ATV

Tag: Ballina

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-22 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit e lehtë deri mesatare. Vikendi parashihet me rritje të temperaturave. Kushtet agrometeorologjike dhe biometeorologjike vazhdojnë të jenë relativisht të mira dhe stabile”, thuhet në njoftim.

  • Mbi 400 mijë qytetarë të regjistruar nga diaspora

    Mbi 400 mijë qytetarë të regjistruar nga diaspora

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në javën e gjashtë të regjistrimit të popullsisë, mbi 400 mijë banorë janë regjistruar nga diaspora, përmes platformës online, E-diaspora.

    Por, nga organizata që lobojnë për diasporën, thonë se kjo shifër do të ishte edhe më e lartë, nëse Ministria e Diasporës dhe Agjencia e Statistikave do të angazhoheshin në fushata informuese.

    “Vetëm në Gjermani diku janë kaq kosovarë që jetojnë e veprojnë atje, nuk ka pasur kurrfarë kampanje…”, tha Lirim Krasniqi nga organizata “Germin”.

    Mungesa e fushatave nëpërmes të cilave kosovarët në diasporë do të ishin informuar rreth rëndësisë së procesit, nuk arsyetohen, thonë nga organizata Germin.

    “Për shkak të Covid-19 procesi u shty për 2 vite, atë kohë është dashur ta shfrytëzonin për përgatitje të procesit të regjistrimit të popullsisë…”, tha Krasniqi.

    Ndërkaq, evidentimi i popullatës jorezidente, po konsiderohet shumë i rëndësishëm në disa aspekte.

    “Ka rëndësi si në aspektin ekonomik, demokratik, gjeostrategjik, investime, prodhim, andaj është momenti që të dihet saktë numri i tyre…”, tha Safet Gërxhaliu, ekonomist.

    Banorët e diasporës dhe ata rezidentë në Kosovë kanë afat për t’u regjistruar vetëm deri më 17 maj 2024.

  • Zotimi qëllimisht “i vonuar”, qeveria letër të re Këshillit të Evropës

    Zotimi qëllimisht “i vonuar”, qeveria letër të re Këshillit të Evropës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kërkesës për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, para nisjes së punimeve të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Qeveria iu përgjigj me një letër të re zotimi.

    Qëllimisht, Ministria për Punë të Jashtme zgjodhi që, një ditë para mbledhjes në Strasburg, të zotohet për hartimin e një draft-statuti të ri, të frymëzuar nga ai i “Friedrich-Ebert-Stiftung”, para fundit të muajit.

    “Po të konsideronim që është i vonuar do ta kishim dërguar më herët, nuk do ta kishim dërguar sot… Dhe, pse jo paraprakisht? Dua të ruaj procesin dhe do të bisedojmë sot as rreth partnerëve që na përkrahin edhe as rreth sigurimit të përkrahjes. Ne kemi shprehur me shumë seriozitet vullnetin tonë”, tha ministrja për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz.

    Me shpresën që kërkesa e tyre do të trajtohet seriozisht, drejtuesit e politikës së jashtme zgjodhën të punojnë nga Prishtina.

    “Nuk jemi në Strasburg, sepse nuk duam të jemi në margjina të Këshillit të Evropës, por brenda, si anëtar. Prandaj, punën po e bëjmë nga këtu. Kjo nuk është dita e parë që po merremi me anëtarësimin, për dy vite radhazi kemi pasur lobim intensiv”, tha zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.

    Megjithatë, ministrja e as zëvendësi i saj nuk treguan se a do t’i qëndrojnë zotimit nëse Kosova nuk futet në rend dite.

    “Të flasim sot për këtë letër, për qëllimet pse është hartuar kjo letër. Nuk do të doja të bisedoja për opsione të tjera. Varësisht nga reagimi që do të ketë ndaj ofertës tonë, herët, mjaft herët, do t’ju informojmë rreth hapave të ardhshëm”, tha Gërvalla – Schwarz.

    Edhe pse ministrja nuk tregoi nëse ka pasur bashkërendim ndër-institucional, Presidenca reagoi duke thënë se nuk ka qenë në dijeni për letrën.

    “Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës, si institucion kushtetues me kompetenca të qarta, në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”, thuhet në përgjigjen nga Presidenca.

    Nëse nuk do të ketë ndryshim të agjendës së Këshillit të Ministrave të premten, krerët e MPJ-së shpresojnë që ministrat, së paku, të caktojnë një datë të re për vendimmarrje lidhur me anëtarësimin eventual të Kosovës.

    Në një reagim për letrën, Gjermania e vlerësoi se hap konkret nga Kosova përbën vetëm dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese.

  • Votohen në Kuvend disa marrëveshje ndërkombëtare

    Votohen në Kuvend disa marrëveshje ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat u hodhën në votim në seancën e së enjtes në Kuvend, janë miratuar. Miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ishte çështje që u bllokua në Kuvend tash e një vit në mungesë të votave të mjaftueshme.

    Për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiteshin së paku 80 vota të deputetëve. Por, një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës njoftoi se do t’i mbështesë ato.

    Krahas PDK-së, edhe AAK-ja votoi për marrëveshjen e parë në rend dite respektivisht programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit për Zhvillim Ndërkombëtar. Kjo marrëveshje nuk kaloi meqë mori vetëm 77 vota për, 10 kundër dhe 1 abstenim.

    Megjithatë, PDK-ja votoi kundër ratifikimit të marrëveshjes me Danimarkën për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze. Por, pro kësaj marrëveshjeje, votuan LDK-ja dhe AAK-ja. Në total kundër ishin 75 deputetë.

    Ndërkaq, pas këtyre dy votimeve 10 marrëveshjet e radhës u votuan me më shumë se 80 vota secila.

    Ndërkohë, para se të votohej marrëveshja e bashkëfinancimit për ndërtimin e tunelit në rrugën Prizren-Tetovë, LDK-ja pati një kërkesë.

    Në mungesë të ministrit të Infrastrukturës votimi u shty për një seancë tjetër.

    Ndërkaq, me kërkesë të 44 deputetëve, Kuvendi mbajti edhe seancë të jashtëzakonshme.

    Në seancën e jashtëzakonshme, deputetët votuan pro marrëveshjes kornizë ushtarake mes Kosovës dhe Turqisë, si dhe marrëveshjes mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për trajtimin e ujërave të zeza.

    Ndërkohë, Kuvendi ka vazhduar edhe me votimin e disa projektligjeve të tjera në të cilat opozita nuk mori pjesë. Mes tyre projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

  • Serbët në Novobërdë bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

    Serbët në Novobërdë bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Thirrjen për regjistrim e kanë në hyrje të komunës. Por, më shumë se kësaj, serbët e Novobërdës iu bindën thirrjes së partisë që e udhëheq këtë komunë, Listës Serbe, për bojkot të procesit të regjistrimit.

    Kur ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në mbyllje të afatit, fare pak qytetarë të këtij komuniteti janë regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë.

    “Fatkeqësisht procesi nuk ka shkuar siç duhet, sepse komuniteti serb ka filluar ta bojkotojë këtë proces të regjistrimit të popullsisë dhe sipas shifrave që i kemi ne është një numër shumë i vogël i qytetarëve të regjistruar. Deri dje numri i qytetarëve që janë regjistruar është diku 3200, që është shifër jashtëzakonisht e vogël”, tha nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri.

    Por ajo që s’u bë për 42 ditë, zor të bëhet në ditën e fundit, andaj shpresojnë në kohëzgjatje të afatit së paku për këtë komunë.

    Si ndihmë për ta, komuna ka hapur edhe një zyrë brenda, ku qytetarët mund të regjistrohen.

    “Duket që ka sinjale që nga dita e sotme do të nisë regjistrimi i popullsisë edhe te komuniteti serb, sipas disa informatave jozyrtare që i kam dhe ndoshta pritet edhe vazhdimi i afatit edhe për një javë pas datës 17 maj dhe ndoshta do të përfundojë siç duhet”, tha Ymeri.

    Ndryshe, komuna e Novobërdës, sipas regjistrimit të 2011-tës, rezulton t’i ketë 6729 banorë.

  • Escobar e kreu detyrën, Hovenier ia dedikon një shkrim lamtumirës

    Escobar e kreu detyrën, Hovenier ia dedikon një shkrim lamtumirës

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka kushtuar një postim lamtumirës emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po përfundon detyrën e tij dhe do të marrë një angazhim të ri në diplomacinë amerikane.

    Hovenier ka thënë se ka qenë i nderuar që të punojë me Escobar për të avancuar qëllimet e SHBA-së në Kosovë dhë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Ndërsa miku dhe kolegu im Gabriel Escobar përfundon detyrën e tij si Përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, i uroj atij sukses në detyrën e tij të radhës. Unë kam qenë i nderuar të punoj me të për të avancuar qëllimet e SHBA-së në Kosovë dhe në Dialogun e BE-së. Falenderoj për përkushtimin e tij të palodhshëm në avancimin e vizionit tonë për një Kosovë të sigurt, të begatë dhe demokratike dhe rajon të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Hovenier.

  • Gazetari gjerman: Lëvizje e jashtëzakonshme e minutës së fundit për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Gazetari gjerman: Lëvizje e jashtëzakonshme e minutës së fundit për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Gazetari i Frankfurter Allegmeine Zeitung (FAZ), Michael Martens e ka quajtur lëvizje të jashtëzakonshme të minutës së fundit gatishmërinë e shprehur nga Qeveria e Kosovës për përgatitjen e një drafti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Draft-statuti, të cilin Qeveria e Kosovës tha se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese në fund të muajit maj, është duke u hartuar bazuar në propozimin e bërë nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung.

    E gazetari Martens tha sot se FES-i është fondacion i krijuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë.

    Në shkrimin e tij në Twitter, Martens nënkupton se me këtë lëvizje mund të ndryshohet qëndrimi i Qeverisë gjermane për përkrahjen e Kosovës drejt pranimit në KiE.

    “Lëvizje e jashtëzakonshme e minutës së fundit rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE. Vini re se Friedrich Ebert Stiftung është krijim i SPD-së [Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë] dhe kështu e afërt me kancelarin Scholz dhe njerëzit e tij, disa prej të cilëve deri më tani hezitonin për këtë çështje. Por nëse krijimi juaj prodhon ide të mira…”, tha ai.

  • (VIDEO) Dalin pamjet e momentit kur kryeministri sllovak qëllohet me armë zjarri

    (VIDEO) Dalin pamjet e momentit kur kryeministri sllovak qëllohet me armë zjarri

    Janë publikuar pamjet kur kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico është qëlluar me armë zjarri, duke mbetur i plagosur.

    Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale dëgjohen 5 të shtëna me armë zjarri.

    https://twitter.com/RadioGenoa/status/1790843053160206440

    Gjendja shëndetësore e kryeministrit sllovak, Robert Fico, më nuk është në rrezik për jetë, pasi ai u qëllua me armë zjarri teksa po dilte nga një mbledhje të Qeverisë të mërkurën, tha zëvendëskryeministri i Sllovakisë.

    Fillimisht gjendja e tij ishte kritike dhe Fico, 59 vjeç, iu nënshtrua një operacioni në orët e vona të së mërkurës.

    Incidenti ndodhi në qytetin Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislava, sipas stacionit televiziv të lajmeve TA3.

    Ngjarja ndodhi para Shtëpisë së Kulturës, ku Fico kishte ardhur për t’u takuar me mbështetësit.

    LEXONI EDHE:

    (VIDEO) Momenti kur kryeministri i Sllovakisë futet me shpejtësi në veturën e blinduar, pas plagosjes

  • Shtyhet rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

    Shtyhet rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

    Sot ishte e paraparë të mbahej rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit më 22 gusht të vitit 2021 në Ferizaj, por që kjo seancë është shtyrë për një datë tjetër.

    Sipas burimeve të ATV-së, e njëjta do të mbahet të premten e 24 majit.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht të vitit të kaluar e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim.

    Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit, me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe të mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18-vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqës, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani së ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

  • Kuvendi mban dy seanca plenare

    Kuvendi mban dy seanca plenare

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca plenare.

    Në rend dite do të jenë pikat e papërfunduara të seancave të datave 4 prill dhe 2 maj.

    Seanca e parë pritet të nisë nga ora 10:00.