ATV

Tag: Ballina

  • Osmani në ceremoninë e diplomimit të kadetëve policorë: Tani jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës

    Osmani në ceremoninë e diplomimit të kadetëve policorë: Tani jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës

    Presidentja Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 446 kadetëve të Policisë së Kosovës, raporton EO.

    Osmani kadetëve policorë me këtë rast u ka thënë se tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë pa dallim.

    “Është tejet e rëndësishme për të gjithë ne në të njëjtën kohë shënon kurorëzimin e mundit për tu bërë gardianë të Republikës sonë. Ky diversitet që përfshin të gjitha komunat është nivelin e policisë sonë e cila është e të gjithëve. Nga sot të gjithë ju jeni policë të Kosovës. Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë pa dallim. Kushtetua e Kosovës është udhërrëfyese e juaja, ndaj do ti bashkoheni radhës së policisë për të siguruar siguri dhe përgjegjësi për ruajtjen e kufirit tonë. Edhe sot po përballemi me sfida, ku 5 nga policët tanë po mbahen të arrestuar nga shteti shovensit serb, i bëjmë thirrje aleatëve të ndërmarrin veprime të ndalin veprimet shovensite ndaj policëve dhe qytetarëve tanë”, ka thënë ajo.

  • Fillon ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të Policisë së Kosovës

    Fillon ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të Policisë së Kosovës

    Me një minutë heshtje për policët e rënë në detyrë, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës, raporton ATV.

    Në këtë ceremoni po marrin pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

    Pas ceremonisë do të shpërndahen edhe certifikatat për 445 kadetët e diplomuar. /atvlive.tv

  • Sot takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel

    Sot takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel

    Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh mes Kosovës dhe Serbisë.

    I dërguari special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak të hënën tha se pret që të dyja palët t’i shkojnë në takim në Bruksel me mendje të hapur dhe qasje të orientuar drejt zgjidhjes.

    “Në fund të kësaj jave, do të pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Pres që të dyja palët të vijnë në takim me një mendje të hapur, fleksibilitet dhe një qasje të orientuar drejt zgjidhjes bazuar në idetë e paraqitura gjatë takimeve të mëparshme”, ka shkruar Lajçak në Facebook.

    Të enjten e 4 prillit, ishte takimi i fundit në Bruksel për çështjen e dinarit, e që përfundoi pa marrëveshje.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas takimit të enjten e kaluar, tha se pala kosovare është pajtuar me propozimin e emisarit të BE-së, sa i përket çështjes së dinarit, por pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.

    “Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerrë një propozim të konsoliduar për të cilën ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtati qytetarëve serb në Kosovë. Pala serbe nuk ka qenë e gatshme të reflektojë këtë propozim dhe ka kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve në Bruksel”, ka deklaruar Bislimi.

    “Atyre iu është bërë e qartë që takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse ata janë të gatshëm të vijnë me ide për kompromis. Edhe sot kemi pasur dallime të mëdha, përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serb mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia. Pala serbe ka funksionuar si avokate e ‘Postanska bankës’ dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetente, as në interes të palëve të involvuara”, kishte deklaruar tutje Bislimi.

    Në anën tjetër, Lajçak tha pas takimit se pati përafrim të qëndrimeve mes propozimeve të palëve.

    “Arritëm të përafrojmë qëndrimet mes dy propozimeve të palëve. Planifikoj të vazhdoj diskutimet shumë shpejt bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

    Për takimin, emisari evropian foli edhe gjatë forumit “BE takon Ballkanin”, ku theksoi se në pesë javët e fundit kanë zhvilluar katër takime me të dyja palët dhe se siç tha ai nuk duhet të jenë qytetarët ata që duhet të “pagujnë çmimin”.

    “Në pesë javët e fundit kemi pasur katër takime mes dy delegacioneve dhe javën e ardhshme do të ketë një takim tjetër. Ne përsëri u gjendëm në situatën që duhet të përballemi me pasojat e një vendimi dhe të mos diskutojmë para se të marrim vendimin”, tha Lajçak në forum.

    Emisari evropian tha gjatë forumit se ka përpjekje nga palët për të gjetur zgjidhje, dhe shpreson që ajo të arrihet në takimin e javës së ardhshme.

    “Pra, ajo që dua të them është se diskutimet janë ndërtuar, palët po vijnë, atmosfera është më konstruktive se zakonisht, do të thosha. Dhe ka një përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Kështu që ne bëmë herën e fundit, të enjten e kaluar”.

    “Dhe për të shpëtuar janë paraqitur propozimet e palëve. Uh, ne përpiqemi të arrijmë këto propozime. Nuk ishte shumë e mundur. Kështu që herën e fundit ne si Bashkim Evropian i kemi prezantuar idetë tona dhe ato janë pranuar nga të dyja palët. Pra, po, por ne do të takohemi javën e ardhshme, dhe shpresojmë ta finalizojmë. Marrëveshja, në bazë të ideve të paraqitura nga Bashkimi Evropian”, tha Lajçak.

    Për takimin e katër prillit, u deklaruan edhe nga Qeveria e Kosovës, ku sipas komunikatës së tyre, pala kosovare, ka cilësuar si konstruktiv propozimin e BE-së për gjetjen e një zgjidhje për dinarin, megjithatë Qeveria e Kosovës akuzon palën serbe për mungesë të bashkëpunimit duke kërkuar kohë shtesë dhe duke insistuar në licensimin e një etniteti ilegal, si “Postanska Banka”.

    “Ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë. Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda Rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur”, thuhej në komunikatën e Qeverisë.

    Rregullorja e re e BQK-së ka hyrë në fuqi që nga 1 shkurti, ku përcakton euron si valutë të vetme zyrtare në Kosovë, gjë e cila ka ngritur reagime edhe nga faktori ndërkombëtar, duke kërkuar që të shtyhet zbatimi i këtij vendimi.

  • Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

    Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

    Sot me fillim nga ora 09:00 në sallën “1 tetori” do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës.

    Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

    Nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të iu drejtohen të pranishmeve me nga një fjalë rasti.

    Po ashtu, do të shpërndahen edhe certifikatat për të diplomuarit.

  • Pejanët marshojnë, kërkohet drejtësi për Gjyljeta Ukellën

    Pejanët marshojnë, kërkohet drejtësi për Gjyljeta Ukellën

    Përgatiti: Armand Hoti

    Rrugët në qendër të Pejës u bllokuan, mesditën e së mërkurës. Këtu po protestohet për Gjyljeta Ukellën, e cila u vra një ditë më parë nga ish-bashkëshorti i saj, në banesë.

    Grupit i prin vajza e viktimës. Bashkë me gjithë protestuesit, u shkojnë derë më derë institucioneve, për të kërkuar drejtësi për 43-vjeçaren, por këtë e bëjnë përmes heshtjes, pa bërë ndonjë thirrje.

    “Fajin e kemi secili prej neve, pastaj pjesa e dytë është pjesa e institucioneve, sidomos ato të drejtësisë. Për atë arsye sot vizituam policinë dhe gjykatën në heshtje. Mendojmë që kjo heshtje t’i shurdhojë ata për shkak se do të duhej të vepronin shumë më shumë, në rastet të cilat kanë pasur një element iniciues sikur rasti ky i fundit”, tha Veton Muja, protestues.

    Protestuesit i bëjnë thirrje shtetit që të kujdeset për fëmijët tashmë jetim të së ndjerës.

    “Bëjmë thirrje nga këtu që të gjithë shërbimet shtetërore t’iu ofrohen fëmijëve të së ndjerës, varësisht prej shërbimeve që kanë nevojë dhe ne si organizatë do të jemi afër familjes dhe fëmijëve të së ndjerës. Familjes do t’i lëmë si kujtim edhe pse është ditë e hidhur, kjo foto e bukur e Gjyljetës ta keni ju familjarë si shenjë kujtimi”, tha organizatori i protestës.

    Dikush erdhi nga larg, me të vetmin qëllim për t’iu bashkuar marshit.

    “Kam ardhë nga Maqedonia e Veriut, nga Struga, nga diaspora se jetoj në Zvicër, enkas për këtë protestë… Më vjen shumë keq për qytetin e Pejës, për Kosovën, që po ndodhin këto vrasje, nënat tona, motrat tona përditë po vriten, kur ne ende kemi jetimë prej lufte”, tha Hatixhe Kelmendi.

    Gjyljeta u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi, me të cilin kishin tre fëmijë.

    Ndaj dorasit, të martën është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

    Edmond Lajçi ishte paraqitur në polici nga ish-bashkëshortja e tij, në vitin 2021, për dhunë psikike. Por pavarësisht se Gjykata fillimisht i shqiptoi atij dënim në kohëzgjatje prej 3 muajsh, atij iu mundësua lirimi me 300 euro pagesë.

  • Konjufca përfshihet në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

    Konjufca përfshihet në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

    Përgatiti: Fatlum Jashar

    Pasditen e së mërkurës, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, u përfshi direkt në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.

    Në Çarshinë e Shkupit, ai takoi krerët e partive që njihen si opozita shqiptare.

    Për vizitën nuk ishte e njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit fqinj.

    Përveç kryepalamentarit, në fushatë do të përfshihet direkt edhe kryeministri Albin Kurti, i cili, sipas një njoftimi të koalicionit VLEN, të premten, do të marrë pjesë në takim me mërgatën në Berlin.

    Krahas konstatimit se shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut është e politizuar, opinionisti Albert Musliu sqaroi dy pikëvështrimet kryesore në raport me këtë përfshirje të kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

    “Sigurisht përshëndetet nga ata që e përbëjnë opozitën, ata që e përbëjnë shumicën aktuale prej frontit evropian, gjithsesi se nuk shihet mirë. Dhe, mendoj se efekti më i madh do të jetë në marrëdhëniet ndërmjet elitave politike, sa që do të ketë efekt realisht edhe në terren”, tha Musliu.

    Referuar nivelit jo të mjaftueshëm të pjekurisë politike të shoqërisë, Musliu nuk përjashtoi efektet negative nga kjo përfshirje.

    “Devotshmëria e subjekteve politike shqiptare në Maqedoni, në periudhën që vijon, d.m.th pas zgjedhjeve ne kemi prapë jetë normale, dhe ajo hatërmbetja sigurisht se do të ngelë dhe më vjen keq që kjo ndodhë. Realisht shqiptarët e Maqedonisë janë të afërt me popullin e Kosovës, janë të afërt me popullin e Shqipërisë, ndërsa politikanët jo çdoherë kujdesen që të mos ndërhyhet në këto marrëdhënie, të mos ndërhyhet te qytetarët”, tha Musliu.

    Angazhimi i krerëve të partisë në pushtet në Kosovë në fushatën në Maqedoninë e Veriut, në vlerësimin e gazetarit Naser Selmani nuk është ndërhyrje e as nuk përbën problem.

    “Ju kujtohet kur kryetari Thaçi pati ardhur këtu në Maqedoni dhe pati ndarë mirënjohje për njerëzit e Ali Ahmetit, kjo atëherë nuk ishte ndërhyrje; Z. Bujar Osmani, inçizon spote publicitare me kryeministrin e Shqipërisë, ku thotë se Bujar Osmani është super dhe kjo nuk është ndërhyrje; Ose nëse Ali Ahmeti shpallet qytetar nderi i Prizrenit, kjo nuk është ndërhyrje; Ama nëse Konjufca dhe Kurti vijnë në Maqedoni kjo është ndërhyrje, mendoj se kjo është retorikë antishqiptare”, tha Selmani.

    Në gusht të vitit 2023, me ftesë të Bilall Kasamit, njërit nga liderët e koalicionit VLEN, kryeministri Albin Kurti qëndroi për vizitë në Maqedoninë e Veriut, duke shpërfillur institucionet qendrore dhe partitë shqiptare në pushtet.

  • “Kosovën e pret punë e vështirë për t’i bindur ministrat e jashtëm Evropian”

    “Kosovën e pret punë e vështirë për t’i bindur ministrat e jashtëm Evropian”

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i tha po anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, të martën.

    Por, deri në hapin e fundit e që është votimi në Këshillin e Ministrave pas një muaji, nga Kosova priten veprime konkrete për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Këto janë çështje shumë sensitive, për të cilat ne mund të presim progres. Dhe mendoj se ndoshta hapat e parë mund të merren, madje edhe para se Komiteti i Ministrave e shqyrton këtë kërkesë. Ky do të ishte sinjal i fortë dhe shumë i vlerësuar”, tha deputeti francez, Alain Milon.

    Krahas deputetit francez, Alen Milon, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se, gjatë majit, Kosovën e pret “një punë e vështirë” për t’i bindur ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës.

    I pyetur nëse Kosova do ta dërgojë draftin e Asociacionit për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Albin Kurti, pas seancës në Strasburg, tha se paraprakisht duhet të flitet për Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e Ohrit.

    Sidoqoftë, sipas opinionistit Bekim Kabashi, pa hapa konkretë në themelimin e Asociacionit, Kosova nuk do të pranohet në organizatën më të vjetër evropiane. Por beson se as Kurti, nuk do ta dërgojë draftin në Gjykatën Kushtetuese, muajin që po vjen.

    “Unë jam i bindur që deri në votimin në maj, nëse nuk ka shenja të forta se Kosova do ta themelojë Asociacionin, nuk do ta këtë mbështetjen e komitetit të ministrave”, tha Kabashi.

    Rreth një muaj më parë, nëpërmjet një letre të përbashkët, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti ishin zotuar ta respektojnë besnikërisht një listë zotimesh, që u është përcjellë nga raportuesja Dora Bakoyannis. Në të përfshihet edhe angazhimi për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe sa më parë.

  • Lirohen kosovarët e ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci

    Lirohen kosovarët e ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci

    Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci – Serbi.

    12 autobusët e ndaluar u nisën për Kosovë dhe ndalimi i tyre u bë në shenjë proteste ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar.

    Në mesin e të ndaluarve kishte fëmijë e pleq, të cilët së fundi kishin mbetur edhe pa ushqime.

    Ndalimi i tyre ka nxitur reagime të shumta. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këto veprime, Serbia po hakmerret ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia shkeli Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.

    S’ka ende informacione për të ndaluarit në pikën kufitare Serbi – Hungari.

  • Reagon BE-ja: Serbia shkeli marrëveshjen për lëvizjen e lirë

    Reagon BE-ja: Serbia shkeli marrëveshjen për lëvizjen e lirë

    Bashkimi Evropian e ka vlerësuar shkelje të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes veprimin e autoriteteve të Serbisë, e cila ka bllokuar qytetarët kosovarë në kufijtë e saj, teksa i ka bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e tilla të njëanshme.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se janë duke e përcjellë nga afër situatën e krijuar.

    “Ne jemi të vetëdijshëm për situatën dhe e ndjekim nga afër. Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përcakton parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata aktuale përbën shkelje të kësaj marrëveshjeje dhe ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe t’i kthehet menjëherë respektimit të marrëveshjes”, ka theksuar Stano.

    Ai tutje ka thënë se BE-ja pret që palët të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre të dialogut, që sipas tij mbeten të vlefshme dhe detyruese.

    “Ne gjithashtu presim që palët të sigurojnë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e dialogut dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin”, ka theksuar tutje Stano.

    Reagimi i Bashkimit Evropian vjen pasi autoritetet serbe kanë bllokuar dhjetëra autobusë me qindra udhëtarë nga Kosova, duke mos lejuar hyrjen në Serbi. Krerët e institucioneve në Kosovë një veprim të tillë e kanë vlerësuar si hakmarrje të Serbisë ndaj civilëve kosovar për votimin pro anëtarësimit të Kosovës në KiE në Asamblenë Paralamentare./RTK

  • Bislimi njofton Lajçakun për bllokimin e kosovarëve në kufi

    Bislimi njofton Lajçakun për bllokimin e kosovarëve në kufi

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka njoftuar emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me bllokimin e qindra kosovarëve në kufirin Kroaci-Serbi.

    Përmes disa postimeve në platformën “X”, Bislimi thotë se kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE-së.

    Bislimi poashtu thotë se një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme serbe të agresionit.

    “Progresi i Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe demokracia e pastër, kulmuan me avancimin e djeshëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ky lajm i mrekullueshëm, fatkeqësisht ndezi gjuhën e urrejtjes nga politikanët serbë, por edhe veprime të drejtpërdrejta kundër qytetarëve tanë. Qindra prej tyre, gra e fëmijë, tashmë prej më shumë se 13 orësh, mbahen peng nga pala serbe, në kufirin me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, u janë konfiskuar dokumentet personale dhe kanë mbetur pa ushqime dhe pa ilaçe”, shkruan Bislimi.

    “Për situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po i pastrojnë etnikisht shqiptarët me mjete administrative në Luginën e Preshevës, i bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta. Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të tërhiqemi kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë në KiE as BE”, ka shkruar më tej Bislimi.