ATV

Tag: Ballina

  • DASH: Vlera e raketave kundërtanke që Kosova dëshiron t’i blejë është 75 milionë dollarë

    DASH: Vlera e raketave kundërtanke që Kosova dëshiron t’i blejë është 75 milionë dollarë

    Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

    Bëhet fjalë për 246 raketa të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja.

    DASH-i tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

    “Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.

    Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për REL-in.

  • Irlanda mbështet Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në BE

    Irlanda mbështet Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në BE

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në Kosovë erdhi për herë të parë. Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, homologu kosovar, Albin Kurti e mirëpriti me ceremoni shtetërore.

    Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Varadkar shprehu mbështetjen e vendit të tij për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Madje, potencoi se masat kufizuese që BE-ja ia ka vënë Kosovës, duhet të hiqen.

    Unë do ta përkrah Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sivjet dhe të nisë procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova po tregon zotim ndaj vlerave evropiane. Keni harmonizuar edhe politikat e sigurisë me ato të BE-së, që është shumë me rëndësi”, tha Varadkar.

    Ai përmendi edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe për të cilin tha se duhet themeluar por jo si mikroshtet.

    “Dua ta shoh Asociacionin që po themelohet, mirëpo kjo duhet të bëhet në koordinim e jo të krijohet një mikro-shtet brenda Kosovës. Kjo nuk do të ishte e dobishme për të ardhmen”, tha Varadkar

    Por, për Asociacionin, sipas Kurtit, nuk mund të flitet derisa nuk ka zbatim të marrëveshjeve.

    “Marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flasim për Asociacionin. Të gjithë ata që e nxjerrin Asociacionin nga paketa i bëjnë dëm Kosovës. Nuk mund ta nxjerrësh Asociacionin nga paketa dhe ta bësh prioritet për nga koha ose në qendër për nga hapësira e tryezës. Nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike. Të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos i nxjerrin nga paketa draft-statutin apo Asociacionin si një çështje”, tha Kurti.

    Pas takimit me Kurtin, në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministri irlandez është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

  • Pezullimi i procedurës së prokurimit për master planin e kompleksit të Jasharëve

    Pezullimi i procedurës së prokurimit për master planin e kompleksit të Jasharëve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ky master-plan i kompleksit memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz, i projektuar nga Instituti për Shkencë dhe Teknologji, në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare, nuk u zgjodh fitues.

    Andaj kompania u ankua dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit, pezulloi procedurën e prokurimit. Përfaqësuesi i konsorciumit, pretendon se në procedurë ndodhën disa shkelje.

    “Shkeljet kryesore janë ligjore. Konkursi është me shifër me qëllim të trajtimit të barabartë. Një prej operatorëve e ka publiku emrin e vet. Për çudi tone komisioni i vendos një kod, kundërligjshëm dhe vazhdojnë procedurat”, tha Ismajl Baftjari nga INSI.

    Ministria e Kulturës nuk u përgjigj lidhur me pretendimet e kësaj kompanie.

    E në deklarimin e fundit, ministri Hajrullah Çeku thoshte se është në dijeni të procedurës.

    “Ka përfundu konkursi ndërkombëtar. Kanë konkuru 3 kompani. Juria e ka zgjedhë projektin më të mirë. Aktualisht operatori që nuk ka fitu, ka bërë ankesë fillimisht në ministri, pastaj në OSHP. Ne duhet të presim deri në vendim të këtij organi”, tha Çeku.

    Ndërkohë, kompania humbëse vazhdon të shpresojë që OSHP-ja do të marrë vendim pozitiv e të jetësohet master-plani i tyre.

    “Pretendimet tona janë lehtësisht të verifikueshme, andaj presim vendim të OSHP-së…”, tha Baftjari.

    Projekti për kompleksin memorial “Adem Jashari”, udhëhiqet nga komiteti ndërministror në udhëheqje të të cilit është kryeministri Albin Kurti.

    Vetëm tenderi për master-planin i shpallur në muajin maj të 2023-tës, arrinte vlerën prej 3 milionë eurosh.

  • Qeveria në prag të themelimit të agjencisë për investime dhe eksport

    Qeveria në prag të themelimit të agjencisë për investime dhe eksport

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Me qëllim të rritjes së investimeve dhe eksportit, Qeveria ka bërë plan që këtë vit ta themelojë agjencinë për investime dhe eksport, si pjesë e programit për reforma në ekonomi.

    Kjo agjenci, sipas qeverisë, do të ketë për qëllim vendosjen dhe forcimin e bashkëpunimit të biznesit me furnizuesit vendas dhe promovimin e potencialit të eksportit të kompanive vendase në tregjet e huaja.

    “Masa, gjithashtu, synon zhvillimin e industrisë me të integruar globalisht, përmes rritjes dhe diversifikimit të eksporteve, digjitalizimin e përshpejtuar të prodhimit dhe teknologjisë së avancuar për prodhimin e produkteve inovative dhe të gjelbra, si dhe përdorimin më të mirë të burimeve natyrore vendore dhe materialeve të ricikluara. Masa ndërlidhet me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030, PKZH-në, Programin e Qeverisë 2021-2025 dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve KASH 2024-2026”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Por, një gjë e tillë sipas ekspertëve të ekonomisë nuk ishte e nevojshme.

    “Më tepër tentohet të politizohet çdo pore, të krijohet një mundësi e re për një kontroll më të madh, dhe mbi të gjitha për punësim të militantëve. Besoj që në Kosovë nuk po krijohen agjenci për ta mbështetë zhvillimin ekonomik por vetëm për të rritur pushtetin dhe dominimin politik. E tëra kjo do të jetë edhe një tentativë për të futur nën kontroll edhe asociacionin e biznesit, sepse shumë prej bizneseve kanë një komponent të promovimit të investimeve”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

    Sipas Safet Gërxhaliut, këtë funksion deri më tani e ka kryer mjaft mirë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë me mekanizmat e saj, gjë që një agjenci e tillë vetëm sa e komplikon situatën.

    “Ju e dini fare mirë që me vite ka funksioni KIESA në kuadër të MINT-it dhe në kuadër të saj kanë qenë pothuajse të gjitha gamat ekonomike, qoftë eksporti apo importi, qoftë sektorët e tjerë. Në të kaluarën kemi pasur një dialog të mirëfilltë publiko-privat, kemi pasur një dialog të mirëfilltë me të gjitha dikasteret qeveritare. Për fat të keq dialogu viteve të fundit është inekzistent”, tha Gërxhaliu.

    Sidoqoftë, Qeveria në planin e hartuar, ka paraparë edhe 10 aktivitete që do të realizohen gjatë këtij viti, por edhe të tjera për vitet e ardhshme gjer në vitin 2026.

  • SHBA-ja pranon kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”

    SHBA-ja pranon kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”

    Përgatiti: Arton Hamiti

    SHBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”.
    Për këtë ka njoftuar ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, gjatë një takimi që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Departamenti amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me çka fillon procedura zyrtare, thuhet edhe në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca serbe, e cila njoftoi rreth takimit Hill-Vucic.

    Lajmin për ATV-në e ka konfirmuar edhe Ministria e Mbrojtjes e Kosovës. Nga ministria kanë thënë që Kosova ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për blerje ushtarake përmes programit të ashtuquajtur Shitje Ushtarake e Jashtme të Agjencisë amerikane për Bashkëpunim të Sigurisë së Mbrojtjes.

    Përmes këtij programi, Kosova është e paraparë të kryejë blerje ushtarake përfshirë edhe sistemin Javelin dhe sisteme të tjera moderne ushtarake.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është duke i ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes në koordinim me partnerët strategjikë, me theks të veçantë ShBA-në. Në këtë aspekt, Qeveria e Kosovës me ShBA-në ka marrëveshje për blerje ushtarake përmes programit FMS. Në kuadër të këtij programi, parashihen blerjet ushtarake duke përfshirë sistemin Javelin dhe sisteme moderne të tjera të armatimit”, huhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes.

    Kosova, edhe më herët është furnizuar me armë amerikane. Në vitin 2018, Qeveria e atëhershme e Kosovës kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.

    Në anën tjetër, presidenti i Serbisë tha se lajmi është zhgënjyes për Serbinë, por se së bashku me SHBA-në do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane.

  • Arrestimi i 12 zyrtarëve të ATK-së, Murtezaj: Arritëm ta parandalojmë dëmtimin e buxhetit

    Arrestimi i 12 zyrtarëve të ATK-së, Murtezaj: Arritëm ta parandalojmë dëmtimin e buxhetit

    Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka folur rreth arrestimit të 12 zyrtarëve të këtij institucioni.

    Ai ka thënë se këtë rast e ka iniciuar vetë ATK-ja në vitin 2020 në Prokurori, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se rasti kishte të bënte rreth disa faturave fiktive të qarkulluar nga tri biznese dhe kanë arritur ta parandalojnë dëmtimin e buxhetit për 2.7 milionë euro.

    “Pra, fjala është për një rast që ka filluar që nga viti 2020 ku pas paraqitjes së kërkesës për rimbursim nga ana e tatimi paguesit dyshimet e zyrtarit të ATK-së ishin se kreditimi i TVSH-së krijuar nga disa faktuar të tri bizneseve ishin fiktive. Zyrtaret hetues të ATK-së rastin e kanë ngritur edhe të organet ligjzbatuese. Rasti është ngritur si rast i dyshimtë për hetim nga ATK-ja ku me datën 3.7.2020 është iniciuar rasti te Prokuroria Themelore në Prishtine. Më datë 27.4.2021 kallëzimi penal është dorëzuar në prokuroni themelore të Prishtinës. Si rezultat i veprimeve me kohë të ATK-s është arritur që të parandalohet dëmtimi i buxhetit në vlerë prej 2.7 milion euro. Prokuroria ka ardhur në përfundim për ngritje të aktakuzës për 13 zyrtarë të ATK dhe përfaqësuesve të bizneseve të involvuar në këtë rast”, u shpreh Murtezaj.

    Ai tha se menaxhmenti i këtij institucioni vazhdimisht bën përpjekje që të ketë llogaridhënie sa i përket stafit, me qëllim të zbatimit të drejt të ligjit për të gjithë tatimpaguesit.

    “Për të parandaluar involvimin e stafit tonë në veprat e tilla, që përveç që mund ta dëmtojnë integritetin institucional, mund ta dëmtojnë edhe buxhetin e shtetit”, theksoi Murtezaj./EO

  • ​SHBA ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”

    ​SHBA ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, me të cilin ka biseduar për procedurën për miratimin e kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave antitank Javelin.

    Me këtë rast, ambasadori Hill e ka njoftuar presidentin Vuçiq për vendimin amerikan për të pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e “Javalin”.

    Siç ka thënë ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin Amerikan, i cili do të fillojë procedurën zyrtare, raporton Danas.

    Vuçiq tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se ata do të punojnë me SHBA-në për ruajtjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Ai më herët ka shkruar në Instagram se ka pasur një bisedë të hapur me ambasadorin Christopher Hill.

    “Ne diskutuam edhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, situatën në Kosovë dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe për ngjarjet aktuale gjeopolitike. Konfirmuam përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit Serbi-SHBA”, ka shkruar Vuçiq.

  • Në katër komuna, pacientët mund ta përzgjedhin mjekun e përhershëm familjar përmes E-Kosova

    Në katër komuna, pacientët mund ta përzgjedhin mjekun e përhershëm familjar përmes E-Kosova

    Qytetarët e katër komunave të Kosovës, Prishtinës, Prizrenit, Lipjanit dhe Istogut kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e mjekut të tyre familjar. E kjo u është mundësuar përmes katër shërbimeve të reja të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat u lansuan në Platformën eKosova.

    Zëvendësdrejtori i QKMF-së në Prizren, Fadil Bajraktari, në një prononcim për ATV-në tregoi se për dallim nga katër komunat e tjera, ky pilot projekt në Prizren do të implementohet në 52 objekte të kujdesit primar shëndetësorë.

    “Ky është një pilot projekt që Ministria e Shëndetësisë do ta zhvillojë në katër komuna të Kosovës. Në mesin e komunave që do ta zhvillojmë këtë projekt jemi edhe ne si Prizren, jemi përzgjedhur nga Ministria, është Prishtina me dy objekte dhe është Istogu dhe Lipjani. Për dallim të Komunës së Prishtinë e cila do t’i ketë vetëm dy objekte, ne do ta implementojmë këtë pilot projekt në 52 objekte që i kemi, do të thotë i kemi në gjithë territorin e kujdesit primar të Prizrenit”, tha Bajraktari.

    Ai tha se implementimi i këtij pilot projekti do të jetë një lehtësim për qytetarët, por edhe për mjekun që do t’i ketë pacientët e përhershëm gjatë punës së tij.

    “Unë mendoj se implementimi i mjekësisë familjare është lehtësim sepse nëse ti do ta zgjedhësh mjekun, edhe slogani i jonë që është gjatë kësaj kampanje është “Mjeku i im, shëndeti i im”, kështu që ne do të lehtësohemi. Nëse do ta kesh mjekun tënd të përzgjedhur. Kjo do të bëhet për të gjithë qytetarët të cilët duhet ta hapin një adrese përmes platformës në eKosova, e në atë adresë mundët që një individ, një anëtar i familjes t’i regjistrojë të gjithë familjen te mjeku, të cilën dëshiron ta përzgjedhë, sepse nëse ti mund ta përzgjedhësh mjekun, je i kënaqur me shërbimet që ofron ai mjek, me cilësinë edhe me kujdesin që ofron, kështu që kjo është në të mirën edhe te qytetarëve, por është edhe në të mirën e mjekut që do t’i ketë pacientët e përhershëm gjatë punës së tij”, tha Bajraktari. /atvlive.tv

  • “U mërdhinëm qe një muaj”- Gazetari takon familjen tre anëtarëshe që jeton në garazhin e një objekti banesor në Prishtinë

    “U mërdhinëm qe një muaj”- Gazetari takon familjen tre anëtarëshe që jeton në garazhin e një objekti banesor në Prishtinë

    Një familje tre anëtarëshe ka gjetur strehim tash e një muaj, në parkingun nëntokësor të një objekt banesor në lagjen “Kalabria”, afër stacionit të autobusëve, në Prishtinë.

    Siç raportoi gazetari i ATV-së, Arton Hamiti, kjo familje me kryefamiljarin Faim Bunjaku, janë duke jetuar në këtë garazh, për shkak se babai i kishte përzënë nga shtëpia ku ata jetonin.

    “Babi na ka qitë prej shpisë, erdha këtu në Prishtinë, u dashtë me u strehu diku edhe jena ardhë këtu, ma mirë me nejt qitu sesa rrugëve. Na s’kena kurgjë, asnjë ndihmë, as social, as çika s’është e regjistrume në komunë. Po duhet me dal me mbledhë hekra, kanaçe e me i shitë, por kanihere po dalim edhe po kërkojmë lëmoshë. Çika është 6-vjeçe edhe është kanë smutë prej veshkave, prej të ftohtit. I lusë krejt ata që munden me na ndihmu diçka, të na ndihmojnë”, tha ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kryeministri i Irlandës: Me shumë endje do të japë përkrahje që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës këtë vit

    Kryeministri i Irlandës: Me shumë endje do të japë përkrahje që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës këtë vit

    Kryeministri i Irlandës, Leon Varadkar, ka folur në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se është shumë i lumtur që po e zhvillon vizitën e tij të parë në Kosovë duke rikujtuar edhe faktin se Irlanda ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

    Varadkar ka thënë se me Kurtin kanë diskutuar për thellim të raporteve në mes të dy shteteve, derisa ka potencuar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkim Evropian dhe Këshill të Evropës.

    Kryeministri irlandez ka thënë se më shumë kënaqësi do të japë përkrahjen e tij që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës gjatë vitit 2024, shkruan Gazeta Express.

    “Kënaqësi që jam këtu në Kosovë në vizitën e parë, shpresoj ta vizitoj prapë në të ardhmen. Patëm takim konstruktiv, ishte mundësi e mirë të mësojmë për zhvillimet rajonale. Diskutuam për raportet bilaterale që po thellohen edhe tutje. Irlanda është prej vendeve të para që kemi njohur Kosovën dhe jam krenar për kontributin e ushtrisë tonë që jep në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe civilët që shërbejnë në EULEX. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe Këshill të Evropës. Me shumë endje do të përkrah që Kosova të bëhet pjesë e KiE sivjet. Kosova po tregon zotim ndaj vlerave evropiane. Keni harmonizuar politikat e sigurisë me ato të BE-së dhe e di që keni pasur presione për ta bërë këtë, dhe kjo do të ndikoj në vlerësimin tonë në të ardhmen. Do të shohim edhe për liritë themelore dhe trajtimin e minoriteteve”, ka thënë Varadkar, raporton Express.

    Ai tutje ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se është jetik për të arritur paqe dhe zhvillim të mëtejmë në dy vendet. Varadkar ka thënë se është e rëndësishme që brenda këtij viti të konsolidohet stabiltieti dhe të mos përsëriten më skenat e majit dhe shtatorit 2023.

    “Dialogu Prishtinë-Beograd është jetik për të arritur një harmoni dhe për një zhvillim të mëtejmë, edhe në Kosovë edhe në Serbi. Ky vit është më rëndësi që ky stabilitet të konsolidohet në Kosovë dhe nuk duam të shohim kthim të skenave të dhunshme që I pamë në shtator dhe në maj. Falënderoj Kurtin për mikpritjen dhe dashamirësinë. Është kënaqësi që vizitova vendin tuaj të bukur”, ka thënë ai.