ATV

Tag: Ballina

  • Cooper: Nëse s`e pranon Marrëveshjen e Ohrit, Serbisë i mbyllen dyert në BE

    Cooper: Nëse s`e pranon Marrëveshjen e Ohrit, Serbisë i mbyllen dyert në BE

    Ish-ndërmjetësi britanik në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper e ka akuzuar Serbinë për moszbatimin e Marrëveshjes me Kosovën. Sipas Cooper, Serbia duke e kundërshtuar Marrëveshjen e Ohrit që të jetë pjesë e Kapitullit 35, po mbyll derën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Me këtë qëndrim diplomati britanik në pension reagoi ndaj pretendimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se përfshirja në kornizën e negociatave të dokumenteve të dakorduara mes Kosovës dhe Serbisë në gjysmën e parë të vitit 2023, do të thotë se BE po ia mbyll derën Serbisë, shkruajnë mediet serbe duke u thirrur në një kronikë të Zërit të Amerikës.

    “Bashkimi Evropian nuk dëshiron të jetë pjesë e problemit, por do që ta zgjidhë atë. Misioni i tij është që të gjithë anëtarët e unionit të kenë një lloj marrëdhënieje, jo normale, por supernormale me fqinjët e tyre”, tha Cooper, i cili ndërmjetësoi dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në periudhën 2011-2012.

    Kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim të Serbisë përfshin marrëdhëniet fqinjësore, pra rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën.

    “Ideja për ta futur Serbinë në Bashkimin Evropian, ndërkohë që refuzon të njohë pavarësinë e fqinjit të saj dhe ta pranojë atë si një shtet më vete, nuk është në thelb të BE-së. Kjo do të forconte ndarjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo që duam është që ato ndarje të zhduken”, ka deklaruar Cooper.

    Në samitin e liderëve evropianë në fund të javës së ardhshme, Këshilli Evropian duhet të shpallë konkluzionet për zgjerim ku përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Është gjithashtu e nevojshme të theksohet se Serbia aktualisht nuk vepron si një kandidate e besueshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. I mjafton një Viktor Orban. Serbia është një demokraci në formë, por a është ajo në realitet… A janë media të lira dhe a kanë të gjithë akces të barabartë në të… A do ta pasojë një parti tjetër partinë në pushtet në të ardhmen e afërt? Unë do të thosha jo”, thotë Cooper.

  • ​BE kërkon normalizim urgjent të raporteve në rajon si kusht për planin ekonomik

    ​BE kërkon normalizim urgjent të raporteve në rajon si kusht për planin ekonomik

    Bashkimi Evropian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike i miratuar më 8 nëntor nga Komisioni Evropian.

    Kështu u tha gjatë një debati në Bruksel kushtuar procesit të zgjerimit të organizuar nga “Miqtë e Evropës”.

    Plani për rritje ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor parasheh një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Sipas planit, nga kjo shumë, deri në 2 miliardë euro do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.

    Në debat morën pjesë edhe Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, drejtori i përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Jan Coopman dhe shumë pjesëmarrës tjerë.

    Coopman tha se qëllimi i BE-së është t’i integrojë sa më shumë vendet e rajonit edhe para se të bëhen anëtare të BE-së, përfshirë edhe integrimin në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian.

    Në takim morën pjesë edhe ministrat nga disa vende të rajonit. Ata mbështetën idenë për integrimin gradual para integrimit formal në BE, por jo të shihet si alternativë e anëtarësimit.

    “Për të realizuar këtë, rajoni duhet t’i tejkalojë problemet e hapura. Nuk mund të pranojmë vende, të cilat kanë raporte të helmuara”, tha Coopman duke përmendur çështjet e hapura rreth kufijve.

    Këto kushte, sipas diplomatëve në BE, kanë të bëjnë para së gjithash me Kosovën dhe Serbinë, të cilat janë të përfshira në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Ne do ta kushtëzojmë planin e rritjes me normalizimin e raporteve. Kjo duhet të Duhet të ketë përparim në këtë [aspekt]. Nuk kemi më kohë për të pritur”, deklaroi Coopman. Ai tha se vlera e mjeteve nga ky plan është e madhe dhe nëse shtetet nuk i shfrytëzojnë, qytetarët do të humbasin.

    Ministri për çështje evropiane i Çekisë, Martin Dvorak, rikujtoi se nuk do të ketë mundësi për asnjë vend kandidat që të shmangë përmbushjen e kritereve në procesin e avancimit drejt BE-së.

    Ndërsa, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, bëri thirrje që BE-ja të dëshmojë se kësaj radhe mundësia për integrim në BE është vërtet reale. Ai tha se Serbia po bën shumë në procesin e reformave sikur edhe në ndihmën për Ukrainën.

    “Serbia po bën shumë për Ukrainën, por ju lutem të mos e bëni të madhe këtë, sepse nuk do të ishte në interes të të gjithëve në Serbi“, tha Hill.

    Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

    Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian më 8 nëntor të këtij viti është i bazuar në katër shtylla.

    Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”. Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

    Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

    Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

    Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

    Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

    Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”. /rel/

  • Projektbuxheti në Kuvendin e Shqipërisë, deputetë të opozitës përmbysin karriget para foltores

    Projektbuxheti në Kuvendin e Shqipërisë, deputetë të opozitës përmbysin karriget para foltores

    Deputetë të opozitës vijuan edhe sot (e enjte) bllokimin e seancave plenare të Kuvendit në Shqipëri. Teksa pritet nisja e seancës plenare, ku do të votohet nen për nen dhe në tërësi projektbuxheti i vitit 2024, një grup deputetësh të opozitës u përpoqën të vendosin karrige në foltoren e Kuvendit, por janë ndaluar nga Garda e Republikës, e cila nuk lejoi deputetët t’i afrohen foltores.

    Deputetët e opozitës vijuan të qëndrojnë përballë punonjësve të Gardës, duke debatuar, shkruan ATSh.

    Për shkak të trazirave në sallën e seancave plenare ditën e hënë, u përjashtuan 6 deputetë të opozitës për 10 ditë. Kështu pjesë e seancës sot nuk do të jenë Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti.

  • Rama: Nëse Kosova do ta pranonte propozimin tim për Asociacionin, do kishte rezultat më të mirë

    Rama: Nëse Kosova do ta pranonte propozimin tim për Asociacionin, do kishte rezultat më të mirë

    Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet në veri të Kosovës, ku tha se Shqipëria ka mbajtur qëndrimin e duhur.

    I ftuar në A2 CNN, Rama tha se Kosova do duhet t’ia imponojnë Serbisë njohjen e Kosovës, vetëm duke u ulur në tryezë.

    “Nuk kam pasur iluzione për asnjë, nga këto aktorët publik që i njoh, nuk kam qëndrime për të modifikuar, të kthehesha pas ,do i bëja sërish, nuk jam i kushtëzuar në qëndrimet e mia, kur ndodh diçka si në Banjskë mbajta qëndrimin e duhur, nuk duhet të jemi linear, por fleksibël në përpjekje për ta çuar kauzën aty ku duhet, dhe kjo arrihet vetëm të mundin Serbinë në tryezë, ta imponojmë në tryezë njohjen e Kosovës.

    Ai tha se nëse Kosova do të pranonte propozimin e tij për Asociacionit, do kishte rezultate më të mira.

    “Tani që është bërë fakt publik propozimi që kam bërë unë për Asociacionit, e kanë parë që do ishte më e udhës të mos ta kishin përjashtuar, por ta kishin lexuar, se do kishin dalë në një rezultat edhe më të mirë”, u shpreh kreu i qeverisë.

  • 22 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

    22 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

    Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar më 7 dhjetor 2001 pas presionit të ndërkombëtarëve për të liruar të burgosurit politikë të regjimit serb.

    Kurti u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000, në burgun e Nishit.

    Procesi gjyqësor ndaj Kurtit ka filluar më 9 mars 2000, ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”, sipas nenit 116.

    Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit. Intervista e dhënë në burg është më 22 prill 2000.

    Prej nëntorit 2000 deri më 3 dhjetor 2001 ka qenë në burgun e Quprisë, ndërkaq prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit.

    Përveç burgut në Serbi, Kurti është arrestuar disa herë edhe në Kosovë.

  • Policia bastis një shtëpi në veri, gjen uniforma policore e ushtarake dhe shok-bombë

    Policia bastis një shtëpi në veri, gjen uniforma policore e ushtarake dhe shok-bombë

    Pasditen e sotme, Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në një shtëpi në Mitrovicë të Veriut, nën dyshimin për gjësende të kundërligjshme. Pas kontrollit janë sekuestruar prova të ndryshme, teksa tashmë kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

    Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se në shtëpinë që u bastis janë gjetur disa uniforma policore dhe disa ushtarake, por edhe një shok bombë e pajisje të tjera.

    Sipas informacioneve të para, shtëpia që u kontrollua dyshohet se ka qenë e pabanuar dhe nuk dihen detaje të tjera nëse persona të caktuar e kanë shfrytëzuar për strehim apo si kanë përfunduar uniformat që u gjetën aty bashkë me mjetin shpërthyes.

    Njësitë policore që intervenuan në vendin e ngjarjes kanë sekuestruar të gjitha dëshmitë, ndërkohë që lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.

    Me urdhër të tij tashmë është iniciuar hetim dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren edhe veprimet e tjera të nevojshme.

  • Ende s’ka raport final për 24 shtatorin, Serbia mund të përfitojë

    Ende s’ka raport final për 24 shtatorin, Serbia mund të përfitojë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Institucionet e Kosovës ende nuk e kanë hartuar raportin hetimor përfundimtar për sulmin terrorist-paramilitar të 24 Shtatorit në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, heroi Afrim Bunjaku.

    Pavarësisht fakteve të prezantuara nga Kosova, për rolin dhe përgjegjësinë e Serbisë në sulmin e udhëhequr nga Milan Radojicic, Bashkimi Evropian kërkon raportin përfundimtar, para se eventualisht të ndërmarrë masa ndëshkuese.

    I pamjaftueshëm është raporti preliminar, të cilin Qeveria ia kishte dërguar BE-së në Tetor.

    “Ne kemi pranuar informacione nga partnerët për sulmin e 24 Shtatorit, përfshirë Kosovën dhe presim raportin final”, ka thënë zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

    Policia, Prokuroria dhe Qeveria nuk treguan se kur do ta dorëzojnë raport final.
    Megjithatë, ATV-ja mësoi se punët për hartimin e tij po vazhdojnë dhe se synimet janë që ai të jetë gati në tremujorin e ngjarjes – më 24 Dhjetor.
    Mosfinalizimi i raportit para samitit të Këshillit Evropian, më 14 dhe 15 Dhjetor, vlerësohet se mund të çojë në humbje momentumi, pasi samiti i radhës, i pari në vitin 2024, është i paraparë tek në muajin Mars.

    “Këshilli Evropian është organi më i lartë që merr vendime, së bashku me Parlamentin Evropian. Do të ishte jashtëzakonisht pozitive që të dorëzohej para kohe, që ministrat dhe shefat e vendeve evropiane të kenë kohë të lexojnë dhe, mbi bazën e atij raporti, t’i marrin vendimet e duhura. Normalisht, kurdo që dorëzohet është mirë. Por, mendoj se në këtë rast shpejtësia është shumë e nevojshme, sepse në mars shumë gjëra mund të ndryshojnë”, tha profesori Dritëro Arifi.

    Veprimi më i shpejtë, sipas profesorit Dritëro Arifi do ta ndihmonte Kosovën edhe në procesin e dialogut me Serbinë.

    “Sa më shpejt të konkretizohet dhe të dorëzohet, sepse në njëfarë mënyre do të ishte edhe një element shtesë në dialog apo përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi. Pra, do t’i kristalizonte shumë gjëra për disa vende që kanë ende mëdyshje se çka është dhe si sillet Serbia, si një vend kandidat i BE-së”, tha Arifi.

    Bashkimi Evropian nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, lidhur me sulmin e 24 Shtatorit, me arsyetimin se po presin që hetimet e institucioneve të Kosovës të dëshmojnë rolin dhe përgjegjësinë e shtetit serb në këtë ngjarje.

  • KQZ-ja s’i merr parasysh kërkesat për shkarkim të kryetarëve në veri

    KQZ-ja s’i merr parasysh kërkesat për shkarkim të kryetarëve në veri

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu ka kthyer përgjigje banorëve serbë të cilët kërkuan shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.

    Sipas KQZ-së kërkesat duhet të dorëzohen në Kuvendet Komunale përkatëse.

    “Mund t’iu konfirmoj se shkresat të cilat i kemi pranuar më 5 dhjetor përmes e-mailit, janë shqyrtuar dhe u kemi kthyer përgjigje, me anë të të cilave i kemi njoftuar se, sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet te Kryesuesi i Kuvendit Komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Faktin që serbët iu drejtuan KQZ-së me arsyetimin se autoritetet lokale refuzuan “iniciativën” e tyre, Selatin Kllokoqi nga Demokraci Plus i sheh më shumë si lojë politike.

    Megjithatë zgjedhje në katër komunat veriore zor që mund të ketë në një periudhë të afërt kohore.

    Sidoqoftë, kurdo që mbahen zgjedhjet, qytetarët në katër komunat veriore e kanë edhe një alternativë më shumë. Paraprakisht, KQZ-ja votoi për regjistrimin e partisë politike “Srpska Demokratija”.

    Ndërkohë, sipas Udhëzimit Administrativ, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, KQZ-ja njofton kryesuesin e kuvendit komunal, dhe grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

    Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht dhe t’i dorëzojë te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja.

    Nëse KQZ-ja konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani tha se nuk ka informacione rreth peticionit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

  • S’dihet kur do të fillojë zbatimi i ligjit që mban dhunuesin larg viktimës

    S’dihet kur do të fillojë zbatimi i ligjit që mban dhunuesin larg viktimës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Vrasja e Hamide Magashit në oborrin e Gjinekologjisë nga burri i saj, pati ngritur alarmin tek institucionet për zbatimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike, i cili ishte miratuar qysh në vitin 2015.

    Një ditë pas varrimit të Magashit, Ministrja e Drejtësisë njoftoi se Qeveria do t’i ndajë 3 milionë euro për byzylykët që sinjalizojnë Policinë kur dhunuesi i afrohet viktimës.

    Ekzekutivi, për këtë ligj, në prill të 2023-tës, i ndau 600 mijë euro. Por, zbatimi ende nuk ka filluar. Derisa, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje se kur mund të vendosen hallkat e para, Ministrja e Drejtësisë, të martën foli vetëm për rëndësinë.

    Zvarritja e zbatimit të këtij ligji, sipas njohësve të fushës së drejtësisë, mund të çojë në viktima të tjera.

    “Derisa nuk zbatohet një ligj që është miratuar kaq moti, është tregues se mund të ketë raste të tjera të dhunës…”, tha avokati Yll Zeka.

    Megjithatë, një tjetër avokat propozon që vendosja e rrathëve sinjalizues, kurdo që ndodhë, të bëhet me kujdes.

    “Byzylykët nuk duhet të jenë të dukshëm, sepse kryerësit e veprave bëhen target i sulmeve…”, tha avokati Visar Rrecaj.

    Derisa Ligji për mbikëqyrje elektronike nuk është zbatuar disa gra të vrara në Kosovë viteve të fundit, u vranë derisa kishin urdhër mbrojte nga gjykata.

  • Presidentja Osmani do ta ftojë opozitën në takim për draft-statutin e Asociacionit

    Presidentja Osmani do ta ftojë opozitën në takim për draft-statutin e Asociacionit

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një prononcim për medie, tha se t’i ftojë për takim partitë opozitare që të diskutojë në lidhje me draft-statusin e Asociacionit, që javë më parë e ka pranuar kryeministri Albin Kurti nga BE-ja e ShBA-ja, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se me ta do të diskutoj në lidhje me komentet dhe vlerësimet sa i përket këtij drafti dhe se të gjitha ato komente të inkorporohen në përmirësimin e këtij drafti.

    “Atëherë ne do të presim në momentin që ata e publikojnë drafti nuk besoj që do të ketë ndonjë problem që të publikohen edhe komente e institucioneve. Në momentin që dokumenti shkon në Gjykatën Kushtetuese, siç është paraparë në draft statut si president e vendit do t’i dërgojë komete të cilat kanë për qëllim që ky draft të eliminoj disa prej këtyre paqartësive. Së shpejti do ti thërras edhe partitë opozitare ne takim që të dëgjoj, pasi që e kanë marr edhe ata draftin se cilat janë vlerësimet e tyre, cilat janë komente e tyre cilat janë çështje që ata dëshirojnë që ata të sqarohen dhe do t’i inkorporoj edhe ato komente, natyrisht të gjitha ato më të cilat pajtohemi dhe kemi vlerësimin e njëjtë në mënyrë që të përforcohen dhe të bashkohen zërat tanë për të gjitha ato çështje që mendojmë që të përmirësohet ky draft”.

    “Tani për fund vite do t’i ftoj partitë opozitare për konsultime për këtë temë dhe shumë tema të tjera, që kanë të bëjnë me interesin nacional. Do t’i njoftoj edhe ata për çështjet që i kam identifikuar  edhe unë dhe kabineti im. Jam e bindur që përderisa e kemi qëllimi që të mos lejojmë ndonjë trup, i cili i shkakton probleme Kosovës atëherë do të kemi mundësi që të arrijmë atë nëpërmjet mekanizmave që ekzistojnë në Kosovë”, tha ajo.