ATV

Tag: Ballina

  • Behrami: Nëse dikush nga Guxo ose VV ia dëshiron dënimin Thaçit, atëherë një gjë të tillë ia dëshiron edhe Rexhep Selimit

    Behrami: Nëse dikush nga Guxo ose VV ia dëshiron dënimin Thaçit, atëherë një gjë të tillë ia dëshiron edhe Rexhep Selimit

    Kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, ka komentuar deklarimet nga Guxo ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ai ka thënë se nëse dikush nga Guxo ose VV ia dëshiron dënimin Hashim Thaçit, atëherë dënimin ia dëshiron edhe Rexhep Selimit.

    Në profilin e tij në Facebook, ai ua ka rikujtuar pushtetarëve për çka akuzohen çlirimtarët.

    “Krerët e UÇK-së akuzohen për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Kështu që, nëse dikush nga Guxo ose LVV ia dëshiron dënimin Hashim Thaçit, atëherë dënimin ia dëshiron edhe Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit”, ka shkruar ai.

  • Molliqaj fton VV’në në debat: Le të bëhen gati me u dridh hala ma shumë prej aksioneve e protestave

    Molliqaj fton VV’në në debat: Le të bëhen gati me u dridh hala ma shumë prej aksioneve e protestave

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, është deklaruar pas aktiviteti të organizuar para zyrës së Vetëvendosjes.

    Molliqaj ka ftuar në debat cilindo kandidat të VV’së në cilindo emision, duke paralajmëruar protesta e aksione të tjera, përcjell Gazeta Express.

    ‘’E ftoj VV, cilindo kandidat tyne, me cilindo prej neve sa here dojnë, ku të donë, në cilindo debat në cilindo emision. Nëse na frikësohen, e marrin policinë, e s’kanë gatishmëri për debat, le të bëhen gati me u dridh hala ma shumë prej debateve, aksioneve protestave, sepse Kosova duhet me mbet vend demokratik. Beteja jonë me ta është betejë e aktivizimit edhe e ideve, as policia as një gjë tjetër nuk e ndalë aktivizimin tonë. Ideja, kur i vjen koha nuk nalet me dhunë as me shtypje. Nuk ka me pas ma qeverisje të qetë, sepse nuk ka më opozitë të pazareve e formale, opozita e vërtetë është PSD’ja”, ka thënë ai mes tjerash.

  • Ministria publikon çmimet e derivatave për sot, më shtrenjtë se dje

    Ministria publikon çmimet e derivatave për sot, më shtrenjtë se dje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Krahasuar me dje, nafta dhe benzina sot do shiten 1 cent më shtrenjtë krahasuar me dje, përkatësisht 1 euro e 64 centë litri i naftës dhe 1 euro e 55 centë litri i benzinës.

    Gasi ndërkohë po shitet 75 centë për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Plakja e popullsisë dhe emigracioni i të rinjve shqetësuese: 10 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar në 2024-2025

    Plakja e popullsisë dhe emigracioni i të rinjve shqetësuese: 10 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar në 2024-2025

    Sistemi arsimor parauniversitar në vend po përballet me një tkurrje të shpejtë të numrit të nxënësve, si pasojë e faktorëve demografikë me plakjen e popullsisë dhe emigracionit në moshat e reja.

    Të dhënat më të fundit zyrtare nga INSTAT tregojnë se brenda vetëm një viti akademik 2024-2025, numri i përgjithshëm i nxënësve që ndjekin arsimin 9 vjeçar dhe te mesëm ka pësuar një rënie me 10,020 personash ose 3%. Numri total i të regjistruarve në të gjitha nivelet arsimore ka zbritur nga 349,827 nxënës që ishin në vitin akademik 2023-24, në 339,807 nxënës në vitin vijues 2024-25.

    Duke marrë në konsideratë se numri mesatar i nxënësve për kasë është 25, i bie që gjatë vitit shkollor 2024-2025 të jenë mbyllur 400 klasa.

    Kjo rënie reflektohet në mënyrë të ngjashme në të gjitha ciklet e shkollimit, por goditjen më të rëndë e ka marrë arsimi fillor, i cili ka humbur numrin më të madh të nxënësve. Ky cikël ka pësuar një tkurrje prej 4,710 fëmijësh më pak, duke u tkurrur me 3% dhe duke zbritur në 136,379 nxënës të regjistruar. I njëjti trend negativ vërehet edhe në ciklin e lartë të arsimit bazë, ku numri i nxënësve ra me 2,745 persona, duke shkuar në 114,238 nga rreth 117 mijë që ishin një vit më parë.

    Në të njëjtin trend ishte ecuria edhe ne arsimin e mesëm, ku gjimnazet dhe shkollat profesionale numërojnë 2,565 nxënës më pak për vitin akademik 2024-25, çka përkon me një rënie prej 3% të këtij grupi. Ekspertët e fushës e shohin këtë dinamikë si një kambanë alarmi, pasi zbrazja e klasave në arsimin fillor parashikon një tkurrje afatgjatë që do të zhvendoset gradualisht edhe në universitetet e vendit dhe në tregun e punës në vitet në vijim.

    Emigracioni i familjeve të reja mbetet një nga shkaqet kryesore dhe më të dukshme. Ndryshe nga vitet e kaluara ku emigronin kryesisht individë të vetëm, vitet e fundit vihet re emigrim me familje.

    Rënia e lindshmërisë është një tjetër faktor me ndikim afatgjatë. Ndryshimi i stilit të jetesës, kostot e rritura të jetesës dhe shtyrja në kohë e moshës për të krijuar familje kanë sjellë një rënie të ndjeshme të numrit të lindjeve të reja çdo vit. Vitin e kaluar linden rreth 21400 foshnja në të gjithë vendin nga 32,715 të tilla në vitin 2015.

    Krahas largimit jashtë vendit, ekziston edhe një braktisje e zonave rurale dhe qyteteve të vogla drejt qendrave të mëdha urbane si Tirana apo Durrësi. Ndërsa në kryeqytet disa shkolla mund të përballen ende me mbingarkesë, në rrethe dhe në fshatra situata është kritike, duke çuar shpesh në mbylljen e shkollave apo krijimin e klasave kolektive për shkak të mungesës së nxënësve.

    Tkurrja me mbi 10 mijë nxënës brenda një viti në arsimin para-universitar do të reflektohet në goditje zinxhir në të gjithë ekonominë, tregun e punës.

    Në planin afatshkurtër, rënia e numrit të nxënësve sjell një çekuilibër të menjëhershëm në menaxhimin e burimeve njerëzore në arsim. Mbyllja e klasave apo e tërë shkollave, veçanërisht në zonat rurale dhe qytetet e vogla, krijon një tepricë të stafit mësimor.

    Kjo do të thotë se qeverisë do t’i duhet të rishikojë formulën e financimit të shkollave, ndërsa mësuesit rrezikojnë të mbeten pa normë të plotë orësh ose pa punë. Nga ana tjetër, rënia e numrit të nxënësve në shkollat e mesme përkthehet automatikisht në më pak aplikime në universitete pas pak vitesh, duke vënë në rrezik ekzistencën e shumë degëve të studimit, sidomos në universitetet rajonale./monitor

  • Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare

    Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare

    Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka njoftuar se këtë të diel do të udhëtojë për në Cyrih të Zvicrës.

    Atje, Osmani bën të ditur se do të takohet me mërgatën shqiptare me fillim nga ora 14:00.

    “Të dashur motra e vëllezër në Zvicër. Ka disa rrugë që nuk maten me kilometra, janë rrugët e mallit, sakrificës dhe dashurisë për vendin”, tha ajo.

  • MASh për rastin e raportuar në Gjakovë: Inspektorati kontaktoi Policinë dhe DKA-në, drejtori u pezullua nga puna

    MASh për rastin e raportuar në Gjakovë: Inspektorati kontaktoi Policinë dhe DKA-në, drejtori u pezullua nga puna

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e raportuar në Komunën e Gjakovës për ngacmim seksual nga ana e drejtorit të shkollës “Pjetër Bogdani” në Demajn, duke theksuar se institucionet arsimore duhet të jenë mjedise të sigurta dhe mbrojtëse për çdo fëmijë.

    Në një postim në Facebook, MASh ka bërë të ditur se menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, Inspektorati i Arsimit ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë për të siguruar informacione relevante për veprimet institucionale të ndërmarra.

    “ Menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, Inspektorati i Arsimit ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë për të siguruar informacionet relevante lidhur me veprimet institucionale të ndërmarra”, thuhet në njoftim.

    Sipas ministrisë, autoritetet komunale kanë informuar se komisioni disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e drejtorit nga marrëdhënia e punës.

    “Sipas informatave të pranuara nga autoritetet kompetente komunale, Komisioni disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e drejtorit nga marrëdhënia e punës”, thuhet më tej.

    MASh ka theksuar se çdo formë e ngacmimit seksual, dhunës, abuzimit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare në institucionet arsimore është e papranueshme dhe e dënueshme.

    “Çdo formë e ngacmimit seksual dhe dhunës dhe abuzimit e keqpërdorimit të pozitës zyrtare në institucionet arsimore është i papranueshëm dhe i dënueshëm”, thuhet në postim.

    Ministria ka kërkuar që çdo veprim i dyshuar që cenon integritetin dhe dinjitetin e të miturve të trajtohet me seriozitetin më të lartë nga organet kompetente, ndërsa ka shprehur pritjen që rasti të trajtohet me prioritet dhe profesionalizëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “MASh pret nga të gjitha institucionet përgjegjëse që rasti të trajtohet me prioritet, profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi deri në një dënim meritor”, thuhet në njoftim.

    Në fund, MASh ka bërë të ditur se do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me rastin dhe se do të ofrojë mbështetjen e nevojshme institucionale në kuadër të kompetencave të saj.

    “Ministria do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me këtë rast dhe do të ofrojë mbështetjen e nevojshme institucionale në kuadër të kompetencave të saj”, thuhet në postim.

  • Djali i Jakup Krasniqit-Gërvallës: Ti jo vetëm e respekton, por edhe e dëshiron atë që tha Fatos Geci

    Djali i Jakup Krasniqit-Gërvallës: Ti jo vetëm e respekton, por edhe e dëshiron atë që tha Fatos Geci

    Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka reaguar ndaj ministres së Drejtësisë në detyrë dhe bashkëkryetares së Partisë Guxo, Donika Gërvalla-Schwarz, pas deklaratës së saj se e respekton qëndrimin e Fatos Gecit lidhur me ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po gjykohen në Hagë.

    Altin Krasniqi i është drejtuar Gërvallës duke thënë se ajo jo vetëm që e respekton atë që ka thënë Geci, por edhe e dëshiron atë.

    “Ti, Donikë, jo veç që e respekton atë që e thotë Fatosi, por edhe e dëshiron atë që e thotë Fatosi”, ka shkruar Krasniqi.

    Ai tha se beson në drejtësi dhe se, nëse drejtësia ekziston, ish-presidenti Hashim Thaçi, si dhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të kthehen në Kosovë.

    “Epilogun e kësaj gjykate unë nuk e di. Di vetëm se besoj në drejtësi, e nëse drejtësia ekziston, babi, Hashimi, Kadria dhe Rexha kanë me u kthy”, ka deklaruar ai.

    Krasniqi tha se historia do të ndajë qartë ata që, sipas tij, do të mbeten në anën e ndritur të saj dhe ata që do të mbeten në anën e errët.

    “Janë dy anë të historisë: ajo ana e bardhë dhe e ndritur, në të cilën babi, Hashimi, Kadria dhe Rexha kanë me jetu përjetësisht me lavdinë më të madhe që mundet me e pasë njeriu; atë të heroit dhe të çlirimtarit.”

    “Po është edhe ana e errët e historisë, ana e zezë apo Schwarz; aty, kokëulur, ti ki me jetu gjatë”, ka përfunduar Krasniqi.

  • Osmani i reagon Kurtit: Nëse kisha dashur pushtet do të garoja për kryeministre

    Osmani i reagon Kurtit: Nëse kisha dashur pushtet do të garoja për kryeministre

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili kishte thënë se ajo ka ambicie politike.

    Në emisionin “Click” në RTV21, Osmani deklaroi se roli i presidentit nuk lidhet me pushtetin ekzekutiv, por me ruajtjen e balancës institucionale dhe funksionimin demokratik të shtetit.

    Sipas saj, presidenca është institucioni që garanton ekuilibrin mes pushteteve dhe ndërhyn kur është e nevojshme për të korrigjuar gabimet institucionale.

    “Institucioni i presidencës nuk do pushtet. Është shtylla që e mban balancën e pushteteve të tjera, e ruan demokracinë në kohë të rënda dhe siguron që kur të tjerët bëjnë gabime, ato të përmirësohen”, ka deklaruar Osmani.

    Ajo shtoi se, nëse do të kishte synuar pushtetin ekzekutiv, do të kishte kandiduar për postin e kryeministres.

    “Nëse do të doja pushtet, do të kandidoja për kryeministre. Jam e bindur që ka qenë vullnet i popullit që unë të jem presidente”, u shpreh ajo.

    Duke iu përgjigjur deklarimeve të Kurtit lidhur me interpretimin e Kushtetutës, Osmani tha se autoriteti për interpretimin kushtetues i takon Gjykatës Kushtetuese dhe jo kryeministrit.

    “Kurti mund të mendojë që është autoritet për interpretimin e Kushtetutës, por nuk është, është Gjykata Kushtetuese. Unë kam marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës dhe e di shumë mirë çfarë po flas. Institucioni i presidencës e mban balancën, këtë e kam bërë”, deklaroi Osmani.

  • Dalin rrogat e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë, pezullohet greva

    Dalin rrogat e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë, pezullohet greva

    Punëtorët teknikë në disa shkolla të Prishtinës kishin hyrë dje në grevë për shkak se sipas tyre nuk kanë pranuar pagat e muajit prill.

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka mbajtur mbledhje sot me kryetarët e shoqatave të Sindikatës të punëtorëve teknik të shkollave të Komunës së Prishtinës aty ku u njoftua se është pezulluar greva pasi punëtorët sot kanë pranuar pagat e tyre.

    Greva është pezulluar deri me datën 25 maj, ndërsa është paralajmëruar se nëse nuk lidhin kontratat e punës deri me këtë datë, ata do ta ndërpresin punën.

    Jusuf Azemi tha se greva e mbajtur dje ka pasur efektet e saj pasi pagat e punëtorëve janë ekzekutuar sot, duke potencuar se efektet e veprimeve sindikale kishin efekt.

    Në grevën e djeshme kishin hyrë punëtorët teknikë të shkollave: “Dardania”, “Asim Vokshi”, “Gjergj Fishta”, “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina” e shkolla të tjera në kryeqytet./

  • LDK organizon mbledhje komemorative për Alush Gashin

    LDK organizon mbledhje komemorative për Alush Gashin

    Nën patronatin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të enjten do të organizohet mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së veprimtarit të shquar, anëtarit të Kryesisë, një prej themeluesve të LDK-së e bashkëpunëtorit të Presidentit Rugova, Alush Gashi.

    Në njoftimin zyrtar theksohet se mbledhja komemorative mbahet nga ora 11:00, në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë (ish-ASK).

    Gashi vdiq më 15 maj në moshën 75-vjeçare.