ATV

Tag: Ballina

  • KQZ sot njofton për qendrat e reja të votimit, a do të votohet nëpër kontejnerë?

    KQZ sot njofton për qendrat e reja të votimit, a do të votohet nëpër kontejnerë?

    Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë listën e ndryshuar të qendrave të votimit për organizimin e votimit “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, që do të mbahet më 21.04.2024, pasi që shumica prej tyre nuk do të hapen për shkak të refuzimit nga drejtorët e shkollave.

    Sipas burimeve në listën e re të qendrave të votimit përfshihen edhe qendrat alternative të votimit (kontejnerët).

    Se kjo mund të ndodhë në një formë e ka thënë edhe kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, në një përgjigje për Kallxo.com tha se kanë gjetur zgjidhjet alternative dhe po përgatisin raportin që do të miratohet nga KQZ-ja.

    “Si zgjidhje alternative kemi gjetur objekte publike që i përkasin administratës së komunës”, ka thënë ai.

    Lokacionet e sakta, sipas tij, do të bëhen të ditura tek pas miratimit nga KQZ.

    Ndryshe, 33 drejtorë të shkollave në katër komunat veriore të Kosovës kanë refuzuar ofrimin e objekteve. Kështu tha Burim Ahmetaj, kryesues i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e 25-të që u mbajt më 17.04.2024. Ahmetaj tregoi se vetëm 10 shkolla janë të qasshme për t’u përdorur si vendvotime.

    Arsyetimet e drejtorëve të shkollave, sipas tij kanë qenë se më 21 prill tashmë janë planifikuar aktivitete shkollore, kulturore e të tjera.

    Ahmetaj tregoi se lidhur me këtë çështje kanë ftuar në takim kryetarët e komunave, drejtorët e arsimit dhe drejtorët e shkollave, ku këta të fundit nuk kanë marrë pjesë.

    “Pas dorëheqjes së anëtarëve të KKZ-së, përfaqësuesve të Listës Serbe, nga data 6 prill e tutje, KKZ nuk ka mundur të komunikojë me disa drejtorë të shkollave. Kemi pasur qasje refuzuese me pretendimin se shkollat nuk do të lejohen për t’u përdorur si qendra të votimit në këto komuna” – tha Ahmetaj.

    Qytetarët e katër komunave veriore, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit do të votojnë të dielën, më 21.04.2024 nëse janë për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave përkatëse.

    Ky votim vjen pas nënshkrimit të peticioneve për shkarkimin e tyre në fillim të këtij viti.

    Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit nuk i pranuar rezultatet e tyre. Pas vendosjes së tyre në objektet komunale, në veri të vendi shërthyen tensionet dhe dhuna./reporteri

  • ​11 vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi në Bruksel

    ​11 vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi në Bruksel

    Sot bëhen 11 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel. Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiq i Serbisë, hodhën firmën në marrëveshjen 15 pikëshe, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve.

    Marrëveshja e 19 prillit, ndër të tjera përmban pika që flasin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri.

    Këto janë pikat e marrëveshjes për të cilat u pajtuan me 19 prill të 2013-ës, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

    Do të ketë një Asociacion/Komunitet të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi në të do të jetë i hapur edhe për komunat e tjera, të cilat përmenden në marrëveshje.

    Komuniteti/Asociacioni do të krijohet përmes statutit. Shpërndarja e tij do të ndodhë vetëm përmes një vendimi të palëve pjesëmarrëse. Garancitë juridike do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).

    Strukturat e Asociacionit/Komunitetit do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.

    Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji i Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë gjatë ushtrimit të fuqive të tyre kolektive përmes Komunitetit/Asociacionit. Asociacioni/Komuniteti do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe planifikimit rural.

    Asociacioni/Komuniteti do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

    Komunitetit/Asociacioni do të ketë një rol reprezentimi në autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsulent të komuniteteve. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion monitorues.

    Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kornizës së Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).

    Anëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat ekuivalente kosovare.

    Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) . Komandat i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i nominuar nga Ministria e Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Komunitetit/Asociacionit. Përbërja e PK’së në veri do të reflektojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonale për komunat e Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunoj me komandantët e tjerë rajonalë.

    Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të operojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të t cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.

    Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektori të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.

    Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE’së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.

    Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.

    Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar progresin e anës tjetër në rrugëtimin drejt BE’së.

    Me ndihmën e BE, nga të dy palët do të krijohet një Komitet i Implementimit.

  • ​Delegacioni i BQK-së zhvillon takime me Bankën e Rezervës Federale të New York-ut

    ​Delegacioni i BQK-së zhvillon takime me Bankën e Rezervës Federale të New York-ut

    Një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, është takuar në Washington D.C. për diskutime konstruktive, me zyrtarë të lartë të Bankës së Rezervës Federale të New York-ut, të udhëhequr nga Matthew Nemeth, Zëvendëspresident dhe Drejtor i Shërbimeve të Llogarive të Klientit dhe Phatak, Drejtues i Politikave dhe Strategjive Ndërkombëtare me ekipin e tyre.

    Takimi kishte për qëllim mirënjohjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy bankave qendrore. Në takimin e zhvilluar me ekipin e FED-it të New York-ut, delegacioni i BQK-së nënvizoi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy bankave qendrore, duke përfshirë programet e ngritjes së kapaciteteve në mbështetje direkte që nga themelimi i BQK-së.

    Veçanërisht, delegacioni potencoi përgjegjësinë e BQK-së në menaxhimin e të gjitha rezervave në Dollarë Amerikan (USD) me Rezervën Federale dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve bankare korrespondente ndërmjet dy institucioneve.

    Guvernatori Ismaili shprehi përkushtimin e BQK-së për të mbajtur lidhje të forta me FED-in, duke njohur rolin e saj kryesor në asistencën e menaxhimit të rezervës ndërkombëtare dhe partneriteteve strategjike, duke përfshirë praktikat më të mira për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

    Këto angazhime vënë në pah përkushtimin e BQK-së për të nxitur partneritete të qëndrueshme me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke avancuar më tej misionin e institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe ndikimin e qëndrueshëm në ekonomi, pasi ne vlerësojmë partneritetin strategjik ndërmjet dy kombeve dhe institucioneve.

    Ky takim dypalësh, është mbajtur gjatë qëndrimit të delegacionit të BQK-së në Washington D.C., për takimet pranverore me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB), si dhe institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • Bruksel dështon rundi i pestë “për rregulloren e BQK-së”

    Bruksel dështon rundi i pestë “për rregulloren e BQK-së”

    Raporti: Fatlum Jashari

    Pa dakordim përfundoi edhe rundi i pestë i diskutimeve në Bruksel, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme në raport me ndikimet e rregullores së BQK-së, për pagesat me para të gatshme te komuniteti serb, respektivisht dinarin.

    Këtë herë nuk pati takim trepalësh, teksa Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajcak, bisedoi ndaras me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic.

    Në vlerësimin e zëvendëskryeministrit Bislimi, diskutimet dështuan pasi Serbia, në kundërshtim me dakordimin paraprak, paraqiti një propozim të ri që do ta kthente procesin në pikën zero.

    “Ata në takimin e sotëm, në mënyrë perfekte treguan kotësinë dhe pamë jovërtetësinë e konstatimit të tyre të hershëm që kemi një çështje urgjente ku disa qytetarë serbë nuk kanë arritur të marrin benefitet e tyre. Njësoj si herët e kaluara ka patur zero interesim nga pala serbe që të merren me këta qytetarë dhe gjithë energjia e tyre është sërish e orientuar drejt licencimit të një subjekti ekonomik të Serbisë në Kosovë, gjë që për ne është e papranueshme dhe këtë e kemi bërë të qartë në vazhdimësi”, tha Bislimi.

    Teksa foli për ndalimet dhe arrestimet e fundit të kosovarëve në Serbi, Bislimi akuzoi shtetin fqinj për sjellje mesjetare, qasje destruktive në raport me procesin e normalizimit dhe mungesë vullneti për arritjen e zgjidhjes për pagesat.

    “Ky takim i sotëm mund të quhet takim i kotë, i parezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe që brengat e qytetarëve serbë të trajtohen”, tha Bislimi.

    Në anën tjetër, përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë, Petkoviq, tha se delegacioni i Kosovës nuk ishte i interesuar të dëgjojë propozimin e tyre.

    Një takim i ri, me qëllim diskutimin dhe dakordimin eventual për propozimin e konsoliduar të përfaqësuesit Lajcak, u paralajmërua për javën e ardhshme.

  • Kërkohet lirimi i menjëhershëm i Dejan Jankoviqit

    Kërkohet lirimi i menjëhershëm i Dejan Jankoviqit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në mesin e 10 pjesëtarëve të policisë që u ndaluan nga autoritetet serbe të mërkurën, ishte edhe zëvendësdrejtori Dejan Jankoviq.

    Ani pse kolegët e tij u liruan, Jankoviq nuk e pati fatin e njëjtë. Ai po mbahet në paraburgim 48 orësh në Rashkë, për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

    Arrestimi i Jankoviqit, sipas kryeministri Albin Kurti, është urdhër direkt nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, që synon të dërgojë mesazh të frikësimit për serbët që integrohen në institucionet e Kosovës.

    Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, veprimin e autoriteteve serbe e cilëson alarmues dhe kërcënim për tërë rajonin.

    Institucionet në Prishtinë tashmë kanë kërkuar dhe po presin që ndërkombëtarët të ndikojnë në lirimin e Jankoviqit.

    “Është vendim i padrejtë dhe në kundërshtim me çdo rregull të ndërkombëtarëve për qarkullimin e njerëzve, është një agresivitet i paparë deri më tani në këtë aspekt, andaj presim misionet diplomatike dhe ndërkombëtarët ta bëjnë punën e tyre në lirimin e tij”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.
    Për këtë rast, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u takua me presidenten Vjosa Osmani, të enjten. Në një frymë me Bashkimin Evropian, ai tha se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

    “Jemi të shqetësuar sepse është dikush që e njohim për shumë vjet, për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre”, tha Hovenier.

    Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e ka arsyetuar arrestimin e Jankoviqit dhe zyrtarëve tjerë, duke thënë se vetëm është mbrojtur rendi kushtetues i shtetit serb.

    Përveç pjesëtarëve të policisë, policia kufitare serbe mbajti të bllokuar për rreth 20 orë, edhe udhëtarët kosovarë që po kalonin tranzit nëpër pikat kufitare të Serbisë.

  • Në Leposaviq nuk dihen cilat objekte do të përdoren për votim të dielën

    Në Leposaviq nuk dihen cilat objekte do të përdoren për votim të dielën

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Qytetarët e Leposaviqit, të dielën, mund të vendosin për shkarkimin ose jo të kryetarit të tyre, Lulzim Hetemi.

    Por, kur kanë mbetur vetëm tri ditë para votimit, shumica e tyre nuk e dinë se ku do t’u drejtohen kutive. Madje, as Komisioni Komunal Zgjedhor nuk ka vendosur në cilat objekte do ta organizojë këtë proces.

    Njësoj kanë refuzuar t’i lëshojnë shkollat, edhe drejtorë tjerë të komunave veriore. Votimi do të organizohet vetëm në institucionet shkollore të udhëhequra nga drejtorët shqiptarë.

    Ky refuzim për t’i dhënë në shfrytëzim objektet shkollore, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, thotë se është vendim i Listës Serbe, që ka bërë thirrje edhe për bojkotim të gjithë procesit.

    Pavarësisht gjendjes në terren, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, është i bindur se votimi do të kryhet në objekte publike.

    Sipas raportit dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Komunën e Leposaviqit për procesin e votimit mund të përdoren vetëm shkolla fillore në Bistricë, një shtëpi private në Kostin Potok dhe një kontejner në Koshtovë.

  • Vazhdon lirimi i të dyshuarve për dhunë në familje

    Vazhdon lirimi i të dyshuarve për dhunë në familje

    Përgatiti: Nora Luta

    Brenda 24 orëve të fundit është arrestuar një person i dyshuar për dhunë në familje, dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Por, rastet kur të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt nuk janë të rralla.

    Derisa flasin për mënyrën e vlerësimit deri te ky vendim, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se caktimi i masës së paraburgimit nuk është i mundur në çdo rast.

    Por, juristi Visar Rrecaj, ish-zyrtar policor, thotë se në rastet kur i dyshuari ka të kaluar kriminale paraburgimi është i domosdoshëm.

    Rrecaj e hulumtuesja Arrita Rezniqi thonë se për të shmangur rastet me fatalitet, nuk është efikas vetëm paraburgimi, por bashkëpunimi i institucioneve në parandalim, sikurse vlerësimi i rrezikshmërisë dhe ofrimi i sigurisë për viktimat.

    Brenda pak ditësh dy gra, njëra në Ferizaj dhe tjetra në Pejë, dyshohet se u vranë nga burra me të kaluar kriminale.

  • Hovenier: Jam i shqetësuar me ndalimin e zv.drejtorit të Policisë – Serbia shkeli marrëveshjen

    Hovenier: Jam i shqetësuar me ndalimin e zv.drejtorit të Policisë – Serbia shkeli marrëveshjen

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

    Temë e diskutimit ishte edhe ndalimit të qindra qytetarëve kosovarë nga Serbia, në kufirin me Kroacinë përfshirë këtu edhe mbajtjen e zëvendësdrejtorit të policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

    Hovenier u shpreh shumë i shqetësuar lidhur me këtë fakt.

    “Jam shumë i shqetësuar, veçanërisht për dikë që e njohim që disa vite, i cili ka ndihmuar shumë në integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës”, tha Hovenier para mediave.

    Tutje ai tha se pajtohen me deklaratën e djeshme të Bashkimit Europian ku tha se Serbia ka shkelë marrëveshjen për liri të lëvizjes me ndalimin e qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare.

    “Ishte një deklaratë nga BE dje. Ne punojmë për të mbështetur BE-në në negociatat e dialogut..zotëri Stano e bëri shumë të qartë këtë dhe ne nuk kemi si të mos dakordohemi se si BE i sheh këto gjëra. SHBA kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog të implementohen plotësisht dhe ne vazhdojmë të punojmë së bashku”.

    Gjatë së mërkurës shumë qytetarë nga Kosova u bllokuan nga Serbia në pikën kufitare me Kroacinë.

    Pos kësaj 10 zyrtarë policorë, përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e policisë Dejan Jankoviq u ndaluan nga autoritetet serbe.

    Dje pesë nga ta u liruan, ndërkaq sot u liruan edhe katër të tjerë, ndërkaq Jankoviq po mbahet ende nga Serbia.

  • Kosovës i’u shtuan 445 policë të rinj

    Kosovës i’u shtuan 445 policë të rinj

    445 pjesëtarë të rinjtë, iu shtuan Policisë të Kosovës. Ceremonia solemne e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës është mbajtur sot, ku presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha para të diplomuarve se ka besim të fuqishëm tek ata që detyra e tyre është të janë në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës pa dallim.

    “Jam e lumtur që sot ndodhem në këtë ceremoni diplomimi të gjeneratës të 59 është tejet e rëndësishme jo vetëm për ta por për të gjithë ne, dhe në të njëjtën kohë shënon kurorëzimin e një pune të jashtëzakonshme me një mund të madh për tu bërë gardian të republikës tonë. Sot bëni betimin solemn për të mbrojtur dhe për të shërbyer.. Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë pa dallim. Kushtetua e Kosovës është udhërrëfyese e juaja. Ju do t’i bashkoheni radhës së policisë për të ofruar siguri dhe përgjegjësi për ruajtjen e kufirit tonë”, ka thënë Osmani.

    Osmani than se betimi i sotëm i këtyre kadetëve është përgjigja më e fuqishme kundrejt përpjekjeve të tilla të Serbisë.

    Sipas saj në këtë ditë pesë policë po mbahen peng nga shteti shovinist.

    “Të jesh një polic nuk është thjesht një profesion është një mision e një kauzë për një mjedis ku të gjithë ndihen të sigurt e të lirë, kjo punë kërkon guxim përball vështirësive përkrahje në momente të caktuara dhe përkushtim të palëkundur ndaj betimit të cilin do ta bënë të gjithë sot. Në këtë momente pesë policë po mbahen peng nga një shtet shovinist – nga Serbia. I bëjmë thirrje aleatëve tanë që ta ngritin zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që t’i ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve dhe policëve tonë. Por jam e bindur se betimi i sotëm dhe gjithë këta kadetë janë përgjigja më e fuqishme kundrejt përpjekjeve të tilla. Në duart e juaja qëndron e ardhmja e qytetarëve tanë”, u shpreh presidentja Osmani.

    Ndërkaq kryeministri Kurti tregoi numrin e policëve të ri të cilët ishin 345 djem e 100 vajza.

    “Vendit tonë do ti shtohen edhe 445 policë të rijë të cilët do të shërbejmë gjithandej nëpër Kosovë në stacione e në detyra të ndryshme duke iu dhënë një mas përforcuese kolegëve tjerë policë. Tek fytyra e policit janë të përbashkuara personifikimi i zbatimit të ligjit dhe i respektimit të rendit publik. Nga 445 polic që do të betohen sot 345 janë djem e dhe 100 vajza ndërsa 375 policë janë shqiptar dhe 88 nga komunitetet jo shumicë,” u shpreh kryeministri Kurti.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ngjarjen e ditës së djeshme e ka quajtur akt të paprecedent mbajtjen zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq dhe katër zyrtarëve policorë nga autoritetet serbe.

    “Ceremonisë së sotme i radhëve të menaxhmentit të lartë të Policisë të Kosovës sot i mungon zëvendësdrejtori i Policisë të Kosovës nga radhët e komunitetet Serb Dejan Jankoviq i cili dje është ndaluar dhe po mbahet pa asnjë arsyetim në radhët e Serbisë ashtu siç po mbahen në Serbi edhe katër zyrtar tjerë policor, ky është një akt i paprecedent i serbes me shumë veprime i është drejtuar policisë të Kosovës, ky është një sulm i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtareve të vet komunitetit serb brenda policisë të Kosovës të cilët gjejnë vullnetin dhe guximin të na bashkohen në rrugën e përbashkët që synon shërbim e siguri për të gjithë qytetarët dhe stabilitet për vendin tonë. Të dashur kadet të Policisë veçanërisht ju nga komunitetet republika jonë është edhe e juaja, vendi ynë është i përbashkët dhe çdo ditë e punës tonë duhet dedikuar forcimit të tij, nga sfidat që do të ballafaqoheni nga sot ne jemi mbështetja e juaj”, tha Sveçla. /kp

  • Kurti: Ndalimi i kosovarëve në Serbi u paralajmërua nga Vuçiqi, qindra persona u privuan nga ushqimi e mjekimi

    Kurti: Ndalimi i kosovarëve në Serbi u paralajmërua nga Vuçiqi, qindra persona u privuan nga ushqimi e mjekimi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e konsideron si hakmarrje të Serbisë ndalimin e udhëtarëve të mërkurën në pikëkalimet kufitare në Serbi. Kjo, sipas Kurtit, është paralajmëruar edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

    Ai tha se Serbia është u hakmor kësisoj një ditë pasi Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të Këshillit të Europës, duke shtuar se qindra persona janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi.

    “Ata janë ndaluar si rezultat i një konference për media të cilën e pati të shtunën që shkoi presidenti i Serbisë ku ai tha që në javën që vjen Serbia kudo që ushtron pushtet dhe kontroll efektiv, do të fillojë që të hakmerret. Andaj edhe ajo çfarë po ndodh në këtë javë është paralajmëruar të shtunën që shkoi kur presidenti i Serbisë vizitoi njësitet ushtarake ‘Kobra’ në ditëlindjen e tyre – një njësit të cilën ne e patëm akuzuar në mes të qershorit të vitit të kaluar që i ka rrëmbyer tre policët tanë në veri të Kosovës. Pikërisht në ditëlindjen e Njësitit Special Ushtarak, i cili i kishte rrëmbyer policët tanë, presidenti i Serbisë e paralajmëroi këtë përndjekje të të tjerëve të cilët ai i konsideron të pa dëshirueshëm, duke filluar prej shqiptarëve të Kosovës e atyre ne Luginë e deri të serbet në Kosovë të cilët janë integruar në institucionet tona. Duket që arrestimi masiv i cili është bërë dje, me ç’rast të qindra qytetarë civil janë lënë pa medikamente, pa ushqim pa ujë për pothuajse një ditë të plotë, është rezultat i suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentar në KiE dhe si një hakmarrje intensive u bë kjo përndjekje e ky ndalim në masë”u shpreh Kurti pas homazheve në varrezat e dëshmorëve në Velani për nder të Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës.

    Kurti thekson se veprimet e serbëve në Kosovë po bëhen me urdhër të Beogradit. Serbinë e konsideron fajtor edhe për situatën në veri dhe përpjekjet për ta dështuar procesin e referendumit për largimin e kryetarëve aktual të katër komunave në veri të Kosovës.

    “Që nuk mund të them që ka përfunduar dhe që duhet ta kuptoni që po ndodh në të njëjtën kohë kur në Serbi po kryhet siç besojnë ata ushtrimi më i madh ushtarak në këtë shekull dhe i cili do të vijoj edhe në ditët më vazhdim deri në fund të javës pra deri të dielën. Që të gjitha këto janë të sinkronizuara edhe me bojkotin që po bëhet votimeve në katër komunat veriore të paraparë të dielën e që do të ishte një shans për qytetar atje që ta shprehin vullnetin e tyre po për shkak të bullingut polit nga Beogradi, kërcënimeve, shantazheve, djegieve te veturave që bëhen atje, duket që nuk do të këtë pjesëmarrje të kënaqshme, ndonëse ne bëjmë gjithë përpjekjet e mundshme dhe i ndihmojmë KQZ-së që këto votime të jenë sa më të suksesshme të dielën e 21 prillit”, thotë Kurti./EO