ATV

Tag: Ballina

  • Presidentja Osmani: Kosova do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës, është çështje kohe

    Presidentja Osmani: Kosova do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës, është çështje kohe

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi sot në Komitetin e Ministrave nuk është futur në rend dite çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

    Megjithatë, Osmani ka thënë se Kosova do të jetë anëtarja e 47 e Këshillit të Evropës dhe se kjo është vetëm thjeshtë çështje kohe.

    Osmani tutje ka thënë e në këtë rrugë, Kosova nuk do të bëjë kompromise me vlerat që përbëjnë themelin e shtetit.

    “Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike. I jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut herët apo vonë”.

  • Kryediplomati i Hungarisë: Nuk e votojmë anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Kryediplomati i Hungarisë: Nuk e votojmë anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë se shteti i tij nuk e voton anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

    Szijjarto, që foli para nisjes së takimit të Komintetit të Ministrave të 46 vendeve anëtare të KiE-së, që zhvillon punimet në Strasburg të Francës, theksoi se për qëndrimin e Budapestit zyrtar ka njoftuar edhe autoritetet e Republikës së Kosovës.

    “Ne kemi një qëndrim shumë të qartë, se ne nuk e përkrahim anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, dhe këtu ne kemi një qëndrim parimor për të cilin i kemi njoftuar miqtë tanë në Kosovë, po ashtu. Ky pozicion parimor është kështu. Ne do të donim të shihnim finalizimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe ne besojmë, po flas nga përvoja se sa herë Kosova ka aplikuar për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare, kjo ka qenë një prapakthim në dialog”, theksoi kryediplomati hungarez.

  • ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të popullsisë

    ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të popullsisë

    Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet të publikohen brenda tre muajve.

    Ylli Shala, menaxher i projektit në Agjencinë e Statistikave (ASK), ka theksuar se rënia e natalitetit dhe migrimi janë dy faktorët kryesor që kanë ndikuar në rënien e numrit të popullsisë, por që sipas tij në Kosovë nuk ka shumë rënie të numrit të banorëve

    Sipas tij, në ditën e fundit pritet të punohet me orar të zgjatur për të pritur fluksin e qytetarëve të cilët ende nuk janë regjistruar.

    Shala ka theksuar se ky proces ka qenë një nga projektet më të mëdha në vend dhe ka kërkuar angazhim të madh nga të gjithë palët pjesëmarrëse.

    “Qëllimi i regjistrimit të popullsisë nuk është vetëm numri i popullsisë, brenda këtij regjistrimi marrim shumë informacione tjera të cilat kanë me qenë shumë të leverdishme për komunat, qeverinë, Kosovën për ASK-në, për shkak që kemi shumë indikator që nuk kemi mundur me i dërguar në Eurostat pa u kryer procesi regjistrimit”, ka deklaruar mes tjerash Shala për RTK-në.

    Ai gjithashtu ka shtuar se teknologjia e përdorur mundëson daljen e rezultateve preliminare brenda muajit qershor dhe atë përfundimtar deri në fund të vitit.

    Megjithatë, Shala u ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që ende nuk janë regjistruar, duke potencuar se mosregjistrimi do të ndëshkohet me gjoba deri në 2000 euro për individ dhe deri në 20.000 euro për subjekte politike.

  • Kurti: Platforma E-Komuna u mundëson qytetarëve shërbime më të mira

    Kurti: Platforma E-Komuna u mundëson qytetarëve shërbime më të mira

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të E-Komuna e cila është pjesë e platformës shtetërore E-Kosova, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se kjo platformë u mundëson qytetarëve shërbime më të mira, ndërsa u mundëson që t’i ndjekin mbledhjet e asambleve komunale e t’i raportojnë problemet në komunat përkatëse.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se përmes kësaj strategjie do të mundësohet qytetarëve të marrin shërbime më të mira dhe të jenë më të informuar për zhvillimet në komunat e tyre, si dhe do të krijohet një linjë komunikimi mes tyre dhe komunarëve.

    “Ky transformim mundëson shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset. Përmes strategjisë së re E-Komuna kemi filluar një sërë reformash në zhvillimin e qeverisë dixhitale. E kur flasim për shërbime, qëllimi nuk është vetëm dixhitalizimi, por shërbimet duhet të ridizajnohen që ta kenë në fokus qytetarin. Parimi themelor gjatë ofrimit të shërbimeve është ai i gjithëpërfshirjes. Duhet të sigurohemi që asnjë qytetarë të mos mbetet mbrapa. Ne jemi të përkushtuar që ky proces transformues të jetë edhe i sigurt”, tha Kurti.

    Ai tutje tha se sot po lansohet një numër i shërbimeve të reja në platformën E-Kosova, e që sipas tij ato rrisin interaksionet mes komunave dhe qytetarëve, duke bërë që qytetarët të jenë të informuar në kohë reale për zhvillimet në komunën e tyre.

    “Qëllimi është që të krijohet një linjë e drejtpërdrejtë komunikimi mes qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre. Kjo do të përmirësojë edhe llogaridhënien”, tha tutje kryeministri.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tregoi se cilat shërbime do të shtohen.

    “Disa nga shërbimet që planifikohen në fazën e parë janë: Transmetimi i mbledhjeve të asambleve komunale, raportimi i problemeve në komunat përkatëse, informacionet mbi komunat, qasja te pasuria e zyrtarëve komunal, inicimi dhe pjesëmarrja në debatet publike. Përmes këtyre shërbimeve qytetarët kanë mundësi të adresojnë më lehtë kërkesat e tyre të organet komunale. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe shërbime tjera”, tha ai.

    Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobrës, tha se përmes zhvillimit të këtyre shërbimeve do të rritet edhe llogaridhënia e institucioneve.

    “Reforma ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së punës në institucione. Jo vetëm që ka më shumë shërbime për të gjithë, por edhe cilësia e tyre po përmirësohet. Po kalojmë në shërbime të plota, cilësore e të qasshme 24 orë në ditë”, theksoi ai.

    Në ceremoninë e organizuar për lansimin e platformës E-Komuna morën pjesë edhe kryetarë komunash e zyrtarë komunal.

  • ​Zgjedhjet e parakohshme dhe KiE, opozita me kritika e akuza ndaj Kurtit

    ​Zgjedhjet e parakohshme dhe KiE, opozita me kritika e akuza ndaj Kurtit

    Hapjen e temës për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, opozita e konsideron lojë hileqare të kryeministrit të Kosovës, për ta larguar vëmendjen nga procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas opozitës Qeveria e Kosovës nuk mund të ndikoj në votim pa realizimin e kushtit të vendosur nga Asambleja Parlamentare.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se pa realizmin e kushtit të vendosur nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, deklaratat nga Qeveria Kosovës nuk mund të ndikojnë në votimin pro për anëtarësimin e vendit tonë në KiE.

    “Mendoj që ne nuk mund t’ia hedhim Këshillit të Ministrave për të votuar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Mendoj që vendimi i Asamblesë Parlamentare ka qenë shumë i shpejtë, në përputhje me zotimet që kanë pasur dhe kushtet që kanë nxjerrë. Tani kemi një kusht për ta realizuar, nëse ai nuk realizohet unë nuk e besoj që me deklarata nga Qeveria e Kosovës ose nga ministrja e Punëve të Jashtme ose nga kryeministri që ia mbushi mendjen Komitetit të ministrave për ta votuar”, potencon Haliti.

    Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj në një prononcim për KosovaPress ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka hapur temën e zgjedhjeve të parakohshme për ta shmangur diskutimin e largimit të Kosovës nga agjenda e Komitetit të Ministrave ku do të mund të votohej për pranimin në këtë organizatë.

    Lekaj kërkon që qeveria Kurti të jap dorëheqje e më pas të bëhet shpërbërja e parlamentit.

    “Zoti Kurti ka hapur një temë për zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme vetëm për të hequr përqendrimin për atë që nuk po anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe nuk është në agjendë deri më tani. Mendoj që janë lojëra hileqare të zotit Kurti dhe ne nuk guxojmë që të bëjmë këso lojëra. Prandaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës prioritet e ka keqqeverisjen e kësaj dhe ne kemi kërkuar si prioritet tonin që ai të shkarkohet apo të jap dorëheqje, pastaj ta bëjmë shpërndarjen e parlamentit”, thotë Lekaj.

    Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk pritet të jetë sot në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.

    Ekzekutivi të enjten i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

    Pas letrës së dërguar nga Qeveria e Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës, për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Prishtinës në KiE, në një letër të përbashkët, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron i drejtohen kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit me një përgjigje të prerë duke i thënë se nuk do të pranohet kërkesa, nëse nuk do të ketë asociacion.

    Në letër theksohet se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në asociacion, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

    Ndërkaq edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk është konsultuar dhe dakorduar në lidhje me letrën e zotimit të Qeverisë për hartimin dhe dërgimin e draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

    Këshilltari për medie në Zyrën e Presidencës, Bekim Kupina kishte thënë për KosovaPress se presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me Presidencën./kp

  • ​“Kosova duhet të hyjë në KiE”- Gjermania apel Prishtinës për Asocacionin

    ​“Kosova duhet të hyjë në KiE”- Gjermania apel Prishtinës për Asocacionin

    Berlini pret që Kosova të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).

    Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, gjatë një fjalimi në Bundestag me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, apeloi te Kosova që të bëjë çfarë është e mundur për t’u anëtarësuar në KiE. “Kosova duhet të hyjë në Këshillin e Evropës,” tha Baerbock. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira dhe atyre që janë përgjegjës në Kosovë të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të arrijmë shumicën e nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë.”

    Edhe Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës: “Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për të luajtur një rol në këtë, dhe këtë e ka bërë edhe përmes një letre dërguar për çështjen e pakicave serbe dhe Asociacionit të Komunave,” tha ai. Por deputeti socialdemokrat i dha si porosi ministres para nisjes për në Strasburg, ku do të merrte pjesë në Ministerialin vjetor, që të mos harrojë rezultatin e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Më shumë se 80% e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan në favor të pranimit të Kosovës. Partia Socialdemokrate dhe partitë e koalicionit qeveritar e mbështesin këtë anëtarësim, prandaj Kosova duhet të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës.”

    Knut Abraham, nga CDU/CSU-ja në opozitë, e kritikoi në seancën e Bundestagut stafin e kancelarit Olaf Scholz për këtë qëndrim: “Nuk e kuptoj pse skeptikët në Kancelarinë Federale nuk e kuptojnë se kjo është një mundësi historike,” tha ish-diplomati, i cili, para se të bëhej deputet, kishte punuar më parë në Kancelarinë Federale (në kohën e Angela Merkelit). “Nëse flitet për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, tani është koha, tani duhet të merret edhe vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës në KiE.”

    Abraham sugjeroi që të mblidhet sërish Komiteti i Ministrave të Jashtëm në një seancë të posaçme, tani që Kosova është treguar e gatshme të dërgojë draft-statutin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese. “Ky është një moment historik. Dhe qeveria e Kosovës ka bërë një hap shumë të rëndësishëm.”

    Një muaj më parë, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, organizata më e rëndësishme ndërshtetërore evropiane për të drejtat e njeriut, dukej i arritshëm. Me një shumicë mbresëlënëse prej mbi 82 përqind, deputetët në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg votuan për pranimin e shtetit më të ri evropian si anëtarin e 47-të. Ky vendim pasoi rekomandimin e ish-ministres së Jashtme greke Dora Bakojanis, e cila më parë kishte shqyrtuar përshtatshmërinë e Kosovës si raportuese.

    Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia, është njohur zyrtarisht nga 116 vende, ndër ta 34 nga 46 anëtarët e Këshillit të Evropës. /Euronews.al/

  • Escobar: Asociacioni vendimtar, do të duhej të insistonim më shumë në zbatim, se sa t’i bënim palët bashkë

    Escobar: Asociacioni vendimtar, do të duhej të insistonim më shumë në zbatim, se sa t’i bënim palët bashkë

    Në ditën e tij të fundit të mandatit si Emisar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

    Escobar ka thënë se do të duhej të insistonin më shumë në implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sesa që t’i bënin palët bashkë, meqë tha se kanë vërejtur në disa raste mungesë të vullnetit për këtë.

    “Ne do të duhej të insistonim më shumë në implementim e Asociacionit sesa në ndërmjetësimin që dy palët të bëhen bashkë, sepse në disa raste ne kemi vërejtur mungesën e vullnetit në të dy palët. Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është absolutisht vendimtar për Kosovën. Është më i vështiri prandaj si më i vështiri, ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal se ka vullnet të adresojë çështjen e minoritetit serb në territorin e saj”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik.

    Ai ka thënë se pranimi i propozimit evropian do t’u jepte mundësi amerikanëve që të lobonin te shtetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, për ta bërë këtë, por se nuk kishin material për këtë.

    “Nga perspektiva amerikane, pasi që rruga evropiane përfshinte pjesë të rëndësihme të Asociacionit në çdo hap, ne besojmë se duke pranuar një propozim evropian, përmes një procesi evropian që është dialogu dhe një marrëveshje që garantohet nga Bashkimi Evropian, do t’u jepte amerikanëve një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane për të thënë se Kosova ka bërë çfarëdo që Evropa ka kërkuar dhe për të kërkuar njohje të reja. Pa këtë, të themi që ne nuk kishim shumë material për të punuar për këtë”, ka deklaruar Escobar.

  • ​Knaus kërkon nga ministrat e jashtëm të caktojnë seancë të jashtëzakonshme për Kosovën

    ​Knaus kërkon nga ministrat e jashtëm të caktojnë seancë të jashtëzakonshme për Kosovën

    Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka kërkuar nga ministrat e jashtëm që të caktojnë një seancë të jashtëzakonshme për Kosovën.

    Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se është çmenduri të ndalohet progresi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

    “Ministrat e Jashtëm në Strasburg duhet ta caktojnë një datë të re për një takim të jashtëzakonshëm brenda javësh, që të votohet për aplikimin e Kosovës sapo të ecë në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo do t’i çonte sinjal të qartë Serbisë se shtetësia e Kosovës është e qëndrueshme dhe ruan mbështetjen e plotë të demokracive evropiane”, ka shkruar ai.

    Knaus poashtu tha se është fatale për ministrat e jashtëm nëse sot, më 17 maj, injorojnë “formulën e Ahtisaarit për paqe, rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka shkruar ai.

    Knaus ka përmendur edhe propozimin e Qeverisë së Kosovës për të cilin ka thënë se është shumë i mirë, për çështjen e Asociacionit të lidhur me anëtarësimin në Këshill.

    Agjenda për takimin e 16 e 17 majit e ka lënë Kosovës jashtë rendit të ditës. Zëdhënësi i KiE Daniel Holtgen, pati thënë se çështja e Kosovës nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave dhe se për momentin nuk dihet se kur mund të jetë.

  • Rruga e Kosovës drejt KiE-së, e mbingarkuar dhe me shpresë

    Rruga e Kosovës drejt KiE-së, e mbingarkuar dhe me shpresë

    Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk pritet të jetë sot në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë. Megjithatë, zyrtarë të qeverisë presin që zotimi i tyre për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave, me shpresën që anëtarësimi i Kosovës të shqyrtohet në një mbledhje të jashtëzakonshme më vonë gjatë këtij viti.

    Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

    Mbledhjet e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave janë të rralla dhe për të fundit herë një e tillë ka ndodhur pas agresionit rus në Ukrainë, për ta përjashtuar Rusinë nga Këshilli i Evropës.

    Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, i cili ka përcjellë nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së, mendon se letra ka shkuar pak me vonesë por vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti, me shpresë brenda disa javësh.

    Më 16 prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, përfshirja e saj në rendin e ditës së takimit të Këshillit të Ministrave që mbahet sot u pamundësua, meqë Kosova refuzoi të hedh hapa drejt themelimit të Asociacionit.

    Ndonëse në raportin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës thuhet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e kanë parë çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin me themelimin e Asociacionit, duke e cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

    Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi dje se kishte informuar Këshillin e Evropës se Kosova mëton të përgatisë një draft-statut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim në fund të muajit.

    Gërvalla tha se pret që Këshilli i Evropës të marrë seriozisht këtë hap të Kosovës dhe të pranojë Prishtinën si anëtaren më të re të kësaj organizate për të drejtat e njeriut.

    Kurse, Bekim Kupina, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një deklaratë me shkrim se letra drejtuar Këshillit të Evropës nuk është këshilluar dhe as dakorduar me presidenten Osmani. Në deklaratë thuhet se “presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të bashkërenduara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë”, thuhet në deklaratë.

    Partitë opozitare e cilësuan të gabuar dhe të vonuar veprimin e qeverisë. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se është ditur që mbledhja e Këshillit të Ministrave mbahet më 16 dhe 17 maj dhe nuk është dashur të lihen gjerat për minutën e fundit.

    Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cilësoi letrën e qeverisë të pakuptimtë.

    Dritëro Arifi, profesor i integrimeve evropiane, tha se veprimi i qeverisë duhej të kishte ndodhur shumë më herët.

    Përndryshe, Këshilli i Evropës dje e sot po shënon 75-vjetorin e themelimit. Kjo organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e cila ndodhet me seli në Strasburg.

    Këshilli i Evropës u themelua më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer.

    Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

    Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

    Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

    Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

  • ​Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë

    ​Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë

    Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Regjistrimi ka filluar nga data 5 prill derisa është planifikuar të përfundoj më 17 maj.

    Sipas të dhënave të fundit të lëshuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi 1 milionë e 420 mijë banorë janë regjistruar deri më tani ndërsa rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

    Ndonëse pritshmëritë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishin që procesi të përfundojë me kohë, kishte kërkesa prej disa komunave që kjo datë të shtyhet.

    Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë institucion, Avni Kastrati kishte thënë se sa i përket kërkesave për shtyrje të datës, do të shikojnë nëse e njëjta ka bazë që të aprovohet.

    Ai tha se meqenëse një pjesë e madhe e regjistrueseve kanë kryer zonat e caktuara, të njëjtit mund t’i dalin në ndihmë komunave tjera në mënyrë që mos të ketë shtyrje të procesit.

    Ndërsa kishte shtuar se në disa komuna, si Prizren dhe Prishtinë janë hapur disa zyre, për qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen, të shkojnë në ato zyre.

    Sa i përket pjesës veriore, ai ka theksuar se ndonëse kishte hezitim, ka prej tyre që janë regjistruar.

    Ndërsa, gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

    Ndryshe pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person.