ATV

Tag: Ballina

  • Kurti në IPK: Polici më e pastër, shtet më i drejtë

    Kurti në IPK: Polici më e pastër, shtet më i drejtë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar punën e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), duke e cilësuar atë si institucion kyç për ruajtjen e integritetit dhe besimit publik në shtet.

    Gjatë një vizite në IPK, Kurti tha se forca e institucioneve të sigurisë matet jo vetëm me kapacitetin operacional, por edhe me llogaridhënien dhe kontrollin e brendshëm.

    “Në çdo shtet demokratik forca e institucioneve të sigurisë matet jo vetëm me kapacitetin e tyre operacional, por edhe me integritetin, llogaridhënien dhe kontrollin e brendshëm që ato e ushtrojnë mbi veten e tyre”, deklaroi ai.

    Sipas tij, IPK është institucioni që garanton zbatimin e ligjit edhe brenda vetë sistemit të sigurisë.

    “Është mekanizmi, i cili siguron se ligji zbatohet brenda vetë sistemit të sigurisë dhe se askush nuk është mbi ligjin – pa përjashtim, pa privilegje, pa diskriminim”, tha Kurti.

    Ai përmendi edhe operacionet “Pika” dhe “Pika 2”, përmes të cilave janë ndërmarrë veprime ndaj zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës.

    “Janë ndërmarrë veprime ndaj dhjetëra zyrtarëve policorë të përfshirë në raste të korrupsionit apo të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke dërguar kësisoj një mesazh të qartë institucional: Ligji zbatohet pa përjashtim”, u shpreh ai.

    Kurti tha se IPK ka rritur praninë institucionale në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri, duke ndikuar në rritjen e besimit qytetar.

    Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë IPK-në në forcimin e kapaciteteve profesionale, garantimin e pavarësisë funksionale dhe modernizimin teknologjik.

    “Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë”, deklaroi Kurti.

    Në fund, ai tha se ankesat e qytetarëve duhet të konsiderohen si kërkesa për bashkëpunim me shtetin.

    “Ankesat e qytetarëve duhet përherë t’i konsiderojmë si kërkesa për bashkëpunim me shtetin”, përfundoi Kurti.

     

  • BE thirrje partive për fushatë të respektueshme: Përmbahuni nga gjuha seksiste dhe mizogjene ndaj grave

    BE thirrje partive për fushatë të respektueshme: Përmbahuni nga gjuha seksiste dhe mizogjene ndaj grave

    Bashkimi Evropian, u ka bërë thirrje partive politike, si dhe, kandidatëve për deputetë, të promovojnë diskurs politik të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe, të përmbahen nga gjuha dhe sjelljet seksiste apo mizogjene ndaj grave, duke përfshirë shpërndarjen përmes mediave sociale dhe platformave online.

    Nga BE, thuhet edhe se, gratë duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në jetën politike lirshëm, në mënyrë të sigurt dhe të barabartë.

    Postimi:

    Në prag të fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore,  BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha partive politike dhe kandidatëve të  Kosovës, që marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të promovojnë një diskurs politik të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe të përmbahen nga gjuha dhe sjelljet seksiste apo mizogjene ndaj grave, duke përfshirë shpërndarjen përmes mediave sociale dhe platformave online.

    Gratë duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në jetën politike lirshëm, në mënyrë të sigurt dhe të barabartë, si offline ashtu edhe online.

    Barazia gjinore, dinjiteti njerëzor dhe demokracia janë vlera themelore të BE-së dhe elemente thelbësore për zgjedhje të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.

  • Kongresmenët amerikanë në Preshevë, Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet

    Kongresmenët amerikanë në Preshevë, Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se sot në Preshevë po qëndrojnë kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët u pritën në zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar së bashku me deputetin Shaip Kamberi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

    Gjatë takimit, sipas Rexhepit, u diskutuan në detaje problemet me të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës po përballen prej dekadash, duke përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, mungesën e përfaqësimit institucional dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.
    “Patëm mundësinë të shtjellojmë të gjitha temat dhe çështjet me të cilat, tash e me dekada, përballet Lugina e Preshevës. Pasivizimi, mosnjohja e diplomave, mospërfaqësimi në institucione, varfërimi dhe moszhvillimi i komunave tona kanë një qëllim të qartë: shpopullimin e Luginës nga shqiptarët”, ka deklaruar Rexhepi.

    Ai ka theksuar se mungesa e investimeve dhe moszbatimi i marrëveshjeve të arritura për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore vazhdojnë të mbeten shqetësime serioze për komunitetin shqiptar në jug të Serbisë.

    “Mungesa e investimeve, bllokimi i mjeteve nga Republika e Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar, centralizmi i shtetit në çdo institucion, moshapja e kufirit Miratoc–Llojan, moszbatimi i Planit 7 Pikësh dhe i Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore janë dëshmi të qarta të një qasjeje diskriminuese”, është shprehur ai.

    Në takim ishte e pranishme edhe Teuta Fazliu, e cila sipas Rexhepit është një nga rastet e shqiptarëve të prekur nga pasivizimi i adresave dhe që çështjen e saj e ka dërguar deri në Gjykatën e Strasburgut.

    “Kongresmenët patën mundësinë që nga ajo personalisht të dëgjojnë shembuj konkretë se si pasivizimi i adresave po i selekton veçanërisht shqiptarët”, ka thënë Rexhepi.

    Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe projektligjit të iniciuar nga kongresmeni amerikan Keith Self, për të cilin Rexhepi tha se po shihet si një shpresë e madhe për mbështetje ndërkombëtare ndaj shqiptarëve të Luginës.

    “Projektligji i kongresmenit Keith Self, i cili ka gjetur mbështetje nga të dy kampet politike në SHBA, mbetet shpresa jonë e madhe për mbështetje ndërkombëtare që do ta detyrojë Qeverinë e Serbisë të ndalojë diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, deklaroi ai.

    Në fund, Rexhepi ka falënderuar kongresmenët amerikanë për vizitën dhe mbështetjen e tyre, duke nënvizuar lidhjen e fortë të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Shqiptarët në përgjithësi, e ata të Luginës në veçanti, mbeten komuniteti më proamerikan në rajon”, përfundoi ai.

  • Dy kongresistë amerikanë vizitojnë sot Kosovën

    Dy kongresistë amerikanë vizitojnë sot Kosovën

    Kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam nga sot, 26 maj, pritet të zhvillojnë vizitë zyrtare në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës.

    Siç ka bërë të ditur organizata “Albanians For America”, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë ata do të takojnë përfaqësues të institucioneve shtetërore, zyrtarë të sigurisë, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar. Në agjendë parashihen edhe takime me autoritetet amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë në Camp Bondsteel, si dhe me shoqërinë civile dhe mediat.

    Qëllimi i kësaj vizite, sipas organizatës, është forcimi i partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, diskutimi i zhvillimeve të sigurisë në rajon, si dhe mbështetja e të drejtave të shqiptarëve.

    Pas vizitës në Kosovë, kongresistët amerikanë do të qëndrojnë edhe në Luginën e Preshevës, ku do të takojnë përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar, liderë politikë dhe drejtues të komunave të Preshevës dhe Bujanocit. Fokus i bisedimeve do të jenë të drejtat e shqiptarëve dhe sfidat me të cilat përballen në këtë rajon.

    Organizata thekson se kjo vizitë vjen në një periudhë të angazhimit të shtuar të Kongresit amerikan për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe proceset euro-atlantike të Kosovës.

  • Festa e Kurban Bajramit: Myftiu Tërnava i drejtohet besimtarëve me mesazh urimi

    Festa e Kurban Bajramit: Myftiu Tërnava i drejtohet besimtarëve me mesazh urimi

    Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava do t’i drejtohet opinionit publik dhe gjithë besimtarëve me një mesazh urimi.

    Tërnava do të iu drejtohet qytetarëve nga Salla e Fakultetit të Studimeve Islame me fillim nga ora 11:00.

    Nesër, e mërkurë, shënohet Kurban Bajrami, ndërsa manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar kësaj feste mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

    BIK ka njoftuar se manifestimi fillon në orën 4:25, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë Arbnor ef. Sinani – kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Skenderaj.

    Ndërsa, namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:40, të cilit do t’i prijë Mustafë ef. Dallku, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë Myftiu Tërnava.

  • Nga 1 qershori, nuk lejohen pagesa me para cash mbi 2 mijë euro

    Nga 1 qershori, nuk lejohen pagesa me para cash mbi 2 mijë euro

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga 1 qershori, pagesat mbi 2 mijë euro me individë nuk lejohen të bëhen me para të gatshme.

    Në njoftimin e ATK’së theksohet se këto pagesa duhet të realizohen përmes sistemit bankar ose formave tjera elektronike të pagesës.

    “Respektoni kufizimin e përcaktuar me ligj dhe shmangni gjobat. Mos paguani cash mbi limitin e lejuar. Veproni sipas ligjit”, theksohet në njoftim.

  • Nisma dhe PDK arrijnë marrëveshje për bashkëpunim politik dhe elektoral, Limaj flet pas takimit me Hamzën

    Nisma dhe PDK arrijnë marrëveshje për bashkëpunim politik dhe elektoral, Limaj flet pas takimit me Hamzën

    Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se ka pritur në takim kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, me të cilin kanë arritur pajtim për nisjen e një bashkëpunimi strategjik politik, elektoral, qeverisës dhe organizativ ndërmjet dy subjekteve politike.

    Përmes një njoftimi publik, Limaj tha se në një periudhë jo të lehtë për vendin, kur qytetarët presin më shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga politika, është koha që forcat politike që ndajnë të njëjtat vlera shtetformuese të bashkëpunojnë për interesin e Kosovës.

    Ai bëri të ditur se Nisma Socialdemokrate do ta mbështesë Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamza, në zgjedhje.

    Sipas Limajt, dy partitë janë dakorduar që në periudhën në vazhdim të ndërtojnë një proces të koordinuar bashkëpunimi dhe integrimi politik, me synimin për të kontribuar në stabilitet institucional, zhvillim ekonomik, forcim të shtetit dhe funksionim më efikas të institucioneve të Kosovës.

    Ai theksoi se ky bashkëpunim mbështetet në vlerat shtetformuese, orientimin euroatlantik, partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe respektin për luftën çlirimtare dhe rolin e Ushtria Çlirimtare e Kosovës në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

    Limaj po ashtu deklaroi se mbështetja për këtë partneritet është edhe mbështetje për “vlerat e luftës çlirimtare” dhe për ish-pjesëtarët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

    Në fund, ai u shpreh se Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim, maturi dhe prioritizim të interesit të qytetarëve dhe shtetit mbi interesat tjera politike.

  • AUV del me njoftim se ku lejohet therja e Kurbanit për Bajram

    AUV del me njoftim se ku lejohet therja e Kurbanit për Bajram

    Me rastin e Kurban Bajramit, i cili këtë vit shënohet më 27 maj 2026, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka rikujtuar se therja e kurbaneve lejohet vetëm në thertoret e aprovuara dhe të licencuara nga autoritetet shtetërore.

    Sipas njoftimit, lista e thertoreve të aprovuara është e publikuar në ueb-faqen zyrtare të AUV-së, ndërsa institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që therjen ta kryejnë vetëm në objektet e destinuara për këtë qëllim, për të ruajtur shëndetin publik dhe për të respektuar ligjin.

    Autoritetet paralajmërojnë se therja jashtë thertoreve të licencuara përbën shkelje ligjore dhe mund të rrezikojë shëndetin publik. Po ashtu, nuk do të tolerohet lëvizja e kafshëve pa dokumentacion përcjellës, shitblerja apo therja në vende publike.

    Nga AUV theksohet se thertoret janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme, posedojnë frigoriferë dhe kushte teknike, sanitare e higjienike, ndërsa kapacitetet e tyre vlerësohet se janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve gjatë festës.

    Në njoftim bëhet e ditur se çdo kafshë i nënshtrohet kontrollit veterinar para therjes, gjatë procesit dhe pas therjes, nga veterineri zyrtar.

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me AUV-në, kanë uruar qytetarët për festën e Kurban Bajramit, me thirrjen që ajo të festohet “sigurt dhe shëndetshëm”.

  • Hyn në fuqi ligji i ri për shtetësinë

    Hyn në fuqi ligji i ri për shtetësinë

    Ligji i ri për Shtetësinë e Republikës së Kosovës ka hyrë në fuqi nga dita e sotme.

    Kështu ka bërë të ditur, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot përmes një video-mesazhi drejtuar bashkatdhetarëve.

    Sveçla ka njoftuar bashkatdhetarët se Ligji i ri për shtetësinë e Kosovës sjell proceduar më të shpejta, më të thjeshta dhe më moderne për aplikuesit.

    “Një nga lehtësimet kryesore është rifitimi i shtetësisë për ju bashkatdhetarët, që për arsye objektive jeni detyruar të liroheni nga shtetësia e Republikës së Kosovës. Nga 9 dokumente që kërkoheshin më parë, tani mjafton kërkesa e plotësuar nga ju si dhe dëshmia se nuk jeni të dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë në shtetin ku jetoni”, ka thënë ai.

    Ai ka njoftuar se për shtetësinë mund të bëhet edhe online përmes platformës e- Kosova, ndërsa, sic ka thënë ai, afati i shqyrtimit të kërkesës nga 6 muaj është shkurtuar në 30 ditë.

    Ligji i ri për shtetësinë e Kosovës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën e 23 prillit 2026.

    Bashkatdhetarët tanë mund të aplikojnë online për rifitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës përmes platformës e-Kosova, në vegëzën: https://ekosova.rks-gov.net/Service/12.

  • Rrustem Thaqi, kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Rrustem Thaqi, kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës këtë të hënë ka zgjedhur Rrustem Thaqin kryesues të ri.

    Në votim morën pjesë 11 anëtarë, prej tyre gjashtë vota ishin për Thaqin, ndërkaq pesë për kundërkandidatin e tij, Besnik Bislimaj, raporton Betimi për Drejtësi.

    Sikurse në konkursin e kaluar, në garë ishin dy kandidatët e njëjtë Besnik Bislimaj- gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe Rrustem Thaqi, gjyqtar nga Gjykata Supreme.

    Komisioni zgjedhor kishte në përbërje sërish: Ahmet Imamin, Astrit Hotin dhe Bislim Gashin.