ATV

Tag: Ballina

  • Osmani premton program kombëtar për FSK-në, liston 7 shtyllat

    Osmani premton program kombëtar për FSK-në, liston 7 shtyllat

    Presidentja Vjosa Osmani, në ceremoninë e certifikimit ushtarëve të rinj të FSK-së, ka premtuar program shtetëror të bazuar në 7 shtylla kyçe për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetës së rekrutëve.

    Ajo ka thënë se ky program është realizuar duke u bazuar në vlerësimin e sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale në mjedisin e vendit.

    “Realizimi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri, realizimi i pagesave të punës me ndërrime, të kujdestarisë apo punën jashtë orarit, shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak deri në nivelin terciar për ushtarakët, policët dhe familjet e tyre si dhe për familjet e ushtarëve dhe policëve të rënë në detyrë, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së”, ka listuar Osmani disa nga pikat.

    Pikat tjera kanë pasur të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ushqimit dhe transportit, sigurimin e një banimi të përballueshëm nëpërmjet një programi të veçantë dhe krijimi i fondit kreditues me kushte të veçanta për ushtarët e FSK-së

    Tutje përballë 325 ushtarëve të rinj, Osmani ka thënë se janë trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Jam krenare që ju sot do të mbani uniformën e forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së dhe jam krenare veçanërisht me hapin e parë që hodhët në pragun e komandës së doktrinës së stërvitjes, duke prekur ëndrrën tuaj për t’u bërë ushtarë të FSK-së dhe duke filluar rrugëtimin tuaj plot sfida”, ka deklaruar Osmani.

    E para e vendit ka deklaruar se tashmë besnikëria, nderi, integriteti dhe guximi janë mishëruar në shërbimin e tyre ndaj vendit

    “Përmes programit ushtarak keni rrënjosur kompetencat themelore ushtarake të nevojshme, për të fituar të gjitha betejat, në një rajon e botë me sfida e kërcënime komplekse si dhe me frymëzimin e duhur për përsosmëri të duhur profesionale dhe shërbim ndaj qytetarëve”, ka thënë ajo.

  • “Le Monde”: Loja e rrezikshme, e dyfishtë e Serbisë

    “Le Monde”: Loja e rrezikshme, e dyfishtë e Serbisë

    Editorial i gazetës franceze “Le Monde”

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, fitues i zgjedhjeve të shoqëruara me parregullsi, ka refuzuar t’i mbështesë sanksionet kundër Rusisë dhe nuk ka hequr dorë prej ambicieve të tij që ta rimarrë Kosovën, duke rrezikuar kësisoj që t’i shtyjë gjasat e vendit të tij për integrim në BE.

    Larg prej fushëbetejave në Ukrainë, një tjetër front i luftës së Rusisë po shpaloset në Ballkan, ku Moska ka tentuar t’i shfrytëzojë tensionet nacionaliste kundër aspiratave të vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zëdhënësja diplomatike e Rusisë, Maria Zakharova, së fundi i krahasoi protestat në Serbi kundër mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit me ato të Sheshit Maidan në Kiev më 2014 – të cilat hapën rrugën për ardhjen e liderëve properëndimorë në pushtet në Ukrainë.

    Qëkur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me qindra demonstrues i sfiduan përditë forcat e sigurisë për të protestuar kundër parregullsive të vëzhguara zgjedhore. Përderisa rezultatet zyrtare flasin për një fitore me 46.72 për qind të votave për Partinë Progresiste nacionaliste të presidentit, Aleksandar Vuçiq, vetëm 23.58 për qind e votave shkuan për koalicionin proevropian “Serbia Kundër Dhunës”, shtatë prej liderëve të të cilit janë në grevë urie.

    Vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të Evropës denoncuan parregullsi serioze, përfshirë “blerjen e votave” dhe “mbushjen e kutive të votimit”. Megjithëkëtë, presidenti serb ka insistuar se zgjedhjet “ishin më të drejtat në historinë e fundit të Serbisë” teksa ka akuzuar “shtetet e fuqishme të huaja” se synojnë “ta destabilizojnë vendin”.

    Ky kontekst helmues e reflekton strategjinë e tensioneve të Vuçiqit, duke i konfirmuar dyshimet në rritje për orientimin evropian të Serbisë. Duke qenë në pushtet prej pothuajse 10 vjetësh, presidenti ka shpërfaqur admirimin e tij për ish-diktatorin Slobodan Milosheviq, i cili vdiq para se të përfundonte gjykimi i tij për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

    Vuçiqi nuk hoqi dorë nga ambicia e tij për ta rimarrë kontrollin mbi Kosovën – pavarësinë e së cilës nuk e pranoi kurrë që prej shpalljes së saj më 2008 – siç mund të demonstrojë edhe operacioni i zmbrapsur i komandove serbë, i ndërmarrë në shtator.

    Së fundmi, ani se është president i një shteti që është kandidat për anëtarësim në BE (prej së cilës ka pranuar fonde), ai ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë dhe ka ndaluar së zbatuari reformat e kërkuara nga blloku.

    Evropianët qysh moti besonin se marrëdhëniet tregtare të Serbisë me BE-në, si dhe zhvillimi ekonomik i vendit, në fund të fundit do të triumfojnë mbi retorikën nacionaliste të Vuçiqit. Ata tani e kanë çdo arsye për ta parë lojën e tij të dyfishtë me kujdes. Franca, në veçanti, është shumë e lidhur me ambicien për ta ankoruar Ballkanin – dhe rrjedhimisht edhe Serbinë – në bllok. Kjo dilemë nuk është asgjë tjetër veçse e drejtpërdrejtë, ngase sa më e largët të duket të jetë hyrja e Serbisë në BE, aq më tepër do të përfitojnë nga kjo situatë Rusia e Kina për t’i avancuar interesat e tyre.

    Megjithëkëtë, shembulli i vendosur nga Hungaria e Viktor Orbanit, e që ka synuar të veprojë sikurse Kali i Trojës i Rusisë përbrenda BE-së, duhet t’i shtyjë vendet anëtare të kërkojnë pajtueshmëri të plotë dhe të pakthyeshme me sundimin e ligjit, për ta parandaluar Beogradin që një ditë ta përsërisë taktikën e njëjtë. Evropianët e dinë nga historia e tyre se rreziqet e një krize në Ballkan mund të mbartin pasoja shkatërruese, larg përtej vetë rajonit. Kundruall sfondit të përkeqësimit të tensioneve nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, ata duhet të jenë vigjilentë përballë teprimeve të presidentit serb.

  • Analistët: Qeveria Kurti dështoi në vitin 2023, pati progres të limituar

    Analistët: Qeveria Kurti dështoi në vitin 2023, pati progres të limituar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka deklaruar se gjatë viti 2023 ka pasur fusha ku do të dëshironte të kishte më shumë sukses.

    E, pavarësisht kësaj ka thënë se asnjë punë në qeverisjen e tij nuk ka shkuar në drejtim të gabuar.

    Ndërsa, e ka pranuar se si qeveri nuk janë të përsosur.

    Por, se cilat janë dështimet dhe përparimet e kësaj qeverie në këtë vit, për Front Online kanë folur analistë politik.

    Sipas tyre, Qeveria “Kurti” ka pasur shumë dështime e pas progres, madje edhe ky progres sipas tyre ka qenë i limituar.

    Si dështime ata kanë përmendur politikën e jashtme, sektorin e ekonomisë, përfundimin e shumë ligjeve në Kushtetuese e çështje të tjera.

    Arifi: Qeveria “Kurti” me shumë dështime e me progres të limituar

    Analisti politik, Dritëro Arifi, ka numëruar një varg që siç thotë ai janë dështime të kësaj qeverie në vitin 2023.

    Ai ka përmendur edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian, e për të cilat thotë se kjo qeveri nuk arrit t’i heqë ato.

    “Nëse mund të themi dështimet më të mëdha janë pikërisht në sektorin e ekonomisë që nuk kanë arritur ta ringjallin as shpresën por as çështjet ku ekonomia e Kosovës përballet me sundim të dobët të ligjit, me ekonomi joformale. Dështim i radhës këtë vit janë edhe sanksionet apo masa e vendosura nga BE-ja që Qeveria nuk arriti në asnjë mënyrë që të paktën t’i heqë në këtë vit, po ashtu dështim është edhe reforma në drejtësi sepse ende nuk e ka arritur nivelin e duhur të reformës, pra ka suksese shumë të limituara”, ka deklaruar ai për Front Online.

    Si dështim tjetër Arifi po e sheh edhe politikën e jashtme.

    “Sa i përket mosnjohjeve këtu ka dështuar sepse Qeveria nuk ka pasur kapacitet të angazhohet për njohje të reja, por si përparim të limituar mund ta themi kalimin e parë të fazës së Kosovës për anëtarësim në KIE”, është shprehur Arifi.

    Analisti Arifi ka përmendur edhe ligjet të cilat po miratohen në Kuvend, e që pastaj po dërgohen në Kushtetuese dhe po shpallen antikushtetuese.

    Sipas tij, kjo dëshmon dy gjëra.

    “Një problematikë tjetër që këtë qeveri po e përcjell që nga fillimi deri tash janë edhe aprovimi i ligjeve jokushtetuese. Pra në momentin kur ato ligje po shkojnë në Kushtetuese 90% deri tash të ligjeve i ka humbur sepse kanë dalë ligje antikushtetuese dhe kjo dëshmon dy gjëra. E para që kjo qeveri nuk ka kapacitete njerëzore humane për tu marrë në mënyrë profesionale për tu marr me hartimin e ligjeve dhe e dyta është e qëllimshme sepse po tentojnë në forma joligjore në një farë forme ta kontrollojnë tërë pushtetin në Kosovë dhe kjo është shumë e dëmshme”, ka thënë ndër të tjera Arifi.

    Kurse, si përparim e sheh marrjen nën kontroll të veriut, por që edhe për këtë pohon se ende nuk ka përfunduar e gjitha puna.

    “I vetmi përparim që mund ta them është marrja nën kontroll e veriut, mirëpo pikërisht për shkak të këtij përparimi jemi dëmtuar në shumë aspekte tjera, pro sidoqoftë këtë mund ta themi që është përparimi më i madh i Qeverisë Kurti, mirëpo edhe aty ende nuk ka përfunduar puna edhe aty”, ka shtuar ai.

    Demhasaj: Qeveria “Kurti” ka dështuar në aspektin ekonomik, politik e në politikën e jashtme

    Që qeveria Kurti nuk ka pasur përparim në vitin 2023 e thotë edhe analisti tjetër, Arton Demhasaj.

    Ai ka përmendur disa aspekte e që vlerëson që nuk ka pasur lëvizje në to nga kjo qeveri.

    “Jo vetëm në vitin 2023 por prej marrjes së mandatit të kësaj qeverie nuk është që mund të shquhen për ndonjë lëvizje të madhe në aspektin politik, as në atë ekonomik e as në atë të politikave të jashtme. Politika e jashtme ka stagnuar në të gjitha aspektet, pra nuk kemi asnjë njohje që ka arrit me siguru, po ashtu nëse flasim edhe për çështjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare nuk ka ndonjë lëvizje përpos një aplikim që e kemi bërë”, ka thënë ai.

    Por, deklaron se në dialog ka pasur një përparim.

    “Në dialog mund të themi se kemi pas pak a shumë përparime, kemi pas marrëveshjen e Brukselit njëkohësisht aneksin e Ohrit por që pastaj ka ngec në implementim. Tash mund të themi se kemi pas një përparim pasi kemi pas edhe një konvertim të targave nga ana e serbëve në komunat veriore dhe vendimi i Qeverisë së Serbisë për t’i njohur ato targa”, është shprehur Demhasaj.

    Kurse fatkeqësi për këtë qeveri e quan atë se shumë ligje pas dërgimit në Gjykatën Kushtetuese po dalin të jenë antikushtetuese.

    “Opozita e ka vlerësimin e saj edhe një pjesë të madhe të ligjeve i ka dërguar në Kushtetuese dhe është fatkeqësi që shumicën prej atyre ligjeve Kushtetuesja i ka vërtetuar që janë antikushtetuese, dje ishte i fundit edhe Ligji i Pagave dhe kjo tregon që në një farë forme Qeveria edhe Kuvendi një pjesë të ligjeve që i kanë votuar janë konstatu se janë kundërkushtetuese”, ka thënë tutje ai.

    Muhaxhiri: Politika e Jashtme në vitin 2023 ka stagnuar totalisht

    Vit të vështirë vitin 2023 për qytetarët e Kosovës e sheh edhe analisti tjetër Artan Muhaxhiri.

    Muhaxhiri, deklaron se kryeministri Albin Kurti shumicën e energjisë së tij e ka shpenzuar në dialog.

    “Viti 2023 ka qenë shumë i vështirë për qytetarët e Kosovës sepse nuk ka pas ndonjë zhvillim substancial ekonomik dhe politik dhe kanë qenë në shpërputhje me tentimet të cilat janë bërë nga qeveria Kurti për përmirësim të shpejtë dhe fundamental të mirëqenies së qytetarëve. Çështja e dialogut e ka dominuar gjithë vitin dhe kryeministri Kurti ka harxhuar shumicën e energjisë së tij politike duke u marrë më tema direkte apo indirekte të procesit të dialogut”, është shprehur Muhaxhiri për Front Online

    Ndërsa, për përfundimin e shumë ligjeve në Kushtetuese, Muhaxhiri thotë se qasja e Qeverisë për këtë çështje më shumë ka qenë partiake.

    “Qeveria e Kosovës ka pasur shumë probleme në aspektin e ligjeve sepse qasja e saj ndaj ligjeve ka qenë partiake e jo shtetërore, prandaj edhe ka has në bllokada të panumërta nga Kushtetuesja për faktin që ligjet që janë propozuar nga Qeveria dhe janë miratuar në Kuvend nuk kanë qenë në harmoni me Kushtetutën dhe kjo është bërë një traditë negative dhe e dëmshme”, ka thënë ai.

    Sipas tij, stagnim ka pasur edhe në politikën e jashtme.

    “Politika e jashtme e Kosovës ka stagnuar në plotëni sepse nuk ka pas as vizion, as plane e as ide që të avancohet pozita ndërkombëtare e Kosovës”, ka pohuar ndër të tjera Muhaxhiri.

    Ndryshe, qeveria e Kosovës në këtë vit ka mbajtur 62 mbledhje me 564 vendime të marra e 78 projektligje të kaluara.

  • A po e refuzon Qeveria draft-statutin e Asociacionit?

    A po e refuzon Qeveria draft-statutin e Asociacionit?

    Partitë opozitare kanë shprehur shqetësim, siç thonë, me ndryshimin e qëndrimeve të kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Konjufca për draft-statutin e asociacionit. Sipas tyre, qëndrimet e tyre fillimisht për dhe pastaj kundër zbatimit, janë jo serioze dhe do të ndikojnë keq në marrëdhëniet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar. Analistët thonë se Qeveria duhet të ketë kujdes sepse kjo ndikon në prishjen e raporteve me faktorin ndërkombëtar.

    Pas kërkesave të shumta të faktorit ndërkombëtarë se Qeveria duhet ta themelojë asociacionin në bazë të draft-statutit të propozuar nga BE-ja, kryeministri, Albin Kurti Kurti, ka thënë se BE-ja dhe presidenti serb Vuçiq e kanë humbur shansin më 26 tetor në Bruksel, kur ai ishte i gatshëm ta nënshkruajë Asociacionin, ndërsa Vuçiq jo. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dal hapur kundër draft-statutit të Asociacionit. Sipas tij, nuk mund të zbatohet drafti në të cilin ka shumë pika të dëmshme. Partitë opozitare ndërkohë kritikojnë pushtetin për ndryshim qëndrimesh.

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se është jo serioze që njëherë të pranohet e pastaj refuzohet një marrëveshje ndërkombëtare.

    “Qesharake dhe për keqardhje janë deklarimet e udhëheqësve të shtetit për asociacionin. Kryeministri ka pranuar në marrëveshjen e Ohrit asociacionin. Asociacioni është derivat i nenit të 7 të kësaj marrëveshje”, tha Çitaku.

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qeveria Kurti nuk duhet të merret seriozisht për shkak të ndryshimeve të qëndrimeve që ka treguar në raport me marrëveshjen për Asociacionin. Sipas tij, luhatja e qëndrimeve do të ndikojë për të keq në raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar.

    “Kjo Qeveri nuk duhet të merret seriozisht. Thanë se nuk e pranojnë asociacionin e pranuar në Ohër dhe Bruksel”, tha ai.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk mund të ketë vazhdim të dialogut derisa pala serbe përmes një letre dërguar BE-së ka shprehur hapur se nuk do ta njoh de-facto Kosovën.

  • Maqedonci: Prezenca ushtarake e Serbisë në kufi, kërcënim i vazhdueshëm

    Maqedonci: Prezenca ushtarake e Serbisë në kufi, kërcënim i vazhdueshëm

    Përgatiti: Nora Luta

    Anëtarësimi në NATO do të jetë synim i Kosovës edhe gjatë vitit të ardhshëm.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme që të jetë pjesë e këtij institucioni, megjithatë, pengesë, sipas ministrit, janë shtetet mosnjohëse.

    Por, Maqedonci thekson se mbështetja e SHBA-së dhe e vendeve të tjera anëtare e përafron integrimin e ushtrisë kosovare në NATO.

    Ministri Maqedonci thotë se FSK-ja ka kapacitete të plota për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit.

    I pyetur rreth prezencës ushtarake të Serbisë në kufi, tha se paraqet kërcënim të vazhdueshëm.

    Rritja e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës në 201 milionë euro, konsiderohet se ka ndikuar në ngritjen e kapaciteteve dhe furnizimin me armatim.

    Dronët bajraktarë janë vetëm një nga llojet e shumta të sistemeve moderne të armatimit, me të cilat është pajisur FSK-ja gjatë këtij viti.

    Maqedonci ka folur edhe për ushtrimin “Defender 2023”, duke paralajmëruar se pas dy vjetësh Kosova sërish do të jetë vend mikpritës.

    Në mesin e të arriturave të FSK-së gjatë vitit 2023, ai e ka renditur dhe rekrutimin e pjesëtarëve, shkollimin e tyre dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

  • Më 2024, Qeveria planifikon ta nisë taksimin e rrugëve

    Më 2024, Qeveria planifikon ta nisë taksimin e rrugëve

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në projektligjin për rrugët, të miratuar në qeveri, më 13 dhjetor parashihet që autostradat të bëhen me pagesë.

    Aktualisht autostrada të gatshme në të cilat mund të fillojë pagesa janë dy, “Arbër Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”, por taksa do të vlejë edhe për autostradat e reja që pritet të përfundojnë në dy vitet e ardhshme.

    Ministri i infrastrukturës, Liburn Aliu, thotë se qytetarët e Kosovës, taksat rrugore do t’i paguajnë kur t’i regjistrojnë veturat, ndërsa ata që vijnë nga jashtë do të bëjnë pagesë në mënyrë elektronike.

    “Ka qenë kërkesë e kamotshme, por jemi duke e mendu një sistem tjetër, sistem digjital, ku veturat kur regjistrohen e bëjnë atë taksën, ndërsa ato që vijnë nga jashtë e detyrohen të paguajnë nëpërmes sistemit të e-vinjetës, që përdoret nëpër vendet e perëndimit”, tha Aliu.

    Sipas njohësve të komunikacionit dhe atyre të ekonomisë, këto autostrada i plotësojnë kushtet që të bëhen me pagesë, por kërkojnë që çmimi të jetë i arsyeshëm.
    “Kosova i ka dy autostrada, atë “Arbër Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”, që të dyja i plotësojnë kriteret për me u pagua, mirëpo nuk duhet të vendoset taksa 5 euro se është shumë, taksa nuk duhet të kalojë vlerën më shumë se 1 euro e 50 centë, pra të jetë në proporcion me rrogat në Kosovë”, tha Bekim Ahmeti, njohës i komunikacionit.

    “Është e mirëseardhur për buxhetin e Kosovës, edhe për faktin që edhe shtetet e rajonit e kanë një taksë të tillë, si Shqipëria dhe Maqedonia. Uroj që taksa të jetë në proporcion me të hyrat e qytetarëve dhe të bizneseve, që të mos jetë taksë shumë e ngarkueshme”, tha Mustafë Kadrija, ekonomist.

    Projektligji mes tjerash, parasheh gjithashtu edhe rehabilitimin e rrugëve, ndërtimin e nënkalimeve, si dhe lidhjen e autostradave me rrugët lokale.

  • Plus 11. 8 milionë euro, energjia në veri sërish barrë e taksapaguesve

    Plus 11. 8 milionë euro, energjia në veri sërish barrë e taksapaguesve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Duke marrë mjete financiare të destinuara për Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, Qeveria mbuloi humbjet si pasojë e mospagesës së energjisë elektrike në Veri nga qytetarët në këto komuna.

    Nga totali prej 11.8 milionë eurosh, 4.7 milionë u morën nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit, i cili të hyrat i grumbullon nga importi në dy pikat kufitare në veri, Jarinjë e Bërnjak.

    Mjetet në vlerë 3.5 milionë euro nga ky Fond për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në komunën e Mitrovicës së Veriut, përbëjnë shumën më të madhe që u mor nga një kod buxhetor.

    Ndërsa, mjete u morën nga gjithsej 132 kode buxhetore, që do të ndikojnë në projekte infrastrukturore, shërbime dhe në të tjera të tilla.

    Ndonëse, më ndryshe se herët e kaluara, edhe kjo formë e mbulimit të humbjeve, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka burim taksat.

    Në këtë kontekst, profesori i ekonomisë, Medain Hashani, theksoi se Kosova është vendi i vetëm ku qytetarët paguajnë tri herë për energjinë elektrike.

    “Hera e parë e paguajmë faturën tonë të cilën e shpenzojmë…// Këto mjete do të duhej të investoheshin në projekte infrastrukturore, në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, mirëpo është paguar fatura e dytë nga ana jonë. Fatura e tretë, është që të gjitha tatimet që ne si qytetarët i paguajmë, janë faturë që Qeveria i jep subvencione KEK-ut”, tha Hashani.

    Krahas vërejtjeve për vendimin, profesori kritikoi ritmin e ngadaltë të lëvizjes drejt faturimit të energjisë elektrike në veri.

    “Është dashur të bëj mobilizim më të madh në regjistrimin e njehsorëve dhe fillimin e faturimit te këta njehsorë. Mirëpo, ende nuk ka ndodhur diçka e tillë dhe ne si qytetarë, me paratë tona, po detyrohemi t’i paguajmë faturat e rrymës në veri”, tha Hashani.

    Më 9 Dhjetor, KEDS-i dhe Elektroseveri nënshkruan kontratën që i hap rrugë faturimit të energjisë elektrike, në katër komunat me shumicë serbe, por ende nuk ka njoftim zyrtar se kur do të nisë diçka e tillë.

    Dëmi buxhetor nga mospagesa e energjisë në këtë pjesë të vendit, që nga përfundimi i luftës, llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.

  • Dick Marty vdiq në moshën 78-vjeçare, konfirmoi partia e tij

    Dick Marty vdiq në moshën 78-vjeçare, konfirmoi partia e tij

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Ish-senatori dhe prokurori zviceran, Dick Marty, vdiq në moshën 78-vjeçare, raportuan mediat. Sipas mediave zvicerane, trupi i pajetë i Martyt është gjetur në shtëpinë e tij.

    Vdekjen e Martyt e ka konfirmuar edhe Partia Radikale e qendrës së djathtë, të cilës i takonte. Marty u bë i njohur ndërkombëtarisht si anëtar i Këshillit të Evropës dhe i Komisionit të OSBE-së për të Drejtat e Njeriut.

    Ai u zgjodh anëtar i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 1999. Për një kohë edhe kryesoi Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat. Nga këshilli u largua në vitin 2011.

    Paraprakisht në vitin 2010 publikoi një raport në të cilin pretendonte trafikimin me organe e në të cilin implikonte ish-pjesëtarë të rangut të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Hetimi i tij kishte në fokus pretendimet e mëparshme të bëra nga Carla Del Ponte, ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, të cilat ajo i përmendi në një libër në vitin 2008.

    Marty nuk paraqiti dëshmi të fuqishme për pretendimet e tij, megjithatë, raporti i tij u miratua nëpërmes një rezolute të Këshillit të Evropës në janar 2011. Si pasojë e raportit u themelua edhe Gjykata Speciale nga Kuvendi i Kosovës, disa vjet më vonë. E në Hagë tashmë po akuzohen ish-pjesëtarët e UÇK-së për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Në kohën kur raporti u publikua krimet e luftës në Kosovë ende i hetonte EULEX-i, ndërkaq pretendimet e Martyt për trafikim organesh i komentoi si “përrallë bizare”.

    Sipas EULEX-it, në atë kohë, pohimet e Martyt vetëm sa tërhiqnin vëmendjen nga detyra e vërtetë për të gjetur trupat e rreth 1.861 personave sa ende ishin të zhdukur atëherë e dy të tretat prej tyre ishin shqiptarë.

  • Vdes Dick Marty

    Vdes Dick Marty

    Ka vdekur në moshën 78-vjeçare, ish-senatori dhe prokurori zviceran, Dick Marty. I zgjedhur në Senatin Zviceran në vitin 1995, ai ishte anëtar i Partisë Radikale të qendrës së djathtë. Ai dha dorëheqjen në vitin 2011.

    Në vitin 2010 ai publikoi një raport mbi trafikimin e dyshuar të organeve në Kosovë, në të cilin implikonte anëtarë të rangut të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Marty duke shkruar shkroi një raport për Këshillin e Evropës, pretendoi se UÇK-ja kishte kryer krime të rënda, përfshirë trafikimin e organeve, raport mbi bazën e të cilit u hap edhe një hetim kundër Hashim Thaçit.

    Ish-prokurori zviceran, i cili shërbeu edhe si anëtar i Këshillit të Evropës deklaroi i habitur se shërbimet speciale në serbi kishin paguar para, për ekzekutimin e tij./Indeksonline/

  • Ngrihet aktakuzë kundër 6 personave, dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar

    Ngrihet aktakuzë kundër 6 personave, dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar

    Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë (6) personave për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

    “Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër gjashtë (6) personave për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” sanksionuar me nenin 277 të Kodit Penal dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” sanksionuar me nenin 364 të Kodit Penal”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

    Tutje thuhet se të akuzuarit S.S, E.Xh, Sh.H, Sh.J, S.H dhe M.L si grup i organizuar kriminal me dashje janë marrë vesh paraprakisht që të furnizohen, transportojnë, këmbejnë, ndërmjetësojnë dhe shesin në mënyrë të paautorizuar armë dhe municion të llojeve të ndryshme, ashtu që gjatë zbatimit të kontrollit të shtëpisë së të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar njëzet (20) armë të gjata AK-47 dhe prova tjera materiale.