ATV

Tag: Ballina

  • Raporti i progresit për Kosovën “përparime të kufizuara”

    Raporti i progresit për Kosovën “përparime të kufizuara”

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Progres të kufizuar ka shënuar Kosova, këtë vit, thotë Komisioni Evropian në raportin e fundit që do të publikohet të mërkurën. Përparim i kufizuar u shënua edhe në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.

    “Më negativja është ku nuk ka fare përparim është reforma në administratën publike, që iu bie që ende nuk është e gatshme t’i përmbushë standardet për anëtarësimin në BE”, tha profesori i Politikës së Jashtme, Dritëro Arifi.

    Ngjashëm Komisioni Evropian vlerësim të njëjtë ka edhe sa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    “Është pothuajse i njëjtë dhe ka nuancë më negative, sepse thotë përparim të kufizuar në shumicën e rasteve kur flasim për gjyqësorin, korrupsionin e krimin e organizuar. Pra nuk kanë gjetur përparim dhe kjo është një minus i madh për qeverinë Kurti”, tha Arifi.

    Komisioni Evropian, vëmendje i ka dhënë edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. KE-ja i ka kritikuar Prishtinën e Beogradin për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Si Kosova, ashtu edhe Serbia, akoma nuk e kanë filluar zbatimin e obligimeve të tyre përkatëse, të cilat dalin nga Marrëveshja, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese për palët dhe pjesë e rrugëtimit të tyre evropian. Nga Kosova pritet ta nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian, i cili u propozua para palëve më 21 tetor 2023, dhe nga Serbia kërkohet ta mbështesë këtë proces dhe paralelisht ta fillojë përmbushjen e obligimeve të veta kyçe nga Marrëveshja”, thuhet në vendimin e Komisioni Evropian.

    Raporti i Progresit i këtij viti i përshkruan me kujdes edhe tensionet në veri, duke ardhur në përfundim se të dyja palët kanë ndikuar që të ketë kriza të tilla për shkak të veprimeve të tyre.

    Raporti i plotë për të gjitha vendet e rajonit dhe të Partneritetit Lindor publikohet të mërkurën, më 8 nëntor.

  • Muja: Ajo që pranuan Mustafa e Thaçi, është më keq se Bosnja

    Muja: Ajo që pranuan Mustafa e Thaçi, është më keq se Bosnja

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armen Muja, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar Asociacionin siç është menduar në vitin 2015, tha ajo çfarë kanë pranuar Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, është me keq se Bosnja.

    “Ajo çfarë ka pranuar Isa Mustafa me Hashim Thaçin është më keq se Bosnja. Pse? Sepse, nën një, Serbia e njeh Bosnjën, por nuk e ka njoftë Kosovën. Bosnja nuk është sfiduar si shtet nga jashtë. Në fakt Serbia e ka njohur de-jure Bosnjën, por nuk e ka njohur de facto. Ka dëshiruar me e defunksionalizu nga brenda. Në rastin tonë ka shkuar përtej. Jo vetëm që nuk e ka njoftë de juren, por ka dashur edhe de facton me e defunksionalizu nga brenda dhe kjo është parë në projektin e ndarjes së Kosovës.”, tha Muja. /atvlive.tv

  • Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen javën e ardhshme

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen javën e ardhshme

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen javën e ardhshme nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet jozyrtare në Bruksel.

    Sipas burimeve, data 16 nëntor përmendet si datë e mundshme për takimin mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

    Kujtojmë se më 26 tetor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq patën takime të ndara me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.

  • Lajçaku publikon pamje nga takimet në Prishtinë për zhvillimet e fundit në dialog

    Lajçaku publikon pamje nga takimet në Prishtinë për zhvillimet e fundit në dialog

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje nga takimet që ka pasë në ditën e dytë në Kosovë.

    Lajçak është takuar me komandantin e KFOR-it, në Kosovë, Ozkan Ulutas, me ambasadorët e akredituar dhe me liderët e partive opozitare.

    Lajçak, këto takime i ka quajtur produktive dhe me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në dialog.

    “Sot pata një ditë shumë produktive në Kosovë me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara. Falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit e mi për rolin dhe mbështetjen e tyre aktive”, shkroi Lajçaku.

  • Haziri pas takimit me Lajçakun: Po mbahemi në terr për draftin e Asociacionit, s’kemi kohë për të humbur

    Haziri pas takimit me Lajçakun: Po mbahemi në terr për draftin e Asociacionit, s’kemi kohë për të humbur

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, u shpreh falënderues ndaj të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, për siç tha takimet e rregullta që po i mban me opozitën, raporton EO.

    Përderisa shtoi se të gjithë po mbahen të terr për shkak të mospublikimit të draftit të Asociacionit nga ana e kryeministrit Kurti. Haziri ka thënë se në takim kanë kërkuar heqjen e masave të BE-së.

    Nënkryetari i LDK-së pohoi se nuk ka kohë për të humbur në dialog dhe se gjërat duhet të zgjidhen shpejtë, kjo për shkak të zhvillimeve në rajon e botë. Haziri ka shtuar se situata tani është kthyer siç ishte para disa jave dhe se Kosova po vazhdon të dënohet për shkak të siç tha ai “paaftësisë së Qeverisë”.

    “Ne u takuam për të disatën herë. Ndarja e kohës së tij është për tu vlerësua. Po mbahemi në terr për shkak të mos zbardhjes së dokumentit. Unë konfirmova angazhimin e LDK-së që dialogu nuk ka opsion dhe situata pas 24 shtatorit gjendja ka ndryshuar. Por Qeveria nuk ka arritur ta kthej imazhin e Kosovës”.

    “Ne nënvizuam largimin e masave dhe nevojë që Kosova vazhdon të dënohet për shkak të paaftësisë së Qeverisë. Nuk kemi folur specifikisht për atë sepse është detyrë e kryeministrit, ka detyra kryeministri. Palët në këtë proces po ofrojë komente në këtë dokument, po e ruajnë procesin”.

    “Kosova e ka pranuar edhe planin e zbatimit edhe modelin evropian. Nuk ka shumë kohë, nuk guxon të humbim këtë moment. Çdo ditë rrezikojmë të humbim kohë, është çështje shumë e ngushtë kohore që lidhet me zhvillimet në rajon edhe në botë. Ai ka qenë i angazhuar, po përgatite për konventën e partisë”.

  • Krasniqi: Lajçaku s’e prezantoi draftin e Asociacionit, jemi të shqetësuar – “dreqi” fshihet në detaje

    Krasniqi: Lajçaku s’e prezantoi draftin e Asociacionit, jemi të shqetësuar – “dreqi” fshihet në detaje

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak nuk ua ka prezantuar draftin për Asociacionin, raporton EO.

    Ai shtoi se emisari i BE-së u ka thënë vetëm se drafti është në përputhje me Kushtetutën. Sipas tij, këtë dokument qytetarëve e opozitës është dashur t’ua prezantojë Qeveria.

    Krasniqi u shpreh i shqetësuar për mos bërjen publike të draftit duke dyshuar se aty mund të fshihet diçka, duke përdorur një shprehje siç tha ndërkombëtare “dreqi” fshihet në detaje.

    “I dërguari i BE-së shprehu qëndrimin e BE-së, duke na thënë se është një draft në përputhej me Kushtetutën, nuk patëm mundësinë ta shohim tekstin integral. Në këtë kuadër është për të kritikuar qasja dhe mungesa e plotë e transparencës nga ana e Qeverisë ndaj qytetarëve dhe ndaj përfaqësuesve politik”.

    “Sa më parë Kosovës t’i hiqen sanksionet sidomos pas sulmit të 24 shtatorit ku ishte e përfshirë edhe Serbia. Shqetësimet janë prezent ngase nuk jemi të njoftuar në detaje e siç thotë një shprehje ndërkombëtare ‘dreqi’ fshihet në detaje, e neve na duhet t’i shohim detaje”.

  • Joseph: Me propozimin e ri është përjashtuar modeli i Republikës Serbe

    Joseph: Me propozimin e ri është përjashtuar modeli i Republikës Serbe

    Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Lajmet e fundit” në RTK ka thënë se me propozimin e ri të draft-statutit të Asociacionit është eliminuar modeli i Republikës Serbe në Kosovë.

    “Me atë që kam dëgjuar unë, edhe pse nuk është gjë formale, propozimi i SHBA-së dhe BE-së e përmbyll këtë telashin mbi atë se a duhet të jetë Asociacioni në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht se duhet të jetë në pajtim me atë vendim dhe ky lloj misteri është sqaruar. Propozimi që është bërë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe për aq sa kam kuptuar modeli i Republikës Serbe është lënë komplet jashtë. Në vend të këtij modeli është bërë një propozim krejt i ri, praktik, i arritshëm dhe që përmbush standardet kushtetuese dhe është në përputhje me atë kolumnen që është shkruar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar”, ka thënë Joseph.

    Ai tutje ka thënë se jo detyrimisht duhet të publikohet tani draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nëse qëllimi është që të arrihet një lloj marrëveshje e avancuar përtej asaj që ekziston.

    “Nganjëherë dokumentet duhet të mbahen të fshehta, larg publikut derisa është në negocim e sipër. Pra nuk është se detyrimisht duhet të publikohet. Pyetja është se çfarë do të jetë pozicioni përfundimtar i SHBA-ve dhe BE-së në veçanti dhe pastaj shteteve kyçe siç janë Franca, Gjermania, Italia dhe cili do të jetë pozicioni kur bëhet fjalë për Serbinë. Refuzimi i presidentit të Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen dhe pastaj refuzimi për ta zbatuar atë marrëveshje që e ka pranuar në Bruksel dhe Ohër”, ka theksuar profesori Joseph.

    Ai tutje ka thënë se më 6 tetor ia ka parashtruar pyetjen emisarit Lajçak në Malin e Zi se pse nuk e shfrytëzoni mundësinë, sidomos pas agresionit mbi Kosovën më 24 shtator në Banjskë.

    “Pse të mos përdoret kjo gjë dhe t’i prezantohet Beogradit propozimi merre ose lëre. Këtu Serbia vihet para pozicionit që ta pranojë plotësisht se do ta përmbush obligimin e saj ndaj Kosovës, që ka të bëjë me njohjen de-facto, njohjen e dokumenteve dhe simboleve dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pra pse të mos shfrytëzohet kjo lloj përparësie kur Beogradi dhe presidenti Vuçiq është në situatë të brishtë. Këtë pyetje ia kam bërë Lajçakut kur ai ishte në Malin e Zi muajin e kaluar. Ai nuk dha përgjigje publike, por pashë disa elemente të asaj që unë kam vërejtur në atë dokument të QUINT-it”, ka shtuar Joseph.

    Sa i përket takimit të nesërm të Lajçakut me partitë opozitare, ai ka thënë se kjo “është gjë e mirë që partitë opozitare të jenë pjesë e procesit dhe një hap i rëndësishëm për Republikën e Kosovës”.

    Sipas tij tani çështja është nëse ekziston tashmë vullneti politikë në SHBA dhe BE që t’i bëjnë presion palëve dhe ta përfundojnë këtë marrëveshje njëherë e përgjithmonë.

    “Më 26 tetor pas takimeve në Bruksel, Kosova është deklaruar se ka kërkuar nënshkrimin e dokumenteve nga Serbia. Unë besoj se kjo është kërkesë e arsyeshme në cilindo kontekst. Për mua kjo ishte kërkesë shumë e arsyeshme dhe SHBA dhe BE duhet të insistojnë te Serbia që ta nënshkruajë këtë dokumentet dhe dy dokumentet tjera të dakorduara më parë dhe përfundimisht të ndalet kjo lojë. A është marrëveshja që secila palë, Kosova dhe Serbia, duhet ta formalizojnë atë dhe të thonë ‘po kjo është ajo marrëveshje’. Si mund t’i besoj dikush fjalës së Serbisë se do të implementojë një marrëveshje e cila i ka këto elemente të rëndësishme të njohjes brenda – siç është mos kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si mund të besohet kjo kur presidenti Vuçiq nuk e nënshkruan këtë”, ka nënvizuar Joseph.

  • Dedaj vazhdon dëshminë në Speciale

    Dedaj vazhdon dëshminë në Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Dje Gjergj Dedaj ka dhënë dëshminë për ngjarjen e vitit 1998 në Drenicë.

    Ai tha se nuk i kujtohen ngjarjet, për të cilat kishte dhënë deklaratë më herët para hetuesve të ZPS-së.

    Dëshmia e dëshmitarit Dedaj do të vazhdojë edhe sot, ku pas përfundimit të marrjes në pyetje nga Prokuroria, ai do të merret në pyetje edhe nga pala mbrojtëse e të akuzuarve në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

  • Prepolli: Bashkë me lojtarët në Prishtinë do të vijnë edhe disa forca të Izraelit

    Prepolli: Bashkë me lojtarët në Prishtinë do të vijnë edhe disa forca të Izraelit

    Arsim Prepolli, analisti i emisionit ‘EKIPI A’ në ATV, tha se nuk beson që do të ketë ndonjë incident në ndeshjen e Kosovës me Izraelin, pasi që sipas tij, pos masave që do t’i marrin forcat e rendit të Kosovës, do të ketë edhe forca speciale izraelitë, të cilët do të jenë afër lojtarëve çdo sekondë.

    “Mendoj që ka me qenë një lojë që ka me e kalu masën e rrezikshmërisë dhe mendoj që s’ka me pasë, sepse ka me qenë siguria në nivel, kur e shtojmë edhe rastin që kam dëgjuar që edhe Izraeli vjen me forcat e veta speciale që janë përkatës për këso ndeshje që janë për siguri shumë të mëdha, me futbollistët kanë me qenë thuajse çdo sekondë. Sa i përket stadiumit, unë mendoj se masat e rendit tek ne kanë me qenë shumë syçelë edhe nuk kanë me ardhë deri të një incident më i vogël. Sa i përket ndonjë parullë, ndonjë flamur apo fishkëllimë e himnit, ajo duke që nuk është masë e rrezikshmërisë shumë të madhe”, tha Prepolli.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pezullohet protesta e Njësisë Speciale Intervenuese

    Pezullohet protesta e Njësisë Speciale Intervenuese

    Është pezulluar protesta e Njësisë Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës e paralajmëruar që të mbahet në mesditë. Kjo pas takimit që është zhvilluar ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, me NJSI dhe NJTME.

    Sipas njoftimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës ka premtuar që javën e ardhshme do t’i pres në takim zyrtar menaxhmentin e PK-së së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.

    Njoftimi i plotë:

    Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME) dhe njësi tjera të Policisë së Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.08/L-166 për Tubime Publike, përmes njoftimit zyrtar kishin paralajmëruar mbajtjen e protestës për sot me 07.11.2023, nga ora 12:00, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, por e njëjta tani është pezulluar.

    Pas takimit të Drejtorit të Përgjithshëm të PK-se, me NJSI dhe NJTME, është marrë vendim që të pezullohet përkohësisht protesta e paralajmëruar për sot 07.11.2023, në ora 12:00.

    Deri te pezullimi i protestës ka ardhur pasi Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, i shoqëruar nga menaxhmenti i PK-së,  gjatë takimit me këto njësi i ka informuar se Kryeministri i Republikës së Kosovës ka premtuar që javën e ardhshme do ti pres në takim zyrtar menaxhmentin e PK-se së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për ti diskutuar kërkesat e tyre, respektivisht për të gjetur një zgjidhje.

    Andaj, protesta e paralajmëruar për sot është pezulluar deri në ndonjë vendim tjetër.

    Me respekt,