke kujtuar Astrit Deharin, në shtatë vjetorin e vdekjes së tij aktivisti që tha ai është vrarë në burg.

    Më pas u ndal edhe te qeverisja, ku tha se produkti i brendshëm bruto i Kosovës, kur Vetëvendosje erdhi në pushtet ishte më pak se 6.8 miliardë euro dhe në vitin e ardhshëm do t’i kalojë 10 miliardë euro. Ndërsa buxheti i shtetit në 2024, do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

  • Sot 3 vjet, çfarë pati thënë Thaçi ditën kur u nis për në Hagë

    Sot 3 vjet, çfarë pati thënë Thaçi ditën kur u nis për në Hagë

    Saktësisht tre vjet më parë, ish-presidenti Hashim Thaçi u dërgua në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, së bashku me tre ish-krerët tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së.

    Atë ditë Thaçi dha dorëheqje dhe disa mesazhe në një konferencë për media.

    “Sot më shumë kurrë se iu lus dhe iu bëj thirrje që të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë iu ftoj që të reflektojmë, se sa shumë kemi fituar si komb në këto 3 dekada. Aktakuza kundër meje dhe bashkëluftëtarëve të mi është çmim i vogël i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”, pati thënë Thaçi.

    “Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së vlerës më sublime të kombit shqiptar. Jam krenar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, me aleatët tanë, me NATO-n. Kemi luftuar regjimin e Millosheviqit, dhe jam krenar që së bashku e kemi fituar lirinë”, shprehej ai.

    “Jemi popull liridashës, por jo popull hakmarrës. Prandaj, asnjë pretendim nuk do të mund të ndryshojë apo të rishkruajë historinë. Kosova ka qenë viktima, Serbia agresoi. Kjo nuk është lamtumirë por vetëm mirupafshim. Do të shihemi bashkë, do të dalim faqebardhë, ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën”.

  • S’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri – Analistët: Lista Serbe të kalojë nëpër filtrat e institucioneve të sigurisë

    S’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri – Analistët: Lista Serbe të kalojë nëpër filtrat e institucioneve të sigurisë

    Njohës të çështjeve politike kanë bërë thirrje që para organizimit të zgjedhjeve në Kosovë, Lista Serbe të kalojë nëpër filtra të sigurisë nga AKI, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i. Krejt kjo pas sulmit terrorist në veri të vendit me 24 shtator, ku këtij sulmi terrorist i priu ish-nënkryetari i kësaj partie, Milan Radojiçiq, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tyre në vend nuk mund të ketë organizim të zgjedhjeve në katër komunat veriore, pasi nuk ka normalizim të marrëdhënieve më Serbinë. Ata poashtu kanë bërë thirrje që veçanërisht zyrtarë kryesorë të kësaj partie të hetohen pasi sipas tyre, ata vazhdimisht bëjnë veprime kundër shtetit të Kosovës.

    Njohës i çështjeve politike, Gazmir Raci, tha se përderisa Serbia po vazhdon të luftojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës nuk ka kushte për zgjedhje të parakohshme në veri.

    “Ne nuk mund të flasim për zgjedhje të parakohshme në veri përderisa Serbia vazhdon ta luftojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, përderisa Serbia vazhdon të i mbaje 48 bazat e saja ushtarake të hapura rreth kufirit të Kosovës dhe përderisa vazhdon që të mos ta gjykojë e ta arrestojë Mlian Radojiçiq. Nuk ka kushte për të shkuar në zgjedhje të parakohshme përderisa nuk ka normalizim të marrëdhënieve më Serbinë”, tha ai.

    Ai tha se Lista Serbe do të duhej të shpallet organizatë terroriste, pasi sipas tij, kjo parti në gjirin e saj ka mbajtur terroristin Milan Radojiçiq. Raci bëri thirrje që në të ardhmen në të gjitha zgjedhjet që do aplikojë Lista Serbe si parti politike të kalojë në disa filtra të sigurisë edhe të kontrollit.

    “Lista Serbe duke që ka filluar reformimin e saj që nga brenda sepse e ka ndjerë rrezikun që mund të penalizohet nga institucionet e sigurisë së Kosovës dhe të drejtësisë. Unë kam thënë që ajo do të shpallet organizatë terroriste nëse në gjirin e saj mbanë terrorist si është Radojiçiq e po ashtu u pa që edhe kryetari i saj e ka ndihmuar aksionin e fundit terrorist por kjo duhet të verifikohet nga institucionet e drejtësisë”.

    “Ata filluan një lloj transformimi brenda, mirëpo një analist serb tha që Listës Serbe nuk i duhet një kirurg por një psikiatër dhe ishte konstatim shumë interesant që i shkon për shtati Listës Serbe tani. Në të ardhmen në të gjitha zgjedhjet që do aplikojë Lista Serbe si parti politike duhet kalojë në disa filtra të sigurisë edhe të kontrollit në AKI, Policia e Kosovës, EULEX, dhe KFOR-i sepse aty vazhdon të ketë element që e kanë mbështet agresionin ndaj Kosovës”, tha ai.

    Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, tha se anëtarët e Listës Serbe është dashur që të verifikoheshin më herët.

    Sipas tij, zyrtarët kryesorë të kësaj partie duhet që të verifikohen për financat e tyre, bashkëpunimin me organizata të caktuara edhe qëllimet që i kanë brenda institucioneve të Kosovës pasi sipas tij, ata janë vazhdimisht persona të cilët bëjnë veprime kundër shtetit të Kosovës, raporton EO.

    “Anëtarët e saj u dashur që të verifikoheshin qysh moti, sepse Lista Serbe nuk e ka për herë të parë që e bën lloje të tilla kundër shtetit e ka bërë në mënyra të ndryshme kushtetuese. E kemi edhe në zgjedhjet e fundit ku ata u munduan qe të marrin rreth 18 deputetë duke manipuluar votat në Kuvend nga minoritetet jo shumicë serbe. Dhe qysh atëherë është dashur të marrim masa por edhe tani duhet që të merren”, tha ai.

    “Të paktën zyrtarët kryesorë duhet të verifikohen për financat e tyre dhe bashkëpunimin që e kanë më organizata të caktuara ,edhe objektivat e tyre dhe qëllimet që i kanë në funksionimin brenda institucioneve të Kosovës por edhe brenda Republikës së Kosovës sepse ata janë vazhdimisht persona të cilët bëjnë veprime kundër shtetit të Kosovës”, tha ai.

  • Kurti mburret me politikën e jashtme, vazhdon t’i marrë meritat për liberalizim të vizave

    Kurti mburret me politikën e jashtme, vazhdon t’i marrë meritat për liberalizim të vizave

    Kryeministri Albin Kurti teksa është deklaruar për punët e kryera në politikën e jashtme përgjatë qeverisjes së tij, ka renditur disa realizime, përfshirë edhe liberalizimin e vizave për qytetarët.

    Në ciklin e postimeve të tij rreth punës së Qeverisë, Kurti ka thënë se politika e jashtme është reflektim i Qeverisjës së brendshme.

    Ai ka thënë se Kosova e ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai ka përmendur edhe aplikimin për anëtarësim në BE, anëtarësimin në Partneritetin për Qeverisje të Hapur dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

    “Pas moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare që kishte vendosur Qeveria që u drejtua nga tani deputeti Hoti, politika jonë e jashtme kishte nevojë për një hov të ri. Aplikuam dhe kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sepse e meritojmë. Dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar, sepse Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë. Ndërkohë këtë vit u anëtarësuam në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

    Kurti ka thënë se MPJD ka realizuar mbi 500 takime zyrtare jashtë vendit, derisa shton se në Kosovë kanë ardhur 60 delegacione të larta dhe se Kosova ka marr pjesë në 50 konferenca ndërkombëtare.

    “Ministria e jonë e Punëve të Jashtme realizoi mbi 500 takime zyrtare jashtë vendit. Vendi ynë mirëpriti 60 vizita të delegacioneve të larta, dhe morëm pjesë në afër 50 Konferenca ndërkombëtare. Nënshkruam 109 marrëveshje ndërkombëtare dhe 123 memorandume, protokolle dhe marrëveshje ndërinstitucionale me shtete të ndryshme.”

    Ai ka thënë se objektet e ambasadës në SHBA, Senegal dhe Britani i kanë kthyer në pronësi të Kosovës. Kurti u zotua se do të vazhdojnë me blerjen e objekteve të reja.

    “Objektet e ambasadës së Kosovës në ShBA dhe Mbretëri të Bashkuar i kthyem në pronë të Kosovës, duke i bërë ato shtëpi të përhershme të Republikës sonë në këto dy vende mike të pazëvendësueshme. Ngjashëm vepruam edhe në shtetin e Senegalit. Do të vazhdojmë me blerjen e objekteve për të demonstruar seriozitetin e vendit tonë dhe njëkohësisht për të kursyer qiratë e larta që janë paguar.”

    Kurti ka thënë se kanë mirëmbajtur marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatë.

    “Mirëmbajtëm marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatët tanë. Dëshmuam vlerën, mirënjohjen dhe gatishmërinë për të qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e strehimit të refugjatëve afganë. Vërtetuam orientimin tonë euro-atlantik kur u rreshtuam me demokracitë e botës në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Treguam fisnikërinë dhe mikpritjen tonë duke pranuar dhe mbështetur financiarisht deri më tani 18 gazetarë ukrainas dhe pesë gazetarë afganë.”

    Kurti ka shkruar se janë angazhuar për miqësi të reja dhe raporte më të afërta – hapja e misionit diplomatik në Poloni, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Timorin Lindor, avancimi i statusit të Zyrës së Kosovës në Greqi.

    “Në të njëjtën kohë u angazhuam edhe për miqësi të reja dhe raporte më të afërta. Gjithçka është gati për hapjen e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Poloni. Vendosëm marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor. Avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi, një nga pesë vendet mosnjohëse në BE. “

    “Vendosëm ligjshmërinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe shfuqizuam vendime arbitrare dhe punësime të jashtëligjshme. Si rezultat, rritëm nivelin profesional të diplomatëve dhe përmirësuam dukshëm shërbimet konsullore në ministri dhe në misionet jashtë vendit.”

    Ai ka thënë se politika e jashtme është reflektim i qeverisjes së brendshme. Kurti ka përmendur heqjen e vizave për Kosovën, që prej 1 janarit qytetarët mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shëngen.

    “E politika e jashtme është reflektim i qeverisjes së brendshme. Ligjshmëria, reformat, luftimi i korrupsionit dhe praktikave korruptive dhe qeverisja e mirë, u vërejtën dhe u vlerësuan nga të gjithë partnerët tanë brenda Bashkimit Evropian, përfshirë edhe disa vende hezituese kur vinte puna te liberalizimi i vizave për Kosovën. Me qeverisjen tonë dhe pas votimit përfundimtar të Parlamentit Evropian, tanimë është e qartë, nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen.”

  • Sallahu: Vonesat në vlerësim të kushtetutshmërisë të projektligjeve, të tejzgjatura

    Sallahu: Vonesat në vlerësim të kushtetutshmërisë të projektligjeve, të tejzgjatura

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, vlerësimet e kushtetutshmërisë së projektligjeve po i cilëson si të “vonuara”, “të tejzgjatura” dhe “të paarsyeshme”.

    Ai në një postim në Facebook, tha se “ky është cenim i drejtpërdrejt i demokracisë përfaqësuese, dhe i funksionit kushtetues legjislativ i Gjykatës Kushtetuese”.

    “Jo pa shkak, në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese janë vendosur afate nga Kuvendi i Kosovës se kur duhet të përfundojë vlerësimi i kushtetutshmërisë së një akti të miratuar në Kuvendin e Kosovës”, shkroi Sallahu.

    Ndërkaq Sallahu shtoi se afati i vetëm i respektuar nga Gjykata Kushtetuese në shqyrtim dhe vlerësim të kushtetutshmërisë së akteve të Kuvendit “është afati joligjor”.

    “Për më tepër, kjo sjellje joligjore e Gjykatës Kushtetuese godet në thelb politikat ligjore të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, si dhe funksionet e tyre kushtetuese në përmbushjen e interesave të qytetarëve të Kosovës”, përfundoi zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

  • Kurti e quan çast vendimtar rihapjen e linjës hekurudhore Han i Elezit-Fushë Kosovë

    Kurti e quan çast vendimtar rihapjen e linjës hekurudhore Han i Elezit-Fushë Kosovë

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se sot po shënohet një moment i madh për hekurudhën në Republikën e Kosovës.

    Kurti, mes tjerash, dha detaje nga përurimi i tuneleve gjashtë dhe shtatë dhe rihapjen e linjës hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë.

    I pari i ekzekutivit kosovar potencoi se projekti i përgjithshëm parasheh 13 ura të reja dhe shtatë tunele të rindërtuara sipas standardeve më të larta evropiane.

    “Sot shënohet një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës, po e përurojmë rindërtimin e linjës 10 që e lidh Hanin e Elezit me Fushë Kosovën. Po rindërtojmë në veçanti dy tunele, njëri me gjatësi 262 metra dhe me një gjatësi 122 metra, që kanë qenë të shembur tërësisht. Mbi 164.5 milionë euro është vlera e punimeve vetëm në këtë segment të linjës 10. Nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë Kosovë. Mbi 200 milionë euro është vlera e punimeve që planifikojmë në segmentin e mbetur nga Fushë Kosova në Mitrovicë dhe Mitrovicë në kufirin verior të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

    “Gjatë javëve në vijim ministrit e linjës dhe Infrakos do të nënshkruajnë marrëveshjen kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore pesëvjeçare duke ndjekur normat evropiane”.

    “Me Shqipërinë tashmë kemi filluar marrëveshjen e bashkëpunimit për të ndërtuar hekurudhën Prishtinë-Durrës, ku pastaj synojmë të ngrehim portin e thatë që kthen kryeqytetin ton në qendër të rëndësishme të tregtisë dhe qarkullimit, të shpërndarjes dhe akumulimit”.

    “Edhe me linjën 10 dhe me hekurudhën Prishtinë Durrës, Kosova bëhet pjesë e e rrjetit të transportit trans-evropian”.

    Ai tregoi se do të rritet edhe shpejtësia e trenit me hekurudhën e re.

    “Me forcim rriten shkëmbimet, me zgjerim rritet ndërlidhja, ndërsa me modernizim rritet shpejtësia. Këtu treni mund të zhvillonte shpejtësi jo më shumë se 60 kilometra në orë, me hekurudhën e re mbi 100 kilometra në orë”.

  • Isni Kilaj paraqitet para Gjykatës Speciale

    Isni Kilaj paraqitet para Gjykatës Speciale

    Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj është paraqitur para Gjykatës Speciale, i cili u arrestua dje në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në bazë të urdhrit për arrestim të lëshuar nga ZPS-ja.

    Brenda 48 orësh pas paraqitjes së parë, Gjykatësi do të vendosë në lidhje me mbajtjen e mëtejshme në paraburgim ose lirimin e Isni Kilajt.

    Siç njoftoi dje DhSK-ja, urdhri për arrestimin e Isni Kilajt u lëshua nga Prokurorja e Specializuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare sipas Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Kilaj paraqitet sot në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës