ATV

Tag: Ballina

  • BE i kërkon Kosovës të shmangë veprimet që mund t’i rrisin tensionet

    BE i kërkon Kosovës të shmangë veprimet që mund t’i rrisin tensionet

    Bashkimi Evropian ka parë me shqetësim të madh operacionet e Policisë së Kosovës gjatë javës në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë dhe objektet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë, në Prishtinë.

    Kështu thuhet në një deklaratë të lëshuar sot nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE.-së (EEAS), ku theksohet se mbyllja e papritur e këtyre zyrave, do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.

    “Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë.

  • Hovenier: SHBA e shqetësuar me veprimet e Qeverisë së Kosovës, po rrisin tensionet etnike

    Hovenier: SHBA e shqetësuar me veprimet e Qeverisë së Kosovës, po rrisin tensionet etnike

    Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.

    Sipas një deklarate të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier, këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

    “Ato përfshijnë operacionet e kryera nga Policia e Kosovës në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë javës së kaluar në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë. si në OJQ Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë. Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e Policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë. Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të promovojë vizionin e përcaktuar në themelimin e saj dhe të sanksionuar në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e saj: një nga një demokraci plotësisht multietnike që i përgjigjet shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të saj. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë, duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre.

  • Shpallja e zgjedhjeve të reja në veri pritet të zgjasë disa muaj

    Shpallja e zgjedhjeve të reja në veri pritet të zgjasë disa muaj

    Komisioni Qendror Zgjedhor është ende në procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për shkarkimin e kryetarëve aktual.

    Në KQZ thonë se ky proces do të marrë kohë, pasi të dhënat që i kanë pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të ketë ndonjë datë të saktë se kur do të përfundojë procesi i verifikimit. Në anën tjetër, partia në pushtet, por edhe njohës të proceseve zgjedhore konsiderojnë se deri te shpallja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, do të nevojiten disa muaj.

    “Ky proces do të na marrë kohë, pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë ministrinë, kryesuesit e Kuvendeve Komunale, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së, do të bëhet edhe publike”, thotë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se zgjedhjet e reja në veri mund të mbahen vetëm nëse arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit. Nuk përmend ndonjë afat se kur do të mund të mbahen ato.

    Ish-kryetari i KQZ-së, njohësi i kushtetutës, Mazllum Baraliu, ndërkaq thotë se nëse nuk arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit, procesi për zgjedhjet në veri do të dështojë. Sipas tij, deri në shpalljen e zgjedhjeve do të nevojiten disa muaj kohë.

    Sipas udhëzimit administrativ, nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet ta mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejta vote.

    Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri na 45 ditë për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme në veri.

    Kryetarët shqiptarë të komunave në veri u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovë.

  • Pas gati 6 vjetëve, FSK-ja pritet të furnizohet me uniforma, aktualisht pjesëtarët e FSK-së detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera

    Pas gati 6 vjetëve, FSK-ja pritet të furnizohet me uniforma, aktualisht pjesëtarët e FSK-së detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera

    Pas gati gjashtë vjetëve, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë do të furnizohen me uniforma. Megjithatë, nuk dihet sasia e uniformave e as vlera e kontratës.

    “Është nënshkruar kontrata e re dhe tashmë uniforma janë duke u prodhuar. Është kontratë e klasifikuar, blerje të përjashtuara sipas ligjit të prokurimit”, deklaroi Liridona Gashu nga Ministria e Mbrojtjes.

    Teksa nuk dihet asgjë për kontratën e re, 5 milionë euro ishin destinuar për uniforma kamuflazh dhe rezistente ndaj ujit e erës. Mirëpo, tenderi i hapur në vitin 2022, kishte dështuar. Ndërkaq, furnizimi i fundit me uniforma rezistente ndaj ujit dhe erës, sipas njoftimit në platformën e-prokurimi ishte bërë në fund të vitit 2018.

    Andaj, ushtarët e Forcës së Sigurisë, aktualisht detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera.

    Disa prej tyre edhe i kanë qepur në mënyrë që t’i përdorin përsëri.

    Televizioni, kupton se muaj më parë secilit ushtarakë që mund t’i ketë një apo dy palë uniforma tjera rezervë, i është kërkuar që ato t’i kthejë mbrapa FSK-së, njërën. Ministria e Mbrojtjes e mohoi që një kërkesë e tillë ishte bërë për shkak të mungesës së uniformave.

    Ish-koloneli Afrim Veseli, tha se që nga themelimi i Forcës së Sigurisë, pajisja me uniforma ka qenë gjithmonë problematike.

    “Është fatkeqësi e madhe qysh ushtarët janë në ketë gjendje. Gjatë gjithë kohës sa kam shërbyer, uniforma ka qenë gjithmonë problematike. Materiali ka qene i dobët dhe furnizimi asnjëherë nuk është bërë me kohë” , thotë Veseli.

    Ndërkohë, pas dështimeve të shpeshta të tenderit 2 milionësh për furnizim me çizme, Ministria e Mbrojtjes në mënyre urgjente ka blerë vetëm 330 palë çizme në fund të vitit të kaluar./atvlive.tv/

  • Ndërtimi i Stacionit të ri Policor në Gjilan larg finalizimit, Policia funksionon në objekt të stërvjetëruar

    Ndërtimi i Stacionit të ri Policor në Gjilan larg finalizimit, Policia funksionon në objekt të stërvjetëruar

    Ndërtimi i vrazhdë në tri katet e para të objektit që do bëhej Stacion i Policisë së Gjilanit, ishte kryer që moti.

    Por, për shkak të një kontesti gjyqësor për pronën ku po ndërtohej, në fillimin e vitit 2010 punët ishin ndal në gjysmë.

    “Ka pasur kontest gjyqësor… tash rasti është në gjykatën komerciale…”, deklaroi zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani.

    Me gjithë dëmet që i janë shkaktuar ndër vite, objekti që ndodhet fare pranë gjykatës e prokurorisë, ka shpresë që të funksionalizohet.

    Derisa rasti është ende nëpër instanca gjyqësore, Policia është duke funksionuar në këtë objekt të stërvjetëruar.

    “Gjendja është shumë e keqe… objekti aktual është që 50 vjet…”, thotë tutje Hashani.

    Derisa rasti në gjykatë të zgjidhet, institucionet lokale në Gjilan kanë provuar që ta gjejnë një zgjidhje të përkohshme.

    Në tetor të vitit 2023 u mbajt seanca e fundit gjyqësore për këtë rast./atvlive.tv/

  • Në bordin aktual të “Trepçës”, punëtorët nuk kanë përfaqësues – Kërleshi: Në ditët në vazhdim do të dërgojmë propozimin tonë për përfaqësues

    Në bordin aktual të “Trepçës”, punëtorët nuk kanë përfaqësues – Kërleshi: Në ditët në vazhdim do të dërgojmë propozimin tonë për përfaqësues

    Në përbërjen aktuale të Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës të “Trepçës”, punëtorët e ndërmarrjes nuk e kanë një përfaqësues.

    Punëtorët, të cilët janë pronarë të 20% të aksioneve të ndërmarrjes, sipas Ligjit për “Trepçën”, duhet ta kenë së paku një përfaqësues të tyre në përbërje të Bordit.

    Sipas nënkryetarit të Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, në mungesë të një përfaqësuesi të tyre në bord, Qeveria nuk do të ketë informacione sa i përket telasheve që mund t’i kenë punëtorët.

    “Në fakt na bën problem neve si dhe Bordit, sepse e njofton edhe Bordin edhe Qeverinë për problemet e punëtorëve dhe të “Trepçës”. Mungesa e anëtarit shkakton shumë telashe në informimin e Qeverisë dhe anëtarëve të Bordit për problemet në “Trepçë”, thotë Destan Kërleshi, nënkryetar i sindikatës së minatorëve të “trepçës”.

    Bordi me mandat të përkohshëm i ndërmarrjes, u zgjodh në muajin shtator të vitit 2023.

    Sipas sindikalistit Kërleshi, në kuadër të konkursit për anëtar të këtij bordi, Sindikata e Minatorëve të “Trepçës” kishte propozuar emrin për përfaqësues të punëtorëve në Ministrinë e Ekonomisë, mirëpo, sipas tij, ky propozim ishte neglizhuar.

    Bordit aktual do t’i skadojë mandati pas dy muajve.

    Ndërkohë, Qeveria tashmë ka hapur konkursin për kandidatët që synojnë pozitën e anëtarit të Bordit të ri, që do ketë mandat të plotë prej katër vjetëve.

    “Ne ende për këtë konkurs nuk e kemi dërguar propozimin tonë. Po presim që këto ditë ta përsërisim apo edhe ta ndryshojmë vendimin për bordin, por shpresojmë që të na jepet mundësia që të respektohet ligji edhe nga ana e Qeverisë, e cila është dashur ta respektojë edhe në herën e kaluar, gjë që na ka neglizhuar dhe nuk ka dhënë të drejtë të përfaqësohemi në Bordin Mbikëqyrës”, deklaroi tutje ai.

    Nga Ministria e Ekonomisë nuk kthyen përgjigje lidhur me mungesën e përfaqësuesit të punëtorëve në Bord.

    Referuar Ligjit për “Trepçën”, në përbërjen e plotë e Bordit Mbikëqyrës duhet të jenë nëntë anëtarë.

    Mes tjerash, kompetencat e Bordit Mbikëqyrës janë zgjedhja e anëtarëve të Bordit Menaxhues, aprovimi i planeve financiare dhe zhvillimore të njësive biznesore në kuadër të Trepçës, si dhe aprovimi i kontratave lidhur me partneritetin./atvlive.tv/

  • Programi legjislativ 2024, një numër i konsiderueshëm i projektligjeve janë bartje e viteve të kaluara

    Programi legjislativ 2024, një numër i konsiderueshëm i projektligjeve janë bartje e viteve të kaluara

    Deputetët pritet që këtë vit t’i shqyrtojnë e të votojnë për 101 projektligje.
    Por, jo të gjitha prej tyre janë projektligje që në Kuvend do të shkojnë për herë të parë.

    Disa prej tyre, kanë dështuar të votohen në vitet paraprake duke bërë që të bartën sërish në programin legjislativ të këtij viti.

    “Ka projektligje që nuk janë miratuar gjatë tërë 3 viteve, ose ministri të caktuara siç është MPJD që 3 projektligje kyqe siç është për protokollin e shtetit… I bartë në secilin program legjislativ përkundër faktit që thotë se do ti miratoj, kemi edhe projektligjin për kodin civil….”, deklaroi Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Madje 20 prej tyre janë paraparë të miratohen në dhjetor të këtij viti.

    “E dimë që jemi në një vit zgjedhjesh dhe 20% janë paraparë…..”, shtoi tutje ai.

    Ndërkohë një nga projektligjet që është kërkuar për shumë kohë, ai për pensionimin e parakohshëm të policisë së Kosovës, nuk është paraparë në agjendë për këtë vit.

    Ndërkohë vitin e kaluar legjislativi kishte miratuar 71 projektligje ku vetëm 29 nga to ishin pjesë e agjendës legjislative të vitit 2023./atvlive.tv/

  • “Kush është Radojiçiqi? Patriot i rrejshëm, terrorist dhe kriminel që keqpërdor rininë tonë”, në Leposaviq e Zubin Potok vendosen pamflete kundër Radojiçiqit

    “Kush është Radojiçiqi? Patriot i rrejshëm, terrorist dhe kriminel që keqpërdor rininë tonë”, në Leposaviq e Zubin Potok vendosen pamflete kundër Radojiçiqit

    Sot nëpër rrugët kryesore të Komunës së Leposaviqit dhe Zubin Potokut, janë shpërndarë pamflete me fotografinë e Millan Radojiçiqit, me mbishkrimin “Kush është Radojiçiqi? Patriot i rrejshëm. I dyshuar për një numër vrasjesh të serbëve në Kosovë. Pronar i narko laboratorit. Kriminel që ka keqpërdorur rininë tonë për pasurim personal.Terrorist.”

    Të njëjta pamflete janë vendosur edhe në fshatin Soçanicë dhe në Leshak.

    Sipas burimeve të ATV-së afishe të njëjta janë shpërndarë nga serbë, kundërshtarë të Listës Serbe.

    “Thoni JO organizatës terroriste ( Lista Serbe)”, thuhet ndër të tjera në këto pamflete.

    Ndryshe, Millan Radojiçiqi, i cili ishte nënkryetar i Listës Serbe, ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i, nën dyshimin për terrorizëm.

    Kujtojmë se, ai mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic./atvlive.tv/

  • Berjani: Çmimi i derivateve është në rritje – Bazuar në gjendjen ekonomike, çmimi real duhet të ishte 1 euro

    Berjani: Çmimi i derivateve është në rritje – Bazuar në gjendjen ekonomike, çmimi real duhet të ishte 1 euro

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se këtë vit trendi i çmimeve të derivateve është në rritje por që nuk është e theksuar.

    Sipas tij, Kosova krahasuar me vendet e rajonit është e dyta pas Maqedonisë së Veriut, me çmimet më të lira të derivateve në treg.

    Berjani ka thënë se viti 2022 ka qenë viti i sfidave sa i përket çmimeve të larta të derivateve dhe se e njëjta situatë është duke vazhduar edhe këtë vit, kjo pasi sipas tij, ka lëvizje në tregjet ndërkombëtare dhe ka reduktim të prodhimit në organizatën prodhuese OPEK.

    “Sa i përket çmimit të derivateve të naftës në vitin 2023 kanë qenë sfida të mëdha, ka pasur lëvizje të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe në BERZh dhe në organizatën prodhuese OPEK. Ndërsa ky vit ka filluar ashtu siç e kemi lënë vitin e kaluar, vitin e kaluar çmimet kanë qenë në muajin dhjetor këto çmime që i kemi deri më sot. Nga sot e tutje ka lëvizje në tregjet ndërkombëtare dhe ka lëvizje të çmimeve kemi rritje të çmimeve. Çmimet në vitin 2023 në majin dhjetor i kemi pasur me 1 euro e 30 cent ka qenë dizelli, benzina 1 euro e 26 cent, këto i kemi pasur edhe në janar kane qenë çmimet stabile. Ndërsa kemi lëvizje ne tregjet ndërkombëtare, kemi edhe reduktim të prodhimit në organizatën prodhuese OPEK dhe kemi rritje të çmimit. Çmimet sillen në tregun kosovarë 1.33 euro dizelli deri në 1.40 euro, ndërsa benzina 1.27 euro deri në 1.32 euro, këto janë çmimet aktuale trendi është në rritje të çmimit të derivateve, po nuk është shumë e theksuar”, ka thënë ai.

    Berjani është shprehur se Kosova edhe pse është vend i vogël ka tregun më të madh sa i përket sektorit të derivateve me mbi 800 pika karburanti, ku sipas tij qytetaret edhe mund të zgjedhin ku është më së liri.

    “Nuk mund të paragjykojmë e të themi se çfarë çmime do të kemi gjatë këtij viti, kur e dimë se kemi lëvizje, por mund të them që për gjendjen ekonomike çfarë është në shtetin tonë çmimi real për qytetarët tonë do të kishte me qenë 1 euro, po këtë nuk e përcakton as qeveria as shoqata, por këtë e përcakton BERZh-a dhe organizata prodhuese OPEK. Dëshiroj që të apeloj tekë qytetarët e kanë mundësin që të zgjedhin ku është më lirë dhe më mirë që të furnizohen, sepse jemi tregu me i madh sa i përket sektorit të naftës, jemi shteti me i vogël në bote me më së shumit pika karburanti. 800 pika karburanti ku qytetari mund të zgjedh gjikundë ku është më lirë dhe më mirë”, ka thënë Berjani.

    Kryetari i Shoqatës ka theksuar se Kosova ka çmimet më të lira në rajon pas Maqedonisë së Veriut, kjo pasi ky shtet ka akcizën për 22 centë më lirë. Ai tha se pavarësisht krizës më të cilën është duke u përballur vendi, qytetaret janë duke u furnizuar me çmime të lira të derivateve.

    “Sa i përket rajonit mund të themi lirisht se çmimet i kemi më së liri rajon përveç Maqedonisë Veriore, kur dihet se Maqedonia Veriore ka akcizën për 22 cen më të ulët. Po qytetaret tanë prapë janë duke u furnizuar me çmime më të lira, rast konkret sot në Shqipëri 1.90 euro është dizelli, 1.92 benzina, në Serbi 1.80 është dizelli, 1.82 benzina, qytetaret tonë janë sado kudo me krizën që e kemi, me punën që është duke u bërë në sektorin e naftës janë duke u furnizuar me çmime më të lirë në regjion”, ka thënë.

    Berjani ka thënë se sektori i naftës e mbush 30 për qind të buxhetit të shtetit e që sipas tij, pavarësisht këtyre çmimeve akciza për derivate nuk duhet që të hiqet pasi situata nuk është emergjente.

    “Sa i përket akcizës së derivateve të naftës unë as një herë nuk kam kërkuar që të hiqet akciza pa marr parasysh kush ka qenë kryeministër. Dihet se sektori i naftës e mbush buxhetin e Kosovës 30 për qind, shumë deputet, shumë kryetar të partive kanë bërë spektakle mediatik gjithmonë duke kërkuar që të hiqet akciza. Akciza nuk duhet që të lëvizet, nuk është gjendje emergjente, situata me naftë po shihet që nuk jem enormë shtrenjtë me shtet në regjion jemi vendi i dytë sa i përket çmimeve të derivateve të naftës dhe nuk ka arsye që të hiqet akciza”, ka thënë ai për EO.

  • 11 milionë udhëtarë përdorën Trafikun Urban, tollovia nëpër autobusë synohet të ulet me ardhjen e flotës së re

    11 milionë udhëtarë përdorën Trafikun Urban, tollovia nëpër autobusë synohet të ulet me ardhjen e flotës së re

    11 milionë udhëtarë kanë shfrytëzuar autobusët e Trafikut Urban gjatë vitit 2023, ndërsa për një ditë numri i tyre shkon në mbi 30 mijë, ndërsa risi për TU-në do të jetë sjellja e autobusëve të rinj, me ç’rast gjashtë prej tyre do të jenë elektrikë. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online kryeshefi i Trafikut Urban, Burim Maraj.

    Maraj, ka folur për sfidat e sukseset e ndërmarrjes, ndërsa për ankesat e udhëtarëve, kërkon mirëkuptim për shkak të numrit të kufizuar të autobusëve. E me ardhjen e flotës së re të autobusëve, Maraj është optimist se do të evitohet tollovia nga udhëtarët.

    “Momentalisht ato që autobusët janë të stërmbushura dhe ne gjithmonë bëjmë apel që me pas durim edhe pak, pasi shpresoj që gjatë këtij viti do ta kemi flotën e re të tyre, ku prej 51 autobusëve do të shtohen flota deri në 81 autobusë dhe ndërkohë do të kemi korsi të reja për autobusët, për të cilat komuna besoj që do të ndërmarr masa e kjo i liron edhe qarkullimin e autobusëve e po ashtu edhe do të ketë risi tjera”, tha Maraj.

    “… jemi në proces të përgatitjes përmes konsulencës ndërkombëtare, ata do të përgatisin terma të referencës, brenda muajit do të kemi një kontratë të re, e pastaj brenda disa muajve do të dalë shpallja publike për autobusët e rinj ku shpresojmë brenda vitit 2024 pritet t’i kemi edhe 30 autobusë të rinj, prej tyre siç e dini 6 elektrik edhe mendoj që duke i parë bendet tjera do të jetë një risi edhe për vendet e rajonit”, deklaroi Maraj.

    E ndryshimet e çmimit të biletave, Maraj e quan të suksesshme, pasi gjatë vitit 2023 kanë përfituar mbi 600 mijë euro më shumë si shkak i shitjes së biletave vajtje-ardhje.

    “Vitin e kaluar me disa ndryshime në pjesën e  marketingut e sidomos kjo e biletave, vajtje-ardhje ditore ka rezultu me qenë shumë e suksesshme. Është përdorë shumë dhe kemi ngritje në shitjen e biletave prej 23 për qind apo diku mbi 600 mijë euro kemi shitur më shumë bileta, e që i bie si Ndërmarrje jemi të kënaqur me arritjen e vitit të kaluar e po ashtu kemi shti edhe një metodë të re të pagesës, përmes SMS, një pjesë e saj veçse ka kaluar në tetor, nëntor e dhjetor dhe brenda këtyre muajve po shihet se është një ngritje e konsumimit të këtyre biletave, pra njerëzit po i blejnë përmes SMS dhe gjë që na bën të ndihemi mirë”, u shpreh ai.

    Aktualisht për një ditë, mbi 20 mijë qytetarë shfrytëzojnë autobusët e Trafikut Urban, ndërsa ky numër synohet të rritet me ardhjen e autobusëve të rinj.

    “E rëndësishme po ashtu është edhe rritja e numrit të udhëtarëve një numër prej 20 mijë në ditë tash 35 deri 38 mijë në ditë apo mbi 11 milionë në vit udhëtarë, është një shifër e madhe andaj ndërlidhet me atë që kjo ngritje gjithmonë krijon pak pakënaqësi për shkak të hapësirës të cilat i kanë autobusët, flotat s’janë rritur ende, andaj presim që me autobusët e rinj do ketë më shumë mundësi e hapësirë drejt udhëtimit me autobusët e Trafikut Urban”, u shpreh Maraj.