ATV

Tag: Ballina

  • Rrugët e qyteteve, pistë garash e veturave

    Rrugët e qyteteve, pistë garash e veturave

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ani pse është qendër qyteti, rrugë si kjo po përdoren edhe për pistë garash me vetura.

    Njëri prej tyre është edhe Gjilani. Për të zhvilluar këto gara, organizatorëve nuk u mjaftuan dy korsitë e parapara për lëvizje të veturave, ata shfrytëzuan edhe shtegun e lëvizjes për këmbësorë.

    Zëdhënësi i policisë në këtë komunë, Ismet Hashani, thotë se për videon e cila u shpërnda në rrjete sociale, janë duke bërë hetime dhe ende nuk ka ndonjë të dyshuar. Hashani shton se rastet e tilla nuk janë të rralla.

    “Ka arritur në disa raste t’i ndalojë këto gara, madje para 2 muajve janë arrestuar 3 persona pikërisht sepse ka pasur dyshime se kanë qenë të involvuar..”, tha Hashani.

    Ndaj këtij fenomeni kanë reaguar ashpër edhe njohës të komunikacionit.

    Sipas tij, duhet të aplikohet ashpërsim i dënimeve.

    Ligji i ri për Rregullat e Trafikut i ashpërson dënimet për persona që bëjnë gara të tilla. Derisa në të kaluarën gjoba ka qenë 150 euro, me ligjin që do të hyjë në fuqi më 3 prill, për këto gara parashihet gjobë 500 euro. Përveç gjobës, shqiptohen edhe masa shtesë, si ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë muaj, si dhe vendosen pesë pikë negative në patentë-shofer.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, në një garë të tillë në autostradën “Ibrahim Rugova”, humbën jetën edhe 3 të rinj, të cilët ishin duke e shikuar garën.

  • Nënshkrimi mbetet parakusht për formalizimin e marrëveshjes bazë

    Nënshkrimi mbetet parakusht për formalizimin e marrëveshjes bazë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Nënshkrimi mbetet parakusht i Qeverisë së Kosovës për çfarëdo forme të formalizimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    Pasi konfirmoi se të martën në Bruksel i janë prezantuar disa opsione për formalizim pa nënshkrim, në një intervistë për ATV-në, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, përmendi një element.

    “Propozimet e z. Lajcak flasin për sesi kjo marrëveshje do të depozitohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe ne pajtohemi me këto propozime, me njërin prej tyre, por në atë moment kur marrëveshja nënshkruhet”, tha Bislimi.

    Ai tregoi se në diskutime është versioni i nëntë i dokumentit të sekuencimit të zbatimit, por shtoi se ai nuk ka kuptim pa formalizimin e marrëveshjes.
    Teksa deklarimet se mund të shkaktohet krizë humanitare te komuniteti serb nga zbatimi i rregullores së BQK-së i quajti propagandë, Bislimi tregoi se për çfarë janë propozimet që palët duhet t’i paraqesin të premten.

    “Ajo që do të dorëzojmë nesër nuk janë propozime për rregulloren, por janë ide se si transferi i mbështetjes financiare të Serbisë drejt qytetarëve të komunitetit serb, është i mundshëm brenda kësaj rregulloreje”, tha Bislimi.

    Referuar takimit të paralajmëruar për të hënën, ai theksoi se nëse shteti fqinj ka vullnet çështja mund zgjidhet shpejt.

    Në intervistën, e cila transmetohet e plotë në emisionin Context, kryenegociatori flet edhe për pengesat që Serbia po bën në raport me të zhdukurit, linjat e interkonjeksionit, borxhin që, sipas tij, BE-ja duhet t’ia paguajë Kosovës për rrymën në veri, artefaktet e vjedhura dhe interferimet në frekuencat e telekomunikimit.

  • Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësim në Interpol

    Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësim në Interpol

    Përgatiti: Armand Hoti

    Presidenca hapi dyert të enjten për një tjetër zyrtar të lart të Administratës amerikane.

    Këtë herë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me Ndihmës-sekretarin amerikan të Byrosë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit, Tod D. Robinson.

    Pas takimit njëorësh me dyer të mbyllura, e para e shtetit, përmendi nevojën e mbështetjes amerikane për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL.

    “Në takim Ndihmës-sekretarin e informova për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky anëtarësim do të ndikonte thelbësisht në rritjen e kapaciteteve tona, duke përmirësuar përgjigjen tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të garantimit të sigurisë publike të të gjithë qytetarëve tonë pa dallim”, tha Osmani.

    Osmani shprehu mirënjohje për asistencën e vazhdueshme që byroja që udhëhiqet nga Ndihmës-sekretari Robinson, ka ofruar për rritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë së Kosovës.

    “Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e Byros që udhëheq Ndihmës-sekretari Robinson, duke përfshirë edhe vetë themelimin e Policisë së Kosovës, e cila sot gëzon besimin e mbi 95% të qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.

    Ndërkaq, Ndihmës-sekretari Robinson, garantoi mbështetjen amerikane për sigurinë e kosovarëve.

    “Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për atë që policia po punon, për shërbimet e sigurisë, për qytetarët e rëndomtë kosovarë. Porosia ime do të ishte që SHBA-ja është këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja, për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen”, tha Robinson.

    Paraprakisht, zyrtari i lartë amerikan qëndroi në Tiranë, ku përveç takimeve me udhëheqës të sistemit të drejtësisë, u takua edhe me kryeministrin Edi Rama dhe me ministra të kabinetit qeveritar, gjë të cilën nuk e bëri në Kosovë, pasi këtu nuk takoi askënd nga ekzekutivi.

  • Rasti “Drenica 1” kalon në departamentin special të gjykatës në Prishtinë

    Rasti “Drenica 1” kalon në departamentin special të gjykatës në Prishtinë

    Përgatiti: Nora Luta

    Sylejman Selimi e kishte vuajtur dënimin prej tetë vjetësh burgim, pasi ishte shpallur fajtor për krime lufte në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2”.

    Por ish-komandanti i UÇK-së, gati një dekadë pas, do t’i duhet të paraqitet sërish në Gjykatë, këtë herë në atë të Prishtinës.

    Gjykata ka konfirmuar për ATV-në, se rasti për krime lufte ndaj Selimit, i cili u kthye në rigjykim në vitin 2018 nga Supremja, është bartur nga Gjykata e Mitrovicës në Departamentin Special.

    Lënda, e cila u trajtua nga EULEX-i, mbeti në sirtarët e gjykatës së shkallës së parë në Mitrovicë të Veriut që nga 2018-ta.

    Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së do të vazhdojë ballafaqimin me drejtësinë vetëm për një pikë të aktakuzës, e cila pretendon se ai maltretoi disa civilë në Likoc të Skenderajt.

    Pjesë e aktakuzës është edhe Jahir Demaku.

    E në rast se shpallet fajtor, Selimi nuk do të shkojë në burg.

    Në mesin e 13 rasteve që janë bartur nga Gjykata e Mitrovicës në Departamentin Special, janë edhe katër raste të tjera për krime lufte, gjithashtu të trajtuara nga gjyqtarë e prokurorë të EULEX-it.

    Tri raste janë ndaj Zoran Vukotiqit, dhe një tjetër ndaj Lulzim Ademit, i cili ishte dënuar me 20 vjet burgim, por rasti ishte kthyer në rigjykim, e Ademi ishte arratisur nga burgu në vitin 2000.

  • Sarrazin dhe Rohde takohen me Kurtin, flasin për Procesin e Berlinit dhe temat aktuale

    Sarrazin dhe Rohde takohen me Kurtin, flasin për Procesin e Berlinit dhe temat aktuale

    Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Këtë mëngjes ai është takuar në rezidencën e ambasadorit gjerman me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Në takim siç ka bërë të ditur ambasadori gjerman është folur për rrugën përpara sa i përket procesit të Berlinit dhe gjithashtu edhe për çështjet aktuale.

    “Diskutim i mirë këtë mëngjes me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, dhe kryeministrin Albin Kurti, për rrugën përpara në procesin e Berlinit si dhe çështje të tjera aktuale”, ka shkruar ambasadori Rohde, në platformën “X”.

  • Robinson: SHBA është këtu për t’ju mbështetur, po punojmë për një Kosovë më transparente

    Robinson: SHBA është këtu për t’ju mbështetur, po punojmë për një Kosovë më transparente

    Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, tha se SHBA është në Kosovë për të ndihmuar e mbështetur, raporton EO.

    Në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, Robinson tha se shteti i tij po punon për një Kosovë më transparente.

    “Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për atë që policia po punon, për shërbimet e sigurisë, për qytetarët e rëndomtë kosovarë. Porosia ime do të ishte që SHBA janë këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen. S’është hera e parë që jam në rajon, kam punuar edhe në rajon më herët. Po më duket sikur jam kthyer në shtëpi dhe mirëpres mundësinë për të parë edhe më shumë nga vendi juaj”.

    Ai tha se do të vazhdojë të takojë edhe “kolegët nga Qeveria dhe gjyqësori”.

    Robinson tha se në takim me Osmanin foli për çështje të rëndësishme “për të cilat kemi diskutuar që një kohë të gjatë”.

  • Osmani: Mbështetja e SHBA-së ka qenë prezente në çdo hap të shtetndërtimit tonë

    Osmani: Mbështetja e SHBA-së ka qenë prezente në çdo hap të shtetndërtimit tonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë prezentë në çdo hap të shtetndërtimit të Kosovës. Për këtë, ajo pati edhe falënderime, raporton EO.

    Në konferencën e përbashkët me Ndihmëssekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA, Todd D. Robinson, e para e konsideron si të rëndësishme anëtarësimin e Kosovës në organizatën Ndërkombëtare e Policisë Kriminale INTERPOL.

    “Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Byrosë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA. Mbështetja e SHBA-së ka qenë prezentë në çdo sektor dhe çdo hap të shtetndërtimit tonë. Ndihmësi sekretari ka qenë ndër njerëzit që ka dhënë këtë kontribut për gjatë viteve. Siç e dini Kosova u detyrua që të fillonte nga zero me ju dhe ndihmën tuaj kemi arritur të sjellin programe të cilat kanë qenë vendimtare në projektet tona të përbashkëta në luftën kundër narkotikeve, krimit të organizuar dhe forcim të ligjit. Këto suksese janë dëshmi e bashkëpunimit më partnerë. Disa nga arritjet e kanë vulën e Byrosë që udhësh ndihmës sekretari duke përfshirë edhe themelimin e Policisë së Kosovës, po ashtu edhe Agjencisë Kosovarë të Forenzikës, Inspektoratit të Policisë…”, ka thënë ajo.

  • Dita Botërore e Poezisë shënohet edhe në Kosovë me tri ngjarje të rëndësishme poetike

    Dita Botërore e Poezisë shënohet edhe në Kosovë me tri ngjarje të rëndësishme poetike

    UNESCO miratoi për herë të parë 21 marsin si Ditën Botërore të Poezisë, më 1999 në Paris, me synimin për të mbështetur diversitetin gjuhësor përmes shprehjes poetike dhe për të rritur mundësinë që gjuhët e rrezikuara të dëgjohen.

    Dita Botërore e Poezisë është rasti për të nderuar poetët, për të ringjallur traditat gojore të recitimit të poezisë, për të promovuar leximin, shkrimin dhe mësimin e poezisë, për të nxitur konvergjencën midis poezisë dhe arteve të tjera si teatri, kërcimi, muzika e piktura, si dhe për të rritur dukshmërinë e poezisë në media.

    Krahas aktiviteteve që do të zhvillohen në mbarë botën, kjo ditë do të shënohet edhe në Kosovë me tri ngjarje të rëndësishme poetike, ka njoftuar poeti Lulzim Tafa, përmes një statusi në profilin e tij në facebook.

    “Sot do të marr pjesë në tri ngjarje të rëndësishme poetike që e shënojnë këtë ditë. Në ora 11:15 me studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, në ora 14:00 në KultPlus në organizim të PEN Qendrës së Kosovës dhe në ora 19:30 në Bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, nën organizimin e Drejtorisë së Kulturës së Prishtinës, e pastaj gjithë natën do t’i lexoj vetës poezi. Përndryshe, sot kam qenë i ftuar edhe në Paris në promovimin e antologjisë së poezisë shqipe në gjuhën frënge si dhe në shumë aktivitete të tjera që e shënojnë këtë ditë”, ka shkruar poeti Tafa. /atvlive.tv

  • Dërgohet pa shenja jete një person në emergjencën e Lipjanit

    Dërgohet pa shenja jete një person në emergjencën e Lipjanit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në emergjencën e Lipjanit një person është dërguar pa shenja jete.

    Trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa policia ka filluar hetimet.

    “Raportohet se nga familjarët, viktima mashkull kosovar është sjell në emergjencën e Lipjanit, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

  • Presidentja Osmani takohet sot me zyrtarin e lartë amerikan Todd Robinson

    Presidentja Osmani takohet sot me zyrtarin e lartë amerikan Todd Robinson

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot pret në takim Ndihmës Sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-ve, Todd D. Robinson.

    Ndryshe siç njofton Departamenti Amerikan i Shtetit, Robinson do të takohet me presidenten si dhe partnerët e INL-së në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.

    Robinson, dje ka arritur për një vizitë në Kosovë. Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Robinson me të arritur është ndalur në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin e bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar.

    “Mirë se erdhe në Kosovë Ndihmës Sekretar Robinson!. Rrugës për në Kosovë, Ndihmës Sekretari i Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) i Departamentit amerikan të Shtetit, Todd Robinson, u ndal në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin jetik të bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit transnacional”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së.