ATV

Tag: Ballina

  • Irani nis sulmin ndaj Izraelit

    Irani nis sulmin ndaj Izraelit

    Irani ka nisur një sulm kundër Izraelit duke përdorur dhjetëra dronë.

    CNN raporton duke cituar katër zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.

    Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është gati për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani dhe do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.

    “Qytetarët e Izraelit, në vitet e fundit, dhe aq më tepër në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani. Sistemet tona të mbrojtjes janë të vendosura dhe ne jemi të përgatitur për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”.

    “Shteti i Izraelit është i fortë, IDF është i fortë, publiku është i fortë. Ne e vlerësojmë SHBA-në për qëndrimin në krah të Izraelit, si dhe mbështetjen e Britanisë së Madhe, Francës dhe shumë vendeve të tjera”, u shpreh Netanyahu.

  • Serbët në Veri, të interesuar për t’i regjistruar bizneset në ARBK/ Për tre muaj u regjistruan mbi 50 biznese

    Serbët në Veri, të interesuar për t’i regjistruar bizneset në ARBK/ Për tre muaj u regjistruan mbi 50 biznese

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Shumë biznese në komunat veriore me vite operonin pa i paguar tatim shtetit. Por së fundmi është rritur interesimi për të hyrë në ombrellën e shtetit të Kosovës.
    Dhjetëra biznese të llojllojshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok janë regjistruar në Agjencinë e regjistrimit të Bizneseve.

    Krahas interesimit të tyre, në komunat në fjalë janë hapur edhe zyrat e ARBK-së.

    Në mesin e bizneseve, veç atyre ekzistuese, ka edhe të reja që duan të legalizohen në Kosovë.

    Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë në tre muajt e parë të këtij viti në katër komunat veriore janë regjistruar mbi 50 biznese.
    Nga to, 18 në Leposaviq, 7 në Zubin Potok, 12 në Zveçan e 14 të tjera në Mitrovicë të Veriut./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Oferta të rrejshme për kredi në rrjete sociale, këto faqe po hapen me qëllim të mashtrimit të qytetarëve

    Oferta të rrejshme për kredi në rrjete sociale, këto faqe po hapen me qëllim të mashtrimit të qytetarëve

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    100 mijë euro kredi, me normë fikse të interesit 2%, është oferta e fundit e publikuar në këtë faqe në Facebook.

    Në formë kredie, në këtë faqe pretendohet se ofrohen edhe plotë shuma të tjera.

    Sipas të dhënave të paraqitura në Facebook, huadhënësi është i lokalizuar në Francë. Kurse terrenin ku operon e ka në Kosovë, Shqipëri e Gjermani.

    Por, faqja në fjalë, nuk është e regjistruar si biznes në asnjërin nga katër shtetet e përmendura. Për më tepër, njoftimet për kredi përmes video-reklamave janë të rrejshme meqë janë marrë nga banka të licencuara në Kosovë. Origjinale nuk janë as fotografitë reklamuese.

    Edhe të dhënat e biznesit, janë të mangëta, pasi numri kontaktues nuk ekziston.

    Kjo faqe nuk është e vetmja aktive në rrjete sociale.

    Profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, bënë thirrje për kujdes, meqë ata që fshihen pas këtyre faqeve, sipas tij, synojnë t’i mashtrojnë ata që kanë nevojë për kredi.

    Këto faqe janë faqe mashtruese, në momentin kur nuk kanë informacione të duhura për numrin e telefonit, adresën, për përshkrimin e biznesit, padyshim që janë faqe mashtruese.

    Profesori Qerimi kërkon edhe intervenimin e institucioneve.

    Institucionet e sigurisë kibernetike pasi që po shfaqen në rrjete sociale do duhej t’i monitoronin këto reklama dhe t’i ndjekin në mënyrë që t’i filtrojnë këto të dhëna, detyrë tjetër do ishte edhe informimi i qytetarëve.

    Ndërkaq, policia nuk ofroi të dhëna nëse këto raste janë duke u hetuar./atvlive.tv/

  • Premtimi i Presidentes për kushte më të mira për ushtarët, ende asgjë konkrete

    Premtimi i Presidentes për kushte më të mira për ushtarët, ende asgjë konkrete

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Paga më të larta, sigurim shëndetësor e spital ku do të trajtohen u pati premtuar presidentja Vjosa Osmani ushtarëve, në fund të vitit të shkuar. Atëkohë presidentja pati listuar 7 shtylla në bazë të programit kombëtar për FSK-në.

    Por, deri më tani ushtarët nuk gëzojnë asnjë nga këto që përmend komandantja supreme e tyre. Madje, kanë edhe mungesa në pajisje bazë siç janë çizmet.

    Institucioni që presidentja udhëheq e as Qeveria nuk treguan nëse ka nisur ndonjë punë në jetësimin e këtij projekti. Megjithatë, një gjë e tillë thuhet se është e domosdoshme.

    “Investimi në Forcën e Sigurisë në kuptimin e kushteve, sigurimit shëndetësor dhe gjithçka tjetër që lidhet me mirëqenien e tyre është më se i domosdoshëm dhe është investim i qëndrueshëm dhe i dobishëm dhe investim strategjik për Kosovës, sepse një FSK e konsoliduar mirë, e përgatitur mirë në kuptimin logjistik, teknik dhe çdo aspekt tjetër do të ishte një garanci për një siguri të qëndrueshme në Republikën e Kosovës”, deklaroi profesori i lëndëve të sigurisë, Fatmir Çollakaj.

    Për më tepër përmirësimi i kushteve vlerësohet se do rriste edhe interesimin e të rinjve për të qenë pjesë e këtij institucioni.

    “Përmirësimi i kushteve më të mira është më se i domosdoshëm që ata të ndihen më me dinjitet, të ndihen më të trajtuar mirë nga shoqëria dhe njëkohësisht kjo prodhon dhe determinon vullnetin dhe motivin për perfomancë më cilësore”, shtoi tutje Çollakaj.

    Forcës së sigurisë së Kosovës pritet që gjatë këtij viti t’i shtohen edhe 600 pjesëtarë, derisa me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Nga Qendra për Punë Sociale ku dyshohet se kreu vrasjen e ish-gruas së tij, Valon Aliu, arriti të largohej, për t’u arrestuar vetëm pak orë më vonë.

    36-vjeçari të premten e 13 prillit, u soll në Gjykatën Themelore të Ferizajt, për seancën e caktimit të masës së paraburgimit.

    Nga Prokuroria ai dyshohet për dy vepra penale: vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    “Ekziston dyshimi se me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe duke plagosur në krah vëllain e të ndjerës”.

    Kërkesa e prokurorisë për caktimin e paraburgimit për veprën penale vrasje e rëndë, u kundërshtua nga avokati mbrojtës.

    I njëjti tani e ka kuptuar dhe është penduar për veprën e kryer. Në këtë pikë e kundërshtojmë kërkesën e prokurorisë se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Sidoqoftë, ndaj të pandehurit, Gjykata Themelore caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Në këtë kërkesë, Prokuroria e kishte marrë për bazë dëshminë e punëtores sociale Q.Z e cila ka deklaruar se i pandehuri ka shtënë me armë disa herë në drejtim të së ndjerës, si dhe në drejtim të të dëmtuarit, vëllait të viktimës.

    15-vjeçari i plagosur në krah, është liruar nga spitali për trajtim në shtëpi.

    I dyshuari Valon Aliu me viktimën e ka një fëmijë, ndërsa viktima dhe i dyshuari ishin ndarë para 10 muajsh.

    Vrasjen që ndodhi të premten në Ferizaj e dënuan edhe udhëheqës të institucioneve qendrore e lokale. Kryeministri Albin Kurti kërkoi drejtësi pa vonesa, e presidentja Osmani duke e quajtur vrasjen rezultat të femicidit, për dorasin kërkoi dënim maksimal.

    Në orën 16:00 të së shtunës, e ndjera u varros në fshatin e lindjes, Bablak të Ferizajt./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Valon Aliu thotë se së pari gjuajti në drejtim të vëllait të viktimës, pastaj vrau 21-vjeçaren e në fund ia drejtoi armën vetes

    Valon Aliu thotë se së pari gjuajti në drejtim të vëllait të viktimës, pastaj vrau 21-vjeçaren e në fund ia drejtoi armën vetes

    I dyshuari për vrasjen e ish-gruas, Valon Aliu tha se pas një konflikti e qëlloi fillimisht vëllain e ish-gruas, pastaj 21 vjeçare dy-tri herë, e më pas i kishte drejtuar armën vetes në kokë por që sipas tij kishte qenë e zbrazur.

    Këtë deklarim i dyshuari për vrasje Valon Aliu e bërë të shtunën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u mbajt seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Revolen e kam pas me vete në kuk, fillimisht nëse nuk gaboj e kam rrok vllaun e saj, e më pas ish-bashkëshorten, nuk e di por nja dy herë kam shtënë në drejtim të saj, tani ja kam drejtu vetit armën në kokë por s’kish pasë plumba e pastaj kam ik te shtëpia”, deklaroi i dyshuari Valon Aliu.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj më 13 prill 2024, ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasje, Valon Aliu.

    Gjykata Themelore në Ferizaj, këtë të shtunë mbajti seancën dëgjimore ndaj të dyshuarit Valon Aliu, i cili vrau ish-gruan e tij pas një konflikti në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar duke e goditur me armë disa herë në kokë, ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës të miturin A.C

    Me çka kreu veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173 par 1 nën par 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të KPRK-së.

    Poashtu, Në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoleta me një karikator të zbrazur e cila më 12 prill 2024,iu është konfiskuar nga policia.

    Me çka kreu veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të KPRK-së.

  • Sarrazin: Gjermania kurrë nuk do të përkrah ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës

    Sarrazin: Gjermania kurrë nuk do të përkrah ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës

    I ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin e ka vizituar dy herë Prishtinën brenda tre javëve për të diskutuar me autoritetet kosovare Procesin e Berlinit dhe zhvillimet rreth dialogut Kosovë-Serbi.

    Pas takimeve në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësuesit politikë të Listës Srpska, emisari gjerman tha se Gjermania kurrë nuk përkrah ndonjë formë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që minon integritetin e Kosovës. Por sipas tij, moskrijimi i Asociacionit nuk e çon Kosovën drejt BE-së.

    “Jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet”

    Politikani gjerman, theksoi, se “tani është koha e duhur që të vazhdohen më tej hapat për krijimin e Asociacionit”.

    “Të gjithë e dinë se shumë vende mosnjohëse brenda BE-së shikojnë nga Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, por unë nuk mund t’iu them se çfarë do të bëjnë ata, nëse kjo kryhet ose jo, sepse nuk është puna ime. Gjermania njeh Kosovën, por, edhe ne jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet, veçanërisht tani dhe të shkohet më tej. Mund të keni besim tek Gjermania, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës, por, moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së”, deklaroi shkurt Sarrazin.

    Kusht shtesë për Kosovën?

    Në fund të muajit prill, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës pritet të votojë raportin e raportueses, Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KE. Ndonëse jo zyrtarisht, në medie në Prishtinë ka debat, se diplomatët perëndimorë kanë përmendur mundësinë që krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jetë “kusht” shtesë që Kosova duhet ta përmbushë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

    Gjermania nuk ka ende qëndrim për raportin e Bakoyannis

    Sipas diplomatit gjerman Manuel Sarrazin, Gjermania ende nuk ka një qëndrim të tillë. “Qeveria gjermane nuk ka ende qëndrim për raportin e Bakoyannis, është procedura më tej e votimit të Këshillit dhe pastaj do t’i marrim të gjitha në konsideratë”, tha Sarrazin.

    Lisa Srpska nuk tërhiqet nga bojkoti

    I dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, tha se zhvillimet e fundit në veri, sidomos vendimi i Listës Srpska që të bojkotojë votimet e 21 prillit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve shqiptar në komunat veriore, e sollën atë në Kosovë. Sarrazin pati takim edhe me përfaqësues të Listës Srpska, dhe tha se nuk kishte ndonjë sinjal se ata do të tërhiqen nga vendimi i tyre. “Nga ky takim nuk më dhanë shenja të qarta të cilat do të më jepnin idenë se cili do të ishte kompromisi”, tha emisari gjerman.

    Edhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT-it, ku bëjnë pjesë Franca, Gjermania, Italia, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe zyra e BE-së i kërkuan Listës Srpska që të tërhiqet nga vendimi për bojkotim të zgjedhjeve të 21 prillit në veri të Kosovës me të cilat parashihet shkarkimi i kryetarëve shqiptarë. “Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në deklaratën e Quint. Me tej thuhet se zgjedhjet e 23 prillit të vitit 2023,ë kur me një pjesëmarrje të ulët në votime u zgjodhën kryetarët shqiptar, “nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve”.

    Pavarësisht thirrjeve të Listës Srpska për bojkotim të zgjedhjeve votimi për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë do të mbahet më 21 prill, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në këtë kuadër QUINT i bën thirrje Qeverisë së Kosovës “që të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi”./DW

  • Të hënën protestohet në Prishtinë: Siguria e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

    Të hënën protestohet në Prishtinë: Siguria e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

    Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të hënën nga ora 17:30 do të organizojë protestë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë si përgjigje për vrasjen e gruas në Ferizaj. Kjo organizatë do të kërkojë që siguria e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.

    E.C., 21 vjeç, u vra sot nga ish-bashkëshorti V.A., 36 vjeç, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. I plagosur mbeti vëllai i viktimës 15 vjeç. Dyshohet se çifti kishin mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijëve.

    Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka thënë se vrasja e fundit tregon se gratë në Kosovë nuk janë të sigurta askund.

    “Edhe një grua tjetër u vra në sytë e shtetit. Edhe një jetë e humbur që kumbon luftën që na është shpallur grave në Kosovë e që disa nga ne po i vret. Ky rast i femicidit është duke treguar që vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta. Ato dhunohen e vriten në shtëpi, në strehat e shtetit, në rrugë e në spitale, pa mbrojtje e pa siguri nga shteti. Femicidi dhe lufta që iu është shpallur grave duhet të na revoltojë të gjitha/ë dhe të na ngrisë në këmbë shesheve dhe rrugëve në Prishtinë e kudo për të kërkuar që shteti me të gjitha strukturat e saj t’iu dalë në krah vajzave dhe grave dhe ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare. Ne si shoqëri duhet të ngrihemi e ta luftojmë bashkë këtë patriarkalitet që nuk po lë strehë të sigurtë për gratë deri sa ua merr edhe frymën e fundit”, thuhet në reagimin e tyre.

    “Teksa vajzat e gratë janë duke luftuar me këtë sistem vdekatar me jetën e trupat e tyre, ne nuk mund të qëndrojmë të qeta/ë e të vazhdojmë jetën me ritme normale. Ne duhet të dalim nga shtëpitë, zyret, punishtet, klasët e mësimit e kafenetë dhe ta denoncojmë e sfidojmë rendin patriarkal që po ushqen dhunë të përditshme ndaj vajzave dhe grave dhe femicid. Ne thërrasim në revoltë dhe demonstratë gjithëpopullore, këtë të hënë në sheshin “Zahir Pajaziti” duke filluar nga ora 17:30. Të hënën e çdo ditë tjetër luftojmë për sigurinë tonë dhe të çdo vajze dhe gruaje në Kosovë. Luftojmë që asnjë grua të mos frikësohet, dhunohet a vritet”, vijon tutje reagimi.

  • Analistët politikë mirëpresin largimin e Lajçakut, presin një figurë tjetër më të angazhuar

    Analistët politikë mirëpresin largimin e Lajçakut, presin një figurë tjetër më të angazhuar

    I dërguari i posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pas katër vitesh do të largohet nga kjo detyrë, dhe pritet të jetë ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër nga 1 shtatori.

    Njohës të çështjeve politike në Kosovë kanë shprehur opinionet e tyre lidhur me punën dhe angazhimin e tij në këtë proces.

    Politologu Albinot Maloku ka thënë për Ekonomia Online se mbarimi i misionit të Lajçakut duhet të shihet si pozitiv, në kuptimin që një person tjetër do të jetë më i angazhuar dhe më neutral.

    “Është pritur që mbarimi i Lajçakut të jetë pozitiv në kuptimin që një person tjetër të jetë më i angazhuar më neutral dhe të jap ndikimin e vetë personal në këtë drejtim. Se a do të bëhet kjo duhet me pritë për me e pa, por konsideroj që Lajçak, ka pasur një mision në traditën e vet të dështuar të angazhimeve ndërkombëtare dhe nuk kam pasur aspak pritje duke e njohur angazhimin e tij ndërkombëtar. Tani çdo person që do të vijë do të jap ndikimin e vet pozitiv. Paralelisht kësaj dihet se BE-ja në raport me çështjen e dialogut është një mekanizëm i cili e mban një trase thelbësore të dialogut. Individi në këtë proces mundet të jap kontributin e vet të ruajtjes së neutralitetit që ka qenë shumë e rëndësishme në procesin mes Kosovën dhe Serbisë dialogut”, ka thënë Maloku.

    Njohësi i çështjeve politike, Maloku ka shtuar se përmbyllja e dialogut do të ishte bërë nëse kishim pas marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese përfundimtare që e ka në qendër njohjen mes Kosovës dhe Serbisë

    “Përmbyllja e dialogut do të ishte bërë nëse kishim pas marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese përfundimtare që e ka në qendër njohjen mes Kosovës dhe Serbisë. Këto marrëveshje që kanë ndodhur, pajtimet të gjitha janë vetëm kontribuuese në normalizimin e raporteve dhe për pasojë nuk konsideroj që do të ndodh përfundimi i dialogut si i tillë dhe tani që me pajtimin e fundit që Kosova e dha me shkrimin e vetë dhe pajtoj që dialogu të jetë përcaktues edhe i integrimeve evropiane të saj. Kjo është pjesa tjetër shqetësuese e hapave të qeverisë aktuale pas pajtimit që ndodhi në Bruksel dhe Ohër që kishte vullnet për ta dhënë nënshkrimin dhe tani si mundësi nuk e shoh përmbylljen e dialogut sidomos në një të afërme dhe sidomos nëse nuk do ta kemi këtë dokumentin gjithëpërfshirës i cili kishte më qenë mision obligues i njohjes mes palëve mirëpo do të merr dinamikën e vet fatkeqësia është se po diskutohet në Bruksel për një çështje që ka qenë e brendshme siç është dinari dhe kjo ka qenë një dalje jo e mirë nga binarët që ka pas dialogu si i tillë në të gjitha dështimet që i ka pas, të gjitha defektet që i ka pas si proces prej nisjes së saj”, ka thënë ai.

    Ndërsa Dritëro Arifi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Kolegjin UBT ka thënë se do të ketë ndryshime në gjithë strukturën e Komisionit Evropian sepse po afrohen zgjedhjet e Parlamentit Evropian.

    “Po, është e vërtetë që ka me pas ndryshime në gjithë strukturën e Komisionit Evropian sepse po afrohen zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe mbi bazën e pasi të ndërtohet Parlamenti Evropian si strukturë e BE –së, atëherë do të votohet edhe Komisioni Evropian i cili mund të ketë përbërje krejtësisht të re. Pra duke filluar që nga shefi i diplomacisë së jashtme, Borell dhe i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, jam i bindur që do të ketë ndryshime në këtë fushën e jashtme. Por edhe te zoti Lajçak si i dërguar special i BE-së, apo dialogun Kosovë-Serbi sepse është pa që ka nevojë për një rifreskim për këtë fushë dhe besoj që do të jetë një figurë e re”.

    “Por kisha pas dëshirë që figura të jetë më shumë politike se sa teknike në kuptimin që edhe zoti Lajçak ka qenë politike por një figurë  pak më e fuqishme apo të paktën që vie nga një shtet më i fuqishëm politik pra një shtet mos njohës. Mund të jetë nga Gjermania, Franca, Italia por jo një vend shumë i vogël i pafuqishëm politikisht dhe që nuk ka mjohue pra sepse po vërehet që po ka shumë disbalanc. Por sidoqoftë edhe nëse do ndryshon kryenegociatori prap mendoj se është fillim pozitiv pra në substancë përbeje nuk do ndryshojë shumë sepse Kosova veç se e ka pranuar planin Franko-Gjermanran dhe është zotuar që do ta zbatojë kështu që kryenegociatori i ri krejt çka do të ketë për detyrë është ta sekuencojë gjithë marrëveshjen kur dhe sa do të implementohet edhe pse Kosova i din detyrat e veta, siç i din edhe Serbia. Pra jemi në fazën e implementimit të dialogut. Do jetë më shumë një mbikëqyrës i zbatimit të marrëveshjes por megjithatë mendoj që në BE duhet të merret një vendim shumë më i vështirë se sa kjo, a do të krijohet një lidership i ri i cili merr vendim për njohje të Kosovës, sepse mendoj se pa njohjen e Kosovës nga 5 vendet e BE-së mendoj që vështirë do ketë zgjidhje për dialogun, Kosovë Serbi”, ka thënë Arifi.

  • Macron: Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për tërë rajonin

    Macron: Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për tërë rajonin

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka theksuar nevojën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në një konferencë për shtyp të premten në Paris me Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, Macron tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për të gjitha çështjet rajonale.

    “Dua të tregoj vendosmërinë e Francës për Ballkanin Perëndimor. Kjo ka të bëjë me bashkimin e Evropës për ta bërë atë më të fortë në sfondin e agresionit rus në Ukrainë. Shqipëria ka vazhduar rrugën evropiane me vendosmëri, besim në mbështetjen tonë. Ne jemi të impresionuar nga totaliteti të reformave dhe kapacitetit për të avancuar. Dua të mirëpres zërin e fuqishëm në rajonin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare. Në të gjitha çështjet rajonale, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është i nevojshëm”, tha Macron.

    Rama u prit me një ceremoni shtetërore nga Macron, ndërsa tha se nuk e kishte imagjinuar një mikpritje të tillë.

    Pas takimit me Vuçiqin, Macron kërkoi që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën e normalizimit, të arritur vitin e kaluar, duke theksuar se Franca do të sigurohet që çdo hap i kësaj marrëveshjeje të përmbushet.