ATV

Tag: Ballina

  • Inspektorati me aksion në lokalet e Prishtinës, shqipton gjoba ndaj bizneseve të cilat nuk e respektuan ligjin për duhanin

    Inspektorati me aksion në lokalet e Prishtinës, shqipton gjoba ndaj bizneseve të cilat nuk e respektuan ligjin për duhanin

    Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë bashkëpunim me Policinë, mbrëmë kanë inspektuar lokalet e Prishtinës, për të mbikëqyrur respektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, raporton ATV.

    Në këtë aksion janë shqiptuar edhe disa gjoba ndaj bizneseve të cilat nuk e kanë respektuar këtë ligj. /atvlive.tv

  • Dyshohet se shpërlanë mbi 1 milion euro, policia arreston dy persona – njëri zyrtar i ATK-së

    Dyshohet se shpërlanë mbi 1 milion euro, policia arreston dy persona – njëri zyrtar i ATK-së

    Policia e Kosovës përmes raportit të përditshëm ka bërë të ditur se dy persona, njëri zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) kanë bashkëpunuar dhe dyshohet se kanë kryer veprat penale “shpërlarje e parave” dhe “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

    Në raport thuhet se vlera e parave të cilat dyshohet se janë shpërlarë përmes bizneseve fiktive është mbi 1 milion euro.

    “Mitrovicë 2019-2023. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë (njëri zyrtar i ATK-së), të cilët dyshohen që në bashkëpunim kanë kryer veprat në fjalë. Vlera e parave të cilat dyshohet që janë shpërlarë përmes bizneseve fiktive është mbi 1, 000.000 (një milion) €”, thuhet në raport.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Njësiti Special Intervenues proteston sot para Qeverisë, i bashkohet edhe Sindikata e Policisë

    Njësiti Special Intervenues proteston sot para Qeverisë, i bashkohet edhe Sindikata e Policisë

    Njësiti Special Intervenues sot do të mbajnë protestë para objektit të Qeverisë, si shenjë pakënaqësie për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë.

    Por, kësaj here protestës do t’i bashkohet edhe Këshilli drejtues i Sindikatës së Policisë.

    Lajmin e ka konfirmuar kryetari i kësaj Sindikate, Imer Zeqiri.

    “Po, do të jemi nga ora 12:00. Edhe Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë i bashkohet protestës. Nesër i merrni vesh kërkesat tona”, tha shkurt ai.

    Rikujtojmë se protesta e tillë u mbajt edhe me 1 nëntor para objektit të Qeverisë.

    “Ftoj kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës të marrin hapa. Ju e dini rreziqet që bartin detyrat tona, mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona, ne e kemi dëshmuar vetën tonë. Propozimin e dhënë për shtesat e sigurisë ta rishikoni edhe njëherë“, kështu ishte deklaruar para mediave njëri pjesëtar i kësaj njësie.

  • Zgjedhjet në veri, kryetarë të rinj, asamble të vjetra

    Zgjedhjet në veri, kryetarë të rinj, asamble të vjetra

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore u zgjodhën kryetarë të rinj.

    Derisa në Zveçan e Leposaviq, pos për kryetarë, u votua edhe për asamblistë, në Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok përbërja në asambletë komunale mbeti nga zgjedhjet e 2021-tës.

    Meqë në nivel lokal votohet ndarazi për kryetarë dhe asamble komunale, një peticion eventual i suksesshëm për shkarkim të kryetarëve nuk do t’i prekte asamblistët.

    Asambleja komunale do të vazhdonte të ishte e njëjta, përderisa është e rregullt në seanca. Një situatë hipotetike me kryetarë nga komuniteti serb e asamble me shumicë shqiptare, sipas politologut Fidan Ukaj, nuk do të mund të sjellë stabilitet politik në veri.

    Kësisoj thuhet se ekziston mundësia që pas zgjedhjeve eventuale për kryetarë, rishtazi t’u jepet mundësia qytetarëve t’i zgjedhin edhe asambletë.

  • Samiti BE – Ballkani Perëndimor: Kosovës e Serbisë pritet t’u bëhet thirrje për normalizim

    Samiti BE – Ballkani Perëndimor: Kosovës e Serbisë pritet t’u bëhet thirrje për normalizim

    Përgatiti: Entela Sahiti

    Normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi, do të jetë një ndër temat kryesore, në samitin e përbashkët të liderëve të Bashkimit Evropian, me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, ndërsa Serbia nga kryeministrja Ana Bërnabiq.

    “Bashkimi Evropian vazhdon t’i mbështetë përpjekjet e përfaqësuesit të lartë dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Presim angazhim konstruktiv nga të dyja palët”, ka njoftuar zyra e BE-së për Media.

    Në këtë samit, që punimet do t’i zhvillojë më 13 dhjetor, pritet të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët, me të cilën do të konfirmohet, nga njëra anë, orientimi strategjik i rajonit për integrim në BE dhe, në anën tjetër, edhe përkushtimi i BE-së në këtë drejtim.

    Aty, po ashtu, përsëritet edhe ftesa për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.
    Veç Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian do të ketë porosi edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që t’i zgjidhin të gjitha mospajtimet e tyre dhe çështjet e hapura.

    Teksti i draftit është përpiluar nga Bashkimi Evropian dhe pritet që atë ta mbështesin edhe liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    BE-ja në këtë samit do të shprehë edhe përkushtimin për t’i ndihmuar vendet e rajonit në përballje me pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, si në aspektin e energjisë, ashtu edhe në përballje me kërcënimet hibride që vijnë nga Rusia.

  • Kërkesat për shkarkimin e kryetarëve në veri, duke u shqyrtuar

    Kërkesat për shkarkimin e kryetarëve në veri, duke u shqyrtuar

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut është duke e shqyrtuar kërkesën e banorëve serbë për shkarkimin e kryetarit të Komunës.

    Por, kërkesa e dorëzuar të enjten, sipas kryetarit të asamblesë komunale në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin, nuk është në përputhje me udhëzimin administrativ të hartuar nga Qeveria e Kosovës.

    Madje, Uglanin shtoi se iniciativa për ta shkarkuar Erden Atiqin nga posti i kryetarit, është e dirigjuar nga Lista Serbe.

    Se prapa dëshirës për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë qëndron partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e thotë edhe kryetari i Zubin Potokut.

    Izmir Zeqiri më shumë preferon një marrëveshje politike, sesa shkarkimin përmes peticionit.

    Sipas Udhëzimit Administrativ, kryesuesi i kuvendit komunal jo më vonë se pesë ditë, duhet ta shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë grupin nismëtar si palë e autorizuar.

  • Hetimet për krimet e luftës, 53 të akuzuar për masakrën e Mejës

    Hetimet për krimet e luftës, 53 të akuzuar për masakrën e Mejës

    Përgatiti: Nora Luta

    370 civilë kishin mbetur të vrarë gjatë një operacioni të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, gjatë 27 dhe 29 prillit të vitit 1999, në Mejë dhe rajonin Reka e Keqe të Gjakovës.

    Hetimet e Prokurorisë Speciale dëshmojnë se përveç vrasjeve, sulmi përfshinte djegien e shtëpive, keqtrajtim dhe dëbim të dhunshëm për në Shqipëri.

    Provat dhe dokumentacionet e grumbulluara rezultuan me ngritjen e aktakuzës ndaj 53 personave, 16 nga ta me përgjegjësi komanduese në ushtrinë jugosllave dhe policinë e shtetit serb.

    Në llupën e Prokurorisë Speciale janë edhe 88 persona, të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës, ku ndaj një personi tashmë ka nisur gjykimi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Legjislacioni që është në fuqi, përfshirë atë për gjykimin në mungesë, sipas Prokurorisë Speciale, paraqet sfidë në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.

    Megjithatë, theksojnë se hetimet për zbardhjen e këtyre rasteve janë duke u zhvilluar pa dallim etnie.

    Hetimet për krimet e luftës nga përfundimi i saj i nisi misioni i UNMIK-ut, për t’i vazhduar EULEX-i, i cili ua kaloi vendorëve kompetencat përfundimisht në vitin 2019.

    Që atëherë janë ngritur gjithsej 33 aktakuza ndaj 89 personave.

  • Apeli vërteton vendimin e themelores, për pagat e gjyqtarëve e të prokurorëve

    Apeli vërteton vendimin e themelores, për pagat e gjyqtarëve e të prokurorëve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që kishte anuluar vendimin për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, ishte ankuar ekzekutivi.

    Mirëpo, ankesën e Qeverisë e ka vlerësuar si të pabazuar Gjykata e Apelit, duke i dhënë kështu të drejtë vendimit të gjykatës së shkallës së parë.

    “Sipas vlerësimit të kolegjit, në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet se në cilën formë duhet të ngrihen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mirëpo përcaktohet me ligj se ato pavarësisht arsyes së rritjes nuk mund të zvogëlohen, ashtu siç edhe është arsyetuar në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vlerësimin e Gjykatës së Apelit.

    Vendimin e shkallës së dytë e mirëpresin monitoruesit e fushës së drejtësisë.

    Aktualisht, sipas ligjit të Pagave, gjyqtarët dhe prokurorët i marrin pagat me shtesën tranzitore. Mirëpo, procesimi i pagës për këtë kategori nuk do të jetë e njëjtë, pasi që nga shkurti, ata do të paguhen vetëm 50 % të shtesës tranzitore.

    Ulja e pagës në këtë mënyrë po kundërshtohet.

    Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, është kontestuar se vendimi për uljen e pagave nuk është nxjerrë mbi bazën e ndonjë situate të jashtëzakonshme ose vështirësie financiare.

  • Kufizimi i komunikimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Tromp: Shkelje e të drejtave të njeriut

    Kufizimi i komunikimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Tromp: Shkelje e të drejtave të njeriut

    Mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit janë ankuar se këta të tre nuk kanë komunikuar me familjarët e tyre edhe pas vendimit të ri të Speciales ku u lejohen bisedat telefonike. Një gjë e tillë po kundërshtohet nga Gjykata Speciale, ku për KosovaPress thuhet se këto telefonata janë të mundshme dhe nëse duan të akuzuarit mund të kërkojnë një gjë të tillë. Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi deklaron se kufizimi i të drejtës për komunikim duhet të jetë shumë i bazuar. Sipas saj, me vendimin për kufizim “janë braktisur të drejtat e njeriut”.

    Ditë më parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtësit e ish-krerëve të UÇK-së u ankuan para trupit gjykues se kërkesat e tyre për telefonata po refuzohen.

    Nga Gjykata Speciale i kanë thënë KosovaPress-it se telefonatat me familjarë kanë qenë të mundshme.

    “Çështja e telefonatave me familjet e tre të akuzuarve u diskutua në seancën e djeshme ku u shpjegua se, ndryshe nga sa pretenduan disa, telefonatat me familjarë kanë qenë të mundshme. Sipas transkriptit, kryetari i trupit gjykues shpjegoi se, ‘sa i takon telefonatave nga familja ato mund të kryhen, por do të monitorohen derisa urdhri i ri të zbatohet plotësisht’. Ai theksoi, ‘pyeta dje, dhe Administratorja tha thjesht të bëhet kërkesa dhe për aq kohë sa është adekuate ata mund ta lejojnë atë’. Më pas gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues tha se, ‘sa i përket z. Selimi, ai ka kërkuar në mënyrë të rregullt telefonata me familjen e tij dhe se, që kur hyri në fuqi urdhri i përkohshëm, ai ka pasur 11 telefonata të tilla. Pra, ato po pranohen. Sa i përket z. Thaçi dhe z. Veseli, nuk ka pasur absolutisht asnjë kërkesë për telefonata familjare prej tyre. Dhe ju të gjithë jeni ngritur dhe keni thënë se keni bërë kërkesa, dhe kjo është — ju duhet të dini nëse kjo është e vërtetë apo jo. Ne nuk kemi nevojë të ulemi në sallën e gjyqit dhe të marrim informacion nga ju se diçka nuk ka ndodhur kur në fakt ka ndodhur, ose anasjelltas. Është fare e qartë se ata nuk i kanë kërkuar – në asnjë mënyrë, Administratores – telefonatë familjare. Nëse duan, ata mund ta bëjnë këtë. Do të monitorohet derisa të zbatohet plotësisht, gjë që duhet të bëhet së shpejti. Por është pak shqetësuese që ky lloj informacioni, që është i gabuar, është thjesht i gabuar, të dalë në sallën e gjyqit, në procesverba’”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

    Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp deklaron se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është shumë e zëshme për të drejtën e komunikimit normal familjar.

    “Po. Pra, shkelja e kësaj të drejte njerëzore. Dhe kjo e drejtë njerëzore ndoshta do të ishte gjë e mirë të thuhej… Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është shumë e zëshme dhe shumë e qartë kur bëhet fjalë për sigurimin e komunikimit, dhe të drejtën për të komunikuar dhe të drejtën për të pasur komunikim normal familjar dhe privat, dhe çdo kufizim i kësaj duhet të jetë shumë i bazuar. Dhe nëse kjo tani bëhet në bazë të disa kërcënimeve të ardhshme dhe të mundshme të një dëshmitari nuk është mjaft e mirë. Sepse asnjë shkelje e qartë nuk është përcaktuar nga trupi gjykues dhe megjithatë të paraburgosurve u janë mohuar të drejtat që konsiderohen dhe mbrohen nga konventa evropiane për të drejtat e njeriut. Pra, kjo gjykatë mund të gjendej në një vështirësi të madhe se sa lehtë e braktisën këtë të drejtë për të akuzuarit dhe për çfarë? Ajo që në fakt e ka tejkaluar atë, ajo që ka mbizotëruar janë disa çështje të mundshme të dëshmitarëve, të cilat nuk janë përcaktuar në rrugë, janë vetëm disa insinuata, sigurisht etj. Pra, kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me tre nga këta të pandehurit, por këto çështje do të kenë të bëjnë me gjithë komunitetin ligjor dhe komunitetin e aktivistëve të të drejtave të njeriut, sepse ne nuk duam që këto të drejta të braktisen dhe aq lehtë sa duket, ato janë braktisur me këtë vendim të fundit”, deklaron ajo për KosovaPress.

    Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit” i konsideron zhvillime interesante ato të ditëve të fundit, kur paraprakisht trupi gjykues urdhëroi kufizimin e përkohshëm të kontakteve për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Me këtë vendim, ish-krerëve të UÇK-së u lejoheshin vizitat vetëm për ekipin e mbrojtjes.

    “Ajo që shohim këtu, është se, për shembull, në nivelin e një mase që trupi gjykues solli këtë vendim, është se përveç vizitave private dhe vizitave konsullore që të dyja nuk janë të privilegjuara, d.m.th., ju e dini, këto nuk bien nën komunikimin e privilegjuar siç ka çdo i pandehur me avokatët e tij/saj. Ky është një kufizim i vizitave të tjera jo të privilegjuara në pesë në një muaj. Dhe interesant është se ajo që u përmend si arsye, jo se prokuroria kishte të drejtë, dhe se këta të akuzuar, këta tre të akuzuar bënë diçka të gabuar, por në thelb thanë se prokuroria kërkoi edhe vizita monitoruese nga monitoruesit shqipfolës dhe ata thanë se ne nuk kemi, e dini, regjistër, dhe qendra e paraburgimit nuk mund të sigurojë personel për një punë kaq intensive. Në fakt po themi se pesë [vizitat] në muaj janë të menaxhueshme. Vendim kaq interesant sepse nuk ka të bëjë me atë nëse të pandehurit kanë të drejtë të kenë më shumë vizita, por në thelb thotë, për shkak të burimeve të kufizuara, ne duhet ta kufizojmë atë në pesë [vizita], gjë që është përsëri shumë e diskutueshme kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e të akuzuarit, siç sigurohet dhe të parashihet në Kontekstin Evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përgjithësisht”, përfundoi ajo.

    Së fundmi, trupi gjykues ka marrë vendim në lidhje me komunikimet dhe vizitat e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për kufizimin e vizitave dhe komunikimet, megjithatë vizitat personale do t’i nënshtrohen miratimit paraprak të sekretarit.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /kp

  • Serbët e veriut kërkojnë zgjedhje, gazetari i ATV-së zbulon zhvillimet e fundit

    Serbët e veriut kërkojnë zgjedhje, gazetari i ATV-së zbulon zhvillimet e fundit

    Gazetari i ATV-së, Arton Hamiti, gjatë ditës së sotme ka realizuar një kronikë që në fokus ka kërkesën e banorëve serbë për të nisur procedurat për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut.
    Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE në ATV, ai tregoi kronologjinë e veprimeve të banorëve serbë për inicimin e procedurave për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

    “Banorët serbë nuk kanë iniciuar procedura për shkarkimin e vetëm kryetarit të Mitrovicës së Veriut, por nga ajo çfarë kemi marrë vesh, kjo iniciativë ka filluar edhe në tri komunat e tjera të veriut. Paraprakisht ne zhvilluam një bisedë me kryetarin e Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, i cili e konfirmoi se dje një grup prej re personash, qytetarë serbë kanë deponuar një kërkesë për të iniciuar procedurën për shkarkimin e kryetarit, kërkesë kjo e cila është duke u shqyrtuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut. Kryetari i Kuvendit Komunal tha se aktualisht kjo kërkesë është duke u shqyrtuar dhe më pas, brenda afatit kohor që parashihet, do të dërgohet në Ministrinë e Administrimit dhe Pushteti Lokal. Mirëpo, sipas kryetarit të Kuvendit Komunal, ka disa parregullsi në procedurat se si është dorëzuar kjo kërkesë, ky grup i serbëve prej tre personave nuk e ka njoftuar paraprakisht kryesuesin e Kuvendit Komunal se do të iniciojë një procedurë, mirëpo vetëm e ka bërë kërkesën për inicim të procedurës”, tregoi gazetari Hamiti.

    Ai shpjegoi se aktivizimi i serbëve për të gjetur një rrugë për t’u mbajtur zgjedhje në veri, ka filluar qysh para tre ditësh dhe vjen tre muaj pas pasi udhëzimi administrativ i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal është hartuar.

    Ky udhëzim është hartuar specifikisht për të nisur procedurat që zgjedhjet në katër komunat veriore të mbahen.

    Ndërkohë, ky grup i serbëve, para tri ditëve ka tentuar që kërkesën e njëjtë ta deponojë këtu në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe në Komunat e tjera veriore, mirë siç kanë pretenduar ata iniciativa ishte refuzuar nga autoritetet lokale, andaj ata e kanë ndjekur një rrugë tjetër dhe këto kërkesa i kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por, pas një dite nga dorëzimi i kërkesave, KQZ-ja iu ka kthyer atyre përgjigje dhe iu ka thënë se adresa e duhur janë Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

    Gazetari Hamiti, në këtë lidhje direkte zbulon edhe bisedën që kishte me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

    “Ne kemi biseduar edhe me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe ai e sheh këtë si një lojë mbase politike, siç ka deklaruar, pasi që nëse me të vërtetë ka vullnet për tu mbajtur zgjedhjet dhe qytetarët serbë të këtyre komunave dëshirojnë të mbajnë zgjedhje, nuk do të bënin gabime procedurale, por siç ka pretenduar ai, do të ishin pak më serioz. Ai ka thënë se prapa këtyre grupeve të serbëve të cilët kanë dorëzuar këto kërkesa qëndron Lista Serbe, ndërkohë ai e ka thënë që rruga më e mirë do të ishte një marrëveshje politike mes akterëve kryesor e mbase edhe një dorëheqje vullnetare pas marrëveshjes politike të kryetarëve, pasi kjo procedurë e shkarkimit përmes udhëzimit administrativ mund të marrë kohë”, tregon gazetari Hamiti.

    Kujtojmë që me 23 prill janë mbajtur zgjedhjet lokale në katër komunat veriore dhe ato prodhuan katër kryetarë shqiptarë, mirëpo kjo nuk ishte mirëpritur aspak nga banorët serbë në këto komuna ku pasi kryetarët shqiptarë kishin tentuar të futen në objektet e komunave, ata ishin ngritur në një revoltë, kishin protestuar, ku pra të gjithë i anë parasysh imazhet e fundit të majit, ku ka pasur edhe pjesëtarë të KFOR-it të lënduar. /atvlive.tv