ATV

Tag: Ballina

  • Opozita bojkoton mbledhjen, Projektligji për tekste shkollore procedohet në komisionet e përhershme

    Opozita bojkoton mbledhjen, Projektligji për tekste shkollore procedohet në komisionet e përhershme

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në mbledhjen e komisionit për arsim nuk ishte asnjëri prej deputetëve të opozitës.

    Ata e bojkotuan punën e këtij komisioni, ku pritej të shqyrtohej projektligji për tekste shkollore, i cili dyshohet se nuk pati votat e mjaftueshme kur u miratua në lexim të parë në Kuvend.
    Të pranishëm në këtë komision ishin vetëm deputetët e pushtetit dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    Pretendimet e disa deputetëve, ministrja tha se janë përgjegjësi e administratës dhe beson se do të trajtohen në mënyrën e duhur.

    “Pres që të gjithë deputetët t’i japin mbështetje. Sepse është një ligj që ka qenë i munguar për disa vite. Ligji aktual ka më shumë se një dekadë në përdorim. Ka qenë i mangët dhe nuk i ka përfshirë ndryshimet që janë rezultat i kohës. Apeloj që ta mbështesin dhe reforma në arsim duhet të kemi qëllim të përbashkët”, tha Nagavci.

    Pas mbledhjes, deputeti i Vetëvendosjes, njëkohësisht nënkryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, tha se janë duke e pritur përgjigjen zyrtare nga administrata e Kuvendit, për ta vërtetuar nëse ka pasur kuorum për kalimin e këtij Projektligji apo jo. Gola shtoi se nuk mund t’i ndalin procedurat, përkundër dyshimeve.

    “Nëse ka diçka kontestuese ashtu si po ngrihet nga opozita, është komisioni për legjislacion, për mandate edhe për rregullore, që ka për obligim dhe mandat për me interpretu nëse është shkelë rregullorja apo jo. Ne si komision nuk guxojmë të ndalim automatizimin e kësaj procedure, por duhet të procedojmë në përputhje me obligimet që vijnë nga seancat plenare, nga përfundimet që vijnë nga kryetari që reflektojnë seancën. Nuk guxojmë të prejudikojmë kurrfarë epilogu në ankesat e ngritur, nuk jemi adresa e duhur për t’i adresuar ato. Është kabineti i kryetarit dhe administrata”, tha Gola.

    Dyshime janë ngritur fillimisht nga vetë disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, e pastaj edhe nga të opozitës, të cilët thonë se në ditën kur u votua për projektligjin në fjalë, nuk ka pasur kuorum në Kuvend.

  • Policia jep detaje për vrasjen në Ferizaj, dorasi është 36-vjeçar ndërsa viktima 21-vjeçare

    Policia jep detaje për vrasjen në Ferizaj, dorasi është 36-vjeçar ndërsa viktima 21-vjeçare

    Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri.

    Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C (F/K) e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C ( M/K) i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në
    Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.

    Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A (M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore.

    Hetuesit dhe krim teknikët rajonal janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.

    Për informata tjera ju njoftojmë më vonë.

  • Vrasja e gruas në Ferizaj, arrestohet i dyshuari për ekzekutimin e ish-bashkëshortes

    Vrasja e gruas në Ferizaj, arrestohet i dyshuari për ekzekutimin e ish-bashkëshortes

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e një gruaje dhe plagosjen e një personi tjetër para Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

    Sipas komunikatës së policisë, i dyshuari ishte larguar pasi kishte shtënë në armë, mirëpo është vënë në pranga më vonë nga Policia e Kosovës.

    “Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasoj nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person mashkull, i cili është dërguar nē Qendren Emergjente në Ferizaj”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar për Paparacin se i dyshuari për vrasjen e gruas në Ferizaj është ish-bashkëshorti i saj.

    “Sapo bisedova me prokurorin kujdestar dhe mund të ju konfirmojmë që një grua është vrarë në Ferizaj para Qendrës për Punë Sociale. Dyshimet e para janë se ish-bashkëshorti e ka vrarë ish-bashkëshorten e tij”, ka thënë zëdhënësja e prokurorisë, Vjosa Baftiu.

  • Shpërthim në Prishtinë, dyshohet për granatë dore – gjashtë vetura të dëmtuara

    Shpërthim në Prishtinë, dyshohet për granatë dore – gjashtë vetura të dëmtuara

    Një shpërthim ka ndodhur sot në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë. Si pasojë e shpërthimit, gjashtë vetura janë dëmtuar, derisa nuk raportohet për ndonjë person të lënduar.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    “Rreth orës 07:00 është pranuar informata për një shpërthim në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes gjashtë vetura janë dëmtuar përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz.

    Përgjatë kryerjes së ekzaminimit të vendngjarjes rruga është bllokuar për lëvizje ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit. Rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore, ndërkohë që policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Borovci.

  • Pas mbledhjes me tensione, sot pritet të shqyrtohet Projektligji për tekste shkollore

    Pas mbledhjes me tensione, sot pritet të shqyrtohet Projektligji për tekste shkollore

    Sot duke filluar nga ora 10:00 mblidhet Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

    Deputetët në këtë komision pritet të shqyrtojnë Projektligjin për tekste shkollore.

    Kujtojmë se në mbledhjen e kaluar ka pasur tensione.

    Pretendimet e disa deputetëve të Vetëvendosjes, se gjatë seancës plenare të mbajtur më 7 mars nuk ka pasur kuorum për t’u votuar në parim Projektligji, kanë shkaktuar debat të ashpër në mbledhjen e Grupit punues të Komisionit për arsim.

    Deputetët e LVV-së, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani pretendonin se atë ditë në sallë nuk kanë qenë 62 deputetë por vetëm 60, dhe rrjedhimisht projektligji nuk kishte kaluar.

  • “Votimi i 21 prillit mund të mbahet përsëri në kontejnerë”

    “Votimi i 21 prillit mund të mbahet përsëri në kontejnerë”

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Këta kontejnerë që në zgjedhjet e fundit në veri u përdorën si qendra të votimit mund të vihen në funksion përsëri. Madje, për të njëjtën arsye.

    Votimi i 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve veriorë nga pozita, mund të mbahet përsëri në objekte të improvizuara.

    Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, doli publikisht kundër këtij procesi, duke bërë thirrje për bojkot.

    Për këtë arsye, kryesuesi i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, beson se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të lejojnë të përdoren objektet që janë nën menaxhimin e tyre.

    “Do të kthehemi mbrapa si në zgjedhje kur i kemi pasur vendet alternative për mbajtjen e referendumit, sepse ju siç e dini shkollat janë nën udhëheqjen e strukturave paralele serbe”, tha Ugljanin.

    Megjithatë, zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ditë më parë miratuan listën e vendvotimeve, nuk e pohojnë e as mohojnë se do të ketë ndryshim.

    Mirëpo, kudo që të mbahen ato, vendvotimet do të jenë nën vëzhgim të kamerave të sigurisë.

    “Ky nuk është vendim që përfshin vetëm votimin më 21 prill në veri, por do të vlejë për të gjithë procesin e ardhshëm zgjedhor. Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Kamera po, por vëzhgues të partisë më të madhe serbe me gjasë nuk do të ketë, pasi ata dhanë dorëheqje vullnetarisht. Por procesi mund të vazhdojë edhe pa ta, meqë sipas njohësve të qeverisjes lokale, kjo nuk e pengon punën e komisioneve zgjedhore.

    “Obligim ligjor i KQZ-së është që secili subjekt i regjistruar dhe i cili ka aplikuar të përfaqësohet në këshillat komunalë zgjedhorë, mirëpo jo që anëtarët e tyre të mbahen me zor, pra dorëheqja është një akt i vullnetit të vetë anëtarëve të subjektit të caktuar politik, të cilët nuk mund ta pengojnë në aspekt ligjor këtë proces”, tha Qëndrim Arifi, njohës i qeverisjes lokale.

    E njëjta praktikë ishte edhe në zgjedhjet e fundit nga të cilat, qeverisjen në komunat veriore e morën kryetarët shqiptarë.

    Serbët të cilët bojkotuan pjesëmarrjen, nuk i lëshuan as shkollat të cilat gjithmonë qenë përdorur si qendra të votimit.

  • Regjistrimi i popullsisë në tri komuna veriore nuk nis deri më 15 prill

    Regjistrimi i popullsisë në tri komuna veriore nuk nis deri më 15 prill

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    E enjtja do të duhej të ishte dita e gjashtë e regjistrimit të popullsisë në gjithë vendin.

    Por, në komunat veriore, puna nuk po shkon sipas planit fillestar të Agjencisë të Statistikave.

    Në tri komuna të banuara me shumicë serbe, sipas zyrës së zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviç, procesi nuk pritet të nisë deri më 15 prill.

    “Procesi ka filluar në Mitrovicën e Veriut. Ndërsa, sa i përket komunave tjera: Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok pritet që në këtë javë regjistruesit ta mbajnë trajnimin, dhe nga e hëna të fillojnë punën në terren”, tha Ibrahim Delija, asistent i zëvendësministrit Radoica Radomiroviq.

    Megjithatë, procesi i regjistrimit nuk dukej të ketë nisur as në Mitrovicë të Veriut. Gjatë së enjtes, televizioni nuk ka hasur në fletushka njoftuese, që ASK-ja i shpërndan në hyrje të objekteve të banimit, për t’i njoftuar qytetarët rreth këtij procesi.

    Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e Televizionit rreth kësaj çështjeje.

    Lista Serbe njoftoi se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që nisi të premten e 5 prillit.

    Por në një konferencë informuese të disa ditëve më parë, kreu i Agjencisë e Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, deklaroi se pavarësisht thirrjes së Listës Serbe, te popullata serbe në veri të vendit ka gatishmëri për regjistrim.

    Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

  • Policët i fituan paditë, por nuk i morën ende rrogat e 13-ta

    Policët i fituan paditë, por nuk i morën ende rrogat e 13-ta

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbi një mijë zyrtarë të Policisë së Kosovës e kanë fituar deri tash padinë ndaj qeverisë, për ta marrë pagën e 13-të, për vitet 2018-2021. Mirëpo, asnjë prej tyre nuk i ka marrë këto para, meqë ende nuk i ka ekzekutuar Ministria e Financave.

    Paditë e policëve nisën në nëntorin e vitit të kaluar, bazuar në Udhëzimin Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës. Kjo u nxit edhe nga mendimi juridik që e dha Gjykatës Supreme.

    Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, tha se nga janari i këtij viti janë aktivizuar edhe përmbaruesit, prandaj katër pagat e 13-ta mund t’u dalin së shpejti.

    “Tani më ka ndërhyrë përmbaruesi privat dhe përmes tij do të realizohen këto pagesa, kam informacione se veç është dërguar një listë e cila duhet të ekzekutohet”, tha Zeqiri.

    Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.

    Në anën tjetër, Zeqiri tregon se vlera totale e këtyre pagave për zyrtarët policorë është afër 30 milionë euro. Pjesa më e madhe, sipas tij, tashmë i kanë dorëzuar paditë.

    “Të gjithë pjesëtarët e policisë e kanë të drejtë, mund të themi sa ka ba padi unë mendoj se deri tani shumica kanë bërë padi, është numër shumë i vogël të cilët nuk e kanë adresuar padi në drejtim të gjykatës për të realizuar këtë të drejtë”, tha Zeqiri.

    Udhëzimi Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës i miratuar në 2018, i cili u jep këtë të drejtë policëve, u shkëput njëanshëm nga Qeveria më 2022.

  • Kosova nuk shënon përparim në rrugën drejt demokratizimit

    Kosova nuk shënon përparim në rrugën drejt demokratizimit

    Përgatiti: B. Zeneli/K. Tahiri

    Në rrugën drejt demokratizimit, Kosova nuk ka përparuar në krahasim me vitin paraprak.

    Në këtë aspekt vendi ka mbetur në pozitën e njëjtë, ku në vlerësimin për vitin 2023, nga 7 pikë sa janë maksimale, Kosova vazhdon t’i ketë 3.29 pikë.

    Kështu është vlerësuar në raportin më të ri të organizatës ndërkombëtare, Freedom House për nivelin e demokracisë në disa rajone të Evropës dhe Azisë.

    “Kur vendi është në një situatë konflikti reflekton në vendimmarrje dhe zhvillim të vendit. Pra kur situata është e tillë reflekton edhe në raport me vendet e tjera fqinje dhe BE, sepse nuk mund të nxjerrë rezultate pozitive. Është fat që Kosova nuk ka rënë më poshtë, por vazhdon të jetë në pozitë të njëjtë”, tha Bekim Kabashi, analist.

    “Bashkësia ndërkombëtare ka qenë e hapur dhe e qartë Kosova është nën sanksione të BE-së, Kurti është izoluar nga ShBA në aspektin politik, ka një konflikt të hapur me perëndimin dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ndikon në zhvillimin e raporteve që kish me interferua dhe brenda”, tha Kabashi.

    Telashet me Serbinë janë përmendur si ndër pengesat kryesore në rrugën e Kosovës përpara.

    Në raport është përmendur, gjithashtu, reagimi i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës ndaj “qasjes së ashpër të Kurtit në negociatat me Beogradin, dhe mungesën e konsultimeve me komunitetin e serbëve të Kosovës”, që sipas raportit, “i ka komplikuar përpjekjet e Qeverisë për t’u çliruar prej kësaj sfide afatgjatë”.

    “Është me rëndësi që ta marrim këtë gjë si pjesë e problemit dhe jo vetëm si faktorë i jashtëm, sepse problem është te serbët e Kosovës që fatkeqësisht nuk pranojnë të integrohen në institucione dhe të bëhen pjesë e demokracisë së Kosovës. Nuk është problem i Serbisë, por i Kosovës që duhet të adresohet nga institucionet tona me urgjencë. Në raport të Freedom House e kemi një vend si Kosova që është Estonia aty duhet me provu Kosova që me u rangu, sepse Estonia po ashtu ka rrezik nga agresioni rus, kërcënimi është jashtëzakonisht i madh”, tha Jetmir Buja, analist.

    Sa u përket vendeve të rajonit, gjithashtu Shqipëria e Kroacia nuk kanë ndryshuar pozitë, ndërsa Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë shënuar rënie në rrugën drejt demokratizimit.

    Në raport thuhet se Ukraina e ka shënuar përparimin më të madh në procesin e demokratizimit, ndërsa Serbia rënien më të madhe.

  • Shkon në vend pakoja mbështetëse me mjete ushtarake nga Kosova për Ukrainën

    Shkon në vend pakoja mbështetëse me mjete ushtarake nga Kosova për Ukrainën

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se pakoja e parë mbështetëse për Ukrainën me kamionë dhe automjete ushtarake ka arritur.

    Lajmin e ka bërë të ditur Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

    “Shfrytëzoj rastin që t’ju njoftoj këtu që pako e parë mbështetëse me kamionë dhe automjete ushtarake tashme ka arritur në Ukrainë dhe jemi në fazën e përgatitjeve përfundimtare për dërgimin e pakos së dytë mbështetëse”, ka shkruar Maqedonci.