ATV

Tag: Ballina

  • KQZ merr këtë vendim për Lëvizjen për Bashkim dhe PSD-në

    KQZ merr këtë vendim për Lëvizjen për Bashkim dhe PSD-në

    KQZ shqyrtoi dhe miratoi ndaras rekomandimet e Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike (ZRCKFPP) për pezullimin e dy partive politike, Lëvizjes për Bashkëveprim dhe Partisë Socialdemokrate, të cilat nuk kanë mbajtur kuvendet e tyre zgjedhore sipas afatit ligjor.

    Afati i fundit për mbajtjen e kuvendit/konventës zgjedhore për partinë politike Lëvizja për Bashkëveprim ka qenë data 8 dhjetor 2023, ndërsa për partinë politike Partia Socialdemokrate ky afat ka qenë më 15 dhjetor 2023.

    Sipas vendimit të KQZ-së, këto dy parti politike obligohen që të mbajnë kuvendin e tyre zgjedhore në një afat shtesë prej 45 ditësh dhe nëse kjo nuk arrihet, atëherë sipas Rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ merr vendim për çregjistrim nga regjistri i partive politike në Kosovë, raporton ATV.

    Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që të mbajnë kuvendin zgjedhore brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partivë dhe pastaj së paku çdo 48 muaj. /atvlive.tv

  • ​“Vendimi i Serbisë për targat – manovër për hir të pushtetit”, Kurti tregon se kur do t’i njohë të tyret

    ​“Vendimi i Serbisë për targat – manovër për hir të pushtetit”, Kurti tregon se kur do t’i njohë të tyret

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar sot në mbledhjen e qeverisë për vendimin e Serbisë për njohjen e targave RKS, të cilin e ka quajtur manovër të radhës për hir të pushtetit në Beograd.

    Në adresimin para ministrave, Kurti kritikoi Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve për një periudhë më shumë se 10-vjeçare, derisa shtoi se vendimi i saj është i qëllimshëm pasi kësisoji Beogradi po synon të ulë presionin nga perëndimi demokratik, për zgjedhje jo të rregullta dhe jodemokratike.

    “Ndonëse i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar mes dy shteteve, dua të theksoj se ky vendim po vjen pas një moszbatimi për më shumë se 10-vjeçar të marrëveshjeve paraprake, përdorimi dyvjeçar të çështjes së targave nga ana e Serbisë për të cenuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë dhe tash së fundi, si përpjekje për të ulur kritikat nga komuniteti ndërkombëtar mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e dhjetorit atje. Pra, targat në Kosovë, në shtator të vitit 2021 përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes avionëve MIG-29, të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit, sidomos nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për 3 javë rresht në dhjetor të vitit të kaluar. Kurse, në dhjetor sivjet, po përdoren për të ulur presionin nga perëndimi demokratik mbi Serbinë, për zgjedhje jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Brnabiq, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor, dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator… Është një manovër e radhës e shtetit serb, jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd”, tha Kurti.

    Ai ka treguar se kur pritet që Kosova të njohë targat e Serbisë.

    “Gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për targat ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit. Ne do të vazhdojmë të jemi parimor dhe konstruktiv. Vendimin tonë të barasvlefshëm si çështje e marrëdhënieve shtetërore reciproke do ta marrim sapo që Policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj”, u shpreh kreu i ekzekutivit”, tha kreu i ekzekutivit.

    Qeveria e Serbisë pritet ta implentojë vendimin për njohjen e targave RKS nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

  • Berisha në protestë: Po burgosem pa asnjë akuzë, kjo është diktaturë

    Berisha në protestë: Po burgosem pa asnjë akuzë, kjo është diktaturë

    Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se masat që po merren ndaj tij nga drejtësia janë pa asnjë akuzë. “Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë”, tha ai në protestë.

    Sipas tij, u shkel Kushtetuta duke u kërkuar heqja e lirisë për Sali Berishën pa kaluar në Kuvend.

    “U shkelën ligjet dhe rregullorja e Kuvendit në mënyrën se si u votua heqja e imunitetit të tij. Nuk po përmend as standardin e dyfishtë dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese. Le t’i lëmë mënjanë këto, por më thoni ju mua, pse duhet kyçur në shtëpi pa asnjë dokument, fakt apo provë Sali Berisha? Vetëm e vetëm pse i ka kallur tmerrin, datën, monstrës së pluralizmit, bastardit të xhelatëve të diktaturës komuniste, Edi Ramës. Pse u dashkan ndaluar komunikimet publike të Sali Berishës?

    Kur gjykatat përdoren si armë kundër opozitës, kjo është diktaturë, shtoi ish-kryeministri.

    “Kur partisë më të madhe i konfiskohet haptas logoja dhe vula, kjo është diktaturë. Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që dihet botërisht se është peng i Edi Ramës, kjo është diktaturë. Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë. Shqiptarë zgjohuni se po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusinë e Putinit, me Bjellorusinë e Lukashenkos, me Venezuelën e Maduros dhue juntën ushtarake të Mianmarit. Për të gjitha këto, kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë”.

    Berisha i qëndron bindjes se do ta fitojë këtë betejë:

    “Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre.
    A do e fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po”.

  • Mbahet sot seanca për masën e sigurisë për Berishën, ish-kryeministri do të mësojë “fatin” e tij në protestë

    Mbahet sot seanca për masën e sigurisë për Berishën, ish-kryeministri do të mësojë “fatin” e tij në protestë

    Vendimi për zëvendësimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha pritet të merret sot, në seancën e radhës, e planifikuar të nisë në orën 11:00.

    Seanca e një dite më parë u shty për sot, pasi pasi avokatët e Berishës kërkuan kohë. Ish-kryeministri nuk u paraqit në Gjykatën e Posaçme, por dërgoi dy avokatët e tij Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi të cilët kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, që e akuzojnë për njëanshmëri.

    Kjo seancë mbahet pas kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës ndaj ish-kryeministrit, nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie”, me arsyen se nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës.

    Ndërkohë, po sot, ish-kryeministri ka njoftuar protestë me demokratët.

    Disa ditë më parë Kuvendi votoi me 75 vota pro kërkesës së SPAK për arrestimin e tij. Më 12 dhjetor në një shkresë drejtuar Kuvendit, SPAK kërkoi autorizimin për arrestimin e Berishës me argumentin se ish-kryeministri nuk kishte zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.

    Mbi Berishën rëndon akuza e korrupsionit pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa GjKKO vendosi masën detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë vendit./Top Channel/

  • Kurti mbledh ministrat, 39 pika në rend dite

    Kurti mbledh ministrat, 39 pika në rend dite

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të mbledh sot kabinetin e tij qeveritar.

    Mbledhja e Qeverisë pritet të mbahet në orën 12:00, teksa në rend dite janë gjithsej 39 pika për diskutim.

    Pas mbledhjes, Kurti bashkë me zëvendësen e tij dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, do të mbajnë konferencë për media.

  • Çeku: Më së largu deri në qershor të vitit të ardhshëm do të përcaktohet lokacioni për ndërtimin e stadiumit nacional

    Çeku: Më së largu deri në qershor të vitit të ardhshëm do të përcaktohet lokacioni për ndërtimin e stadiumit nacional

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se lokacioni për stadiumin nacional të Kosovës duhet të përcaktohet më së largu deri në qershorin e vitit të ardhshëm.

    “Lokacioni i stadiumit nacional duhet të përcaktohet më së largu në verën e vitit të ardhshëm, sepse kemi nevojë me i nisë punimet për realizimin e atij stadium. Tash e kemi si obligim në kuadër të kontratës me Komitetin Ndërkombëtare të Lojërave Mesdhetare. Kur e kemi bërë aplikimin, pra kandidimin për 2023-tën, ne i kemi marrë disa obligime dhe disa zotime. Një nga këto është që Kosova deri atëherë duhet ta ketë stadiumin e vet nacional”, tha Çeku.

    Ai tha se për të vendosur për lokacionin se ku do të ndërtohet stadiumi nacional, së pari duhet hartuar një ligj i veçantë, i cili duhet të votohet në Kuvend.

    “Fillimisht është duke u hartuar ligji i veçantë për lojërat mesdhetare ë duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës, menjëherë pas asaj themelohet struktura organizative ose komiteti organizativ për lojërat mesdhetare dhe kjo pasohet me master planin, i cili është dokument që i jep përgjigje pyetjeve të mëdha, përfshi edhe pyetjes se ku duhet të ndërtohet stadium. Duhet të përfundojë deri në qershor”, tha Çeku. /atvlive.tv

  • Faturat e larta për rrymë, ankohen qytetarët

    Faturat e larta për rrymë, ankohen qytetarët

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Edona Deliu, të martën erdhi në zyrat e Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike në Prishtinë për t’u ankuar për vlerën e lartë të faturës së energjisë elektrike për muajin dhjetor.
    Ajo thotë se këtë muaj i është dyfishuar fatura e energjisë, pavarësisht se shpenzoi njësoj sikurse muajt paraprakë.

    “Më shumë m’ka ardhë rryma se që e marr rrogën, në tetor 102 euro, në nëntor 92 e për këtë muaj 269. Është e papërballueshme. Erdha me bo një ankesë, se nuk është normale”, thotë, Edona Deliu, qyetare.

    Me problem të njëjtë u përballën edhe qytetarë të tjerë, të cilët në Kosovë erdhën për festat e fundvitit.

    “Na nuk jetojmë ktu, jetojmë në Zvicër, gjithë rryma na ka ardhë 20 euro e tash për tri javë 240. Burri është mrena tu e bo ankesën”, tha Nazmije Pacolli, qytetare.

    Megjithatë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike ka mohuar se ka pasur rritje të tarifave fundore të energjisë elektrike. Nëpërmjet një komunikate sqaruese, KESCO-ja ka përmendur arsyet e ngritjes së vlerës së faturave të energjisë elektrike.

    “Rritja e vlerës së faturave në këtë muaj dimri, është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj, faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë të konsumatorëve. Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”, thuhet në reagimin e KESCO-s.

    Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit për Energji u ka bërë thirrje konsumatorëve që të kontaktojnë KESCO-n, në qoftë se kanë shqetësim lidhur me faturat e tyre. ZRRE-ja në një përgjigje me shkrim për ATV-në ka thënë që momentalisht nuk kanë pranuar ankesa të konsumatorëve për faturimin e këtij muaji.

    Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

    Ky institucion ka kërkuar hetim urgjent nga Prokuroria si dhe trajtim të kësaj çështjeje, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

  • Ligji për Zgjedhje mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese

    Ligji për Zgjedhje mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ligji për zgjedhje ka gjasa të përfundojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas avokatit të Popullit, Naim Qelaj, vlerësimi i kushtetutshmërisë është i domosdoshëm, meqë në të nuk është përfshirë Ligji për barazinë gjinore në raport me listat zgjedhore të subjekteve politike.

    Ju e dini se Ligji për zgjedhje ka kaluar në seancë pa ndonjë, si të themi, diskutim publik që kishte me i shtjerrë të gjitha diskutimet në lidhje me temat që mund të jenë konsensuse. Në anën tjetër, ka pasur një konsensus politik, sepse është marrë numri i mjaftueshëm i votave për me kalu si ligj. Ligji ka kaluar pa i përfshirë një prej aspekteve të rëndësishme që e përcakton Kushtetuta, e ai është Ligji për barazi gjinore”, tha Qelaj.

    Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ishte miratuar më 8 qershor në të dy leximet brenda ditës dhe ishte përkrahur edhe nga opozita.

    Ky ligj do të jetë një më shumë, të cilin Avokati i Popullit e dorëzon në Kushtetuese derisa gjatë 2023-s ky institucion ka dërguar pesë raste në këtë gjykatë.

    Këto të dhëna Avokati i Popullit i paraqiti në konferencën e fundvitit për media, ku shtoi se gjatë vitit ka pranuar mbi 1500 ankesa nga qytetarët dhe institucionet e ndryshme.

    “Prej 230 rekomandimeve vetëm 40 janë zbatuar, shtatë rekomandime janë pjesërisht të zbatuara dhe numri tjetër 183 janë në pritje për zbatim. Normalisht qysh në janar, ne kemi me intensifikua angazhimin tonë me pa se cilët kanë qenë faktorët që kanë ndikuar më pas rënie të zbatimit të rekomandimeve”, tha Qelaj.

    Qelaj foli edhe për trajtimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë, duke shtuar se nuk ka komunikim të duhur me Avokatin e Popullit të Gjykatës Speciale.

  • Nga java e ardhshme, Serbia do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin të automjeteve me targa të Republikë

    Nga java e ardhshme, Serbia do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin të automjeteve me targa të Republikë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Duke u thirrur në lehtësimin e lëvizjes, Serbia ka vendosur që nga 1 Janari të lejojë hyrjen dhe qarkullimin, në territorin e saj, të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës, pa stikerë që mbulojnë simbolet.

    Njoftimin për vendimin e dha zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkovic.

    Në një interpretim më direkt, Bashkimi Evropian e vlerësoi këtë vendim si hap të rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

    “Bashkimi Evropian mirëpret vendimin e Serbisë që zyrtarisht njeh targat e lëshuara nga Kosova – RKS… Ky vendim shtron rrugën drejt heqjes së regjimit të stikerëve. Tani BE-ja pret që Kosova të përgjigjet njësoj”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

    Këtë veprim të Serbisë, opinionisti Bekim Kabashi e ndërlidh me presionin ndërkombëtar, konkretisht propozimin për kushtëzimin e rrugës integruese të Serbisë në BE, me përfshirjen e marrëveshjes dhe shtojcës në Kapitullin 35.

    “Palët po taktizojnë në këtë proces, duke mos dashur me zbatua thelbin e saj, po zbatojnë copëza, ta quaj kushtimisht kështu, për t’iu shpëtuar sanksioneve apo presionit ndërkombëtar, ose më saktë fajësimit se kush po e bllokon implementimin e marrëveshjes. Edhe kjo për targat, edhe pse është marrëveshje e vjetër më shumë se një dekadë, është në kuadër të kësaj tendencë për të marrë poenë pozitivë karshi BE-së”, tha Kabashi.

    Referuar pajtimit paraprak nga komuniteti serb në veri për pajisje të automjeteve të tyre me targa RKS, profesori Dritëro Arifi, veprimet i sheh në kontekst të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    “Plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit janë pranuar në heshtje nga të dyja palët, vetëm po duan ta gjejnë mënyrën më të butë, më të mirë sesi ta shesin në publik”, tha Arifi.

    Muajt e fundit, rreth 4000 automjete në komunat me shumicë serbe, konvertuan targat ilegale serbe në RKS. Në Tetor të vitit 2021, Kosova dhe Serbia nisën zbatimin e regjimit të ndërsjellë të vendosjes së stikerëve mbi simbolet shtetërore në targat e automjeteve, në hyrje.

  • Për vetting në Kuvend duhet të votojë edhe Lista Serbe

    Për vetting në Kuvend duhet të votojë edhe Lista Serbe

    Përgatiti: Nora Luta

    Kushtetuesja dha dritën e gjelbër për vetingun në sistemin e drejtësisë, megjithatë për të nisur në praktikë ky proces fillimisht amendamentet duhet të miratohen në Kuvend.

    Ndryshimi i Kushtetutës, përveç shumicës kërkon edhe votat e 2/3 të deputetëve që i kanë vendet e rezervuara nga komunitetet, në këtë rast ata të Listës Serbe.

    Kryetari i Komisionit Ad-hoc parlamentar për zhvillimin e këtij procesi, Adnan Rrustemi, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se është një proces sfidues.

    Deputetët serbë nuk kishin marrë pjesë as në këtë komision.

    Juristët thonë se i takon pushtetit për t’i bindur deputetët e pakicës.

    Megjithatë, Rrustemi thotë se nuk ka më argumente për ta penguar këtë proces.

    Sipas tij, bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses do të nisin punën për hartimin e projektligjit për veting.

    Procesi i verifikimit dhe vlerësimit të prokurorëve e gjyqtarëve është konsideruar ndër prioritetet e ekzekutivit për reformën në drejtësi.

    Por, Ministria e Drejtësisë pas opinionit të Komisionit të Venecias hoqi dorë nga vetingu i plotë, duke e reduktuar në një veting të pjesshëm që do të përfshijë vetëm udhëheqësit e prokurorive, gjykatave dhe anëtarëve e kryesuesve të Këshillave përkatës.