ATV

Tag: Ballina

  • 7 njehsorë pa afat, KEDS gjobitet me 40 mijë euro

    7 njehsorë pa afat, KEDS gjobitet me 40 mijë euro

    Është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku është prezantuar edhe Draft Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030, si dhe janë diskutuar masat për mbikëqyrjen e tregut.

    Në këtë takim janë prezantuar edhe informata lidhur me aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të fokusuara në monitorimin e çmimeve të derivateve, njehsorëve elektrikë dhe produkteve të qumështit me bazë bimore në treg.

    Sipas njoftimit, procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë për konsumatorët që kanë paraqitur ankesa po vazhdon.

    “Vlen të theksohet se po vazhdon procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë verifikuar 19 njehsorë, prej të cilëve 7 kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi,” thuhet në njoftim.

    Raportet e laboratorit janë proceduar për masa ligjore dhe gjoba ndaj KEDS-it.

    “Raportet zyrtare të laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për ndërmarrjen e masave ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj KEDS-it, në vlerë prej 40,000 eurosh,” theksohet në komunikatë.

    Në mbledhje është diskutuar edhe për kompensimin e dëmeve ndaj konsumatorëve.

    “Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit gjithashtu ka diskutuar për adresimin sa më të shpejtë të rasteve dhe mënyrat e kompensimit të dëmit ndaj konsumatorëve,” thuhet më tej.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka theksuar se gjatë tre muajve të fundit janë ndërmarrë masa proaktive për trajtimin e ankesave të konsumatorëve.

    “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit gjatë tre muajve të fundit ka ndërmarrë një sërë masash proaktive për trajtimin e ankesave të konsumatorëve,” thuhet në njoftim.

    Po ashtu, sipas ministrisë, është rritur edhe numri i ankesave të qytetarëve.

    “Si tregues i rritjes së besimit institucional të qytetarëve konsiderohet edhe rritja prej 35% e numrit të ankesave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,” përfundon njoftimi.

  • Nafta shtrenjtohet sërish, rritet për 1 cent

    Nafta shtrenjtohet sërish, rritet për 1 cent

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet e reja të derivateve për datën 20 maj 2026, ku nafta është shtrenjtuar për 1 cent krahasuar me ditën e djeshme.

    Sipas vendimit të publikuar nga MINT, çmimi maksimal i lejuar për naftën (dizel) është 1.63 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet me 1.54 euro për litër dhe gasi me 0.75 euro për litër.

    Çmimet kanë hyrë në fuqi nga ora 10:00 dhe vlejnë për 24 orët e ardhshme.

    Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve po vazhdon të rëndojë qytetarët dhe bizneset, derisa tregjet ndërkombëtare të naftës mbeten të paqëndrueshme.

    Qytetarët mund të paraqesin ankesa lidhur me çmimet përmes adresës elektronike të ministrisë ose në numrin pa pagesë 0800 11000.

  • Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim e 2000 euro gjobë për spiunazh

    Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim e 2000 euro gjobë për spiunazh

    Gjykata Themelore në Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 6 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, lidhur me akuzën për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Kushtrim Shyti, Jevtiq për veprën penale “Spiunazhi” u dënua me 6 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje 2 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u shpall dënim unik në kohëzgjatje prej 6 vitesh dhe gjobë me 2 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit. Ndërkaq, u urdhërua shkatërrimi i armës së gjetur dhe të gjitha gjësendet e sekuestruara konfiskohen në pajtim me ligjet në fuqi.

    Jevtiqit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në administratë publike në kohëzgjatje prej 5 vitesh pas mbajtjes së dënimit me burgim.

    Prezent në shpallje ishte prokurori special, Bekim Kodraliu dhe mbrojtësi i Jevtiq, avokati Millosh Nikoliq.

    Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

  • Një mërgimtar me emrin Naser Xhylani e krahason Daut Haradinajn me Radoiçiqin, e kërcënon publikisht me “kanun”

    Një mërgimtar me emrin Naser Xhylani e krahason Daut Haradinajn me Radoiçiqin, e kërcënon publikisht me “kanun”

    Mërgimtari Naser Xhylani, ka lëshuar deklarata të rënda dhe kërcënuese në drejtim të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj.

    Në një video të publikuar në Facebook, Xhylani e ka krahasuar Haradinajn me kryeterroristin Milan Radoiçiqin, i cili është përgjegjës për sulmin në Banjskë, duke iu referuar me mbiemrin e tij, “Daut Radoiçiq”.

    “Na paska folur Dauti, Daut Radoiçiqi. Unë desha t’i them nja dy fjalë Dautit. O Daut, populli të njeh mirë, këtë kërcënim që e bën ti ndaj popullit, nuk vlen. …keni luftuar për një periudhë të shkurtër gjatë luftës, dhe e dimë krejt atë rezultatin që e keni pasur. Por ju njohim mirë edhe pas luftës, për ma shumë se 20 vjet pas luftës”, ka deklaruar ai në Facebook.

    Në fund të videos, ai ka përdorur edhe gjuhë të drejtpërdrejtë kërcënuese, duke përmendur “kanunin” dhe persona që, sipas tij, janë “të gatshëm për sakrificë”.

    Video e plotë më poshtë:

  • Forca Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, së shpejti pritet të dislokohet kontingjenti i parë nga FSK-ja

    Forca Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, së shpejti pritet të dislokohet kontingjenti i parë nga FSK-ja

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka takuar zëvendës-shefin e J5/8 të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM J5/8), Gjeneral Brigade Chris A. McKinney.

    Në njoftimin e FSK-së bëhet e ditur se të dy gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara si dhe nevojën për rritjen e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

    Gjeneral Jashari e njoftoi Gjeneralin McKinney për zhvillimet dhe të arriturat e FSK-së duke u fokusuar edhe në planet për të ardhmen që synojnë realizimin e aspiratave për anëtarësim në NATO.

    Gjithashtu, të dy gjeneralët vlerësuan kontributin e FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën (ISF), ku së shpejti pritet të dislokohet kontingjenti i parë nga FSK.

    “Në fund të takimit, Gjeneral McKinney falënderoi Gjeneral Jasharin për bashkëpunimin dhe lidershipin e tij gjatë kësaj kohe ku FSK është në fazën finale të PGJT-së, si dhe ritheksoi përkushtimin e USEUCOM-it për ta mbështetur FSK-në në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

  • Nafta dhe benzina sot më shtrenjtë se dje

    Nafta dhe benzina sot më shtrenjtë se dje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar listën e re të çmimeve maksimale të lejuara (tavan) për shitjen e derivateve të naftës në tregun e Kosovës, të cilat do të jenë valide për 24 orët e ardhshme.

    Sipas vendimit të fundit të ministrisë, çmimet maksimale të caktuara për datën 19 maj 2026 pësuan një lëvizje të lehtë krahasuar me ditët e kaluara:

    Nafta (dizel): 1.62 euro për litër (shënon rritje prej 2 centësh);

    Benzina: 1.53 euro për litër (shënon rritje prej 3 centësh);

    Gasi: 0.75 euro për litër (shënon rënie prej 3 centësh).

    Sipas njoftimit zyrtar, këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 e paradites së sotme.

    MINT u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi ose tejkalim të këtyre çmimeve tavan nga ana e operatorëve ekonomikë. Ankesat mund të adresohen në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes emailit zyrtar [email protected] ose në numrin e telefonit pa pagesë 0800 11000.

  • KQZ-ja shtyp fletëvotimet me procedurë të përshpejtuar, jep 58 mijë € më shumë

    KQZ-ja shtyp fletëvotimet me procedurë të përshpejtuar, jep 58 mijë € më shumë

    Me procedura të përshpejtuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shtypjen e fletëvotimeve për votimin me postë në zgjedhjet e 7 qershorit, në të njëjtën ditë kur është publikuar njoftimi për dhënien e kontratës për këtë proces që ka kushtuar 58 mijë euro më shumë sesa që ishte paraparë me kontratë të rregullt.

    Në të njëjtën ditë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për dhënien e kontratës, ka nisur edhe shtypja e fletëvotimeve që do të përdoren për votimin me postë në zgjedhjet e 7 qershorit.

    “Pra, kjo shtypje më e shpejtë e fletëvotimeve që përdoren për votimin me postë bëhet me qëllim që ne të arrijmë që brenda afateve të dërgojmë pakot me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë regjistrimit”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Procesi i votimit me postë për mbi 100 mijë qytetarët e regjistruar jashtë Kosovës nis më 25 maj dhe përfundon më 6 qershor.

    KQZ-ja do t’ua dërgojë pakot me fletëvotime që kushtuan rreth 60 mijë euro më shumë sesa që ishte parashikuar me kontratë të rregullt, në adresat postare të votuesve të regjistruar.

    Të hënën, në platformën elektronike të prokurimit publik u publikua njoftimi për dhënien e kontratës, por ende nuk figuron ai për nënshkrimin e saj.

    Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, nga publikimi i njoftimit për dhënie të kontratës deri te nënshkrimi i saj duhet të kalojnë 10 ditë, për t’u mundësuar operatorëve ekonomikë paraqitjen e ankesave.

    Megjithatë, një opinion i Komisionit Rregullues të Prokurimit Publik parasheh mundësinë që autoriteti kontraktues ta nënshkruajë kontratën pa pritur afatet ligjore në raste emergjente ekstreme, të përcaktuara me nenin 35 të LPP-së.

    Kjo dispozitë nuk mund të zbatohet nëse situata emergjente është shkaktuar nga neglizhenca, veprimet e qëllimshme ose lëshimet e vetë autoritetit kontraktues.

    “Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, thuhet në Ligjin për Prokurimin Publik, neni 35.

    Kontrata, me vlerë 342 mijë euro, i është dhënë kompanisë sllovene Cetis, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

    Kjo kompani pati shtypur edhe fletëvotimet për zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, kur u evidentuan mospërputhje në numrat serikë.

    Të martën është anuluar tenderi i rregullt i hapur nga KQZ-ja për shtypjen e fletëvotimeve pasi asnjë kompani nuk bëri ofertë.

    Vlera e parashikuar në kontratën e rregullt ishte 284 mijë euro.

    Zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë të dytat të jashtëzakonshme që mbahen brenda gjashtë muajsh./Koha

  • KQZ me udhëzime se si plotësohet fletëvotimi për zgjedhjet e 7 qershorit

    KQZ me udhëzime se si plotësohet fletëvotimi për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me udhëzime për qytetarët lidhur me mënyrën si duhet të plotësohet fletëvotimi për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Aty shpjegohet mënyra hap pas hapi, që nga hyrja në qendrën e votimit.

    Votuesit duhet ta shënjojnë vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë të atij subjekti.

    ” Paloseni fletëvotimin para se të largoheni nga kabina dhe më pas vendoseni në kutinë e votimit”, thuhet në postim

  • “Hajde folim” në Lipjan, Osmani: Kur politika ulet pranë qytetarëve, lind dialogu i vërtetë

    “Hajde folim” në Lipjan, Osmani: Kur politika ulet pranë qytetarëve, lind dialogu i vërtetë

    Në Lipjan është zhvilluar një tjetër takim i iniciativës “Hajde Folim”.

    Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët mbetet thelbësor për ndërtimin e besimit mes politikës dhe shoqërisë.

    Osmani ka shkruar se kur politika del nga sallat, studiot dhe rrjetet sociale dhe ulet pranë qytetarëve, krijohet një hapësirë për bisedë të sinqertë.

    “Në “Hajde Folim”, nuk ka pyetje të parapërgatitura e as duartrokitje protokolare. Ka qytetarë që flasin hapur për jetën e tyre, për brengat, zhgënjimet, por edhe për shpresat që ende i mbajnë gjallë”, shkroi ajo në Facebook.

    “Dhe pikërisht kjo shpresë po na jep forcë. Prandaj, në çdo qytet ku do të jemi, ejani. Hajde Folim. Për Kosovën siç është. Dhe për Kosovën siç mund të bëhet”, shtoi ajo.

  • Avokati i Thaçit kritika Speciales: Prej 5 vjet e gjysmë asnjë ankesë e mbrojtjes s’u pranua

    Avokati i Thaçit kritika Speciales: Prej 5 vjet e gjysmë asnjë ankesë e mbrojtjes s’u pranua

    Luka Mishetiq, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kritikuar ashpër efikasitetin e Gjykatës së Apelit që funksionon brenda Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Mishetiq, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar se gjatë pesë vjetëve e gjysmë sa Thaçi po mbahet në paraburgim, të gjitha ankesat e paraqitura nga mbrojtja janë refuzuar.

    Sipas tij, bilanci i ankesave në rastin e Thaçit është “0 me 40” në favor të Speciales.

    “Për hir të plotësisë lidhur me efektivitetin e ankesave në gjyqin për krime lufte ndaj Hashim Thaçi: Mbrojtja në këtë gjykim tashmë ka paraqitur (dhe përfunduar) 40 ankesa ndërmjetëse. Paneli i Apelit deri më tani i ka refuzuar të gjitha. Kjo do të thotë 0 nga 40 përgjatë pesë viteve e gjysmë”, ka shkruar ai.

    Zyrtarisht, gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa vendimi pritet të shpallet më 20 korrik 2026.

    Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vjetësh për secilin nga të akuzuarit, kërkesë që është kundërshtuar ashpër nga mbrojtja e tyre.