ATV

Tag: Ballina

  • Franca bllokon shitjen e avionëve luftarakë Rafale në Serbi, Kosova një ndër arsyet

    Franca bllokon shitjen e avionëve luftarakë Rafale në Serbi, Kosova një ndër arsyet

    Pak ditë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq foli për një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Francës që që Beogradi të blejë 12 aeroplanë luftarakë francezë, Rafale, vjen lajmi se kjo çështje do të kushtëzohet nga Parisi.

    Rrjeti televiziv francez, BFM TV, duke cituar agjencinë AFP thotë se Dassault Aviation, prodhuesi francez i këtyre avionëve aktualisht po refuzon të diskutojë për një shitje të mundshme të avionëve në Serbi.

    Operacioni, mund të sjellë 3 miliardë euro, por Franca synon të marrë konfirmime mbi zhvillimet politike në Serbi përpara se të vulosë blerjen.

    Tutje thuhet se Serbia po rrit blerjen e armëve, qofshin ato europiane, kineze apo ruse dhe se në dhjetë vjet, buxheti ushtarak serb është trefishuar.

    Nga viti 2012 deri në vitin 2023, buxheti ushtarak serb u trefishua, duke arritur në 1.4 miliardë euro.

    Më shumë se buxhetet e kombinuara të pesë vendeve të tjera të Ballkanit, shkruan mediumi francez.

    Midis 2014 dhe 2023, Serbia shpenzoi 2.67 miliardë euro për blerjet e armëve – veçanërisht për të blerë sistemin kinez kundërajror FK-3, helikopterët rusë Mi-17 dhe Mi-35, si dhe sistemin rus të mbrojtjes ajrore, Pantsir.

    Afërsia me Rusinë

    Afërsia e kreut të shtetit serb me homologun e tij rus Vladimir Putin përbën një problem për Parisin.

    Ndërsa Serbia e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, ajo nuk është rreshtuar me sanksionet perëndimore.

    Në fund të marsit, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, vizitoi Moskën, një mundësi kjo sipas diplomacisë serbe për t’i përmirësuar “lidhjet tradicionalisht miqësore midis Serbisë dhe Rusisë”.

    Mbi të gjitha, blerjet nga Rusia dhe Kina nuk kanë të ndalur që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022.

    Në shkurt, presidenti serb prezantoi me krenari blerjet e tij të fundit: Russian Repellents, një sistem anti-drone, si dhe dronët kinezë.

    Ai gjithashtu premtoi se do të vinte në prodhim një dron shpërthyes të prodhuar në Serbi deri në fund të vitit 2024.

    “Republika e Serbisë blen armë dhe pajisje ushtarake nga Lindja dhe Perëndimi”, shpjegoi Ministria serbe e Mbrojtjes në mars në përgjigje të një pyetjeje nga AFP-së për blerjet e saj nga Rusia dhe Kina, “duke zgjedhur ato karakteristikat e të cilëve do të të përmirësojnë aftësitë e forcave të armatosura serbe”.

    Një shitje e mundshme “qesharake”.

    Franca prej disa kohësh është angazhuar për ta intensifikuar bashkëpunimin e saj në mbrojtje me Serbinë. Një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunimin e mbrojtjes ekziston që nga viti 2011 dhe u ringjall nga viti 2019. Një bashkëpunim që nuk është për shijen e të gjithëve.

    “Do të ishte qesharake që Parisi, nga njëra anë, të përmendte dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe nga ana tjetër t’ia shesë një armë jashtëzakonisht të sofistikuar një prej aleatëve më të afërt të Rusisë”, thotë Jasmin Mujanoviq, studiues i shkencave politike.

    Shitja e avionëve Rafale këtij aleati të Moskës “do të ishte shqetësuese sepse do të lejonte rrjedhjen e informacionit në Kinë dhe Rusi”, beson ai.

    Sytë e Serbisë te Kosova

    Sipas letrës së bardhë të Mbrojtjes së Serbisë, botuar në vitin 2023, “sfida më e madhe e sigurisë” për Beogradin është në anën tjetër të kufirit me Kosovën, që u bë e pavarur në fund të një lufte të përgjakshme me mbi 13,000 të vdekur.

    Ndër kushtet e kërkuara, presidenti francez përmendi edhe nevojën për zbutjen e tensioneve në marrëdhëniet me Kosovën.

    Megjithatë, nëse shitja e Rafale ndodh, “mund të shihni avionë luftarakë francezë që përdoren për ta frikësuar Kosovën. Këta avionë mund të përdoren kundër vendeve fqinje”, paralajmëron Jasmin Mujanoviq.

    Avioni, i cili hyri në shërbim në 2004 dhe synohet të fluturojë deri në vitet 2060, është maja e shtizës së eksportit të industrisë franceze të mbrojtjes.

    Shtatë vende kanë avionë Rafale ose kanë lidhur marrëveshje tregtare për t’i blerë ato: Egjipti, Katari, India, Greqia, Indonezia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kroacia.

  • Lindja e Mesme në frikë për një konflikt të gjerë

    Lindja e Mesme në frikë për një konflikt të gjerë

    Përgatiti: Gjelbrim Berisha

    Më shumë se 300 dronë dhe raketa nga Irani dhe aleatët e tij në Irak dhe Jemen u lëshuan në drejtim të Izraelit, natën mes 13 dhe 14 prillit, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.

    Konfrontimi me Iranin “nuk ka përfunduar ende”, tha Ministria e Mbrojtjes së Izraelit, ndërsa sulmi ndaj Izraeli erdhi si pasoj hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri më 1 prill.

    Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.

    “Ne i zmbrapsëm, së bashku do të fitojmë”, shkroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në platformën X, të dielën.

    Autoritetet e këtij vendi u zotuan se do të hakmerren kundër çdo sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani dhe kabineti i luftës u mblodh gjatë natës për të diskutuar situatën.

    Ndërkohë, Irani ka thënë se tani “çështja mund të konsiderohet e mbyllur”, por ka kërcënuar Izraelin që “të mos bëjë tjetër gabim, pasi përgjigja do të jetë dukshëm më e ashpër”

    Sulmin e Irani ndaj izraelit e kanë dënuar shumë vende nga mbarë bota. Presidenti Biden ka qenë i qartë dhe ka theksuar se përkrahja për sigurinë e Izraelit është e hekurt. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me popullin e Izraelit dhe përkrahin mbrojtjen e tij kundër kërcënimeve nga Irani”, ka thënë Biden.

    Bashkimi Evropian, Britania, Japonia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Meksika, Holanda, Norvegjia dhe vende të tjera e dënuan sulmin e Iranit kundër Izraelit dhe bënë thirrje për përmbajtje.

  • Gjenerali amerikan: Do t’i shtojmë forcat e KFOR-it

    Gjenerali amerikan: Do t’i shtojmë forcat e KFOR-it

    Përgatiti: Armand Hoti

    Komandanti i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, Christopher Cavoli, paralajmëroi shtim të trupave dhe pajisjeve ushtarake në kuadër të KFOR-it, në Kosovë.

    Deklarimi i komandantit amerikan para senatorëve, vjen pas lëvizjeve të fundit të trupave serbe përreth kufirit me Kosovën.

    “Kemi bërë një analizë për KFOR-in dhe del se jo vetëm që na duhen më shumë trupa të KFOR-it, por na duhet edhe forcë më e rëndë dhe aktualisht jemi në proces të kësaj. Të gjitha shtetet po tregohen gjeneroze, por ne do të vendosim pajisje më të rënda në terren dhe gjithashtu më shumë njerëz”, thotë Cavoli.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të dielën, se kërcënimeve të Serbisë, Qeveria iu përgjigj me rritje të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë.

    “Në kohën kur kemi luftë në Evropë, dhe kërcënime të sigurisë nga fqinji verior, jemi përgjigjur me dyfishim të buxhetit për ushtri dhe trefishim për buxhetin për armatim. Blemë dronët bajraktar dhe prokuruam reketët anti-tankë”, ka thënë Kurti.

    Rritja e gatishmërisë është e nevojshme, sipas Mentor Vrajollit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

    “Duket një momentum i qartë ku shihet një situatë e pazakonshme ku kanë filluar të zgjerohen konfliktet…kjo mbase duket të jetë e planifikuar dhe potenciali që mundë të jetë e organizuar dhe akterë që mundë të jenë pjesë e kësaj shtytje mundë të jenë edhe në rajonin tonë dhe shtuarja e trupave është e domosdoshme sidomos edhe shtuarja e pajisjeve për shkak se kjo e lehtëson punën e KFOR-it dhe institucioneve tona të sigurisë”, tha Vrajolli.

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se rritja e kapaciteteve të KFOR-it në Kosovë, është dëshmi që NATO-ja synon ta ruajë paqen në Ballkan.

    “Pra do të kemi një shtim të forcave ushtarake në Bosnje dhe në Republikën e Kosovës, ku njëkohësisht do të kemi edhe pajisje të rënda të cilat dëshmojnë faktin se forca Veri-Atlantike është e interesuar me çdo kusht dhe në çdo formë ta mbajë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Shala.
    Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zvençanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, KFOR ka shtuar numrin e trupave në Kosovë, ashtu si edhe patrullimin në zonën veriore të vendit.

  • Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e Shirine Morinës: Teatri dhe kinematografia humbën një aktore të shquar

    Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e Shirine Morinës: Teatri dhe kinematografia humbën një aktore të shquar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor për ndarjen nga jeta të aktores, Shirine Morina.

    E para e vendit thotë se teatri dhe kinematografia humbën një aktore të shquar.

    “Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun”, shkroi Osmani.

    Tutje ajo thekson se Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe rolet e shumta në serialet televizive.

    “Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!”.

    “Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”.

  • Kryetarët shqiptarë në veri pritet të përfundojnë në tërësi mandatin pas thirrjeve për bojkot të votimit të 21 prillit

    Kryetarët shqiptarë në veri pritet të përfundojnë në tërësi mandatin pas thirrjeve për bojkot të votimit të 21 prillit

    Pas qëndrimit të Listës Serbe se nuk do të marrin pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës janë ngritur dyshime se votimi i 21 prillit do të jetë i suksesshëm. Sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, qytetarët serbë në veri pritet t’i binden thirrjeve të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, rrjedhimisht do të mbesin në detyrë kryetarët aktualë. Në rast të dështimit, sipas Udhëzimit Administrativ të MAPL-së, peticion të ri për shkarkimin e kryetarëve mund të ketë vetëm pas 12 muajve, kur edhe mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.

    Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës(KDI), Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress, se paralajmërimi për bojkot i Listës Serbe është i çuditshëm, duke marrë parasysh se kjo parti kishte marrë pjesë në sigurimin e 20 për qind të nënshkrimeve për të nisur procedurën për shkarkimin e kryetarëve në veri.

    Sipas tij, Lista Serbe e ka parë se s’ka vullnet të mjaftueshme të qytetarëve në veri për të dalë në votim, andaj po tenton që i njëjti mos të dështojë për shkak të mosdaljes së komunitetit serb, por në një mënyrë t’i atribuohet faji institucioneve kosovare se është e pamundur të arrihet 50 për qind plus një votë e trupës elektorale që të shkarkohen kryetarët.

    Të dështuar procesin e votimit të 21 prillit e konsideron edhe profesori universitar, Kadri Kryeziu, i cili thotë për KosovaPress, se vetëm dorëheqjet e kryetarëve aktualë në veri do të prodhojnë zgjedhje të reja atje.

    Në anën tjetër, Cakolli parasheh se kryetarët aktualë në veri do të përfundojnë mandatin e tyre të rregullt deri në fund të vitit 2025.

    Pas vendimit të Listës Serbe për bojkot të votimit të 21 prillit, edhe përfaqësuesit e tyre në Komisionit Komunale Zgjedhore kanë dhënë dorëheqje nga këto poste.

    Keqardhje për këtë vendim të Listës Serbe kanë shprehur edhe vendet e QUINT-it në Kosovë.

    Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që votimi për shkarkimin e kryetarëve në veri të mbahen më 21 prill, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet që u mblodhën në muajin janar.

  • Ambasadorja e Izraelit në Kosovë e falënderon Kurtin që e dënoi sulmin e Iranit

    Ambasadorja e Izraelit në Kosovë e falënderon Kurtin që e dënoi sulmin e Iranit

    Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka falënderuar kryeministrin e vendin Albin Kurtin për reagimin e tij për sulmin e Iranit ndaj Izraelit.

    “Ju faleminderit ngrohtësisht, Shkëlqesia Juaj z. @albinkurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës! Falemnderit, toda raba, thank you Kosovë!”

    Kurti ka thënë se ky është një akt i paprecedentë që përbën një rrezik të madh për destabilizimin e gjithë rajonit.

    “E dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky veprim i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e tërë rajonit. Tash, më shumë se kurë, bota duhet t’i japë përparësi përfundimit të armiqësive dhe nxitjes së paqes së qëndrueshme”, ka shkruar Kurti.

  • Kurti e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit: Akt i paprecedent që rrezikon destabilizimin e rajonit, bota t’i japë fund armiqësive

    Kurti e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit: Akt i paprecedent që rrezikon destabilizimin e rajonit, bota t’i japë fund armiqësive

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit.

    Ai ka thënë se ky është një akt i paprecedentë që përbën një rrezik të madh për destabilizimin e gjithë rajonit.

    “E dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky veprim i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e tërë rajonit. Tash, më shumë se kurë, bota duhet t’i japë përparësi përfundimit të armiqësive dhe nxitjes së paqes së qëndrueshme”, ka shkruar Kurti.

  • Aleatët e Izraelit e dënojnë ashpër sulmin iranian

    Aleatët e Izraelit e dënojnë ashpër sulmin iranian

    Reagimi i Joe Biden, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës:

    “Sapo u takova me ekipin tim të sigurisë kombëtare për një përditësim mbi sulmet e Iranit kundër Izraelit. Angazhimi ynë për sigurinë e Izraelit kundër kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij është i hekurt.”

    Reagimi i Rishi Sunak, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar:

    “E dënoj në termat më të fortë sulmin e pamatur të regjimit iranian kundër Izraelit. Irani ka treguar se synon të mbjellë kaos në oborrin e tij. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e Izraelit dhe të gjithë partnerëve tanë rajonalë, përfshirë Jordaninë dhe Irakun. Së bashku me aleatët tanë, ne po punojmë urgjentisht për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje.”

    Reagimi i Olaf Scholz, Kancelar i Republikës Federative të Gjermanisë:

    Sulmi ajror në drejtim të territorin izraelit që Irani e nisi sonte është i papërgjegjshëm dhe i pajustifikueshëm. Irani rrezikon të shkaktojë zjarr. Ne qëndrojmë ngushtë me Izraelin dhe tani do të diskutojmë gjithçka me aleatët tanë.

    Reagimi i Karl Nehammer, Kancelar i Republikës së Austrisë:

    “Sulmi i Iranit ndaj Izraelit duhet dënuar me termat më të forte të mundshëm. Austria është fuqimisht e vendosur ndaj sigurisë së Izraelit dhe ne i bëjmë thirrje Iranit për ndalimin e menjëhershëm të veprime armiqësore.”

    Reagimi i Petr Fiala, kryeministër i Republikës Çeke:

    “Ne qëndrojmë fuqimisht përkrah Izraelit dhe të drejtës së tij për të mbrojtur veten!”

    Reagimi i Mark Rutte, Kryeministër i Holandës:

    “Situatë shumë shqetësuese në Lindjen e Mesme. Më herët gjatë ditës së sotme, Holanda dhe shtetet e tjera i dërguan një mesazh me zë të lartë dhe të qartë Iranit që të përmbahet nga sulmi ndaj Izraelit. Holanda dënon ashpër sulmet e Iranit ndaj Izraelit. Përshkallëzimi i mëtejshëm duhet të parandalohet. Ne vazhdojmë t’i vëzhgojmë nga afër zhvillimet.”

    Reagimi i Justin Trudeau, kryeministër i Kanadasë:

    “Kanadaja dënon pa ekuivoke sulmet ajrore të Iranit kundër Izraelit. Ne qëndrojmë me Izraelin. Pasi që Irani mbështeti sulmin brutal të Hamasit të 7 tetorit, veprimet e fundit të regjimit iranian do të destabilizojnë më tej rajonin dhe do ta bëjnë paqen e qëndrueshme më të vështirë. Këto sulme tregojnë edhe një herë shpërfilljen e regjimit iranian për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij nga këto sulme. Po marr informacione të rregulta të përditësuara nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës, Shefi i Shtabit të Mbrojtjes dhe Sekretari i Këshillit Privat. Ne jemi në kontakt me aleatët dhe do të vazhdojmë të vëzhgojmë nga afër.”

    Reagimi i Javier Milei, President i Republikës së Argjentinës:

    “Zyra e Presidentit Javier Milei shpreh solidaritetin dhe angazhimin e saj të palëkundur ndaj Shtetit të Izraelit përballë sulmeve të nisura nga Republika Islamike e Iranit. Republika e Argjentinës njeh të drejtën e shteteve për të mbrojtur veten e tyre dhe mbështet fuqishëm Shtetin e Izraelit në mbrojtjen e sovranitetit të tij, veçanërisht kundër regjimeve që promovojnë terrorin dhe kërkojnë shkatërrimin e qytetërimit perëndimor.”

    Reagimi i Lloyd James Austin III, Sekretar i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës:

    Bisedova me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant sot për të ritheksuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për mbrojtjen e Izraelit. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Izraelin përballë kërcënimeve nga Irani dhe proksive të tij rajonalë.

    Reagimi i Stéphane Séjourné, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës Franceze:

    “Franca dënon me termat më të fort• sulmin e nisur nga Irani kundër Izraelit. Duke vendosur për një veprim të tillë të paprecedentë, Irani po ndërmerr një hap të ri në veprimet e tij destabilizuese dhe duke marrë rrezikun e një përshkallëzimi ushtarak. Franca ritheksoj lidhjen e saj me sigurinë e Izraelit dhe e siguron atë për solidaritetin e saj.”

    Reagimi i Annalena Baerbock, Ministre e Punëve të Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë:

    “Irani ka hedhur dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit. Ne e dënojmë sulmin e vazhdueshëm në termat më të fortë të mundshëm, sulm ky që rrezikon të zhysë një rajon të tërë në kaos. Irani dhe proksit e tij duhet ta ndalojnë këtë menjëherë. Në këto orë, ne qëndrojmë fuqimisht përkrah Izraelit.”

    Reagimi nga Jan Lipavský, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke:

    “Çekia dënon me vendosmëri sjelljen destabilizuese të Iranit dhe proksive të tij që vendosën të sulmojnë Izraelin. Ne e ritheksojmë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Sjellja agresive afatgjatë e Iranit po e pengon rajonin e Lindjes së Mesme të jetojë në paqe dhe siguri.”

  • Analistët: Qeveria përmes zgjedhjeve të parakohshme dëshiron që të paraqitet si viktimë

    Analistët: Qeveria përmes zgjedhjeve të parakohshme dëshiron që të paraqitet si viktimë

    Gatishmëria e qeverisë aktuale dhe e kryeministrit Albin Kurti, që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, nga njohës të çështjeve politike po konsiderohet si tendencë e mazhorancës për ti ikur përgjegjësisë së implementimit të marrëveshjeve, konkretisht formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tyre, për herë të parë në historinë e Kosovës është një parti politike e cila ka mbi 50 për qind të votave dhe shpreh gatishmëria që të shkojë në zgjedhje.

    Analisti politik, Shemsi Jashari, ka thënë se duke marr parasysh zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka bërë që qeveria të jetë e gatshme të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme që të dal si viktimë, si qeverisje të cilës iu pamundësua të vazhdoj mandati deri në fund.

    “Deklaratat e fundit rreth zgjedhjeve e tregojnë në fakt një dëshirë të pushtetit për të shkuar në zgjedhje, kjo për faktin se jemi në vitin e fundit të mandatit të kësaj legjislature që nënkupton në gjashtë mujorin e ardhshëm ne veç hymë në fazën kur zgjedhjet do të konsideroheshin të rregullta kurdo që mbahen. Duke i pas parasysh zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë rreth dialogut Kosovë-Serbi, implementimit të marrëveshjes mes Serbinë dhe të gjitha presionit ndërkombëtarë që është izolimi i Kosovës, e dimë që Kosova është nën masa, nën sanksione e po ashtu edhe takimet e personaliteteve të larta nga Departamenti Amerikan e shohim që mungon Kurti në ato takime. Të gjitha këto kanë bërë që qeveria duket se është e gatshme të shkoj në zgjedhje duke tentuar të krijoj një momentum që të dal në zgjedhje të jashtëzakonshme si viktimë, si qeverisje të cilës iu pamundësua me vazhduar mandati deri në fund. Do të thotë duke e parasysh që nuk kanë numra opozita për ta rrëzuar ofrimi i numrave nga VV-ja për të nisur një mocion për shpërndarje të Kuvendit tregon që është një hile që pushteti në këtë rast po mundohet tua shes partive opozitare për të shkuar në zgjedhje e pastaj për të pasur një argument se ne ishim të gatshëm për të vazhduar me qeverisje po opozita u bë merak për zgjedhje dhe shkuam në zgjedhje”, ka thënë ai.

    Ai ka shtuar se deklaratat se si qeveri janë të gatshëm për zgjedhje, janë me qëllim që të dërgojnë mesazh tek votuesit e vet, se si parti janë mirë edhe me sondazhe edhe me mbështetje.

    “Në anën tjetër deklarimi se janë të gatshëm për zgjedhje duan të qojnë një mesazh tek votuesit e vet, mbështetësit e vet se këta janë mirë edhe me sondazhe edhe me mbështetje dhe kurdo që dalin do fitojnë prapë për ta ruajtur at besimin në VV kështu që duan ta mbjellin një vetëbesim tek elektorati se edhe po shkuam në zgjedhje prapë do të qeverisin subjekti politik i njëjte, përndryshe e dimë se opozita nuk i ka numrat dhe është një test që pushteti po e bën edhe me opozitën edhe me qytetaret”, ka thënë ai.

    Donat Syla, ish-konsull në Kanada, ka thënë se për herë të parë në historinë e pas luftës në Kosovë kemi një situatë kur një parti politike e cila e ka shumicën e votave në Parlament, është e gatshme që të shkojë në zgjedhje.

    Ai tha se qeveria përmes kësaj forme dëshirojnë që të ti ik përgjegjësisë që e presin në raport me Asociacioni.

    “Për herë të parë në historinë e pas luftës në Kosovë kemi një situatë kur një parti politike e cila e ka shumicën e votave në Parlament, jo një koalicion, një parti politike edhe është e gatshme që të shkojë në zgjedhje. Sa janë të gatshëm në zgjedhje unë kam dyshim që përmes kësaj forme partia në pushtet përpiqet që të eksivoj nga përgjegjësit që e presin në raport me Asociacioni dhe obligimet e tjera që derivojnë nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se sondazhet e publikuara nuk janë shumë reale, mirëpo sipas tij, nëse i shikojmë zgjedhjet lokale kemi një pasqyrë tërësisht tjetër.

    “Nëse i shohim sondazhet nuk e di sa janë realiste ato sondazhe. Mirëpo nëse i shohim zgjedhjet lokale kemi një pasqyrë tërësisht tjetër. Në zgjedhjet lokale VV-ja nëse nuk gaboj ka fituar vetëm katër komuna, dy komuna më të mëdha dhe dy më të vogla. Ndërkohë që komunat e tjera dominohen kryesisht nga PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe një pjesë prej AAK-së. Tash kur po behën edhe këto sondazhe unë kam vërejte për këto se si po bëhen se sepse, një faktor kyq në zgjedhjet e ardhshme do të jetë edhe pozicionimi i presidentes Vjosa Osmani, mos harroni se në atë momentum zgjedhor kur VV-ja ka fituar 51 për qind të votave kanë qenë dy figurat më të lakmuara prej gjithë elektoratit të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit”, ka thënë ai.

  • Raportohet se Irani ka lëshuar edhe raketa lundruese në drejtim të Izraelit

    Raportohet se Irani ka lëshuar edhe raketa lundruese në drejtim të Izraelit

    Irani ka lëshuar edhe raketa lundruese, pos dronëve, në drejtim të Izraelit, kanë raportuar mediat në Izrael.

    Ushtria e Izraelit ka thënë se Irani ka lëshuar disa dronë drejt Izraelit të shtunën në mbrëmje.

    Më herët, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, kundëradmirali Daniel Hagari e konfirmoi zyrtarisht fillimin e sulmit ndaj Izraelit.

    “Pak kohë më parë, Irani nisi mjete ajror pa pilot nga territori i tij drejt territorit të shtetit të Izraelit”, thuhet në deklaratën e tij.

    Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është gati për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani dhe do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.

    “Qytetarët e Izraelit, në vitet e fundit, dhe aq më tepër në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani. Sistemet tona të mbrojtjes janë të vendosura dhe ne jemi të përgatitur për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”.

    “Shteti i Izraelit është i fortë, IDF është i fortë, publiku është i fortë. Ne e vlerësojmë SHBA-në për qëndrimin në krah të Izraelit, si dhe mbështetjen e Britanisë së Madhe, Francës dhe shumë vendeve të tjera”, u shpreh Netanyahu.