ATV

Tag: Ballina

  • PSRK-ja e kundërshton mbrojtjen se denoncimi ndaj Dusko Arsiqit erdhi shkaku i një prone

    PSRK-ja e kundërshton mbrojtjen se denoncimi ndaj Dusko Arsiqit erdhi shkaku i një prone

    Përgatiti: Nora Luta

    Dëshmi rrëqethëse kishte dhënë Artan Krasniqi në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Butovc të Prishtinës, Dushko Arsiq.

    Krasniqi, vetëm 15 vjeç, gjatë prillit të 1999-s, nga maltretimet fizike e psikike që ka thënë se ia shkaktoi Arsiq, pasojat i vuan edhe sot.

    Ai gjatë dëshmisë kishte identifikuar Arsiqin, duke thënë se e kishte parë në mesin e grupit që kishte shtënë në drejtim të Brahim Shalës, të cilin të plagosur, e kishin detyruar ta bartë në shpinë.

    Prokuroria Speciale në fjalën përfundimtare të enjten, duke u bazuar në dëshminë e tij dhe të tjera prova ka kërkuar dënim maksimal për Arsiqin.

    Mbrojtja e ka kundërshtuar dhe ka tentuar ta ndërlidhë denoncimin ndaj Arsiqit me çështje pronësore. Vetë i akuzuari përsëriti versionin e tij edhe gjatë kësaj seance.

    “Ata më kanë kërcënuar që unë të tërhiqem nga padia për pronën, sepse do ta pësoj, nuk e kam ditur se do të akuzohem për krime lufte”, deklaroi i akuzuari Dusko Arsiq.

    “Kjo çështje ka lindur 23 vjet pas luftës, ngrihet kallëzim penal kundër njeriut që ka jetuar e punuar në Kosovë, e i martuar edhe atë me grua shqiptare, përnjëherë dëshiron të shesë tokën, kush janë blerësit të gjithë nga familja Krasniqi, nga fshati i njëjtë”, tha Nebojsha Vlaiq, avokat i Dusko Arsiqit.

    Derisa me kërkesë të trupit gjykues, u pajtua që të jetë i shkurtër në kohë gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, prokurori Atdhe Dema reagoi kur mbrojtja shfrytëzoi më shumë se një orë, me qëllimin sipas tij të krijojë huti në publik.

    Gjykimi, gjatë të cilit u dëgjuan 12 dëshmitarë, 9 të PSRK-së, dhe tre të mbrojtjes e u mbajtën dhjetë seanca të shqyrtimit kryesor, nisi vitin e kaluar.

    Arsiq ishte arrestuar në dhjetor të 2021-s, në një nga pikëkalimet kufitare me Serbinë.

  • Salla e sporteve në veri reklamon pronat e Radojiçiqit, Steviqt e Petroviqit

    Salla e sporteve në veri reklamon pronat e Radojiçiqit, Steviqt e Petroviqit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Restoranti i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, organizator dhe prijës i sulmit terrorist paramilitar më 24 shtator, në Banjskë, vazhdon të reklamohet në sallën e sporteve në Mitrovicë të Veriut.

    Reklama e “Restoran Grey”, në të cilin institucionet kryen bastisje më 29 Shtator, është e vendosur fare nën tabelën e rezultateve. Në murin tjetër, është e vendosur reklama e kompanisë “Rad 028”, pronë e Radule Steviç, që bashkë me Radojçiq, janë në listën e të sanksionuarve nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Kompania e sanksionuar nga SHBA-ja kreu punët në shumë prej projekteve pa leje të financuara nga Serbia, përmes strukturave të saj ilegale në Kosovë.
    “Rad” ishte në mesin e kompanive që fituan më së shpeshti në tenderë në kohën kur katër komunat me shumicë serbe në veri udhëhiqeshin nga Lista Serbe.

    Reklamën të madhe në sallë për kah dimensionet ka kompania “RP Gradnja”, pronë e Rados Petroviç, i cili ishte arrestuar më 29 Maj të vitit të kaluar në protestën e dhunshme në Zveçan.

    Petroviç, sipas Prokurorisë, dyshohet se bashkë me protestues të tjerë përmes dhunës tentuan të shkaktojnë trazira në veri.
    Një muaj pas arrestimit, i ishte aprovuar mbrojtja në liri. Ai njihet për afërsinë me Listën Serbe dhe ish-krerët e saj.

    Rreth 1.2 milion euro është vlera e investimit nga Fondi Zhvillimor për ndërtimin e sallës së sporteve në Mitrovicë të Veriut.

    Në Zyrën e BE-së nuk komentuan lidhur me këtë temë, duke thënë se projektet nga Fondi Zhvillimor, pas përfundimit, kalojnë në kompetencë të nivelit lokal.

    Me gjithë përpjekjet, ATV-ja nuk mori ndonjë qëndrim nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, lidhur me këtë temë.

  • Osmani në takim me Pendarovskin: Maqedonia e Veriut, jo vetëm fqinje por edhe partnere e Kosovës

    Osmani në takim me Pendarovskin: Maqedonia e Veriut, jo vetëm fqinje por edhe partnere e Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në vizitë pune presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Në takim me homologun e saj, sipas njoftimit të zyrës së presidencës thuhet se Osmani rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme me Maqedoninë e Veriut.

    “Shqiptarët në Maqedonisë së Veriut, sipas Presidentes Osmani janë urë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe shtyllë e stabilitetit, por edhe e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Pendarovski për përkushtimin e tij personal për raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas Presidentes Osmani, të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE”, thuhet në njoftim.

    Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.

    Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian.

    “Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, citohet të ketë thënë presidentja.

    Sipas Osmanit, Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj ajo thekson se meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE.

    Presidentja Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese.

    “Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën”, ka theksuar ajo.

    Në këtë kontekst, sipas Presidentes Osmani, përfshirja e Kosovës në PfP, e më pas në NATO ka një rëndësi strategjike dhe gjithashtu është garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.

    Të dy liderët pohuan se ekziston potenciali për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit tregtar, kulturor, të shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, turizmit, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

  • I dërguari britanik për Ballkanin porosi Serbisë: Duhet te vendosni sanksione ndaj Rusisë

    I dërguari britanik për Ballkanin porosi Serbisë: Duhet te vendosni sanksione ndaj Rusisë

    Republika Srpska nuk mund të jetë një shtet i pavarur dhe Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë, tha në një intervistë për Hina, Lord Stuart Peach, i dërguari special i kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor.

    Londra “dënon kërcënimet” për t’u shkëputur nga Republika Srpska dhe vazhdon të mbështesë marrëveshjen e Dejtonit, tha Peach, i cili vizitoi Kroacinë për herë të pestë që kur u emërua si i dërguar i kryeministrit në fund të vitit 2021.

    Ish-komandanti i Forcave Ajrore Britanike dhe ish-presidenti i Komitetit Ushtarak të NATO-s u takua, ndër të tjera, me kryeministrin Andrej Plenkoviq, ministrin e Punëve të Jashtme Gordan Grliq Radman dhe kreun e Partisë së Pavarur Demokratike Serbe Milorad Pupovec.

    Në një intervistë për Hinën dy vjet më parë, Peach shprehu shqetësim të madh për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Sot, pas ardhjes së qeverisë së re dhe zhvillimeve të caktuara në proceset brenda atij vendi, i dërguari britanik është “ende i shqetësuar”, veçanërisht për situatën e sigurisë të kërcënuar nga kërcënimet për shkëputje nga Republika Srpska.

    Londra i dënon ato kërcënime dhe thotë se Republika Srpska është një entitet legjitim brenda Bosnje dhe Hercegovinës, por nuk mund të jetë një “shtet i pavarur” siç dëshiron ta bëjë presidenti i saj Milorad Dodik, tha Peach.

    “Një e ardhme e ndritur për Bosnje dhe Hercegovinën është në interesin e të gjithëve, për të gjithë njerëzit në atë vend, pavarësisht nga grupi etnik,” tha Peach.

  • Azemi i LDK-së: Nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten, do ta quante mashtrues tipik

    Azemi i LDK-së: Nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten, do ta quante mashtrues tipik

    Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se Qeveria Kurti nuk ka dije minimale, vizion, kapacitet e plan për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, duke iu referuar faturave të larta të energjisë elektrike.

    Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë, Visar Azemi tha se për shkak të pa aftësisë së qeverisë Kurti, qytetarët po detyrohen të paguajnë shifra marramendëse e të pa përballueshme të faturat e energjisë elektrike.

    Ai tha se kjo qeveri për tre vite nuk ka rritur për asnjë megavat kapacitetet e rigjenerimit të energjisë elektrike.

    Azemi potencoi se nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten dhe do të flisnin lidhur me këtë situatë, do ta quante atë “një mashtrues tipik e klasik”.

    Tutje, ai tha se kjo qeveri nuk ka përvojë për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, derisa shtoi se si LDK, janë të gatshëm të bëjnë një gjë të tillë.

    Sipas tij, ndërtimi i centralit të gazit amerikan, rehabilitimi i centralit Kosova B, përqendrimi tek energjia e ripërtrishme, ulja e TVSh-së në zero për qind për faturat e energjisë elektrike, e të tjera do të ishin veprimet që do të kishte bërë LDK-ja për ta zgjidhur këtë çështje.

  • “U tregua profesionale”- Peach lavdëron Policinë e Kosovës për reagimin ndaj sulmit në Banjskë

    “U tregua profesionale”- Peach lavdëron Policinë e Kosovës për reagimin ndaj sulmit në Banjskë

    Britania mbështet absolutisht normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Kështu ka thënë i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”.

    Peach në këtë bisedë dënoi sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit që shkoi.

    Britaniku e vlerësoi si “incident të rëndë” dhe theksoi se autoritetet e Kosovës po bashkëpunojnë në hetimin e ngjarjes, “gjë që e ka theksuar edhe gjatë bisedimeve në Bruksel”.

    “Nga normalizimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të përfitojnë të gjithë qytetarët e të dy vendeve, por edhe rajoni më i gjerë, përfshirë edhe Kroacinë, dhe e ardhmja e Kosovës është ajo e një republike multietnike”, tha Peach.

    I dërguari britanik i ka bërë thirrje Serbisë që të vendosë sanksione kundër Rusisë, pasi është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka bërë këtë. Ai ka kërkuar edhe të hetohet procesi zgjedhor i zgjedhjeve të fundit atje.

  • Presidentja Osmani pret në takim sot presidentin e Maqedonisë së Veriut

    Presidentja Osmani pret në takim sot presidentin e Maqedonisë së Veriut

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, do të qëndrojë sot në Kosovë për vizitë zyrtare.

    Pendarovski në orën 11:00 do shkojë në ndërtesën e Presidencës, ku do të pritet në takim nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

    “Mediat e interesuara për ta përcjellë takimin, luten të jenë në Presidencë më së voni në orën 10:30”, thuhet në njoftim.

  • Limaj kritikon opozitën: Demokracia në Kosovë është në rrezik, po krijohet hapësira për regjime autoritare

    Limaj kritikon opozitën: Demokracia në Kosovë është në rrezik, po krijohet hapësira për regjime autoritare

    Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nëse opozita në Kosovë vazhdon kështu si ka qenë, rrezikohet demokracia në vend dhe i jepet mundësi krijimit të hapësirës për regjime autoritare.

    “Nisjen e opinionit publik e shtyrë pak a shumë nga Qeveria dhe eksponentë opozitarë me u kthy si temë që kur të përmendet bashkëpunimi opozitar, 100 mijë pengesa e telashe me e i çitë e mos me i lanë me u ba bashkë. Unë e kuptoj që kjo i shërben shumicës, por jo opozitës. Një shumicë e cila ka njëfarë instikti autoritar, do me e pa ashtu. Dhe çka kam parë, kam parë rrezikun e demokracisë. Cila është? Nëse një opozitë qysh ka qenë këtu e vazhdon me u topitë, e me u ba copa copa e me nisë me u marrë opozita njëra me tjetrën e me gju temat që nuk bashkojnë, po temat ndajnë, vijmë në një situatë ku potenciali demokratik, reagues e alternativ i opozitës dobësohet deri në atë nivel sikur që e kemi në vendet në rajon dhe aty lëndohet demokracia dhe aty krijohet hapësira për regjime autoritare. Kqyrne sot Serbinë, gati e njëjta logjikë ka shku në 10 vitet e kaluara, e ka shkatërrua opozitën, opozita veten, nuk e ka ruajtur demokracinë. Ka vende demokratike rajoni, por ka demokraci pesë sekondëshe, këtu ku na rrethojnë neve.”, tha Limaj. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të Fatmir Limajt në CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • MPJD jep detaje për aksidentin në Kroaci ku u përfshi autobusi nga Kosova

    MPJD jep detaje për aksidentin në Kroaci ku u përfshi autobusi nga Kosova

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se në autobusin kosovar që u aksidentua në afërsi të Dubrovnikut kanë qenë rreth 30 udhëtarë. Sipas informatave të para, asnjë nga udhëtarët nuk është lënduar dhe s’ka kërkuar ndihmë mjekësore.

    MPJD thekson se aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Orashac, në afërsi të Dubrovnikut, sonte rreth orës 18:00.

    Njoftimi i plotë i MPJD-së:

    Lidhur me aksidentin e autobusit nga Kosova në Kroaci, nga informacionet e deritanishme, të marra nga autoritetet kroate, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin e gjerë se rreth orës 18:00, një autobus me rreth 30 udhëtarë ka pësuar një aksident në vendin e quajtur Orashac, në afërsi të Dubrovnikut.

    Sipas informacioneve të deritanishme asnjë nga udhëtarët nuk duket të jetë lënduar dhe as të ketë kërkuar ndihmë mjekësore.

    Informacionet rreth këtij aksidenti do t’i përditësojmë sapo të kemi të dhëna më të detajuara nga organet kompetente kroate.

  • Limaj: Kosova ka hyrë në vitin zgjedhor

    Limaj: Kosova ka hyrë në vitin zgjedhor

    Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova ka hyrë në vitin zgjedhor.

    “Ne tanimë jemi në vitin zgjedhor dhe a do të mbahen zgjedhjet ne gjatë mujorin e parë apo në gjashtë mujorin e dytë, kjo tani është çështje që i mbetet shumicës ta diktojë. Por, Kosova është futur në vitin zgjedhor, ky është viti i fundit prandaj është më se normale që ky vit do të karakterizohet me dinamizim dhe aktivitete të tilla”, tha Limaj.

    Ai tha se arsyeja pse koalicionin me AKK-në e kanë bërë në këtë kohë, është se sipas tij, koalicionet në ditën e fundit të zgjedhjeve, nuk ka rezultuar të suksesshme.

    “Koalicionet e tilla nuk duhet të imponohen në ditën e fundit të zgjedhjeve, koha ka treguar në të kaluarën që vështirë të jenë të suksesshme dhe shumë më me rëndësi kur doni me ba një projekt, është që ta bëni me kohë për t’i dhënë mundësi dhe kohë qytetarit, elektoratit, strukturave dalë ngadalë të ambientohen dhe të njihen edhe të ketë kohë për punimin e një projekti ose programi të përbashkët”, tha Limaj.

    Intervistën e plotë të Fatmir Limajt në CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë: