ATV

Tag: Ballina

  • ​Edward Joseph: Daçiq në Shkup shkeli Marrëveshjen e Ohrit, ShBA e BE të jenë të vëmendshme

    ​Edward Joseph: Daçiq në Shkup shkeli Marrëveshjen e Ohrit, ShBA e BE të jenë të vëmendshme

    Eksperti i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe profesori amerikan i Universitetit “John Hopkins” në Washington, Edward P. Joseph, ka thënë se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit, duke iu referuar deklaratës së Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili në Shkup ditë më parë kishte thënë se Kosova kurrë nuk do të bëhet anëtare e e OSBE-së.

    “Me afrimin e Këshillit Evropian – me konkluzionet kyçe për Serbinë dhe Kosovën në ekuilibër – Ministri i Jashtëm serb Daçiq vazhdon të avancojë kërkesën e Kosovës që Beogradi në fakt të nënshkruajë të tre propozimet e mbështetura nga BE/SHBA. Më 4 dhjetor, Daçiq nënvizoi deklaratën e presidentit Vuçiq se ai nuk e kishte nënshkruar propozimin franko-gjerman. Prandaj, Daçiq tha se, “kjo do të thotë se ne nuk pranojmë asnjë interpretim që nënkupton njohjen e Kosovës dhe se nuk ka hyrje në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në platformën X.

    “Por bllokimi i Serbisë nuk kufizohet vetëm me hyrjen e Kosovës në OKB. Daçiq: “Ajo që është e mirë për OSBE-në është se Kosova nuk mund të bëhet kurrë anëtare e asaj organizate sepse për të kërkohet konsensus dhe Serbia nuk do të pajtohet kurrë me të. Procesi i vendimmarrjes është i tillë që vendimet merren unanimisht. Kjo do të thotë se Serbia duhet të pajtohet me të dhe Serbia kurrë nuk do të pajtohet me të. Është absolutisht e pamundur”, ka thënë Joseph.

    Ai tha se deklarata e ministrit serb është në kundërshtim ndaj Marrëveshjes së shkurtit për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë, teksa tha se ShBA e BE- duhet të jenë të vëmendshme ndaj kësaj deklarate.

    “Kjo është në kundërshtim flagrant me nenin 4 të Marrëveshjes së shkurtit BE/SHBA për Rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vërejtjet e Daçiqit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup javën e kaluar shkojnë përtej retorikës zgjedhore. Ato janë deklarata të qarta të politikës së kahmotshme serbe. Zyrtarët e SHBA/BE: kini parasysh.”, është shprehur profesori amerikan.

  • ​Kurti: Presim dënim maksimal për autorët e krimit të vrasjes së Liridona Ademajt

    ​Kurti: Presim dënim maksimal për autorët e krimit të vrasjes së Liridona Ademajt

    Një minutë heshtje është mbajtur në hapje të konferencës rajonale “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi nga të pranishmit që të mbajnë një minutë heshtje për Liridona Ademaj, e cili u vra ditë më parë.

    Kurti ka kërkuar zbardhjen e plot të këtij rasti dhe dënim malsimal për vrasësit. Butësia e dënimit, siç tha ai, po shkakton përsëritjen e këtyre rasteve.

    “Po ndodh çdo vit, sepse rastet janë të shpeshta, por shpesh është edhe një, meqenëse nuk duhet asnjë. Lidirona Ademaj u rivarros dje. Rivarrimi saj është një akt i drejtë…Zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi e i drejtë presim të jetë dënimi, pra maksimal. Rastet e rënda si këto nuk mund të na lejojnë t’i mbyllim sytë para dhunës së përhapur gjiniore. Po punojmë në krijimin e një mjedisi ligjor të fuqishëm kundër dhunës me bazë gjinore duke plotësuar dhe ndryshuar kodin e procedurës penale, duke ashpërsuar masat për kryerësit e veprave penale të dhunimit, dhunimit seksual dhe të dhunës në familje…Kujdesi për funksionimin e gjithë mekanizmave ndërveprues prej raportimit deri tek trajtimi, gjykimi, pra të drejtësia përfundimtare është dhe do të jetë prioritet i lartë në qeverinë tonë. Por, ajo që na duhet më së shumti tani, çfarë i duhet shoqërisë dhe drejtësisë është një sistem prokurorial dhe gjyqësor shumë më aktiv e shumë më efektiv. Pesha e padrejtësive nuk mund të vazhdojë të bije mbi supet e grave dhe vajzave, as mbi supet e fëmijëve e të pleqve, të varfurëve e të shtypësve, personave të sfiduar nga çdo rrethanë tjetër, institucionet janë të obliguara të jenë gjithmonë përkrah atyre që ju bëhet çfarëdo padrejtësie…Ne nuk mund të vendosim për jetën e askujt, as gruaja e as burri, vajza e djali nuk janë pronë e askujt, të gjithë njerëzit janë të lirë me të drejta të barabarta”, deklaroi Kurti.

    Kurti po ashtu ka kujtuar se disa prej rasteve më të rënda gjatë luftës në Kosovë kanë qenë kur forcat serbe dhunuan vajza e gra dhe në shumë raste edhe në prani të familjarëve, për çka tha, se kjo dukuri duhet të zhduket përgjithmonë.

    Ndërsa ka përmendur edhe rastin e 14-vjeçares në Shkup, për të cilën tha se duhen dënime meritore.

    “Disa prej rasteve më të rënda gjatë luftës në Kosovë kanë qenë kur forcat serbe dhunuan vajza e gra dhe në shumë raste edhe në prani të familjarëve. Në qendër të kryeqytetit tonë Prishtinës, e kemi memorialin “Heroinat” kushtuar 20 mijë grave e vajzave të dhunuara gjatë luftës, ne qe përkulemi tek ai memorial kemi përgjegjësinë që të luftojmë bashkë këto raste të shndërruara në dukuri kur gratë dhe vajzat e vendit tonë të lirë po dhunohen e vrahen, madje edhe në prezencën e fëmijëve tyre, e gjithë kjo nga vet partnerët e tyre, burrat e kësaj shoqërie. Është fakt që dhuna e grave është fenomen global, e i lidhur edhe me valën në ngritje te ekstremit të djathtë, megjithatë është një dozë edhe më e thellë e dhembshurisë kur femicidi shfaqet në një shoqëri edhe pas mbijetimit të gjenocidit… Kemi nevojë që i tërë sistemi i drejtësisë t’i bëjë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave dhe të jap dënime të merituara për dhunuesit e kriminelet. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit, vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë e demokratike. Është koha e fundit të vetëdijesohemi e të veprojmë së bashku”, shtoi Kurti.

    Shefi ekzekutivit shtoi se në këtë drejtim kanë përmirësuar qasjen në shërbime sociale duke i ngritur mbështetjen për këto shërbime dhe duke siguruar qëndrueshmëri financiare për strehimorët e të mbijetuarave të dhunës në familje përmes rritjes së buxhetit dhe linjës së veçantë buxhetore për to.

    Mes tjerash, ai theksoi se në fillim të fushatës globale gjatë vitit të kaluar një grua u vra me sopatë e disa ditë më pas edhe Hamide Magashi, e cila ishte shtatzënë.

    Edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se presin dënimet më maskimale për vrasësit e Liridona Ademaj, e cila dje u rivarros në fshatin e saj të lindjes.

    “Pas një pune intensive, akterët e vrasjes së Liridonës janë arrestuar dhe të gjithë presim dënimet më të larta për kryerjen e këtij krimi të rëndë. Dje Liridonës ja dhamë lamtumirën e fundit, ajo do të pushojë në paqe në fshatin e lindjes, pro ne si shoqëri dhe institucione nuk do të jemi të qetë derisa ta ndërtojmë një shoqëri kur respektohet dinjiteti i vajzave, grave dhe jeta e tyre. Krimi mbi Liridonën është një alarm që nuk duhet të pushojë deri të arrijmë një shoqëri ku ka drejtësi dhe barazi”, u shpreh ajo.

    Haxhiu theksoi se gjatë këtyre ditëve do të lansohet programi për punësimin e viktimave të dhunës në familje.

    Ndërsa, ish kryetarja e Grevio, Itis Luaras tha se në këtë drejtim Konventa e Stambollit njihet gjerësisht si instrumenti ligjor më i drejtë.

    “Dy vjet më parë, ne festuam vitin e dhjetë të hapjes për nënshkrimet e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje e njohur më mirë si Konventa e Stambollit. Kjo është një kujtesë e rëndësishme që një dekadë më parë shqetësimi për të drejtën njerëzore të grave dhe vajzave për të jetuar një jetë pa dhunë, nxiti shtatë qeveritë të negociojnë standardet ligjërisht të detyrueshme që ne kemi tani. Konventa e Stambollit njihet gjerësisht si instrumenti ligjor më i drejtë, i cili përcakton detyrimet për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, dhe është cilësuar si një standard i artë nga Kombet e Bashkuara. Në momentin që po flasim ka një kontest rreth Konventës së Stambollit dhe nuk po ndodh kështu sepse disa shoqëri apo disa vende janë tradicionale apo konservatore. Sigurisht, ky mund të jetë një faktor kontribues, por kjo nuk është arsyeja pse kjo po ndodh. Ka grupe të caktuara akterësh transnacionalë që punojnë kundër të drejtave të njeriut, ata që ne kanë sajuar problemin me konventën dhe kanë ndërtuar një sërë gënjeshtrash dezinformatash rreth konventës, të cilat më pas u shpërndanë në mënyrë shumë strategjike përmes një sërë mjetesh dhe akterësh”, tha Luaras. /kp

  • Kryediplomatja gjermane: Evropa nuk duhet të ketë zona gri

    Kryediplomatja gjermane: Evropa nuk duhet të ketë zona gri

    Gjermania po koordinon bashkëpunimin me Slloveninë në fushën e sigurisë, reformave të brendshme dhe zgjerimit të Bashkimit të Evropian.

    Këtë e bëri të ditur ministrja gjermane e punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, para nisjes së saj për në Lubjanë, të hënën në mbrëmje, 4.12.2023.

    “Në një botë në të cilën krizat dhe konfliktet po afrohen në fqinjësinë e afërt të Evropës, ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian që do të veprojë shpejt dhe me vendosmëri”, tha ajo.

    “Gjermania dhe Sllovenia janë të bashkuar në synimin për të forcuar Evropën tonë të përbashkët, duke e bërë atë të përshtatshme për të ardhmen dhe duke përfshirë në mesin tonë vendet e Ballkanit Perëndimor. Për ne, një Bashkimi Evropian i fortë, si NATO, është një politikë e pazëvendësueshme e sigurimit të jetës në kohë të pasigurta”, tha shefja e diplomacisë gjermane.

    Politikania e gjelbër u shpreh më tej se “Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin plotësisht Bashkimit Evropian.

    Kjo nuk është një frazë boshe, por për interesat tona të sigurisë – në Lubjanë, në Berlin dhe në mbarë Evropën.

    Kjo kërkon reformat e nevojshme në vendet që duan të bëhen pjesë e familjes evropiane.

    Por BE-ja duhet ta mbajë fjalën dhe të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e zgjerimit kur të plotësohen kushtet”.

  • Profesori nga Serbia kandidat në zgjedhje – ai e pranon gjenocidin në Srebrenicë: NATO-ja e ka penguar një të tillë në Kosovë

    Profesori nga Serbia kandidat në zgjedhje – ai e pranon gjenocidin në Srebrenicë: NATO-ja e ka penguar një të tillë në Kosovë

    Ivan Videnoviq, nënkryetar i “Glas” dhe profesor universitar nga Beogradi, ka publikuar një video në rrjetet sociale në të cilën mbështet tezat se në Serbi bien në “tema tabu”.

    “Në këto zgjedhje ne garojmë për një politikë tjetër, një politikë qëndrimesh të qarta për çështjet urgjente të vendit dhe shoqërisë sonë.

    Ajo reflektohet në një “po” të qartë dhe të pakushtëzuar në lidhje me anëtarësimin e menjëhershëm të Serbisë në NATO dhe përmbushjen e përshpejtuar të kritereve për anëtarësimin e vendit në BE, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë dhe ndihmën ushtarako-politike për Ukrainën” – theksoi Videnoviq.

    Veç kësaj, Videnoviç thekson “normalizimin me Kosovën dhe marrëdhëniet më të ngushta miqësore me Kosovën, njohjen e gjenocidit në Srebrenicë dhe ndërtimin e një kulture të kujtimit dhe përballjes me krimet e luftës, si dhe deklerikalizimin vendimtar të shtetit dhe sektorin publik”.

    “Gjenocidi u krye në Srebrenicë “Po” për anëtarësimin e menjëhershëm të Serbisë në NATO, “po” për sanksionet kundër Rusisë dhe ndihmën ushtarake dhe politike për Ukrainën, “po” për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Dhe po, sigurisht, në Srebrenicë është bërë gjenocidi dhe NATO-ja e ka penguar në Kosovë” – thotë Videnoviq.

  • Halitjaha vazhdon dëshminë në Speciale

    Halitjaha vazhdon dëshminë në Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

    Dëshmitari i 36-të i ZPS-së, Sadik Halitjaha, ka dhënë dëshminë edhe gjatë ditës së hënë.

    Halitjaha, u është përgjigjetur pyetjeve të gjykatësit lidhur me dëshminë e sa i përket zinxhirit komandues në zonën operative të Pashtrikut.

    Dëshmitarit Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij, iu është prezantuar një dokument që thuhet se është raport pune në Kleçkë i nënshkruar nga një person me emrin Agim Zogaj.

    Sipas asaj që u tha nga trupi gjykues, pretendohet se Zogaj ka qenë drejtor i burgut në Kleçkë.

    Halitjaha në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshminë e tij do ta vazhdojë edhe sot.

  • Abortet selektive, shqetësuese për institucionet

    Abortet selektive, shqetësuese për institucionet

    Përgatiti: Sara Shehu

    Rreth 1079 aborte janë bërë vetëm gjatë vitit të kaluar në të gjitha institucionet shëndetësore në vend. Shifrat janë brengosëse edhe këtë vit, sipas udhëheqësve institucionalë.

    Megjithatë, edhe më shqetësues mbetet Aborti Selektiv, i cili është i paligjshëm, dhe ndërmerret pas javës së 16-të kur edhe dallohet gjinia e fetusit.

    Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ky lloj i abortit vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë.

    “Si dikaster kyç jemi duke punuar që të ulim këto raste dhe të rrisim më shumë barazinë gjinore. Kush ka vajza ka botën..”, tha Vitia.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se janë duke punuar në parandalimin e rasteve të abortimeve selektive, nëse ato kryhen në mënyrë joligjore.

    “Këto raste janë me të vërtetë të ndjeshme, aborti është i ligjshëm, por në disa raste mënyra se si bëhet janë vepra penale…”, tha Haxhiu.

    Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se po ligjërohet nëpër shkolla për eliminimin e kësaj dukurie.

    “Bashkë me Qeverinë jemi duke punuar që në orët edukative të kemi edhe rritje të njohurive të të rinjve për negativitetin që ka diskriminimi i përzgjedhjes së gjinisë apo aborti selektiv”, tha Nagavci.

    Nga ana tjetër, Drejtori i Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj, thotë se në total këtë vit janë kryer afro 100 aborte brenda këtij institucioni.

    Kjo konferencë u organizua nga Ministria e Drejtësisë bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë në koordinim me UNFPA-në, organizatë që merret me shëndetin seksual dhe riprodhues.

    Ndryshe, ky diskutim u mbajt në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës mbi baza gjinore”, që ka për qëllim eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave, e që do të përfundojë më 10 dhjetor.

  • Hungaria krah Serbisë kundër kushtëzimit për anëtarësim në BE

    Hungaria krah Serbisë kundër kushtëzimit për anëtarësim në BE

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Serbia po përpiqet të shmangë futjen e Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit në Kapitullin 35, si kusht për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

    Ditë më parë, Radio Evropa e Lirë raportoi se brenda BE-së ka një propozim që këto dy dokumente të bëhen kusht në rrugën integruese të Serbisë, përkatësisht Kapitullin 35, por mediat serbe raportojnë se Hungaria është duke e bllokuar atë.

    Në prag të samitit të radhës të Këshillit, Bashkimi Evropian nuk tregoi nëse ka pajtueshmëri të plotë ndërmjet shteteve anëtare.

    Me përfshirjen zyrtare të Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojës së Ohrit në rrugën e anëtarësimit të Serbisë, sipas Fitim Mulollit nga POLCON, nënshkrimi ose jo i këtyre dy dokumenteve nuk do të ishte më relevant.

    “Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit tashmë është miratuar një herë si konkluzion i Këshillit Evropian në një prej takimeve paraprake. Ndërsa, tani kjo iniciativë e re me u futë në kapitullin 35 do të ishte një obligim shtesë dhe në njëfarë mënyre final për Serbinë, sepse do të lidhej drejtpërsëdrejti progresi i Serbisë me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”, tha Mulolli.

    Krahas vlerësimit se politikat e Qeverisë aktuale hungareze nuk përkojnë me vlerat e BE-së dhe shpresës për ndryshime në zgjedhjet në pranverë atje, Mulolli shtoi se nuk do të befasohej nëse Hungaria e bllokon propozimin.

    “Gjatë atyre zgjedhjeve shpresojmë që mos do të ndërrohet qeveria aktuale hungareze dhe të vijë një pushtet, një parti tjetër, më liberale, më demokratike, më e hapur në aspektet e procesit të integrimit dhe të tërë Ballkanit Perëndimor. Prandaj, edhe nëse dështon këtë herë futja, po besoj që BE-ja nuk do të heqë dorë dhe do të tentojë në herët e radhës ta fusë këtë kusht për Serbinë”, tha Mulolli.

    Pas sulmit terrorist paramilitar të 24 Shtatorit, në Banjskë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, doli haptas kundër masave ndëshkuese të BE-së ndaj Serbisë.
    Më 14 dhe 15 Dhjetor, mbahen takimet e radhës të Këshillit Evropian në të cilat në rend dite është procesi i zgjerimit, përfshirë Ballkanin, si dhe çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme, të cilat lidhen me rajonin.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve/ Dëshmon Sadik Halitjaha, thotë se dy persona e torturuan

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve/ Dëshmon Sadik Halitjaha, thotë se dy persona e torturuan

    Përgatiti: Nora Luta

    Sadik Halitjaha këtë të hënë sërish është ulur në bankën e dëshmitarit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Halitjaha ka vazhduar dëshminë e tij të nisur gjatë nëntorit, në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Ai ka rrëfyer se si u keqtrajtua gjatë periudhës së burgosjes së tij në Prizren. Sipas tij, Latif Dulla dhe Vesel Latifi e torturuan sa ishte në burg dhe bashkëpunuan me Serbinë, duke përmendur edhe emra të tjerë të përfshirë.

    Ai teksa ka folur për shtabin e përgjithshëm të UÇK-së, ka thënë se është i hidhëruar me Hashim Thaçin, derisa për Adem Demaçin tha se ai e drejtonte shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Nga trupi gjykues, Halitjaha u pyet edhe për Shërbimin Informativ.

    Halitjaha u shpreh i pasigurt nëse ka ekzistuar një shërbim i tillë. Por ai gjatë dëshmisë së tij tha se gjatë 1999-s, ka ekzistuar një strukturë e Zbulimit dhe Kundërzbulimit në UÇK.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë të martën. Gjithsej edhe gjashtë seanca të tjera janë në kalendar për këtë vit.

  • Argjendaritë, pa sigurim të arit

    Argjendaritë, pa sigurim të arit

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Argjendaria “Diakos” ishte cak i hajnave dy javë më parë. Nga aty ata morën sasi ari me vlerë rreth 200 mijë euro. Siç mëson ATV-ja, pronari i këtij biznesi nuk e kishte të siguruar mallin e tij, ndonëse bëhet fjalë për vlera të mëdha parash.

    Dhe jo vetëm ajo në Suharekë, por edhe shumë argjendari të tjera nuk e bëjnë një gjë të tillë. Rreth 530 argjendari në gjithë territorin e Kosovës.

    “Kjo është shumë shqetësuese sepse në Kosovë po ndodhin shumë plaçkitje dhe shpresojmë që të jetë rasti i fundit. Është shqetësuese kjo mungesa e sigurimit, kemi pas takim me argjendarët dhe kemi cek se duhet të kemi të gjithë sigurime, për shkak ngjarjes së fundit që ndodhi në Suharekë”, tha kryetari i Shoqatës së Argjendarëve të Kosovës, Enver Pakashtica.

    Shmangia nga tatimi, është shkak i mossigurimit të arit, sipas njohësve të ekonomisë.

    “Një prej arsyeve kryesore pse artarët nuk e sigurojnë mallin e tyre, pasi që shumica e arit që ata e shesin është i padeklaruar në doganë, d.m.th është i futur ilegalisht në tregun e Kosovës dhe qarkullon në një formë në të zezë dhe deklarimi i tij u kushton më shumë taksa artarëve dhe kjo është një formë që ata me i ik pagimit të taksave, kjo mund të vërehet edhe në të dhënat e Doganës”, tha njohësi i ekonomisë, Zekirja Shabani.

    Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në, se sa biznese të arit e kanë deklaruar mallin e tyre gjatë këtij viti.

    Megjithatë, njohësit e ekonomisë kërkojnë më shumë inspektime në këto biznese.

    “Jo vetëm ATK, por edhe Dogana dhe Policia e Kosovës, bashkë me inspektorët e tregut duhet të kontrollojnë artarët, për shkak që edhe këta janë shitës si të gjithë shitësit e tjerë për produktet në gjithë tregun e Kosovës, një kontroll më i rreptë do të vendoste edhe një siguri më të madhe edhe për qytetarët”, tha Shabani.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, rreth 4 kilogramë ari dhe argjend janë importuar në Kosovë, vetëm gjatë periudhës Janar-Tetor të këtij viti. Kosova më së shumti importon ar dhe argjend nga Kina dhe Republika Çeke.

  • Rivarroset Liridona Ademaj në fshatin e saj të lindjes – marrin pjesë qindra qytetarë

    Rivarroset Liridona Ademaj në fshatin e saj të lindjes – marrin pjesë qindra qytetarë

    Në praninë e qindra qytetarëve, familjarëve e zyrtarëve të lartë shtetëror të hënën është bërë rivarrimi i Liridona Ademajt në fshatin Rracaj të Gjakovës, raporton EO.

    Më kërkesë të familjarëve ajo është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës, ku ishte varrosur fillimisht.

    Për vrasjen e Liridona Ademajt janë arrestuar tre persona ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se ka orkestruar vrasjen e bashkëshortes së tij.

    Naim Murseli për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, Granit Plavës për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe Kreshnik Kokallës për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.

    Liridona Ademaj, u vra në Bërrnicë të Prishtinës, më 29 nëntor.