ATV

Tag: Ballina

  • Gaza: Foshnja shpëtohet e gjallë nga rrënojat pas sulmit ajror izraelit në Rafah

    Gaza: Foshnja shpëtohet e gjallë nga rrënojat pas sulmit ajror izraelit në Rafah

    Ekipet e shpëtimit në qytetin Rafah, në jug të Gazës, kanë nxjerrë të gjallë një vajzë nga rrënojat pas një sulmi ajror izraelit.

    Njerëzit përdorën duart e tyre për të çliruar Mariam Abu Akel nga mbeturinat, përpara se një shpëtimtar të vraponte me të në një spital aty pranë.

    Mjekët atje ia fshinë prerjet.

    Foshnja ishte strehuar në një shtëpi me familjen e saj kur ndodhi sulmi, i cili vrau nënën dhe motrën e saj, raportoi Reuters. Babai dhe vëllai i saj i vogël mbijetuan.

    Sulmi ajror vrau 20 persona dhe plagosi 55, sipas një zëdhënësi të ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

    Videon mund ta shikoni KËTU.

    Më shumë se 21,500 njerëz – kryesisht fëmijë dhe gra – janë vrarë gjatë sulmeve hakmarrëse izraelite në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Mijëra të tjerë besohet se janë ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga sulmet ajrore dhe artilerie.

    Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake në Gaza pasi Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz – shumica civilë – dhe duke marrë rreth 240 pengje.

  • Arrestohet një shtetas serb, tentoi t’u japë ryshfet policëve

    Arrestohet një shtetas serb, tentoi t’u japë ryshfet policëve

    Policia e Kosovës dje në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, rreth orës 10:00, ka ndaluar një kamion me targa të Serbisë, i cili nuk kishte vendosur letrat ngjitëse në targa.

    Derisa zyrtarët policorë po i shqiptonin gjobën drejtuesit të automjetit, ky i fundit  afrohet te vetura e policisë duke ofruar para me qëllim që t’i shmangej gjobës.

    Për këtë veprim zyrtarët policorë kanë njoftuar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Mitrovicë-Veri, të cilët kanë iniciuar rastin dhënie e ryshfetit ndaj A.G. (46), shtetas i Serbisë.

    Për rastin është njoftuar prokurori, i cili të dyshuarit ia ka caktuar masën e ndalimit policor 48 orë.

  • Shtatorja e komandantit Adem Jashari së shpejti do të vendoset në Mitrovicë

    Shtatorja e komandantit Adem Jashari së shpejti do të vendoset në Mitrovicë

    Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza ka bërë të ditur që shumë shpejt, shtatorja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari do të vendoset në këtë qytet.

    “Shtatorja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, së shpejti në Mitrovicën tone”, ka shkruar Hamza.

    Teksa në pamjet e publikuara shihet se shtatorja është pothuajse e përfunduar.

     

     

  • PSRK-ja konfirmon urdhërarrestin ndaj Milan Radojiçiqit

    PSRK-ja konfirmon urdhërarrestin ndaj Milan Radojiçiqit

    Përgatiti: Nora Luta

    Urdhërarresti ndërkombëtar për të dyshuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiçit, është aktiv.

    Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Speciale e Kosovës të premten, kryeprokurori i së cilës, Blerim Isfuaj ka theksuar se hetimet rreth sulmit janë duke i vazhduar në bashkërendim me Policinë e Kosovës.

    Për kritikat e ekzekutivit, Isufaj tha se nuk është çështje e kryeministrit ngritja e aktakuzave.

    Isufaj në konferencën e fundvitit ka konfirmuar se me miratimin e tij, Radoiçiçit i ishte tërhequr urdhërarresti, por arsyet nuk mund të bëhen publike.

    Isufaj i cili është përzgjedhur edhe për një mandat në krye të PSRK-së prezantoi punën e këtij institucioni gjatë këtij viti, ku rreth 59 % e rasteve të PSRK-së përfunduan me aktgjykime fajësuese.

    Prokuroria Speciale e Kosovës, juridiksioni i së cilës shtrihet në tërë territorin e vendit, vetëm gjatë muajit dhjetor ngriti disa aktakuza, mesin e tyre ajo ndaj Dejan Pantiq, dhe tre të tjerëve për sulmin ndaj zyrave të KKZ-ve në veri.

  • Presidentja propozon program për përmirësim të kushteve për ushtarët e FSK-së

    Presidentja propozon program për përmirësim të kushteve për ushtarët e FSK-së

    Përgatiti: Nora Luta

    Sali Morina është vetëm njëri nga 325 ushtarët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që u certifikuan të premten.

    Morina tha se do të angazhohet që detyrën e re ta kryej me përkushtim.

    Për Morinën, dhe ushtarët e tjerë të FSK-së, presidentja Vjosa Osmani ka prezantuar një program, që sipas saj synon përmirësimin e kushteve të punës.

    Komandantja supreme e FSK-së, në ceremoninë e certifikimit të ushtarëve të rinj, që u mbajt në Ferizaj, ka thënë se tashmë ky program është hartuar.

    Në të përfshihen shtesat për rrezikshmëri, sigurimi shëndetësor dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak.

    Zotime për përkrahje ndaj ushtarëve të FSK ka dhënë edhe kryeministri Albin Kurti.

    Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet për FSK-në mbi 200 milionë euro për vitin e ardhshëm.

  • Më 2024, Hovenieri kërkon përparim të njëmendtë Kosovë – Serbi

    Më 2024, Hovenieri kërkon përparim të njëmendtë Kosovë – Serbi

    Përgatiti: Entela Sahiti

    Zbatimi i marrëveshjeve të dala nga procesi i dialogut Kosovë-Serbi, është një ndër mesazhet kryesore të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në adresimin e tij për fundvit.

    Hovenier pret nga Kosova dhe Serbia që në vitin e ardhshëm të kenë përparim të njëmendtë.

    “Në 2024 shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshje si dhe Kosovën, që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, tha Hovenier.

    Sipas diplomatit amerikan, ky proces i normalizimit duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa të dy vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimet e tyre drejt BE-së.

    Hovenier po ashtu, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara si më parë për partneritet me popullin e Kosovës, teksa ka deklaruar se me Qeverinë e Kosovës kanë shtyrë përpara tri qëllimet kryesore.

    “Të shohim Kosovën duke e marrë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, sundim më të mirë të ligjit dhe qeverisje të përgjegjshme dhe efektive, dhe zhvillim gjithëpërfshirës të kapitalit njerëzor dhe rritje të qëndrueshme ekonomike”, tha Hovenier.

    Tutje, ai përmendi disa pika kryesore që janë arritur gjatë këtij viti, duke potencuar Gjykatën Komerciale, përfshirjen e SHBA-së në programet e artit dhe arsimit si dhe dyfishimin e zotimit për energji të ripërtrishme.

    Sipas tij gjatë vitit 2023 ka pasur momente të vështira, por që ka pasur edhe arritje e shumë përparim, për të cilat thotë se duhet festuar.

  • Korridoret e reja ajrore, fluturime me të shkurtra, bileta më të lira

    Korridoret e reja ajrore, fluturime me të shkurtra, bileta më të lira

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë pritet të ndikojë pozitivisht veçmas në aspektin kohor dhe koston e fluturimeve nga vendet perëndimore-evropiane për në Kosovë dhe anasjelltas.

    Derisa ekspertë të aviacionit civil theksojnë se korridoret e reja ulin shpenzimet operuese dhe ato të trafikut ajror, agjencitë presin reflektim në çmimin e biletave.

    Krahas aspekteve tjera, shkurtimi i rrugëve ajrore pritet të rezultojë edhe në shtimin e avio-kompanive operuese, linjave të reja dhe atyre direke, nga dhe për në Aeroportin e Prishtinës.

    Fluturimet në rrugët ajrore të Shqipërisë do të mundësohen përmes dy pikave të navigimit, Arbër dhe Kukad, në kufirin ndërmjet dy shteteve.

    Funksionalizimi i pikave që do të përdoren për udhëzime dhe koordinim të fluturimeve komerciale, vjen tre vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes.

  • KEDS dhe KESCO sigurojnë se do të ketë furnizim të qëndrueshëm me rrymë për festat e fundvitit

    KEDS dhe KESCO sigurojnë se do të ketë furnizim të qëndrueshëm me rrymë për festat e fundvitit

    KEDS dhe KESCO njoftojnë të gjithë konsumatorët se aktualisht furnizimi me energji elektrike në Kosovë është stabil.

    Përgjatë tërë verës janë realizuar mirëmbajtje te nevojshme dhe qindra projekte në kuadër të planit investiv, me qëllim që të kemi një rrjet të qëndrueshëm, sidomos përgjatë dimrit, kur kërkesat për energji elektrike janë më të mëdha.

    Meqë ndodhemi në prag të Vitit të Ri, janë paracaktuar mbi 400 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion të përkujdesen që konsumatorët të festojnë më drita.

    Përveç punimeve të planifikuara, KEDS-i ka punuar dhe punon vazhdimisht në mirëmbajtjen preventivt të rrjetit elektrik, me qëllim që të gjithë konsumatorët tanë të kenë furnizim stabil me energji elektrike.

    Megjithatë, furnizimi pa ndërprerje për qytetin e Malishevës mbetet ende sfidues, sepse, njëjtë siç kemi informuar edhe më parë, për shkak të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve transmitive të tensionit të lartë mund të shkaktohen mbingarkesa. Probleme të njëjta mund të kemi edhe në disa lokacione të kufizuara të qytetit të Ferizajit.

    Pavarësisht parapërgatitjeve të duhura e me kohë të bëra nga KEDS-i për furnizim të qëndrueshëm gjatë festave të fundvitit, respektivisht përgjatë dimrit, krahas një urimi të përzemërt për Vitin e Ri 2024, ju bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që ta përdorin energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale, sepse, duke qenë kështu, përveçse nuk shkaktohet ngarkesë e madhe në rrjet, energjia elektrike shpërndahet tek të gjithë dhe në mënyrë lineare.

  • ​Osmani, ushtarëve të rinj: Jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së

    ​Osmani, ushtarëve të rinj: Jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së

    Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë bashkangjitur edhe një gjeneratë e ushtarëve të rinj. 325 pjesëtar të rinj të kësaj force janë betuar për shërbim në këtë institucion, numër ky më i larti që ka diplomuar ndonjëherë në ushtri.

    Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe autoritetet më të larta shtetërore, të cilët njëherazi u shprehen krenarë më të arriturat e FSK-së.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është shprehur krenare nga ky sukses i ushtareve të rinj, për të cilën tha se të njëjtit janë trashëgimtarë të UÇK-së.

    “Ndjehem jashtëzakonisht e lumtur që sot në këtë ceremoni të veçantë ndajmë së bashku emocionet e festës dhe të kurorëzimit të suksesit të madh të 325 djemve e vajzave tona të gjeneratës 2023 të FSK-së. Të dashur ushtar të rinj të kësaj gjenerate, jam krenare që sot ju mbani uniformën e Forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së dhe jam krenare veçanërisht me hapin e parë që hodhët në pragun e komandës së doktrinës dhe stërvitjes duke prekur ëndrrën tuaj për t’u bërë ushtar e ushtare të FSK-së e duke filluar rrugëtimin tuaj me plot sfida në mbrojtje të atdheut tonë të dashur, Republikës së Kosovës. Ju duke përvetësuar mësimet e trajnimet jeni formësuar dhe zhvilluar në ushtarak me karakter që përvetësojnë idealet e shenjta të detyrës, nderit dhe atdheut të ndërlidhura me vlerat dhe standardet më të larta të ushtarakeve të vendeve anëtare të NATO-s. Përmes programit ushtarak keni rrënjosur kompetencat themelore ushtarake të nevojshme për të fituar betejat në një rajon e një botë me sfida e kërcënime komplekse si dhe me frymëzimin e duhur për përsosmëri të vazhdueshme profesionale dhe shërbim ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

    Osmani tha se në cilësi të komandantes supreme përveç mirënjohjes dhe vlerësimit të lartë për sukseset dhe të arriturat e FSK-së, ka qenë vazhdimisht e interesuar për statusin e mirëqenies sociale ekonomike të personelit ushtarak të Forcës sonë, me ç’rast shtoi se gjatë vitit të ardhshëm do t’i adresojnë me prioritet çështjet e përmirësimit të mirëqenies socio-ekonomike.

    “Rikujtoj edhe më këtë rast se bazuar në vlerësimin e sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale në mjedisin e sigurisë së vendit dhe me qëllim të forcimit dhe avancimit të statusit zyrtar dhe përmirësimit të mirëqenies socio-ekonomike të pjesëtarëve të FSK-së gjatë këtij viti së bashku me ekipin tim kemi punuar në hartimin e propozimit për një program shtetëror që bazohet në shtatë shtylla kyçe. E para është realizimi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri, realizimi i pagesave të punës me ndërrime apo të kujdestarisë dhe punës jashtë orarit, shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak për shërbime deri në nivelin terciar për ushtaraket, policët, për ushtarakët dhe policët tanë dhe familjet e tyre, për familjet e ushtareve të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës të rënë në detyrë, si dhe për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës së UCCK-së, përmirësimi i cilësisë së ushqimit dhe transportit, sigurimi i banimit të përballueshëm ndërmjet një programi të veçantë dhe krijimi i fondit kreditues me kushtet e veçanta për ushtarët e FSK-së. Për gjitha çështjet që kërkojnë ndryshime legjislative presidenca do të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë, kuvendin dhe institucionet tjera relevante…Ne jemi të vendosur që Kosova të jetë një partner i sigurte dhe kontribuues për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare siç edhe është dëshmuar me ngritjen e buxhetit”, shtoi Osmani.

    Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Albin Kurti derisa është shprehur krenar me të arriturat e Forcës së Ushtrisë së Kosovës, është zotuar para ushtarëve që qeveria do t’i përkrahë gjithmonë këtë institucion.

    “Grupi juaj është shumë i veçantë, sepse jeni grupi më i madh që ka diplomuar ndonjëherë në ushtrinë tonë, gjithsej 325. Nga sot ju filloni detyrën fisnike, po aq edhe sfiduese për t’i shërbyer atdheut në mbrojtje dhe ruajtje së paqes së patjetërsueshme. U zotuam se ushtria do ta këtë përkrahjen e pakursyer të qeverisë, këtë e kemi dëshmuar çdo vit të qeverisjes sonë. Fillimisht në vitin e parë të qeverisjes në vitin 2021 e ngritëm buxhetin për herë të parë ne vlerë mbi 100 milion euro, nga ai vit buxheti për ushtri ka qenë përherë më i madh dhe gjithmonë në ngritje. Sivjet ai ishte mbi 200 milionë euro apo mbi 2 për qind të bruto produktit vendor sipas kriterit të shteteve anëtare të NATO-s. Pra dyfish më shumë vetëm në krahasim me vitin tonë të parë të qeverisë. Ndërkaq, me ju sot po shënojmë pothuajse dyfishimin e numrit të përgjithshëm të ushtrisë, teksa kemi katërfishuar trajnimet e ushtarakeve në raport me qeverisjet e kaluara. Ushtria jonë po rritet e do të zhvillohet në vazhdimësi me të rinjtë e të reja si ju që duan t’i shërbejnë atdheut pikërisht si shqiponja sypatrembur që qëndisur si emblemë keni në krahë e që me nder dhe krenari bartin veshur uniformën e FSK-së”, tha Kurti.

  • Hovenier me mesazh urimi: Normalizimi Kosovë-Serbi mbyllet me njohje reciproke

    Hovenier me mesazh urimi: Normalizimi Kosovë-Serbi mbyllet me njohje reciproke

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka publikuar një video adresim në prag të Vitit të Ri.

    Në këtë prononcim, ai tha se gjatë vitit 2023 ka pasur momente të vështira, por që ka pasur edhe arritje e shumë përparim, për të cilat tha se duhet festuar.

    Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtara si më parë për partneritet me popullin e Kosovës, teksa tha se me Qeverinë e Kosovës kanë shtyrë përpara qëllimet kryesore.

    Tutje, ai përmendi disa pika kryesore që janë arritur gjatë këtij viti, duke theksuar Gjykatën Komerciale, përfshirja e ShB-së në në programet e artit dhe arsimit si dhe dyfishimin e zotimit për energji të ripërtrishme.

    Ambasadori amerikan ka thënë disa fjalë edhe për dialogun Kosovë-Serbi si një prej çështjeve që ka marrë shumë kohë dhe energji. Ai ka thënë se SHBA pret përparim të njëmend gjatë vitit 2024, duke kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit dhe gjithashtu ka kërkuar nga Kosova që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Hovenier ka thënë se procesi i normalizimit Kosovë-Serbi përmbyllet me njohje reciproke dhe ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit është hap i madh drejt këtij synimi.

    Hovenier ka uruar lumturi, shëndet e begati në vitin 2024.