ATV

Tag: Ballina

  • Kurti i kërkon kryeministrit irlandez mbështetjen për statusin kandidat në BE

    Kurti i kërkon kryeministrit irlandez mbështetjen për statusin kandidat në BE

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova dhe Irlanda kanë ngjashmëri të mëdha mes vete dhe se për këtë ka marrë mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës, raporton EO.

    Në konferencën e përbashkët me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, Kurti deklaroi se i ka kërkuar homologut të tij mbështetje për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    “Në një kohë kur demokracia rrezikohet, Irlanda është një shembull nga vendet që luftojnë për t’i mbrojtur ato ideale. Zhvillimi ekonomik dhe progresi social e ka bërë Irlandën frymëzim i shumë shteteve. Irlanda është frymëzuese për ne sepse me ta kemi ngjashmëri që i ndajmë, si nga pikëpamja shoqërore, shquhemi për mikpritjen pavarësisht vështirësive. Te dy vendet kanë miqësi me SHBA-të. Te dy vendet tona janë të orientuara ka rritja thelbësorë dhe progresi social. Irlanda është mbështetëse e Kosovës si në Këshill të Evropës, si dhe për anëtarësim në BE për çka kërkuam mbështetjen për statusin kandidat. Shteti dhe populli jonë janë gjithnjë falënderues dhe mirënjohës. Takimi i sotëm ishte një rast shumë i mirë për marrëdhënie dy paleshe”, u shpreh Kurti.

  • Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu dalin para Gjykatës së Apelit, mediat largohen nga seanca gjyqësore

    Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu dalin para Gjykatës së Apelit, mediat largohen nga seanca gjyqësore

    Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani në gusht të vitit 2021 kanë dalë sot, para kolegjit të Gjykatës së Apelit.

    Seanca e cila nisi pak minuta pas orës 10:00 u mbyll për publikun, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe veprës penale të dhunimit.

    Në këtë seancë, pritet të shqyrtohen ankesat e palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për të akuzuarit Krivaça dhe Sejdiu.

    Kujtojmë se me burgim të përjetshëm ishte dënuar Dardan Krivaça, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje, vendim ky i shpallur nga Gjykata Themelore në Ferizaj, më 4 gusht të vitit 2023.

    Ndryshe, vendimi ndaj të akuzuarve Krivaça e Sejdiu, u shpall pothuajse 2 vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit.

    Marigona, 18 vjeçe, u vra më 22 gusht të vitit 2021. Krivaça e Sejdiu e kishin lënë atë pa shenja jete te dyert e spitalit të Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Marigona ishte keqtrajtuar për më shumë se 72 orë. Gjykimi për vrasjen e saj filloi më 12 korrik të vitit të shkuar./atvlive.tv/

     

  • ​Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun irlandez

    ​Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun irlandez

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur me ceremoni shtetërore Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

    Pas pritjes ceromoniale, dy kryeministrat do të mbajnë një takim dypalësh dhe pas takimit në ora 10:30 pritet të mbahet konferencë e përbashkët e dy kryeministrave.

    Kryeministri Varadkar poashtu nga ora 11:00 do të takohet edhe me presidentën e vendit, Vjosa Osmani.

    Varadkar ka arritur në Kosovë të mërkurën, ku është pritur nga kryeministri i vendit, Albin Kurti në Airoportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

  • Një i mitur ikë nga Qendra Korrektuese në Lipjan

    Një i mitur ikë nga Qendra Korrektuese në Lipjan

    Një i mitur ka ikur nga Qendra Korrektuese në Lipjan, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori për të mitur.

    “Lipjan 10.01.2024 – 12:10. Nga Qendra Korrektues Lipjan raportohet se i dyshuar i mitur mashkull kosovar, ka ikur nga qendra. Ne lidhje me rastin është njoftua prokurori për të mitur”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​Emiratet e Bashkuara Arabe ia heqin vizat Kosovës

    ​Emiratet e Bashkuara Arabe ia heqin vizat Kosovës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se Emiratet e Bashkuara Arabe ia kanë hequr vizat për Kosovës.

    Kështu ajo njoftoi nëpërmjet platfomës X shoqëruar me disa foto gjatë takimit që kishte me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed.

    Sipas Osmanit, marrëveshja është arritur gjatë një takimi që pati me homologun e saj arab muajin e kaluar.

    “Falënderoj Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit tim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja e arritur gjatë takimit tonë muajin e kaluar tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugën për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani në platformën X.

  • Gjini përmend këto dy pika, për të cilat thotë se AAK-ja i kundërshton në draftin e Asociacionit

    Gjini përmend këto dy pika, për të cilat thotë se AAK-ja i kundërshton në draftin e Asociacionit

    Kryetar i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin COTEXT në ATV, tha se janë dy pika që AAK-ja i kundërshton në draftin e Asociacionit.

    E para, thotë ai se, është e palogjikshme që në këtë draft të jetë përfshirë Rezoluta 1244.

    “Për ne në Aleancën, dy pika janë problematike. E para është tepër e thjeshtë, duhet veç me e ba një “delete” se për mendimin tim, kam marrë pjesë në negociata formalisht e jo formalisht e në çfarëdo mënyre, përmendja e Rezolutës 1244 është në gërrem, është një huk që don me u gjuajtë mbas asaj teme sepse është e panevojshme dhe e pakuptueshme, që një dokument të cilin duhet zyrtarisht me e prodhu Qeveria e Kosovës, në fund të fundit ka me qenë dokumenti i Qeverisë, me e pasë referencën te Rezoluta 1244. Kam provu me i shiku edhe aspektet e mundshme ligjore, nëse dikush ka gjetur ndonjë variant i cili mundet me qenë ndihmues më vonë, nuk ka as relevancë e as logjikë me qenë ajo pjesë aty”, tha Gjini.

    Ndërsa pika kryesore të cilën e kundërshton AAK-ja sipas tij është komisioni i arbitrimit.

    “Pjesa më kryesore që ne e besojmë që ndërlidhet me shumë aspekte tjera është komisioni i arbitrimit. Është e vërtetë që gjatë gjithë tekstit të Draft Statutit që ka ardhë, po thuajse gjithkund përmendet në bazë të ligjeve të Kosovës, që është diçka e mirë për shkaka se në Kosovë, vetëm një organ bënë ligje, është Kuvendi i Kosovës, nuk ka organe të tjera edhe nuk parashihet me pasë organe të tjera të cilat bëjnë ligje. Çfarëdo asociacioni, çfarëdo institucioni tjetër i çfarëdo lloji duhet me iu nënshtru Ligjeve të Kosovës që është krejt në rregull. Ligjet e Kosovës nënkuptojnë prej vendimeve që i merr Kuvendi, Qeveria deri te gjykatat. Sidoqoftë dua të them që duhet me insistu që në Kosovë gjithçka me iu nënshtru sistemit ligjor edhe politik të “setup-it” institucional”, tha Gjini. /atvlive.tv

  • 23 ish-ushtarë të UÇK-së të arrestuar në Serbi nga paslufta

    23 ish-ushtarë të UÇK-së të arrestuar në Serbi nga paslufta

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj është vizituar nga shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, kupton ATV.

    Dakajt i cili u arrestua në pikën kufitare në Merdare para disa ditësh autoritetet serbe tashmë i kanë caktuar edhe masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Por që nga paslufta, deri më tani Serbia ka arrestuar së paku 23 ish-pjesëtarë të UÇK-së.

    “Nga paslufta janë 23 persona. Janë mbajtur disa procese gjyqësore, ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Megjithatë me vendime të plotfuqishme janë dënuar vetëm dy prej tyre: Anton Lekaj dhe Ramadan Maloku. Ndërkohë, Petrit Dula ishte liruar nga shkalla e dytë, në prill të vitit 2023.

    Ndërkohë, përveç Hasan Dakajt, në paraburgim që nga janari i vitit 2020 kur u arrestua vazhdon të qëndrojë Nezir Mehmetaj.

    “Ndaj Nezir Mehmetajt deri tash janë mbajtur 40 seanca. Ndaj tij ende nuk ka ndonjë vendim…”, tha Alija.

    Lidhur me arrestimin e Hasan Dakajt dhe ndaljen e ish-ushtarëve të tjerë të UÇK-së ndër vite, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.

    “Megjithatë, përkundër ndryshimeve pozitive, edhe këtë vit po e trashëgojmë një fqinj që vetëm po përkeqësohet. Hasan Dakaj vazhdon të mbahet atje, kjo është një sjellje dashakeqe e Serbisë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar ekstradimin e të dyve nga autoritetet e Serbisë, përgjigje nuk kemi pranuar kurrë”, tha Kurti.

    Sipas mediave serbe, autoritetet në Beograd ndërvite kanë lëshuar rreth 100 fletëarrestime për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

  • Edhe dy javë afat për nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore

    Edhe dy javë afat për nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut kanë edhe dy javë kohë për t’i mbledhur nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve, derisa në Zveçan pesë ditë më shumë.

    Lidhur me këtë proces, sipas ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë të informuar edhe diplomatët e shteteve të QUINT-it, me të cilët u takua të martën.

    Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin-Potok, më 22 dhjetor, ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Në Zveçan filloi më 27 dhjetor.

    Derisa, afati për mbledhjen e nënshkrimeve është 30 ditë, sipas njohësve të proceseve politike vështirë që ky proces mund të mbarojë kaq shpejt.

    Sipas udhëzimit administrativ të lëshuar nga Ministria e udhëhequr nga Krasniqi nevojiten nënshkrimet e 20 për qind të qytetarëve me të drejtë vote për t’i hapur rrugë votimit për shkarkimin e kryetarit. Kjo realizohet vetëm nëse për shkarkim të kryetarit votojnë mbi 50 për qind e votuesve të regjistruar.

  • Licencë të avancuar, nga qershori mësimdhënësit pritet të testohen

    Licencë të avancuar, nga qershori mësimdhënësit pritet të testohen

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Për t’u pajisur me licencë të avancuar, mësimdhënësit pritet t’i nënshtrohen testit me shkrim. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pret që në qershor të këtij viti, një numër i madh i mësimdhënësve t’i nënshtrohen këtij testimi.

    “Synojmë që nga qershori i këtij viti do të nisemi edhe për prodhimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve që janë përcaktuar mbi bazën e standardeve profesionale dhe jam e bindur që kemi mësimdhënës që janë të gatshëm të aplikojnë për këtë licencë”, tha Nagavci.

    Por, atë nuk e mirëpresin mësimdhënësit.

    “Sa i përket vlerësimit ose testimit në aspektin teorik nuk e shoh si të arsyeshme për arsye se çdo mësimdhënës, i cili është në proces mësimor është testuar sa i përket njohurive teorike, ndërsa sa i përket testimit apo vlerësimit të performancës besoj që është shumë e nevojshme dhe kjo ndikon në ngritje dhe cilësi”, tha Naxhie Fejzullahu, mësimdhënëse.

    Për testim me shkrim të mësimdhënësve ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj. Sipas tij, ministrja e ka në plan t’i degradojë mësimdhënësit. Mirëpo, për dallim nga Sindikata njohësit e arsimit konsiderojnë që testimi është i domosdoshëm.

    “Është një proces i mirë-strukturuar për kalim nga licenca e karrierës në licencë të avancuar për ata mësimdhënës që dëshirojnë të kenë këtë kategori të licencës, pra ky testim është për ata mësimdhënës që dëshirojnë të kalojnë nga licenca e karrierës në licencë të avancuar”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.

    Ndërkaq, sipas ministres së Arsimit tashmë janë miratuar udhëzimet administrative, të cilat rregullojnë procesin e licencimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, si dhe vlerësimin e performancës së tyre.

  • Mbledhja e qeverisë, Kurti sërish flet për rrezikun nga Serbia

    Mbledhja e qeverisë, Kurti sërish flet për rrezikun nga Serbia

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për destruktivitetin e Serbisë, rreziqet eventuale dhe veprimet jodemokratike të aparatit të saj shtetëror, foli kryeministri Albin Kurti me pjesën më të madhe të fjalës hyrëse në mbledhjen e Qeverisë.

    Teksa bëri krahasime ndërmjet metodave të frikësimit dhe torturimit nga Serbia me ato të presidentit të Rusisë, Kurti tha se shteti fqinj po vijon me veprime në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit.

    “Në nenin 1 të Marrëveshjes, pra qysh në fillim të saj, theksohet që palët, domethënë Kosova dhe Serbia, do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejta të barabarta. Serbia, megjithëkëtë, zgjedh pothuajse çdo gjë mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me neve. Ajo, në të vërtetë, e zgjedh të sulmojë Kosovën, ashtu siç ka bërë me datën 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, e pastaj të mbrojë nga burgimi kryerësit e kësaj vepre terroriste, në krye me Millan Radojcicin”, tha Kurti.

    Pa dhënë detaje, kryeministri theksoi se Qeveria është e angazhuar për heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja, të cilat sërish i vlerësoi të padrejta.

    Pasi dha vlerësimin e njëjtë me Kurtin lidhur me masat, ministri Elbert Krasniqi nuk tregoi nëse për heqjen e tyre kërkohet dekreti për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

    Në mbledhjen e 182-të, Qeveria ri-shpërndau mjetet financiare të mbetura nga mbështetja e BE-së për krizën energjetike, duke dedikuar 11 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

    Po ashtu, ekzekutivi ndau 287 mijë euro për strehimoret dhe OJQ-të e licencuara, të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.

    Qeveria emëroi anëtarët në bordet e drejtorëve në ndërmarrjen Hekurudhat e Kosovës “Train-Kos”, si dhe në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.