ATV

Tag: Ballina

  • Hoti kritikon Qeverinë: Shpenzuan mbi 2 mld euro buxhet, s’mund t’i përmendin tri projekte madhore

    Hoti kritikon Qeverinë: Shpenzuan mbi 2 mld euro buxhet, s’mund t’i përmendin tri projekte madhore

    Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar qeverinë në detyrë se ka shpenzuar 2.7 miliardë euro buxhet në shpenzime kapitale gjatë viteve 2021–2025, por që, sipas tij, e njëjta nuk mund t’i përmend tri projekte madhore të vetme që i arsyetojnë gjithë këto shpenzime.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoti shton se gjithë ky buxhet i shpenzuar do të mund të arsyetohej sikur të ishin përfunduar se paku disa nga projektet e premtuara: Autostrada e Gjilanit, Hekurudha Prishtinë–Durrës (të ishte nisur), Rruga dhe tuneli Prizren–Tetovë, Autostrada Prishtinë–Merdarë, Lidhja e dy autostradave ekzistuese përmes segmentit Lipjan–Shtime–Duhël, Aeroporti i Gjakovës, Rrugët rajonale për Pejë, Podujevë, Mitrovicë e Gjakovë, dhe segmente të tjera më të vogla dhe Centrali me gaz.

    “Por, asnjë nga këto projekte nuk është përfunduar. Disa prej tyre as që janë nisur. A ka qenë e mundur të përmbylleshin shumica e këtyre projekteve, ndërkaq disa prej tyre të ishin duke u realizuar? Absolutisht që po. A ka pasur buxhet të mjaftueshëm për këto projekte? Absolutisht që po. Disa ishin të parapara në buxhetin e rregullt, e disa me kredi dhe mbështetje ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Pos tjerash, ai tha se nëse këto projekte do të realizoheshin, atëherë, sipas tij, ekonomia e Kosovës do të lulëzonte.

    “Kosovës i duhet një qeveri normale që menaxhon zhvillimin ekonomik. Kosovës nuk i duhet një qeveri që krijon kriza, e pastaj merret me menaxhimin e tyre”.

  • Prokuroria e Pejës ngrit 139 aktakuza ndaj 142 personave  për ndërtime pa leje

    Prokuroria e Pejës ngrit 139 aktakuza ndaj 142 personave për ndërtime pa leje

    Prokuroria Themelore në Pejë, ka bërë të ditur se për 16 muaj ka ngritur 139 aktakuza ndaj 142 personave për veprën penale “Ndërtimi pa leje”.

    Kurse, sipas njoftimit zyrtar, për periudhën kohore janar-prill 2026, pas veprimeve hetimore nga ky institucion, janë ngritur 27 aktakuza ndaj 29 personave për veprën penale të lartcekur.

    “Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha veprave penale, me theks të veçantë ndaj ndërtimeve pa leje, duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore dhe ligjore ndaj çdo personi që vepron në kundërshtim me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së rendit juridik dhe interesit publik”, thuhet në njoftim.

  • Nafta në Kosovë shitet me çmim të njëjtë sikur dje

    Nafta në Kosovë shitet me çmim të njëjtë sikur dje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e lejuara për tregtimin e derivateve të naftës në Kosovë për sot.

    Sipas njoftimit zyrtar, nafta do të shitet me çmimin 1.61 euro për litër, benzina 1.53 euro për litër, ndërsa gazi 0.75 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe të njëjtat kanë vlejtur për ditën e diel si dhe për sot.

  • BE-ja u njoftua nga mediat për krijimin e xhandarmërisë në Kosovë, thonë se kërkuan informata shtesë nga MPB-ja

    BE-ja u njoftua nga mediat për krijimin e xhandarmërisë në Kosovë, thonë se kërkuan informata shtesë nga MPB-ja

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës.

    Ky paralajmërim i Sveçlës erdhi një ditë pasi kryeministri në detyrë, shefi i tij, Albin Kurti e tha këtë në një intervistë televizive.

    E duke mos pritur gjatë, Sveçla të nesërmen veçse shkroi në rrjetet sociale se ka nënshkruar themelimin e grupit punues, që sipas tij, do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteteve për funksionimin e Xhandarmërisë, si Agjencion i MPB-së.

    “Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, shkroi ai në Facebook.

    Sipas Sveçlës, krijimi i Xhandarmërisë do të forcojë kapacitetet shtetërore për parandalimin, menaxhimin dhe neutralizimin e kërcënimeve “që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë.

    E në dijeni për këtë çështje tanimë janë edhe nga Bashkimi Evropian. Por të njëjtit në dijeni mbi këtë zhvillim janë përmes raportimit në media.

    Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, nga Zyra e BE-së në Kosovë është thënë se “jemi në dijeni të raportimeve të mediave në lidhje me këtë çështje”.

    Përpos kësaj, zëdhënësja për media e kësaj zyre, Nikola Gaon, deklaroi se tanimë e kanë kontaktuar ministrinë e Punëve të Brendshme të drejtuar nga Xhelal Sveçla për të marrë më tepër informacione në lidhje me këtë zhvillim.

    “I kemi kontaktuar Ministrisë së Brendshme për të marrë më shumë informacion.”

    Por në lidhje me krijimin e Xhandarmërisë në Kosovë, kanë folur edhe nga KFOR-i.

    Nga KFOR-i u tha se po i ndjekin nga afër deklaratat e vazhdueshme nga institucionet në Kosovë në lidhje me këtë temë, ndërsa për detaje kanë thënë se u takon institucioneve në Kosovë të japin.

    “NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontributin e vet për siguri të qëndrueshme në Kosovë, në dobi të të gjithëve. Në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, KFOR-i siguron një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. Në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), sipas roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtje civile, përmes ngritjes së kapaciteteve, arsimit dhe koordinimit të trajnimeve”, kanë thënë nga KFOR-i

    Gjithashtu u tha se presin nga organizatat e sigurisë në Kosovë që të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të koordinohen me KFOR-in për të kontribuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

    Për themelimin e Xhandarmërisë, fillimisht ka folur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Pasi fillimisht e përfoli si ide, dje u rezervua të jepte detaje pasi i pranishëm nuk ishte edhe Sveçla. Ai tha se Xhandarmëria parashihet të jetë mes policisë e ushtrisë.

    “Sa i përket koncept-dokumentit dhe grupit punues dhe hollësive për Xhandarmërinë do t’iu njoftojmë shumë shpejtë bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme. Ka kohë që ne e kemi menduar këtë gjë sepse një aspekt tjetër i sigurisë së Kosovës ka të bëj me një zonë e cila është më shumë se Policia e më pak se Ushtria, prej ruajtjes së kufirit, te luftimi i terrorizmit, te mbyllja e çfarë do shtegu të kontrabandës e deri te mbrojtja e infrastrukturës jetike. Të gjitha detajet lidhur me këtë idetë tonë që tani po bëhet edhe koncept-dokument do t’i trajtojmë me ministrin e Punëve të Brendshme”, ka thënë Kurti.

    Xhandarmëria është një forcë e sigurisë me karakter ushtarak që kryen detyra policore. Në disa shtete mund të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme, në të tjera pjesë e forcave të armatosura.

    Shumë shtete kanë xhandarmërinë e tyre, përfshirë edhe fqinji verior i Kosovës, Serbia, xhandarmëria e së cilës funksionon në kuadër të policisë.

    Xhandarmëri kanë edhe shtete të tjera, sikurse Franca, shtet anëtar i NATO-s. Zakonisht xhandarmëria merret me sigurinë e kufijve dhe luftimin e terrorizmit.

    Shembull, Xhandarmëria e Francës është forcë ushtarake që ka për detyrë sundimin e ligjit, ka juridiksion të plotë mbi popullatën civile dhe është përgjegjëse për sigurinë publike, rendit publik dhe ndërvepron me forcat policore dhe ushtarake brenda dhe jashtë vendit. Ajo luan rol në menaxhimin e krizave dhe merr pjesë edhe në misione paqësore jashtë vendit, por edhe në operacione luftarake.

    Në NATO, forcat e llojit të xhandarmërisë përmenden në kuadër të asaj që njihet si policia për stabilitet.

  • “Ke ardhur për të provokuar masën”, Fitore Pacolli del para protestuesve në Ministri

    “Ke ardhur për të provokuar masën”, Fitore Pacolli del para protestuesve në Ministri

    Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, doli para protestuesve të cilët e nisën protestën para kësaj Ministrie në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për pezullimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.

    Por, prania e saj nuk u mirëprit nga disa protestues, të cilët i thanë asaj se doli aty për të provokuar masën.

    Disa të tjerë u dëgjuan t’i thoshin Pacollit: “Hiqe vendimin e kërko falje”.

    Aktualisht, në prani të mediave, Pacolli është duke folur me protestuesit.

    Disa prej tyre folën nën tensione me të duke i kërkuar anulimin e menjëhershëm të vendimit e më pastaj të ulen e të bisedojnë.

    Protesta po organizohet organizohet nën moton “Rugova nuk hesht – Rugova kërkon drejtësi!”.

  • KQZ certifikon Listën Votuese, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

    KQZ certifikon Listën Votuese, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

    Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka njoftuar se ka marrë vendim për certifikimin e Listës Votuese për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

    Sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,092,174 votues.

    Kjo listë përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuved të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

    “Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike”, thuhet nga KQZ.

    Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve, 16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor.

    Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra, dhe 5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.

    Sipas të dhënave nga ky raport, KQZ thotë se numri i përgithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,801.

    Ky numër përfshin: 6,165 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC), 419 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC, dhe 217 votues të larguar nga lista votuese pas pranimit të dhënave nga KGjK.

    “Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht. Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit me postë, do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 6 qershor 2026”, thotë KQZ.

  • ​Kujt i takojnë 100 eurot e ndara nga Qeveria në detyrë? Ata me pagë mbi 1 mijë euro nuk përfitojnë

    ​Kujt i takojnë 100 eurot e ndara nga Qeveria në detyrë? Ata me pagë mbi 1 mijë euro nuk përfitojnë

    Qeveria në detyrë ka marrë vendim të ndajë nga 100 euro për fëmijët, pensionistët, studentët aktiv dhe punëtorët në sektorët privat.

    Mbështetja prej 100 euro për pensionistët dhe fëmijët do të ekzekutohet në fillim të javës së ardhshme, ndërkaq për studentët dhe punëtorët e sektorit privat pritet të hapet aplikimi javën e ardhshme.

    Mbështetja prej 100 eurove për punëtorët e sektorit privat dhe atë publik e që nuk paguhen nga buxheti i shtetit vlen për ata punëtorë me të ardhura mujore më pak se 1 mijë euro.

    Ndërsa, mbështetja për studentët vlen për ata aktiv dhe të rregullt në vitin akademik 2025-2026.

    “Mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale sipas listës së pagesave të muajit maj të këtij viti, për mbështetje të njëhershme për të gjithë fëmijët që janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë.

    Për të gjithë të punësuarit të deklaruar në muajin prill me të ardhura mujore më pak se një mijë euro që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, pra sektori privat dhe sektori publik por që është jashtë organizatave buxhetore, përfshihen shoqëria civile por edhe ndërmarrjet publike dhe organizata të tjera që nuk marrin pagë nga buxheti. Si dhe mbështetje edhe për të gjithë studentët aktiv dhe të rregullt në vitin akademik 2025-26 në institucionet të arsimit të lartë në Kosovë që përmbushin kriteret”, tha Murati.

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot

    Publikohen çmimet e derivateve për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur përcaktimin e ri të çmimeve të derivateve në vend.

    Sipas njoftimit, një litër naftë sot do të shitet me çmimin 1.64 euro.

    Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim prej 1.56 euro për litër, ndërsa gasi do të kushtojë 0.75 euro për litër.

  • Kurti i rrit pagesat për lehonat nga ky muaj: 500 euro në muaj, pa i llogaritur shtesat për foshnjat

    Kurti i rrit pagesat për lehonat nga ky muaj: 500 euro në muaj, pa i llogaritur shtesat për foshnjat

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vendosur që një vendim, i cili ishte paraparë të hynte në fuqi në muajin korrik, të zbatohet më herët – që nga ky muaj.

    Pak para nisjes së fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, Kurti njoftoi rritjen e shtesave për lehonat në Kosovë.

    Ai tha se, megjithëse vendimi ishte planifikuar të hynte në fuqi në korrik, nuk ka arsye të pritet më gjatë.

    “Nga 325.9 euro në muaj, duke filluar nga ky muaj, secila nënë lehonë do të përfitojë 500 euro në muaj, pa i përfshirë shtesat për foshnjën”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë.

  • FSK stërvitje në zonën e Liqenit të Badocit, Komuna del me njoftim

    FSK stërvitje në zonën e Liqenit të Badocit, Komuna del me njoftim

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të aktiviteteve dhe stërvitjeve të planifikuara operative, do të realizojë stërvitje fushore në zonën e Liqenit të Badovcit, duke përfshirë edhe një pjesë përgjatë rrugës “Pëllazgët” në fshatin Mramor, në datat 21-22.05.2026 dhe 28.05.2026.

    Gjatë zhvillimit të ushtrimeve, Komuna ka paralajmëruar se mund të ketë lëvizje të shtuar të automjeteve dhe personelit të FSK-së dhe përdorim të armëve dhe të shtëna stërvitore.

    “Andaj, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që të mos shqetësohen nga aktivitetet e lartëcekura, pasi bëhet fjalë për ushtrime të planifikuara dhe të kontrolluara nga institucionet përgjegjëse të sigurisë”, thuhet në njoftim.