ATV

Tag: Ballina

  • Parada e 28 Nëntorit në Tiranë, Rama zbulon detaje: Mbledh shqiptarët nga të gjitha anët

    Parada e 28 Nëntorit në Tiranë, Rama zbulon detaje: Mbledh shqiptarët nga të gjitha anët

    Për herë të parë do të mbahet në Tiranë “Parada e shqiptarëve”. Aktiviteti zhvillohet më 28 Nëntor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe mirëpret shqiptarët për të festuar 111 vjetorin e Pavarësisë.

    Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video në rrjetin social Facebook, përmes të cilës tregon se si do të organizohet parada, ndërsa shprehet se është një ide e propozuar nga një grup të rinjsh në diasporë.

    “Një ide e ardhur nga një grup të rinjsh në diasporë, do të mbledhë shqiptarët nga të katër anët në një paradë të vetme më 28 nëntor Nëse moti do të ndihmojë pak, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nis në mesditë”, shkruan Rama.

    Në këtë paradë do të marrin pjesë 125 bashki nga trojet shqiptare, përfshirë arbëreshët e Italisë. Parada e kthyer në traditë në New York, pas Tiranës parashikohet të shkojë në Prishtinë, Shkup e Ulqin.

  • Inaugurohet busti i heroit kombëtar Hasan Prishtina në kryeqytet, bëhet thirrje për më shumë bashkëpunim ndërmjet shqiptarëve

    Inaugurohet busti i heroit kombëtar Hasan Prishtina në kryeqytet, bëhet thirrje për më shumë bashkëpunim ndërmjet shqiptarëve

    Fondacioni “Hasan Prishtina” të shtunën në kryeqytetin e Kosovës, ka bërë inaugurimin e bustit të heroit kombëtar Hasan Prishtina, me rastin e dy jubileve, atë të 150-vjetorit të lindjes dhe 90-vjetorit të vrasjes së tij, raporton Ekonomia Online.

    Mehmet Prishtina, nga ky fondacion tha se, viti 2023 është shpallur si vit i heroit Hasan Prishtina dhe gjatë gjithë viti janë zhvilluar aktivitete në trevat ku heroi ka vepruar.

    Ai bëri thirrje që liderët shqiptarë të marrin shembull rrugën e heroit Prishtina.

    “Fondacioni Hasan Prishtina ka organizuar vitin 2023 si vit të Hasan Prishtinës, duke bërë aktivitete në trevat ku Hasan Prishtina ka vepruar, që nga Dibra, sot në Prishtinë duke vazhduar në Kukës . Ky fondacion ka bërë edhe libra për Hasan Prishtinën duke iu dhuruar fëmijëve me qëllim të promovimit të veprës s[ Hasan Prishtinës. Sot më shumë kemi nevojë që liderët të marrin si shembull heroin Hasan Prishtinës dhe të veprojnë . Liderët që nuk nderojnë Hasan Prishtinën janë qyqar”, tha ai.

    Profesori Bujar Dugolli, tha se Hasan Prishtina mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare dhe se do të kujtohet si simbol i sakrificës.

    “Sot kujtojmë një figurë të madhe të historisë sonë dhe e kujtojmë si simbol të sakrificës . Hasan Prishtina ishte dhe mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë sonë dhe gjithë Kombit tonë si edhe nismëtarë i shumë ngjarjeve kombëtare zbulimi i bustit sot është një urdhër për tu krenuar me trashëgimisë sonë”, tha ai.

    Pasardhësi i Gjergj Kastriotit, Loris Kastrioti – Skënderbeu II, tha se ceremoni të tilla janë të rëndësishme sepse i bënë të mos harrojnë historinë dhe të kaluarën.

    “Këto ceremoni janë të rëndësishme sepse na tregojnë nga vijmë ne dhe na bëjnë të mos harrojmë historinë, sepse kush nuk njeh historinë nuk njeh vetën dhe ky është një moment unik për të ardhmen tonë historike”, tha ai.

    E Qemail Vlora, nipi i Ismail Qemailit, bëri thirrje që shqiptarët të vazhdojnë të jenë bashke si gjithmonë.

    Busti i Hasan Prishtinës është përuruar edhe në Peshkopi javën e kaluar, duke u cilësuar kështu frymëzim për të gjithë idealistsët e Kombit .

  • Kryediplomatja për takimet në Kosovë: Kërkova de-përshkallëzim e ripërtrirje të angazhimit në Dialog

    Kryediplomatja për takimet në Kosovë: Kërkova de-përshkallëzim e ripërtrirje të angazhimit në Dialog

    Shefja e diplomacisë belge, Hadja Lahbib, ka shkruar në profilin e saj në platformën “X” për takimet që ka pasur në Kosovë me kryediplomaten Donika Gërvalla, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Lahbib ka thënë se sikurse në Serbi, edhe përgjatë takimeve në Kosovë ka avokuar për de-përshkaëllëzim dhe për ripërtrirjen e angazhimit për procesin e dialogut në mes të dy shteteve e që drejtohet nga Bashkimi Evropian.

    “Ngjashëm me përpjekjet e mia në Serbi, unë avokova për de-përshkallëzimin dhe një angazhim të ripërtërirë ndaj Dialogut Beograd-Prishtinë të udhëhequr nga BE-ja”, ka shkruar ajo.

  • Durmishi: Të gjitha rrugët të cilat menaxhohen nga ministria janë të kalueshme

    Durmishi: Të gjitha rrugët të cilat menaxhohen nga ministria janë të kalueshme

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se të gjitha rrugët të cilat menaxhohen nga ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, janë të kalueshme pas reshjeve të borës.

    Sipas tij, me 19 kontrata aktive të mirëmbajtjës që janë në gjithë territorin e Kosovës, që nga orët e hershme të mëngjesit janë në teren.

    “Aktualisht të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ministria janë të kalueshme. Kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të lëvizin me kujdes duke ju përshtatur kushteve të rrugëve, dhe të mos dalin në rrugë pa paisjet e obligueshme për sezonën e dimrit”, ka shkruar ai.

  • Gjendet i vdekur një person në Fushë-Kosovë

    Gjendet i vdekur një person në Fushë-Kosovë

    Një person është gjetur i shtrirë në rrugën “Pajazit Islami”, në Fushë-Kosovë, i cili më pas është dërguar në QKUK, ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor.

    Sipas policisë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “Raportohet se viktima mashkull kosovar është gjetur i shtrirë në rrugë nga një dëshmitar rasti i cili është dërguar në QKUK, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Politikanja serbe pretendon se u fut ilegalisht në Kosovë për të mbajtur një “tubim kombëtar të serbëve”

    Politikanja serbe pretendon se u fut ilegalisht në Kosovë për të mbajtur një “tubim kombëtar të serbëve”

    Kryetarja e partisë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, ka publikuar një fotografi në rrjetin Social “X, ku pretendon se ka hyrë ilegalisht në Kosovë nëpërmjet maleve.

    “Menduan se edhe sonte do të më ndalojnë, por siç thash: Kush e di cakun, ai e di edhe rrugën, qoftë edhe nëpërmjet maleve. Përshëndetje nga fshati Reçicë!”, ka shkruar ajo.

    Ndërsa, ajo pretendon se është në fshatin Reçicë të komunës së Podujevës, duke mbajtur një “tubim kombëtar të serbëve”.

    “Prej vitesh më bllokojnë hyrjen në Kosovë me pretekstin se po e ‘cenojë rendin e tyre kushtetues’”, ka thënë ajo gjersa ka shtuar se për të është e rëndësishme që të “mbroj rendin kushtetues të Serbisë”.

  • Sot në kryeqytet inaugurohet busti i heroit kombëtar, Hasan Prishtina

    Sot në kryeqytet inaugurohet busti i heroit kombëtar, Hasan Prishtina

    Sot do të inaugurohet busti i heroit kombëtar, Hasan Prishtina, në Prishtinë.

    Inaugurimi i bustit të heroit të kombit do të bëhet nga fondacioni “Hasan Prishtina”, ku pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore nga Kosova e Shqipëria.

    Pjesëmarrës në këtë ceremoni pritet të jenë kryeministri i vendit, Albin Kurti, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e personalitete të tjera.

  • Kurti: E domosdoshme t’i vendosen sanksione Serbisë

    Kurti: E domosdoshme t’i vendosen sanksione Serbisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dy muaj kohë, sipas kryeministri Albin Kurti janë të mjaftueshme për hetime të detajuara lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Përtej kësaj, shefi i Qeverisë theksoi nevojën për ndëshkim të Serbisë, siç tha, që ajo të mos përsëritet më.

    “Në një situatë si ajo e Zveçanit, ato janë tri gjëra që paraqesin të njëjtën gjë, duke mbrojtur ligjin, ne mbrojmë edhe sovranitetin dhe garantojmë siguri… Për të mos ndodhur kjo është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të BE-së, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-së në njërën anë, por edhe sanksionet, masat ndaj Serbisë, në anën tjetër. Nuk mund ta tolerojmë, durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit, si sulm terrorist e kriminal, për këtë arsye duhet të veprohet sot e jo nesër. Për këtë u bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë ta shtrojmë çështjen, kanë kaluar 2 muaj”, tha Kurti.

    Kurti përmendi edhe mosgatishmërinë e Serbisë për nënshkrim të marrëveshjeve, teksa shtoi se Serbia nuk është e interesuar për paqe.

    “Pasnesër bëhen nëntë muaj prej se në Bruksel përfundimisht jemi dakorduar për marrëveshjen bazike, gjatë këtyre nëntë muajve, Serbia i ka shkelur së paku tetë nga 11 nenet e marrëveshjes bazike. Në kushtet kur kemi këso shkeljesh të marrëveshjes, konsiderojmë që aq më tepër nënshkrimi i saj është i domosdoshëm, sepse është nënshkrimi ai që anulon shkeljet dhe garanton pranim dhe zbatim të qëndrueshëm”, tha Kurti.

    I pyetur për draft statutin e Asociacionit, dhe deklaratat e presidentes se ai ka dykuptimësi, Kurti shtoi se ai mund të publikohet vetëm nga emisarët, pasi ishte kërkese e tyre për mospublikim.

    Kreu i ekzekutivit pati kritika për Serbinë, për të cilën tha se ka dëshmuar se Asociacionin synon ta bëjë kundër Kosovës e jo për serbët që jetojnë në vend.

  • S’ka ende nënshkrim, vijon procesi për kontratën KEDS-Elektroserver

    S’ka ende nënshkrim, vijon procesi për kontratën KEDS-Elektroserver

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër afatit të përmendur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, e cila do t’i hapte rrugë faturimit të energjisë eklektike në katër komunat me shumicë serbe në veri, nuk u nënshkrua këtë javë.

    Këtë e konfirmoi për ATV-në Zyra e Rregullatorit për Energji, derisa KEDS-i, Elektroseveri dhe Qeveria e Kosovës vazhduan me heshtje.

    “Ju informojmë se Marrëveshja/Kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit është në proces e sipër”, thuhet në përgjigjen e Zyrës Rregullatorit për Energji.
    Pasi tha se nuk ka lajm për të dhënë lidhur me këtë çështje, zëdhënësi për Politikë të Jashtme i BE-së, Peter Stano, theksoi se u takon palëve të merren vesh për dëmin buxhetor, si pasojë e mosfaturimit që nga licencimi i Elektroseverit.

    “Si lehtësues të procesit, ne përpiqemi t’i ndihmojmë palët e përfshira të gjejnë zgjidhje, por nuk flasim në emër të tyre. Lidhur me përgjigje praktike në pyetje praktike e konkrete, për ndikimin në buxhetin e Kosovës, kush çfarë paguan, kjo është diçka që duhet të trajtohet nga akterët kryesorë dhe partnerët kontraktualë. Ne jemi aty për t’iu ndihmuar t’i gjejnë zgjidhjet më të mira”, tha Stano.

    Të enjten, ATV-ja raportoi se puna për finalizimin e kontratës po vijon, pas disa propozim-ndryshimeve të paraqitura në përmbajtje nga Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak, më 16 Nëntor, në Bruksel.

    Që nga licencimi në Kosovë të kompanisë bijë të ndërmarrjes shtetërore energjetike të Serbisë, si pasojë e mos-faturimit në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok dëmi buxhetor është rreth 60 milionë euro.

    Kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit për nën-kontraktim të energjisë, sipas Udhërrëfyesit për Energjinë, do të duhej të ishte nënshkruar më së largu 10 ditë nga data e licencimit të kompanisë me seli në Mitrovicë të Veriut.

    Në shkurt të këtij viti, kryeministri Albin Kurti njoftoi se kostoja e përgjithshme buxhetore nga mos-pagesa e energjisë elektrike në katër komunat në veri, që nga viti 1999, pa llogaritur koston e këtij viti, është rreth 320 milionë euro.

  • Poeti Lulzim Tafa dekorohet me titullin “Oficer i Letrave dhe Arteve” nga Presidenti Macron

    Poeti Lulzim Tafa dekorohet me titullin “Oficer i Letrave dhe Arteve” nga Presidenti Macron

    Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, njëherësh një ndër poetët kosovar më të njohur në botë, është dekoruar nga shteti francez me titullin “Oficer i urdhrit kombëtar të letrave dhe arteve”. Kjo dekoratë është më e larta në fushën e artit dhe letërsisë nga Franca, ndërsa është edhe dekoratat më e lartë të cilën e ka marrë deri tani ndonjë shkrimtar nga Kosova.

    Ceremonia e dekorimit u zhvillua në Ambasadën e Francës në Prishtinë, ku ambasadori Olivier Guérot, në emër të presidentit të Francës, Emanuel Macron, i dorëzoi poetit dhe profesorit, Lulzim Tafa, titullin “Oficer i urdhrit kombëtar të letrave dhe arteve”.

    Ambasadori Guérot, në fjalën e tij, përgëzoi rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Tafës, duke thënë: “Kombinimi i identitetit profesional të Lulzim Tafës, si poet dhe profesor, është një përzierje e jashtëzakonshme që ndërthur racionalitetin me një ndjeshmëri të thellë. Arritjet e tij akademike në fushën e së drejtës penale, krahas kontributeve të tij në kulturë, ilustron më së miri përkushtimin dhe talentin e tij të shumanshëm”.

    ”I nderuar zoti Tafa, si shumë nga bashkëqytetarët tuaj, lufta ju goditi fort, duke ju shkatërruar shtëpinë, duke shkatërruar bibliotekën tuaj me librat dhe fotografitë e saj, si dhe të gjitha 300 poezitë e shkruara me dorë. Me durimin, këmbënguljen dhe besimin në njerëzim, ju keni gjetur forcën përsëri dhe keni vazhduar punën, duke botuar vepra të shumta shkencore dhe letrare”, tha ambasadori Guérot.

    Ai përmendi se janë të shumta Çmimet Ndërkombëtar për Letërsi, të cilat i ka marrë poeti Tafa, si dhe puna e këtij të fundit që është përkthyer në shumë gjuhë, si në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, serbisht, kroatisht, gjuhën malazeze, boshnjakisht, rumanisht, arabisht, greqisht, turqisht, suedisht, etj.

    Duke reflektuar për nderimin që i është bërë, poeti dhe profesori Lulzim Tafa shprehu mirënjohjen e tij, ku theksoi se është thellësisht i nderuar që e merr këtë dekoratë prestigjioze, duke shprehur respektin e tij më të lartë për kombin francez, presidentin Macron dhe Ambasadën e Republikës së Francës në Kosovë.

    “Kjo njohje ka një rëndësi të madhe për artin dhe letërsinë franceze, një sferë që unë e admiroj thellësisht, veçanërisht poezinë, ku qartësia dhe pastërtia e shprehjes janë shenja dalluese të shkrimtarëve francezë. Vetëm një shpirt i madh, si ai i kombit francez, di të respektojë dhe nderojë kombet e vogla, të nderojë letërsinë e kombeve të vogla si dhe poetët e tyre. Mua më pëlqen letërsia franceze, veçanërisht poezia. Letërsia, si çdo gjë tjetër, po zhvillohet çdo ditë. Por kam besim se letërsia franceze do të rezistojë në çdo kohë, siç shkruajnë me qartësi dhe pastërti shkrimtarët francezë. Kjo e bën unike edhe letërsinë franceze”, tha poeti Tafa.

    Ai tha se edhe si rektori Kolegjit AAB, është mirënjohës për bashkëpunimin e madh me Ambasadën e Francës në Kosovë.

    Poeti Tafa shtoi se nderime të tilla si ky nder i madh që e mori sot nuk e bëjnë atë një shkrimtar më të madh apo më të rëndësishëm, por e bëjnë më të sigurt në punën e tij krijuese.

    “Besimi për një poet ka një rëndësi të madhe, veçanërisht kur kjo vjen nga Franca, djepi i kulturës së kontinentit tonë. Unë besoj në fuqinë e poezisë. Gjatë gjithë jetës sime si krijues, kam marrë shumë nderime dhe dekorata, ku nderimet e mia më të fundit janë nga Ukraina. Aty jam nderuar nga Akademia dhe Patriarku i Shenjtë, si dhe nga organizatat e shkrimtarëve. Më nderuan sepse u përpoqa ta ndaloja atë luftë edhe para se të fillonte, me poezi. A mund ta imagjinoni se sa larg mund të shkojë imagjinata e poetit? Një poet nuk ka kurrë problem me imagjinatën. Një poet ka problem me realitetin. Dhe ky realitet nuk është ai që e donim”, u shpreh poeti Tafa.

    Ai tha se ky nder që iu bë nga Faranca, i jep edhe më shumë motivim që ta vazhdojë punën e tij krijuese.

    “Si poet, do të përpiqem që vargjet e mia t’i shërbejnë lexuesit për kënaqësi shpirtërore, ndërsa si jurist, profesor dhe drejtues, do të punoj që vendin tonë ta bëjmë më të jetueshëm, sepse e kemi detyrim ndaj brezave që vijnë. Ne duhet të kujdesemi për të krijuar më të mirën e humbur, jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët, eko-sistemin dhe të gjitha krijesat e planetit tonë”, tha poeti Tafa.

    Në ceremoninë e ndarjes së titullit “Oficer i urdhrit kombëtar të letrave dhe arteve” për poetin dhe profesorin Lulzim Tafa që u zhvillua në Ambasadën e Francës në Prishtinë, morën pjesë edhe shumë personalitete të njohura, ndër ta edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, PEN Qendra e Kosovës e ka uruar Lulzim Tafën për marrjen e këtij çmimi prestigjioz dhe e ka falënderuar Francën për përzgjedhjen e anëtarit të PEN Qendrës për dhënien e kësaj dekorate.

    PEN Qendra e falënderoi Lulzim Tafën për kontributin që ka dhënë në këtë Asociacion dhe i dëshiron edhe shumë çmime e dekorata të tjera në fushën e artit në të cilën ai shquhet-poezi. /atvlive.tv