ATV

Tag: Ballina

  • Sektori i energjisë më i godituri nga sanksionet e BE-së, kërkohet heqja e masave

    Sektori i energjisë më i godituri nga sanksionet e BE-së, kërkohet heqja e masave

    Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë goditur më së shumti sektorin e energjisë në vlerë rreth 75 milionë euro, në projektin për të ndihmuar në subvencionimin e pakove të energjisë. Ndërkaq, nga projektet tjera që kanë qenë të destinuara për vendin, Kosova është duke humbur me dhjetëra miliona euro të tjera. Kështu bëjnë të ditur njohës të ekonomisë, të cilët shprehen të shqetësuar për gjendjen ekonomike në Kosovë pas sanksioneve nga BE.

    Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Zana Beqiri, thotë se në vend se Kosova të ishte në fazën zhvillimore me projektin e IPA 2, vendi mbetet ende tek fondet e IPA 1. Sipas saj, Kosova duhet ta zë hapin sa më parë në zhvillimin e këtyre projekteve.

    Beqiri për KosovaPress thotë se masat e BE-së kanë ndikuar që ekonomia e Kosovës dhe realizimi i projekteve të jenë në nivele të ulëta.

    “Po shpresojmë se BE do t’ heq këto masa sa më parë, porse këto masa kanë ardhur si rezultat i çështjeve politike, por fatkeqësisht po ndikon mjaft në zhvillimin ekonomik në vend, sepse një numër i madh i kompanive, institucioneve dhe shkollave qoftë atyre shkollore-private ose edhe publike kanë bërë plan në një numër të madh të projekteve zhvillimore të cilat do të ndihmonin edhe ekonominë në mënyrë të tërthortë ose direkte, qoftë me grante, subvencione, projekte të përbashkëta me institucionet vendore lokale dhe qendrore. Mirëpo, një vonesë e tillë, kjo në mënyrë të vazhdueshme krijon presion edhe tek biznesi, qeveria, mirëpo për këtë pikë Qeveria duhet të loboj sa më shumë, sa më shpejtë të ndërmerr hapa konkret që të dalim prej kësaj situate sepse jemi me vonesa. Vendet tjera kanë kaluar në fazën e IPA2, ne jemi në IPA1, nuk jemi asgjëkund me shpenzimet ose me realizimin e projekteve. Kështu, ta zëmë hapin sa më parë”, thotë Beqiri.

    Beqiri ka apeluar tek BE dhe institucionet tjera relevante që të heqin masat, sepse sipas saj, Kosova nuk e meriton të ketë sanksione të tilla.

    Mes tjerash, ajo thotë se Kosovës i janë mbetur të bllokuara rreth 75 milion euro vetëm në fushën e energjisë.

    “Problemi te IPA 1 është që shembull problemet e projekteve zhvillimore sa i përket bujqësisë, gjitha janë në pauzë e sipër, pastaj janë e promovimit të eksportit, bashkëpunimeve rajonale, pastaj pjesa e energjisë ka ndikuar më së shumti, sepse është ndarë një shumë mjaft e madhe sa i përket reformimit të ekonomisë së energjisë nëpër Ballkan në përgjithësi, përfshirë edhe Kosovën. Mirëpo ajo shumë është ndërprerë për shkaqe të ndryshme politike, këtu pëson shumë sektori i energjisë, posaçërisht tash që jemi me iniciativa mjaft të mira prej shumë bizneseve, qytetarëve që janë angazhuar në gjenerimin e energjisë së ripërtritshme përfshirë këtu solarët e ndryshme..08:00 Sa i përket energjisë ka qenë mjaft e dëmshme edhe ndërprerja e projekteve të energjisë prej BE-së, përfshirë këtu pakon mbështetëse të cilat kanë qenë 75 milion euro që është dashtë të kalojë në subvencionimin e pakove të energjisë, pastaj subvencionimi i qytetareve në kursim dhe gjetjen e mënyrave të prodhimit të energjisë në mënyrë efeciente dhe të gjitha këtë janë pezulluar, dhe po shpresojmë të lirohen më shpejtë”, shton Beqiri.

    Se masat e BE-së janë duke ndikuar në mënyrë negative në zhvillimin e ekonomisë së vendit e thotë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    Rafuna konsideron se nëse ndiqet praktika e njëjtë siç ka qenë tek fondi i digjitalizimit, edhe tek fondet e IPA-s Kosova do të privohet nga e drejta e saj, e që sipas tij, është humbje e madhe për vendin.

    “Ne kemi bërë kërkesë dhe kemi lut që këto masa të largohen, kemi kërkuar nga Qeveria të jetë e kujdesshme dhe t’i plotësoj kriteret që kërkohen që të hiqen sa më shpejtë këto masa. Këto masa e para nuk kanë qenë mesazh i mirë për Kosovën, investitorët e huaj, por tjetra, ne jemi duke humbur. Kemi humbur prej Fondit të digjitalizimit, tani jemi prej fondeve tjera që janë në procedurë ose ardhje e sipër. Ne jemi privuar nga e drejta për të fituar, të qenë barabartë me shtetet e Ballkanit, shembull tek fondi i digjitalizimit, kurse tash jemi edhe tek fondet tjera të IPA-s. Edhe këtu në qoftë se ndiqet praktika e njëjtë siç ka qenë tek fondi i digjitalizimit, edhe këtu do të privohemi nga e drejta që të marrim hisen që na takon neve si Kosovë, pra si rezultat i masave sanksionuese. Kështu, duhet sa më urgjent që të largohen këto masa ndëshkuese, në mënyrë që edhe Kosova të jetë e barabartë me gjitha vendet e Ballkanit në implementimin e projekteve zhvillimore”, thotë Rafuna.

    Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija vlerëson se si pasojë e këtyre masave, Kosova është duke humbur shumë në zhvillimin e saj ekonomik.

    Ai derisa i bënë thirrje Qeverisë që të loboj më shumë në heqjen e këtyre masave, thotë se përmes IPA-së, vendi po humb sidomos në projektet që janë të orientuara në energjinë e gjelbër.

    “Kosova në kuadër të Integrimit në BE ka marrë përgjegjësi të ndryshme, por edhe benefite të ndryshme që vazhdon t’i ketë. Mos të harrojmë që në kuadër të këtij procesi, veçanërisht t’i kushtohet rendësi zhvillimit ekonomik dhe përafrimit të standardit ekonomik të vendit tonë me standardin të paktën mesatar të BE-së. Kjo përfshin me theks të veçantë Marrëveshjen për Stabilizim Asocim dhe të qenit pjesë e fondeve të IPA-së është një avantazh shumë i mirë ekonomik të cilin ne kemi filluar ta humbim shumë me sanksionet nga BE-ja…Jashtëzakonisht shumë (është duke humb Kosova nga IPA), veçanërisht në projektet të cilat janë orientuar në energjinë e gjelbër, rehabilitimin e linjave hekurudhore, rehabilitimin e shtretërve të lumenjve. Kryesisht, projekte që në një formë kanë impakt direkt social dhe mjedisor”, thotë Avdija.

    Janë bërë gati katër muaj kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës si rrjedhojë e situatës në veri.

    KosovaPress ka kërkuar përgjigje nga Bashkimi Evropian për shumën e mjeteve të bllokuara dhe arsyen pse nuk po hiqen sanksionet, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet tona.

    Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës sikur shumë institucione të tjera kanë prekur edhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK). ASK-ja është goditur nga Bashkimi Evropian me gjysmë milioni euro në projektin për të ndihmuar në procesin e regjistrimit të popullsisë.

  • Përurohen tunelet 6-7 dhe rihapet linja hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë

    Përurohen tunelet 6-7 dhe rihapet linja hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë

    Nën organizimin e Ministrisë së Ekonomisë, sot mbahet ceremonia e përurimit të tuneleve 6 dhe 7, si dhe rihapja e linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë.

    Në ceremoninë e cila nisë në orën 13:00, marrin pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, shefi për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së në Kosovë, Johannes Stenbaek Madsen, shefi i BERZH-it, Maslichenko Sergiy dhe kryeshefi i Sh.A. “Infrakos”, Naser Krasniqi.

  • Kilaj paraqitet sot në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës

    Kilaj paraqitet sot në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, njëherit edhe ish-kryetar i Malishevës, pas arrestimit nga Gjykata Speciale, është dërguar në Hagë, derisa sot do të paraqitet për herë të parë, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), në Hagë.

    Kjo seancë pritet të fillojë nga ora 10:00.

    Kujtojmë se, Kilaj fillimisht u mbajt në bazën e EULEX-it në Fushë-Kosovë, teksa në mesditën e së premtes, vetura të këtij misioni e dërguan ish-kryetarin e Malishevës në aeroportin Adem Jashari, nga ku aeroplani privat i Speciales ka fluturuar drejt Rotterdamit.

    Arsyet e arrestimit nuk janë të njohura as për familjarët./atvlive.tv/

  • Escobar: Nënshkrimi ose jo i marrëveshjeve nuk ndikon te detyrimi për zbatimin e tyre

    Escobar: Nënshkrimi ose jo i marrëveshjeve nuk ndikon te detyrimi për zbatimin e tyre

    Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka deklaruar se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë arritur janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.

    Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.

    I pyetur se si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, Escobar tha se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar sikurse tha ai.

    Po kështu ai tha se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit; Kosova asociacionin dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera si këto, tha zoti Escobar për Zërin e Amerikës.

    Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.

    Dorëheqja e Shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit

    I pyetur lidhur me dorëheqjen sot të shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit (BIA) Aleksandar Vulin, Escobar tha se ai ka qenë një figurë jashtëzakonisht destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë, gjë mbi të cilën u bazuan edhe sanksionet amerikane.

    Lidhur me komentet e Aleksandar Vulinit se ai dha dorëheqjen pasi Uashingtoni dhe Brukseli po e kërkonin një gjë të tillë si parakusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë, Escobar tha se “ne (SHBA) nuk marrim vendime në emër të qeverisë serbe”.

  • Isni Kilaj, ish pjesëtar i UÇK-së, arrestohet nga specialja

    Isni Kilaj, ish pjesëtar i UÇK-së, arrestohet nga specialja

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, pas arrestimit nga Gjykata Speciale, është dërguar në Hagë.

    Fillimisht, Kilaj u mbajt në bazën e EULEX-it në Fushë-Kosovë, teksa në mesditën e së premtes, vetura të këtij misioni e dërguan ish-kryetarin e Malishevës në aeroportin Adem Jashari, nga ku aeroplani privat i Speciales ka fluturuar drejt Rotterdamit.

    Arsyet e arrestimit nuk janë të njohura as për familjarët.

    “Jo, ata nuk na kanë njoftu për arsyen e as nuk kemi pas njoftim paraprak me bastisë. Vetëm kur i kemi pa në mëngjes që kanë ardhë, i kanë rrethua shtëpitë tona”, tha Fatmir Kilaj, vëllai i Isni Kilajt.

    Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, të enjten, njoftoi se po kryen bastisje për një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Ndërkaq, paraprakisht hetues të Gjykata Speciale bastisën shtëpitë e familjes Kilaj për gati 16 orë.

    “Rreth orës 06:00 të mëngjesit, kemi qenë të rrethuar nga pjesëtarë të EULEX-it, këtu në vendlindje, në fshat, dhe në të njëjtën kohë edhe në Prishtinë, atje edhe ku jeton vëllai. Bastisja ka zgjatë prej orës 06:30 të mëngjesit deri në orën 23:00. Pas orës 23:00 ia kanë konfirmu arrestimin”, tha Fatmir Kilaj.

    Isni Kilaj shërbeu edhe si zëvendësministër i Diasporës, teksa në cilësinë e dëshmitarit ishte intervistuar nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

    Gjatë javës, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer bastisje edhe në shtëpitë e disa prej bashkëpunëtorëve të ish-presidentit Hashim Thaçi.

  • Mosnënshkrimi dhe pranimi, në fokus të raportimit të kryeministrit

    Mosnënshkrimi dhe pranimi, në fokus të raportimit të kryeministrit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për kronologji ngjarjesh, takimesh e dokumentesh, pa treguar përmbajtjen, foli kryeministri Albin Kurti në një pjesë të madhe të raportimit të tij në Kuvend, për planin e ri dhe takimet e fundit në kuadër të dialogut me Serbinë.

    Edhe pse tha që ka vërejtje kapitale për draft-statutin e prezantuar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai theksoi gatishmërinë për nënshkrim në pako, të marrëveshjes bazë, shtojcës dhe dokumenteve të prezantuara më 21 Tetor.

    Krahas komenteve për qëndrimet dhe veprimet e kryeministrit ndër vite, dallimeve me presidenten për draftin, së fundmi, opozita kërkoi dokumente.

    Por, kryeministri tha se nuk mund t’u japë dokumente, për shkak të kërkesës së emisarëve. Në mungesë përmbajtjeje, në momente të caktuara diskutimet kaluan në tallje, ofendime dhe akuza.

    Para se të konstatonte se ajo që, sipas tij, Kurti ka e pranuar është autonomi politike për serbët, ish-zëvendësi i tij në Qeveri, Haki Abazi, vendosi disa mesazhe, të cilat shpejt iu hoqën.
    Në fjalën e tij ai u shërbye me një gjëegjëzë.

    Edhe deputetë të tjerë thanë se me dokumentet e pranuara, kryeministri ka pranuar një lloj autonomie.

    Ndërsa, pjesa dominante e fjalimeve ishin të fokusuara në të kaluarën.

  • Kurti: Emisarët më thanë mos e shpalos draftin, në të kundërtën i bije që s’jam koordinuar me ta

    Kurti: Emisarët më thanë mos e shpalos draftin, në të kundërtën i bije që s’jam koordinuar me ta

    Kryeministri Albin Kurti duke iu përgjigjur kritikave të opozitës tha e ka bërë publike draftin për Asociacionin pasi kjo i është kërkuar nga emisarët evropianë e amerikanë, raporton EO.

    Ai tha se nëse e publikon atëherë i bije që nuk është duke punuar me koordinim ashtu siç është duke kërkuar opozita.

    “Ata kanë marr njoftime shumë më pak se sa sot ju ne seancë. Nuk ekziston asnjë informacion që iu është dhënë ambasadorëve e që iu tashmë nuk e dini. Ka shumë të tilla që ju i dini këtu e nuk i din ata”.

    “Emisarët evropian thanë mos me tregu datën, tash e me koordinim a pa koordinim se jam në hallë me ju. Ata më thanë që këtë draft që po ju jap juve mos e ndani me qytetarët. Unë e kam ndarë me president se ajo është shefja e shtetit”.

    “Unë jam në koordinim të vazhdueshme me evropianet e amerikanët, me iu treguar juve draftin i bije që jam pa koordinim. Veç me tregoni qysh po doni, me koordinim a pa koordinim”, tha Kurti.

  • Ujkani: Mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga opozita po bëhet për inate politike

    Ujkani: Mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga opozita po bëhet për inate politike

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, në emisionin A LIVE në ATV, tha se opozita nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare për inate politike.

    Ajo thotë se këto nuk janë marrëveshje që i shërbejnë Lëvizjes Vetëvendosje apo kryeministrit Kurti, por sipas saj, janë marrëveshje vitale për zhvillimin ekonomik të vendit.

    “Problemi kryesor është tek inatet politike, domethënë dhe poenat se kujt i shkojnë pozitivisht pra se sa ngritet Qeveria Kurti në këtë proces, por ja që duhet ta kemi parasysh që këto marrëveshje ndërkombëtare nuk janë marrëveshje ndërkombëtare që i shërbejnë Lëvizjes Vetëvendosje apo personalisht Kryeministrit Kurtit, po janë marrëveshje ndërkombëtare që janë tepër të rëndësishme dhe vitale për zhvillimin e ekonomisë së Republikës së Kosovës, të cilat duhet të ratifikohen dhe të përfundohet procesi i tyre sa më parë, sepse janë marrëveshje të cilat janë diskutuar me muaj të tërë dhe ka një periudhë të gjatë kohore të cilat ne kemi negociuar, ministritë e linjës kanë negociuar lidhur me këto marrëveshje ndërkombëtare që të arrihet një dakordim që ato fonde t’i barten Republikës së Kosovës dhe të shpërndahen në sektorët të cilat do të kontribuonin në rritjen e kapaciteteve të zhvillimit të ekonomisë së Kosovës”, tha Ujkani.

    Ajo thotë se për votimin e këtyre marrëveshjeve nuk po gjejnë dakordim nga PDK dhe AAK, mirëpo së fundmi, vazhdon ajo, këto dy parti politike kanë shprehur interesim për bashkëpunim me Qeverinë.

    “Nuk po arrijmë që ta gjejmë një dakordim, sepse nga opozita, specifikisht nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga AAK-ja deri më tani kemi vendime të brendshme partiake, të cilat ka dakordim të plotë që ata të mos marrin pjesë në asnjë votim, por ja që tash më së fundi kemi parë që ka një lëshim nga të dyja palët që janë të interesuar për bashkëpunim që këto marrëveshje ndërkombëtare të ratifikohen, pra të kalohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, por ja që paraprakisht për votimin e këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare ka edhe kushte nga opozita që nismat e tyre legjislative dhe rezolutat e tyre, të cilat po dalin që të jenë në anën e disa sektorëve të cilët po kërkojnë që të ketë rritje të pagave dhe përmirësim të kushteve në punën e tyre, apo domethënë është një lloj pazari në mes pozitës dhe opozitës, fatkeqësisht të cilat po ka sabotime nga të dyja palët”, tha Ujkani.

    Ajo përmend se opozita po i cilëson si nisma joserioze nga ana e Qeverisë, që këto marrëveshje të gjejnë zbatueshmëri.

    “Kuptohet sepse nga rrafshi ynë po shihen këto që janë nisma joserioze dhe janë çështje të cilat po ngritën nga opozita për poena politikë, të cilët e dinë ata jashtëzakonisht mirë që kjo kërkon kohë që këto të gjejnë zbatueshmëri, sepse nuk mund të bëhet të miratohet një rezolutë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ato të gjejnë zbatueshmëri, sepse e dimë se si këto procedohen së pari dhe kërkojnë që të hyjë në linja buxhetore dhe tashmë e kemi buxhetin për vitin 2024 që do të miratohet dhe kjo është një mundësi e mirë që të ulemi me anë të amendamenteve të procedohen dhe të rishikohet buxheti prapë dhe në mes të dy leximeve të gjejmë një kompromis dhe këto projektligje dhe këto nisma të mos mbesin në gjysmë, po t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve të cilët janë target i yni nga Qeveria”, shpjegoi Ujkani. /atvlive.tv

  • Dehari: Prokurorët janë të manipuluar, tentuan ta fshihnin vrasjen e Astritit

    Dehari: Prokurorët janë të manipuluar, tentuan ta fshihnin vrasjen e Astritit

    Sot janë bërë 7 vjet nga vrasja e Astrit Deharit, andaj sot nga ora 12:00 dhjetëra qytetarë protestuan përballë Prokurorisë Speciale në Prishtinë, për siç thanë ata, shkaku i neglizhencës së Prokurorisë, në hetimin e vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje. 

    I pranishëm në këtë protestë ishte edhe babai i Astritit, Avni Dehari, i cili fajësoi prokurorët e rastit, duke thënë se të njëjtit janë të manipuluar, derisa shtoi se arrestimi i Astritit asokohe ishte i inskenuar, për qëllime politike.

    “Po bahen 7 vite që ne si familje dhe e gjithë shoqëria po kërkojmë drejtësi për vrasjen e Astrit, në burgun e Prizrenit. Arrestimi i Astritit, ishte një arrestim i inskenuar i politikës së kohës së atëhershme, për qëllime politike dhe jo për veprën që ishte kryer, sepse të gjithë shokët e Astriti ishin shpallur të pafajshëm… Vet fakti që 7 vite nuk u zbardh rasti, flet shumë së është një drejtësi e manipuluar nga vet prokurorët, si prokurori Sylë Hoxha për 2 vite me radhë e keqtrajtoi këtë rast derisa poli në pension e po ashtu në ditët e para ende pa përfunduar analizat e duhura, u përpoq ta mbledhë vdekjen e Astriti si vetëvrasje dhe siç po duket edhe pasuesi i tij Afrim Shefkiu po vazhdon të manipuloj me këtë rast njëjtë”, tha ai.

    Tutje edhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi tha se ende nuk dihen arsyet se pse nuk po jepen informata se çfarë po ndodh me këtë rast.

    “Deri më tani prokuroria nuk e ka përfunduar rasti ashtu siç kërkohet. I ka të gjitha provat që Dehari u ra mirëpo ne nuk i dimë arsyet por besojmë që nuk janë arsye ligjore se për çfarë arsye prokuroria deri më tani nuk ka nxjerrë së paku një aktvendim për zhvillimin e hetimeve në këtë rast, në zbulimin e emrave të vrasësve të Deharit, emrat e atyre që nxiten vrasjen e tij. Ne e dimë që një dëshmitar i cili ka qenë në dhomë me Astrit Dehari ka vdekur në rrethana të pasqaruara është vrarë. Nuk po e dimë se cila është arsyeja pse nuk po jepet informata se çfarë po ndodhë me këtë rast”, tha Gashi.

    Kujtojmë se Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai kishte qenë në paraburgim, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të datës 4 gusht 2016. Rrethanat e vdekjes së 26-vjeçarit ende mbetën të pasqaruara dhe nuk dihet se çfarë saktë kishte ndodhur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqini videon e mëposhtme:

  • Kurti: Draft-statuti për Asociacion parasheh të shikohet nga Gjykata Kushtetuese pas nënshkrimit

    Kurti: Draft-statuti për Asociacion parasheh të shikohet nga Gjykata Kushtetuese pas nënshkrimit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka raportuar në Kuvend lidhur me zhvillimet e fundit në dialog. Kurti para deputetëve tha se me marrjen e pushtetit ka deklaruar se do të kenë qasje të re në dialog, raporton Ekonomia Online. Kurti tutje deklaroi se ka kërkuar më shumë siguri në kufirin Kosovë-Serbi. 

    “Sundimi i ligjit do të vazhdojë pavarësisht dialogut. Dy vite dialog kanë sjellë një marrëveshje, është ajo marrëveshja e Brukselit. Marrëveshja siç është thënë, është marrëveshje për njohje de-facto nga Serbia. Ky është rezultati i dy viteve dialog”.

    “Marrëveshja bazike në gjashtë rreshtat e ka njohjen de-facto nga Serbia. 5 nenet tjera janë përfituese për të dyja palët. Qëndrimi i Qeverisë ka qenë dhe mbetet të zbatimi i plotë i marrëveshjes që kemi arritur në Bruksel. Në tetor kemi pritur emisarët, të cilët sollën planin për ecjen përpara”.

    “Ne e kemi mbështetur planin e ri. Kur kemi marrë qeverinë kemi thënë se na duhet një qasje e re në dialog. Draft-propozimi parasheh që duhet të shikohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës menjëherë pas nënshkrimit”, tha ai.

    Tutje, kryeministri tha se drafti i Asociacionit “qartazi nuk është “Zajednicë”.

    “E para, kjo qartazi nuk është Zajednicë, siç e parashihin marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, sepse asisoj do të ishte e padiskutueshme. E dyta, drafti në vlerësimin tim politik, e bën të qartë që mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter bashkëpunues. E treta, drafti e mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’ua projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës”, tha Kurti.