ATV

Tag: Ballina

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Pas pushimit dimëror, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, sot për të dytën ditë me radhë vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës. Gjatë javës janë paraparë të mbahen katër seanca në rastin Shala.

    Në Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i 10 i mbrojtjes, Safet Gashi, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës. Dëshmitari, dje, ka thënë se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë. Ai tha se UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.

    Dëshmitari Safet Gashi do të vazhdojë dëshminë e tij edhe gjatë ditës së sotme, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përkatësisht në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

    Sipas aktakuzës, Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri. Aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021. Më 18 tetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të ndryshojë aktakuzën në mënyrë që të ofrojë nivelin e kërkuar të konkretitetit dhe të qartësisë lidhur me pjesëmarrjen personale të të akuzuarit në incidente. ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e korrigjuar më 1 nëntor 2021. Kjo ishte aktakuza në fuqi në këtë çështje.

    Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

    Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, të përfaqësuesit të viktimave dhe të Mbrojtjes. Më 6 korrik 2023, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

    Ndërsa në rastin gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, seancat do të fillojnë më 15 janar.

    Gjatë muajit janar sipas kalendarit të Dhomave të Specializuar, do të jenë në tërësi 16 seanca gjyqësore, në dy rastet gjyqësore Hashim Thaçi dhe të tjerët’ dhe ‘Shala’.

  • Zeka: Jam duke i përgatitë vajzat me ikë prej Kosovës, këtij vendi i mungojnë tri gjërat më elementare

    Zeka: Jam duke i përgatitë vajzat me ikë prej Kosovës, këtij vendi i mungojnë tri gjërat më elementare

    Gazetari Milaim Zeka, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ikjen nga Kosova e sheh si normale.

    Ai thotë se nuk ka të drejtë morale t’iu kërkojë njerëzve që mos ta lëshojnë vendin për një jetë më të mirë, derisa vazhdon ai, edhe dy vajzat e veta është duke i përgatitur për me ikë jashtë vendit.

    “Çfarë të drejte morale ose njerëzore kam me iu thënë kushërinjve të mi, njerëzve të mi, familjarëve të mi, mos ikë për një jetë më të mirë, për një punë më të mirë, për një siguroi më të mirë. Unë dy vajzat i kam në Suedi, njëra është mjeke, njëra inxhiniere edhe nuk kam arritë që 23 vjet me iu kriju kushte për me ardhë ato me punu në Kosovë. E kur dy vajzat e tjera që i kam këtu, prej fillimit e kam prognozua edhe i kam përgatitë për me ikë përjashta. Unë si babë jam tu i përgatitë vajzat e mia me ikë prej këtij vendi”, tha Zeka.

    Ai thotë se përtej rrogës, janë edhe tri gjëra elementare që i mungojnë këtij vendi.

    “Pse me ikë prej këtij vendi? Sepse përtej rrogës, janë tri gjërat elementare që i mungojnë këtij vendi. Një, është shëndetësia. Shkon në spital i sëmurë, kthehesh më i sëmurë. Një kolege mjeke, kurrë nuk e harroj, e kam citu me qindra herë nëpër studio televizive, mjeke briliante, me ka thënë “ne kemi kushte me mbytë pacientë. Këta janë njerëz fantastikë, mjekë fantastikë, profesionistë fantastikë, po ti shkon te këta kontrollohem, më thotë po me vjen keq Milaim, por duhet me dalë me ble këtë, këtë, me ble gjilpëra. Ky s’mundet me t’i dhënë gjilpërat e veta. Dy, mungesë totale e drejtësisë. Në qoftë se ti jeton në një shtet kur një hetues kriminel, hetues policor, është bërë multi milionerë, kur ti pjesën dërmuese të kapitenëve të graduar të Policisë i ke multi milionera, kur një hetues në Pejë duke kontrolluar një biznesmen, djali i ri të Frankfurtit, e marrin dhe ia fusin 20 gramë kokainë në xhep mbrapa, e fusin në listën e Interpolit dhe ia lypin me e heqë nga Interpoli. Normal që duhet me ikë prej këtij vendi. Dhe, e treta, kur e ke një arsim, një sistem arsimor që prodhon doktora të shkencave analfabetë, profesorë analfabetë, mësues analfabetë, të cilët nuk dinë as artin e komunikimit qoftë me nxënës, qoftë me studentë. Cila është arsyeja që Sindikata e Arsimit vazhdimisht proteston edhe thotë që ne nuk mundemi me i futë në provim pranues arsimtarin. Qysh mos me e futë arsimtarin idiot, që s’e dinë matematikën, që s’e dinë anglishten, që nuk e njeh gjuhën shqipe, pse mos me e futë në provim”, tha Zeka. /atvlive.tv

  • Çmimet e banesave pritet të rriten sërish

    Çmimet e banesave pritet të rriten sërish

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Agjencitë e patundshmërive dhe Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës nuk pajtohen rreth çmimit për patundshmëri gjatë këtij viti.

    Sipas agjencive, çmimi mesatar për një banesë në Prishtinë do të sillet rreth 800 euro.

    “Rreth vitit 2013 në Fushë Kosovë ka qenë çmimi rreth 450 euro për metër katror, në 2020 kanë filluar të rriten mbi 500 euro, pastaj lufta në Ukrainë i ka çuar çmimet në 600 euro, ndërsa sivjet ka shkuar çmimi në 700 euro deri në 800 euro për metër katror në Fushë-Kosovë. Kjo për shkak se çmimet janë rritur në çdo sferë të jetës, por edhe për shkak të punëtorëve. Nëse një punëtor më herët ka marrë 600 euro rrogë, sot e merr 800 deri në 1 mijë në ndërtim, po ashtu edhe materialet ndërtimore të gjitha”, tha Dugagjin Avdyli nga agjencia për patundshmëri.

    E sipas Shoqatës së Ndërtimtarëve, nuk ka ndonjë indikacion që mund të ndikojë në rritjen e çmimeve.

    “Nuk ka ndonjë indikacion që do të rriten, mirëpo duhet me pa qysh lëvizin kur të fillojë sezoni i ndërtimit mes shkurtit, si do të jenë çmimet e materialeve, kostot e tokave e kështu, varet prej rrethanave”, tha Faton Hoxha nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës
    .
    Në anën tjetër, qytetarët vlerësojnë se çmimet për patundshmëri tashmë janë të larta.

    Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, për tremujorin e dytë të vitit 2023 sektori i patundshmërisë mbulon 60.0 për qind të Investimeve të Huaja Direkte apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023.

  • Nisin procedurat për pajisjen e njësive speciale me armë të reja

    Nisin procedurat për pajisjen e njësive speciale me armë të reja

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Armë të reja si këto të modelit QBZ, gjatë këtij viti pritet të vihen në shërbim të Njësive Speciale.

    Televizioni merr vesh se disa zyrtarëve të Njësisë Speciale Operative, tashmë u është prezantuar modeli i armës së gjatë. Megjithatë, deri më tani Policia nuk ka treguar se deri ku arritën procedurat e kur policët do t’i kenë në duar këto armë.

    Kalibri i predhës së armës që prodhohet në disa vende e përdoret edhe nga policitë e vendeve të NATO-s, pritet të jetë pak më i madh se i atyre aktuale.

    “Armët aktuale të njësive janë të ndryshme, por lloji QBZ është vlerësuar se do jetë më preciz sa i përket targetimit, mund të thuhet se është armë e kompletuar…”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Modernizimi i armatimit të strukturave të policisë, sidomos në këtë kohë, konsiderohet i nevojshëm.

    “Furnizimi me armë të reja, përveç i nevojshëm, edhe i domosdoshëm, duke marrë parasysh edhe situatat e reja të sigurisë…”, tha ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

    Momentalisht, në dispozicion të njësive speciale, në kategorinë e mesme e të gjatë, janë armët: Sigsauer, kallashnikov dhe M16.

  • Gashi: UÇK-ja s’ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë, nuk e kam njohur e as s’e kam parë Pjetër Shalën gjatë luftës

    Gashi: UÇK-ja s’ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë, nuk e kam njohur e as s’e kam parë Pjetër Shalën gjatë luftës

    Dëshmitari Safet Gashi, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Hagë, tha se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë. Ai tha se sa iu kujtohet, UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.

    “Sa më kujtohet mua, kurrë nuk ka të bëjë me civilë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sa e di, kurrë me civilë nuk ka pas të bëjë”, tha Gashi.

    Ish-pjesëtari i UÇK-së tha se ata janë merrë vetëm me ushtarë serbë me uniformë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “S’kemi pas të bëjmë me civilë kurrgjë, pos me ushtarë serbë në uniformë. Civilë as serbë nuk kemi arrrestu, le më civilë shqiptarë”, shtoi ai.

    Pas kësaj, me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës, seanca kaloi në sesion privat për publikun.

    Dëshmitari Gashi tha se Shalën nuk e ka parë ndonjëherë gjatë asaj kohe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Kurrë në jetë nuk e kam njoftë atë njeri. As që e kam pa ndonjëherë. Kurrë pa atë njeri s’e kam. Ju betohem”, tha Gashi.

    I pyetur se a kishte parë ndonjë uzinë të Fabrikës në Kukës, dëshmitari mohoi një gjë të tillë dhe tha se nuk kishte informacion nëse kishte ndonjë Shtab tjetër të UÇK-së në këtë qytet.

    Dëshmitari tha se nuk i kujtohet se kur i është bashkuar UÇK-së, mirëpo një gjë të tillë e ka bërë për të luftuar kundër forcave serbe.

    Safet Gashi tha se ka qenë pjesë e Brigadës 128, e cila e ka pas bazën në Guruzhup, ndërsa shtoi se komandant i përgjithshëm i kësaj Brigade ka qenë Ruzhdi Sermati, të cilin e ka parë vetëm 2-3 herë.

    Dëshmitari Gashi tha se ka qenë në togun e njësisë speciale në kohën sa ishte pjesëtar i Brigadës 128.

    “Unë po flas për Brigadën teme. Brigada është 128. Unë për vete jam kanë e i kam kry ushtrimet në Goruzhup. (Pjesëtarët e Brigadës) kanë nejtë edhe në vende tjera, por nuk jam në dijeni se ku kanë nejtë. Unë për vete nuk kam lujtë kërkah, aty kam nejtë se ka pas luftime. Unë kam qënë në njësinë speciale. Ne jemi kanë në vijën e parë të frontit. Ky tog merr prej 11 deri në 15 ushtarë”, tha dëshmitari Gashi.

    I pyetur se a ka qenë më herët në Kukës gjatë luftës, dëshmitari tha se ka shkuar për armatim.

    “Nuk më kujtohet, por mars u kanë ‘99-të viti. Kam shku me 4-5 shokë për me marrë armatim. Kjo është edhe pyetja më herët që thash jam kanë në Shqipëri. Veç jemi ndalë pak kemi pushu. Nuk thash që kemi nejtë në Kukës, po kemi shku në Kolsh apo Kalimash, nuk më kujtohen këto dy katune”, tha dëshmitari, duke theksuar që nuk iu kujtohet saktë se në cilin vend në Kukës ka qenë.

    Ndryshe, gjatë marrjes në pyetje të këtij dëshmitari nga ana e mbrojtjes së Shalës, përfaqësuesit e ZPS-së thanë se ai po bën pyetje sugjestive. Vërejtjen ia tërhoqi edhe kryetarja e trupit gjykues, MappieVeldt-Foglia.

    “Nuk na ndihmon të marrim në pyetje dëshmitarin duke bërë pyetje sugjestive”, i tha kryetarja e panelit gjykues avokatit Jean-Louis Gilissen.

  • Brajshori: Uniforma në shkolla duhet të jetë obligative nëpër të gjitha shkollat

    Brajshori: Uniforma në shkolla duhet të jetë obligative nëpër të gjitha shkollat

    Sociologu Jeton Brajshori, në emisionin A LIVE në ATV, duke komentuar vendimin për uniform në shkolla, tha se drejtoritë e Arsimit nëpër komuna si dhe Ministria e Arsimit do të duhej ta bënin obligative bartjen e uniformës.

    “Me aq sa kam parë unë nëpër shkolla, rregullorja e shkollës e obligon, pra në qoftë se është marrë vendim nga Këshilli Drejtues i Shkollës, të ketë uniformë, pra në shkolla është kod i veshjes. Mendoj se edhe drejtoria e Arsimit e komunave, edhe Ministria e Arsimit do të duhej që ta bënte obligative bartjen e uniformës”, tha Brajshori.

    Ai tha se, në rast që prindërit më kushte jo të mira ekonomike nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet e uniformave, do të duhej të ndërhynte shteti, në mënyrë që të gjithë nxënësit të kenë uniforma.

    “Ka raste kur prindërit ankohen se uniforma është paksa e shtrenjtë, mirëpo edhe në këtë rast mblidhen fonde nga shumica e klasës, pra dikush i ka kushtet më të mira ekonomike, i jep para më shumë dhe në këtë mënyrë mbulohet, apo ndoshta edhe shteti është dashur të reagojë në raste të tilla, të identifikohen personat të cilët nuk kanë mundësi dhe t’iu paguhet nga shteti uniforma, mirëpo uniforma gjithsesi duhet të jetë nëpër shkolla”, tha Brajshori. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në A LIVE, e gjeni në videon më poshtë:

  • Murati: Investimet kapitale në vitin 2023 u rritën 32%

    Murati: Investimet kapitale në vitin 2023 u rritën 32%

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se në vitin 2023 shpenzimet janë rritur 13 për qind krahasuar me vitin 2022.

    Murati ka thënë se investimet kapitale në vitin 2023 janë rritur 32 për qind më shumë sesa në vitin paraprak, ndërsa ka shtuar se pagat dhe shtesajt janë kategoria e dytë me kontributin më të madh në rritjen e buxhetit.

    “Sipas raportit preliminar të shpenzimit të buxhetit, në vitin 2023 shpenzimet janë rritur për 13% krahasuar me vitin paraprak. Investimet Kapitale është kategoria që është rritur më së shumti në vitin 2023, me 32% më shumë sesa viti 2022. Kategoria Paga dhe Shtesa është e dyta me kontributin më të madh në rritjen e buxhetit, me 114 milionë euro më shumë, apo 17% më shumë sesa viti 2022. Kjo tregon se në sektorin publik ka pasur rritje mesatare të pagave që ka tejkaluar shkallën mesatare të inflacionit prej 11.6% të vitit 2022.”

    Murati ka shkruar se subvencionet dhe transferet kanë pasur rritjen më të vogël, 1 për qind.

    “Mallërat dhe Shërbimet gjithashtu me 17% kanë trendin e njëjtë të rritjes, mirëpo si vlerë absolute rritja është përgjysmë më pak sesa kategoria Paga dhe Shtesa. Ndërsa Subvencionet dhe Transferet kanë pasur rritjen më të vogël nga të gjitha kategoritë, me vetëm 1%.”

  • MINT-i anulon tenderin për rezervat shtetërore, ofertuesit tejkaluan shumën e planifikuar

    MINT-i anulon tenderin për rezervat shtetërore, ofertuesit tejkaluan shumën e planifikuar

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka dështuar t’i sigurojë produktet e nevojshme për rezervën shtetërore.

    Kjo pasi MINT-i e ka anuluar tenderin për furnizim me arsyetimin se ofertuesit e kishin tejkaluar buxhetin e planifikuar të kësaj ministrie.

    Kështu thuhet në dokumentin e publikuar nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

    Oferta ishte përgatitur për 80 mijë kilogramë oriz, 65 mijë litra vaj ushqimor, 80 mijë copë nga 200 gramë konserva me risk gjedhi dhe 15 mijë bidonë ujë dhjetëlitërshe.

    Vlera e tenderit kap shumën e 227 mijë e 500 eurove, ndërsa ofertat për sasinë dhe produktet në ofertë, në vlerë 238 mijë euro dhe 317 mijë euro.

  • 16 vjet nga koalicioni i parë PDK-LDK

    16 vjet nga koalicioni i parë PDK-LDK

    Më 9 janar 2008 është formuar koalicioni qeveritar mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryeministër Hashim Thaçin.

    Qeveria përbehej nga kryeministri, dy zëvendëskryeministra dhe 17 ministra. Qeveria është formuar pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, ku Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 34% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 23% të votave, Aleanca Kosova e Re (AKR) 12% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) kanë fituar nga 10%, Partia Reformiste (ORA) 4% dhe Partia e Drejtësisë (PD) 2%.

    Të trembëdhjetë partitë minoritare kanë fituar gjithsej 5% të votave. Qeveria ishte fokusuar në pavarësi dhe kushtetutë, kurse paritë politikë kanë respektuar përkushtimin e tyre për të mbetur të bashkuara në periudhën mes deklaratës së pavarësisë dhe futjes në fuqi të kushtetutës. Vëmendja e tyre ka filluar të zhvendoset kur në muajin prill Qeveria prezantoi strategjinë për 2008-2011.

    Partitë politikë opozitare kishin qëndrime më kritike ndaj qeverisë. Qeveria kishte themeluar një komision për monitorimin e implementimit të ligjeve, i cili udhëhiqej nga zëvendëskryeministri. Në prill kryeministri ka prezantuar para Kuvendit raportin për 100 ditët e Qeverisë dhe programin e Qeverisë për 2008-2011, kurse në korrik të 2008, Qeveria ka filluar të lëshojë pasaportat e Kosovës.

    Në shtator, presidenti dhe kryeministri ishin pajtuar për të caktuar dhjetë përfaqësuesit e parë diplomatikë në disa prej vendeve që e kanë njohur deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

    Sipas raportit të progresit për vitin 2008, qeverisja lokale ishte forcuar deri diku. Në qershor ishte futur në fuqi legjislacioni i ri për kufijtë administrativ komunal, vetëqeverisjen lokale dhe financat lokale qeveritare dhe decentralizimin. Përparimi i reformës për vetëqeverisje dhe rritja e kapacitetit administrativ për të lehtësuar decentralizimin ishin prioritetet kryesore në Partneritetin Evropian për Kosovën.

    Sidoqoftë, fokusi i qeverisë në çështjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e ka mbajtur atë larg prej adresimit të çështjeve tjera. Qeveria ishte ballafaquar me disa vështirësi në prezantimin dhe koordinimin e prioriteteve të saj strategjike. Kuvendi, përfshirë anëtarët e koalicionit qeverisës, kanë kundërshtuar programin e qeverisë 2008-2011. Në disa zona me shumicë serbe, Qeveria kishte autoritet të kufizuar në polici, gjykata, dogana, transport, kufij dhe trashëgiminë serbe.

    Komunat në veri të Kosovës patën filluar të implementojnë legjislacionin serb për qeverisje lokale. Një numër i qytetarëve të Kosovës mbështeten në shërbimet e tyre si, dokumentet e udhëtimit, edukimin. Në qershor, Qeveria ka vendosur të zgjerojë mandatin e kryetarëve në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Shtërpcë, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të UNMIK-ut për të mos i validizuar rezultatet e zgjedhjeve lokale serbe, të mbajtura në maj të vitit 2008 në Kosovë.

    Rikonfigurimi i ngadalshëm i UNMIK-ut ka çuar në disa paqartësi në disa fusha si te kompetencat e qeverisë (gllabërimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit). Efektiviteti i pjesëmarrjes se qeverisë në forume regjionale dhe ndërkombëtare është i kufizuar nga fakti që legjitimiteti i saj është i kontestuar nga vendet që nuk e kanë njohur. Deklarimet për ndërhyrje politike në përzgjedhjen dhe caktimin e një numri për pozitat e rëndësishme (bordet e ndërmarrjeve publike) kanë ndikuar në kredibilitetin e qeverisë, thuhej në raport. Me tej në raport theksohet se lajmërimet e parakohshme për regjistrimin e popullatës dhe dorëzimi i parakohshëm në Kuvend i shqyrtimit të buxhetit të mesit të vitit, bie ndesh me dispozitat e kushtetutës.

    Megjithatë, më 17 shkurt 2008, ligjvënësit e Kosovës do të kryenin një akt historik me një rëndësi të madhe jetike për fatet e vendit; nënshkruan dhe miratuan solemnisht Deklaratën e Pavarësisë. Kjo datë shënon padyshim një nga ditët më me vlerë në historinë e shtetit.

  • Nga sot rinis punën Gjykata Speciale, pritet vendimi për Pjetër Shalën

    Nga sot rinis punën Gjykata Speciale, pritet vendimi për Pjetër Shalën

    Pas tri jave pushimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë sot palët do të kthehen në sallat e gjykimit, për të rinisur punën e tyre.

    Sipas kalendarit të kësaj Gjykate, nga e marta e deri të premten, para trupit gjykues do të paraqitet Pjetër Shala, derisa javën tjetër gjykimi do të vazhdojë edhe për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaci, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

    Këtë muaj, trupi gjykues do të mund të vendos rreth çështjes së Pjetër Shalës, i cili akuzohet për krimet lufte.

    Dhomat e Specializuara, kanë nisur pushimin dimëror më 18 dhjetor, derisa pas vdekjes së njërit nga avokatët e Kadri Veselit, mbrojtja kishte kërkuar kohë disa javë, për të zëvendësuar avokatin.