ATV

Tag: Ballina

  • Kosova dhe BE-ja me marrëveshje për programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”

    Kosova dhe BE-ja me marrëveshje për programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”

    Kosova dhe Bashkimi Evropian, kanë nënshkruar marrëveshjen mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se buxheti total i këtij programi për periudhën 2021-2027 është 1.56 miliardë euro, në kuadër të të cilit mund të përfitojnë të gjitha vendet anëtare të BE-së si dhe vendet që kanë të drejtën e pjesëmarrjes.

    “Ky program i BE-së, që njihet me shkurtesën CERV (“Citizens, Equality, Rights and Value”), synon të mbështesë dhe zhvillojë shoqëri të hapura, të barabarta dhe gjithëpërfshirëse. Këtu përfshihet shoqëria civile e fuqizuar, përmes inkurajimit të pjesëmarrjes demokratike, qytetare e shoqërore dhe kultivimit të diversitetit të shoqërisë evropiane, bazuar në vlerat, historinë dhe kujtesën e përbashkët”, thuhet në komunikatë.

    Po ashtu thuhet se përfitues këtij programi mund të jenë institucionet publike në nivel qendror dhe lokal si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe procesi i aplikimit bëhet drejtpërdrejt për grante në BE, për çdo thirrje të hapur.

    Programi CERV ka katër shtylla: Barazia, të Drejtat dhe Barazia Gjinore – ku përfshihet promovimi i të drejtave, mos diskriminimi, barazia (përfshirë barazinë gjinore) dhe avancimi i integrimit gjinor dhe jo-diskriminues; Angazhimi dhe pjesëmarrja e qytetarëve – promovimi i angazhimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike të Unionit, shkëmbimet ndërmjet qytetarëve të shteteve të ndryshme anëtare dhe ndërgjegjësimi për historinë e përbashkët evropiane; Dafne (Daphne) – luftimi i dhunës, duke përfshirë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën ndaj fëmijëve; Vlerat e Unionit – ku përfshihet mbrojtja dhe promovimi i vlerave të Bashkimit Evropian;

    Sipas njoftimit me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës do të mund të përfitojë në tri shtyllat e para, pra përveç shtyllës “Vlerat e Unionit”.

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi e nënshkroi marrëveshjen në emër të Republikës së Kosovës këtë muaj, ndërsa Bashkimi Evropian e nënshkroi atë paraprakisht në datën 27 nëntor. Pas nënshkrimit, Qeveria e Republikës së Kosovës po vazhdon procedurat e tjera të nevojshme për të siguruar ratifikimin dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.

  • ZPS vazhdon aksionin, djali i Haxhi Shalës shihet duke hyrë në zyrat e EULEX-it

    ZPS vazhdon aksionin, djali i Haxhi Shalës shihet duke hyrë në zyrat e EULEX-it

    Gjykata Speciale po vazhdon edhe sot bastisjet në Prishtinë, të nisura sërish të hënën.

    “ZPS po kryen operacione në vazhdimësi dhe nuk ka asnjë koment të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së për ATV-në.

    Ndërkohë, ATV ka siguruar një video ku djali i Haxhi Shalës shihet duke hyrë brenda zyrave të EULEX.

  • KPK zgjedh Blerim Isufajn për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

    KPK zgjedh Blerim Isufajn për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka përzgjedhur Blerim Isufaj për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale.

    Në mbledhjen e mbajtur të hënën Isufaj është përzgjedhur sërish në këtë pozitë me 9 vota për dhe një kundër, raporton ATV.

    Isufaj është përzgjedhur në këtë pozitë për një mandat katër vjeçar. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë edhe në vitin 2019.

    Ndërsa gjatë kësaj mbledhje paraprakisht është njoftuar se janë refuzuar ankesat e dy kandidatëve të tjerë që ishin në këtë pozitë, prokurorët Atdhe Dema dhe Naim Abazi.

    Gjatë kësaj mbledhje KPK me shtatë vota për, një votë kundër dhe dy abstenime ka përzgjedhur Zejnullah Gashin për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

    Ndërsa prokurori Enis Gashi është përzgjedhur kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, me 9 vota për dhe një kundër. /atvlive.tv

  • Si të këputet zinxhiri i femicidit?

    Si të këputet zinxhiri i femicidit?

    “Vrasja që tronditi vendin”, “U vra në sy të fëmijëve, arrestohet bashkëshorti”, “Krejt çfarë dihet për vrasjen e Liridonës”… Këta tituj dhe të ngjashëm dominuan lajmet e ditëve të fundit në Kosovë dhe rajon.

    Liridona Murseli, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor në një fshat afër Prishtinës. Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia njoftoi për arrestimin edhe të bashkëshortit në mesin e tre të dyshuarve.

    Motivet nuk janë ende të qarta, por policia dyshon se Naim Murseli e porositi vrasjen e gruas së tij – nënë e dy fëmijëve – dhe se dorasit i premtoi 30.000 euro.

    Mllef e zemërim shprehën mijëra qytetarë kryesisht përmes rrjeteve sociale, ndërsa në Prishtinë kishte edhe protesta me thirrjet për drejtësi për Liridonën.

    “Duhet të shqyrtohen faktet dhe të merret vendimi i drejtë, të vihet drejtësia në vend dhe të ketë liri për të gjitha gratë”, tha Ardita Baraku, e cila kishte dalë në protestë.

    “Kjo [vrasje], lëre që na ka turpëruar, por këta nuk kanë as nder, as karakter. Zoti hair e bëftë!”, u shpreh Shemsi Berisha, një tjetë protestues.

    Vrasja e Liridonës e çoi në katër numrin e grave të vrara këtë vit në Kosovë, sipas raportimeve të policisë. Nga viti 2010 deri më sot janë së paku 55 gra të vrara në Kosovë. Në të shumtën e rasteve, fajtorë ose të dyshuar për vrasje janë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

    Situata nuk është më pak e rëndë as në botë. Më shumë se gjysma e viktimave gra të raportuara vitin e kaluar, u vranë nga partnerët intimë ose të afërmit e tyre, thuhet në një raport që publikoi Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim dhe UN Women, muajin e kaluar. Sipas raportit, afro 89.000 gra dhe vajza u vranë qëllimisht në vitin 2022 në të gjithë botën. Prej tyre, 48.800 u vranë nga anëtarët e familjes ose partnerët intimë.

    Kjo do të thotë se, mesatarisht, mbi 133 gra ose vajza u vranë çdo ditë nga dikush në shtëpinë e tyre, ose mbi pesë në çdo orë, thotë Juncal Plazaola Castano, specialiste e Programit për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, pranë organizatës UN Women.

    Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ajo shpjegon motivet që fshihen pas femicidit:

    “Femicidi është vrasje e qëllimshme e një gruaje ose vajze për motive që lidhen me gjininë, me ideologjinë se burrat kanë të drejta dhe privilegje ndaj grave, me nevojën për të ushtruar kontroll dhe pushtet mashkullor, ose për të parandaluar, dekurajuar dhe ndëshkuar atë që e konsiderojnë si sjellje të papranueshme të grave”.

    “Femicidi është manifestimi më brutal dhe më ekstrem i dhunës ndaj grave dhe vajzave”, thotë Castano.

    Sipas raportit të organizatave të Kombeve të Bashkuara, shifrat e sivjetme të grave të vrara përfaqësojnë numrin më të lartë vjetor të regjistruar në dy dekadat e fundit.

    Dabney Evans, profesoreshë e shëndetit global dhe drejtore ekzekutive e Institutit të të Drejtave të Njeriut pranë Universitetit Emory në Atlanta, thotë për Exposenë se gjetjet janë alarmuese.

    “Ajo që kemi parë, është se vrasjet globale kanë qenë në rënie, por jo edhe vrasjet e grave. Kjo sugjeron se problemi i femicidit jo vetëm që vazhdon në të gjithë botën, por, në fakt, ai është duke u përkeqësuar. Së voni, Afrika e ka kaluar Azinë, duke pasur numrin më të madh të viktimave në përgjithësi. Por, globalisht, do të thosha se ky problem ekziston kudo”, thotë Evans.

    Raporti i organizatave të Kombeve të Bashkuara vë në dukje se shkalla e vërtetë e femicidit në botë ka të ngjarë të jetë më e lartë, pasi shumë viktima mbeten ende të paraportuara.

    Sipas raportit, për rreth katër në dhjetë vrasje të qëllimshme të grave dhe vajzave, nuk ka informacione të mjaftueshme për t’i identifikuar ato si vrasje të lidhura me gjininë. Raporti thekson, po ashtu, se disa grupe të grave dhe vajzave përballen me rrezik më të madh.

    “Gratë në sytë e publikut, përfshirë ato në politikë, mbrojtëset e të drejtave të njeriut dhe gazetaret, janë shpesh objektiva të akteve të qëllimshme të dhunës, të cilat mund të çojnë edhe në fatalitet dhe vrasje të qëllimshme”, thuhet në raport.

    Por, si të këputet ky zinxhir? Castano, nga UN Women, thotë se duhen bërë më shumë hulumtime për të kuptuar më mirë se çfarë po e nxit rritjen e femicidit në disa vende dhe cilët faktorë kanë ndikuar në zvogëlimin e tij në vende të tjera. Megjithatë, shton se duhet angazhim i gjithë shoqërisë, jo vetëm i institucioneve.

    “Natyrisht se qeveritë dhe institucionet kanë përgjegjësi, por është edhe përgjegjësi e secilit prej nesh që në jetën e përditshme të promovojmë norma të barabarta gjinore dhe shoqëri të barabartë gjinore, t’i adresojmë stereotipat, të ngrihemi kundër diskriminimeve ndaj grave dhe vajzave. Pra, është përgjegjësi e secilit”, thotë Castano.

    Evans, nga Universiteti Emory, thotë se edukimi për barazinë gjinore duhet të nisë qysh në vegjëli. Për shembull, një normë e ngurtë gjinore, sipas saj, është se “djemtë nuk qajnë”. Por, prindërit duhet t’i lënë fëmijët t’i shprehin emocionet dhe t’i ndihmojnë ata në përpunimin e ndjenjave, derisa të kuptojnë se dhuna është e dëmshme, thotë Evans. Çelësi, sipas saj, është te parandalimi dhe rritja e vetëdijes.

    “Nëse presim derisa të ndodhë femicidi, është shumë vonë. Duhet të jemi më të vëmendshëm se ku ndodh dhuna dhe më pas të sigurohemi se të gjithë sektorët e shëndetësisë, të drejtësisë penale dhe të shërbimit social luajnë rolin e tyre, që të mos arrihet deri te pika ku dikush duhet të mbahet përgjegjës për femicid”, thotë Evans.

    Evans shton se një praktikë pozitive mund të jetë edhe përfshirja e femicidit në kodin penal të një vendi. Kjo, sipas saj, do të mundësonte mbledhjen më të saktë të të dhënave, të cilat pastaj mund të sjellin politika më të mira për mbrojtjen e grave.

    “Nëse krimet specifike i etiketoni si të lidhura me gjininë, kjo na mundëson ta kuptojmë më mirë natyrën e problemit. Kush ka qenë autori? Cila ka qenë marrëdhënia? A ka qenë partneri intim apo jo? Kjo, pra, na mundëson më shumë informacione, me shpresën se, përfundimisht, do të jemi në gjendje t’i parandalojmë këto vdekje”, thotë Evans.

    Në Meksikë, për shembull, femicidi njihet në ligj. Nga viti 2020, Kongresi i këtij vendi ka miratuar edhe dënime më të ashpra për femicidin – 45 deri në 65 vjet burg nëse i akuzuari shpallet fajtor.

    Pa specifikuar arsyen, raporti i organizatave të Kombeve të Bashkuara për vitin e kaluar thotë se Meksika ka dëshmuar rritje të femicidit deri në vitin 2021, pastaj ka nisur ndryshimi i trendit.

    Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime me gjobë dhe deri në tre vjet burgim për të akuzuarit për dhunë në familje. Megjithatë, një raport që ka publikuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, në muajin shtator, thuhet se shumë pak të akuzuar për veprën e tillë janë dënuar me burg. Raporti analizoi 129 aktgjykime të publikuara nga gjykatat e Kosovës dhe, sipas tij, 98 për qind të të akuzuarve për dhunë në familje u është shqiptuar aktgjykim dënues, për shembull me gjobë, dhe vetëm 11 për qind janë dënuar me burgim.

    55 gra të vrara në 13 vjet

    Nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

    Për vrasje, dënimi i fundit u shqiptua në fillim të gushtit. Dardan Krivaqa, i akuzuari kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit, në gusht të vitit 2021, u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Marigona ishte 18 vjeçe kur vdiq si pasojë e dhunës fizike të shkaktuar nga partneri i saj, Krivaqa.

    Në Kosovë, deri më tash këtë vit, mbi 1.700 gra janë evidentuar si viktima të dhunës në familje, sipas të dhënave të policisë. Organizatat për të drejtat e grave thonë se shifrat janë shumë më të larta, por se rastet shpesh nuk raportohen ose raportohen vonë, për shkak të presionit social, mungesës së pavarësisë ekonomike të grave e të tjera. Këtyre pretendimeve u ka bërë jehonë edhe një anketë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, sipas së cilës, gati 50 për qind e afro 2.000 grave të anketuara në Kosovë, besojnë se dhuna është çështje private, që duhet të zgjidhet brenda familjes. /REL

  • Lajçak njofton se po përgatitet për raundin e ri të bisedimeve me Bislimin dhe Petkoviqin

    Lajçak njofton se po përgatitet për raundin e ri të bisedimeve me Bislimin dhe Petkoviqin

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se në Bruksel po përgatiten për raundin e ri të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel kryenegociatorësh.

    Por Lajçak nuk ka dhënë datë se kur do të ndodh takimi në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.

    Përmes një postimi në Facebook, Lajçak ka shkruar për marrëveshjen e arritur në mes të KEDS’it dhe Elektroseverit. Kjo marrëveshje i mundëson ‘Elekroseverit që të fillojë furnizimin me energji elektrike në komunat veriore”.

    Marrëvesha për energjinë ishte arritur në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë.

    ”Duke e mbyllur javën me lajme të mira – dje dy kompanitë KEDS dhe Elektrosever nënshkruan kontratën e shumëpritur komerciale. Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE dhe nënkupton progres në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Më konkretisht, Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, gjë që do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, ka shkruar Lajçak.

    Më pas ai, ka shkruar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe takimet që ka me funksionarë evropianë dhe amerikanë rreth kësaj çështje, përfshirë takimin me ambasadorin e SHBA-ve në Serbi, Christopher Hil.

    “Ditët e fundit kam qenë i zënë në Bruksel, ku së bashku me ekipin tim po përgatiteshim për diskutimet e ndara të ardhshme me kryenegociatorët e të dyja palëve. Kam pasur gjithashtu një sërë diskutimesh dhe angazhimesh të hollësishme. Të mërkurën, pata një shkëmbim të hapur me anëtarët e Komisionit të Çështjeve të Bundestagut gjerman, të cilët po vizitonin zemrën e institucioneve tona të BE-së. Ne diskutuam për momentin e ri për zgjerimin e BE-së dhe i informova për gjendjen e lojës në Dialog dhe hapat e ardhshëm. Unë jam mirënjohës për mbështetjen e fortë gjermane në punën time, angazhimin e tyre në Ballkan dhe avokimin e tyre për të ardhmen evropiane të të gjithë rajoni”, ka thënë tutje Lajçak.

    “Nga fundi i javës, më ftuan të flas në një panel të organizuar si pjesë e Samitit vjetor të Miqve të Evropës – BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Në fjalën time theksova se BE-ja për herë të parë pas një kohe është gati për zgjerim. Është koha për të shfrytëzuar mundësinë për të çuar përpara integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Të premten u takova me Ambasadorin e SHBA-së në Serbi Christopher Hill. Është gjithmonë e dobishme të krahasoni shënimet dhe të planifikoni hapat e ardhshëm. I jam mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyer BE-SHBA në Dialog”, ka thënë Lajçak.

  • Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

    Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj ndaj Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut në 75-vjetorin e themelimit të saj.

    “Ne vazhdojmë të punojmë pa u lodhur sot çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve, pa përjashtim dhe pa diskriminim”, u shpreh Kurti në një shkrim në platformën X.

  • Sveçla reagon për policin që vdiq në Jarinje

    Sveçla reagon për policin që vdiq në Jarinje

    Zyrtari i Policisë së Kosovës në Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë, Rexhep Sejdiu, ka vdekur në orët e para të së dielës në Jarinjë.

    Ngushëllime për zyrtarin policor Rexhep Sejdiu ka shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Ai ka shkruar në Facebook se Sejdiu do të kujtohet si zyrtar i përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, “veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit”.

    “Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinjë pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantiq. Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të”, ka shkruar ministri Sveçla.

  • Vdes polici Rexhep Sejdiu në vendin e tij të punës në pikën kufitare në Jarinje

    Vdes polici Rexhep Sejdiu në vendin e tij të punës në pikën kufitare në Jarinje

    Polici i Kosovës, Rexhep Sejdiu është ndarë nga jeta sot në vendin e tij të punës në pikën kufitare në Jarinje.

    Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Veriun, Veton Elshani.

    “Polici R.S u gjet pa shenja jete nga Policia e Kosovës reth orës 7 të mëngjesit. Me shumë mundësi është vdekje natyrore”, tha Elshani.

    Ai tutje tha se nuk ka ndonjë dyshim për rrethana tjera të vdekjes dhe se trupi i policit është dërguar në IML për autopsi.

    I ndjeri kishte shërbyer si pjesëtarë i NJSI-së së kufirit.

  • ShKK: Të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt shpërndahen në tri qendra korrektuese

    ShKK: Të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt shpërndahen në tri qendra korrektuese

    Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se personat e dyshuar për vrasjen e të ndjerës L.A, janë të shpërndarë në tri qendra korrektuese dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit kanë nivel të lartë sigurisë.

    Njoftojmë se ndaj të paraburgosurit G.P, ka pasur vetëm tentim për ta sulmuar gjatë kohës së paraparë për shëtitje. Po ashtu, njoftojmë se nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim, e as për vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, stafi ka reaguar me kohë.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rastin dhe do të vazhdojë ta mbajë publikun e informuar.

  • Rreziku për një konflikt të ngjashëm si në Banjskë, komandanti i KFOR-it: Po monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet

    Rreziku për një konflikt të ngjashëm si në Banjskë, komandanti i KFOR-it: Po monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Utulash është shprehur se ata po vazhdojmë të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, çdo ditë dhe në mënyrë të paanshme.

    “Prioriteti im ishte të nxis komunikimin dhe koordinimin e bazuar në besim. Kfor komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjithë akterët ndërkombëtarë dhe vendorë. Jemi në komunikim të ngushtë me shefin serb të Mbrojtjes, si dhe me institucionet në Kosovë. Kjo është e rëndësishme për të siguruar shkëmbimin në kohë të informacionit dhe për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta. Ne e dimë se të gjitha komunitetet duan dhe meritojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme. Ky është shtytësi kryesor i aktiviteteve tona të përditshme në mbarë Kosovën. Prandaj, si Kfor, ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, çdo ditë dhe në mënyrë të paanshme”, u shpreh ai.

    I pyetur se si i sheh deklaratat e liderëve perëndimorë se Ballkani mund të bëhet pika e ardhshme e nxehtë botërore dhe nëse ekziston rreziku që në periudhën e ardhshme të përsëritet një konflikt i ngjashëm si ai i Banjskës, ai tha:

    “Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm. Ne monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet përkatëse të sigurisë në rajon. KFOR ka një prani të shkathët, fleksibël dhe të dukshme në mbarë Kosovën. Ne mbetemi vigjilentë dhe të përqendruar me lazer në zbatimin e përditshëm të misionit tonë të OKB-së dhe mbetemi të gatshëm për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, deklaroi ai për Kosovo-Online.

    Tutje Utulash refuzoi të konstatojë se 2023 ka qenë viti më sfidues në Kosovë për KFOR-in që nga viti 2024, duke thënë se çdo vit ka pasur sfidat e veta.

    “KFOR-i është aktualisht misioni më i gjatë dhe më i madh i udhëhequr nga NATO. Kfor është prezent në Kosovë për më shumë se njëzet vjet. Çdo vit ka pasur sfidat e veta dhe në këtë drejtim 2023 nuk ishte ndryshe, duke pasur parasysh tensionet në fillim të këtij viti. KFOR-i gjithmonë ka dëshmuar aftësinë e tij për të trajtuar çdo sfidë dhe për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së, plotësisht dhe në mënyrë të paanshme. Ky është mentaliteti me të cilin do të vazhdojmë të punojmë”, deklaroi ai.