ATV

Tag: Ballina

  • Çollaku: Nuk ka rrezik për ndeshjen Kosovë – Izrael

    Çollaku: Nuk ka rrezik për ndeshjen Kosovë – Izrael

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në emisionin EKIPI A në ATV, tha se nuk ka ndonjë rrezik potencial në vend që do ta pengonte zhvillimin e ndeshjes Kosovë – Izrael.|

    “Rrezikshmëria është, por nuk është e lartë për faktin se elementet e huaja ose elementet e ndryshme të cilat mund të paraqitet si rrezikues potencial nuk e kanë as intensitetin as vëllimin e veprimit, i cili veprim rrezikon lojtarët ose do të rrezikonte ndeshjen, që i bie se deri më tani, në publik nuk ka informacione nga ana e Policisë dhe organeve të tjera se ka ndonjë kërcënim serioz, i cili do të ndikonte në shtyrjen eventuale të ndeshjes apo edhe të ndërmarrjes së masave dhe veprimeve tejet të shtuara, të mobilizuara”, tha Çollakaj.

    Ai tha se Policia do të marrë me kohë masat dhe veprimet e nevojshme për të parandaluar çdo veprim kërcënues nga kushdo.

    “Unë mendoj se kjo ndeshje duhet të mbahet dhe do të mbahet ditën e diel. Policia do të marrë me kohë masat dhe veprimet e nevojshme për të parandaluar dhe neutralizuar çdo faktor kërcënues nga kushdo që vjen dhe nga secila anë që mund të vijë”, vlerësoi Çollakaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Shtyhet protesta e paralajmëruar për sot nga punëtorët e KEK-ut

    Shtyhet protesta e paralajmëruar për sot nga punëtorët e KEK-ut

    Protesta e paralajmëruar për ditën e sotme nga punëtorët e KEK-ut është shtyrë.

    Kështu ka bërë të ditur Sindikata e KEK-ut me anë të një njoftimi, në të cilin thuhet se morën zotim se kërkesat e tyre do të realizohen.

    Sipas njoftimit, vendimi për shtyerjen e protestës është marrë kryesuesin e bordit drejtues dhe menaxhmentin e KEK-ut.

    “Duke ju njoftuar për zhvillimet e fundit në lidhje me negociatat tona për ngritjen e pagave dhe pagesën e fundjavës për punëtorët me ndërrime, kemi disa lajme të rëndësishme për të ndarë me ju. Sot, pas një takimi të gjatë me kryesuesin e bordit drejtues dhe menaxhmentin e KEK-ut, kemi arritur në një marrëveshje që na jep shpresë dhe besim se kërkesat tona do të realizohen. Kryesuesi i bordit drejtues dhe menaxhmenti i KEK-ut është zotuar për të kryer kërkesat tona dhe ka premtuar se do të vazhdojë dialogun me sindikatat për të adresuar çështjet e punëtorëve në mënyrë të drejtë”, thuhet tutje.

    Siç bën të ditur njoftimi, qëllimi i tyre është të hapet rrugë për dialog dhe zgjidhjen e kërkesave tona në një mënyrë të qetë dhe të drejtë

    “Me këtë mendim dhe duke iu besuar zotimit të KEK-ut për të ndërmarrë veprime konkrete, kemi vendosur të shtyjmë protestën tonë të planifikuar për nesër më datën 7 nëntor 2023. Qëllimi ynë është të hapim rrugën për dialog dhe zgjidhjen e kërkesave tona në një mënyrë të qetë dhe të drejtë”.

    Sindikata e KEK-ut ka paralajmëruar veprime sindikale nëse kërkesat e tyre nuk realizohen.

    “Megjithatë, është e rëndësishme që të kemi parasysh se këto janë premtime, dhe ne do të jemi të përgatitur për veprime sindikale nëse kërkesat tona të drejta dhe ligjore nuk realizohen në mënyrë të plotë. Do të vazhdojmë të jemi aktiv dhe do të ndërmarrim hapa të duhur për të mbrojtur të drejtat tona”, njofton Sinidikata.

    Protesta ishte paraparë të niste nga ora 11:00 para zyrave të KEK-ut në Prishtinë.

  • Lajçak sot takohet me liderët e partive opozitare

    Lajçak sot takohet me liderët e partive opozitare

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog Mirosllav Lajçak, takon liderët e partive opozitare. Takimi është paraparë të mbahet nga ora 10:00 në ambientet e zyrës së BE-së në Prishtinë.

    E pas Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së do ta vizitojë edhe Beogradin, kështu të paktën thonë nga Bashkimi Evropian.

    Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka komentuar vizitën e të dërguarit të Posaçëm të BE-së Miroslv Lajçak në Kosovë. Stano është shprehur se vizita e Lajçak në Prishtinë vjen të kuadër të përpjekjeve për fillimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Gjithashtu zëdhënësi i BE-së zbuluar se Lajçak ka në plan të vizitojë Serbinë së shpejti, për të disktuar për hapat e ardhshëm rreth dialogut.

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, mbrëme ka biseduar për nevojën për zbatim të plotë të marrëveshjes së normalizimit pa vonesa e parakushte.

    Ai ka thënë se me Bislimin është dakorduar për hapat e radhës. Ajo që shihet është se takimi nuk është mbajtur në Qeveri.

    ““Jam takuar me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të vazhduar bisedimet për takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Po ashtu jemi pajtuar për hapat e radhës”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”, pas takimit.

    Edhe qeveria ka njoftuar për këtë takim.

    Sipas tyre tema kryesore e diskutimit ishte Marrëveshja Bazike e Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

    “Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pati një darkë pune me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Në këtë takim u diskutua në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

    Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke”, thuhet në njoftim e qeverisë.

    Në Vizita dy ditore, e paparalajmëruar, e emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Kosovë, në agjendë parasheh edhe një takim të tij të përbashkët me krerët e opozitës në Kosovë.

  • Lajçak takohet me Bislimin: Të zbatohet plotësisht marrëveshja për rrugën e normalizimit

    Lajçak takohet me Bislimin: Të zbatohet plotësisht marrëveshja për rrugën e normalizimit

    Emisari special evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ka takuar sonte zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin ka biseduar mbi takimin e 26 tetorit, mes kryeministrit Albin Kurti me liderët e BE-së.

    Lajçak ka shkruar rrjetin X se është e nevojshme zbatimi i plotë dhe pa parakushte i marrëveshjes për rrugën e normalizimit, të arritur në Ohër.

    “Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të përcjellë takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjes për rrugën e normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, diplomati sllovak ndodhet për një vizitë të paparalajmëruar dyditore në Kosovë. Ai nesër do të ketë një takim me liderët e partive opozitare në Kosovë.

    Vizita vjen në kohën kur në Kosovë po zhvillohet debat rreth draftit për themelimin e asociacionit, të cilin kah fundi i tetorit ua kanë paraqitur emisarët euro-amerikanë.

    Kurti pati deklaruar se ai kishte ofruar që ky draft, sikurse dhe Marrëveshja bazë dhe Aneksi për implementim i Marrëveshjes së Ohrit, të nënshkruhen.

    Ndërsa, shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell kishte thënë se “kushtëzimet e palëve, që ishin të papranueshme për palën tjetër, ishin pengesë për pajtim”.

    Por në një deklaratë të përbashkët pas samitit të BE-së, liderët e tri shteteve më të mëdha bën ftesë që Kosova të nisë themelimin e asociacionit, ndërsa Serbia të njohë de facto Kosovën.

  • Kurti dhe Aliu nga terreni bëjnë thirrje për shmangien e qeseve plastike

    Kurti dhe Aliu nga terreni bëjnë thirrje për shmangien e qeseve plastike

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pa inspektorë të tregut me vete, kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, të hënën dolën në terren për të parë sa po zbatohet udhëzimi administrativ për qeset plastike.

    Duke i këshilluar qytetarët që të kenë torba me vete, kryeministri Kurti thotë se shumica e bizneseve tashmë po e zbatojnë udhëzimin në fuqi.

    “Shumë qese të panevojshme plastike janë shndërruar në mbeturina, që në mënyrë masive kanë ndotur ambientin. Prandaj, shpresoj në bashkëpunimin e juaj me këtë udhëzim të ri administrativ, me këtë fushatë t’i themi jo qeseve të plastikës”, tha Kurti.

    “Këto qese në pjesën e frutave do të dhurohen pa pagesë, ndërsa ato të tipit 25 deri në 50 mikronë do të ofrohen me pagesë për qytetarët”, tha Aliu.

    Por, ka raste që disa biznese nuk po e respektojnë në përpikëri udhëzimin administrativ.

    Për këtë dilemë Kurti dha një sqarim.

    Mirëpo, qytetarët vlerësojnë se nuk duhet të paguajnë për asnjë qese me logo, pavarësisht mikronit që ka ajo.

    Një qese e plastikës kushton 5 centë, 2 centë shkojnë për buxhetin e shtetit.

  • Lajçak sot në Kosovë për takime me Kurtin dhe opozitën

    Lajçak sot në Kosovë për takime me Kurtin dhe opozitën

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të mbërrijë në Prishtinë të hënën pasdite për t’u takuar me liderët kosovarë për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.

    Lajçaku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.

    Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.

  • Dedaj në Gjykatën Speciale: Rugova ishte themelues i shtetit, Thaçi e përmbylli procesin e pavarësisë

    Dedaj në Gjykatën Speciale: Rugova ishte themelues i shtetit, Thaçi e përmbylli procesin e pavarësisë

    Ish-ambasadori i Kosovës, në Maqedoninë e Veriut, është duke dëshmuar në Gjykatën Speciale në Hagë.

    I pyetur se çfarë mendon për ish-presidentin Ibrahim Rugova, ai tha se ai ishte themelues i shtetit të Kosovës, kurse ish-presidenti tjetër, sipas tij e përmbylli procesin e pavarësisë.

    “Presidenti Rugova është themelues i shtetit të Kosovës, ndërsa lideri Hashim Thaçi e ka përmbyll procesin e pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

    Dedaj u pyet për karrierën politikë të tij ndër vite, ai u përgjigj duke thënë se nga pozita e fundit, ajo e ambasadorit në Maqedoninë e Veriut, u largua dhunshëm nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sipas tij e vendosi në atë pozitë burrin e saj, Prindon Sadriun.

    “Postet tjera mund t’i flasim më vonë, në 2004 kam fitu ulësen e deputetit, kur është themelu këshilli traniztor kam qenë pjesë e këtij këshilli, zëvendësministër i jashtëm dhe më së fundi ambasador, që jam largu dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga presidentja Osmani për qëllime politike, në vend timin e ka dërgu burrin e saj”, tha ai.

    Tutje ai tregoi se për shkak të terrorit serb, ai ishte detyruar të heqë dorë nga mësimdhënia.

    “Për arsye se Serbia kishe ushtru terrorin dhe gjenocidin u detyruam të heqim dorë, nga mësimdhënia dhe gjithë kohën kapacitetet e mija t’i vë në dispozicion, të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe organizimin e jetës. Ishin mbyllë shkollat, ishin përjashtu mësimdhënësit, dëshironim që ta mbanim jetën edhe pse kushtet ishin të vështira. Kjo është arsyeja pse dhashë dorëheqje nga mësimdhënia”, tha ai.

    Dedaj tha se gjatë luftës ka organizuar një sërë protestash kundër pushtimit serb dhe dhunës së krijuar

    Gjatë luftës në radhë të parë kam qenë organizator i demonstratave kundër Millosheviq, kam organizu 60 demonstrata që ju kam pri të gjitha, me solidarizu më UCK-në, me ftu NATO-në të intervenoj dhe ta shpëtoj popullin civil. Në 98, i kemi mbajt disa zgjedhje të diskutueshme por që ta kemi një adresë, që delegacionet kur të vijnë të kenë me këtë ë bisedojnë.

    Dedaj theksoi se regjimi i Serbisë ia ka vrarë 12 anëtarë të familjes, ndër ta dy të mitur.

    “Kam lëndim në zemër, e kam zemrën me tela që ma ka shkaktu Serbia, i kam stendat në zemrën time, në shpirtin tim. Serbia më ka vra 12 anëtarë të familjes, 2 të mitur… në këtë dhomë këtu para kriminelit Millosheviq kam folë balle përballë…”, tha ai.

    I pyetur se a ka pasur tensione me institucioneve të Kosovës të viteve 90-ta dhe UÇK-së, ai tha se kishte vetëm moskoordinim dhe ndonjëherë moskuptime.

    “Ka pasur moskoordinim, mosinformim, flas për udhëheqjen poltike në Prishtinë, e kanë shiku me droh dhe me shqetësim shfaqjen e UÇK-së, që në fakt që e bëri realitet lirinë e Kosovës. Ka pasur individ brenda partive, që kanë bërë dezinformata kundër UÇK-së, personalisht kam pasur dëshirë të shkoj në ato zona..”, tha ai.

  • ​Woelk: S’ka normalizim pa njohje nga Serbia, të ndërrohen ndërmjetësuesit e dialogut

    ​Woelk: S’ka normalizim pa njohje nga Serbia, të ndërrohen ndërmjetësuesit e dialogut

    Njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pika e parë e dialogut, thotë asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk. Kritika ka për Bashkimin Evropian për atë se si e ka trajtuar dialogun deri më tani, për çka shton se duhet të ndërrohen ndërmjetësuesit Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

    Në intervistë për KosovaPress, Woelk thotë se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë dhe t’i heq masat ndaj Kosovës, porse thekson se në këtë drejtim po ndikojnë negativisht disa shtete anëtare.

    Asistentja parlamentare e akredituar e eurodeputetes Ulrike Muller, Federica Woelk apelon palën kosovare që të lobojë më shumë për të drejtën e saj që të vihet në pah fakti se Kosova qëndron më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.

    “Për të qenë e sinqertë, unë jam pak kritike se si BE e ka trajtuar dialogun deri më tani për disa arsye. Para së gjithash, sepse ndaj Kosovës kishte sanksione të cilat janë ende në funksion dhe për mendimin tim kjo është krejtësisht e padrejtë. Së dyti, sepse edhe Serbia nuk ka filluar t’i zbatojë marrëveshjet dhe Serbia nuk ka pasur pasoja për këtë, plus, për momentin po shohim që edhe Serbia ka pasur guximin të thotë përballë Von der Leyen se do nuk e njohin Kosovën dhe kjo duhet të jetë, për mendimin tim, pika e parë e dialogut”, thotë ajo.

    E në mënyrë që të ndalet ndikimi i Serbisë në Ballkan e veçmas në Kosovë, Woelk thekson se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë masa.

    Sipas saj, pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa kjo e fundit të mos e njoh Kosovën është diçka që duhet të jetësohet.

    “Unë mendoj se po, sanksionet duhet të vendosen ndaj Serbisë dhe të hiqen nga Kosova. Kjo është gjëja e parë që duhet bërë në çdo rast; sa i përket planit të ri, detajet nuk dihen ende plotësisht, ndaj nuk e dimë realisht se çfarë ai përfshin. Për mendimin tim, e rëndësishme është të shmanget që Serbia do të mund të ndikojë në Kosovë, sepse mendoj se për Serbinë do të jetë e lehtë të ndikojë në Kosovë dhe kjo duhet të shmanget me çdo kusht”, thotë ajo.

    Ajo flet edhe për agresionin e Serbisë në Banjskë kur terroristët serbë sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin policor, Afrim Bunjaku.

    “Është e tmerrshme dhe akoma më e tmerrshme është fakti që nuk ka pasur përgjigje konkrete nga BE-ja përveç rezolutës së Parlamentit Evropian, që ishte një hap shumë i mirë. Por kam përshtypjen se graviteti i këtij sulmi terrorist nuk është kuptuar plotësisht dhe gjithashtu fakti që nuk ishte një gjë që thjeshtë ka ndodhur një herë, por është diçka që mund të ndodhë përsëri dhe ne duhet ta shmangim këtë”, thekson ajo.

    Ndërkohë që Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Kosovën ku ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, është Bashkimi Evropian që ka mbetur vetëm me një paralajmërim për masa.

    Lidhur me këtë Woelk thotë se fatkeqësisht, politika e jashtme e BE-së është ende çështje e shteteve anëtare, kur dihet se ka të tilla që janë kundër sanksioneve ndaj Serbisë.

    “Komenti im është se BE-ja është mjaft e komplikuar në përgjithësi. Kemi gjithashtu çështjen se politika e jashtme, për fat të keq, është ende çështje e shteteve anëtare dhe se kemi shtete anëtare që janë kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë. Krahas kësaj, mendoj edhe se ne kemi problem me dy ndërmjetësit në momentin e dialogut dhe sigurisht që kjo nuk e lehtëson situatën. Pra, mendoj se para së gjithash duhet të ndryshojmë ndërmjetësuesit në dialog. Duhet të vendosim masa, nëse jo sanksione, atëherë të vendosim masa, si për shembull, një ide mund të jetë pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa Serbia të mos e njohë Kosovën… Gjithçka është e lidhur me këtë koncept të normalizimit të marrëdhënieve, i cili është mjaft i çuditshëm, sepse për të normalizuar marrëdhëniet duhet të kemi dy partnerë që e njohin njëri-tjetrin dhe nëse njëri partner nuk e njeh tjetrin, për mua, nuk mund të ketë normalizim”, thotë ajo.

    Sipas saj, BE-ja duhet të zgjohet sa i përket Serbisë.

    “Po, mendoj se është mjaft e lidhur edhe me atë që po thonim më parë, me faktin se BE-ja duhet të zgjohet sa i përket Serbisë dhe të kuptojë se Serbia është në një rrugë, e cila është shumë e rrezikshme dhe Serbinë nuk mund ta mbani të lidhur me Perëndimin duke mos bërë asgjë. Ju duhet të jeni aktiv dhe duhet ta ndaloni këtë rrugë. Gjithashtu një ditë më parë pati një anketë rreth përgjigjes së popullatës serbe në disa pyetje. Një nga pyetjet ishte nëse ata e njohën Sebrenicën si gjenocid dhe më shumë se 52% e njerëzve ende nuk po e njohin gjenocidin e Sebrenicës, dhe unë mendoj se duhet të fillojmë nga aty”, shprehet ajo.

    Ajo është optimiste se Kosova do të anëtarësohet së shpejti ne Këshill të Evropës.

    “Shpresoj se po, por jam vërtet e bindur se do të ndodhë. Kjo është një pyetje shumë e mirë. Unë me të vërtetë nuk e di plotësisht procesin, por jam vërtet e bindur se do të ndodhë. Kosova ka nevojë edhe të komunikojë pak më fort edhe për gjërat pozitive që po bën, për shembull, fakti që në sundimin e ligjit Kosova është shumë më përpara se shtetet e tjera të Ballkanit dhe kjo është, për mua, me të vërtetë pjesa më e rëndësishme. Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për faktin se Kosova po bën një punë kaq të mirë me sundimin e ligjit”, vijon ajo.

    Për fund, Woelk jep një mesazh për udhëheqësit shtetërorë dhe qytetarët.

    “Mendoj se Kosova duhet të jetë më e zëshme për këtë çështje, jo vetëm qeveria por edhe populli, dhe thjesht të përpiqet të lidhet më shumë edhe me qytetarët evropianë dhe të përpiqet të shpjegojë situatën dhe pse Kosova është në pozitën e saj, sepse mendoj se ndonjëherë ajo që mungon është në të vërtetë kjo lidhje mes asaj që po vepron Kosova dhe shpjegimit se pse po vepron kështu. Pra, të gjejë një mënyrë të caktuar për të lobuar më shumë për interesat e tyre”, thotë ajo. /KP

  • Escobar për largimin e Vulin nga BIA: Qëndrimi ynë është i qartë, ai ishte shumë destabilizues për rajonin

    Escobar për largimin e Vulin nga BIA: Qëndrimi ynë është i qartë, ai ishte shumë destabilizues për rajonin

    I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Gabriel Escobar ka komentuar largimin e Aleksandër Vulin dhe ka thënë se Amerika nuk vendos për zgjidhje në emër të Qeverisë së Serbisë.

    Kur është fjala për Vulin, Escobar tha se opinioni amerikan për këtë zyrtar dihet.

    “Qëndrimi ynë për zotin Vulin është shumë i qartë, ai ka qenë një figurë shumë destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë dhe ju e dini se sanksionet tona janë bazuar në këtë,” tha ai në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës.

    Një përgjigje e ngjashme erdhi më herët nga ambasada amerikane në Beograd.

    “Pozicioni ynë për Vulin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet amerikane. Ne presim të vazhdojmë të thellojmë partneritetin tonë me Serbinë në rrugën drejt integrimit të saj të plotë në Evropë dhe komunitetin euroatlantik”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd.

    Kujtojmë se Vulin në deklaratën e tij ka bërë të ditur edhe arsyet pse jep dorëheqjen.

    “Na kërkohet të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Srpska dhe të pushojmë së qeni shtet dhe komb sovran duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Nëse ata do të pranonin këtë, kërkesa e radhës do të ishte dëbimi i investimeve kineze, teknologjike dhe pa kushte. varësia ekonomike nga perëndimi, si dhe vazhdimi i shpërbërjes politike dhe territoriale të Serbisë dhe pranimi i vlerave perëndimore në të cilat nuk ka vend për familjen dhe kombin tradicional dhe në fund as për drejtësinë sociale”, ka shkruar Vulin.

  • BE: Propozimi i ri për themelimin e Asociacionit është i balancuar

    BE: Propozimi i ri për themelimin e Asociacionit është i balancuar

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një prononcim për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka thënë se “propozimi i ri” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë është i balancuar dhe së këndejmi, duhet të lëvizet përpara drejt themelimit të këtij mekanizimi madhor për serbët e Kosovës.

    Ai ka folur për ciklin e takimeve që kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë pasur me liderët evropianë në fund të tetorit në Bruksel, derisa ka shtuar se përkundër që palët janë pajtur në parim me përmbajtjen e paketës së re të negociatave Kosovë-Serbi, dy palët kanë pasur parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër.

    “Ata paraqitën një propozim të ri të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave [me shumicë serbe] dhe këmbëngulën që palët të fillojnë zbatimin e tij. Kjo do të çonte përpara procesin e normalizimit dhe do të zbuste rrezikun për përshkallëzim dhe dhunë të re”, ka njoftuar fillimisht Stano në një përgjigje për televizionin shtetëror.

    “Në takim palët sinjalizuan gatishmërinë ‘parimisht’ për ta pranuar këtë propozim evropian, por të dyja kishin parakushte që të ishin të papranueshme nga pala tjetër. Ne presim që kjo gatishmëri të çojë në zbatim pa vonesa të mëtejshme. Parakushtet nuk janë të pranueshme”, ka shtuar ndër të tjera zëdhënësi i BE-së.

    Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy fqinjëve armiqësorë është karakterizuar prej një mungese radikale të transparencës. Në fakt, ishte bërë e ditur se dialogu po vijon në kushte konfidencialiteti për të krijuar rrethanat që do t’u mundësonin palëve të angazhohen më hapur me njëra-tjetrën, porse këtë praktikë e ka kritikuar tejmase opozita kosovare.

    E në anën tjetër, në disa media në Kosovë gjatë ditëve të fundit janë publikuar fragmente të cilat pretendohet se janë pjesë e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, porse zëdhënësi i BE-së, ndonëse nuk i ka demantuar plotësisht pretendimet e mediave kosovare, ka thënë se propozimi nuk është bërë publik ngase përpjekjet diplomatike janë në vazhdim.

    “Propozimi i BE-së nuk është bërë publik sepse përpjekjet diplomatike janë në vazhdim dhe ne asnjëherë nuk kalojmë dokumente zyrtare që po diskutohen. Kjo është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar. Dhe është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet e medieve që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”.