ATV

Tag: Ballina

  • Anëtarësimi në BE, kritikohet qeveria për mungesë konsultimi me shoqërinë civile

    Anëtarësimi në BE, kritikohet qeveria për mungesë konsultimi me shoqërinë civile

    Lëvizja “Fol” ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të përmirësojë konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Përmes publikimit të raportit “Si mund të përmirësojë Kosova konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në BE?”, “Fol” e konsideron të domosdoshëm demokratizimin dhe zhvillimin e shoqërisë civile si parakusht për integrime evropiane.

    Burbuqe Kastrati nga Lëvizja “Fol”, në konferencë për medie të martën tha se raporti thellohet në përvojat e vendeve të rajonit në lidhje me rolin e shoqërisë civile, sektorin privat/odat ekonomike, akademinë, dhe palëve të tjera të interesuara në proceset e negociatave për anëtarësim në BE.

    Duke përmendur anëtarësimin e Sllovenisë në BE, ajo tha se një nga faktorët që dha një kontribut të rëndësishëm në suksesin e këtij shteti në procesin e integrimit evropian ishte sektori i gjallë i shoqërisë civile, i nxitur nga një kulturë e bashkëpunimit me institucionet publike.

    “Rregullorja thekson rëndësinë, konsultimin dhe shkëmbimin e informacionit me organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara në këtë proces”, tha ajo.

    Megjithatë, Kastrati kritikoi ekzekutivin për qasjen e saj në raport me shoqërinë civile për mungesën e konsultimeve në raport me zbatimin e MSA-së.

    “Qeveria s’bën konsultime paraprake me shoqërinë civile”, tha ajo.

    Duke paraqitur disa rekomandime, ajo tha se Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë një raport vlerësimi për përfshirjen e shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara në punën e strukturave të stabilizim-asociimit. Po ashtu nënvizoi nevojën e prioritizimit të fushatave të ndërgjegjësimit publik që komunikojnë përfitimet, sfidat dhe implikimet e integrimit evropian, duke larguar keqkuptimet dhe duke nxitur mbështetjen.

    Të domosdoshme e pa edhe nevojën e rritjes së konsultimeve me sektorin privat në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të njohë rolin integral të sektorit privat, duke pasur parasysh fokusin ekonomik të Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit. Angazhimi i Odave të Ekonomisë dhe Tregtisë, së bashku me shoqatat specifike të sektorëve, në proceset e konsultimit dhe vendimmarrjes në lidhje me integrimin ekonomik. /kp

  • Ndahet nga jeta në moshë të re infermierja nga Suhareka, humb betejën me kancerin

    Ndahet nga jeta në moshë të re infermierja nga Suhareka, humb betejën me kancerin

    Pas betejës me një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë infermierja Fitore Zenelaj nga Suhareka.

    E ndjera ka vdekur teksa ishte duke u trajtuar në Francë.

    Lajmin e ka dhënë familja, me ç’rast kanë bërë të ditur se për ditën dhe orën e ceremonisë mortore do të njoftojnë me kohë.

    Njoftimi i familjes:

    Të nderuar familjar, miq, shokë, dashamirë, me dhimbje dhe pikëllim të madh, ju njoftojmë se më e dashura jonë Fitore Zenelaj pas një sëmundje të rënde ka ndërruar jetë gjatë trajtimit në Francë, me datë 13.11.2023.

  • Arrestohet taksisti në Prishtinë, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua

    Arrestohet taksisti në Prishtinë, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua

    Një taksist është dërguar në mbajtje pasi dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një pasagjere në Prishtinë të hënën në mbrëmje, ka njoftuar Policia në raportin 24-orësh.

    Në raportin e policisë theksohet se “viktima femër kosovare ka raportuar se derisa ka qenë në veturën Taxi, i dyshuari, ngasësi, e ka ngacmuar me fjalë të ndryshme dhe ka filluar ta prekë në pjesën e trupit”.

    I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ka njoftuar Policia.

    Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur në rrugën “Bill Clinton” në kryeqytet rreth orës 19:30.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Prishtina dhe Mitrovica me nga 3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 11 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajnë qyteti i Gjilanit dhe Ferizajt me nga 1 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 13 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot i vranët. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 4 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë dhe Durrës me nga 19 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot.

    Në faqen zyrtare të DhSK-së bëhet e ditur se gjykimi do të nisë nga ora 09:00.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

  • Gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, Tafa: Ne si Kosovë po turpërohemi, komunikata e FFK-së ishte qesharake

    Gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, Tafa: Ne si Kosovë po turpërohemi, komunikata e FFK-së ishte qesharake

    Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit ATV, Ilir Tafa, në emisionin EKIPI A, ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të Federatës së Futbollit të Kosovës si dhe Komunës e Prishtinës për kushtet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, në të cilën u zhvillua mbrëmë ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit.

    Komunikata e FFK-së për këtë gjendje të fushës në stadiumit “Fadil Vokrri”, sipas tij, ishte qesharake.

    “E lexova komunikatën e Federatës së Kosovës, ishte qesharake, që thotë se ‘në atë gjendje e kemi marrë fushën në menaxhim, neve na kushton kaq’. Ti a nuk e ke ditë që të kushton kaq, a nuk e ke ditë që duhet me e menaxhu? Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës del me deklaratën tjetër, thotë se Federata duhet me e mirëmbajtë fushën edhe nuk e ka mirëmbajtë. Megjithatë është një kontratë, kur t’ia japësh dikujt në menaxhim fushën, atëherë megjithatë duhet me kanë në draft të kontratë një kusht që ata duhet me e mirëmbajtë fushën”, tha Tafa.

    Ai thotë se Kosova po turpërohet, për arsye se gjendja e kësaj fushe po bëhet virale në gjithë botën.

    “E keqja më e madhe, mendoj se krejt ai angazhim i futbollistëve të kombëtares së Kosovës dhe krejt ajo lojë e mirë, ka ra nën hijen e kushteve që janë ofruar për zhvillimin e kësaj ndeshje, që duhet të jetë debat diskutimi. Ne duhet të jemi kritikë edhe ndaj Federatës së Kosovës, edhe ndaj Komunës së Prishtinës, të cilët ia bartin përgjegjësinë herë te njëra palë, herë te pala tjetër. Por, megjithatë ne si shikues apo ne si Kosovë po turpërohemi, për arsye se këto video, kjo fushë po bëhet virale në gjithë botën. Ne s’po mundemi me e menaxhu një fushë”, tha Tafa.

    Ndërsa sa i përket ndeshjes, ai thotë se fitorja është meritë e trajnerit Primoz Gliha, i cili sipas Tafës, në lojtë e fundit është duke treguar që më të vërtetë di ta menazhojë dhe udhëheqë kombëtaren shumë mirë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Asociacioni dhe detyrimi për zbatim i vendimeve të Kushtetueses

    Asociacioni dhe detyrimi për zbatim i vendimeve të Kushtetueses

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Rishikimi nga Gjykata Kushtetuese i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ishte një pikë të cilën kryeministri Albin Kurti u thirr kur tregoi se pranoi propozimin e BE-së dhe ishte i gatshëm të nënshkruajë më 26 Tetor.

    Një klauzolë të tillë e parashihte edhe marrëveshja e parimeve e vitit 2015.

    Megjithatë, në Kosovë ka vendime të pazbatuara të Gjykatës Kushtetuese, si ai i vitit 2016 për njohjen e pronësisë së tokave për Manastirin e Deçanit, apo ai i vitit 2022 për shkollat në Kamenicë.

    Në kontekstin e garancisë së zbatimit çfarëdo vendimi eventual të Gjykatës Kushtetuese, ish-nënkryetari i saj, Kadri Kryeziu, u referohet detyrimeve që rrjedhin nga neni 116 i Kushtetutës.

    “Gjykata Kushtetuese kur merr vendim, organet e shtetit janë të detyruara t’i zbatojnë këto vendime. Nëse jo, atëherë Prokuroria ka për obligim që të marrë masa në këtë drejtim për zbatimin e vendimeve… Nëse nuk zbatohen vendimet e gjyqësorit parashihen dënime penale, ose veprime penale nga Prokuroria e Shtetit”, tha Kryeziu.

    Drafti, sipas Kryeziut, mund të shqyrtohet nga Kushtetuesja vetëm njëherë.

    “Ky mund të shkojë vetëm një herë në Gjykatën Kushtetuese, vendim i Gjykatës Kushtetuese është ‘a res judicata’, që nënkupton që vendimet që i merr gjykata nuk i përsërit, por jep rekomandime. Dhe, organi kompetent ka për detyrë t’i përmirësojë”, tha Kryeziu.

    Duke përmendur deklaratën e viteve më parë, nga emisari Miroslav Lajcak, “se Kushtetuta nuk është bibël që të mos ndryshohet”, politologu Fidan Ukaj vlerëson se megjithatë ka dallime me vitin 2015.

    “Tashmë kemi edhe një qartësim nga faktori ndërkombëtar se drafti duhet të jetë në frymën e Gjykatës Kushtetuese, e po ashtu në harmoni me legjislacionin e Kosovës. Mendoj se kjo rezistencë e deritanishme nuk ka qenë krejt e kotë, sepse ka bërë që Kushtetuta të mos preket, por drafti të jetë i cili duhet t’i nënshtrohet frymës kushtetuese”, tha Ukaj.

    Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se marrëveshja për Asociacionin nuk është në harmoni me Kushtetutën, në 23 pika të saj, por kishte konstatuar se ai duhet të themelohet në pajtim me marrëveshjen e ratifikuar në Kuvend më 2013.

  • Forumi ekonomik i Vjenës, Kurti përmend marrëveshjen e Brukselit

    Forumi ekonomik i Vjenës, Kurti përmend marrëveshjen e Brukselit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Bashkëpunimi ekonomik në kohë të vështira, ishte temë për të cilën kryeministri Albin Kurti u thirr për të diskutuar, si pjesë e panelit në forumin ekonomik të Vjenës.

    Meqë, Kosova aktualisht gjendet në një situatë jo të mirë me Serbinë, si shtet fqinj, Kurti u pyet nëse dëshirojnë të vazhdojnë para e të kenë bashkëpunim ekonomik edhe me të.

    Andaj, kryeministri Kurti nuk la pa përmendur gatishmërinë e tij për marrëveshje, teksa edhe kërkoi nga Bashkësia Ndërkombëtare të bëjë presion mbi Serbinë.

    “Serbia është fqinji ynë më i madh, kufiri mes Serbinë është 381 kilometra, tani përbën një rrezik sigurie dhe kjo duhet të jetë një mundësi ekonomike që për të shkuar atje duhet më shumë presion në Beograd, për të nënshkruar marrëveshjen dhe gjithashtu na duhet integrimi evropian, sepse nuk mendoj se rajoni ynë mund të integrohet jashtë BE-së ose pa BE-në, dhe procesi i Berlinit mund të jetë edhe më i thellë dhe më intensifikuar në këtë drejtim. Nënshkrimi i njohjes de-facto të dyanshme është hapi i parë dhe më i rëndësishëm”, tha Kurti.

    Përtej bashkëpunimit me vendet e tjera, Kurti foli edhe për zhvillimin ekonomik të në Kosovë, të cilin e quajti shembull të mirë nga një shtet i vogël.
    “Të gjithë ne kemi nevojë për rritje ekonomike. Më duhet të përmendi tri sfidat kryesore që kanë ndodhur, e para kërcënimet e sigurisë, e dyta pabarazia shoqërorë dhe e treta ndryshimet klimatike. Gjatë këtyre viteve sa jam në pushtet, ia kemi dalë t’ia shtojmë çdo vit nga 1 milion euro ekonomisë tonë”, tha Kurti.

    Në anën tjetër, Komisioneri evropian për ekonomi, Paolo Gentiloni, theksoi nevojën për integrim rajonal ekonomik të Ballkanit Perëndimor, teksa si mundësi për këtë e përmendi Procesin e Berlinit.

    “E para është përpjekja për të bërë atë që është e mundur për integrimin rajonal ekonomik. Më kujtohet kur shërbeja si kryeministër, ne kishim një takim që e quajmë Procesi i Berlinit dhe në atë kohë ka pasur një konkluzion me partnerët e Ballkanit Perëndimor për tregun e përbashkët rajonal. E dyta është shumë ambicioze se çka përshkruajmë në këtë pako për t’u përpjekur për të bërë hapa përpara për tregun unik, para pranimit formal në Bashkimin Evropian”, tha Gentiloni.

    Gjatë qëndrimit dyditor në Austri, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë.

  • Projektbuxheti i vitit 2024 kritikohet nga AAK-ja

    Projektbuxheti i vitit 2024 kritikohet nga AAK-ja

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    102 milionë euro më shumë do t’i ketë shteti në dispozicion vitin e ardhshëm.

    Mirëpo, sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, rritja në krahasim me shkallën e inflacionit praktikisht është zvogëlim.

    Haradinaj thotë se projekt-buxheti për vitin e ardhshëm nuk është zhvillimor, por stagnues e i varfërisë.

    “Projektbuxheti me parametrat nuk është zhvillimor, por stagnues. Rritja minimale praktikisht është shkurtim i buxhetit, duke marrë parasysh inflacionin që është dhe që do të vijë. Rritja e koeficientit për vitin e ardhshëm nuk është rritje dhe investimet kapitale nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik”, tha Haradinaj.

    Ndërsa, sipas deputetit Pal Lekaj, plani i ndarjes së buxhetit tregon dështimet e Qeverisë. Sipas tij, përsëri nuk do të realizohen projektet kapitale.

    “Siç e dini, buxhetit për vitin 2024 është 3 miliardë dhe e ka ndryshuar strukturën dhe ato projekte që kanë qenë, janë bartur për vitin 2024 dhe këtu është dështimi i Qeverisë Kurti”, tha Lekaj.

    Për kryetarët e sindikatave, Qeveria duhet të punojë në rritje të koeficientit për paga.

    “Është ironike dhe këmbëngulëse dhe me ngritjen e koeficientit prej 110 eurosh, ngritja e pagës për mësimdhënësit do të jetë 28 apo 29 euro…”, tha kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

    “Në buxhetin e tanishëm, neve sindikatave po na bën me dije se as në vitin 2024 nuk do të kemi marrëveshje kolektive”, tha kryetari i SPSP-së, Jusuf Azemi.
    Derisa, Qeveria ka miratuar para dy javëve projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë e 314 milionë euro, AAK-ja ia ka kujtuar asaj se nuk i ka realizuar shumë premtime të dhëna.

  • Vrasja në kafenenë në Gjilan, 27 vjet burgim për Lirim Jakupin

    Vrasja në kafenenë në Gjilan, 27 vjet burgim për Lirim Jakupin

    Përgatiti: Nora Luta

    Për vrasjen që ndodhi në njërën nga kafenetë në shtatorin e vitit 2021, këtu në qendër të Gjilanit, Lirim Jakupi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata Themelore e Gjilanit i shqiptoi edhe dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

    Përveç Jakupit, për vrasjen e Bakush Veselit, gjykata e gjeti fajtor edhe Afrim Ismajloviqin, të cilit i shqiptoi dënim 22 vjet, e 3 vjet për armëmbajtje pa leje.

    Në drejtim të viktimës ishin shkrepur 14 plumba, 6 në pjesët vitale të trupit.

    Ndërsa, me 15 vjet burgim u dënua Faton Osmani, për ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

    Mbrojta e të akuzuarit kryesor nuk është pajtuar me vendimin e gjykatës, duke i kontestuar disa nga provat kryesore në këtë rast.

    Sipas aktakuzës, më 12 shtator të 2021, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq, pas një përgatitje paraprake, kishin vrarë me 14 plumba Bakush Veselin, në një nga kafenetë e Gjilanit, duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.