ATV

Tag: Ballina

  • Costa: BE-ja mund ta mbështesë Kosovën, por s’mund t’ia kryejë detyrat e shtëpisë

    Costa: BE-ja mund ta mbështesë Kosovën, por s’mund t’ia kryejë detyrat e shtëpisë

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka zhvilluar një konferencë për media në Prishtinë, ku ka folur për vizitën e tij dhe mesazhet drejtuar liderëve politikë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Costa tha se Bashkimi Evropian mbetet partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës që nga viti 1999, duke theksuar investimet e vazhdueshme në sektorë të ndryshëm.

    “Që nga viti 1999, Bashkimi Evropian ka qenë partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare. Deri më sot, ne kemi investuar 3.7 miliardë euro në edukim, infrastrukturë, energji, mjedis, biznese, të drejtat e njeriut dhe në sundimin e ligjit. Dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë, sepse besojmë që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Në kohë të pasigurisë gjeopolitike globale dhe paqëndrueshmërisë ekonomike, zgjerimi nuk është thjesht një mundësi. Ai është një domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën; një investim në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë. Si e tillë, unë e përgëzoj Kosovën për rreshtimin e saj të plotë dhe vullnetar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Evropian. Kjo është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të Kosovës”, tha Costa.

    Duke folur në kontekstin e zgjedhjeve që po afrohen në Kosovë, Costa tha se u ka përcjellë liderëve politikë mesazhin për përgjegjësi dhe bashkëpunim.

    “Teksa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë vikend, mesazhi im për të gjithë liderët politikë që i takova sot ishte i thjeshtë: partneriteti vjen me përgjegjësi. Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund ta bëjë detyrën e shtëpisë së Kosovës. Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe funksionale, të afta për të jetësuar reformat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian. Prandaj, në takimet e mia të sotme, i kam inkurajuar të gjithë aktorët politikë që ta bëjnë integrimin evropian prioritet, mbi ndasitë politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët”, tha ai.

    Costa theksoi gjithashtu rëndësinë e vlerave evropiane, dialogut ndërpartiak dhe normalizimit të marrëdhënieve në rajon.

    “Kushtetuta e Kosovës lartëson vlerat evropiane. Dialogu ndërpartiak dhe respekti për të gjitha komunitetet në diversitetin e tyre janë thelbësore. Liderët politikë duhet të sigurojnë që këto vlera të funksionojnë në praktikë. Nxitja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë gjithashtu një prioritet thelbësor për të siguruar sigurinë dhe prosperitetin ekonomik të rajonit. Dialogu Beograd-Prishtinë është kritik në këtë aspekt. Më lejoni të nënvizoj: normalizimi është i domosdoshëm për të ardhmen evropiane të të dyja palëve, si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë”, tha Costa para mediave.

  • Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

    Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

    Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror.

    Këto deklarata ajo i bëri gjatë takimit në Prishtinë me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, me të cilin tha se bisedoi për një sërë çështjesh, përfshirë për Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor si dhe stabilitetin rajonal.

    “Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror dhe zgjedhje demokratike e qytetarëve tanë”, tha Haxhiu përmes një postimi në Facebook, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Para nisjes së takimeve, Costa shkroi në X se inkurajon udhëheqësit politikë në Kosovë që ta bëjnë prioritet integrimin në BE, “dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët”.

    “Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe të afta që të zbatojnë reforma, që përfitojnë nga ajo që ofron BE-ja dhe të zbatojnë zotimet që dalin nga dialogu Kosovë-Serbi”, shkroi Costa.

    Ndërkaq, sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, Haxhiu ka kërkuar që të avancohet procesi i integrimit, teksa Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka as statusin e vendit kandidat.

    Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.

    Haxhiu vlerësoi se Kosova ka shoqërinë më “proevropiane në rajon”, duke argumentuar se ky orientim është bazë për rrugën e shtetit drejt BE-së.

    Ndërkaq, sa i përket Planit të Rritjes, Haxhiu tha se Kosova atë e sheh si mundësi konkrete për zhvillim, “për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët”.

    Paketa financiare e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Fondet u ndahen vendeve të rajonit pjesërisht në formë grantesh dhe pjesërisht përmes kredive të favorshme.

    Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me udhëheqësit e partive opozitare në Kosovë.

    Vizita e zyrtarit evropian në Kosovë është në kuadër të një turneu në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    “Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: zotimi i Bashkimit Evropian për rajonin është i vërtetë, sikurse është e vërtetë edhe mundësia për zgjerim. Momentumi ekziston. Tani është koha që të japim rezultate”, tha ai përmes një njoftimi para nisjes së vizitave në rajon.

    Costa nisi turneun ballkanik në Sarajevë, ku u takua me anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës dhe udhëheqësen e Këshillit të Ministrave.

    Një ditë më vonë, ai qëndroi në Tiranë ku u takua me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe presdientin, Bajram Begaj. Më pas, në Shkup zhvilloi takim me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski.

    Pas qëndrimit në Prishtinë, Costa do të udhëtojë drejt Serbisë, për takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryetaren e Parlamentit, Ana Bërnabiq, dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.

    Vizitat në rajon, Costa do t’i përmbyllë në Mal të Zi, ku përveç takimeve me zyrtarët malazezë, ai do të jetë bashkëudhëheqës i samitit BE-Ballkani Perëndimro në Tivat.

    Tema e samitit të sivjetshëm, sipas BE-së, është “Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

    Vitin e kaluar, ky samit u mbajt në Bruksel dhe Kosova u përfaqësua me tashmë ish-presidenten Vjosa Osmani, ndërkaq Serbia nuk mori pjesë. Në deklaratën e samitit të vitit të kaluar, u tha se “mungesa e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit po mban të dy shtetet të bllokuara në rrugën evropiane”.

    Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat, nën ndërmjetësimin e Brukselit, mbi një dekadë më parë.

    Gjatë procesit janë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.

    Dy vendet nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë politik që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

    Një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një reshter. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon përfshirjen.

    Për sulmin në Banjskë, autoritetet në Kosovë kanë dënuar tre të akuzuar, teksa dhjetëra të tjerë gjenden në arrati.

    Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit, teksa Kosova kërkon vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë atë./RE

  • Shefja e BE-së: Kosova ka nevojë për institucione funksionale

    Shefja e BE-së: Kosova ka nevojë për institucione funksionale

    Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka bërë të ditur se Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka mbërritur në Prishtinë për vizitën e tij zyrtare.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë, Costa pritet të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore, si dhe me drejtues të subjekteve politike.

    Palatova ka vënë theksin te perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë që Kosova të ketë institucione funksionale dhe efektive.

    “Mundësia e zgjerimit të BE-së është reale. Kosova ka nevojë për institucione plotësisht funksionale sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Palatova në rrjetin social X.

  • Presidenti i KE-së në Prishtinë: Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale

    Presidenti i KE-së në Prishtinë: Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se ndodhet në Prishtinë për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.

    Në një postim në rrjetin social “X”, Costa ka bërë të ditur se është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me liderët e partive opozitare.

    Ai ka theksuar se, në prag të zgjedhjeve të kësaj fundjave, partneriteti me BE-në nënkupton edhe përgjegjësi nga ana e institucioneve dhe aktorëve politikë në Kosovë.

    Costa ka inkurajuar liderët politikë që integrimin në Bashkimin Evropian ta vendosin si prioritet mbi ndarjet politike dhe të bashkëpunojnë drejt këtij qëllimi të përbashkët.

    Po ashtu, ai ka theksuar nevojën për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale në Kosovë, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron BE-ja dhe për të përmbushur zotimet në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.

    “Sot jam në Prishtinë për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën. U takova me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ushtruesin e detyrës së kryeministrit Albin Kurti dhe me liderët e partive opozitare. Ndërsa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë, mesazhi im është i thjeshtë: partneriteti ynë vjen me përgjegjësi. I kam inkurajuar liderët politikë që ta vendosin integrimin në BE si prioritet, përtej ndarjeve politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian dhe për të përmbushur të gjitha zotimet në kuadër të dialogut”, ka shkruar Costa.

  • Mbyllen përkohësisht disa segmente të autostradave më datat 5,6 dhe 7 qershor

    Mbyllen përkohësisht disa segmente të autostradave më datat 5,6 dhe 7 qershor

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se në Kosovë do të zhvillohet Gara Ndërkombëtare e Çiklizmit në datat 5, 6 dhe 7 qershor 2026, e cila do të përfshijë disa akse rrugore në mbarë vendin, përfshirë autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”.

    Sipas njoftimit zyrtar, gjatë zhvillimit të kësaj gare do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullim, ku në segmente të caktuara do të mbyllet njëra korsi, në përputhje me itineraret e përcaktuara për secilën ditë të aktivitetit.

    Më 5 qershor, duke filluar nga ora 13:00, një korsi e autostradës “Arbën Xhaferi” do të jetë e mbyllur përkohësisht. Gara do të nisë nga sheshi “Metush Krasniqi” në Kamenicë dhe do të përfundojë në kilometrin 28 në drejtim të Prishtinës.

    Më 6 qershor, kufizime të përkohshme të trafikut do të aplikohen në disa segmente rrugore, përfshirë rrugën Ferizaj (Bibaj) – Lipjan – Hani i Elezit. Këto ndërprerje do të jenë të shpërndara gjatë ditës, nga ora 09:00 deri në 16:00.

    Ndërsa më 7 qershor, gara do të shtrihet në një itinerar më të gjerë që përfshin disa qytete, përfshirë Ferizajn, Podujevën, Lipjanin, Fushë Kosovën, Llapushnikun dhe Duhlin, ku gjithashtu do të ketë mbyllje të pjesshme të një korsie në orare të ndryshme.

    Për organizimin dhe sigurinë gjatë ngjarjes, Federata e Çiklizmit e Kosovës do të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse.

    Ministria ka apeluar tek qytetarët për mirëkuptim, si dhe për respektim të udhëzimeve të Policisë, stafit organizativ dhe sinjalizimit rrugor përgjatë gjithë itinerarit të garës.

  • KEDS-i gjobitet me 110 mijë euro për njehsorë të skaduar

    KEDS-i gjobitet me 110 mijë euro për njehsorë të skaduar

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka gjobitur me 110 mijë euro Kompaninë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) për shkak të njehsorëve elektrikë të skaduar.

    MINTI tha se pas ankesave të qytetarëve në maj dhe verifikimeve të kryera është gjetur se 18 njehsorë kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmrëisë, dy janë tërhequr, ndërkaq 30 njehsorë u gjet se kishin pasaktësi në datë dhe orë.

    “Bazuar në gjetjet e evidentuara dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë prej 110.000 eurosh. Ndërkohë, raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar edhe te KESCO [Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike], me qëllim të kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar”, u tha në njoftimin e MINTI-t, institucion që njoftoi se verifikimet e njehsorëve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

    Por, kush mund të kompensohet nga dëmet e shkaktuara nga problemet me njehsorët e energjisë elektrike?

    Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji të gjithë konsumtorët që vërtetohet se janë dëmtuar do të “kompensohen plotësisht”.

    Kjo zyrë ka thënë më herët se për të përfituar kompensim, qytetarët duhet fillimisht të paraqesin ankesë në MINTI, pastaj te KEDS-i. Nëse nuk pajtohen me përgjigjen e tyre, atëherë ankesën mund ta vetë ZRRE-ja.

    Në prill, Radio Evropa e Lirë pyeti rregullatorin e energjisë se sa mund të jetë vlera e kompensimit dhe nga ZRRE-ja thanë se vlerat financiare mund të ndryshojnë, por se ato janë të vogla.

    Sipas ZRRE-së, një numër i vogël i konsumatorëve mund të përfitojnë nga kompensimi, pasi pa vetëdije ata kanë përfituar tarifa të ulëta gjatë ditës.

    “Në pjesën më të madhe të rasteve, korrigjimet financiare nuk kanë rezultuar në favor të konsumatorëve, por pavarësisht kësaj çdo rast do të trajtohet me seriozitet”, u tha në një njoftim të ZRRE-së më 21 prill.

    Kjo nuk është hera e parë që KEDS-i gjobitet. MINTI e kishte gjobitur për shkak të njehsorëve të skaduar.

    Në prill, ministria tha se gjeti njehësorë të skaduar – por, nuk tregoi numrin e saktë të tyre – duke thënë se gjoba për KEDS-in ishte nga 1.500 deri në 5.000 euro për secilin njehsorë.

    Në fillim të prillit, autoritetet nisën të verifikonin njehësorët elektrikë ku u gjet se disa kishin afat të skaduar të vlefshmërisë, pasaktësi në ditë dhe orë. Po atë muaj, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryente hetime lidhur me parregullsitë e njehsorëve elektrikë.

    Parregullsitë në njehsorët elektrikë u gjetën së pari nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – që mandatin e kaluar ishte në opozitë – dhe media lokale Nacionale, të cilat publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në përgjithësi – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

    Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht prej temperaturës dhe kohëzgjatjes së njehsorit, ndërsa ka qytetarë që pretendojnë se pasaktësia shkon në disa orë.

    Ora që shfaqet në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë është e rëndësishme, pasi çmimi i rrymës është i ndryshëm, varësisht se kur shpenzohet.

    Aktualisht, në Kosovë ka tarifa të larta, që janë gjatë ditës, dhe ato të ulëta, gjatë natës. Sipas tarifave, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag. Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

    KEDS-i ka mohuar se ka bërë shkelje, duke argumentuar se mospërputhjet në njehsorë janë çështje teknike dhe jo manipulim.

    Kjo kompani e shpërndarjes të energjisë elektrike ka thënë se nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë. Por, kompania tha se, në rast të gjetjes së pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”./REL

  • Qeveria themelon Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndan mbi 550 mijë euro për shëndetësi dhe teknologji

    Qeveria themelon Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndan mbi 550 mijë euro për shëndetësi dhe teknologji

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e saj të 22-të në formë elektronike, ku ka marrë disa vendime që lidhen me sektorin e shëndetësisë dhe mbështetjen e aktiviteteve të teknologjisë dhe inovacionit.

    Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka themeluar Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, një mekanizëm i paraparë për financimin dhe menaxhimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore.

    Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e 400 mijë eurove për zbatimin e marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Qeveria ka miratuar edhe ndarjen e 153 mijë eurove për mbështetjen e realizimit të tri ngjarjeve në kuadër të iniciativës “OctoberTech”, e cila bashkon aktivitetet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.

    Vendimet janë marrë në kuadër të mbledhjes elektronike të mbajtur nga Qeveria në detyrë, ndërsa detaje shtesë për zbatimin e tyre pritet të bëhen publike nga institucionet përgjegjëse.

  • Mbi 1.6 milion fletëvotime gati për zgjedhje, të shtunën shpërndahen në qendra komunale

    Mbi 1.6 milion fletëvotime gati për zgjedhje, të shtunën shpërndahen në qendra komunale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë vendosur fletëvotimet të cilat janë shtypur në Slloveni, e të cilat janë sjellë në Kosovë gjatë këtyre ditëve.

    Duke folur për votimin që organizohet brenda vendit, ai ka treguar se janë shtypur 1 milionë e 641 mijë e 450 fletëvotime, të cilat janë të planifikuara të përdoren në vendvotime të rregullta, ato me kusht, për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe një pjesë e tyre do të shërbejnë si rezervë.

    “Sipas vendimit të KQZ-së, për zgjedhjet e 7 qershorit janë shtypur 1 milionë e 778 mijë e 300 fletëvotime. Nga ky numër, 1,605,000 fletëvotime janë të planifikuara për votimin në vendvotimet e rregullta; 19,450 për votimin me kusht; 13,500 fletëvotime rezervë; dhe 3,500 për votimin e personave me nevoja të veçanta. Edhe në këto zgjedhje, si në të kaluarën, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime se numri i përgjithshëm i votuesve dhe kjo mbështetet në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime. Këto fletëvotime, aktualisht janë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në kuadër të përgatitjeve logjistike, të shtunën në mëngjes do të bëhet shpërndarja e tyre në qendrat komunale të numërimit dhe nga aty të dielën në mëngjes në qendra të votimit”, ka deklaruar Elezi.

    Ndërkaq, duke folur për votimin jashtë vendit, Elezi ka treguar se fletëvotimet tashmë janë nisur për tu dërguar në përfaqësi diplomatike, një pjesë janë shpërndarë për votuesit e regjistruar për votim me postë dhe pjesa tjetër do të përdoret për votim në përfaqësitë diplomatike, më 6 qershor.

    “Po ashtu, nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve, për votimin me postë jashtë Kosovës janë shtypur 108 mijë fletëvotime, ndërsa për votimin në përfaqësi diplomatike 28,850 fletëvotime. Siç e kemi shpjeguar më herët, fletëvotimet për votimin me postë, i cili ka nisur më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor, janë dërguar në adresa të votuesve të regjistruar, ndërkaq fletëvotimet dhe materialet tjera zgjedhore janë nisur për tu dërguar në përfaqësi diplomatike, në të cilat do të zhvillohet votimi më 6 qershor”, ka deklaruar ai.

    “Më 6 qershor, procesi i votimit do të zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike për 27,724 votues e regjistruar paraprakisht. Votimi do të mundësohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Më 6 qershor përfundon votimi jashtë vendit, përkatësisht votimi me postë, për 104,488 votuesit e regjistruar për këtë lloj votimi”.

    “Më 7 qershor është dita e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Procesi i votimit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit me gjithsej 2,550 vendvotime. Në 911 Qendra Votimi me 2,498 Vendvotime do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në 38 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime, do të mundësohet votimi me kusht. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milionë e 959 mijë e 962 votues”, ka shtuar ai.

  • FSK me oficerë ndërlidhës në Bordin e Paqes, dy majorë i bashkohen stafit të ISF-së

    FSK me oficerë ndërlidhës në Bordin e Paqes, dy majorë i bashkohen stafit të ISF-së

    Bordi i Paqes, mekanizmi ndërkombëtar në kuadër të të cilit vepron Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit për Gazën, ka njoftuar se dy pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë bashkuar stafit të këtij misioni.

    Sipas njoftimit, majorët Gentrit Idrizi dhe Labinot Lala do të shërbejnë si oficerë ndërlidhës.

    Roli i tyre është të lehtësojnë shkëmbimin e informacionit ndërmjet Forcës Ndërkombëtare dhe Kosovës.

    Në njoftim thuhet se përfshirja e tyre e zgjeron koalicionin ndërkombëtar të personelit, në mbështetje të përpjekjeve për siguri dhe stabilizim në kuadër të Bordit të Paqes.

  • Kurti bën homazhe në Marinë në nderim të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj

    Kurti bën homazhe në Marinë në nderim të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj

    Në përvjetorin e 27-të të rënies së dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Marinë të Skënderajt.

    Kurti përkujtoi dhe nderoi dëshmorët Rasim Kiçina e Ragip Halilaj, që ranë heroikisht më 30 maj 1999. Ata u vranë në fshatin Arllat, rrugës për të mbrojtur dhe strehuar civilët e rrethuar nga forcat armike serbe, të cilat po kryenin spastrim etnik e gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.

    Dy luftëtarë nga familje patriotike, Rasimi e Ragipi u bënë dëshmorë të lirisë që e fituam dy javë pas rënies së tyre dhe gjaku i tyre ndodhet në themelin e shtetit që kemi ndërtuar, e zhvillimin dhe forcimin e të cilit e kemi obligim. /Telegrafi/