ATV

Tag: Ballina

  • KEDS i padit ZREE-në, kundërshton vendimin për kompensimin për veriun

    KEDS i padit ZREE-në, kundërshton vendimin për kompensimin për veriun

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër se buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike – KEDS vijon të kundërshtojë vendimin e Rregullatorit (ZRRE) që e detyron atë të kompensojë konsumatorët nga 34 komuna për faturat e fryra si mbulesë për veriun, në periudhën 2012-2017.

    Duke kërkuar anulim, më 7 Maj, kompania, e cila sipas aktgjykimit, u pasurua jashtëligjshëm për pesë vjet, parashtroi padi në Gjykatën Komerciale kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Krahas kësaj, KEDS-i po këmbëngul në shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.

    Kërkesa fillestare, u refuzua nga ZRRE-ja.

    Pasi e cilësoi të pabazuar pretendimin e KEDS-it, Rregullatori saktësoi se “mos-zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do ta rëndonte interesin publik dhe mbrojtjen e konsumatorëve, të drejtën e kompensimit të cilën ua ka njohur Gjykata përmes aktgjykimit dhe do të ishte në kundërshtim me aktgjykimin”.

    Megjithëkëtë, KEDS-i nuk hoqi dorë.

    Kjo kompani kërkoi që Gjykata Komerciale t’i vendosë masë të përkohshme vendimit të ZRRE-së, deri në nxjerrjen e verdiktit final.

    “Kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ është pranuar më 14.05.2024, për të cilën do të vendoset brenda afateve ligjore të përcaktuara me Ligjin për Gjykatën Komerciale”, thuhet në përgjigjen nga Gjykatës Komerciale.

    Të mërkurën, në KEDS nuk u deklaruan lidhur me këtë çështje.

    Në muajin mars, Gjykata Kushtetuese vërtetoi aktgjykimin e Supremes, i cili e obligon ZRRE-në të detyrojë KEDS-in të kompensojë konsumatorët për dëmin në vlerë të përgjithshme 40.8 milion euro.

    Sipas vendimit, të dëmtuarit nga faturat e fryra si mbulesë për veriun, në periudhën Shkurt 2012 – Tetor 2017, do të kompensohen çdo muaj, në shpërndarje të njëjtë kohore, nga Qershori 2024 deri në Shkurt të vitit 2030.

  • Pas 6 muajve, lirohet nga paraburgimi Isni Kilaj

    Pas 6 muajve, lirohet nga paraburgimi Isni Kilaj

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pas më shumë se 6 muaj qëndrimi në Qendrën e Paraburgimin të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, nën dyshimin për pengim ne drejtësi, Isni Kilaj këtë të mërkurë u kthye në vendlindje.

    Lirimi i tij me kusht është mundësuar pas dhënies së dorëzanisë prej 30.000 eurosh.

    Familja e Kilajt është gëzuar për kthimin e tij në Kosovë.

    “Babi sot është liruar prej gjykatës speciale, është liruar me mbrojtje në liri. Jemi lajmërua në mëngjes se babi do të lirohet, diku rreth orës 11:30 ka mbërri në Prishtinë. Është emocion, kemi mbete pa frymë, jemi gëzua shumë, na ka shkuar mendja menjëherë edhe të ushtarët e tjerë. Babi është shumë i fuqishëm dhe shumë krenar”, tha Blendi Kilaj, biri i Isni Kilajt.

    Përveç familjarëve, lirimit të tij iu gëzuan edhe bashkëluftëtarët e tij.

    Skënder Paçarizi, që është njëri ta, uron që Gjykata Speciale t’i lirojë po ashtu nga paraburgimi Thaçin e të tjerët.

    “U gëzum shumë se edhe ashtu padrejtësisht janë tu u marr këta njerëz. Jam bashkëluftëtar i tij, po ishim gëzu edhe ma shumë nëse ishin liru edhe të tjerët”, tha Paçarizi.

    Pavarësisht se Isni Kilaj është liruar me kusht, Dhomat e Specializuara thanë se në vendimin për rishikimin e paraburgimit ndaj Kilajt, gjykata ka konstatuar se “ende ekziston dyshimi i bazuar që Kilaj ka kryer vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”.

    Kilaj u arrestua në nëntor të 2023-ës.

  • PDK- ja lëshon pe, do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

    PDK- ja lëshon pe, do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat janë paraparë të jenë në rend dite në seancën e së enjtes, këtë herë mund të miratohen.

    Kjo pasi që, Partia Demokratike e Kosovës ka ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të tyre.

    Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza, ka thënë se PDK-ja do të veprojë në interes të vendit.

    “PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për mua si kandidat, prioritetet janë të qarta, interesi i vendit, i partisë dhe së fundi i neve si individë. Mbi të gjitha interesi i qytetarëve. Kosova është nën masa sanksione, janë qindra milionë euro të bllokuara… përtej aspektit financiar kemi të bëjmë me një dëmtim të reputacionit të vendit”, tha Hamza.

    Derisa për marrëveshjet ndërkombëtare ka dakordim, për koalicion me Vetëvendosjen, Hamza ka thënë jo.

    Në zgjedhje, PDK-ja do të garojë e vetme.

    “Nuk bëhet fjalë për kurrfarë koalicioni. Nuk jemi duke folur për koalicione. Ne jemi në garë për të punuar fort që t’i bindim qytetarët me program, me ekip, me listë e me gjithçka që kërkon fushata, që ne të jemi parti fituese dhe të krijohet situata që ne ta udhëheqim qeverinë”, tha Hamza.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, edhe gjatë të mërkurës ka shprehur gatishmërinë e tij për zgjedhje të jashtëzakonshme.

    “Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat, shkon mandati deri në fund”, tha Kurti.

    Ndonëse, Qeveria Kurti e ka shumicën parlamentare për t’i miratuar ligjet, për marrëveshjet ndërkombëtare nevojiten së paku 80 vota të deputetëve.

    Ndërkohë, vlera e tyre kalon shifrën e 300 milionë eurove.

  • Regjistrimi i popullsisë, qytetarët s’pyeten për punën e dytë

    Regjistrimi i popullsisë, qytetarët s’pyeten për punën e dytë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Punën që e ushtron tash e 3 vjet si drejtor i shkollës fillore “Emin Duraku”, Visar Osmani, e deklaroi, gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë. Por ai nuk u pyet fare për punën e dytë të tij që e bën tash e 30 vjet.

    “Merrem edhe muzikë, me një intensitet më të ulët për shkak të punës si drejtor, po e bëj tash shumë vite punën si vokalist, për punën e parë jam pyetur, për të dytën jo”, tha Osmani.

    Regjistruesit e ASK-së, as profesorin Fidan Qeriqi, nuk e pyetën për punën e dytë, derisa në formularin e regjistrimit, ai deklaroi vetëm pozitën prej profesori.

    Mirëpo, ndryshe thonë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Sipas tyre, pyetja e 42-të e sqaron këtë dilemë, e cila ka të bëjë me dy burimet kryesore të mjeteve të jetesës.

    “Nga pyetja 30 deri në 33 është pyetja për punën primare, ndërkaq në pyetjen 42 vendoset biznesi apo puna dytësore, që e bën pra janë të ardhurat kryesore prej nga i merr”, tha Hazbije Qeriqi, zëdhënëse në ASK..

    Por kjo pyetje, sipas Qeriqit, nuk definon nëse qytetari bën më shumë se një punë.

    “Pyetja e 42-të mundohet me i nda të hyrat a janë prej pagës, biznesit apo kategori të tjera që një person, nëse ka dy profesione dhe dytat janë prej pagave, i bie që janë me një kategori. Pra këtu tregohen prej nga janë të hyrat”, tha profesori Fidan Qeriqi.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë është paraparë të përfundojë më 17 maj. Ndërkaq, deri më tani janë regjistruar afro 1.5 milion banorë.

  • (VIDEO) Momenti kur kryeministri i Sllovakisë futet me shpejtësi në veturën e blinduar, pas plagosjes

    (VIDEO) Momenti kur kryeministri i Sllovakisë futet me shpejtësi në veturën e blinduar, pas plagosjes

    Sipas raportimeve, kryeministri i Sllovakisë Robert Fico është qëlluar dhe plagosur me armë zjarri nga një person i panjohur.

    Incidenti ndodhi në qytetin Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislava, sipas stacionit televiziv të lajmeve TA3, raporton SkyNews.

    Një i dyshuar është arrestuar për rastin dhe se Fico ndodhet në spital për trajtim.

    Ngjarja ndodhi para Shtëpisë së Kulturës, ku Fico kishte ardhur për t’u takuar me mbështetësit. Policia bllokoi vendin e ngjarjes.

    Më poshtë mund ta shikoni momentin në video, kur truprojat e futin në makinë kryeministrin e Sllovakisë pas plagosjes.

    https://twitter.com/Wittishit/status/1790740027632136646

  • “Opozita të bëhet gati”, Kurti deklarohet sërish për mbajtjen e zgjedhjeve

    “Opozita të bëhet gati”, Kurti deklarohet sërish për mbajtjen e zgjedhjeve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e tij që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka pasur edhe një porosi për opozitën që të jenë gati për një proces të tillë, në të kundërtën ka thënë se do të përfundojë mandati.

    “Opozita duhet të bëhet gati. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat shkon mandati”, ka thënë Kurti në ceremoninë e hapjes së edicionit të 23-të të Panairit Ndërkombëtarë EXPOKOS.

  • ​Gjykata Speciale liron Isni Kilajn nën kushte të rrepta

    ​Gjykata Speciale liron Isni Kilajn nën kushte të rrepta

    Isni Kilaj u lirua në Kosovë sot, më 15 maj, me kushte të rrepta, në bazë të vendimit të gjykatësit të vetëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) të datës 3 maj 2024. Në vijim ky vendim u konfirmua edhe nga një Panel i Gjykatës së Apelit i DHSK-së më 13 maj 2024.

    Në vendimin mbi rishikimin e paraburgimit të Isni Kilajt, gjykatësi i vetëm konstatoi se ende ekziston dyshimi i bazuar se Kilaj ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    “Gjykatësi i vetëm konstatoi gjithashtu se vazhdon të ekzistojë rrezik i moderuar që Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Ai konstatoi më tej se asnjë prej kushteve të paraqitura nga Mbrojtja e Kilaj dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e Kilaj për të penguar ecurinë e procedurave të DHSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera. Megjithatë, Gjykatësi i Vetëm arriti në përfundimin se zgjatja e paraburgimit të Kilaj në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja. Gjykatësi i Vetëm mbajti parasysh se (i) Kilaj është mbajtur në paraburgim për pothuaj gjashtë muaj; (ii) për veprat penale për të cilat Kilaj konsiderohet i dyshuar mund të dënohesh nga një deri në 5 vjet; dhe (iii) kërkesa e kohëve të fundit që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i paraqiti Gjykatësit të Vetëm për pezullimin e shqyrtimit të Aktakuzës së dorëzuar prej saj, për shkak se synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar, vonon në mënyrë të konsiderueshme kalendarin e procesit. Për këtë arsye, Gjykatësi i Vetëm vendosi që rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të z. Kilaj nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    Më 13 maj, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelin e ZPS-së kundër vendimit.

    “Apeli i ZPS-së fokusohej në kushtet e lirimit të Kilaj të urdhëruara nga Gjykatësi i Vetëm. Ndonëse është liruar, Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar në proceset e DHSK-së dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm, ndër të tjera, që ai: duhet t’i japë Administratores një garanci financiare (dorëzani) në shumën 30.000 euro si kusht paraprak për lirimin e tij; nuk duhet të largohet nga territori i Kosovës, përveçse me leje të një paneli kompetent të DHSK-së dhe t’i dorëzojë Administratores pasaportën dhe çfarëdo dokumenti tjetër udhëtimi të tij; duhet të japë adresën në të cilën do të banojë gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe të paraqitet çdo javë në policinë e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Administratorja; nuk duhet të bëjë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, deklarata publike në media dhe/ose mediat sociale lidhur me DHSK-në, ZPS-në dhe ose proceset e DHSK-së, përfshirë deklarata që përmbajnë kërcënime, dhunë ose frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të hetimit penal; duhet të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore të kërkuar nga DHSK-ja dhe të përmbushë çdo vendim apo urdhër tjetër të Gjykatës. Gjykatësi i Vetëm theksoi se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e Kilaj”, thuhet në komunikatë.

  • Komandanti i KFOR-it: Siguria e brishtë, por jemi gati t’i përgjigjemi çdo sfide

    Komandanti i KFOR-it: Siguria e brishtë, por jemi gati t’i përgjigjemi çdo sfide

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, deklaroi se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme por e brishtë. Ai tha se 4600 trupa në kuadër të KFOR-it që vijnë nga 28 vende partnere dhe anëtare të NATO-s janë gati t’i përgjigjen çdo lloj sfide.

    Gjeneralmajori Ulutash nuk e komentoi kërkesën e pak muajve më parë të kryeministrit Albin Kurti për trupa shtesë por tha se në varësi të situatës mund të rishohin dislokimin e trupave shtesë.

    “NATO rishikon vazhdimisht qëndrimin e saj dhe mbetet e gatshme ta rregullojë atë sipas nevojës ose ta përshtasë. Përmes një rritjeje prej 1000 trupash, NATO vendosi forca shtesë rezervë në Kosovë pas dhunës që ndodhi vitin e kaluar. Për të parandaluar çdo rrezik të përshkallëzimit ose rritjes së përtërirë të dhunës, ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi sfidave të mundshme. Nëse është e nevojshme, ne mund të rregullojmë qëndrimin tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, tha Ozkan Ulutash për “A2 CNN”.

    Në lidhje me paralajmërimet e disa agjencive të huaja të inteligjencës për ngritje tensionesh në veriun e Kosovës, komandanti i KFOR-it siguron se janë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdolloj sfide.

    “Jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë të operojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët jemi në koordinim të ngushtë”, theksoi Ulutash.

    E sa i përket bazave ushtarake serbe që gjenden në kufi dhe pretendimet se Serbia po stërvit njerëz për ta sulmuar Kosovën, ai tha për “A2 CNN”, se do të vijojnë përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim të situatës.

    “Ne monitorojmë nga afër çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide që mund të ndodhë, duke rregulluar qëndrimin tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe EULEX-in”, deklaroi komandanti i KFOR.

    Komandanti i KFOR-it kërkoi përgjegjësi për aktin terrorist të Banjskës por nuk tha nëse ata vetë kishin ndonjë hetim për ngjarjen.

    “NATO vazhdon të kërkojë përgjegjësi për sulmet e dhunshme të 29 majit dhe 24 shtatorit. Hetimet për incidente si ai që ndodhi në Banjska përfshijnë koordinim me autoritetet lokale dhe palët e interesuara. Prandaj, ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë”, shtoi Ulutash.

    Gjeneralmajori Utulash, që mori pjesë edhe në stërvitjen e fundit të ushtrisë serbe, tha se e ka të rëndësishëm komunikimin me gjeneralin e Forcave të Armatosura të Serbisë për të identifikuar sinjalet e hershme për ndonjë tension të mundshëm./A2CNN

  • Çështja e dinarit, kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë takohen sot në Bruksel

    Çështja e dinarit, kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë takohen sot në Bruksel

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sot në Bruksel për të gjetur zgjidhje pas skadimit edhe të periudhës kalimtare të BQK-së, e cila e përcakton euron si valutën e vetme për transaksione në Kosovë.

    Emisari evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për të vazhduar, sot në Bruksel, diskutimet mbi dinarin, me shpresën për gjetjen e një zgjidhjeje.

    “Kryengociatorët do të takohen të mërkurën këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Dhe në pritje të këtij takimi të mërkurën, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Do jetë ky takimi i shtatë me radhë ku diskutohet zbatimi i rregullores së BQK-s. Palët akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, teksa në tryezë është ende propozimi për kompromis i prezantuar nga Miroslav Lajçak, në fund të muajit mars.

    Me 12 maj, ka kaluar periudha kalimtare e Bankës Qendrore dhe nga e diela, euro është valuta e vetme për transaksione në Kosovë.

    Sipas kryeministrit të vendit, Albin Kurti, nëpërmjet rregullores së BQK-së po synohet ligjshmëria, transparenca.

    “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese. Rregullorja e BQK-së nuk është për të dalë kundër dinarit, por për euron si mjeti i vetëm për pagesa në Kosovë”, është shprehur Kurti.

    BQK, ka njoftuar se e ka përmbyllur edhe periudhën tremujore tranzitore për siç thuhet, “zbatim i lehtësuar i rregullores për operacione me para të gatshme”. BQK-ja ka sqaruar, ditë më parë, se pas përmbylljes së periudhës transitore ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit, duke vendosur edhe 38 bankomatë apo pajisje të ngjashme të vetëshërbimit financiar.

  • “Brezovica”, Prokuroria kërkon përjashtimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj

    “Brezovica”, Prokuroria kërkon përjashtimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj

    Përgatiti: Nora Luta

    Shumë persona përfunduan në pranga e pasuri milionëshe u sekuestruan, dhe u ndërmorën një sërë veprimesh nga Prokuroria Themelore e Ferizajt në rastin “Brezovica” para dy vitesh.

    Por, nga ngritja e aktakuzës në dhjetor të 2022-s, ende nuk ka filluar shqyrtimi kryesor në këtë rast që u transferua në Gjykatën e Pejës, për shkak të dyshimeve të ngritura se vila të sekuestruara u përkisnin gjyqtarëve të Gjykatës së Ferizajt.

    E dëgjimi i dëshmitarëve nuk filloi as këtë të martë, pasi Prokuroria kërkoi përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Nushe Kuka-Mekaj.

    Prokurori Rasim Maloku e konsideron konflikt interesi faktin që avokati Besnik Berisha është mbrojtës i djalit të gjyqtares Asdren Mekaj, në një rast në Gjykatën e Prizrenit, dhe i Arben Çitakut në rastin Brezovica.

    Prokuroria qysh në dhjetor kishte kërkuar përjashtimin edhe të avokatit Tahir Recaj.

    Gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj, e cila në këtë rast fillimisht ishte anëtare e trupit gjykues, para se të zërë vendin e gjyqtarit Murat Hulaj, që kaloi në Supreme, qysh në fillim të seancës përmendi rastin e ngritur nga prokurori Maloku.

    Por ajo nuk e konsideron konflikt interesi, megjithatë për këtë do të vendosë kryetari i gjykatës.

    Rasti i djalit të gjyqtares, Asdren Mekaj, sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit, është aktiv.

    Televizioni që nga java e kaluar ka tentuar të marrë një qëndrim nga avokati Berisha, por ai nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kishte kthyer as Gjykata e Pejës.

    Mekaj akuzohet për veprën penale “detyrim” dhe seanca e 4 marsit në mungesë të palëve kishte dështuar të mbahet, dhe ishin caktuar të mbahen seancat e radhës më 13 dhe 14 maj.

    Ndërkohë, në rastin Brezovica në mesin e 12 personave, inspektorë, drejtorë komunalë e investitorë, akuzohen edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Abren Çitaku, dhe kryeinspektori Bedri Halimi.

    Mungesa e këtij të fundit për arsye shëndetësore ishte gjithashtu shkak që seanca të mos zhvillohet dhe mbrojtja e tij ka kërkuar veçim të procedurës.

    Sipas aktakuzës, me ndërtime të kundërligjshme në Parkun Kombëtar “Sharri” është bërë degradimi i papërmirësueshëm i mjedisit dhe janë rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore në Brezovicë.