ATV

Tag: Ballina

  • Edhe 8 ditë mbyllet afati për deklarim të pasurisë/ Nga 10 mijë zyrtarë, vetëm rreth 2 mijë e 500 e kanë kryer këtë obligim

    Edhe 8 ditë mbyllet afati për deklarim të pasurisë/ Nga 10 mijë zyrtarë, vetëm rreth 2 mijë e 500 e kanë kryer këtë obligim

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Vetëm edhe 8 ditë kanë mbetur deri në mbylljen e afatit për deklarimin e pasurisë. Për 23 ditë nga 10 mijë zyrtarë publik vetëm mbi 2 mijë e 500 prej tyre e kanë kryer këtë obligim.

    Sipas drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ka shpresë që për këto pak ditë që kanë mbetur zyrtarët të përfundojnë këtë obligim.

    Këtë vit procedurat e deklarimit të pasurisë po konsiderohen më të lehta.

    Për ata që nuk e deklarojnë pasurinë fillimisht ju shqiptohet gjobë në vlerë prej 500 eurosh, por megjithatë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shpresojnë që zyrtarët publik të jenë të përgjegjshëm dhe deklarimin ta kryejnë më kohë.

    Vitin e kaluar vetëm 30 zyrtarë publik nuk e deklaruan pasurinë. Ndërkaq për herë të parë deklarimit të pasurisë ju nënshtruan edhe profesorë universitar e mjekët për të cilët afati përfundoi më 12 mars./atvlive.tv/

  • Ministria e Mbrojtjes shpërblen me tender kompaninë, bashkëpronari i të cilës ka aktakuzë

    Ministria e Mbrojtjes shpërblen me tender kompaninë, bashkëpronari i të cilës ka aktakuzë

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Tenderin 1.8 milionësh “Për furnizim me çizme ushtarake për nevoja të FSK-së” Ministria e Mbrojtjes ia dha grupit të operatorëve ekonomikë, që udhëhiqen nga kompania RUNWAY SH.P.K.

    Bashkëpronar i kësaj kompanie e regjistruar në ARBK, vetëm tre muaj para hapjes së tenderit, është Sabit Makiqi, i dyshuar për falsifikim me dokumente në një tender të Policisë së Kosovës, në vitin 2022. Për këtë vepër, ai ishte futur edhe në Listën e Zezë të OSHP-së.

    Por, jo vetëm kaq, ndaj Makiqit, ka edhe aktakuzë të ngritur, konfirmoi Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    “Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 03.10.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj subjektit si në kërkesë, për çështje të prokurimit. Aktakuza është ekspedituar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë themelore të Prishtinës.

    Deri në realizimin e kronikës, Gjykata Themelore nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me fazën në të cilën ndodhet rasti. Përgjigje nuk ktheu as Ministria e Mbrojtjes.
    Sidoqoftë, për Diana Metushin nga KDI, ky fakt është dashur të merret parasysh nga kjo ministri.

    Ndërkohë, tenderi afër 2 milionësh, mund të përfundojë në Gjykatën Komerciale, meqë disa nga kompanitë pjesëmarrëse nuk janë të kënaqura me procesin e tenderimit, teksa e fajësuan OSHP-në për siç thanë: mostrajtimin e duhur të ankesave./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/OwPn47VaVYc?si=xvs37mHiwKAJzWYm

  • Në muajin e pranverës, nënshkruhet tenderi 138 mijë euro për heqje të borës

    Në muajin e pranverës, nënshkruhet tenderi 138 mijë euro për heqje të borës

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Marsi njihet edhe si muaji i Pranverës.
    Por, siç duket jo edhe për Ministrinë e Infrastrukturës, që në fillim të muajit nënshkroi kontratë për “Mirëmbajtje dimërore të rrugëve lokale në katër komunat e veriut”.

    Ndonëse kohëzgjatja e kontratës është katër muaj, respektivisht deri në qershor, në dosje të tenderit, sidomos te specifikat, bora është përmendur mbi 100 herë.

    Për më tepër, kjo kontratë është nënshkruar me procedurë të negociuar me një operator ekonomik që punë primare e ka ndërtimin e objekteve banesore.

    Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës paraqiti arsyeshmërinë e nënshkrimit të kontratës.

    “Inicimi i procedurave të Prokurimit për projektin: “Mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale – Mitrovica 2a1.” Është rezultat i Memorandumit te Mirëkuptimit me katër komunat veriore të datës 19.12.2023. dhe se ky inicim është filluar me date 20.12.2023. Arsyeja e kërkesës për inicim procedurë të përshpejtuar dhe me negocim ka qenë fakti se sezoni dimëror kishte filluar.” , thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

    Tenderi që kap vlerën prej 138 mijë eurosh parasheh mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. /atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/OwPn47VaVYc?si=6z0YJuUf5LCkyk9a

     

  • Deputetët pritet të dënohen deri në 20% të pagës nëse ofendojnë, shajnë dhe nxisin dhunë në seancë të Kuvendit

    Deputetët pritet të dënohen deri në 20% të pagës nëse ofendojnë, shajnë dhe nxisin dhunë në seancë të Kuvendit

    Sjelljet dhe gjuha joparlamentare në Kuvendin e Kosovës do të sanksionohen, përmes kodit të sjelljes që pritet të miratohet së shpejti. Deputetët që ofendojnë, shajnë dhe nxisin dhunë në seancë të Kuvendit, do të dënohen deri në 20 për qind të pagës bazë, derisa do t’iu pamundësohet edhe pjesëmarrja në tri seanca plenare. Miratimi i këtij kodi mirëpritet nga monitoruesit e punës së legjislativit, megjithatë kritikohet gjuha seksiste që sipas tyre, është përdorur në rregullimin e kodit të veshjes së deputeteve.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi thotë për KosovaPress, se kodi i sjelljes do të përmirëson jetën parlamentare dhe ngritë kredibilitetin e deputetit.

    Ai shton se të gjitha rastet e shkeljeve të lehta dhe të rënda, do t’i trajtojë këshilli i etikës, i cili do të themelohet dhe do të përbëhet nga deputetët me një balancë pozitë-opozitë.

    “Kodi i sjelljes synon në mënyrë të avancuar dhe profesionale të përcaktojë modelin e sjelljes së deputetit të Kuvendit të Kosvoës. Po synojmë të ndërtojmë një shembull të deputetit të përgjegjshëm që përdorë gjuhë parlamentare dhe nuk keqpërdorë resurset e Kuvendit të Kosovës…Kodi i sjelljes parasheh të themelohet një këshill i etikës brenda Kuvendit të Kosovës, që përbëhet nga deputetët me një balancë ndërmjet pozitës dhe opozitës. Ky këshill do të trajtojë aneksat e rasteve të paraqitur në lidhje me atë që pretendohet se është shkel kodi i sjelljes. Kodi i sjelljes parasheh shkelje të lehta dhe të rënda, në varësi të llojit të shkeljes janë përcaktuar edhe masat. Natyrisht për shkeljet e lehta janë parapa vërejtjen me gojë, me shkrim, publikimi i vërejtjes në ueb faqen e Kuvendit. Ndërkaq, për shkelje të rënda janë parapa ndalimi i pjesëmarrjes deri në tre seanca, ndalimi i pjesëmarrjes në komisione dhe natyrisht është paraparë edhe ndëshkim financiar deri në 20 për qind të pagës bazë”, thotë Rrustemi.

    Mbështetje miratimit të këtij kodi të sjelljes i ofroi edhe shefi i rupit Paprlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    “Ka pasur një angazhim të madh të të gjithë grupeve parlamentare, ka qenë një disiplinë në diskutim dhe trajtim të të gjitha çështjeve. Ky kod rregullon dhe sanksionon rregullat e sjelljes për deputetin. Deputetit i ndalohet që të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvendin e Kosovës, që të pengojë ose cenojë rregullimin e punëve të Kuvendit të Kosovës, të kërcënojë apo fyej deputetët të tjerë. Ky kod po ashtu e sanksionon edhe kodin e veshjes, gjatë zhvillimit të punimeve të një seance plenare në Kuvend, deputeti apo deputetët duhet të kenë një veshje zyrtare e cila duhet të përcaktohet. Kodi i veshjes duhet të respektohet edhe nga pjesëmarrësit të tjerë”, thotë Tahiri.

    Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Arbër Thaçi, thotë për KosovaPress, se përpjekjet që përmes kodit të sjelljes, Kuvendi i Kosovës të rregullojë një numër të problemeve është pozitiv. Ai shton se dokumenti synon të rregullojë sjelljen e deputetëve në kuptimin e fjalorit që përdorin, kodin e veshjes së tyre, si dhe vlera e dhuratave që ata pranojnë.

    Megjithatë, ai thotë se në versionin fillestar të kodit, përmbajtja e tij ka qenë seksiste në aspektin e kodit të veshjes dhe përcaktimit të tyre, veçanërisht kundrejt deputeteve.

    “Përpjekjet që përmes kodit të sjelljes Kuvendi i Kosovës të rregullojë një numër të problemeve, ne e kemi pa si zhvillim pozitiv…Në përgjithësi dokumenti synon të rregullojë prej sjelljes së deputetëve në kuptim të fjalorit që ata përdorin, deri tek veshja e tyre apo le të themi çështje të tjera si pranimi i dhuratave dhe vlera e dhuratave që ata pranojnë… Përmbajtja e tij fillestare ka qenë paska seksiste, në disa përshkrime ka lënë shije seksiste apo përcaktime joadekuate në kuptimin gjinor…Në aspektin e kodit të veshjes dhe përcaktimit të tyre, veçanërisht kundrejt deputeteve. Në pikëpamje gjinore versioni fillestar i tij nuk ka qenë i përditësuar me zhvillimet bashkëkohore”, thekson Thaçi.

    Për hartimin e këtij kodi përveç ligjvënësve, kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.

  • Arrestohet një burrë në Suharekë, dyshohet se nën ndikimin e alkoolit sulmoi fizikisht nënën e tij

    Arrestohet një burrë në Suharekë, dyshohet se nën ndikimin e alkoolit sulmoi fizikisht nënën e tij

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Suharekë, meqë i njëjti nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht nënën e tij.

    Policia njoftoi se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Suharekë 22.03.2024-21:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht nënën e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Sulmi që tronditi Moskën dhe la pas të paktën 60 viktima, çfarë dihet deri tani

    Sulmi që tronditi Moskën dhe la pas të paktën 60 viktima, çfarë dihet deri tani

    Të paktën 60 persona janë vrarë dhe më shumë se 100 janë plagosur pasi persona të armatosur hapën zjarr të premten një koncert rock në Crocus City Hall në një periferi të Moskës, thotë inteligjenca ruse.

    Një zjarr i madh shpërtheu në ndërtesë, duke shkaktuar shembjen e një pjese të çatisë pranë teatrit, por tani thuhet se është shuar kryesisht.

    Grupi i Shtetit Islamik ka pretenduar se ka kryer sulmin dhe tha se përgjegjësit u arratisën.

    Shtetet e Bashkuara thonë se nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në këtë pretendim, ndërsa shtoi se e kishte paralajmëruar Rusinë për një sulm të mundshëm ndaj “mbledhjeve të mëdha” në Moskë në fillim të këtij muaji.

    Ukraina ka mohuar çdo përfshirje me këtë ngjarje të rëndë.

    Pas ngjarjes, siguria në Rusi është forcuar ndërsa garda kombëtare është vënë në gatishmëri.

    Në pamjet e publikuara në media dhe rrjetet sociale, shihet momenti kur 6200 të pranishëm që po ndiqnin një koncert të një grupi të muzikës rrok, alarmohen nga të shtënat me armë dhe tentojnë të largohen për të shpëtuar jetën, shkruan Tch.

    Salla shpërtheu në flakë pasi autorët të cilët mendohet të kenë qenë 3 ose 5 persona hodhën edhe granata.

  • Komandanti i FSK-së, po qëndron në vizitë zyrtare në ShBA

    Komandanti i FSK-së, po qëndron në vizitë zyrtare në ShBA

    Me ftesë të komandantit të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen Osborn, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe delegacioni i tij po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Ajova, SHBA.

    Në ditën e parë të vizitës, gjenerali Osborn priti në takim bilateral gjeneral Jasharin ku u diskutua për aktivitetet e përbashkëta në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror mes dy forcave si dhe synimet për avancimin e aktiviteteve bazuar në planin afatmesëm të bashkëpunimit. Të dy gjeneralët u pajtuan të zhvillojnë tutje programin në fushat e manovrës, logjistikës, kibernetikës, mjekësisë si dhe zhvillimit të korit të nënoficerëve. “Po ashtu gjatë kësaj vizite u realizuan edhe disa sesione të prezantimeve për rekrutimin dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, mbi gatishmërinë si dhe modernizimin. Të dy delegacionet patën mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe praktika nga të dy vendet përkatëse”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, në ditën e dytë të vizitës së tij Gjeneral Jashari dhe delegacioni i tij u pritën nga zëvendës guvernatori i Ajovës, Adam Gregg. Gjatë takimit gjeneral Jashari falënderoi Gregg për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Ajovës po jep për Kosovën në përgjithësi dhe FSK-në në veçanti. KOMFSK pati mundësi të informojë atë për arritjet e FSK-së, dhe rrugën përpara në zhvillimin e kapaciteteve të reja. Zëvendës guvernatori u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit dhe të arriturat si dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar tutje në thellimin e bashkëpunimit në nivel sa më të lartë.

    “Delegacioni i FSK-së, ka vizituar edhe Konsullatën e Kosovës në Ajova, ku u pritën nga Sekretari i Parë i Konsullatës, Fatmir Rrahmanaj. Ai prezantoi punën e konsullatës dhe angazhimin e tyre në koordinimin dhe sinkronizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe të diplomacisë”, thuhet në njoftim.

  • Kurti thotë se është i gatshëm për zgjedhje, por nuk japë dorëheqje

    Kurti thotë se është i gatshëm për zgjedhje, por nuk japë dorëheqje

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryeministri Albin Kurti iu bëri ofertë partive opozitare, nëse duan të shkojnë në zgjedhje. Kreu i Qeverisë tha se edhe mund t’iu ndihmojë t’i sigurojnë numrat për rrëzimin e qeverisë.

    Gatishmëri për zgjedhje të reja nga ana tjetër po tregojnë edhe partitë opozitare, mirëpo atyre, sipas analistëve politikë, nuk është se u konvenojnë.

    “Mendoj që opozitës nuk i konvenon në këtë kohë. Opozita pret që kryeministrit Kurti t’i dobësohet pozicioni nga presioni që do t’i vijë nga SHBA-ja dhe për këtë arsye ata kanë dëshirë që kjo të shkojë edhe disa muaj që qeveria të përballet me këtë situatë dhe sigurisht të ketë rënie të mbështetjes në elektorat”, tha gazetari Bekim Kabashi.

    Por përtej opozitës, shkuarja në zgjedhje thonë se do t’i konvenonte vetëm partisë në pushtet.

    “Është nevojë e kësaj qeverie që me e tejkalu këtë situatë të rëndë me të cilën po përballet, është në sanksione dhe kryeministri Kurti është i izoluar nga SHBA-ja. Jemi para zgjedhjeve në BE dhe në SHBA dhe zgjedhjet në Kosovë do ta lehtësonin këtë presion”, tha Kabashi.

    “Jo pse qeveria dëshiron që të ketë proces zgjedhor por që t’i ikë presionit ndërkombëtar rreth krijimit të asociacionit dhe ky vit zgjedhor edhe në BE edhe në SHBA, vera mund të ketë proces zgjedhor edhe në Kosovë”, tha Fidan Ukaj, politolog.

    Sidoqoftë, rrëzimi i qeverisë nga opozita sipas analistëve shihet proces tejet i vështirë meqë kërkohen 2/3 e deputetëve.

  • O’Brien: Vuçiq e di se përdorimi i forcës ndaj Kosovës vë në rrezik ushtarët e NATO-s

    O’Brien: Vuçiq e di se përdorimi i forcës ndaj Kosovës vë në rrezik ushtarët e NATO-s

    Përgatiti: Entela Sahiti

    Kështu i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, lidhur me kërcënimin e fundit të presidentit serb, i cili aludoi në pushtim të Kosovës “në një moment të duhur”.

    Duke thënë që të dyja shtetet duhet t’iu shmangen tensioneve, O’Brien ka kërkuar përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

    “Sa i përket tensioneve, ne e dimë se e ardhmja për të dyja vendet është në Bashkimin Evropian dhe ekonominë globale. Ne po punojmë me dy qeveritë për të parë se kjo është e mundur. Çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet, edhe ato që ndërlidhen me ushtrimet e ushtrisë përreth kufirit. Duhet përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit dhe presim që kjo të ndodhë shpejt. Qeveria serbe ka ndërmarrë disa hapa për këtë. Mirëpresim lëvizjen e trupave ushtarake prapa dhe bashkëpunim në hetim. Por këto nuk mjaftojnë!”, tha O’Brien.

    O’Brien ka folur edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai nuk është tërhequr nga kushti për zbatimin e Asociacionit dhe ka thënë se pret që në ditët në vijim, Qeveria e Kosovës të marrë vendime që janë në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve.

    “Njëra prej tyre ka qenë përparimi që është bërë lidhur me kontestin për tokën rreth Manastirit të Deçanit, dhe i kemi mirëpritur publikisht hapat që ka marrë Qeveria për të… por është thënë, po ashtu, që Kosova duhet të bëjë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës të trajtojë këtë pikë, dhe të jetë zbatuar para se Këshilli i Ministrave të votojë për punën e anëtarësimit”, tha O’Brien.

    Për kërkesat e ndërkombëtarëve ka folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë. Jeff Hovenier tha se rruga e vetme e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike është dialogu.

    “Nuk ka rrugë tjetër dhe posaçërisht zbatimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog, kjo nuk është e negociueshme. Nga kjo Qeveri e Kosovës, ashtu sikurse edhe nga qeveritë paraprake, presim që të punojë në partneritet me ne, derisa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multientike dhe të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Hovenier.

    Porositë e amerikanëve drejtuar Qeverisë vijnë në kohën kur raportet në mes të dy vendeve janë tendosur për shkak të rregullores së BQK-së për dinarin.

  • ​Lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit, Kurti: Janë nën vëzhgimin tonë dhe NATO-s

    ​Lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit, Kurti: Janë nën vëzhgimin tonë dhe NATO-s

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me vendin tonë janë duke i përcjellë me vëmendje dhe nën vëzhgim.

    Ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt me të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, siç është NATO dhe KFOR-i. Ai sërish foli edhe për zgjedhjet e parakohshme.

    “Së pari kur ka situata të tilla kur mund të cenohet siguria meqenëse automjetet ushtarake ofrohen vetëm disa metra larg kufirit, ne përcjellim me vëmendje se a mos po synojnë ta kalojën kufirin, Janë në komunikim të vazhdueshëm MPB, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, d.m.th gjithçka është në vëzhgim dhe në gjendje përgatitore e gatishmërie për çfarëdo befasie që mund të na ndodhë, në ndërkohë natyrisht që këto institucione diskutojnë, njoftojnë edhe partneret tanë ndërkombëtar, edhe KFOR-in, EULEX-in, por edhe NATO-n e BE më lartë. Tash deri në orën 16:00, nuk ka asnjë dëshmi që sot janë afruar serish, ata i kanë disa ushtrime ushtarake, por nuk mbahen 10 metra prej kufirit. Pra, po vinë në zonën e sigurisë, ku praktikisht nuk ka nevojë as për dronë e dylbi për t’u parë me njëri tjetrin, Nëse dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve, ushtria qëndron në Kazerma, nuk vjen te kufiri, pro duket që dita e sotme do të jetë ndryshe prej të djeshmes… Sa i përket kërkesave të opozitës, nesër në ora 11:00 bëhen fiks tre vjet që kam marrë detyrën, dhe hymë në vitin e fundit të qeverisjes…E tash nëse dëshirojmë që zgjedhjet t’i mbajmë jo në dimër, normalisht që jemi njerëz të arsyeshëm të kuptueshëm dhe mund të caktojmë data bashkë me opozitën, por dorëheqje nuk mund të jap”, tha Kurti.