Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhje, me fillim nga ora 14:00.
Në rend dite janë aktivitetet e Sekretariatit të KQZ’së, siç është njoftimi lidhur me organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet nesër.
Rendi i plotë i ditës:
Hyrje: z.Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së
Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit Nr.24/2024
Aktivitetet e SKQZ
– Njoftim lidhur me organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit
të kryetarëve të komunave në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar protestë më 1 Maj.
Ata kanë paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj sindikate kanë bërë të ditur se më 1 maj do të organizohet një protestë, kurse në rast se kërkohet nga anëtarësia, do të vazhdohet edhe me grevë të përgjithshme në sistemin arsimor.
Ministrja e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se nuk ka dëgjuar asnjë mësimdhënës që është i interesuar për protesta. Ajo ka ftuar SBASHK-un dhe të gjithë të tjerët që të punojnë bashkë për të përmirësuar rezultatet e nxënësve, raporton Ekonomia Online.
“Problem është mënyra se si po u adresohen edhe mësimdhënësve edhe si kryesi. SBASHK-u po flet në emër të të gjithë mësimdhënësve. Unë nuk kam dëgjuar asnjë mësimdhënës që janë shprehur që janë të interesuar ose se janë të gatshëm për protesta dhe unë e ftoj edhe SBASHK-un dhe të gjithë të tjerët që të punojmë bashkë, për të përmirësuar rezultatet e nxënësve tanë sepse kjo është më e rëndësishme dhe më se e domosdoshme”, ka thënë Nagavci.
E pyetur se a kanë pasur ndonjë thirrje për takim me ministren ose dikë tjetër në Ministri, Nagavci ka thënë se nuk i kujtohet ndonjë kërkesë për ndonjë çështje specifike që e kanë paraqitur për tu trajtuar.
“Jo nuk më kujtohet që kanë pasur ndonjë takim, nuk më kujtohet as edhe për ndonjë kërkesë, nuk më kujtohet as për ndonjë çështje specifike që e kanë paraqitur për tu trajtuar nga e Ministrisë”, ka thënë ministrja Nagavci.
Ministrja ka folur edhe për tekstet e reja eventuale që pritet të jenë në duart e nxënësve në vitin e ri shkollor. Ajo ka theksuar se çelësi për të përmirësuar përfundimisht cilësinë e teksteve është Ligji i ri për tekstet dhe mjetet mësimore i cili është në Kuvend e që ajo pret të finalizohet sa më shpejt nga deputetët.
“Siç jeni në njohuri ne për herë të parë kemi bërë një rishikim, një vlerësim shumë dimensional të teksteve shkollore të teksteve të gjuhës shqipe dhe të matematikës që janë në përdorim të nxënësve nga klasa e 1 deri në klasën e 9. Këto teste të rishikuara tashmë i kanë raportet dhe të njëjtat do të ndahen me shtëpitë botuese në mënyrë që të përmirësohen të gjitha ato që janë evidentuar se kanë nevojë për përmirësim.
Përveç teksteve të gjuhës shqipe dhe të matematikës të cilat do të jenë më të mira këtë vit për nxënësit tanë po synojmë dhe jemi duke punuar që të fillojmë edhe me rishikimin e teksteve të tjera. Por çelësi për të përmirësuar përfundimisht cilësinë e teksteve është Ligji i ri për tekstet dhe mjetet mësimore i cili është në Kuvend e që unë pres që të finalizohet sa më shpejt nga deputetët”, ka thënë Nagavci.
Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit pritet të shtohet si kusht zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Burime zyrtare në Bruksel i konfirmuan ATV-së se të hënën, në takimin e Këshillit për Punë të Jashtme, në agjendë do të jetë aprovimi i amendamentimit të Kapitullit 35 të Serbisë me BE-në.
Për një ndryshim të tillë, paraprakisht ka pasur dakordim në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm dhe pritjet janë që të mos ketë probleme në finalizimin e ndryshimeve.
Referuar tekstit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i BE-së Peter Stano përsëriti se kjo tashmë është e paevitueshme.
“Përfaqësuesi i Lartë dhe shtetet anëtare të BE-së ishin shumë të qartë: përparimi në zbatimin e marrëveshjes tani është pashmangshëm i lidhur me përparimin në rrugën e anëtarësimit në BE për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Nëse ata nuk përmbushin zotimet, do të ketë pasoja shumë serioze”, tha Stano.
Të premten, kryeministri Albin Kurti përsëriti se nuk mund të flitet për zbatim, pa pranimin zyrtar nga Serbia të marrëveshjes dhe shtojcës.
Pasi përmendi se në Kapitullin 35 veçse ekzistojnë obligime për Serbinë në raport me Kosovën, profesori Dritëro Arifi theksoi se ndryshimet janë eksplicite dhe se mos-përmbushja e tyre mund të përcillet me pasoja.
“Nuk ka shpëtim as për Serbinë as për Kosovën. Për Kosovën është e mirëseardhur kjo marrëveshje, për Serbinë do të jetë një punë shumë e vështirë. Por, besoj që ata nuk mund të lëvizin tutje, sepse po besoj që çdo veprim tutje kundër i Serbisë do të ishte edhe sanksionim i Serbisë dhe eventualisht ndërprerje e fondeve të BE-së”, tha Arifi.
Këtë formë kushtëzimi politologu Fidan Ukaj e ndërlidhi me mungesën e nënshkrimit dhe përpjekjeve të Serbisë për sabotim të marrëveshjes.
“Shpresat janë që do të kalojë diçka e tillë dhe rruga e Serbisë për në BE pashmangshëm se do të kalojë edhe përmes zbatimit të marrëveshjeve të dakorduar më herët. BE-ja si duket nuk ka gjetur një alternativë apo mundësi tjetër, dhe kemi pasur një destruktivitet të vazhdueshëm të Serbisë implementimit të marrëveshjeve”, tha Ukaj.
Pika e tretë e asaj që njihet si aneksi i Ohrit, saktëson që zbatimi Marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Shtojcës do të bëhen pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në BE për të dyja, Kosovën dhe Serbinë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Nga Brightoni i Anglisë ku jetonte prej kohësh, Sadik Duraku kishte marrë rrugë për në fshatin e lindjes, Damjan të Gjakovës. Në kufirin Hungari – Serbi, Duraku u ndalua bashkë me qindra qytetarë të tjerë për një kontroll rutinore, e cila rezultoi me arrestimin e tij më 16 prill.
Sipas familjarëve të kosovarit që ka edhe nënshtetësinë e Britanisë së Madhe, ai dyshohet për krime lufte.
“E kanë arrestue. Kur jau kanë marrë dokumentat të gjithëve. Masi e kanë arrestu, ia kanë ngritë aktakuzën gjoja se ka ba krime lufte në Prizren, Suharekë e Gjakovë”, tha Avdyl Duraku, vëlla i Sadik Durakut.
Gjatë të premtes, Avdyl Duraku, duke pritur vendimin për caktimin e masës së paraburgimit nga gjykata serbe, deklaroi se akuzat ndaj vëllait të tij nuk qëndrojnë.
Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës, Sadik Duraku nuk ishte i angazhuar në Ushtrinë Çlirimtare dhe nuk gëzon statusin e veteranit.
Arrestimi i qytetarëve nën dyshimet për krime lufte, sipas njohësve të sigurisë, nuk po bëhet pa qëllim.
“Shteti serb po tenton ta nxisë sentimentin e luftës, që më pas familjarët të nxiten dhe të reagojnë ndaj komunitetit serb…”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.
Sadik Duraku nuk është i arrestuari i parë në vitin 2024 nga Serbia. Në fillim të janarit, nën dyshimet për krime lufte u arrestua edhe Hasan Dakaj ndaj të cilit është duke vazhduar gjykimi.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar zhdukjen e intelektualëve të Mitrovicës, 25 vjet më parë.
Ndër të tjera Kurti thotë se Serbia vazhdon t’ua mohojë familjeve të drejtën për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, njofton.
I pari i qeverisë shprehet se nuk do të harrohen asnjëherë sakrifica e madhe për lirinë e Kosovës.
“Grupi i intelektualëve të Mitrovicës për herë të fundit u pa më 19 prill 1999 në Dreth të Zubin Potokut. Derisa po largoheshin për në Mal të Zi, nga forcat e ushtrisë jugosllave u ndaluan: Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu. Pas vrasjes, në përpjekje të zhdukjes së gjurmëve të krimit, iu zhdukën trupat”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Bashkë me mohimin e krimeve gjenocidale, Serbia vazhdon t’ua mohojë familjeve të drejtën për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë”.
“Në përvjetorin e zhdukjes, përkujtojmë grupin me 23 doktorë, profesorë e veprimtarë të çështjes kombëtare e të të drejtave të njeriut nga Mitrovica”.
“Nuk harrojmë asnjëherë sakrificën e madhe për lirinë e Kosovës”.
Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami vazhdon lobimin për Kosovën në Kongresin Amerikan.
Pas disa takimeve në New York, në këto muajt e fundit, dje ka udhëtuar në kryeqytetin amerikan Washington, për një sërë takimesh me kongresistë në zyrat e tyre.
Botuesi Bajrami u prit nga Jim Himes, kongresist nga Connecticut, Anëtari Më i Lartë I Komitetit të Përhershëm për Inteligjencën dhe anëtar i hershëm i Kaukusit të Interesave Shqiptare në Kongresin Amerikan; Seth Moulton kongresist nga Massachusetts dhe ish-oficer i marinsave amerikanë, anëtar i Komitetit të Dhomës për Shërbimet e Armatosura; Ritchie Torres, kongresist nga New York-u dhe bashkëkryetar i Kaukusit të Interesave Shqiptare; si dhe me Maeve Healy, shefe e stafit dhe këshilltare kryesore e kongresistes Grace Meng, nga New York-u, anëtare e Komitetit të Përcaktimeve, e cila nuk ndodhej atë ditë në Washington.
Në këto takime botuesi i gazetës “Illyria” informoi kongresistët dhe këshilltarët e tyre të afërt për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe kërkoi një angazhim më të madh të Kongresit Amerikan në ndihmë të Kosovës. Ndonëse një nga kongresistët e siguroi se Serbia nuk gëzon mbështetje në Kongres, botuesi Bajrami përsëriti se lënia në harresë e Kosovës dhe Ballkanit mund të ketë pasoja të rënda.
Nga kongresisti Seth Moulton, i Komitetit që mbulon forcat e armatosura amerikane, ai kërkoi në veçanti ndihmë për forcimin e Ushtrisë së Kosovës. Një Kosovë më kapacitete të mëdha mbrojtëse është garanci edhe për interesat amerikane në rajon.
“Mënyra më e mirë do të ishte forcimi i shpejtë i Ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO”, tha Bajrami. “Kjo ndalon njëherë e përgjithmonë ambicjet territoriale të Serbisë”.
Me kongresistët e tjerë ai foli gjerësisht për situatën në Kosovë dhe rolin destruktiv të Serbisë jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje dhe Mal të Zi.
“Serbia e ka zemrën në Moskë. Ajo do vetëm fondet e BE-së. As politika e as shumica e popullit nuk duan të jenë pjesë e bashkësisë europiane. Janë të kota përpjekjet e BE-së e të Amerikës që duke e toleruar e përkëdhelur Serbinë shpresojnë se do të heqë dorë nga lidhjet e saj të ngushta me Rusinë dhe Kinën”, tha botuesi shqiptaro-amerikan.
Kongresisti Seth Moulton premtoi se do të bëhej së shpejti anëtar i Kaukusit Shqiptar në Kongres. Të dy, bashkë me kongresistin Jim Himes premtuan se do të bëjnë një vizitë në Kosovë, për të mësuar për situatën dhe nevojat e saj.
Vehbi Bajrami (djathtas), me kongresistin Jim Himes, nga Connecticut, Anëtari Më i Lartë I Komitetit të Përhershëm për Inteligjencën dhe anëtar i hershëm i Kaukusit të Interesave Shqiptare në Kongresin Amerikan.Pas takimit me Maeve Healy, shefe e stafit dhe këshilltare kryesore e kongresistes Grace Meng, nga New York-u, anëtare e Komitetit të Përcaktimeve.
Vehbi Bajrami dhe Ritchie Torres, kongresist nga New York-u dhe bashkëkryetar i Kaukusit të Interesave Shqiptare
Gjatë takimit me Seth Moulton kongresist nga Massachusetts dhe ish-oficer i marinsave amerikanë, anëtar i Komitetit të Dhomës për Shërbimet e Armatosura.
Ndërmjetësuesi i BE-së, për dialogun, Miroslav Lajçak ka thënë sot se perspektiva e qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është nxitja më e fortë për zgjidhjen e çështjeve të hapura siç janë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne duhet të kapërcejmë frikën e zgjerimit. Ne kemi futur rregulla në BE dhe po e vështirësojmë fillimin e procesit. Por duhet të gjejmë një ekuilibër midis nevojës gjeopolitike dhe përparimit të merituar. Procesi duhet të jetë i besueshëm dhe transparent, i cili nuk ishte rast më parë”, tha Lajçak.
Ai këto komente i dha nga Sllovenia, si pjesëmarrës i konferencës ”Ballkani Perëndimor në BE”.
Lajçak theksoi se të gjithë janë në një epokë të vështirë në të cilën mungojnë rregullat globale dhe arkitektura globale pas Luftës së Dytë Botërore nuk funksionon më.
Siç tha ai, mungesa e autoritetit global, i cili mund të ndalojë proceset negative, inkurajon “disa lojtarë” që t’i zgjidhin gjërat në mënyrë të njëanshme, duke mos respektuar rregullat.
“Kjo është një situatë e re për të gjithë ne. Agresioni rus kundër Ukrainës është situata më e dukshme dhe më tragjike”, tha Lajçak.
Ai vuri në dukje se nuk ka asnjë përpjekje për të përcaktuar rregulla të reja që do të ishin në përputhje me shekullin 21.
”Të gjithë ankohen, por nuk ka asnjë iniciativë reale për këtë”, shtoi Lajçak.
Sipas Lajçakut, zgjerimi tani shihet si një nevojë gjeopolitike që BE të jetë më e fortë dhe më elastike.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në 11-vjetorin e marrëveshjes së parë Kosovë – Serbi, ka thënë se të gjitha marrëveshjet arritura në kuadër të dialogut duhet të implementohen, duke shtuar se moszbatimi i tyre sjell pasoja serioze për të gjithë popullatën e dy palëve.
Stano ka theksuar se çështja e Asociacionit është thelbësore dhe urgjente për zbatim.
“Në historinë e dialogut, kemi një sërë përvjetorësh. Jo shumë kohë më parë, shënuam përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe në rastin e kësaj marrëveshjeje, e kemi qartësuar se zbatimi është çelësi, çka vlen edhe për marrëveshjet e tjera. Duhet të zbatohen. Çështja e Asociacionit, është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente, dhe BE-ja së bashku me partnerët ndërkombëtar, kemi qenë dhe mbetemi të qartë me Kosovën se ata duhet t’a implementojnë atë sepse dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”, ka deklaruara ai.
Ai ka thënë se progresi në zbatimin e këtyre marrëveshjeve është i lidhur drejtpërdrejt me përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e anëtarësimit në BE.
Nëse shtetet nuk përmbushin detyrimet e tyre, Stano paralajmëroi se do të ketë pasoja serioze dhe se populli i Kosovës dhe Serbisë do të jetë i vetmi që do të pësojë.
Ai ka shtuar se përmbushja e zotimeve të marrëveshjeve është e rëndësishme për qytetarët e këtyre vendeve, dhe moszbatimi i tyre do të sjellë vetëm dëm për ta.
“Dhe nëse shtetet nuk bëjnë hapa në zbatimin e detyrimeve të tyre, do të ketë pasoja serioze dhe të vetmit që do ta pësojnë, do të jenë populli që ata pretendojnë se e mbrojnë ose veprojnë në interes të tyre. Të vetmit që do të paguajnë për këtë, do të jenë njerëzit në Kosovë e Serbi, nëse nuk ka lëvizje në përmbushjen e zotimeve që janë marrë në kuadër të dialogut”, ka deklaruar Stano.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për procesin e referendumit të 21 prillit që do të mbahet në katër komunat veriore: Mitrovicë të Veriut, Zevçan, Leposaviç dhe Zubin Potok.
Kreu i ekzekutivit tha se qeveria e udhëhequr nga ai është në shërbim të Komisionit Zgjedhor për këtë proces dhe se qeveria është garantuese se rezultati i këtij referendumi do të zbatohet në plotni dhe me shpejtësi.
Kurti tha se kryetarët aktual mund të dalin nga zyra, por jo me banda fashiste të cilat sulmojnë Policinë e Kosovë e KFOR-in.
Duke bërë thirrje për dalje në zgjedhje, ai tha se data 21 prill është mundësi për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual dhe se një gjë e tillë mund të ndodh vetëm me proces ligjor e jo me banda të dhunshme sepse, sipas tij, një gjë të tillë nuk e lejon Policia e Kosovës.
“Për çështjen e zgjedhjeve që do të mbahen në katër komunat veriore më 21 prill prinë Komisioni Qendror Zgjedhor. Qeveria e Republikës së Kosovës është në shërbim të tyre. Nga ana jonë është në përgjithësi është vullneti që të mbahet ky votim dhe në komunat në të cilat 50 për qind plus një të qytetarëve votojnë për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual të komunave ne jemi garancion që kjo do të zbatohet në plotëni e me shpejtësi. Këta kryetarë mund të dalin nga zyra, por jo me banda fashiste të cilët dhunojnë KFOR-in, juve gazetarët e Policinë e Kosovës. Me zgjedhje hyhet në zyre, nuk hyhet në zyre as me bomba, as me granata e as me armë të tjera me të cilët janë sulmuar personeli i sigurisë në katër komunat veriore. 21 prilli është shansi dhe unë i ftoj të gjithë qytetarët pa dallim etnie e moshe që të dalin e të votojnë më 21 prill për t’ia ndërprerë këtyre katër kryetarëve mandatin ata të cilët mendojnë që nuk kanë qeverisur mirë. Gjithçka duhet me proces ligjor e jo me banda të dhunshme që rrethojnë ndërtesat e komunave. Me banda të dhunshme nuk mundesh me hy në zyre, nuk lejon Policia e Kosovës”, tha Kurti
Këto deklarime Kurti i bëri gjatë vizitës në fillimin e punimeve të projektit “Zgjerimi i rrugës nacionale N9-Segmenti Kjevë-Dollc”.
Bllokimi i qindra udhëtarëve të Kosovës nga Serbia në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë për hakmarrje pasi u votua në favor të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, presidentit të Perspektivës Multietnike Evropiane të Kosovës, Radomir Dimiqit, i kujton kohën e Millosheviqit.
Gazetari serb për KosovaPress thotë se vendimi i autoriteve serbe për ndalimin dhe mbajtjen e qytetarëve e të zëvendësdrejtorit të Policisë, dëshmon se Serbia nuk dëshiron normalizim me Kosovën.
“Të martën pushteti në Serbi është munduar ta shfajësoj vetveten, kur në kufijtë e tyre në mes Hungarisë dhe Kroacisë kishte ndaluar dhe mbajtur qytetarët e Kosovës. Kishin bllokuar kalimin përmes Serbisë disa orë, njerëzve të pafajshëm, në mesin e të cilëve kishte edhe gra dhe fëmijë. Ishte një vendim i keq dhe i turpshëm i Beogradit, vendim që na kujton kohën e kaluar të Slobodan Millosheviqit. Kësi vendimi të papërgjegjshëm nuk mund të këtë asnjë justifikim”, thotë ai.
Sipas tij, Serbia në këtë mënyrë ka dashur të manipulojë me qytetarët e saj pasi nuk pati çfarë të thoshte në KiE.
“Mendoj se këtu është fjala për diçka krejt tjetër, është hidhërimi dhe pafuqia e anës serbe, vetëm një ditë pas votimit në KiE. Kryeministri Kurti me të drejtë e ka karakterizuar këtë vendim si shkelje e të drejtave themelore të njerëzimit dhe lirisë së njeriut për të lëvizë lirshëm që bazohen në aktet ndërkombëtare, dhe askush nuk ka të drejtë të mohojë lëvizjen e rreth 300 qytetarëve. E gjitha kjo ishte një fiasko politike e Serbisë për t’u larë para publikut dhe asaj që thonin se ‘Serbia ka çka të thotë në KiE’. Në këtë kuptim për të mashtruar publikun është formuar tandemi ‘Daçiq-Gjuriq’ kinse Serbia është vetëm një hap prapa fitores finale”, thotë ai në shkrimin e tij për KosovaPress.
Ndonëse Serbia po e luan rolin e viktimës, Dimiq thekson se Serbia duhet t’iu kërkojë falje qytetarëve të Kosovës për ndalimin që iu ka bërë në kufij.
“Megjithatë, Kurti është treguar një arrë e fortë dhe politika e tij lehtë po kalon, pa marrë parasysh se Beogradi po e luan viktimën politike, në kuptimin se si është shkelur e drejta ndërkombëtare, se si Evropa është në anën e Kosovës, për të cilin shtet Daçiq thotë se nuk është shtet. Ndoshta edhe është presedan, por askush nuk mund ta kundërshtojë politikën që Kurti po e bënë në interes të qytetarëve të Kosovës. Ndërsa famozi Daçiq paralajmëron luftën dhe shton se Serbia nuk do të ndalet në këtë kontekst, dhe premton se me të gjitha forcat do të pengon që ky vendim mos të miratohet në komitetin e ministrave me 16 Maj. Kjo qasje nuk është asgjë tjetër vetëm se të krijohet një iluzion në atë se si Aleksandar Vuçiqi po lufton për Kosovën, edhe pse të gjithë e dinë se me Marrëveshjen e Ohrit Serbisë i është dhënë detyrimi në rrugën drejtë BE-së. Bëhet fjalë për detyrimin e normalizimit të raporteve me Prishtinën, e cila është edhe pjesë e Kapitullit 35. Kështu që, teza e presidentit serb ‘asgjë nuk kam nënshkruar dhe asgjë nuk është e detyrueshme’ ka rënë në ujë. Pushteti në Serbi duhet tu kërkoj falje qytetareve të Kosovës që i kanë ndaluar në kufi, duke besuar se një ditë Serbia dhe Kosova do të jenë bashkë pjesë e BE dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare”, thotë ai.
Sipas tij, kjo është e vetmja rrugë që Serbia dhe Kosova do të ndalen së konsideruari njëra-tjetrën si armike.