ATV

Tag: Ballina

  • Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit

    Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit

    Kryesia e Kuvendit sot mban mbledhje, ku pritet të vendos për rendin e ditës për Seancën plenare të radhës.

    Sipas njoftimit, mbledhja pritet të fillojë nga ora 11:00.

    Ndërkaq përgjatë mbledhjes priten të diskutohen këto pika të rendit te ditës:

    Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

    Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 18 janar 2024:

    Votimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

    III. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    2. Pyetjet parlamentare,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
    8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
    9. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
    10. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
    11. Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
    12. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji,
    14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor,
    15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    16. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr.05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë,
    18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,
    19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-264 për rininë,
    20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
    21. Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-010 për Noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-149,
    22. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,
    24. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-269 për kontrollin e kufirit shtetëror,
    25. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,
    26. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-282 për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës,
    27. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-286 për shtetësinë e Kosovës,
    28. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Kosovës,
    29. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    30. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,
    31. Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
    32. Propozimi për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,
    33. Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,
    34. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës,
    35. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
    36. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    37. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,
    38. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,
    39. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,
    40. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,
    41. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,
    42. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,
    43. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”,
    44. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
    45. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
    46. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizimet e tilla,
    47. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër (4) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
    48. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
    49. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar. IV. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.
  • 1 muaj liberalizim, rritet numri i udhëtarëve

    1 muaj liberalizim, rritet numri i udhëtarëve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Është shënuar 1 muaj prej kur qytetarët tashmë po udhëtojnë lirshëm, pa viza, drejt vendeve evropiane.

    Numri i atyre që zgjodhën transportin ajror, vërehet të ketë shënuar ngritje brenda këtij muaji, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Sipas të dhënave, në muajin Janar në Aeroportin “Adem Jashari” udhëtuan mbi 287 mijë udhëtarë.

    “Nr. i udhëtarëve dhe fluturimeve vazhdon me një trend të rritjes, ku në muajin Janar 2024 janë shërbyer 287 205 udhëtarë, apo 21,9 % më shumë sesa në muajin Janar 2023 dhe 996 fluturime apo 23,3% më shumë, krahasuar me Janar 2023. Muaji Janar 2023 kishte 235 576 udhëtarë dhe 808 fluturime të shërbyera”, thuhet në njoftimin e Aeroportit “Adem Jashari”.

    Ndërkohë, sipas statistikave zyrtare nga policia deri më 23 janar, në të gjitha pikat kufitare përfshirë atë edhe në aeroport, kanë dalë afro 846 mijë persona. Ndërkohë, në Kosovë kanë hyr mbi 695 mijë.

    Kjo duke bërë që të ketë afro 151 mijë dalje më shumë sesa hyrje.

    Ndërkohë, në vitin 2023 kishte afro 129 mijë më shumë dalje se hyrje.

    Si rezultat i kësaj, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë vit kanë dalë mbi 22 mijë persona nëpër pikat kufitare.

    Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen.

    Liberalizimi u mundëson që të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare.

  • Dënimi nga gjykata themelore nuk e përjashton Pal Lekajn nga kuvendi

    Dënimi nga gjykata themelore nuk e përjashton Pal Lekajn nga kuvendi

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Një ditë më parë, gjykata themelore i shqiptoi dënim me 3 vjet e 8 muaj burgim.

    Por, Pal Lekaj mund ta vazhdojë funksionin e tij si deputet edhe për një kohë, meqë dënimi nuk është i formës së prerë.

    “Mandati i deputetit humbet me rastin kur vendimi bëhet i formës së prerë, dhe përderisa nuk ka ende një aktgjykim të formës së prerë, juridikisht nuk ka asnjë pengesë që i njëjti të mos e ushtrojë funksionin e deputetit”, tha Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI.

    E derisa gjykata e shkallës së dytë të dalë me një vendim, do të duhej kohë, por nuk ka afat të caktuar.

    Sidoqoftë, do të mbetet në dëshirën e deputetit nëse do të qëndrojë apo ta lirojë vendin.

    Vetë Lekaj nuk u përgjigj gjatë të enjtes për planet e tij të mëtejme, ndonëse njohës të fushës, si më të drejtë e shohin dorëheqjen.

    “Për ta ruajtur integritetin e institucionit të kuvendit dhe pozitës së deputetit do ishte e rrugës që paraprakisht të jepej dorëheqje dhe me vetë faktin që ka filluar procedura gjyqësore, ose që ka pasur edhe një aktakuzë për një vepër kaq të rëndësishme”, tha Bugaqku.

    Përtej dënimit me 3 vjet e 8 muaj burgim, Gjykata Themelore Lekajt i ka shqiptuar edhe dënim plotësues, prej 3 vjet e 6 muaj, i cili hyn në fuqi pasi ta përfundojë dënimin me burgim, e që nënkupton se Lekaj për kaq kohë nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik.

    Ndërsa, në rast se deputeti Lekaj humb mandatin, ai do të zëvendësohet nga kandidati më i votuar, i gjinisë së njëjtë, brenda listës së partisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që në këtë rast është Lahi Brahimaj.

  • Rregullorja në fuqi, por pagesat në Mitrovicë të Veriut bëhen me dinarë

    Rregullorja në fuqi, por pagesat në Mitrovicë të Veriut bëhen me dinarë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pa asnjë problem pagesën po e bën me dinarë.

    Qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut nuk e përfillën rregulloren e BQK-së, edhe pse ajo hyri në fuqi të enjten.

    Qytetarët e pronarë të bizneseve në Veri të vendit, thanë se mospërdorimi i dinarit është i pamundur, të paktën edhe për një periudhë kohore.

    Edhe pse Qeveria tha se në vend të gjobave do të ketë fushatë informuese në lidhje me rregulloren e re të BQK-së, në terren një gjë e tillë nuk u pa!

    Për mosshtyrjen e zbatueshmërisë së vendimit, ka folur përsëri ambasadori Amerikan në Kosovë. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Jeffrey Hovenier tha se vendimi mund të sjellë tensione të reja në veri.

    “Serbët do të ndihen të shkëputur nga benefitet që i përfitojnë. Askush nuk e dëshiron këtë. Ne mendojmë që kjo çështje meriton më shumë konsideratë dhe gjithashtu diskutime në tavolinën e dialogut. Shqetësimet tona janë që mund të ketë tensione etnike”, tha Hovenier.

    Të shqetësuar me pasojat që mund të ketë pas vendimit të BQK-së, janë shprehur edhe nga Bashkimi Evropian. Ata kanë kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe të gjendet një zgjidhje që rregullorja e re të mos ua ndërlikojë jetën e qytetarëve të komunitetit serb.

  • S’ka fatura për rrymën në veri, elektrosever kërkon “paushallin”

    S’ka fatura për rrymën në veri, elektrosever kërkon “paushallin”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    As më 1 Shkurt, në Mitrovicë të Veriut, Elektroseveri nuk i shpërndau faturat e energjisë elektrike.

    Televizioni merr vesh se kjo kompani nuk i ka printuar ende faturat.

    Megjithëkëtë, punonjës të saj u kanë thënë qytetarëve në këtë komunë se duhet të paguajnë paushall 25 deri në 30 euro, për muajin Janar.

    Mes paqartësish për faturat, asamblisti në Mitrovicë të Veriut, Betim Osmani, tregoi se punonjësit e Elektroseverit i kanë paralajmëruar qytetarët se në rast se nuk paguajnë tash, do t’iu grumbullohet borxhi.

    “Jo, jo, fatura për këtë muaj nuk ka. Vetëm u është bërë me dije qytetarëve që e kanë një lloj paushalli 25 Euro dhe se më mirë është tash të shkoni ta paguani, që në fund të muajit shkurt ose mars, të mos u bëhen 25+25 ose 30+30, 60, dhe mos u ankoni pastaj që janë shumë, por llogariteni si një lloj minimumi i shpenzimit është 25-30 euro”, tha Osmani.

    Praktika e paushallit pritet të vazhdojë deri në vendosjen e plotë të matësve.

    Këtë situatë, gazetari Zekirja Shabani e vlerësoi si përpjekje për ta shtyrë zbatimin udhërrëfyesit për energjinë.

    “Ky tentim për me shty po vjen prej Elektroseverit, një kompanie që është bërë shumë luftë për t’u licencuar, për të fituar të drejtën për të bërë faturimin në atë pjesë. Në këtë rast, është një bashkëpunim i Elektroseverit me qytetarët serbë për të gjetur mënyra, si të mos paguajnë energjinë elektrike të shpenzuar”, tha Shabani.

    Sidoqoftë, Shabani theksoi se kostoja buxhetore më nuk rëndon mbi taksapaguesit.

    “Elektroseverit tash i mbetet barra që ose ta paguajë vetë energjinë e shpenzuar prej qytetarëve, të cilët e kanë pranuar atë energji, ose të gjejë alternativa për ta paguar shpenzimin e energjisë elektrike”, tha Shabani.

    Të hënën, Zyra e Rregullatorit të Energjisë e liroi KOSTT-in nga barra për mbulimin e humbjeve, si pasojë e energjisë së shpenzuar dhe të papaguar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Nga 1 Janari, energjia e shpenzuar në këto komuna i llogaritet Elektroseverit.

  • ​AGK: Qeveria të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

    ​AGK: Qeveria të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) kanë reaguar ndaj Projektligjit për KPM, duke thënë se propozimi ligjor, për herë të parë në historinë e re të Kosovës, ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video, nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror.

    Ky projektligj detyron mediat online që dëshiron të publikojë video do të duhet të aplikojë për leje te Komisioni i Pavarur për Media nëse projektligji aprovohet në Kuvend ku edhe është dërguar për miratim nga Qeveria në muajin janar 2024.

    AGK dhe KPM thonë se ndryshimet ligjore, të cilat arsyetohen në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropianë janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

    Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se këto ndryshime i shohin si një përpjekje të re të qeverisë aktuale të sulmojë mediat me tendencë për t’i kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë duke përfshirë edhe nevojën që të licencohen në mënyrë të veçantë.

    “Arsyeja e kësaj konference është ligji i ri për KPM-në, të cilin Qeveria e Kosovës e ka miratuar në fund të vitit të kaluar dhe e ka proceduar për në Kuvendin e Kosovës …Ky ligj do të ndikojnë direkt në punën e mediave online…Ndryshimet ne i shohim si një përpjekje të re të qeverisë aktuale që të sulmojë mediat dhe tendencë për ti kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë nëse ka nevojë mediat online që kanë përmbajtje të video duke përfshirë edhe nevojën që ato të licencohen në mënyrë të veçantë dhe këtë e shohim si një tjetër përpjekje sulm tjetër të qeverisë ndaj lirisë së mediave…E ftojmë Qeverinë e Kosovës të tërhiqet nga këto ndryshime,” tha Rexha.

    Juristja e së Drejtës së Medias, Flutura Kusari, tha se për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyrën e mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit duke i detyruar mediat që t’i nënshtrohen licencimit shtetëror.

    “Projektligji për KPM është aprovuar në mbledhjen e qeverisë 4 ditë para vitit të ri dhe është publikuar online në faqen e Zyrës së kryeministrit pas kërkesës sonë që ky dokument të bëhet publik… Për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit, duke i detyruar ato që për herë të parë t’i nënshtrohen licencimit shtetëror. Secila media online që dëshiron të publikojë video do të duhet të aplikojë për leje te Komisioni i Pavarur për Media nëse projektligji aprovohet… Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare detyrohen që të hapin kompani për të plotësuar kërkesat e licencimit. Mediat online do të detyrohen që të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja, do të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind, do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40 mijë euro”, tha ajo.

    Drejtori Ekzekutiv i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, theksoi se qëllimi i projektligjit është pikërisht dobësimi i mediave të shkruara.

    “Qëllimi i projektligjit të KPM-së është pikërisht dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës…I bëjmë thirrje qeverisë që ta tërheqë këtë projektligj”, theksoi Mushkolaj.

    AGK dhe KMSHK janë përgatitur që t’i informojnë Këshillin e Evropës, OSBE-në, Parlamentin Evropian dhe institucione të tjera.

    Ndryshe, ndryshimet kryesore ligjore të propozuara janë mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja; mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit; mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja; mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%; mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro; KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht; anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

  • Pezullohen nga puna dy zyrtarët e ATK-së që u kapën duke kontrabanduar mallra nga Serbia

    Pezullohen nga puna dy zyrtarët e ATK-së që u kapën duke kontrabanduar mallra nga Serbia

    Janë pezulluar nga puna dy zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilët u kapën duke kontrabanduar mallra nga Serbia, në mëngjesin e së enjtes së 1 shkurtit, në Bistricë të Leposaviqit.

    Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Valentina Bytyqi-Sefa.

    “Janë pezulluar nga puna dy zyrtarët serbë, që janë kapur duke kontrabanduar mallra nga Serbia”, ka thënë ajo.

    Ndryshe, dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) janë kapur duke kontrabanduar mallra nga Serbia, në mëngjesin e së enjtes së 1 shkurtit, në Bistricë të Leposaviqit.

    Dy zyrtarët e dyshuar, Lazar Peroviq dhe Tomislav Janiçjeviq, kanë qenë duke punuar në “Departamentin e Mbledhjes së Detyrueshme të ATK-së” me seli në Prishtinë.

    Të njëjtit më parë ishin pjesë e “Mbrojtjes Civile”.

  • “Ky ministri Luci a Peci qysh e ka mbiemrin, po na largon biznesin”- Pronari i pompës së derivateve “Patroni” i ashpër me deklarata

    “Ky ministri Luci a Peci qysh e ka mbiemrin, po na largon biznesin”- Pronari i pompës së derivateve “Patroni” i ashpër me deklarata

    Pronari i pompës së derivateve “Patroni”, Habib Morina ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë për mbylljen e biznesit të tij, me ç’rast i njëjti me apo pa dashje ia ngatërron mbiemrin ministrit të Bujqësisë.

    “Ky ministri Luci a qysh e ka mbiemrin, a po Peci, po na largon biznesin”, thotë ai, ndërkohë që deklaroi se ata do të presin një vendim nga gjykata për të parë se kush ka të drejtë.

    Ndryshe, gjatë ditës së sotme inspektorë të Ministrisë së Bujqësisë të asistuar nga Policia e Kosovës kanë vendosur shirita në prona që gjenden përballë objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, në Prishtinë.

    Kjo hapësirë ishte shfrytëzuar nga një biznes privat që shërbente si pompë e derivateve dhe kishte kontratë qiramarrëse nga viti 2018.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Vendimi i BQK-së për dinarin, Kurti: Vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohet nga politikanët

    Vendimi i BQK-së për dinarin, Kurti: Vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohet nga politikanët

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, lidhur me vendimin e BQK-së për rregulloren e re, e cila ndalon përdorimin e valutës së dinarit, tha se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.

    Një koment të tillë kryeministri e bëri pasi bëri homazhe pranë kompleksit memorial në Lupç të Poshtëm, me rastin e 34-vjetorit të rënies së dëshmores Elfete Humolli

    I pyetur për çështjen e valutës së dinarit, për çka ka reaguar edhe BE-ja, kryeministri Kurti tha se faza tranzitore ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar dhe gjithçka ka shkuar në rregull.

    “Pikërisht përgatitjet e suksesshme për zbatimin e rregullores së BQK-së kanë alarmuar Beogradin zyrtar dhe ata më pastaj u përpoqën që të përhapin panik nëpërmjet një fushate që trumbetohej nga kreu i shtetit atje. Me informatat që i kam gjithçka po shkon në rregull, por, nëse ka ndonjë vërejtje a ankesë, ne do ta adresojmë me seriozitetin më të lartë dhe me shpejtësinë më të madhe”, ka deklaruar Kurti.

    Ndërkaq kërkesës së BE-së për këtë çështje, kryeministri Kurti u shpreh se BQK është institucion i pavarur dhe se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.

    “BQK është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”, deklaroi Kurti.

    Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe me deputetë të Kuvendit të Kosovës.

    “Sot shënojmë 34 vjetorin e demonstratës në të cilën nga forcat armike serbe u vra nxënësja Elfete Humolli ende pa i mbushu 17 vjet. Elfetja Mentori dhe gjithë dëshmorët e kombit na dëshmojnë orët e historisë sonë dhe sa shtrenjtë është paguar liria e popullit dhe çlirimi i Kosovës”, tha Kurti.

  • ​Vendimi për dinarin, BE: Jemi të shqetësuar për pasojat, kjo çështje të përfshihet në dialog

    ​Vendimi për dinarin, BE: Jemi të shqetësuar për pasojat, kjo çështje të përfshihet në dialog

    Bashkimi Evropian ka dalë sërish me deklaratë lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, që do të hyjë në fuqi sot, duke i kërkuar Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut.

    Në një deklaratë zyrtare të lëshuar sot nga BE-ja, thuhet se ata janë të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

    Reagimi i plotë:

    Bashkimi Evropian i kushton vëmendje rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave.

    BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.

    Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre.

    BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.