ATV

Tag: Ballina

  • Nga sot, të gjitha patrullat e policisë do të pajisen me armë të gjata

    Nga sot, të gjitha patrullat e policisë do të pajisen me armë të gjata

    Nga sot të gjitha patrullat e Policisë së Kosovës do të pajisen me armë të gjata, ka bërë të ditur sot ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

    Armët e gjata, të blera nga një fabrikë e armëve në Kroaci, do të shpërndahen anekënd Kosovës.

    “Me blerjen e këtyre armëve për të gjitha patrullat policore anekënd Republikës së Kosovës rritet efikasiteti në luftimin e krimit me çka mundësohet një ambient më i sigurt, rend publik më i qetë dhe më shumë siguri për zyrtarët tanë policorë”, ka thënë Sveçla.

    “Falënderoj edhe shtetin mik kroat për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri.

    Ndërkohë, ATV raportoi dy ditë më parë se armë të reja të modelit QBZ, gjatë këtij viti pritet të vihen në shërbim të Policisë së Kosovës.

    LEXO EDHE:

    Nisin procedurat për pajisjen e njësive speciale me armë të reja

  • KQZ-ja rrit shumën e përkrahjes për partitë parlamentare, 15 subjekte përfitojnë mbi 4 milionë euro

    KQZ-ja rrit shumën e përkrahjes për partitë parlamentare, 15 subjekte përfitojnë mbi 4 milionë euro

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten ka mbajtur mbledhjen e radhës ku mori vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën 1 janar-31 dhjetor 2024, raporton EO.

    Shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme prej 4 milionë e 800 mijë euro.

    Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe kontrollit Financiar të Subjekteve Politike, tha se Kuvendi i Kosovës përfaqësohet nga 15 parti politike.

    Sipas tij, shuma e ndarë për këto subjektet politike për vitin 2024 është rritur për 600 mijë euro dhe totali për vitin 2024 është 4 milionë e 800 mijë euro.

    “Numri i subjekteve politike i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës është 15, ndërsa shuma e mjeteve totale është 4 milionë e 800 mijë euro, kjo shumë është rritur për 600 mijë euro”, tha ai.

    Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi, tha se me nëntë vota për është miratuat kjo pikë.

    Në rend dite, pos miratimit të mjeteve për subjektet politike, është miratuar edhe drafti i Planit Final të Prokurimit për vitin 2024 dhe draft i Planit të Punës për vitin 2024.

    Ndërkaq, është miratuar edhe draft Plani Final i Prokurimit për vitin 2024.

    Gjithashtu, në këtë mbledhje është miratuar edhe ftesa nga ODIHR, për pjesëmarrje në konferencën “Shkëmbim Rajonal mbi Forcimin e Sistemeve dhe Praktikave Financiare të Fushatës” në Varshavë, si dhe është miratuar edhe ftesa e IFES, për takim online nga Rrjeti i Drejtësisë Zgjedhore për Evropën dhe Eurazinë.

  • Millun Millenkoviqit i vazhdohet paraburgimi edhe për 2 muaj, “Llune” dyshohet për organizim të sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan

    Millun Millenkoviqit i vazhdohet paraburgimi edhe për 2 muaj, “Llune” dyshohet për organizim të sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan

    Gjykata e Prishtinës ia ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh Millun Millenkoviq, i njohur si Llune, që dyshohet për organizim të sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

    Lajmin për portalin ATV-në e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit M.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e PSRK-së dhe të pandehurit M.M i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj. Masa e paraburgimit të pandehurit M.M i është vazhduar deri me datë 12.03.2024”, njoftoi Gashi.

    ​Caktohet masa e paraburgimit për Millenkoviqin

     

  • Kosova sërish nikoqire e “Defender Europe”

    Kosova sërish nikoqire e “Defender Europe”

    Kosova do të jetë sërish nikoqire e ushtrimit ushtarak “Defender Europe” që do të organizohet në vitin 2025.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla.

    “Po, Kosova do të jetë sërish nikoqire e Defender Europe, që do të organizohet në vitin 2025″, tha ai shkurtimisht.

    Ndryshe, edhe të enjten zëvendësministri, Shemsi Syla për Front Online ka thënë se ushtria e Kosovës në vitin 2025 do të jetë pjesë e “Defender”.

    “Në 2025 do jemi pjesë e “Defenderit”, kemi filluar kontaktet, planet dhe përgaditjet”, ka thënë ai shkurtimisht për Front Online.

  • Viola von Cramon, të hënën nis vizitën katërditore në Kosovë

    Viola von Cramon, të hënën nis vizitën katërditore në Kosovë

    Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, do të qëndrojë në Kosovë për katër ditë.

    Vizitën e saj do ta nisë të hënën më 15 janar, kur edhe do të mbajë një konferencë për media.

    Von Cramon ka qenë e zëshme në mbështetje të Kosovës tash e sa vite, si për çështjen e vizave, ashtu edhe për situatën me Serbinë në përgjithësi.

  • “Associated Press”: Serbia e zhgënjyer me shitjen e mundshme të raketave “Javelin” për Kosovën

    “Associated Press”: Serbia e zhgënjyer me shitjen e mundshme të raketave “Javelin” për Kosovën

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”, ku pas kësaj pritet edhe aprovimi nga Kongresi amerikan.

    Lidhur me këtë zhvillim ka shkruar edhe “Associated Press“, gazeta e njohur amerikane.

    Në shkrimin e saj të publikuar, sqarohet se ShBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa anti-tank “Javelin”, duke treguar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shprehu “zhgënjim të thellë”.

    Departamenti i Shtetit i SHBA-së, ka thënë të enjten se ka miratuar shitjen e mundshme të 246 raketave dhe pajisjeve të lidhura me Kosovën për një kosto të vlerësuar prej 75 milionë dollarësh.

    “Kjo shitje e propozuar do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë,” ka thënë Byroja e Çështjeve Politiko-Ushtarake e Departamentit të Shtetit të SHBA.

    Tutje, “AP” ka shkruar se në një deklaratë të zyrës së Vuçiqit thuhet se ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i tha atij se Departamenti i Shtetit i SHBA-së do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongres, i cili shqyrton shitjet e armëve për vendet e huaja.

    Në këtë shkrim, po ashtu, theksohet se presidenti i Serbisë tha se “për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe se Serbia do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”.

    Shitja e propozuar e sistemit raketor në Kosovë vjen në një kohë të tensioneve në rajon. Disa herë në muajt e fundit, Serbia ka zhvendosur trupat e saj në kufirin që ruhet nga trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, akte që nga Perëndimi u vlerësuan si veprime armiqësore.

    Vuçiç pohoi këtë muaj se Serbia ka një nga ushtritë më të forta në Ballkan, duke vënë në dukje “numrin e madh” të tankeve që kishte marrë nga Rusia para pushtimit të Ukrainës, shkruan “AP”. Ai u zotua se do të vazhdojë të blejë armë nga Kina dhe vende të tjera, duke përfshirë sistemet kundërajrore, avionët luftarakë dhe dronët, raporton gazeta e njohur amerikane.

    Sistemi raketor “Javelin” është përdorur nga ushtria ukrainase për të shkatërruar tanket ruse dhe automjetet e tjera të blinduara.

    Kosova ka forcuar forcat e saj të armatosura me dronë dhe raketa antitank kryesisht nga Turqia, gjë që ka zemëruar Beogradin.

  • Në tremujorin e parë të vitit pritet migrim i madh i kosovarëve, Gjermania destinacioni kryesor i tyre

    Në tremujorin e parë të vitit pritet migrim i madh i kosovarëve, Gjermania destinacioni kryesor i tyre

    Nga 1 mijë të anketuar, 28 për qind e tyre planifikojnë të emigrojnë në Zonën Shengen në tremujorin e parë të këtij viti. Ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë migruar 338 mijë qytetarë apo 18.8 për qind e popullsisë së Kosovës. Kështu u tha në prezantimin e Raportit të Institutit GAP “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”.

    Sipas raportit të prezantuar të premten, arsyet kryesore që i përmendin qytetarët janë kushtet ekonomike, ndërsa sektorët që do të preken më shumë janë ndërtimtaria, hoteleria dhe gastronomia.

    Blendi Hasaj, hulumtues i lartë në GAP, tha se Instituti ka bërë një hulumtim ku ka anketuar mbi 1000 persona, ku sipas kësaj gjetje pritet që 28 për qind e popullësi të emigroj gjatë periudhës së parë të këtij viti.

    “Disa nga gjetjet kryesore të raportit tregojnë se liberalizimi i vizave e gjen Kosovën në një dinamikë më ndryshe se shtetet tjera të rajonit në kohën kur atyre i’u ofrua lëvizja e lirë në BE.

    Në vitin e parë pas liberalizimit të vizave për shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, shkalla e emigrimit nuk ishte shumë e lartë, duke arritur në maksimum 2.9% të popullsisë së një shteti, por tendenca për të emigruar është bërë shumë më e theksuar në tërë Ballkanin Perëndimor pas vitit 2015.

    Kjo kryesisht si rrjedhojë e kërkesave të mëdha dhe zbutjes së kritereve nga shtetet e BE-së për punëtorë të huaj”, tha Hasaj.

    “Nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë. Vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 41,553 qytetarë dhe në këtë vit fuqia punëtore aktive është zvogëluar për 21,571 persona, ndërsa fuqia punëtore jo-aktive është zvogëluar për 14,698 persona.

    Në rast se nuk kemi një aktivizim të fuqisë punëtore jo-aktive, e cila është mjaft e lartë, aktualisht zëvendësimi i fuqisë punëtore së munguar nga imigrantë të huaj është i pamjaftueshëm.

    Në vitin 2022, 2,979 shtetas të huaj të cilët kanë emigruar në Kosovë për arsye punësimi kanë zëvendësuar më pak se 14% të fuqisë punëtore aktive që nuk ishin më pjesë e tregut të punës”.

    Anisa Zogaj, hulumtuese e lartë në GAP, tha se sektorët që do të preken më shumë nga emigrimi i popullsisë janë sektori i ndërtimtarisë, sektori i hotelerisë dhe gastronomisë, sektori i tregtisë dhe sektori i prodhimtarisë.

    Sipas saj, Gjermania është destinacioni kryesor i emigruesve dhe se kushtet ekonomike janë ndër arsyet kryesore që i nxisin qytetarët që të emigrojnë.

    “Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë (18.7%), hotelerisë dhe gastronomisë (18.7%), tregtisë (18.1%) dhe prodhimit (12.9%).

    Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në këta sektorë pritet rritje e pagave krahasuar me sektorët tjerë.

    Në vitin 2023 vërehet të ketë pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë raportuar rritje të pagave”, deklaroi ajo.

    “Rreth 45% e të anketuarve, në vitin 2023 ishin të punësuar me punë të rregullt (39.3% të punësuar në sektorin privat dhe 5.8% në sektorin publik). Arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar.

    Mbi 20% e personave që planifikojnë të emigrojnë kanë realizuar të hyra në muajin e fundit prej 301-450 euro, ndërkaq 32.9% nuk kanë realizuar fare të hyra. Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm (57.7%).

    Destinacionet kryesore të qytetarëve të cilët planifikojnë të emigrojnë janë Gjermania me 71.4%; ndjekur nga Zvicra me 11.7%; dhe Austria me 5.3%”, u shpreh ajo.

  • ​Kurti e Vuçiqi në Forumin Ekonomik Botëror, Rohde i gëzohet pjesëmarrjes së tyre

    ​Kurti e Vuçiqi në Forumin Ekonomik Botëror, Rohde i gëzohet pjesëmarrjes së tyre

    Nesër (e shtunë) nis Forumi Ekonomik Botëror që do të mbahet në Davos të Zvicrës, i cili do të zgjasë deri më 19 janar.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar se ndjehet i gëzuar që pjesëmarrës në këtë forum do të jenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Javën e ardhshme, në Davos do të nisë Forumi Ekonomik Botëror. Me të gjitha temat kryesore të rëndësishme, ‘Arritja e sigurisë dhe bashkëpunimit në një botë të thyer’ rezonon veçanërisht për Kosovën, dialogun Kosovë – Serbi dhe të gjithë rajonin e Ballkani Perëndimor. Gëzohem që do t’i shoh të dy, Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin të jenë të pranishëm”, ka shkruar Rohde në X.

    Ende nuk dihet nëse do të ketë ndonjë takim bilateral kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

  • Human Rights Watch: Përgjegjësia për krime serioze dhe liria e mediave në Kosovë, shqetësime urgjente

    Human Rights Watch: Përgjegjësia për krime serioze dhe liria e mediave në Kosovë, shqetësime urgjente

    Në raportin për gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut nëpër botë, organizata Human Rights Watch e cilëson “vënien para përgjegjësisë për krime serioze dhe cenimin e lirisë së mediave si shqetësime urgjente” lidhur me Kosovën.

    Organizata me seli në New York thekson se gazetarët në Kosovë ishin në shënjestër të “sulmeve fizike, kërcënimeve dhe pengesave në kryerjen e punëve të tyre,” duke cituar statistikat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës që ka regjistruar 60 incidente ndaj gazetarëve, në mesin e të cilave 16 sulme dhe 22 kërcënime.

    Raporti gjithashtu dokumenton ngjarjet e dhunshme në pjesën veriore të Kosovës nga maji deri në shtator të vitit të kaluar dhe tensionet politike mes Kosovës dhe Serbisë që përshkuan këtë periudhë.

    Human Rights Watch po ashtu vlerëson se kërcënimet dhe aktet diskriminues ndaj komunitetit LGBT vazhduan edhe gjatë vitit 2023, përfshirë nga familjarët e tyre dhe reagimi i autoritetet shtetërore është gjysmak. Njëkohësisht, sipas raportit, të mbijetuarat e dhunës në familje “vazhdojnë të përballen me vështirësi të kërkojnë drejtësisë dhe përkrahje kur braktisin ambientet abuzive.”

    Human Rights Watch nënvizon edhe dështimin e organizatës së Kombeve të Bashkuara për “t’u kërkuar falje dhe për t’u paguar kompensim individual viktimave të komunitetit rom, ashkali dhe egjyptian për helmimin me plumb në kampet e kontaminuara për të zhvendosurit”, që po menaxhoheshin nga misioni i kësaj organizate në Kosovë.

    Në raportin e saj global, organizata Human Rights Watch e veçoi vitin 2023 si “një vit që do të mbahet mend jo vetëm për shtypjen e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës, por gjithashtu për veprime të njëanshme të disa qeverive dhe diplomacisë të bazuar në interesa të veçanta që pati një kosto të rëndë për të drejtat e atyre që nuk ishin pjesë e këtyre marrëveshjeve.”

    Por sipas organizatës, “megjithë pamjes së zymtë, shohim shenja shprese” për ndryshime. /VOA

  • ​O’Brien: Nuk do të lejojmë dhunë në veri të Kosovës

    ​O’Brien: Nuk do të lejojmë dhunë në veri të Kosovës

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar, Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten.

    Gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë më 11 janar, O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Ai tha po ashtu se është i kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin e Policisë së Kosovës me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR në pjesën veriore të Kosovës, teksa rikujtoi se prania e paqeruajtësve ndërkombëtarë në këtë pjesë është rritur muajve të fundit.

    “Po ashtu komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar një lloj qetësimi të situatës. Ne presim që kjo të vazhdojë dhe në muajt në vijim presim më shumë transparencë dhe diskutime. Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet”, tha ai.

    O’Brien iu referua sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh. Ky grup vrau një polic, ndërkaq gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues.

    Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, por Beogradi mohoi çdo përfshirje.

    Përgjegjësinë për sulmin, që Kosova e konsideron terrorist, e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Zyrtari i lartë amerikan tha se Ballkani Perëndimor “duhet të jetë evropiane, stabile dhe e sigurt, mbi të gjitha ky rajon ka nevojë për integrim ekonomik”.

    Ai tha se kjo çështje është kyçe për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pasi popullsia e tyre po largohet për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.

    O’Brien përsëriti se qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar sa i përket mbështetjes së procesit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Ai u bëri thirrje palëve që të zbatojnë përgjegjësitë e tyre që dalin nga ky proces. Ai tha se ka pasur përparim në zbatimin e zotimeve të dialogut, sikurse ishte çështja e targave të makinave.

    Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për parregullsitë e raportuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore që Serbia mbajti më 17 dhjetor 2023. Ai tha se Uashingtoni pret që të punojë me Qeverinë serbe që të adresohen këto shqetësime, ndërkaq tha se SHBA-ja mbështet protestat paqësore në Serbi “nga njerëzit që ndiejnë se zgjedhjet ishin jofer dhe që rezultatet nuk ishin ashtu siç ata prisnin”.

    Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” ka mbajtur një sërë protestash në Serbi për të kundërshtuar rezultatin zgjedhor, sipas të cilave, Partia Progresive Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq, ka dalë fituese në të gjitha nivelet. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se gjatë procesit zgjedhor ka pasur parregullsi të shumta.

    O’Brien foli edhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë, duke kritikuar Millorad Dodikub, udhëheqësin e entitetit serb, Republika Sërpska.

    Ai tha se Dodik me shënimin e Ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, po tenton të largohet nga temat e rëndësishme.

    Duke folur për kërcënimet e Dodikut se entiteti serb do të shpallë pavarësinë nga Bosnja, O’Brien tha se ai ishte në Dejton – ku më 1995 u arrit Marrëveshja e Dejtonit – dhe se ka punuar së bashku me Bosnjën për të hartuar Kushtetutën e Bosnjës.

    “Diskutimet e tij për ndarje janë refuzuar në mënyrë eksplicite në Marrëveshjen origjinale të Dejtonit”, tha ai, duke shtuar se përpjekje të tilla ndarëse janë jokushtetuese.

    Në fillim të vitit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë vlerësoi se politika e Millorad Dodik është e rrezikshme dhe se “vë në rrezik perspektivën evropiane të Bosnjës, demokracinë dhe ekonominë e saj”.

    Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Britania e Madhe, për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Dejtonit.

    Ndryshe, O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.

    Nga viti 2022, Jim O’Brian ka punuar si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit.

    O’Brien më parë shërbeu në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial. Ai shërbeu si këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, dhe i dërguar presidencial për Ballkanin.

    O’Brien ishte i angazhuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, e cila i dha fund kësaj lufte.

    Ai gjithashtu, udhëhoqi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e cila ndihmoi për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. /rel/