ATV

Tag: Ballina

  • Komisioni qeveritar për persona të zhdukur prezanton raportin për 2023

    Komisioni qeveritar për persona të zhdukur prezanton raportin për 2023

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Normalizim të raporteve me Serbinë s’mund të ketë derisa ka mungesë të përgjigjes për vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur gjatë luftës, tha kryeministri Albin Kurti.

    Gjatë prezantimit të raportit për këtë vit të Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Kurti gjithashtu shtoi se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, nuk është çështje statistikash, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar.

    “Shumë varre të hapura e të zbrazëta anekënd Kosovës që nuk i kemi më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi të vazhdueshëm. Krim ky i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre, duke qenë brengë e Kosovës, sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar”, tha Kurti.

    Derisa, gjatë këtij viti, respektivisht më 2 maj, Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – kanë arritur marrëveshje për një Deklaratë për Personat e Zhdukur, më shumë është gërmuar në Kosovë sesa në Serbi.

    “Personalisht vlerësoj që asnjë angazhim nuk është i mjaftueshëm përderisa ne ende vazhdojmë të kërkojmë për më të dashurit tanë tash e 24 vite. Në rrafshin vendor kemi gërmuar në 15 lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës. Kanë rezultuar me zhvarrosjen e 20 trupave dhe disa pjesë të tjera kockore”, tha kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.

    Zbardhja e fatit të të zhdukurve është proces që ecën shumë ngadalë e sipas Qeverisë së Kosovës, faji qëndron te pala tjetër, e cila nuk është e gatshme për bashkëpunim.

  • Presidenti bullgar: S’do ta lëmë Kosovën në plan të dytë

    Presidenti bullgar: S’do ta lëmë Kosovën në plan të dytë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Vizitën e tij dyditore në Kosovë, Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, e nisi duke takuar homologen e tij, presidenten Vjosa Osmani.

    Dialogu Kosovë-Serbi, procesi integrues, por edhe siguria, ishin disa prej temave që u diskutuan në takimin e dy presidentëve.

    Sipas presidentit bullgar, shteti i tij do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në procesin e anëtarësimit dhe sa i përket dialogut, Radev tha se pala që nuk e respekton marrëveshjen duhet të ndëshkohet.

    “Ne vazhdojmë të ngulim këmbë për dialogun si mënyrën e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe paralelisht zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani. BE-ja duhet të ketë një rol aktiv për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për të gjitha palët. Për çdo palë të përfshirë duhet të ketë masa ndëshkuese në rast se nuk zbatohen angazhimet”, tha Radev.

    Po ashtu, ai ka theksuar se Serbia nuk duhet të harrojë që është në proces integrues në BE dhe kjo mund të ndikojë varësisht nga sjellja e saj me Kosovën.

    Në konferencë u përmendën edhe masat e BE-së ndaj Kosovës për të cilat Presidentja Osmani ka thënë se ka tendencë që ato janë të vendosura nga Bashkimi Evropian, të përdoren për ta kushtëzuar Kosovën për çështje të ndryshme.

    “Gjithashtu, u theksua nevoja e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë”, tha Osmani.

    Presidenti i Bullgarisë është takuar gjatë të premtes edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ia ka dorëzuar presidentit bullgar “Çelësin e Qytetit”.

  • Publikohet opinioni i komisionit të Venecias për rritjen e numrit të anëtarëve të këshillit prokuror

    Publikohet opinioni i komisionit të Venecias për rritjen e numrit të anëtarëve të këshillit prokuror

    Përgatiti: Nora Luta

    Përveç këtyre arsyeve që i dha të hënën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Komisioni i Venecias ka argumentuar edhe një tjetër se pse nuk e përkrah rritjen e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial në 21.

    Në opinionin e publikuar nga ky komision, nuk kontestohet fakti që ka rrezik të korporatizmit në përbërjen aktuale të KPK-së, por theksohet se shtimi i tetë anëtarëve rrit rrezikun e politizimit të Këshillit.

    “Edhe nëse ndryshimi i përbërjes mund të thuhet se është projektuar si një masë e jashtëzakonshme, e vetme për të eliminuar kulturën e korporatizmit, një ndryshim i tillë po futet në një klimë polarizimi, do të jetë funksional vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, (më pak se dy vjet në skenarin më të mirë), është i mbushur me rreziqe bllokimesh dhe politizimi dhe krijon dyshimin se “KPK-ja e zgjeruar” do t’i nënshtrohet një ndikimi të konsiderueshëm politik përpara se të krijohet një “KPK” e reduktuar. Dhe më e rëndësishmja, siç theksohet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është rritja e ndjeshme e anëtarëve dhe rreziku potencial që vjen nga politizimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës që rrjedh nga rritja e mundshme e anëtarëve, por e cila do të zbehte kërkesën për integritet, pavarësi dhe stabilitet të mandateve të organeve kushtetuese, si KPK-ja, ushtrimi i funksioneve i të cilit s’duhet varur nga shumica kontingjente apo vullneti i shumicës parlamentare”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

    Komisioni ka dhënë rekomandime rreth kuorumit dhe përzgjedhjes së tre anëtarëve që do të zgjidhen nga Kuvendi, pasi thekson se nuk është bindur që është janë marrë parasysh rekomandimet e kaluara rreth procedurës.

    “Komisioni nuk është bindur se mënyra dhe procedura e përzgjedhjes së tre (3) anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi ka trajtuar thelbin e rekomandimit të mëparshëm, i cili kërkonte të sigurohej një përbërje pluraliste e KPK-së me qëllim për të reduktuar rrezikun e politizimit në zgjedhjen e anëtarëve joprokurorë”, thuhet më tej në opinionin e Komisionit të Venecias.

    Komisioni i Venecias ka rekomanduar, gjithashtu, që ligji të parashohë masa disiplinore më të rrepta për anëtarët që do të mungonin në mbledhjet e KPK-së pa arsyetim të vlefshëm.

    Ligji i kaluar për KPK-në u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa në janar të vitit të ardhshëm Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar se do të nisë ndryshimet bazuar në rekomandimet e Venecias për projektligjin e ri.

  • U bë promovimi i Botimeve “Rea” dhe i librave të parë të kësaj shtëpie botuese

    U bë promovimi i Botimeve “Rea” dhe i librave të parë të kësaj shtëpie botuese

    Mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery u promovuan pesë libra të rinj të Botimeve REA, ku morën pjesë personalitete të jetës akademike dhe kulturore si profesorë, shkrimtarë, gazetarë, studentë e dashamirë të shumtë të librit.

    Me këtë rast u promovuan librat: “Mahnitja e parë” (Demë Topalli), “Lexuesit e kartëmortaleve” (Binak Kelmendi), “Mëkati i buzëqeshjes” (Sali Bashota), “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti (përkthyer nga Naim Kryeziu) dhe “Sytë flasin në heshtje” (Afërdita Bashota-Podvorica).

    Aktivitetin e moderoi Rozafa Bashota, ku fillimisht falënderoi drejtoreshën e KultPlus Ardianë Pajazitin dhe të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm. Rozafa, ndër të tjera, foli për projektet kryesore të Botimeve REA: “Padyshim se qëllimi ynë është të botojmë libra që janë në interes të lexuesve, si ata nga fusha e psikologjisë, letërsisë, libra biografikë, si dhe ribotime të autorëve të njohur të Kosovës që gjeneratat e reja kanë pak ose fare informacion për to.

    Unë vetë jam nga fusha e Psikologjisë dhe e them me bindje që librat psikologjikë dhe përkthimet nga gjuhët e huaja do të jenë një shtesë e padiskutueshme e Botimeve REA. Përveç se janë të rëndësishëm ta ngrisim kulturën e leximit në vendin tonë, janë po ashtu të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijesimit për çështje të ndryshme psikologjike, të cilat për fat të mirë po iu shërbejnë lexuesve në vendin tonë në gjetjen dhe njohjen e vetvetes”, tha Rozafa e cila tutje tregoi se një nga prioritetet e kësaj shtëpie botuese do të jenë edhe aktivitetet e ndryshme që ndërlidhen me arsimimin kulturor. Natyrisht bashkëpunimi me shkrimtarët dhe përkthyesit do të jetë një kaptinë me vete në realizimin e synimeve të tyre.

    “Do të përpiqemi që t’i ndjekim standardet më të reja në praktikën botuese me qëllim të afirmimit të së drejtës së autorit, në kthimin e dinjitetit të autorit, duke respektuar mundin e tyre krijues.”

    Në vazhdim, Alketa Gashi, interpretoi poezitë: “Koha” dhe “Heshti” të Demë Topallit, tregimin “Te pllaka përkujtimore” të Binak Kelmendit, pjesë nga eseja “Misioni i Shkrimtarit” të nobelistit Elias Kaneti, prozën poetike “Rrëfimi për pëllumbat e bardhë” të Sali Bashotës dhe poezitë “Ju jeni si qielli si dielli si hëna” dhe “Vetëm unë e kam emrin tim” të Afërdita Bashota-Podvoricës. Ndërsa me kitarë e përcolli Lind Bobi.

    Ky aktivitet promovues i Botimeve REA kishte një organizim të veçantë meqë secili nga autorët foli për krijimtarinë e vet letrare, e sidomos për librin që u promovua.

    Autori Demë Topalli në fjalën e tij u shpreh se për librin e botuar kishte dyshimet e veta për shkak të distancës së madhe kohore nga botimet e tij të fundit si: “Vera e ikur” “Druri i fatit, “Haber i mirë” dhe “Sytë që dinë me pa”.

    “Përzgjedhja dhe bashkimi i këtyre poezive në një libër më dukej punë jo e qëlluar. Mirëpo, megjithatë, libri “Mahnitja e parë’’ doli. Doli me insistimin e gjatë të mikut tim, Sali Bashotës. E falënderoj shumë për këtë”, tha autori i cili tutje foli për përballjen e poetit me gjuhën dhe fjalët, kujtesën, për ndonjë përjetim që pas disa dhjetëra vjetësh vjen e bëhet poezi.

    “Po e nis me fjalën gojëzanë, që vjen nga fëmijëria ime e hershme. Ndoshta shkaku që si fëmijë kam qenë paksa i druajtur dhe i mënjanuar, shpesh iu kam shmangur takimit dhe bisedave me njerëz. Një ditë prej ditësh, një grua e një familjeje fqinje me ne, thotë “ Moti s’e kam pa Demën, kurse një tjetër, plakë, ia pret: “Po ai nuk flet, iu ka nxan goja”. Këtë ma ka thënë më vonë motra ime më e madhe se unë, që nuk jeton më. Shumë herë gjatë jetës m’u kanë kujtuar këto fjalë. Mirëpo, kurrë s’e kam besuar që ato, pas dhjetëra vjetësh, do të vijnë e do të shkrihen në një fjalë-figurë, me një tingëllim e domethënie tjetër”, tha poeti teksa foli pastaj në veçanti edhe për disa nga poezitë e librit të tij e krejt në fund u shpreh shumë i kënaqur që libri i tij është libri i parë i botuar nga shtëpia e re dhe serioze botuese “Rea”, e drejtuar nga Rozafa Bashota.

    Tutje, fjalën e mori autorit Binak Kelmendi. Ai u shpreh se promovimi i një libri mbetet gjatë në mendjen e autorit të tij dhe beson se mbetet gjatë edhe në mendjen e botuesit. Aq më shumë dhe sidomos mbetet gjatë në mendjen e një botueseje të re e plot dhunti, me iniciativë dhe ambicie siç është në këtë rast Rozafa Bashota.

    Ndërsa për përmbledhjen e tij me tregime “Lexuesit e kartëmortaleve” e cila u promovua në këtë mbrëmje, Kelmendi tregoi se libri përmban 17 tregime nga gjithsej 55 tregimet e tij, botuar deri më tash në tri përmbledhje tregimesh.

    “Vetëm tregimi “Lexuesit e kartëmortaleve”, nga i cili bart emrin përmbledhja, është tregim i ri që më duket se, siç themi ne nganjëherë, ka fjetur vetëm një vit për ta parë dritën dhe për t’u bashkuar me tregimet tjera që janë botuar edhe para më shumë se tridhjetë vjetësh”, tha autori.

    Tregimet e përfshira në këtë libër janë tregime që përfshijnë periudhat tona kombëtare, madje që nga paraepoka siç është tregimi “Tërheqja zvarrë e Gentit nëpër Romë”, por edhe periudhat më të hershme e më të vonshme që i kaluam e disa edhe i përjetuam.

    Në radhë, fjalën e mori përkthyesi Naim Kryeziu i cili në këtë mbrëmje promovoi “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti. Sipas tij, kur flasim për Elias Kanetin atëherë kemi të bëjmë dhe flasim për një shkrimtar që ka rrënjët në Ballkan, për një shkrimtar vërtet të madh evropian, për një shkrimtar të përmasave botërore, pra, flasim për një nobelist.

    “Elias Kaneti, të cilin kritika letrare e ka quajtur si një „klasik të gjallë“ dhe si një prej humanistëve më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, më 1981 iu dha Çmimi Nobel për letërsinë. Në përmbledhjen e eseve me titull „Misioni i shkrimtarit“, Kaneti analizon dhe trajton veprat e shkrimtarëve dhe të filozofëve të kulturave të ndryshme, ku pastaj në eset e veta lexuesit i ofron ajkën e krijimtarisë letrare dhe filozofike të shkrimtarëve dhe filozofëve siç janë: Tolstoji, Byhneri, Kafka, Brehti, Krauzi, Hitleri sipas Shperit, Konfuci, Ditari i dr. Haçijës nga Hiroshima, etj.”, thotë Kryeziu.

    Krejt në fund, fjalën e mori edhe autori Sali Bashota i cili zgjedhi disa fjalë për librin e tij “Mëkati i buzëqeshjes”.

    “Përmes prozës poetike synoj për të shenjuar një cak tjetër, diçka midis poezisë dhe prozës. Atë që nuk e kam thënë në librat e mi me poezi, jam përpjekur ta artikuloj në prozën poetike. Jo rrallë më duket vetja se jam midis dy lumenjve, për të provuar se në cilin lumë do të notoj më shumë, por edhe më mirë. Fundja, nuk mund të bëj krahasime, prandaj poezia dhe proza poetike, pothuajse, janë i njëjti kërkim imi, i paraqitur në variante të ndryshme, ngjitur nëpër shkallët e imagjinatës, por edhe nëpër shkallët e jetës”, thotë autori.

    Bashota, i cili në këtë mbrëmje po përjetonte një gëzim të dyfishtë, botimin e librit dhe përurimin e shtëpisë botuese të vajzës së tij.

    “Vajza ime Rozafa, tash si botuese do të udhëtojë nëpër kohën e rigjetur, për ta kuptuar edhe më fuqishëm se çka është bota e librit. Tash është një tjetër kohë e imagjinatës që shfaqet në realitetin jetësor përmes veprës dhe që bëhet e pavdekshme”, u shpreh Bashota.

    Librat “Mahnitja e parë” e Demë Topallit dhe “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti, janë përkrahur për botim nga Komuna e Prishtinës. Ndërsa, veprat “Lexuesit e kartëmortaleve” e Binak Kelmendit dhe “Mëkati i buzëqeshjes” e Sali Bashotës janë përkrahur nga Komuna e Fushë Kosovës. / KultPlus.com

  • “Isha vetëm një kat më poshtë ku ndodhi sulmi”, ligjëruesja shqiptare rrëfen tmerrin e sulmit në Pragë

    “Isha vetëm një kat më poshtë ku ndodhi sulmi”, ligjëruesja shqiptare rrëfen tmerrin e sulmit në Pragë

    Të paktën 14 persona u vranë dhe 25 u plagosën nga të shtënat me armë në universitetin Charles në Pragë. Autori, 24-vjeçari David Kozak, u vetëvra pas masakrës që shkaktoi.

    Shqiptarja Sidorela Kalemi, ligjëruese në këtë universitet, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tregoi se në momentin kur ndodhi sulmi, ajo ndodhej vetëm një kat më poshtë.

    “Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, unë kam qenë brenda godinës ku kam dhënë mësim, por për fatin tim të mirë kam qenë një kat më poshtë, ngjarja është zhvilluar në katin e katër, unë kam qenë në katin e tretë dhe diku kah ora 3:00 kemi dëgjuar një të shtënë arme, por nuk po bënim dot lidhjen nëse kjo e shtënë ishte jashtë apo ishte brenda godinës sonë edhe pse për të vrojtuar dola në dritare dhe pashë njerëz të cilët po vraponin. Në momentin e parë mendova që kjo ngjarje nuk ishte në fakultet, por më pas filluam dëgjuam të shtëna të tjera brenda godinës, të bërtiturat e studentëve dhe ndërkohë edhe zhurmat e tavolinave dhe karrigeve që më vonë besoj ashtu siç edhe unë me studentët që isha në dhomë, mbyllëm dyert, për të mundësuar edhe izolimin e dhomave”, tha Kalemi.

    Ajo tregoi se autori i sulmit ka qenë student i historisë në këtë universitet, ndërsa motivet vazhdojnë të jenë ende të paqarta.

    “Me thënë të drejtën, askush në këto momente nuk po merret me motivet ekzakte, por po merren më saktësisht me gjendjen tonë psikologjike, por edhe fizike të personave të cilët janë të dëmtuar dhe një numër i tyre janë detyruar që të lënë të gjitha sendet e tyre personale në fakultet dhe është pak e vështirë edhe lidhja që kanë tashmë me familjarët. Për sa i përket motiveve, nuk është se dihet ndonjë informacion i saktë se pse mund të ketë ndodhur kjo gjë”, tregoi Kalemi.

    Ligjëruesja Kalemi rrëfen se në momentin e sulmit, së bashku me studentin e huaj që kishin qenë në zyrë kishin qëndruar për një kohë të konsiderueshme të mbyllur deri në momentin kur kishte
    ardhur policia.

    “Ne kemi qëndruar një kohë të konsiderueshme sepse nuk dinim, nuk dëgjonim trokitje dyersh dhe në dyert tona dhe nuk dinim nëse ishte policia ose edhe dikush sepse shumë studentë kanë kaluar nga dritarja siç i kemi parë dhe kjo na ka bërë të frikësuar sepse nuk kuptonim nëse ishin studentë të tmerruar apo ishte ndonjëri nga studentët që po kryente këtë lloj gjëje, por në momentin që kjo gjë ka përfunduar, policia ka shpërthyer dyert e zyrave ku ishim dhe na ka evakuuar në një vend tjetër. Pasi na u dha ndihma sigurisht, aty u ndamë në personat të cilët e kishin parë ngjarjen dhe studentët të cilët ishin në hapësira të caktuara të fakultetit. Në momentin që ngjarja ka ndodhur, në zyrën në të cilën unë japë leksionet e mia, kam qenë me një student të huaj nga Danimarka, i cili studion për gjuhën shqipe dhe realisht ka qenë tepër vështirë sepse edhe vet studenti pati një gjendje paniku, u transferua tek mua dhe veprimi i tij paraprak ishte i menjëhershëm drejt dritares për shkak se dritaret në pjesën e tyre të jashtë kanë një bordurë goxha të gjerë edhe kjo ishte gjëja kryesore që ne menduam paraprakisht për të bërë, por më pas u strehuam poshtë tavolinave të punës”, rrëfeu Kalemi.

    Mënyra se si personi kishte arritur të futej me armatim në objekt, sipas saj është ende se e paqartë, mirëpo ajo beson se pasi ky ka qenë student, kjo e ka bërë me të lehtë për të që të futet në godinë më me lehtësi.

    Kalemi tregon se autoritetet janë duke u marrë me identifikimin e studentëve të cilët janë lënduar dhe gjenden nëpër spitale të ndryshme.

    “Dimë që një numër i konsiderueshëm janë nëpër spitale, një pjesë e tyre sigurisht që është edhe me plagë shumë të rënda, por për momentin më tepër jemi duke u marrë me gjithë gjetjen e personave, në cilat spitale janë dërguar sepse ka mungesë informacioni, duke qenë se sendet personale si telefonat apo mjetet e identifikimit janë lënë pas”, tha ajo. /atvlive.tv

  • ​Kurti i reagon Lajçak dhe tregon se si mund të ndodh normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë

    ​Kurti i reagon Lajçak dhe tregon se si mund të ndodh normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë disa rekomandime me të cilat normalizimi i mardhënieve me Serbinë do të mund të ndodh në vitin 2024. Ai duke u bazuar në deklarimin të fundit të emisarit evropian, Mirosllav Lajçak, se draft statuti për Asociacionin është çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, tha se mund ta shkruaj një draft modern evropian.

    Kurti ka shkruar në Facebook se beson që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë, Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike.

    Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024

    1) Prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim.

    2) Konluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë. Millan Radojçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës.

    3) Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit).

    4) Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës.

    5) Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal).

    6) Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.

    7) Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike.

  • Prokuroria i përgjigjet kërkesës së familjes së Liridonës për takim, vëllai i saj shpalos detaje se çka iu tha

    Prokuroria i përgjigjet kërkesës së familjes së Liridonës për takim, vëllai i saj shpalos detaje se çka iu tha

    Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi ka konfirmuar që sot së bashku me babin e tij kanë zhvilluar një takim me prokurorin e rastit për t’u njoftuar nga afër lidhur me hetimet që po zhvillohen për zbardhur detajet e vrasjes së saj.

    Ky takim, thotë ai se ua lehtësoi dhimbjen teksa shtoi se hetimet janë duke shkuar mirë.

    “Sot mbajtëm takim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe u informuam rreth rastit të vrasjes së Liridonës tonë, brenda kufinjëve që lejon ligji. Ky takim na e lehtësoi dhimbjen dhe na ofroi një siguri edhe më të madhe që hetimet janë duke shkuar mirë”, shkroi ai në Facebook.

    Leonardi po ashtu konfirmoi se takimet me prokurorinë për rastin do të jenë të rregullta.

    Njoftimi i plotë:

    Sot mbajtëm takim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe u informuam rreth rastit të vrasjes së Liridonës tonë, brenda kufinjëve që lejon ligji.

    Ky takim na e lehtësoi dhimbjen dhe na ofroi një siguri edhe më të madhe që hetimet janë duke shkuar mirë.

    U dakorduam që tani e tutje do të kemi takime të rregullta informuese.

    Ne i shprehëm falenderimet hetuesëve, prokurores së rastit dhe të gjithë prokurorëve që janë duke ndihmuar në zbardhjen e plotë të rastit.

    Ne besojmë në të gjitha institucionet e drejtësisë dhe mbesim me shpresë që rasti do të zgjidhet në mënyrë profesionale.

  • Osmani për masat e BE-së: Ka tendenca të përdoren si kushtëzim për Asociacionin, vepruam brenda territorit

    Osmani për masat e BE-së: Ka tendenca të përdoren si kushtëzim për Asociacionin, vepruam brenda territorit

    Presidentja Vjosa Osmani tha se ka tendenca që masat ndëshkuese të BE-së kundër Kosovës që vazhdojnë të jenë në fuqi të keqpërdoren për kushtëzim të themelimit të Asociacionit. E para e shtetit shtoi masat është dashur të hiqen moti dhe në fakt të mos vendoseshin kurrë, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se nëse ndodh diçka e tillë do të ketë vetëm efekt negativ, derisa tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e vendosura nga BE-ja për heqjen e këtyre masave që u vendosën si ndëshkim për tensionet në veri.

    Osmani tha se konstruktivitetin Kosova e ka dëshmuar me qindra herë në raporton me marrëveshjen me Serbinë, ndërkaq Serbia po e bën të kundërtën dhe jo vetëm me retorikë, por edhe me shkrim.

    “Ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja pse ato janë vendosur në fillim. E kam kundërshtuar një qasje të tillë edhe në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, sepse në fakt kjo logjikë sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje të dialogut do të ketë vetëm efekt negativ”.

    “Ajo që kanë kërkuar nga Kosova, pra që e quanin de-eskalim, tashmë ka ndodhur. Nëse dikush mendon që të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat do të duhet hiqen sepse Kosova i ka plotësuar kushtet e kërkuara”.

    “Kosova ka vepruar brenda territorit të saj, s’e ka pushtuar askënd, s’ka përdorur dhunë dhe se ka rrezikuar askënd që të meritonte masa të tilla të padrejta dhe joprofesionale”.

  • Osmani e pret me ceremoni shtetërore homologun bullgar, Rumen Radev

    Osmani e pret me ceremoni shtetërore homologun bullgar, Rumen Radev

    Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, është pritur me ceremoni shtetërore nga homologia kosovare, Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.

    Pas takimit do të ketë edhe konferencë për media. Pastaj në orën 12:00, Rumen Radev do ta takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

  • Shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Qeveria ndau mbrëmë mjetet

    Shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Qeveria ndau mbrëmë mjetet

    Qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, në mbledhjen elektronike që ka zhvilluar mbrëmë.

    “Aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej gjashtëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e treqind e katër dhjetë euro e gjashtëdhjetë e dy cent (68,994,340.62€) për zbatimin e Masës 3.5 – Shtesat për lehona dhe shtesat për fëmijë dhe Masës 3.2- Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos për Ringjallje Ekonomike”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti.

    Vendimi për ndarjen e këtyre shtesave është marrë më 13 dhjetor.

    “Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me kod 201 ndahet shuma prej 28,000,000 euro në nën-programet me kod 00100, 00200, 00400, 01100, 01200, 01400, 02700, 02900, 03000, 03100, 00600, 00300, 02500 në zbatim të Vendimit të Qeverisë Nr. 43/178 i datës 13.12.2023. Shumat përkatëse për secilin nën-program sipas kësaj pike precizohen dhe shpërndahen nëpër këto nën-programe sipas përllogaritjes së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhet tutje në vendim.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha atë ditë se synojnë që vitin e ardhshëm të avancojnë skemën, sipas parimit që ata që kanë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë.

    Deri më tani, Qeveria ka ndarë nga 10 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe nga 20 euro për fëmijët deri në dy vjeç.

    Kurti është zotuar se në të ardhmen fëmijët do të përfitojnë nga shtesat prej 50 deri 150 euro.

    Pensionet në Kosovë dallojnë nga 100 deri në 265 euro, varësisht prej kontributit.

    Nga janari e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale.

    Buxheti i paraparë i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro, në krahasim me 3.2 miliardë euro sa ishte këtë vit.